PATRIARKË DHE PROFETË

2/74

2—“KRIJIMI”

*****

“Qiejt u krijuan me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së Tij”. “Sepse Ai foli dhe gjëja u bë; Ai udhëroi dhe gjëja u shfaq”. - Psalmi 33:6, 9. “Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë”. - Psalmi 104:5. PPAlb 15.1

Kur toka u krijua nga dora e Krijuesit të saj, ajo ishte jashtëzakonisht e bukur. Sipërfaqja e saj ishte zbukuruar me male, kodra dhe lugina, të kombinuara këto me lumenj të fisëm dhe liqene të mrekullueshëm; por kodrat dhe malet nuk ishin të ashpra dhe të thepisura, plot humnera të frikshme dhe rrëpira të papritura, siç janë në kohët e sotme. Korniza e thepisur dhe e ashpër shkëmbore ishte e varrosur nën tokën pjellore, e cila prodhonte kudo bimësi më se të bollshme. Nuk gjendeshin moçale të shëmtuar apo shkretëtira djerrë. Shkurre të hijshme dhe lule të brishta përshëndesnin syrin në çdo kthesë. Majat kurorëzoheshin me pemë shumë më madhështore se këto të sotmet. Ajri, i pandotur nga era e keqe, ishte i freskët dhe i shëndetshëm. Peizazhe të mahnitshme mund të shikoje ngado. Engjëjt i shikonin këto skena me kënaqësi dhe ngazëlleheshin me veprat e mrekullueshme krijuese të Perëndisë. PPAlb 15.2

Pas krijimit të tokës, me botën e saj të pasur shtazore dhe bimore, i erdhi radha njeriut, veprës kurorëzuese së Krijuesit, atij për të cilin ishte përgatitur toka e bukur. Njeriut iu dha pushtet mbi çdo gjë, që mund t’i shikonte syri, sepse “Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij...mbi gjithë tokën... Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.” - Zanafilla 1:26-27. Këtu, origjina e racës njerëzore tregohet qartë dhe dëshmia hyjnore është bërë aq qartë, saqë nuk lë vend për përfundime të gabuara. Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së Tij. Kjo nuk përbën ndonjë mister. Nuk ka baza për supozimin se njeriu evoluoi gradualisht nga forma më e ulët shtazore apo bimore. Mësime të tilla zhvlerësojnë punën madhështore të Krijuesit, duke e katandisur në një mendim tepër të ngushtë njerëzor. Fatkeqësisht, shumë njerëz duan ta përjashtojnë Perëndinë nga sovraniteti, që ka mbi universin, aq sa e degradojnë njeriun dhe e zhveshin nga dinjiteti i origjinës së tij të vërtetë. Ai, që vendosi botët yjore aq lart dhe ngjyrosi me një mjeshtëri të rrallë lulet e fushës, Ai, që mbushi tokën dhe qiejt me mrekullitë e fuqisë së Tij, kur erdhi çasti për të kurorëzuar punën e Tij të lavdishme, duke vendosur dikë në mes, që të qëndronte si sundimtar i mbarë tokës, nuk dështoi, kur krijoi një qenie të tillë të çmuar, që mund të vinte vetëm nga dora hyjnore. Gjeneaologjia e racës sonë njerëzore, sipas shkrimeve të frymëzuara, nuk e gjen origjinën e saj tek një linjë mikroorganizmash në zhvillim, molusqesh a insektesh, por tek vetë Krijuesi i madh. Megjithëse i krijuar nga dheu, Adami u quajt “biri i Perëndisë.” PPAlb 15.3

Duke qenë përfaqësues i Perëndisë, njeriu u vendos mbi rendet e tjera të gjallesave. Këto të fundit nuk mund ta kuptojnë apo njohin sovranitetin e Perëndisë, por u krijuan që ta donin dhe t’i shërbenin njeriut. Psalmisti thotë: “E bëre [njeriun] të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij! Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra, zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato, që kalojnë nëpër shtigjet e detit.” Psalmi 8:6-8. PPAlb 16.1

