PATRIARKË DHE PROFETË

4/74

4—“PLANI I SHPENGIMIT”

*****

Rënia në mëkat e njeriut solli pikëllim të thellë në qiell. Bota, që Perëndia kishte krijuar, ishte shpërfytyruar nga mallkimi i mëkatit dhe, tashmë, banohej nga qenie, që ishin të destinuara drejt mjerimit dhe vdekjes. Nuk dukej asnjë rrugë shpëtimi për ata, që kishin dhunuar ligjin e Perëndisë. Engjëjt rreshtën këngët e lavdërimit. Nëpër tërë oborret qiellore vihej re një hidhërim i madh për shkatërrimin, që kishte shkaktuar mëkati. PPAlb 30.1

Biri i Perëndisë, Prijësi i lavdishëm qiellor, u prek me një dhembshuri të thellë për racën njerëzore, që kishte rënë në mëkat. Zemra iu mbush me një brengë të jashtëzakonshme, ndërsa ndiente dëshpërimin dhe agoninë e botës tashmë të humbur. Por dashuria hyjnore paraqiti një plan, nëpërmjet të cilit njerëzimi mund të shpengohej. Realiteti i ligjit të thyer të Perëndisë kërkonte jetën e mëkatarit. Në gjithë universin, ishte vetëm njëri që, në emër të njerëzimit, mund të përmbushte kërkesat, që rridhnin nga dhunimi i ligjit. Meqë ligji hyjnor ishte po aq i shenjtë sa dhe vetë Perëndia, vetëm dikush, që ishte i barabartë me Perëndinë, mund të bënte shpengimin për dhunimin e ligjit. Askush tjetër, përveç Krishtit, nuk mund ta shpëtonte njerëzimin nga mallkimi i ligjit dhe ta sillte atë sërish në harmoni të plotë me Perëndinë. Kështu, Krishti do të merrte mbi vete fajin dhe turpin e mëkatit, e një mëkati kaq të rëndë dhe fyes për një Perëndi të shenjtë, sa që do të ndante vetë Atin dhe Birin e Tij. Krishti do të bënte gjithçka, sado e dhimbshme dhe e tmerrshme, vetëm për të shpëtuar racën njerëzore, që po shkonte drejt shkatërrimit të pakthyeshëm. PPAlb 30.2

Ai ndërmjetësoi, përpara Atit, në emër të njerëzimit mëkatar, ndërsa qeniet e shenjta qiellore prisnin rezultatin me një shkallë interesimi të tillë, që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Ajo bisedë e mistershme, “këshilla e paqes” (Zakaria 6:13) për njerëzimin e rënë në mëkat, zgjati për një kohë të gjatë. Plani i shpëtimit ishte përgatitur që përpara krijimit të tokës; sepse Krishti është “Qengji i therrur që prej themelimit (krijimit) të botës)” - Zbulesa 13:8; megjithatë nuk ishte aspak e lehtë, edhe për Mbretin e universit, të lejonte Birin e Tij të jepte jetën për racën fajtore. Por, “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo, që beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” - Gjoni 3:16. Çështë vallë ky mister i shpengimit të njeriut?! Dashuria e Perëndisë për një botë e cila nuk e deshi! Kush vallë mund t’i dijë thellësitë e kësaj dashurie, e cila “tejkalon çdo njohuri”? (Filipianëve 4:7) Përmes epokave pafund, mendjet e e atyre, që do të fitojnë pavdekësinë, do të reflektojnë dhe admirojnë duke u përpjekur të kuptojnë misterin e kësaj dashurie të pakuptueshme dhe të pakrahasueshme. PPAlb 30.3

Perëndia do të shfaqej nëpërmjet Krishtit “duke pajtuar botën me veten.” - 2 Korintasve 5:19. Njeriu do të degradonte kaq shumë, si pasojë e mëkatit, saqë ishte e pamundur për të, në vetvete, të vinte në harmoni me Perëndinë, natyra e të cilit është pastërti dhe mirësi. Por vetëm Krishti, pasi të kishte shpenguar njeriun nga dënimi i parashikuar në ligj, mund të transmetonte fuqi hyjnore, që ky i fundit të bashkohej me përpjekjen njerëzore. Kështu, nëpërmjet pendimit përkundrejt Perëndisë dhe besimit në Krishtin, fëmijët e Adamit, të rënë në mëkat, mund të bëheshin dhe një herë “fëmijë të Perëndisë.” - 1 Gjonit 3:2. PPAlb 31.1

