PATRIARKË DHE PROFETË

19/74

19—“KTHIMI NË KANAAN

*****

Pasi kaloi lumin Jordan, “Jakobi, duke u kthyer nga Padan-Arami, arriti shëndoshë e mirë në qytetin e Shekemit, në vendin e Kanaanit, ku ngriti çadrat e tij përballë qytetit.” - Zanafilla 33:18. Kështu, lutja e patriarkut në Bethel, që Perëndia ta sillte përsëri, shëndoshë e mirë, në vendlindje, i ishte plotësuar. Për ca kohë, ai qëndroi në ultësirën e Shekemit. Në këtë vend, Abrahami, para më shumë se njëqind vjetësh, ngriti çadrat e tij dhe ndërtoi altarin e parë kushtuar Perëndisë, në Tokën e Premtimit. Në këtë vend, “bleu nga bijtë e Hamorit, babait të Shekemit, për njëqind copë paresh, pjesën e fushës ku kishte ngritur çadrat e tij përballë qytetit. Pastaj aty ngriti një altar dhe e quajti El-Elohe-Izrael”—“Perëndia, Perëndia i Izraelit.” Siç kishte vepruar dhe Abrahami, Jakobi ngriti, pranë çadrës, një altar kushtuar Perëndisë. Çdo mëngjes dhe mbrëmje ai thërriste të gjithë anëtarët e familjes për flijimet përkatëse, që bëheshin tek altari. Ishte pikërisht këtu vendi ku ai gërmoi pusin tek i cili, shtatëmbëdhjetë shekuj më vonë, do të vinte Biri (Pasardhësi) dhe Shpëtimtari i Jakobit dhe, pranë të cilit, duke u prehur gjatë piskut të vapës, Ai do t’u tregonte dëgjuesve të mahnitur mbi “...një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.” - Gjoni 4:14. 8 PPAlb 137.1

Qëndrimi i Jakobit dhe fëmijëve të tij në Shekem përfundoi me dhunë e gjakderdhje. E vetmja vajzë e familjes u dhunua e turpërua, dy vëllezërit e saj u përfshinë në fajin e vrasjes, një qytet i tërë u shkatërrua dhe burrat e tij u therrën, si hakmarrje, për një veprim të paligjshëm të një të riu të papjekur e impulsiv. Fillimi i gjithçkaje, që shkaktoi këto pasoja kaq të tmerrshme, ishte veprimi i bijës së Jakobit, e cila “doli për të parë bijat e vendit.” (Zanafilla 34:1) duke rrezikuar shoqërimin me paganët, pra jobesimtarët. Ai person, që kërkon të kënaqet mes atyre që nuk i druhen Perëndisë. nuk bën asgjë tjetër përveç se e vendos veten në truallin e Satanit, duke i hapur rrugën tundimeve të tij. PPAlb 137.2

Mizoria, prej tradhtarësh, e Simeonit dhe Levit nuk ishte e paprovokuar megjithatë, me veprimet e tyre kundrejt Shekemitëve, ata shkaktuan një mëkat të rëndë. Simeoni dhe Levi kishin fshehur me kujdes, nga Jakobi, vendimin, që synonin të realizonin. Kur mori lajmin e hakmarrjes, që kishin kryer dy bijtë e tij, Jakobi u tmerrua jashtë mase. Zemërthyer nga mashtrimi dhe dhuna e jashtëzakonshme e të dy djemve, ai vetëm tha: “Ju më keni futur në telashe duke më bërë të urryer nga banorët e vendit, Kanaanitët dhe Perezejtë. Meqënëse ne jemi të paktë në numër, ata do të grumbullohen kundër meje dhe do të më sulmojnë, dhe do të vritem, unë ashtu si edhe shtëpia ime.” - Zanafilla 34:30. Por hidhërimi dhe zhgënjimi i thellë, që ai përjetoi nga vepra e tyre e përgjakur, tregohen nga fjalët që tha, gati pesëdhjetë vjet më vonë, kur ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes, në Egjipt: “Simeoni dhe Levi janë vëllezër: shpatat e tyre janë vegla mizorie. Mos hyfsha në mendjen e tyre, mos u bashkofsha me kuvendin e tyre! Sepse në mërinë e tyre kanë vrarë njerëz, ... Mallkuar qoftë mëria e tyre, aq e egër, dhe tërbimi i tyre sep aq mizor! Unë do t’i ndaj në Jakob dhe do t’i shpërndaj në Izrael.” - Zanafilla 49:5-7. PPAlb 137.3

