PATRIARKË DHE PROFETË

3/74

3—“TUNDIMI DHE RËNIA NË MËKAT”

*****

Duke mos qenë më i lirë të nxiste rebelim në qiell, armiqësia e Satanit kundër Perëndisë gjeti një fushë të re veprimi, në komplotin për shkatërrimin e racës njerëzore. Në lumturinë dhe paqen e çiftit të shenjtë njerëzor në Eden, Satani pa një parajsë që, për të, ishte humbur përjetësisht. I shtyrë nga lakmia, u përbetua që t’i provokonte drejt mosbindjes dhe të sillte mbi ta fajin dhe pagën e mëkatit. Donte ta kthente dashurinë e tyre në mosbesim ndërsa këngët e tyre të lavdërimit në akuza ndaj Krijuesit të tyre. Në këtë mënyrë, ai, jo vetëm që do t’i hidhte me forcë këto qenie të pafajshme drejt agonisë, që po përjetonte vetë, por do të sillte çnderim për Perëndinë e do të shkaktonte hidhërim në qiell. PPAlb 21.1

Prindërit tanë të parë nuk u lanë pa u paralajmëruar për rrezikun, që i kërcënonte. Lajmëtarë nga qielli u treguan atyre historinë e rënies së Satanit dhe komplotet e tij të shumta, me qëllim shkatërrimin e tyre, duke shtjelluar kështu më plotësisht natyrën e e qeverisjes qiellore, të cilën princi i së keqes po përpiqej ta rrëzonte. Ishte nëpërmjet mosbindjes ndaj urdhërimeve të drejta të Perëndisë që Satani dhe engjëjt, të cilët e ndoqën pas, kishin rënë në mëkat. Në këtë kontekst, ishte shumë e rëndësishme që Adami dhe Eva të nderonin dhe respektonin ligjin e Perëndisë. Vetëm me anë të këtij të fundit ishte e mundur që të ruheshin rendi dhe barazia. PPAlb 21.2

Ligji i Perëndisë është po aq i shenjtë, sa Vetë Perëndia. Ai është një zbulesë e vullnetit të Tij, një dokumentim i karakterit të Tij, shprehje e dashurisë dhe urtësisë hyjnore. Harmonia e krijimit varet nga zbatimi i plotë, nga ana e të gjitha qenieve, gjithçkaje, frymorë dhe jo frymorë, e ligjit të Krijuesit. Perëndia ka shpallur ligje për qeverisjen, jo vetëm të qenieve të gjalla, por dhe të të gjitha proceseve natyrore. Gjithçka përcaktohet me ligje të pandryshueshme, të cilat nuk mund të injorohen. Megjithatë, ndërsa gjithçka në natyrë drejtohet nga ligjet natyrore, njeriu, në dallim nga gjithë të tjerët, që banojnë në tokë, përgjigjet ndaj ligjit moral. Vetëm njeriut, veprës kurorëzuese të krijimit, Perëndia i ka dhënë fuqi për të kuptuar kërkesat e Tij, për të ngulitur në kokë drejtësinë dhe mirësinë e ligjit të Tij, si dhe kriteret e shenjta të ligjit për të; dhe, pikërisht, nga njeriu kërkohet bindje e palëkundur. PPAlb 21.3

Njësoj si engjëjt, banorët në kopshtin e Edenit do të vendoseshin përpara provës; pasuria fatlume, që kishin, mund të ruhej me kusht, që ata t’i qëndronin besnikë ligjit të Krijuesit. Bindja ndaj ligjit sillte jetë, ndërsa mobindja, vdekje. Perëndia i kishte bërë ata marrës të shumë bekimeve të pasura; por, në rast se ata do të shpërfillnin vullnetin e Tij, Ai, që kishte dënuar engjëjt, që mëkatuan, nuk mund t’i linte ata pa dënim; shkelja e ligjit do të bënte që ata të humbisnin dhuratat e Perëndisë dhe, gjithashtu, do t’u sillte agoni, vdekje dhe shkatërrim. PPAlb 21.4

Engjëjt e shenjtë i paralajmëruan prindërit tanë të parë që të ishin vigjilentë ndaj planeve dhe manovrimeve te Satanit, sepse përpjekjet e tij, për t’i zënë në kurth, do të ishin të vazhdueshme. Për sa kohë që ata do t’i qëndronin besnikë Perëndisë, i ligu nuk mund t’i lëndonte, sepse, po të ishte nevoja, çdo engjëll, që gjendet në qiell, do të dërgohej në ndihmë të tyre. Në rast se ata do të rezistonin të papërkulur dhe do t’i hidhnin poshtë përpjekjet e para të Satanit, ata do të ishin po aq të sigurt sa ç’ishin vetë lajmëtarët qiellorë. Por, në rast se ata do të binin qoftë dhe vetëm një herë në tundim, natyra e tyre do të degjeneronte deri në atë pikë sa, në vetvete, ata nuk do të kishin as fuqi dhe as prirje për t’i rezistuar Satanit. PPAlb 22.1