Plani, vetëm nëpërmjet të cilit mund të sigurohej shpëtimi i njeriut, përfshinte krejt qiellin dhe kërkonte një sakrificë të pashembullt. Engjëjt nuk u ngazëllyen dot, kur Krishti bëri të ditur përpara tyre planin e shpengimit, sepse e kuptuan qartë se shpëtimi i njeriut do t’i kushtonte Prijësit të tyre të dashur vuajtje të tmerrshme. Me hidhërim dhe ëndje, engjëjt dëgjuan fjalët e Tij, ndërsa Ai u tregoi se si duhej të zbriste nga pastërtia dhe paqja, nga gëzimi, lavdia dhe jeta e pavdekshme në qiell e kështu të vinte në kontakt me degradimin e tokës; të duronte dhe të hiqte barrën e saj që përfshinte mjerimin, turpin dhe vdekjen. Krishti do të qëndronte ndërmjet mëkatarit dhe dënimit për mëkatin; megjithatë, të pakët do të ishin ata, që do ta pranonin si Bir të Perëndisë. Ai do të linte pas pozitën e Tij të lartë si Madhëri i qiellit, duke ardhur në tokë dhe përulur Veten si një njeri dhe, nëpërmjet përjetimit të Tij, do të njihej personalisht me vuajtjet dhe tundimet, që duhet të duronte njerëzimi. E gjithë kjo ishte e domosdoshme, në mënyrë që Ai të ishte në gjendje të ndihmonte dhe të mbështeste ata, që do të tundoheshin. - Hebrenjve 2:18. Kur misionit të Tij si mësues do t’i vinte fundi, Atij do t’i duhej të dorëzohej në duart e njerëzve të liq dhe t’i nënshtrohej ushtrimit të çdo lloj fyerjeje dhe torture, që Satani do të frymëzonte në mendjen e tyre. Ai duhet të vdiste në mënyrën më të kobshme, i ngritur lart ndërmjet qiellit dhe tokës, si një mëkatar fajtor. Atij i duhej të kalonte orë të tëra agonie aq të tmerrshme, saqë engjëjt nuk e përballuan dot këtë pamje dhe, për të mos e parë, mbuluan fytyrat me vello. Përveç të tjerash, Krishtit i duhej të duronte e përjetonte vuajtje të tmerrshme shpirtërore dhe fshehjen e fytyrës së Atit prej Tij, ndërsa mëkati i mosbindjes—barra e mëkateve të të gjithë botës—do të binte mbi Të. PPAlb 31.2

Engjëjt u përkulën plotësisht përpara këmbëve të Prijësit të tyre dhe ofruan veten për t’u flijuar për njeriun. Por jeta e një engjëlli nuk mund ta paguante borxhin. Megjithatë, engjëjt do të kishin rolin e tyre në planin e shpengimit. Sipas këtij plani, Krishti do të bëhej “më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të vuante vdekjen për të gjithë njerëzit.” - Hebrenjve 2:9. PPAlb 31.3

Meqënëse Krishtit do t’i duhej të merrte natyrë njerëzore, Ai do të kishte më pak fuqi sesa engjëjt, ndaj këta të fundit do t’i shërbenin Atij, do ta forconin dhe do t’i zbutnin vuajtjet. Gjithashtu, engjëjt do t’u shërbenin trashëgimtarëve të shpëtimit me nje veprimtari të veçantë. - Hebrenjve 1:14. Ata do të mbronin besimtarët nga fuqia e engjëjve të ligj dhe nga errësira e shpërndarë vazhdimisht përreth tyre nga Satani. PPAlb 31.4