Njeriu do të kishte shëmbëlltyrën e Perëndisë, si në paraqitjen e jashtme ashtu dhe në karakter. Në të vërtetë, vetëm Krishti është përfaqësimi i saktë i Perëndisë (Hebrenjve 1:3), por njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Natyra e njeriut ishte në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Mendja e tij ishte në gjendje të kuptonte gjëra të natyrës shpirtërore dhe hyjnore. Dëshirat e tij ishin të pastra; orekset dhe ndjenjat pasionante ishin nën kontrollin e arsyes. Njeriu ishte i shenjtë dhe i lumtur, që mbante shëmbëlltyrën e Perëndisë dhe që i bindej plotësisht vullnetit të Tij. PPAlb 16.2

Kur njeriu u krijua nga dora e Krijuesit ishte i bëshëm, i gjatë dhe me simetri të plotë. Fytyra tregonte shëndet të plotë dhe ndriçonte nga drita e jetës dhe gëzimit. Gjatësia e Adamit ishte shumë më e madhe se ajo e njerëzve, që banojnë sot në tokë. Eva ishte disi më e shkurtër se Adami; megjithatë forma e trupit të saj ishte e fisme dhe shumë e bukur. Para se të mëkatonin, çifti i parë njerëzor nuk vishte veshje artificiale; ata ishin të veshur me një mbulesë drite dhe lavdie, të ngjashme me atë të engjëjve. Për sa kohë, që ata jetuan duke iu bindur Perëndisë, kjo rrobë drite vazhonte t’i rrethonte. PPAlb 16.3

Pas krijimit të Adamit, të gjithë gjallesat e krijuara u sollën përpara tij, që të merrnin emrin e vet; Adami vërejti që secilës gjallëse i ishte caktuar një shoqërues, por “për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme...” - Zanafilla 2:20. Kështu, Perëndia tha, “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; Unë do t’i bëj një ndihmë, që i leverdis.” Njeriu nuk u krijua për të qëndruar fillikat; por për të qenë një qenie shoqërore. Pa shoqërinë e duhur, peizazhet e mrekullueshme dhe gjithçka tjetër, që servirej nga Edeni, nuk mund të prodhonin një lumturi të plotë e të përsosur. Edhe bashkëbisedimi me engjëjt nuk mund ta plotësonte tërësisht dëshirën e tij për simpati dhe shoqëri. Nuk kishte asnjë qenie tjetër të së njëjtës natyrë për Adamin, që edhe të duhej prej tij, por edhe ta donte atë. PPAlb 16.4

Vetë Perëndia ia dha Adamit shoqen e jetës. Ai i siguroi atij “një ndihmëse të përshtatshme”, një në nivelin e vet, një që mund t’i përshtatej plotësisht si bashkëshorte dhe një që mund të ishte një me të në dashuri dhe simpati. Eva u krijua nga një brinjë e marrë prej kraharorit të Adamit, duke nënkuptuar simbolikisht se ajo nuk do të kishte kontroll mbi të si koka dhe as do të merrej nëpër këmbë nga ai si më e ulët, por do t’i qëndronte pranë si e barabartë, do të duhej dhe do të mbrohej nga ai. Si pjesë e Adamit, kockë nga kocka e tij dhe mish nga mishi i tij, Eva ishte, në të vërtetë, vetja e tij e dytë, duke treguar lidhjen e ngushtë dhe intimitetin e fortë, që duhet të ekzistojnë në marrëdhënien burrë-grua. “Sepse askush nuk urren mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të.” Efesianëve 5:29. “Për këtë arsye, njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e do të bashkohet me gruan e tij, do të jenë një mish i vetëm.” - Zanafilla 2:24. PPAlb 16.5

Perëndia ishte Ai që festoi martesën e parë në tokë. Kështu, institucioni i martesës ka për themelues vetë Krijuesin e universit. “Martesa [duhet] të nderohet” Hebrenjve 13:4); ishte një nga dhuratat e para të Perëndisë për njeriun dhe mbetet një nga dy institucionet që, edhe pas rënies në mëkat, Adami mori me vete përtej portave të Parajsës. Martesa bëhet një bekim, kur në të pranohen dhe respektohen parimet hyjnore; ajo mbron pastërtinë dhe lumturinë e racës njerëzore, siguron nevojat shoqërore të njeriut, e ngre atë në një nivel më të lartë fizikisht, intelektualisht dhe moralisht. PPAlb 17.1

“Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje dhe vendosi në të njeriun, që kishte formuar.” - Zanafilla 2:8. Çdo gjë, që Perëndia kishte bërë, kishte një bukuri të përkryer dhe nuk mungonte gjë, që mund të shtonte lumturinë e çiftit të parë njerëzor. Megjithatë, Krijuesi bëri edhe diçka tjetër, nisur nga dashuria e Tij: përgatiti një kopsht, posaçërisht për shtëpinë e tyre. Në këtë kopsht, kishte pemë të çdo lloji, shumë prej tyre të mbushura plot e përplot me fruta të shijshme, që kundërmonin nga era e mirë, që kishin. Kishte vreshta të mrekullueshme, që ngriheshin lart, por që kishin një pamje tepër të hijshme, me degët, që vareshin nën peshën e frutit tundues, që vinte në varietete nga më të pasurat dhe më të ndryshmet. Adami dhe Eva drejtuan degët e disa hardhive për të krijuar për vete një hapësirë banimi të krijuar nga pemë të paprera, të mbushura me gjelbërim dhe fruta. Gjithashtu, kishte lule me aromë të këndshme të çdo lloji dhe nga më të bukurat. Në mes të kopshtit, qëndronte pema e jetës, që ia kalonte për nga lavdia gjithë pemëve të tjera. Frutet e saj dukeshin si mollë të arta dhe të argjendta dhe kishin fuqi për të zgjatur jetën. PPAlb 17.2

Krijimi tashmë kishte përfunduar. “Kështu përfunduan qielli dhe toka në tërësinë e tyre.” “Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato, që kishte bërë dhe, ja, ishte shumë mirë.” (Zanafilla 2:1; 1:31). Edeni ndritte mbi tokë. Adami dhe Eva kishin të drejtën për t’u ushqyer nga pema e jetës. Asnjë gjurmë mëkati apo hije vdekjeje nuk e prishte krijimin e dlirë të Perëndisë. “Yjet e mëngjesit këndonin, të gjithë së bashku, dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi.” Jobi 38:7. Zoti Perëndi ngriti themelet e tokës; Ai e veshi mbarë botën me kostum bukurie dhe e mbushi atë me gjithçka, që mund t’i nevojitej njeriut. Ai krijoi tërë mrekullitë e tokës dhe detit. Vepra madhështore e krijimit përfundoi brenda gjashtë ditëve. “Ndërkaq, ditën e shtatë Perëndia ... u çlodh nga gjithë vepra, që kishte kryer. Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra, që kishte krijuar dhe kryer.” Zanafilla 2:2-3. Gjithçka ishte e përkryer, e denjë për Autorin e saj hyjnor dhe Ai u preh, jo sepse ishte lodhur, por sepse ishte mëse i kënaqur me frytet e urtësisë dhe mirësisë së Tij, si dhe me shfaqjet e lavdisë së Tij. PPAlb 17.3

Pasi u preh gjatë ditës së shtatë, Perëndia e shenjtëroi këtë ditë, ose e ndau veç, që të ishte një ditë pushimi dhe për njeriun. Sipas shembullit të Krijuesit të tij, njeriu duhet të pushonte gjatë kësaj dite të shenjtë dhe, ndërsa u hedh sytë qiejve dhe tokës, të mund të reflektojë mbi veprën madhështore të krijimit nga Perëndia; dhe, ndërsa sodit dëshmitë e urtësisë dhe mirësisë së Perëndisë, zemra e tij të mbushet me dashuri dhe respekt të thellë për Krijuesin e vet. PPAlb 17.4

Pikërisht në Eden, Perëndia ndërtoi përkujtimoren e veprës së Tij të krijimit, duke vendosur bekimin e Tij mbi ditën e shtatë. Dita e Sabatit iu dorëzua Adamit, babait dhe përfaqësuesit të gjithë familjes njerëzore. Mbajtja e shenjtë e kësaj dite do të shërbente si një akt deklarimi i një mirënjohjeje të thellë, nga ana e të gjithë atyre, që do të banonin në tokë, se Perëndia ishte Krijuesi dhe Sovrani i tyre i ligjshëm; se ata ishin vepër e duarve të Tij dhe subjekte të autoritetit të Tij. Kështu, ky institucion i dytë (pas martesës), ishte krejt përkujtimor nga natyra dhe u dha për gjithë njerëzimin. Institucioni i ditë së Sabatit u dha për të gjithë popujt, ndaj nuk kishte në vetvete asnjë trajtë, qoftë edhe të pjesshme, kufizimi për zbatim. PPAlb 18.1

