PATRIARKË DHE PROFETË

18/74

18—“NATA E DYLUFTIMIT”

*****

Ndonëse Jakobi ishte larguar nga Padan-arami, në respekt të udhëzimit hyjnor, marrja e rrugës së kthimit—asaj rruge që kishte marrë para njëzet vjetësh, si një shtegtar fillikat, i shkaktonte nervozitet dhe shqetësim. Mëkatin që kishte kryer, mashtrimin që i kishte bërë të atit, e kishte gjithonë përpara dhe e mundonte. Ai e dinte mirë se mërgimi i tij i gjatë kishte qenë pasojë e drejtpërdrejtë e atij mëkati. Jakobi e vriste mendjen rreth këtyre gjërave, natë e ditë, dhe akuzat e ndërgjegjes, tashmë të vrarë, e bënë udhëtimin e tij vërtet të trishtueshëm. Kur kodrat e vendlindjes filluan të dalloheshin në horizont, zemra e patriarkut Jakob u prek thellë. Papritur, e gjithë e kaluara iu rishfaq përpara syve. Së bashku me kujtimin e mëkatit, që kishte bërë, iu kujtua dhe favori i Perëndisë ndaj tij, si dhe premtimet e ndihmës dhe drejtimit hyjnor. 6 PPAlb 131.1

Ndërsa po i afrohej fundit të udhëtimit, kujtimi i Esaut i solli atij, dhe shoqëruesve të tij, jo pak ankth. Pas largimit të Jakobit, Esau e konsideroi veten si trashëgimtari i vetëm i pasurisë së babait të tij. Lajmi i rikthimit të Jakobit do të shkaktonte frikën se ai po vinte për të pretenduar trashëgiminë. Tani, Esau kishte mundësinë për t’u hakmarrë ndaj të vëllait, po të donte ta bënte këtë gjë. Gjasat ishin që ai mund të tregohej i dhunshëm ndaj Jakobit, jo vetëm prej dëshirës për hakmarrje, por edhe për të siguruar zotërimin e pasurisë, që për një kohë të gjatë e kishte konsideruar si të vetën. PPAlb 131.2

Zoti i dha edhe një herë Jakobit një dhuratë, që vinte nga përkujdesja e Tij hyjnore. Kur Jakobi mori rrugën nga Mali i Gileadit, për në drejtim të jugut, dy grupe engjëjsh qiellorë e rrethuan, nga përpara dhe prapa, dhe vazhduan rrugën bashkë me të dhe karavanin e tij të gjatë, duke dhënë përshtypjen se po e mbronin. Jakobit iu kujtua vegimi, që kishte parë në Bethel, jo shumë kohë më parë, dhe zemra e tij e rënduar sikur iu lehtësua paksa, kur vuri se se lajmëtarët qiellorë, që i kishin dhënë shpresë e kurajo në mërgimin e tij nga Kanaani, do ta ruanin edhe njëherë, gjatë kthimit në shtëpi. Dhe Jakobi tha, “Ky është fushimi i Perëndisë”; dhe e quajti atë vend Mahanaim”—“dy fushime, ose, dy kampe.” - Zanafilla 32:1. 7 PPAlb 131.3

Megjithatë, Jakobi mendonte se duhet të bënte diçka, për të ruajtur sigurinë e tij. Për këtë arsye, ai dërgoi lajmëtarë përpara, me një mesazh pajtimi për të vëllain. Ai u diktoi atyre fjalë për fjalë, mënyrën se si duhet t’i drejtoheshin Esaut. Ishte parashikuar, që përpara lindjes së dy vëllezërve, se vëllai më i madh do t’i shërbente më të voglit. PPAlb 131.4