Në çastet, kur engjëjt do të ishin dëshmitarë të agonisë dhe poshtërimit të Zotit të tyre, ata do të mbusheshin me hidhërim dhe indinjatë aq të thellë, sa do të dëshironin ta shpëtonin Krishtin nga vrasësit e Tij; por ata nuk duhet të ndërhynin që të ndalonin atë, që kishin për të vështruar. Ishte pjesë e planit të shpëtimit që Krishti të vuante talljet dhe abuzimet e njerëzve të ligj. Zoti e pranoi të gjithë këtë, kur u bë Shpenguesi i njerëzimit. PPAlb 31.5

Krishti i i siguroi engjëjt se, me anë të vdekjes së Tij, Ai do të shpaguante shumë, dhe do të shkatërronte atë, që mbante fuqinë e vdekjes. Gjithashtu, Krishti do të rithemelonte mbretërinë të cilën njerëzimi e kishte humbur nga mosbindja; të shpenguarit do ta trashëgonin mbretërinë bashkë me Të dhe do të banonin në të përgjithmonë. Mëkati dhe mëkatarët do të zhdukeshin krejtësisht dhe nuk do të bezdisnin më kurrë paqen e qiellit mbi tokë. Ai i urdhëroi qëniet engjëllore që t’i përmbaheshin plotësisht planit, që Ati i Tij kishte miratuar, dhe të ngazëlloheshin sepse, nëpërmjet vdekjes së Tij, njerëzit e rënë në mëkat mund të pajtoheshin me Perëndinë. PPAlb 32.1

Pas shpjegimit të Krishtit, një gëzim i patregueshëm mbushi qiellin. Lavdia dhe shenjtëria e një bote të shpenguar e tejkalonte vuajtjen dhe flijimin e Princit të jetës. Kështu, nëpër oborret qiellore, filluan të dëgjoheshin notat e vargjet e para të këngës, që do të tringëllonte mbi kodrat e Betlehemit—“Lavdi Perëndisë në lartësi të lartësive dhe mbi tokë, paqe, vullnet të mirë ndaj njerëzve.” - Luka 2:14. Me një kënaqësi tashmë edhe më të madhe, sesa kur u krijua vetë toka, “yjet e mëngjesit kënduan së bashku, dhe të gjithë bijtë e Perëndisë bërtitën me gëzim.” - Jobi 38:7. PPAlb 32.2

Njerëzimit, deklarimi i parë për shpëtim e shpengim, iu komunikua nëpërmjet prononcimit të Perëndisë ndaj Satanit në kopsht. Zoti kishte deklaruar: “Dhe unë do të vendos armiqësi ndërmjet teje dhe gruas dhe ndërmjet pasardhjes tënde dhe pasardhjes së saj; ai do të shtypë kokën tënde, ndërsa ti do të plagosësh thembrën e tij.” - Zanafilla 3:15. Ky prononcim, i bërë gjatë përballjes së prindërve tanë të parë me Perëndinë, ishte, para së gjithash, një premtim për ta. Ndërsa parashikonte luftë ndërmjet njeriut dhe Satanit, gjithashtu deklaronte se fuqia e armikut të madh, më në fund, do të thyhej. Adami dhe Eva qëndronin si kriminelë përpara Gjykatësit të drejtë, duke pritur dënimin, që pritej nga mosbindja; por, përpara se të dëgjonin se pjesa e tyre do të ishte nje jetë me halle dhe e mundishme, apo se ata do t’i ktheheshin pluhurit, ata dëgjuan fjalë të tilla që nuk kishte si të mos u jepnin shpresë. Edhe pse kishin për të vuajtur nga fuqia e armikut të tyre të fuqishëm, ata mund të përfytyronin fitoren përfundimtare ndaj tij. PPAlb 32.3