Kështu, pema e njohurisë, u bë një provë për bindjen dhe dashurinë e tyre ndaj Perëndisë. Zoti e kishte gjykuar të drejtë të vendoste një ndalim të vetëm për çiftin njerëzor, për sa i përket gjërave, që mund të përdornin në kopsht; në qoftë se do ta shpërfillnin vullnetin e Tij në këtë gjë të veçantë, ata do të kishin kryer fajin e shkeljes së ligjit. Satani nuk do të lejohej t’u vinte pas, duke i tunduar vazhdimisht; ai mund të komunikonte me ta vetëm tek pema e ndaluar. Në rast se Adami dhe Eva do të përpiqeshin të shqyrtonin natyrën e pemës, ata, natyrisht, do të ishin të ekspozuar ndaj ligësisë së Satanit. Për këtë arsye, atyre iu tërhoq vëmendja që të kishin shumë kujdes dhe ta kishin gjithmonë parasysh paralajmërimin, që u kishte transmetuar vetë Perëndia dhe, në këtë mënyrë, t’u mjaftonte udhëzimi, që Perëndia e kishte parë të udhës t’u transmetonte. PPAlb 22.2

Me qëllim që të përfundonte punën e vet pa u zbuluar, Satani zgjodhi që të përdorte si mjet (ndërmjetës) të tijin gjarprin, një maskë, që e kishte adaptuar mirë për qëllimin e tij, për të mashtruar prindërit tanë të parë. Në atë kohë, gjarpri ishte një nga krijesat më të zgjuara dhe më të bukura në tokë. Kishte krahë dhe, ndërsa fluturonte në ajër, kishte një pamje vezulluese dhe të shndritshme, me ngjyrën e shkëlqimin e arit të kulluar. Ndërsa prehej në degët plot fruta të pemës së ndaluar dhe duke lodruar me frutin e shijshëm, gjarpri ishte padyshim një objekt, që të mbërthente vëmendjen e që kënaqte syrin e pamësit. Kështu, në kopshtin e paqes kanosej shkatërruesi, në pritje të presë së tij. PPAlb 22.3

Engjëjt e kishin paralajmëruar Evën, që të bënte kujdes e të mos largohej nga burri i saj, ndërsa të dy ishin të zënë me punën e përditshme në kopsht; me të ajo do të ishte në një rrezik më të vogël ndaj mëkatit, sesa po të ishte vetëm. Por, e dhënë shumë pas punës, që po bënte, si pamenduar, u largua pak nga Adami. Kur e kuptoi se ishte vetëm, ajo ndjeu njëfarë frike për rrezikun e mundshëm, por e shpërfilli këtë ndjenjë frike dhe ankthi, duke vendosur se kishte zgjuarësi dhe forcë të mjaftueshme për ta zbuluar të keqen dhe për ta përballuar atë. Duke neglizhuar, në këtë rast, paralajmërimin e engjëjve, ajo e gjeti veten duke vështruar pemën e ndaluar, me një përzierje kurioziteti dhe admirimi. Fruti ishte shumë i bukur dhe ajo pyeste veten se përse vallë Perëndia ua kishte ndaluar. Ja ku erdhi dhe mundësia për tunduesin. Sikur të ishte në gjendje të lexonte se çfarë po sillte ndër mendje gruaja, ai iu drejtua: “A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?”‘ - Zanafilla 3:1. Eva u habit dhe shtangu për një çast, sepse iu duk sikur dëgjoi jehonën e mendimeve të saj. Por gjarpri nuk ndali aty, ai vazhdoi të fliste me një zë kumbues e muzikor, me lajka e lavde të mirëmenduara për bukurinë e saj të rrallë dhe fjalët e tij nuk ishin aspak të bezdishme. Në vend që të largohej me shpejtësi prej andej, Eva qëndroi në vend, e mrekulluar që po dëgjonte një gjarpër, që fliste. Po t’i ishte folur nga një qenie e ngjashme me engjëjt, ajo do të kishte ndjerë njëfarë frike; por nuk ia kishte prerë mendja se ky gjarpër magjepsës mund të bëhej një mjet i Satanit, i armikut të betuar të Perëndisë, tashmë i rënë përfundimisht në mëkat. PPAlb 22.4

Pyetjes me kurth të tunduesit, ajo iu përgjigj: “Nga fruti i pemëve të kopshtit mund të hamë; por nga fruti i pemës, që është në mes të kopshtit, Perëndia ka thënë: ‘Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni’. Atëherë gjarpri i tha gruas: ‘Ju s’keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën, që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.’” - Zanafilla 3:2-5. PPAlb 23.1