Jakobi e kuptoi qartë se ndodhej në një situatë mjaft poshtëruese. Mizoria dhe mashtrimi ishin tipare të qarta tek bijtë e tij. Gjithashtu, viheshin re idhuj e perëndi të rreme në kamp. Në fakt, idhujtaria kishte fituar terren, edhe brenda familjes së tij. A duhej që Perëndia t’i trajtonte ata ashtu si e meritonin? Ai kishte për t’i lënë Ai, që ata të bëheshin prë e hakmarrjes së kombeve përreth? PPAlb 138.1

Ndërsa Jakobi u rëndua shumë, nga këto shqetësime të mëdha, Zoti e udhëzoi të udhëtonte për në jug të Bethelit. Kur i shkonte mendja tek ky vend, Jakobi kishte parasysh jo vetëm vegimin e engjëjve dhe të premtimeve për mëshirë të Perëndisë, por edhe të betimin që ai kishte bërë atje, që Zoti kishte për të qenë Perëndia i tij. Ai vendosi që përpara se të shkonin në këtë vend të shenjtë, familja e tij duhet të pastrohej krejtësisht nga ndotja e idhujtarisë. Prandaj ai u dha urdhër të gjithëve që banonin në kamp: “Hiqni nga rrethi juaj perënditë e huaja, pastrohuni dhe ndërroni rrobat tuaja; pastaj të ngrihemi dhe të shkojmë në Bethel, dhe unë do t’i bëj një altar Perëndisë që më dha përgjigje ditën e fatkeqësisë sime dhe që më shoqëroi në udhëtimin që kam bërë.” - Zanafilla 35:2. PPAlb 138.2

I pushtuar nga emocione të thella, Jakobi ripërsëriti historinë e vizitës së tij të parë, në Bethel, kur u largua nga çadra e të atit si një shtegtar fillikat, duke vrapuar për të shpëtuar lëkurën, dhe se si Zoti i ishte shfaqur gjatë natës së vegimit. Ndërsa solli ndër mend takimet e mrekullueshme, që kishte patur me Perëndinë, zemra iu zbut, dhe gjithashtu fëmijët e tij u prekën nga një fuqi nënshtruese; Jakobi kishte zgjedhur mënyrën më të mirë për t’i përgatitur të bashkoheshin me të, në adhurimin e Perëndisë, kur të mbërrinin në Bethel. “Atëherë i dhanë Jakobit tërë perënditë e huaja që kishin dhe varëset që mbanin në veshë; dhe Jakobi i fshehu nën lisin që ndodhet pranë Sikemit” (Zanafilla 35:4). PPAlb 138.3

Nga ana tjetër, Perëndia shtiu një frikë tekbanorët përreth, që ata të mos guxonin të hakmerreshin për masakrën e Shekemit. Udhëtarët, me Jakobin në krye mbërritën në Bethel shëndoshë e mirë. Këtu Zoti iu shfaq sërish Jakobit dhe i përtëriu premtimin e besëlidhjes. “Atëherë Jakobi ndërtoi një përmendore prej guri, në vendin ku Perëndia i kishte folur...” (Vargu 14a). PPAlb 138.4