6 Baza për këtë kapitull është Zanafilla 32 dhe 33. 7.“Dy kampe/fushime”: Ndoshta këtu nënkuptohet se Jakobi ishte i ndërgjegjshëm për ekzistencën e dy kampeve: njërit kamp për njerëzit dhe tjetrit për engjëjt. Me qëllim që kujtimi i këtij parashikimi të mos ishte një shkak i panevojshëm armiqësie, Jakobi i udhëzoi shërbëtorët, që u dërguan tek “zotëria im Esau”; se, kur të vinin përpara tij, ata duhet t’i referoheshin zotërisë së tyre si “shërbëtori yt Jakobi” dhe, së fundmi, për të larguar çdo dyshim e frikë se ai po kthehej, si një shtegtar xhep-shpuar, për të pretenduar trashëgiminë e të atit, Jakobi u kujdes që të përfshinte këto fjalë në mesazhin e tij: “kam qe, gomarë, kope, shërbyes dhe shërbyese; dhe këtë po ja tregoj zotërisë tim, për të gjetur hir në sytë e tu.” - Zanafilla 32:5. PPAlb 131.5

Por shërbëtorët u kthyen tek Jakobi me lajmin se Esau po afrohej në shoqërinë e katërqind burrave dhe se mesazhi i tij miqësor nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Dukej qartë se Esau po vinte për të marrë hak. Tmerri mbuloi gjithë kampin. “Atëherë Jakobin e zuri një frikë dhe një ankth i madh.” - Zanafilla 32:7. Ai nuk mund të kthehej dot dhe kishte frikë të ecte përpara. Shoqëruesit e tij ishin të paarmatosur e të pambrojtur si dhe krejtësisht të papërgatitur për një betejë të ashpër. I ndodhur pëpara kësaj situate, ai i ndau ata në dy grupe, me qëllim që, nëse sulmohej njëri grup, tjetri të kishte mundësi për të shpëtuar. Ai dërgoi dhurata të shumta për Esaun nga kopetë e tij të madha, me një mesazh miqësor. Ai bëri gjithçka, që kishte në dorë, për të shpaguar fajin, që kishte bërë ndaj të vëllait, për të shmangur rrezikun, që kanosej. Pastaj, me një përulje dhe pendim të thellë, ai kërkoi me përgjërim mbrojtjen hyjnore: “O Perëndi i atit tim Abraham, Perëndi i atit tim Isak, o Zot, që më ke thënë: ‘Ktheu në vendin tënd dhe pranë fisit tënd dhe unë do të trajtoj mirë, unë nuk jam i denjë i të gjitha mirësive dhe i gjithë besnikërisë që ke treguar ndaj shërbyesit tënd, sepse unë e kalova këtë Jordan vetëm me shkopin tim dhe tani janë bërë dy grupe. Çliromë, të lutem, nga duart e vëllait tim, nga duart e Esaut, sepse unë kam frikë nga ai dhe druaj që ai të vijë për të më sulmuar, pa kursyer as nënat as fëmijët. Dhe ti the: “Patjetër, unë do të të bëj mirë dhe do t’i bëj pasardhësit e tu si rëra e detit, që nuk mund të llogaritet se është shumë e madhe.” - Vargjet 9-12. PPAlb 132.1

Ata tani kishin mbërritur pranë lumit Jabok dhe, kur po ngrysej, Jakobi çoi familjen e vet në bregun tjetër të lumit, ndërsa vetë qëndroi prapa. Ai kishte vendosur ta kalonte gjithë natën në lutje. Dëshironte të ishte vetëm me Perëndinë. Vetëm Perëndia mund ta zbuste zemrën e Esaut. Shpresa e vetme e patriarkut Jakob ishte vetëm tek Ai. PPAlb 132.2