Duke ngrënë nga kjo pemë, deklaroi ai, ata do të arrinin një sferë më të lartë ekzistence dhe, gjithashtu, do të hynin në një fushë më të gjerë njohurie. Ai vetë kishte ngrënë nga fruti i ndaluar dhe, si rezultat, kishte fituar aftësinë për të folur. Dhe kështu nënkuptoi se Zoti, si xheloz, që ishte, dëshironte t’i mbante ata larg pemës, në mënyrë që ata të mos lartësoheshin në një pozitë të barabartë me Të. Ishte për shkak të përbërësve të mrekullueshëm të frutit, i cili jepte zgjuarësi dhe fuqi, që Zoti ua kishte ndaluar ta hanin dhe madje ta preknin. Tunduesi pastaj aludoi se paralajmërimi hyjnor nuk ishte se do të ndodhte më të vërtetë; ishte hartuar thjesht për t’i frikësuar. Si ishte e mundur që ata të vdisnin? A nuk kishin ngrënë nga pema e jetës? Perëndia thjesht kishte dëshiruar që t’i pengonte për të arritur një nivel më të fisëm zhvillimi dhe për të gjetur një lumturi më të madhe. PPAlb 23.2

E tillë ka qënë veprimtaria e Satanit, që nga ditët e Adamit dhe Evës deri në ditët e sotme, dhe duhet thënë që e ka zhvilluar këtë veprimtari me sukses të konsiderueshëm. Ai i tundon njerëzit, që ata të mos besojnë dashurinë e Perëndisë dhe të vënë në dyshim urtësinë e Tij. Ai përpiqet vazhdimisht të nxisë një frymë kurioziteti tallës dhe amoral, një dëshirë irrituese dhe jashtëzakonisht të fryrë për të depërtuar në sekretet e urtësisë dhe fuqisë hyjnore. Duke u përpjekur të kërkojnë se çfarë po u mban fshehurazi Perëndia, shumë njerëz injorojnë dhe neglizhojnë të vërtetat, që Perëndia ka shpallur; të vërteta të cilat janë të domosdoshme për shpëtimin e tyre. Satani i tundon njerëzit drejt mosbindjes duke u dhënë përshtypjen se po hyjnë në një botë të re njohurie. Por, gjithë ky është një mashtrim në dritën e diellit. Euforikë nga idetë se po avancojnë, këta njerëz, duke shkelur me këmbë kriteret e Perëndisë, po hedhin këmbët drejt një rruge që, në të vërtetë, i çon drejt shthurrjes, poshtërimit dhe vdekjes. PPAlb 23.3

Satani i sugjeroi çiftit të parë njerëzor se ata do të kishin vetëm përfitime po ta thyenin ligjin e Perëndisë. A nuk dëgjojmë dhe sot arsyetime të ngjashme? Shumë njerëz flasin për kufizimet e atyre, që i binden urdhërimeve të Perëndisë, ndërsa, për vete, pretendojnë se kanë ide të pacunguara dhe shijojnë liri veprimi shumë më të madhe. Këto pretendime nuk janë asgjë tjetër, përveçse jehonat e zërit nga Edeni, “Në ditën, që do të hani nga fruti”, ditën, që do të thyeni kriterin hyjnor, “do të bëheni si perëndi.” - Zanafilla 3:5. Satani pretendoi se kishte përfituar shumë gjëra të mira nga ngrënia e frutit të ndaluar, po, sigurisht, e mbajti të mbuluar faktin se, nëpërmjet mosbindjes, ai ishte përjashtuar nga qielli. Edhe pse e kishte kuptuar mjaft mirë, që mëkati kishte shkaktuar humbjen e tij përfundimtare, Satani e mbajti këtë të fshehtë, me qëllim që gjithë të tjerët të ishin në po të njëjtën pozitë. Në të njëjtën mënyrë, ata, që janë të zhytur në mëkat, kërkojnë ta fshehin karakterin e tyre të vërtetë dhe pretendojnë e sillen si të shenjtë, por, në të vërtetë, deklarimet e tyre hipokrite i bëjnë ata mashtrues edhe më të rrezikshëm. Ata janë në anën e vetë Satanit, duke shkelur me këmbë ligjin e Perëndisë dhe duke stisur të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë, e cila do të sjellë për ta shkatërrimin përfundimtar. PPAlb 23.4

Eva u besoi me të vërtetë fjalëve të Satanit, por besimi i saj nuk e shpëtoi nga dënimi apo paga e mëkatit. Ajo nuk u besoi ijalëve të Perëndisë dhe ishte pikërisht ky fakt, që solli rënien e saj. Në gjykimin e tyre përfundimtar, njerëzit nuk do të dënohen sepse ata me dashje besuan një gënjeshtër, por sepse nuk besuan të vërtetën, sepse neglizhuan mundësinë për të mësuar se çfarë është e vërteta. Pavarësisht nga mashtrimet dinake të Satanit, duhet kuptuar plotësisht se, mosbindja ndaj Perëndisë sjell pasoja katastrofike për njeriun. Ne duhet t’i hapim zemrat për njohurinë rreth të vërtetës. Të gjitha mësimet, që Perëndia ka dhënë, të cilat janë të shkruara në fjalën e Tij, janë aty për dy qëllime: për të na paralajmëruar dhe për të na udhëzuar. Janë dhënë, që të na shpëtojnë nga mashtrimi. Neglizhimi i tyre, nga ana jonë, do të shkaktojë vetëm humbje shkatërrimtare për ne. Le të jemi të qartë e të sigurt se gjithçka, që i kundërvihet fjalës së Perëndisë, buron nga Satani. PPAlb 24.1