Në Bethel, Jakobi vajtoi humbjen e dikujt, që kishte qenë anëtare nderi e familjes së babait të tij, tajës (infermieres) së Rebekës, Deborës, e cila e kishte shoqëruar zonjën e saj nga Mesopotamia për në tokën e Kanaanit. Prania e kësaj gruaje të moshuar kishte shërbyer si një lidhje e shtrenjtë, që e mbante të lidhur me rininë e tij, sidomos me kujtimin e nënës së tij, dashuria e së cilës për të kishte qenë shumë e fortë dhe e ëmbël. Debora u varros me hidhërim aq të madh, sa lisi, në këmbët e të cilit u ndërtua varri i saj, u quajt “lisi i vajtimit” (Vargu 8). Nuk duhet shpërfillur edhe fakti se kujtimi i jetës së saj, një jetë shërbimi shumë besnik, dhe mbajtja e zisë për këtë mikeshë të ngushtë të familjes, u konsideruan të denja për t’u ruajtur në Shkrimet e Shenjta, fjalën e shkruar të Perëndisë. PPAlb 138.5

Nga Betheli, duheshin edhe vetëm dy ditë udhëtim për të mbërritur në Hebron, por ky udhëtim i shkaktoi Jakobit hidhërimin më të thellë, vdekjen e Rakelës. Dy shërbime shtatëvjeçare kishte kryer, vetëm për të, dhe dashuria e zjarrtë që kishte për të ia kthente mundin në ngazëllim. Se sa e thellë dhe mbresëlënëse kishte qenë ajo dashuri, do të tregohej shumë vite më vonë, kur Jakobi ndodhej në shtratin e vdekjes, në Egjipt. Jozefi erdhi për t’u takuar për herë të fundit me babanë dhe, patriarku i thyer në moshë, duke kujtuar jetën e tij të gjatë, tha: “Sa për mua, ndërsa po kthehesha nga Padani, Rakela vdiq pranë meje gjatë udhëtimit, në vendin e Kanaanit, rrugës, kur kishte ngelur shumë pak rrugë deri në Efrat dhe e varrosa atje, në rrugën e Efratit.” PPAlb 139.1

-Zanafilla 48:7. Nga gjithë historia familjare e jetës së tij të gjatë e plot mundime, ai kujtoi vetëm humbjen e gruas së tij të shtrenjtë, Rakelës. PPAlb 139.2

Përpara se të vdiste, Rakela lindi një djalë të dytë. Duke ndierë se po vdiste, ajo ia vuri emrin Benoni, “djalë i vuajtjes sime”. Por babai e quajti Benjamin, “djalë i dorës sime të djathtë” ose “djalë i forcës sime”. Rakela u varros pranë vendit ku vdiq dhe një përmendore u ngrit mbi varrin e saj, që ta bënte të përjetshëm kujtimin e saj. PPAlb 139.3

Rrugës për në Efrat, një krim tjetër, i rëndë, njollosi familjen e Jakobit (Zanafilla 48:22), si pasojë e të cilit Rubeni, biri i parëlindur i Jakobit, humbi privilegjet dhe nderet, që vinin nga e drejta e parëbirnisë. PPAlb 139.4

Më në fund, Jakobi iu afrua fundit të udhëtimit, “për tek Isaku, babai i tij në Mamre, ...që është Hebroni, ku Abrahami dhe Isaaku kishin qëndruar ca kohë” (Vargu 27). Jakobi qëndroi këtu, gjatë viteve të fundit të jetës së Isakut. Pas shumë vitesh vetmie dhe zie, prania dhe përkujdesja e të birit ishte për Isakun, tashmë i verbër e i sëmurë, një ngushëllim i madh. PPAlb 139.5

Jakobi dhe Esau u takuan pranë shtratit të vdekjes së babait të tyre. Njëherë e njëkohë, vëllai i madh mezi e kishte pritur këtë ngjarje (vdekjen e Isakut), si një mundësi për hakmarrje, por ndjenjat e tij, tashmë, kishin ndryshuar ndjeshëm. Nga ana e tij, Jakobi, i kënaqur me bekimet shpirtërore të së drejtës së parëbirnisë, i dorëzoi vëllait të madh trashëgiminë e pasurisë së babait të tyre—të vetmen pasuri që Esau kishte kërkuar apo vlerësuar. Dy vëllezërit nuk ishin më të ndarë nga xhelozia apo mëria. Megjithatë, ata u larguan nga njëri tjetri dhe Esau u shpërngul pranë malit Seir. Perëndia, i cili është dorëlëshuar në bekime, i kishte siguruar Jakobit pasuri të konsiderueshme materiale, përveç asaj shpirtërore, që ai kërkonte mbi gjithçka tjetër. Pronat e pasuritë e të dy vëllezërve “ishin tepër të mëdha, që ata të mund të banonin bashkë; vendi ku rrinin nuk ishte në gjendje t’i mbante për shkak të bagëtisë së tyre.” - Zanafilla 36:7. Kjo ndarje ishte në përputhje me vullnetin hyjnor, në lidhje me Jakobin. Meqënëse të dy vëllezërit kishin ndryshime të mëdha në praktikat e tyre fetare, ishte më mirë, për të dy, që të qëndronin larg njëri-tjetrit. PPAlb 139.6