Kjo ndodhi në një rajon të vetmuar e malor, ku dëgjoheshin piskamat e egërsirave dhe ku hajdutët dhe banditët ngrinin prita. Fillikat dhe i pambrojtur, Jakobi u përkul, mjaft i pikëlluar, mbi tokë. Ishte mesnatë. Të gjithë ata, që i jepnin dëshirë për të jetuar, ishin në anën tjetër të lumit dhe të ekspozuar ndaj rrezikut dhe vdekjes. Ajo, që e bënte të vuante më shumë, ishte bindja se ishte mëkati i kryer prej tij kishte sjellë këtë situatë kaq të rrezikshme për familjarët e tij të pafajshëm. Ai e bëri lutjen e Tij përpara Perëndisë, me thirrje e lotë plot përgjërim. Papritur, një dorë e fortë u vendos mbi të. Ai mendoi se një armik po kërkonte ta vriste dhe kështu u mundua t’i shmangej me forcë kapjes së sulmuesit. Të dy mundoheshin, në errësirë, që të vinin njëri-tjetrin përposhtë. Nuk u tha asnjë fjalë, por Jakobi përdori gjithë forcën që zotëronte dhe nuk i ndali përpjekjet qoftë dhe për një çast. Kështu, ndërsa po luftonte për jetë a vdekje, ndjenja e fajit ia rëndoi dhe më shumë zemrën; mëkatet, që kishte kryer, i dolën përpara syve, për ta mbajtur të ndarë nga Perëndia. Por, në këtë situatë kaq të tmerrshme, ai solli ndërmend premtimet e Perëndisë dhe zemra i përgjërohej Zotit që të tregonte mëshirë. Dyluftimi vazhdoi deri përpara agimit, kur i huaji vuri gishtin mbi zgavrën e ijës së Jakobit dhe bëri që Jakobi të çalonte. Patriarku, tashmë, e dalloi identitetin e vërtetë të antagonistit të tij. Ai kuptoi se kishte luftuar me një lajmëtar qiellor dhe kjo qe arsyeja pse ai, edhe pse shumë i fuqishëm, nuk kishte asnjë mundësi të korrte fitore. Ishte vetë Krishti, Engjëlli i Besëlidhjes, që i ishte shfaqur Jozefit. Patriarku ishte plagosur dhe mezi mbahej në këmbë, por nuk e lëshonte dyluftuesin e huaj. I penduar dhe i thyer plotësisht, ai u kap pas Engjëllit; “qau dhe iu lut shumë.” - Hosea 12:4, duke iu përgjëruar për një bekim. Ai donte të kishte sigurinë se mëkati i ishte falur. As dhimbja e thellë fizike, që ndiente, nuk mjaftonte për t’ia larguar mendjen nga ky qëllim. Këmbëngulja e tij u bë edhe më e fortë, ndërsa besimi i tij u bë edhe më i përulur dhe i vendosur, deri në fund. Engjëlli u përpoq të largohej; i kërkoi Jakobit: “Lërmë të shkoj, se po lind agimi” Por Jakobi iu përgjegj: “Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!” - Zanafilla 32:26. Jakobi nuk tregoi me këto fjalë një besim të frymëzuar nga arroganca dhe mbivlerësimi i vetvetes, përndryshe kishte marrë fund në çast. Përkundrazi, siguria e tij ishte e një njeriu që ka rrëfyer pavlerësinë e vet, megjithatë tregon besim tek besnikëria e një Perëndie besëlidhje-mbajtës. PPAlb 132.3

“Jakobi kishte fuqi mbi Engjëllin, dhe ia doli mbanë.” - Hosea 12:4. Nëpërmjet përulësisë, pendimit dhe vetë-dorëzimit, ky mëkatar i vdekshëm ia doli mbanë të merrte një bekim nga vetë Madhëria e qiellit. Ai ishte kapur fort pas premtimeve të Perëndisë dhe zemra e Dashurisë së Pafundme nuk mund ta refuzonte dot përgjërimin e mëkatarit. PPAlb 133.1

Gabimi, që e kishte çuar në mëkat Jakobin, duke marrë me mashtrim të drejtën e parëbirnisë ishte shumë i qartë për të. Ai nuk kishte treguar besim tek premtimet e Perëndisë, por ishte përpjekur që, me focat e veta, të realizonte atë që Perëndia do të realizonte në kohën dhe në mënyrën e Tij. Si një shenjë, për të vërtetuar se ishte falur, emri i tij u ndryshua nga ai i pari, që i kujtonte vazhdimisht mëkatin, tek emri i ri, që përkujtonte fitoren e tij. “Emri yt”, tha Engjëlli, “nuk do të jetë më Jakob [që do të thotë: ‘ai që zapton vendin e tjetrit’], por Israel, sepse si një princ ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ia ke dalë mbanë.” - Zanafilla 32:28. PPAlb 133.2