Gjarpri e këputi frutin e pemës së ndaluar dhe e vendosi atë në duart e Evës gjysmëhezitante. Pikërisht në atë moment, i rikujtoi fjalët e vetë asaj, pra që, Perëndia e kishte ndaluar atë dhe Adamin që ta preknin, ndryshe do të vdisnin. Pastaj gjarpri i deklaroi se nuk kishte për ta gjetur ndonjë gjë e keqe, po ta hante frutin, përderisa nuk e gjeti gjë kur e preku. Duke mos ndjerë ndonjë pasojë të keqe nga veprimi, që kishte kryer, Evës iu shtua guximi. “Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t’u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri.” - Vargu 6a. Fruti ishte i këndshëm edhe nga shija dhe, ndërsa po hante, Eva sikur ndjeu një fuqi gjallëruese dhe e imagjinoi veten sikur hyri në një gjendje më të lartë ekzistence. Pa ndonjë frikë, këputi dhe hëngri. Dhe tani, pasi kishte rënë në mëkat, me mosbindjen e saj, ajo u bë përfaqësuesja e vetë Satanit, duke punuar për shkatërrimin e burrit të saj. Në një gjendje eksitimi të çuditshëm dhe aspak të natyrshëm, me duart plot me fruta të ndaluara, Eva kërkoi Adamin dhe i tregoi gjithçka, që kishte ndodhur. PPAlb 24.2

Fytyrën e Adamit e pushtoi një shprehje e thellë trishtimi. Ai dukej i shtangur dhe më se i alarmuar. Fjalëve të Evës, ai iu përgjigj se ky duhet të kishte qenë armiku, ndaj të cilit ata ishin paralajmëruar, dhe, nisur nga verdikti hyjnor, ajo duhet të vdiste. Eva u përgjigj duke iu lutur që të hante dhe ai, se ata nuk kishin për të vdekur, duke përsëritur kështu fjalët e gjarprit. Ajo arriti në përfundimin se kjo duhet të ishte e vërtetë, sepse nuk kishte ndjerë ndonjë shenjë pakënaqësie nga Perëndia, por, në të kundërtën, shijonte një ndjesi shumë të këndshme dhe eksituese, që i gjallëronte krejt trupin dhe e bënte të ndihej si vetë lajmëtarët qiellorë, imagjonte ajo. PPAlb 24.3

Adami e kuptoi se shoqja e tij e jetës kishte thyer urdhrin e Perëndisë. Ajo kishte injoruar masën e vetme të ndalimit, që për ta ishte caktuar si një test besnikërie dhe dashurie. Adami ndjeu një betejë të tmerrshme në mendje. Qau me dënesë që e kishte lejuar Evën të largohej momentalisht nga ai. Por tani, vepra ishte kryer; atij i duhej të ndahej nga ajo, shoqëria e së cilës kishte qenë gëzim për të. Po çfarë mund të bënte? Nga njëra anë, Adami kishte shijuar miqësinë e Perëndisë dhe të engjëjve të shenjtë. Ai kishte parë lavdinë e vetë Krijuesit. Kishte kuptuar të ardhmen e ndritur, që ishte në dispozicion të racës njerëzore, po t’i qëndronin besnikë Perëndisë. Megjithatë, nga ana tjetër, të gjitha këto bekime sikur harroheshin, nga frika e humbjes së asaj dhurate, që në sytë e tij ishte më e çmuar se të tjerat. Dashuria, mirënjohja dhe besnikëria ndaj Krijuesit, të gjitha peshuan më pak se dashuria për Evën. Ajo ishte pjesë e Tij dhe ai nuk mund ta duronte dot mendimin e ndarjes prej saj. Ai nuk kuptoi dot se Perëndia, me fuqinë e tij të pashterrshme, Ai, që nga dheu i tokës e kishte krijuar, duke i dhënë jetë dhe formë të mrekullueshme si dhe plot dashuri, që i kishte dhënë një partnere, mund të siguronte një zëvendësuese për të. Adami vendosi të bashkonte fatin e tij me të Evës; nëse asaj i duhej të vdiste, do të vdiste dhe ai me të. Në fund të fundit, arsyetonte me veten, mos vallë fjalët e gjarprit ishin të vërteta? Eva qëndronte përballë tij, po aq e bukur dhe, në dukje, po aq e pafajshme sa ç’kishte qenë më përpara. Adami nuk pa ndonjë shenjë vdekjeje tek ajo dhe, si përfundim, vendosi t’i marrë përsipër pasojat. E mori frutin dhe e hëngri me ngutje. PPAlb 25.1