Si Esau ashtu edhe Jakobi ishin udhëzuar në njohurinë e Perëndisë dhe të dy ishin të lirë të zbatonin urdhërimet e Tij dhe të merrnin hirin e Tij, por ata vendosën të bënin gjëra të tjera. Të dy vëllezërit kishin zgjedhur dy drejtime të ndryshme dhe shtegjet e tyre do të shkonin gjithnjë e më larg nga njëri-tjetri. PPAlb 139.7

Nga ana e Tij, Perëndia nuk vendosi ta përjashtonte Esaun nga bekimet e shpëtimit. Dhuratat e hirit të Tij, nëpërmjet Krishtit, janë në dispozicion të të gjithëve. Asnjë nuk paracaktohet të mos shpëtohet, por çdokush e bën këtë zgjedhje me vullnetin e vet. Perëndia i ka përcaktuar qartë, në fjalën e Tij, kushtet, nën të cilat çdo qenie njerëzore zgjedh të marrë jetë të përjetshme—bindje ndaj urdhërimeve të Tij, nëpërmjet besimit në Krishtin. Perëndia zgjedh ata, që jetojnë jetën e tyre në harmoni me ligjin e Tij, dhe të gjithë ata, që do të përmbushin kriteret e Tij, do të mund të hyjnë në mbretërinë e lavdisë. Vetë Krishti tha, “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk beson në Birin nuk do të shohë jetë.” - Gjoni 3:36. “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai njeri që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.” - Mateu 7:21. Gjithashtu, në librin e Zbulesës, Ai deklaron: “Lum ata që i kryejnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën për pemën e jetës dhe që mund të hyjnë në portat e qytetit.” - Zbulesa 22:14. Përsa i përket shpëtimit përfundimtar të njeriut, kjo është e vetmja zgjedhje, që përshkruhet në fjalën e Perëndisë. PPAlb 139.8

Do të zgjidhen ata njerëz, që do ta trajtojnë çështjen e shpëtimit me druajtje e seriozitet të thellë. Do të zgjidhet ai person, që do të veshë armaturën dhe do të luftojë betejën e mirë të shpëtimit. Do të zgjidhet ai person, që do të praktikojë vazhdimisht lutjen, që do të kërkojë këshillë tek Shkrimet e Shenjta dhe që do t’i qëndrojë larg tundimit. Do të zgjidhet ai person, që do të ketë besim të vazhdueshëm dhe që do të tregojë bindje të plotë, ndaj çdo fjale, që del nga goja e Perëndisë. Shpengimi (me anë të Krishtit, nëpërmjet besimit) është në dispozicion të të gjithëve; rezultatet e shpengimit do të shijohen nga ata, që do të plotësojnë kriteret. PPAlb 140.1