Perëndia gjykoi se një ditë Sabati ishte e domosdoshme për njeriun, madje edhe në Parajsë. Gjatë një dite nga shtatë të tilla, njeriu kishte nevojë të hiqte dorë nga interesat dhe veprimtaria e tij e përditshme, në mënyrë që të reflektonte më gjërësisht mbi veprat e Perëndisë dhe të meditonte kështu mbi fuqinë dhe mirësinë e Tij. Njeriu kishte nevojë për një ditë Sabati, që t’i kujtonte edhe më tepër Perëndinë dhe të zgjonte tek ai mirënjohje, sepse, në fund të fundit, gjithçka, që shijonte dhe zotëronte, kishte ardhur nga dora bamirëse e Krijuesit. PPAlb 18.2

Perëndia synon që Sabati të drejtojë mendjet e njerëzve drejt një reflektimi të thellë për veprat e Tij krijuese. Natyra u flet shqisave të tyre, duke deklaruar se ka një Perëndi të gjallë, Krijues, Sundimtar Suprem të të gjithëve. “Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të Tij. Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.” - Psalmi 19:1, 2. Bukuria, që vesh tokën, është një gjest i dashurisë së Perëndisë. Mund ta soditim këtë bukuri tek kodrat e përjetshme, tek pemët madhështore, tek sythet, që çelin dhe lulet e brishta. Të gjitha na flasin për Perëndinë. Kështu, dita e Sabatit tregon përherë Atë, që i krijoi të gjitha dhe, si pasojë, i nxit njerëzit që të hapin librin e madh të natyrës dhe të gjejnë brenda tij urtësinë, fuqinë dhe dashurinë e Krijuesit. PPAlb 18.3

Prindërit tanë të pare, edhe pse u krijuan të pafajshëm dhe të shenjtë, nuk u vunë përtej mundësisë për të bërë keq, apo për të gabuar. Perëndia u dha atyre liri të plotë zgjedhjeje dhe aftësi për të vlerësuar urtësinë dhe dhembshurinë e karakterit të Tij si dhe drejtësinë e kërkesave të Tij. Bindja apo mosbindja ishte plotësisht në dorën e tyre. Ata mund të shijonin një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë dhe me engjëjt e shenjtë; por, përpara se të konsideroheshin të sigurt përjetësisht, besnikëria e tyre duhet të vihej në provë. Që në fillim të ekzistencës së njeriut, u vendos një test për vetkënaqësinë, pasionin fatal, që gjendej në themelin e rënies së Satanit. Kështu, pema e njohurisë, që qëndronte pranë pemës së jetës, në mes të kopshtit, do të shërbente si një test i bindjes, besimit dhe dashurisë së prindërve tanë të parë. Ndërsa u lejuan të hanin lirisht nga çdo pemë tjetër, atyre iu ndalua të hanin nga kjo pemë, gjë që do të sillte vdekje për ta. Gjithashtu, atyre iu duhej të ishin të ekspozuar ndaj tundimeve të Satanit; por, nëse do ta përballonin provën, do të vendoseshin përfundimisht përtej fuqisë së tij, për të shijuar hir të përhershëm me Perëndinë. PPAlb 18.4

Perëndia e vendosi njeriun nën ligj, si një kusht i domosdoshëm për vetë ekzistencën e tij. Njeriu ishte një subjekt i qeverisë hyjnore dhe, pa ligj, nuk mund të ketë qeverisje. Perëndia mund ta kishte krijuar njeriun pa fuqinë për të thyer ligjin e Tij; Ai mund ta kishte ndalur dorën e Adamit, para se të prekte frutin e ndaluar; por, në këtë rast, njeriu nuk do të mund të konsiderohej më zot i plotë i fatit të tij, por do të ishte thjesht një robot, që drejtohet së jashtmi. Pa lirinë për të zgjedhur, bindja e njeriut ndaj Perëndisë nuk mund të konsiderohej e vullnetshme, por do të ishte mëse e detyruar. Nuk do të kishte kurrfarë zhvillimi të karakterit. Një kurs veprimi i tillë do të ishte në kundërshtim me planin e Perëndisë në lidhje me banorët e botëve të tjera. Do të ishte një veprim i padenjë ndaj një qenieje inteligjente, siç ishte njeriu dhe do të ushqente akuzën e Satanit, për sundimin arbitrar të Perëndisë. PPAlb 18.5