Pas aktit të mosbindjes, Adami në fillim e imagjinoi veten sikur hyri në një gjendje më të lartë ekzistence. Por shumë shpejt, mendimi se kishte kryer mëkat e mbushi me tmerr. Ajri, që deri atëherë kishte patur një temperaturë të butë e normale, sikur i dha një drithërimë çiftit fajtor. Dashuria dhe paqja, që deri atëherë kishte qenë e tyrja, mori fund. Në vend të saj, ata ndjenë një ndjesi mëkati, frikë për të ardhmen, lakuriqësi të shpirtit. Veshja prej drite, që deri në ato çaste i mbulonte, u zhduk, ndaj, për ta zëvendësuar, Adami dhe Eva u përpoqën të sajonin një mbulesë për veten e tyre; sepse ndërsa të zhveshur, ata nuk mund të takonin dot Perëndinë dhe engjëjt e shenjtë. PPAlb 25.2

Tashmë, ata filluan të kuptojnë karakterin e vërtetë të mëkatit të tyre. Adami e qortoi shoqen e tij të jetës për marrëzinë e saj, sepse kishte bredhur vetëm nëpër kopsht dhe e kishte lejuar veten të mashtrohej nga gjarpri; por shpejt bindën veten duke menduar se Ai, që u kishte dhënë prova të panumërueshme të dashurisë së Tij, do t’ua falte këtë faj; ose, të paktën, nuk do t’u jepte dënimin e kobshëm, të cilit i druheshin. PPAlb 25.3

Satani u ngazëllye jashtë mase dhe u ndje krenar për suksesin, që sapo kishte arritur. Kishte tunduar gruan, në mënyrë që kjo e fundit të mosbesonte dashurinë e Perëndisë, të vinte në dyshim urtësinë e Tij dhe të thyente ligjin e Tij dhe, nëpërmjet saj, kishte shkaktuar edhe rënien e Adamit. PPAlb 25.4

Por, ndërkohë, Perëndia, Ligjdhënësi hyjnor, së shpejti do t’u bënte të ditura, Adamit dhe Evës, pasojat e mosbindjes së tyre. Kështu, prania hyjnore u shfaq në kopsht. Në pafajshmërinë dhe shenjtërinë e tyre të mëparshme, çifti i parë e kishte mirëpritur plot gëzim ardhjen e Krijuesit të tyre për vizitë; por, kësaj radhe, u larguan të tmerruar dhe u përpoqën të fshiheshin pas pjesës më të thellë të kopshtit. “Atëherë, Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: ‘Ku je?’. Ai u përgjigj: ‘Dëgjova zërin tënd në kopsht dhe pata frikë, sepse isha lakuriq dhe u fsheha’. Dhe Perëndia i tha: ‘Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema, që unë të kisha urdhëruar të mos haje?’” - Vargjet 9-11. PPAlb 25.5

Adami as nuk e mohonte dhe as nuk e shfajësonte dot mëkatin e tij; por, në vend që të shfaqte pendim të thellë, u përpoq t’ia vinte fajin gruas së vet dhe, në këtë mënyrë, Vetë Perëndisë: “Gruaja, që Ti më vure pranë, më dha nga pema dhe unë e hëngra.” - Vargu 12. Ai që, nga dashuria për Evën, kishte zgjedhur me paramendim dhe vullnet të plotë që të privohej nga aprovimi i Perëndisë, shtëpia e vet në Parajsë dhe nga një jetë e përjetshme plot gëzim, tani, pas rënies në mëkat, u përpoq ta bënte shoqen e jetës dhe madje Vetë Krijuesin, përgjegjës për mosbindjen. Kaq e tmerrshme është fuqia e mëkatit. PPAlb 26.1

Kur gruaja u pyet, “Çfarë është kjo që ke bërë?”, ajo u përgjigj: “Gjarpri më mashtroi, dhe unë hëngra frutin.” - Vargu 13. “Pse e krijove gjarprin? Pse e lejove të hyjë në Eden?—këto ishin pyetjet e tërthorta në justifikimin për mëkatin e saj. Kështu, njësoj si burri i saj, Eva fajësoi Perëndinë si përgjegjës për rënien e tyre në mëkat. Fryma e vetëjustifikimit lindi me vetë Satanin, atin e gënjeshtrave; u kultivua nga prindërit tanë të parë, kur i dhanë rrugë ndikimit të Satanit dhe është demonstruar nga të gjithë pasardhësit dhe pasardhëset e Adamit. Në vend që të rrëfejnë me përulësi mëkatet e tyre, ata përpiqen të mbrojnë veten duke ua hedhur fajin të tjerëve, rrethanave, apo dhe Perëndisë; madje, edhe bekimet e Tij, ata i shikojnë si raste për t’u ankuar kundër Tij. PPAlb 26.2