Esau i kishte nënvlerësuar, jashtë mase, bekimet e besëlidhjes. Ai kishte vlerësuar të mirat e përkohshme materiale, mbi ato shpirtërore, dhe, më në fund, mori atë, që kishte dëshiruar prej kohësh. Ishte për shkak të zgjedhjes së tij të qëllimshme që ai u nda nga populli i Perëndisë. Jakobi kishte zgjedhur trashëgiminë e besimit. Ai ishte përpjekur ta merrte atë me dredhi, tradhti e mashtrim; por Perëndia i dha kohën e nevojshme, për të korrigjuar mëkatin e tij. Megjithatë, edhe gjatë viteve të vështira, që kishte kaluar, Jakobi nuk devijoi aspak nga vendimi që kishte marrë dhe nuk u tërhoq. Ai e dinte mjaft mirë se ai luftoi kundër Perëndisë, atëherë kur u mbështet tek zgjuarsia dhe dredhia njerëzore. Që prej asaj nate dyluftimi, pranë lumit Jabok, Jakobi nuk ishte më ai i pari. Besimi tek vetvetja i ishte çrrënjosur. Si pasojë, dinakëria, që kishte treguar kur ishte i ri, nuk u vu më re tek ai. Vendin e dredhisë dhe mashtrimit, në jetën e tij, tani e kishte zënë thjeshtësia dhe besimi. Mbi gjithçka tjetër, ai kishte mësuar të mbështetej vetëm tek Krahu i Fuqishëm (hyjnor) dhe, në kohëra të vështira, plot vuajtje, ai ishte nënshtruar me përulje, ndaj vullnetit të Perëndisë. Elementët kryesorë të karakterit të tij u shkrinë në zjarrin e furrës, ari i vërtetë u rafinua, deri sa besimi i Jakobit u bë po aq i kulluar sa i Abrahamit dhe i Isakut. PPAlb 140.2

Mëkati i Jakobit dhe ngjarjet që e pasuan, nuk dështoi në ndikimin ndaj së keqes— ai shfaqi frutet e tij të hidhur tek karakteri dhe jetët e fëmijëve të tij. Gjatë proçesit të burrërimit të tyre, ata zhvilluan të meta serioze në karakter. Pasojat e poligamisë ishin të dukshme në familje. Kjo e keqe e tmerrshme ka tendencën të thajë vetë burimet e dashurisë. Ndikimi i saj negativ dobëson edhe lidhjet më të shenjta. Xhelozia e nënave të shumta e kishte helmatosur mjedisin familjar; fëmijët ishin rritur grindavecë dhe të papërmbajtur. Të gjitha këto ia errësuan jetën e prindit Jakobit dhe ia mbushën me ankth e hidhërim. PPAlb 140.3

Megjithatë, njëri prej tyre dallohej; njëri, që kishte karakter të ndryshëm nga të tjerët—djali i madh i Rakelës, Jozefi, bukuria e rrallë fizike e të cilit sikur reflektonte bukurinë e brendshme të mendjes dhe zemrës së tij. Duke qenë i pastër, i shkathët dhe buzagaz, Jozefi, që fëmijë, tregonte se zotëronte sinqeritet dhe integritet moral. Ai u vinte vesh këshillave të babait dhe dëshironte shumë t’i bindej Perëndisë. Ato karakteristika, që do ta shquanin më vonë, në Egjipt,—mirësia, besnikëria dhe vërtetësia—ishin të pranishme prej kohësh, në jetën e tij të përditshme. Pasi vdekjes së nënës, Jozefi zhvilloi një dashuri të thellë për babain dhe zemra e Jakobit ishte e lidhur fort, pas këtij fëmije, që i ishte dhënë në moshë të thyer. Ai “e donte Jozefin më shumë se të gjithë fëmijët e tjerë.” - Zanafilla 37:3. PPAlb 141.1

Por edhe kjo dashuri do të bëhej shkak shqetësimesh dhe vuajtjesh. Jakobi e tregonte, pa takt, preferencën e tij për Jozefin dhe kjo shkaktoi shpërthimin e xhelozisë tek bijtë e tjerë. Kur Jozefi vërente sjelljen e pahijshme të vëllezërve të tij, ai mërzitej shumë; ai përpiqej t’i kritikonte me të butë, por kjo vetëm i bënte ata edhe më të inatosur e përçmues. Ai nuk duronte t’i shikonte ata duke mëkatuar kundër Perëndisë dhe ia parashtroi këtë shqetësim babait, duke shpresuar se autoriteti i këtij të fundit do t’i detyronte djemtë të ndryshonin për mirë. PPAlb 141.2