Perëndia e krijoi njeriun moralisht të virtytshëm; Ai i dha njeriut tipare të fisme karakteri, pa asnjë tendencë drejt së keqes. Ai i dhuroi njeriut aftësi të mëdha intelektuale dhe i paraqiti stimujt më të fuqishëm, në mënyrë që njeriu t’i qëndronte besnik aleancës me Perëndinë. Bindja, e përkryer dhe e përhershme, ishte kushti i lumturisë së përjetshme. Vetëm me këtë kusht, njeriu mund të kishte të drejtën për pemën e jetës. PPAlb 19.1

Shtëpia e prindërve tanë të parë do të shërbente si model për shtëpitë e tjera, ndërsa fëmijët e tyre do të shpërndaheshin për të populluar tokën. Ajo shtëpi, e zbukuruar nga dora e Vetë Perëndisë, nuk ishte një pallat luksoz. Njerëzit, sot, me krenarinë e tyre, ngazëllehen në ndërtesa madhështore e të kushtueshme dhe përlëvdojnë punën e duarve të tyre; por Perëndia e vendosi Adamin në një kopsht. Ky ishte vendbanimi i tij. Qielli blu ishte çatia; toka, me lulet e veta të brishta dhe qilimin e blertë, ishte dyshemeja; degët plot gjethe të pemëve përreth ishin tavani. Muret e vendbanimit të çiftit të parë njerëzor ishin veshur me zbukurimet më mbresëlënëse, kryeveprën që vinte nga duart e Kryeartistit të madh hyjnor. Pikërisht nga banesa e Adamit dhe Evës nxirret një mësim për gjithë kohërat: që lumturia e vërtetë nuk gjendet në bollëkun e luksit dhe të krenarisë, por në një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, me ndihmën e veprave, që ka krijuar. Në qoftë se njerëzit do t’u kushtonin më pak vëmendje gjërave artificiale dhe do të kultivonin një jetesë më të thjeshtë, ata do t’i afroheshin më shumë se kurrë qëllimit, që Perëndia kishte për ta, kur i krijoi. Krenaria dhe ambicja nuk kënaqen kurrë, por ata, që janë vërtet të mençur, do të gjejnë kënaqësi të madhe dhe të thellë tek ato burime të lumturisë, që Perëndia ka vendosur pranë çdo njeriu. PPAlb 19.2

Banorëve të Edenit iu mirëbesua kujdesi për kopshtin e Edenit, me qëllim që “ta punonin dhe ta ruanin”. Puna, që bënin, nuk ishte aspak e lodhshme, por e lezetshme dhe motivuese për ta. Perëndia e caktoi punën si bekim për njeriun, që t’i zinte mendjen, t’i forconte trupin dhe t’i zhvillonte shqisat. Tek veprimtaria fizike dhe mendore, Adami gjeti një nga një kënaqësitë më të mëdha për jetën e tij të shenjtë. Edhe kur, si rezultat i mosbindjes, ai u përzu nga shtëpia e tij e mrekullueshme dhe u detyrua që të vuante me tokën djerrë, për të fituar bukën e gojës, pikërisht ajo punë, megjithëse shumë e ndryshme nga jetesa e kënaqshme, që kishte në kopsht, i shërbeu si masë paralajmërimi kundër tundimit dhe si burim gëzimi. Ata, që e konsiderojnë punën mallkim, edhe pse kjo e fundit mund të jetë e lodhshme dhe e dhimbshme, e kanë shumë gabim. Të pasurit shpesh shikojnë me përbuzje klasën punëtore, por kjo është krejtësisht në kundërshtim me qëllimin hyjnor në krijimin e njeriut. Çfarë mund të jenë pronat e më të pasurve, në krahasim me trashëgiminë, që iu dha Adamit? Megjithatë, Adami nuk u krijua për të ndenjur pa bërë gjë. Krijuesi Ynë, që kupton më mirë se kushdo se ku ndodhet çelësi i lumturisë për njeriun, i caktoi një punë Adamit. Gëzimi i vërtetë në jetë gjendet vetëm nga burrat dhe gratë, që punojnë. Vetë engjëjt janë punëtorë të zellshëm; ata janë punëtorët e Perëndisë mes gjithë pasardhësve të Adamit dhe Evës. Krijuesi nuk ka përgatitur asnjë vend për praktikën famëkeqe të dembelizmit. PPAlb 19.3