Kur Satani dëgjoi se do të ekzistonte një armiqësi ndërmjet tij e gruas dhe ndërmjet pasardhjes së tij dhe pasardhjes së saj, kuptoi se veprimtaria e tij e çthurrjes dhe përkeqësimit të natyrës njerëzore do të ndërpritej; se do të vinte dita kur njeriu do të kishte mundësi t’i rezistonte fuqisë së tij. Megjithatë, ndërsa plani i shpëtimit po zbërthehej më plotësisht, Satani u gëzua bashkë me engjëjt e tij, sepse, pasi kishte shkaktuar rënien në mëkat të njeriut, mund të zbriste vetë Birin e Perëndisë nga pozita e Tij e lartë. Satani deklaroi se, deri tani, planet e tij kishin qenë të suksesshme ne tokë dhe, kur Krishti të vinte në tokë e të jetonte si njeri, do ta mposhte dhe Atë dhe, në këtë mënyrë, shpengimi i racës së rënë njerëzore do të parandalohej. PPAlb 32.4

Engjëjt e qiellit ua shpjeguan me më shumë detaje, prindërve tanë të parë, planin, që ishte hartuar për shpëtimin e tyre. Adami dhe shoqja e tij e jetës u siguruan se, megjithë mëkatin e tyre të konsiderueshëm, ata nuk do të braktiseshin dhe, në këtë mënyrë, të binin nën kontrollin e Satanit. Biri i Perëndisë kishte ofruar për të shpaguar, me jetën e Tij, shkeljen e tyre. Atyre do t’u jepej një afat kohor dhe, nëpërmjet pendesës dhe besimit në Krisht, ata mund të bëheshin sërish fëmijë të Perëndisë. PPAlb 32.5

Flijimi i kërkuar nga shkelja e tyre i tregoi Adamit dhe Evës karakterin e shenjtë të ligjit të Perëndisë dhe, si kurrë më parë, ata panë fajin e mëkatit dhe pasojat e tmerrshme të tij. Me pendim dhe keqardhje, ata u lutën që dënimi për mëkatin të mos binte mbi Krishtin, dashuria e të cilit kishte qenë burim gëzimi për ta; le të binte ky dënim mbi ta dhe pasardhësit e tyre. Por atyre iu shpjegua se, meqënëse ligji i Zotit Perëndi është themeli i qeverisjes së Tij në qiell dhe në tokë, as jeta e një engjëlli nuk mund të pranohej si flijim i denjë për shkeljen e tij. Asnjë parim i ligjit nuk mund të ndryshohej, në mënyrë që t’i përshtatej njeriut, në gjendjen e tij të rënë në mëkat; por Biri i Perëndisë, Ai, që e kishte krijuar njeriun, mund të bënte shpagimin për të. Ndërsa shkelja dhe mosbindja e Adamit kishte sjellë mjerim dhe vdekje, flijimi i Krishtit do të sillte jetë dhe pavdekësi. PPAlb 33.1

Jo vetëm njeriu, por krejt toka, kishte rënë nën pushtetin e të ligut, ndaj dhe ajo do të rikrijohej në planin e shpëtimit. Kur u krijua, toka u la nën urdhrat e Adamit. Por, duke rënë në tundim, Adami e vuri veten nën pushtetin e Satanit. “Ai, nga i cili njeriu mundet, nga i njëjti, njeriu vihet nën skllavëri.” - 2 Pjetrit 2:19. Kur njeriu u bë rob i Satanit, pozita dominuese, që kishte mbi tokën, i kaloi sunduesit të tij. Në këtë mënyrë, Satani u bë “perëndia e kësaj bote.” - 2 Korintasve 4:4. Satani e kishte uzurpuar nga Adami pozitën sunduese, që këtij të fundit i ishte dhënë nga Perëndia. Por Krishti, nëpërmjet flijimit të Tij, mori përsipër pagën e mëkatit duke e shpaguar njeriun, por, gjithashtu, dhe duke ia kthyer pozitën dominuese, që kishte humbur. Gjithçka, që u humb nga Adami i parë, do të rifitohet nga Adami i dytë, Jezus Krishti. Thotë profeti, “Dhe ti, kullë e kopesë, kala e bijës së Sionit, ty do të të vijë, pikërisht ty, do të të vijë sundimi i lashtë, mbretëria e bijës së Jeruzalemit.” - Mikea 4:8. Ndërsa apostulli Pal tërheq vëmendjen për “shpengimin e plotë të zotërimit të blerë.” - Efesianëve 1:14. Perëndia e krijoi tokën, që kjo të ishte banesë e qenieve të shenjta dhe të lumtura. Zoti, “që ka krijuar qiejt, Ai, Perëndia, që ka formuar tokën dhe e ka bërë; Ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar, që të banohej.” - Isaia 45:18. Ky qëllim do të përmbushet kur, e ripërtëritur nga fuqia e Perëndisë dhe e çliruar nga mëkati dhe lëngatat, toka do të shndërrohet në banesën e përjetshme të të shpenguarve. “Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë në të përjetë.” “Dhe nuk do të ketë më mallkim: por froni i Perëndisë dhe ai i Qengjit do të jetë në të; dhe sherbetorët e Tij do t’i shërbejnë Atij.” - Psalmi 37:29; Zbulesa 22:3. PPAlb 33.2