Pastaj Zoti shpalli dënimin për gjarprin: “Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate.” - Vargu 14. Meqënëse ishte përdorur si mjet i Satanit, gjarpri u përfshi në vendimin e gjykimit hyjnor. Nga krijesa më e bukur dhe më e admirueshme e fushës, gjarpri do të shndërrohej në më të shëmtuarën dhe më të përbuzurën; krijesë, që do të ndillte frikë dhe do të urrehej si nga njerëzit, ashtu edhe kafshët. Fjalët, që vijuan, iu drejtuan gjarprit, por në fakt kishin të bënin drejpërdrejt me vetë Satanin dhe, ndërmjet të tjerash, parashikonin disfatën dhe shkatërrimin e tij të ardhshëm. “Dhe unë do të vendos armiqësi ndërmjet teje dhe gruas dhe ndërmjet pasardhjes tënde dhe pasardhjes së saj; ai do të shtypë kokën tënde, ndërsa ti do të plagosësh thembrën e tij.” - Vargu 15. PPAlb 26.3

Evës iu transmetua mundimi dhe vuajtja, që do ta shoqëronin që atje e tutje. Dhe Zoti tha, “Dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty.” - Vargu 16. Në krijim, Perëndia e kishte bërë Evën të barabartë me Adamin. Në qoftë se Adami dhe Eva do t’i kishin qëndruar besnikë Perëndisë, në harmoni me ligjin e Tij madhështor të dashurisë, ata do të kishin pasur përherë harmoni me njëri-tjetrin; por mëkati kishte shkaktuar përçarje dhe, tashmë, lidhja dhe harmonia ndërmjet tyre mund të ruheshin dhe të vazhdonin vetëm me anë të nënshtrimit të një pale ndaj tjetrës. Eva kishte qenë e para në mosbindje; ajo kishte rënë në tundim duke u ndarë nga shoku i saj i jetës, në kundërshtim me udhëzimin hyjnor. Ishte ajo, që e shtyu Adamin të mëkatonte dhe, kështu, ajo u vendos nën supremacinë e burrit të saj. Në qoftë se parimet e përcaktuara në ligjin e Perëndisë do të përqafoheshin nga raca njerëzore, tashmë e rënë në mëkat, ky dënim, edhe pse i motivuar nga pasojat e mëkatit, mund të kishte shërbyer si një bekim për ta; por abuzimi i supremacisë, që iu dha mashkullit, shumë shpesh ka shkaktuar një jetë fatkeqe, plot mundime të rënda për femrën. PPAlb 26.4

Eva kishte qenë plotësisht e kënaqur në krah të burrit, në shtëpinë e saj të Edenit; por, si shumë Eva moderne, që nuk njohin durim, ajo u kandis nga shpresa për të hyrë në një sferë më të lartë nga ajo, që i ishte caktuar nga Perëndia. Në përpjekje për t’u ngritur sipër pozitës, që kishte, ajo, në fakt, ra ndjeshëm poshtë saj. Një rezultat i ngjashëm do të arrihet nga të gjitha ato, që nuk kanë dëshirë të pranojnë me qejf detyrat e tyre për jetën, në përputhje me planin e Perëndisë. Në përpjekjet e tyre për të kapur pozita, të cilat Ai nuk ua ka përcaktuar, shumë prej tyre po lënë bosh vendin, në të cilin ato mund të ishin një bekim për të tjerët. Me dëshirën e tyre për një sferë më të lartë, shumë prej tyre kanë dorëzuar dinjitetin e vertetë femëror, si dhe hijeshinë e karakterit dhe kanë lënë të pakryer punën, që u është caktuar nga Perëndia në qiell. PPAlb 27.1

Adamit, Zoti i deklaroi: “Meqënëse dëgjove zërin e gruas tënde dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: ‘Mos ha prej saj,’ toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës sate. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave; do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhé sepse nga ai ke dalë; sepse pluhur je dhe në pluhur do të rikthehesh.” - Vargjet 17-19. PPAlb 27.2

Nuk ishte aspak vullneti i Perëndisë që çifti i pamëkatë të njihte të keqen. Ai u kishte dhënë të mirën pa kursim dhe ua kishte mbajtur larg të keqen. Por, në kundërshtim, me urdhrin e Tij, Adami dhe Eva hëngrën prej pemës së ndaluar dhe tani do të vazhdonin të hanin prej saj përgjatë gjithë jetës së tyre, ata do të kishin njohurinë e së keqes. Që prej asaj kohe, raca njerëzore do të sulmohej keqazi nga tundimet e Satanit. Në vend të punës, që u sillte kënaqësi deri në ato çaste, do të vinin ankthi dhe mundi. Tashmë e tutje ata do t’i ekspozoheshin zhgënjimit, pikëllimit, dhimbjes dhe, së fundmi, vdekjes. PPAlb 27.3

Nën mallkimin e mëkatit, gjithë natyra do t’i dëshmonte njeriut mbi karakterin dhe pasojat e rebelimit kundër Perëndisë. Kur Perëndia e krijoi njeriun, Ai e bëri atë sundimtar mbi tokën dhe gjithë krijesat e gjalla. Për aq kohë sa Adami do t’i qëndronte besnik Prindit të tij Qiellor, krejt natyra do të ishte nën varësinë e tij. Por, kur rebeloi kundër ligjit hyjnor, krijesat inferiore dolën në rebelim kundër sundimit të tij. Kështu, Zoti, në mëshirën e Tij të madhe, do t’u tregonte njerëzve shenjtërinë e ligjit të Tij dhe, nëpërmjet përvojës së tyre, do t’u tregonte udhën, në mënyrë që ata të shikonin qartë rrezikun e neglizhimit të tij, qoftë edhe në shkallën më minimale. PPAlb 27.4