Jakobi, nga ana e tij, e shmangte me kujdes nxitjen e mëtejshme të zemërimit të tyre, duke mos u treguar i ashpër dhe i rreptë me ta. Me emocion të thellë, ai shprehte shqetësimin e tij për fëmijët e vet; iu lutej të tregonin respekt për thinjat e tij, të mos ia përbaltnin emrin e mirë dhe, mbi të gjitha, të mos çnderonin Perëndinë, duke treguar neglizhencë ndaj parimeve të Tij. Të rinjve u erdhi turp që ligësia e tyre ishte zbuluar dhe dhanë përshtypjen se ishin penduar. Por e mbajtën të fshehtë atë, që bluanin përbrenda, dhe zbulimi i ligësisë i bëri edhe më cinikë se ç’kishin qenë. PPAlb 141.3

Jakobi, duke treguar papjekuri dhe mëndjelehtësi, i bëri Jozefit një dhuratë: një rrobë apo tunikë të gjatë e të kushtueshme, një që, zakonisht, vishej nga njerëz të ngritur. Kjo dhuratë u pa nga djemtë si një provë tjetër e njëanshmërisë së Jakobit dhe solli dyshimin se ai kishte ndërmend të anashkalonte djemtë më të mëdhenjë në moshë, me qëllim që t’ia jepte të drejtën e parëbirnisë birit të Rakelës. Mëria e tyre u shtua edhe më tepër, një ditë, kur Jozefi u tregoi një ëndërr, që kishte parë. “Shikoni”, tha ai, “ne ishim duke lidhur duaj në mes të arës, kur papritmas duajt e mi u drejtuan dhe qëndruan drejt, kurse duajt tuaj u mblodhën dhe u përkulën përpara duajve të mi”. Atëherë vëllezërit e tij i thanë, të mbushur me inat: “A do të mbretërosh ti mbi ne, ose do të na sundosh me të vërtetë?” (Zanafilla 37:6-8). PPAlb 141.4

Së shpejti, ai pa edhe një ëndërr tjetër, të ngjashme në thelb, të cilën nuk ngurroi t’ua tregonte vëllezërve: “...Dhe ja, dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje përkuleshin para meje” (Vargu 9). Kjo ëndërr kishte një interpretim të ngjashëm më të parën. Babai, duke qenë i pranishëm, i foli me qortim: “Çështë kjo ëndërr që ke parë? A do të duhet që pikërisht unë, nëna jote dhe vëllezërit e tu të vijnë e të përkulemi deri në tokë para teje?” (Vargu 10). Por, pavarësisht fjalëve të ashpra që i drejtoi djalit, Jakobi ishte i bindur se Zoti po i zbulonte të ardhmen Jozefit. PPAlb 141.5

Ndërsa Jozefi qëndronte përpara vëllezërve të tij, çehrja e tij e bukur u ndriçua me Frymën e Frymëzimit dhe ata nuk mund ta fshihnin dot admirimin e tyre. Gjithsesi, ata vendosën të mos tërhiqeshin nga veprat e këqija dhe e urrenin pastërtinë, që automatikisht akuzonte dhe qortonte mëkatet e tyre. Në zemrat e tyre, po merrte forcohej e njëjta frymë, që kishte nxitur e motivuar edhe Kainin. PPAlb 142.1

Bijtë e Jakobit ishin të detyruar që, herë pas here, të lëviznin nga një vend në tjetrin, që të siguronin kullota të bollshme për bagëtitë. Shpesh, ndodhte që të mos ktheheshin në shtëpi për muaj të tërë. Pas ngjarjeve që sapo u treguan më lart, ata shkuan në vendin që babai i tyre, Jakobi, kishte blerë në Shekem. Pasi kaloi një kohë e gjatë, pa marrë lajm nga djemtë, Jakobin e zuri frika, për sigurinë e tyre, duke sjellë ndër mend masakrën që ata kishin kryer kundër Shekemitëve. Prandaj dërgoi Jozefin që t’i gjente dhe të kthehej me lajme rreth tyre. Po ta dinte ndjenjën e vërtetë, që kishin bijtë e tij për Jozefin, ai nuk do ta kishte dërguar kurrë vetëm tek ta, por ata e kishin fshehur këtë ndjenjë me kujdes. PPAlb 142.2