Para se të mëkatonte, Adami kishte shijuar komunikim të hapur me Krijuesin e tij; por mëkati solli ndarje ndërmjet Perëndisë dhe njeriut dhe vetëm shpagimi i Krishtit mund ta kapërcente humnerën dhe, kështu, si një urë, të mundësonte komunikimin e bekimit apo të shpëtimit nga qielli në tokë. Njeriu ende nuk do të mund të afrohej drejtpërdrejt me Krijuesin e tij, por Perëndia do të komunikonte me të nëpërmjet Krishtit dhe engjëjve. PPAlb 33.3

Në këtë mënyrë, iu shfaqën Adamit ngjarjet e rëndësishme të historisë së njerëzimit, që nga koha, kur u shpall dënimi hyjnor në Eden, deri tek Përmbytja (e kohës së Noeut) dhe, më vonë, ardhja e parë të Birit të Perëndisë. Adamit iu tregua se, ndërsa flijimi i Krishtit kishte vlerë të mjaftueshme për shpëtimin e gjithë botës, shumë njerëz do të zgjidhnin një jetë plot mëkate dhe nuk do të pendoheshin e nuk do t’i bindeshin Perëndisë. Niveli i krimit do të rritej nga brezi në brez dhe mallkimi i mëkatit do të rëndonte gjithnjë e më shumë mbi racën njerëzore, mbi kafshët dhe mbi tokën. Jetëgjatësia e njeriut do të shkurtohej nga shkalla e tij e mëkatit; ai do të përkeqësohej nga paraqitja fizike, nga durimi dhe nga fuqia morale e intelektuale, deri sa bota të mbushej me fëlliqësi të çdo lloji. Nëpërmjet ushtrimit të pasioneve të shfrenuara dhe të ulëta, njerëzit nuk do të kishin mundësi të çmonin e vlerësonin të vërtetat madhështore të planit të shpengimit. Megjithatë, Krishti, besnik ndaj qëllimit për të cilin la qiellin, do të vazhdonte interesimin e tij për njerëzimin dhe do të vazhdonte t’i ftonte ata që të fshihnin dobësitë dhe mangësitë e tyre në Të. Ai do të plotësonte nevojat e të gjithë atyre, që do të vinin drejt Tij me besim. Dhe, gjithmonë, do të kishte një pakicë, që do të ruante njohurinë mbi Perëndinë dhe do të qëndronte e papërlyer nga fëlliqësia dhe imoraliteti, që kishin pushtuar çdo cep të planetit. PPAlb 34.1