Në fakt, edhe jeta me mund e djersë, që iu caktua njeriut, u bë e gjitha në dashuri. Ajo ishte një displinë, që u bë e nevojshmë si pasojë e mëkatit. Në këtë mënyrë, njeriu mund të frenonte epshin e oreksit dhe pasionit si dhe të krijonte zakone vetëkontrolli. Ishte pjesë e planit të madh të Perëndisë për rimëkëmbjen e njeriut nga mjerimi dhe degradimi, që solli mëkati. PPAlb 27.5

Paralajmërimi, që iu dha prindërve tanë të parë, “ditën, që do të hash prej saj, ke për të vdekur me siguri”(Zanafilla 2:17)—nuk nënkuptonte se ata do të vdisnin po atë ditë, kur hëngrën prej frutit të pemës së ndaluar. Por, atë ditë, do të shpallej verdikti i pakthyeshëm. Pavdekshmëria u ishte premtuar atyre me kusht bindjen; duke u mosbindur ata do të humbisnin jetën e përjetshme. Po atë ditë, vdekja u bë realitet i pakthyeshëm për ta. PPAlb 28.1

Në mënyrë që të ketë jetë të përjetshme, njeriu duhet të vazhdojë të marrë ushqim nga pema e jetës. Por, duke iu ndaluar kjo e fundit, gjallëria e njeriut do të zbehej dhe, me kalimin e kohës, jeta do të shuhej. Ishte pikërisht plani i Satanit, që Adami dhe Eva të shkaktonin pakënaqësi për Perëndinë nëpërmjet mosbindjes; dhe, pastaj, nëse ata nuk do të gjenin falje, Satani shpresonte që ata të hanin nga fruti i pemës së jetës dhe, në këtë mënyrë, të përjetësonin ekzistencën e mëkatit dhe mjerimit. Por, pas rënies së njeriut në mëkat, engjëjt e shenjtë u urdhëruan mënjëherë që të ruanin pemën e jetës. Përreth tyre, ndriçonin rreze verbuese drite, që kishin pamjen e një shpate flakëruese. Askush nga familja e Adamit nuk u lejua që të kalonte pengesën para pemës, që të hanin prej frutit të saj jetëdhënës; në këtë mënyrë, nuk do të kishte mëkatarë të pavdekshëm. PPAlb 28.2

Barra e mundimit, që erdhi si pasojë e mosbindjes së prindërve tanë të parë, konsiderohet prej shumë njerëzve si një pasojë tepër e kobshme për një mëkat kaq të vogël dhe, në këtë mënyrë, ata hedhin poshtë urtësinë dhe drejtësinë e Perëndisë në marrëdhëniet e Tij me njeriun. Por, nëse do të denjonin ta shikonin më në thellësi këtë çështje, ata do ta kuptonin gabimin, që bëjnë. Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së Tij, pa mëkat. Toka do të popullohej nga qënie, të cilat do të ishin vetëm pak më të ulta sesa engjëjt; por besnikëria e tyre duhet të testohej; sepse Perëndia nuk do të lejonte që toka të mbushej me ata, që do të shpërfillnin ligjin e Tij. Megjithatë, në mëshirën e Tij të madhe, Ai nuk i dha Adamit një test të vështirë. Dhe pikërisht, lehtësia e respektimit të masës ndaluese e bëri mëkatin edhe më të madh. Nëse Adami nuk e përballonte dot testin më të vogël, ai nuk do të mund të duronte një provë më të madhe, në rast se do t’i besoheshin përgjegjësi më të mëdha. PPAlb 28.3

Po të ishte caktuar një provë e madhe për Adamin, atëherë ata, zemrat e të cilëve anojnë nga e keqja, do të shfajësonin veten duke thënë: “Kjo është çështje e papërfillshme dhe Perëndia nuk kapet me gjërat e vogla.” Dhe kështu do të kishte mosbindje të vazhdueshme në gjëra, që do të konsideroheshin të vogla, dhe do të kalonin pa qortim nga njerëzit. Por Zoti e ka bërë të qartë se mëkati, në çdo shkallë të tij, është fyes ndaj Tij. PPAlb 28.4

Evës iu duk diçka e vogël mosbindja ndaj Perëndisë, duke provuar frutin e pemës së ndaluar, si edhe tundimi i burrit, që të mosbindej dhe ai; por mëkati i tyre do t’i hapte portat mjerimit mbi botën. Kush mund t’i marrë parasysh, në momentin e tundimit, pasojat e tmerrshme, që do të rezultojnë nga hedhja e një hapi të gabuar? PPAlb 28.5