Me zemër plot ngazëllim, Jozefi u nda nga i ati. As ai djalë i ri dhe as ai burrë plak nuk mund të përfytyronte se çfarë do të ndodhte, deri kur të takoheshin sërish. Kur Jozefi, më në fund, mbërriti në Shekem, pas një udhëtimi të gjatë e të vetmuar, as vëllezërit dhe as kopetë e tyre nuk gjendeshin gjëkundi. Duke kërkuar e kërkuar, ai mori rrugën drejt Dothanit. Ai kishte udhëtuar më shumë se tetëdhjetë kilometra dhe i kishin ngelur përreth njëzetepesë kilometra të tjerë. Gjithsesi, Jozefi filloi të nxitonte edhe më shumë, duke harruar rraskapitjen, sepse donte ta çlironte babain nga ankthi, sa më shpejt të ishte e mundur, si dhe të takonte vëllezërit, të cilët i donte shumë, edhe pse ata nuk silleshin mirë ndaj tij. PPAlb 142.3

Vëllezërit e panë ndërsa po afrohej, por asnjë ndjenjë nuk e zbuti cinizmin e inatin brenda tyre; as udhëtimi i tij i stërgjatë, që kishte bërë për t’i takuar, as rraskapitja dhe uria dhe as lutjet e tij, që ata të tregonin mikpritje dhe dashuri vëllazërore. Kur e panë që kishte veshur tunikën e shtrenjtë, dhuratën, që vinte nga dashuria e babait të tyre, zemërimi i tyre arriti kulmin. “Shikoni, po vjen ky endërruesi”, thirrën ata duke u tallur. Zilia dhe hakmarrja, që kishin mbajtur prej kohësh përbrenda, tashmë dolën sheshit dhe kishin kontroll të plotë mbi ta. “Ejani, pra, ta vrasim”, thanë ata, “dhe ta hedhim në një pus; do të themi pastaj që një kafshë e egër e hëngri; kështu do të shohim se ç’përfundim do të kenë ëndërrat e tij” (Vargjet 19, 20). PPAlb 142.4

Ata do ta kishin bërë këtë po të mos ishte për Rubenin. Ai refuzoi të merrte pjesë në vrasjen e vëllait të vet dhe sugjeroi që Jozefi të hidhej, i gjallë, në një pus të thatë dhe të dergjej atje. Në të vërtetë, synimi i tij, i mbajtur sekret, ishte që ta shpëtonte dhe ta kthente tek babai. Pasi ua mbushi mendjen të gjithëve që të binin dakord me këtë plan, Rubeni u largua nga grupi, i frikësuar se nuk ishte në gjendje të kontrollonte mendimet dhe se synimet e tij të vërteta mund të zbuloheshin. PPAlb 142.5

Jozefi u afrua, pa i rënë fare në sy rreziku, dhe ishte i lumtur sepse sapo kishte arritur qëllimin e udhëtimit të tij të gjatë; por, në vend të përqafimeve që priste, ai u tmerrua nga shikimet e zemëruara dhe të helmatisura të vëllezërve. Ata e kapën dhe ia hoqën rrobën e gjatë e të kushtueshme nga trupi. Sharjet dhe kërcënimet e vëllezërve zbuluan vendimin e tyre vëllavrasës. Lutjet e përgjërimet e tij hynë nga një vesh dhe dolën nga veshi tjetër. Ai e gjeti veten nën forcën dhe dhunën e vëllezërve të tij të xhindosur. Ata e tërhoqën zvarrë drejt pusit të thatë, që kishin piketuar, e plandosën brenda, dhe, pasi u siguruan, se nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi, e lanë atje, që të vdiste nga uria, ndërsa për vete “u ulën për të ngrënë” (Vargu 25). PPAlb 142.6