Ofertat flijuese u përcaktuan posaçërisht nga Perëndia, që të ishin për njeriun përkujtimore të vazhdueshme, një pranim pendues i mëkatit si dhe një rrëfim i besimit të njeriut në Shpëtimtarin e premtuar. Ato synonin të ngulisnin në mendjen e racës së rënë njerëzore të vërtetën solemne se ishte mëkati ai, që shkaktoi vdekjen. Oferta e flijimit të parë ishte ceremonia më e dhimbshme për Adamin. Ai do të ngrinte dorën për të bërë kurban, për të marrë jetë, jetë, të cilën vetëm Perëndia mund ta jepte. Ishte hera e parë që ai do të përjetonte vdekjen dhe e kuptoi fare mirë se, po t’i kishte qëndruar besnik Perëndisë, nuk do të kishte vdekje as për njeriun as dhe për kafshët. Ndërsa therri kafshën e pafajshme, Adami u trondit thellë kur mendoi se, prej mëkatit të tij, do të derdhej gjaku i Qengjit të panjollosur të Perëndisë. Kjo skenë flijimi i dha Adamit një shpjegim më të thellë e më të qartë të përmasës së shkeljes, që kishte kryer, shkelje të cilën mund ta shpaguante vetëm vdekja e Birit të dashur të Perëndisë. Dhe Adami u mrekullua nga mirësia e pakrahasueshme hyjnore, që do të bënte një flijim të tillë për të shpëtuar njerëzimin fajtor. Një rreze shprese ndriçoi në errësirë dhe e çliroi të ardhmen nga tmerri dhe shkatërrimi i plotë. PPAlb 34.2

Por plani i shpengimit të njerëzimit kishte edhe një qëllim më të gjërë e më të thellë, sesa thjesht shpëtimi i njeriut. Kjo nuk ishte arsyeja e vetme, që Krishti erdhi ne tokë; nuk ishte thjesht që banorët e këtij planeti të vogël të trajtojnë ligjin dhe udhëzimet e Perëndisë, ashtu si duhen trajtuar; por ishte për të përgënjeshtruar akuzat ndaj karakterit të Perëndisë përpara mbarë universit. Ishte pikërisht kjo rrjedhojë e flijimit të Tij madhështor, ndikimi i flijimit të Tij mbi qeniet inteligjente të botëve të tjera, si edhe mbi njerëzimin, që Jezusi Shpëtimtar solli ndër mend kur, përpara se të kryqëzohej, tha: “Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote! Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë tek unë.” - Gjoni 12:31-32. Vepra e Krishtit, dhënia e jetës për shpëtimin e njerëzimit do të bënte qiellin të arritshëm për njerëzit, por jo vetëm kaq: kjo vepër do të shfajësonte Perëndinë dhe Birin e Tij para mbarë universit në lidhje me rebelimin e Satanit. Kjo vepër do të rikonfirmonte vazhdimësinë e ligjit të Perëndisë si dhe do të zbulonte natyrën dhe pasojat e mëkatit. PPAlb 34.3

Që prej fillimit, konflikti i madh kishte të bënte me ligjin e Perëndisë. Satani ishte përpjekur me të gjitha mënyrat të vërtetonte se Perëndia ishte i padrejtë, se ligji i tij ishte i metë dhe se, për të mirën e universit, ligji duhej të ndryshonte. Duke sulmuar ligjin, Satani, në të vërtetë, synoi të përmbyste autoritetin e Autorit të tij. Pikërisht kjo do të tregohej gjatë konfliktit të madh ndërmjet Krishtit dhe Satani: nëse statutet hyjnore ishin të gabuara dhe të ndryshueshme, apo të përsosura dhe të pandryshueshme. PPAlb 35.1

Kur Satani u përzu nga qielli, ai synoi ta kthente tokën në mbretërinë e tij. Kur tundoi dhe mposhti Adamin dhe Evën, Satani mendoi se, në këtë mënyrë, mori në zotërim botën; “sepse,” siç pretendonte, “ata më kanë zgjedhur mua për sundues të tyre.” Pretendonte, gjithashtu, se ishte e pamundur që falja t’i jepet si dhuratë mëkatarit. Për rrjedhojë, raca njerëzore, e rënë në mëkat, ishte, ligjërisht, vasale e tij dhe, kështu, bota i përkiste atij. Por Perëndia dha Birin e vet të dashur, të barabartë me Veten e Tij, që të vuante dënimin për shkeljen e njeriut; kështu, Ai siguroi një rrugë, me anë të së cilës çdo njeri mund të rikthehej tek Ai dhe të sillej sërish në shtëpi, në parajsën e Edenit. Krishti mori përsipër të shpengonte njeriun dhe ta shpëtonte botën nga kthetrat e Satanit. Konflikti i madh i nisur në qiell do të përcaktohej e finalizohej në të njëjtën botë, në të njëjtin territor, të cilin Satani e pretendonte si të vetin. PPAlb 35.2