Shumë prej atyre, që japin leksione se ligji i Perëndisë nuk është i detyrueshëm për njeriun, këmbëngulin se është e pamundur për njeriun t’u bindet parimeve të ligjit. Por, në qoftë se kjo do të ishte e vërtetë, pse atëherë e vuajti Adami dënimin për mosbindje? Mëkati i prindërve tanë të parë solli faj dhe pikëllim në botë dhe, po të mos kishte qenë për mirësinë dhe mëshirën e Perëndisë, do ta kishte katandisur racën njerëzore në një gjëndje dëshpërimi të pashpresë. Le të mos gënjehet askush! “Paga e mëkatit është vdekja.” Romakëve 6:23. Thyerja e ligjit të Perëndisë nuk mund të lihet pa u ndëshkuar në asnjë rast të tanishëm, ashtu siç nuk u la kur verdikti u shpall mbi babain e mbarë njerëzimit. PPAlb 28.6

Pas mëkatit, Adami dhe Eva nuk u lejuan më të jetonin në Eden. Ata iu përgjëruan më këmbëngulje Perëndisë, që të rrinin në shtëpinë, ku kishin pasur pafajshmëri dhe gëzim. Ata, në fakt, e pranuan se ia kishin hequr vetes të drejtën për në atë banesë të pakrahasueshme, por u zotuan se, në të ardhmen, do t’i bindeshin me përpikëri Perëndisë. Por atyre iu tha se natyra e tyre, tashmë, ishte korruptuar dhe degraduar nga mëkati; ata e kishin zvogëluar ndjeshëm forcën për t’i rezistuar të keqes dhe kishin hapur udhën, që Satani t’u afrohej më lirshëm. Në gjendjen e mëparshme, të pafajshme, ata kishin kapitulluar ndaj tundimit dhe tashmë, në një gjendje faji të ndërgjegjshëm, ata do të kishin shumë më pak forcë për të mbrojtur integritetin e tyre. PPAlb 29.1

Me përulësi dhe trishtim të patregueshëm, i dhanë lamtumirën shtëpisë së tyre të mrekullueshme dhe dolën për të banuar në tokë, mbi të cilën kishte rënë tashmë mallkimi i shkaktuar prej mëkatit. Atmosfera, që më parë kishte qenë e butë dhe me temperaturë të qëndrueshme, tashmë do të ndryshonte ndjeshëm. Kështu, me dhembshurinë, që e karakterizon gjithmonë, Zoti siguroi për Adamin dhe Evën tunika prej lëkure, për t’i mbrojtur nga ekstremitetet e të ftohtit dhe vapës. PPAlb 29.2

Ndërsa përjetuan, për herë të parë, shenjat e prishjes, tek vyshkja e lules dhe tek rënia e gjethes, Adami dhe shoqja e tij e jetës vajtuan më thellësisht, sesa vajtojnë sot njerëzit, kur humbasin të afërmit e tyre. Vyshkja e luleve të brishta dhe delikate ishte me të drejtë arsye për pikëllim, por, kur nga pemët e hijshme ranë gjethet e para, skena të sillte ndër mend qartë faktin e rëndë se vdekja ishte tashmë një realitet i pashmangshëm për çdo qenie të gjallë. PPAlb 29.3

Kopshti në Eden mbeti mbi tokë për një kohë të gjatë, edhe pasi njeriu ishte përzënë nga rrugicat e tij të këndshme. Raca njerëzore, tashmë e rënë në mëkat, u lejua për një kohë të konsiderueshme të shikonte nga jashtë shtëpinë e pafajshmërisë, ndërsa engjëjt roje pengonin hyrjen e tyre brenda. Pikërisht, në portën e Parajsës ruajtur nga engjëjt kerubinë, u shfaq lavdia hyjnore. Pikërisht aty vinte Adami dhe bijtë e tij për të adhuruar Perëndinë. Këtu, ata përsëritën zotimin për t’iu bindur ligjit, thyerja e të cilit i kishte përzënë nga Edeni. Kur vala e së keqes u shtri në mbarë botën dhe kur ligësia e njerëzve solli shkatërrimin e tyre nga përmbytja, dora, që kishte mbjellë kopshtin në Eden, e largoi atë nga toka. Por, në ripërtërimin përfundimtar, kur do të ketë “një qiell të ri dhe tokë të re” (Zbulesa 21:1), ai do të rikthehet i zbukuruar edhe më lavdishëm, se ç’ishte në fillim. PPAlb 29.4

Atëherë, ata, që kanë zbatuar urdhërimet e Perëndisë, do të marrin frymë me një energji të pashterrshme, nën pemën e jetës; dhe, përgjatë epokave, që nuk njohin kufi, banorët e botëve, ku nuk hyri mëkati, do të vështrojnë, në atë kopsht ngazëllimi, një pjesëz të asaj, që vetë toka ishte menduar të bëhej, në rast se njeriu do të kishte përmbushur planin e lavdishëm të Perëndisë PPAlb 29.5