Për sa kohë, që do t’i qëndronin besnikë Perëndisë, Adami dhe shoqja e tij e jetës duhet të mbanin tokën nën sundim. Kontroll i pakufizuar iu dha mbi çdo gjë të gjallë. Luani dhe qengji silleshin paqësisht rreth tyre, ose shpesh shtriheshin te këmbët e tyre. Zogjtë e hareshëm fluturonin shumë pranë tyre, pa pasur kurrfarë frike; dhe, ndërsa këngët e tyre, plot gëzim, ngriheshin lart si lavdërim për Krijuesin, Adami dhe Eva bashkoheshin me ta me falenderimet më të përzemërta për Atin e Birin. PPAlb 20.1

Adami dhe Eva nuk ishin thjesht fëmijë nën kujdesin prindëror të Perëndisë, por edhe nxënës, që merrnin udhëzime nga Krijuesi i gjithëdijshëm. Atyre u bënin vizitë engjëjt dhe u ishte garantuar bashkëbisedimi me Perëndinë, pa ndonjë vello a perde errësuese në mes. Ata ishin plot gjallëri, që vinte nga pema e jetës, dhe fuqia e tyre intelektuale ishte vetëm pak më e vogël se ajo e engjëjve. Misteret e universit të dukshëm, “mrekullitë e Atij, që është i përsosur në njohuri” ( Jobi 37:16), u siguruan atyre një burim të pashterrshëm arsimimi dhe ngazëllimi. Ligjet dhe proçeset natyrore, të cilat kanë zënë mendjen e njeriut për mbi gjashtë mijë vjet, u shpjeguan në mendjet e tyre nga Përcaktuesi dhe Mbështetësi i gjithçkaje. Ata bisedonin me gjethen, lulen dhe pemën, duke mbledhur nga secila sekretet e jetës së vet. Adami njihte mirë çdo krijesë të gjallë, që nga kafsha e madhe dhe e fuqishme, që endet mes ujërave, deri tek insekti sa një grimcë, që kërcen në rrezen e diellit. Ai i kishte vënë secilit një emër të veçantë dhe njihte natyrën dhe zakonet e secilit. Lavdia e Perëndisë në qiej, botët e panumërueshme, në orbitat e tyre të rregullta, qëndrimi pezull i reve, misteret e dritës dhe të tingullit, të ditës dhe natës, ishin të gjitha në dispozicion, për t’u studiuar nga prindërit tanë të parë. Mbi çdo gjethe të pyllit, a çdo gur të maleve, në çdo yll të shndritshëm, në tokë, ajër dhe qiell, ishte shkruar emri i Perëndisë. Rendi dhe harmonia e krijimit u fliste atyre për urtësinë dhe fuqinë hyjnore, që nuk ka kufi. Gjithmonë kishin diçka të re e tërheqëse për të zbuluar, gjë që i mbushte zemrat e tyre me një dashuri më të thellë dhe kështu nxiste edhe më shumë deklarata mirënjohjeje ndaj Perëndisë. PPAlb 20.2

Për sa kohë, që ata do t’i qëndronin besnikë ligjit hyjnor, aftësia e tyre për të njohur, shijuar dhe për të dashur, do të rritej vazhdimisht. Ata do të fitonin, gjatë gjithë kohës, thesare të reja njohurie; do të zbulonin burime të reja lumturie dhe do të kishin një koncept, gjithnjë e më të qartë, të dashurisë së pakrahasueshme dhe të patundur të Perëndisë. PPAlb 20.3