Më në fund, Jakobi mori bekimin që kishte shpresuar, thellë në zemër, se një ditë do të ishte i tiji. Mëkati i tij si zaptues dhe mashtrues ishte falur. Kriza në jetën e tij kishte marrë fund. Dyshimi, paniku dhe pendimi ia kishin përkeqësuar jetën, por tani gjithçka kishte ndryshuar; dhe sa e ëmbël ishte paqja e pajtimit me Perëndinë! Jakobi nuk kishte më frikë të takonte të vëllain, Esaun. Perëndia, që kishte falur mëkatin e tij, ishte plotësisht në gjendje të ndryshonte edhe zemrën e Esaut. Në këtë mënyrë, edhe ky i fundit kishte për të pranuar përulësinë dhe pendimin e thellë të vëllait. PPAlb 133.3

Gjatë kohës që Jakobi po ndeshej me Engjëllin, një tjetër lajmëtar qiellor u dërgua për Esaun. Në një ëndërr, Esau pa të vëllain, që për njëzet vjet kishte mërguar nga shtëpia e babait; ai ishte dëshmitar i pikëllimit të tij kur nuk e gjeti gjallë nënën e vet dhe e pa të rrethuar nga engjëjt e Perëndisë. Esau ua tregoi këtë ëndërr luftëtarëve të tij, duke u dhënë gjithashtu urdhër që të mos e preknin Jakobin, sepse Zoti i babait të tij ishte me të. PPAlb 133.4

Më në fund, dy grupet u afruan drejt njëri-tjetrit: nga njëra anë Esau, sunduesi i shkretëtirës, i shoqëruar nga luftëtarët e tij dhe, nga ana tjetër, Jakobi, me gratë dhe fëmijët e tij, i shoqëruar nga barinjtë dhe shërbëtoret dhe i ndjekur nga tufa e kope të shumta bagëtish. Duke u mbajtur me shkop, Jakobi doli përpara, për të takuar grupin e luftëtarëve. Ai ishte i plagosur dhe i rraskapitur për shkak të dyluftimit gjatë natës, e mezi ecte mes dhimbjeve, duke ndalur në çdo hap, por fytyra i ndriste me gëzim e paqe. PPAlb 134.1

Kur pa të vëllanë, që vuante duke çaluar, “Esau vrapoi drejt tij për ta takuar, e përqafoi, iu hodh në qafë dhe e puthi; dhe që të dy qanë.” - Zanafilla 33:4. Ky çast ishte aq emocionues sa, duke dëshmuar atë skenë, edhe zemrat e luftëtarëve më të ashpër të Esaut u prekën. Pavarësisht se Esau ua kishte treguar ëndrrën, që kishte parë, ata e kishin shumë të vështirë të përfytyronin ndryshimin, që kishte ndodhur tek prijësi i tyre. Kur e panë gjendjen e rënduar mjekësore të Jakobit, ata as nuk mund ta merrnin me mend se ajo dobësi ishte, në të vërtetë, forcë. PPAlb 134.2

Në atë natë agonie, pranë lumit Jabok, kur fundi dukej se ishte i afërt, Perëndia i kishte mësuar Jakobit se sa e kotë ishte ndihma e njeriut, sa i cekët e i brishtë është besimi në fuqinë njerëzore. Jakobi kuptoi, më qartë se kurrë, se ndihma e tij e vetme duhet të vijë nga Ai, kundër të cilit ai kishte mëkatuar aq rëndë. Duke qenë i padenjë dhe i pashpresë, Ai iu përgjërua Perëndisë që mëshira e Tij ta mbulonte atë, mëkatarin, që ishte penduar. Ai premtim ishte siguria e tij se Perëndia do ta falte dhe do ta pranonte. Më parë, do të zhdukej qielli dhe toka sesa të dështonte fjala e dhënë nga Perëndia. Ishte pikërisht kjo siguri që e mbajti dhe i dha forcë Jakobit, që të përballonte atë konflikt të frikshëm. PPAlb 134.3

Agonia e Jakobit, gjatë asaj nate të dyluftimit, simbolizon provën, nëpërmjet të cilës duhet të kalojë populli i Perëndisë përpara ardhjes së dytë të Krishtit. Profeti Jeremia, në një vegim të shenjtë, që bën fjalë për këtë kohë, tha: “Kështu thotë Zoti: Ne kemi dëgjuar një britmë tmerri, frike dhe jo paqeje. Pyetni dhe shikoni nëse mund të lindë fëmijë një mashkull? Pse, pra, i shoh të gjithë meshkujt me duart mbi ijet e tyre ashtu si një grua që është duke lindur? Pse tërë fytyrat janë bërë të zbehta? Medet, sepse ajo ditë është e madhe; nuk pati kurrë ndonjë të ngjashme me të; do të jetë koha e ankthit të Jakobit, por ai do të shpëtojë prej kësaj.” - Jeremia 30:5-7. PPAlb 134.4