Fakti, që Krishti do të përulte Veten për të shpëtuar njerëzimin, mrekulloi mbarë universin. Ai, që udhëtonte nga një yll në tjetrin, nga një planet në tjetrin, duke mbikqyrur gjithçka; Ai, që me anë të përkujdesjes së Vet plotësonte nevojat e çdo lloj gjallese, pjesë e krijimit madhështor, që kishte kryer, do të ishte Ai, që pranoi të linte pas lavdinë e Tij dhe të merrte natyrën njerëzore, ky ishte misteri, që qeniet e shenjta inteligjente të botëve të tjera dëshironin të kuptonin më shumë se gjithçka. Kur Krishti erdhi në botën tonë, në formën e një njeriu, të gjithë kishin merak të veçantë për ta ndjekur nga pas, ndërsa përshkonte, hap pas hapi, udhën e përgjakur nga grazhdi, (Luka 2:7) në të cilin lindi, deri në kodrën e Kalvarit (apo Golgotës, Luka 23:33), në të cilën vdiq. Banorët e Qiellit mbajtën shënim fyerjet dhe talljet, që Krishti duroi dhe e kishin plotësisht të qartë se gjithçka ishte provokuar dhe nxitur nga Satani. Ata mbajtën shënim vijimin e punës së bashkëpunëtorëve të Satanit; ky i fundit duke krijuar errësirë dhe duke shkaktuar mundime dhe vuajtje për njerëzimin dhe, nga ana tjetër, kundërveprimin e Krishtit. Ata panë tek zmadhohej beteja ndërmjet dritës dhe errësirës. Dhe, ndërsa Krishti thërriti, në agoninë e Tij, çaste para vdekjes në kryq: “U krye” (Gjoni 19:30), një britmë triumfi u dëgjua në gjithë botët e tjera dhe në qiell. Beteja e madhe, që kishte vazhduar kaq gjatë në këtë botë ,tashmë mori fund dhe Krishti ishte fitimtar. Vdekja e Tij i dha përgjigje pyetjes nëse Ati dhe Biri e donin vërtet njerëzmin, aq sa të ushtronin vetëmohimin dhe frymën e sakrificës. Nga ana tjetër, Satani tregoi karakterin dhe fytyrën e tij të vërtetë si shpifës dhe vrasës. U pa qartë se të njëjtën frymë, me të cilën ai kishte sunduar mbi njerëzit, që kishte nën pushtetin e vet, ai do ta kishte përdorur, po të lejohej, për të kontrolluar qeniet inteligjente të qiellit. Njëzëri, universi besnik u bashkua për të përlëvduar qeverinë qiellore. PPAlb 35.3

Po të qe ndryshuar ligji i Perëndisë, njeriu mund të ishte shpëtuar edhe pa flijimin e Krishtit; por, fakti që ishte e domsodoshme që Krishti të jepte jetën për njerëzimin mëkatar, vërteton se ligji nuk e çliron mëkatarin prej kërkesave, që ka ndaj tij. Eshtë treguar qartë se paga e mëkatit është vdekja. Në momentin, kur Krishti vdiq, shkatërrimi i Satanit u sigurua plotësisht. Por, në qoftë se ligji u anullua në kryq, siç pretendojnë disa, atëherë del se agonia dhe vdekja e Birit të dashur të Perëndisë u shkaktuan vetëm për t’i dhënë Satanit pikërisht atë që kërkonte; atëherë pra, del se princi i së keqes triumfoi dhe akuzat ndaj qeverisë hyjnore gjetën mbështetje. Por, pikërisht fakti që Krishti vuajti dënimin e shkeljes dhe mosbindjes së njeriut, është një argument i fuqishëm për të gjitha krijesat inteligjente se ligji është i pandryshueshëm; se Perëndia është i drejtë, i virtytshëm, i mëshirshëm dhe vetëmohues; dhe, së fundmi, se drejtësia e paskajshme dhe mëshira bashkohen në administrimin e qeverisë së Tij. PPAlb 36.1