Por disa prej vëllezërve filluan të mos ndiheshin dhe aq mirë, në fakt, nuk ndjenë atë lloj kënaqësie, që prisnin, nga hakmarrja e tyre. Pas pak, ata vunë re një karvan udhëtarësh, që po afrohej. Ishte një karvan Ishmaeilësh, që vinin përtej lumit Jordan, dhe iknin rrrugës për në Egjipt, me erëza e mallra të tjera për të shitur. Në këto rrethana, Juda u propozoi vëllezërve se do të ishte më mirë t’ua shisnin Jozefin këtyre tregtarëve paganë, sesa ta linin të vdiste në pus. Kështu, edhe pse e hiqnin qafe, nuk kishte pse t’u rëndonte ndërgjegja për gjakun e vëllait; “sepse”, siç pohoi “sepse është vëllai ynë, mishi ynë.” (Vargu 27). Të gjithë ranë dakort me këtë propozim dhe e nxorrën Jozefin nga pusi. PPAlb 143.1

Kur pa tregtarët, që po afroheshin, Jozefi u tmerrua kur kuptoi se çfarë e priste. Të bëheshe skllav, në atë kohë, ishte fat më i frikshëm se vetë vdekja. I pushtuar nga agonia dhe tmerri, Jozefi iu lut edhe njëherë vëllezërve, një nga një, por më kot. Disave u erdhi keq, por kishin frikë se do t’i tallnin më vonë dhe e mbajtën gojën mbyllyr; të gjithë mendonin se kishin shkuar tepër larg për t’u tërhequr. Po ta mbanin Jozefin, me siguri, ai do t’i kallëzonte tek babai dhe ky i fundit nuk do ta kalonte lehtë këtë mizori, të kryer ndaj birit të tij të preferuar. Kështu, duke e bërë zemrën gur, përballë përgjërimeve të Jozefit, ata e shitën dhe e lanë në mëshirën e tregtarëve paganë. Karavani vazhdoi rrugën dhe shumë shpejt u zhduk nga sytë. PPAlb 143.2

Rubeni, që ishte larguar nga vëllezërit, u kthye tek pusi, por Jozefi nuk ishte atje. I alarmuar dhe duke mallkuar veten, ai çorri rrobat e veta dhe iu drejtua vëllezërve, duke bërtitur, “Djali nuk është më; po unë, ku do të shkoj unë?” (Vargu 30). Kur mësoi fatin e Jozefit dhe se tashmë ishte e pamundur për ta shpëtuar, Rubeni u detyrua të bashkohej me vëllezërit e tjerë, në mënyrë që të gjithë të sajonin diçka për të mbuluar fajin. Pasi vranë një cjap, ata ngjyen rrobën e gjatë të Jozefit me gjakun e çjapit, e çuan rrobën te babai dhe i thanë se e kishin gjetur në një fushë dhe se druheshin se mund të ishte e Jozefit “Kemi gjetur këtë; shiko pak nëse është rrobja e birit tënd” (Vargu 31). Ata i druheshin shumë këtij çasti, por nuk ishin aspak të përgatitur për agoninë prindërore, që të dridhte zemrën, dhe për hidhërimin e papërshkrueshëm, që ishin të detyruar të përjetonin. “Eshtë rroba e tim biri”, tha Jakobi, “e ka ngrënë ndonjë kafshë e egër; me siguri Jozefin e kanë bërë copë e çikë.” (Vargu 33). Më kot u munduan bijtë e bijat e tij ta ngushëllonin. Ai “i shqeu rrobat e tij, veshi një grathore dhe mbajti zi për birin e tij për shumë ditë.” (Vargu 34). As kalimi i kohës nuk ia shuante dot hidhërimin. “Unë kam për të zbritur në varr duke mbajtur zi për birin tim” (Vargu 35), i tillë qe vajtimi i tij dëshpërues. Djemtë e tij, të tmerruar për atë që kishin bërë, por edhe duke patur frikë nga qortimi i babait, e mbajtën të fshehur, në zemër, fajin e tyre, faj ky që edhe për vetë ata ishte tmerrësisht i madh. PPAlb 143.3