Kur Krishti do të ndërpresë veprimtarinë e Tij si Ndërmjetës, në emër të njeriut, atëherë do të fillojë kjo kohë ankthi. Deri në atë kohë është vendosur fati i çdo qenieje njerëzore dhe nuk do të ketë më gjak shpagues, për të pastruar nga mëkati. Kur Jezusi të lërë pozitën, që ka, si Ndërmjetësues përpara Perëndisë, ka do të bëhet ky lajmërim solemn: “Kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë, kush është i virtytshëm le të vazhdojë të jetë i virtytshëm, dhe kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet.” - Zbulesa 22:11. Pastaj, Fryma parandaluese e Perëndisë do të tërhiqet nga toka. Ashtu siç Jakobi u kërcënua, për vdekje, nga vëllai i tij inaçor, në të njëjtën mënyrë, populli i Perëndisë do të jetë në rrezi nga të këqinjtë, të cilët do të përpiqen t’i vrasin. Dhe, ashtu si patriarku u ndesh gjithë natën për të shpëtuar nga dora e Esaut, në të njëjtën mënyrë, të virtytshmit do t’i thërrasin Perëndisë natë e ditë, për shpëtim nga armiqtë, që do t’i rrethojnë. PPAlb 134.5

Satani e kishte akuzuar Jakobin para engjëjve të Perëndisë, me pretendimin se zotëronte të drejtën për ta shkatërruar, për shkak të mëkatit të tij; ai e kishte nxitur Esaun ta sulmonte Jakobin dhe, përgjatë asaj nate të gjatë dyluftimi, Satani ishte përpjekur t’i impononte patriarkut një ndjenjë faji, me qëllimin që ta dekurajonte dhe ta bënte të shkëpuste lidhjen me Perëndinë. Kur, në përpëlitje e sipër, Jakobi u kap fort pas Engjëllit dhe filloi t’i përgjërohej me lotë, Lajmëtari qiellor, duke synuar të vinte në provë besimin e Jakobit, ia kujtoi mëkatin dhe u përpoq të largohej prej tij. Por Jakobi nuk mund të zmbrapsej më. Ai kishte mësuar se Perëndia ishte i mëshirshëm dhe kështu ai ishte kapur pas mëshirës së Tij. Ai tregoi qartë pendimin e tij për mëkatin, që kishte kryer, si dhe kërkoi shpëtim dhe falje. Ndërsa analizonte jetën e vet, ai u këput nga dëshpërimi, por u mbajt fort tek Engjëlli dhe, me thirrje përgjëruese e të mundimshme, bëri kërkesën e tij të lutjes, deri sa ia doli mbanë. PPAlb 135.1

Këtë do të përjetojnë edhe njerëzit e Perëndisë, në betejën e tyre përfundimtare me fuqitë e së keqes. Perëndia do vendosë në provë besimin e tyre, ngulmimin e tyre, si dhe besimin në fuqinë e Tij, për t’i shpëtuar. Satani do të përpiqet t’i tmerrojë, me idenë se shpresat e tyre janë të kota, se mëkatet e tyre janë tepër të rënda për t’u falur. Ata do t’i brejë fort ndërgjegja për gabimet, që kanë bërë, dhe, ndërsa analizojnë jetën e tyre, shpresat do t’u veniten. Por duke kujtuar madhështinë e mëshirës së Perëndisë, si dhe pendimin e sinqertë, nga ana e tyre, ata do t’i përgjërohen për premtimet e Tij, të bëra nëpërmjet Krishtit, për mëkatarët e vobektë dhe të penduar. Besimi i tyre nuk do të dështojë edhe pse lutjet e tyre mund të mos marrin përgjigje të menjëhershme. Ata kanë për t’u mbështetur tek fuqia e Perëndisë, ashtu si Jakobi tek Engjëlli, dhe fjalët, që do t’u dalin nga zemra do të jenë: “Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!” PPAlb 135.2

Nëse Jakobi nuk do të ishte penduar, më parë, për mëkatin, që kishte kryer, për marrjen me anë të mashtrimit të së drejtës së parëbirnimit, Perëndia nuk do t’i kishte vënë vesh lutjes së tij dhe nuk do t’ia kishte ruajtur jetën, nëpërmjet mëshirës së Tij. Në të njëjtën mënyrë, në ‘kohën e ankthit’, përpara ardhjes së dytë të Krishtit, nëse populli i Perëndisë do të ketë mëkate të parrëfyera, përpara syve, ndërsa torturohen nga frika dhe terrori, ata do të munden; dëshpërimi do të copëtojë besimin e tyre dhe ata nuk do të mundin të kenë besim të mjaftueshm, për t’iu përgjëruar Perëndisë për shpëtim e falje. Por, për aq kohë sa të ndiejnë thellësisht se janë të padenjë dhe të përulen, ata nuk do të lenë asnjë faj pa rrëfyer. Mëkatet e tyre do të zhduken, me anë të gjakut shpagues të Krishtit, dhe ata as nuk do t’i kujtojnë dot më. PPAlb 135.3

Satani nxit shumë njerëz të besojnë se Perëndia do të tolerojë mosbesnikërinë e tyre në gjerat e vogla (në dukje të parëndësishme) të jetës. Por, në marrëdhënien e Tij me Jakobin, Zoti tregon se Ai as nuk e miraton dhe as nuk e toleron të keqen. Të gjithë ata, që përpiqen të justifikojnë apo fshehin fajet, dhe i lejojnë të mbeten në librat e qiellit, të parrëfyer dhe të pafalur, do të munden nga Satani. Sa më i ngritur të jetë profesioni i tyre dhe sa më e lartë të jetë pozita e tyre, aq më e dhimbshme do të jetë rruga e tyre përpara Perëndisë dhe aq më i sigurt do të jetë triumfi i Satanit, kundërshtarit të madh. PPAlb 135.4

Megjithatë, historia e Jakobit na jep një ndjenjë sigurie, se Perëndia nuk do t’i braktisë ata, që janë mashtruar të mëkatojnë, por që janë kthyer tek Ai, me pendim të vërtetë. Jakobi fitoi atë, që nuk kishte mundur të fitonte më parë, me anë të vetë-dorëzimit dhe besimit të patundur tek Perëndia dhe jo me forcat e veta. Kështu, Perëndia i mësoi shërbëtorit të Tij se vetëm fuqia dhe hiri hyjnor mund t’i jepnin bekimin, që dëshironte aq shumë. Kështu do të jetë jetë edhe me ata, që do të jetojnë në ditët e fundit. Megjithëse do të kenë rrezik përreth dhe zemrat e tyre do të dridhen nga dëshpërimi, ata duhet të mbështeten vetëm tek meritat e shpagimit, që vijnë nga gjaku i Krishtit dhe absolutisht jo nga forcat apo veprat e tyre. Asgjë nuk mund të bëjmë nga vetja! Duke qenë të pavlerë dhe të pashpresë në vetvete, ne duhet të shfaqim besim tek meritat e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit, që u kryqëzua dhe u ringjall. Askush nuk do të humbasë po ta bëjë këtë gjë. Katalogu i gjatë dhe i zi i fajeve tona është përpara syrit të Perëndisë, Atij që nuk ka fund; regjistri është plotësuar; asnjë nga shkeljet tona nuk është harruar. Por Ai, që dëgjoi thirrjet e shërbëtorëve të Tij shumë shekuj më parë, do të dëgjojë lutjen tonë të besimit dhe do t’i falë shkeljet dhe fajet tona. Ai ka premtuar dhe do ta mbajë fjalën e dhënë. PPAlb 136.1

Jakobi doli fitimtar sepse ai këmbënguli dhe qe i vendosur. Përvoja e tij jetësore dëshmon për fuqinë e lutjes së parreshtur. Sot, më shumë se kurrë, duhet të përvetësojmë mësimin, që vjen nga lutja fitimtare, nga besimi i patundur (i Jakobit). Fitoret më të mëdha, për kishën e Krishtit apo për besimtarët e krishterë, nuk janë ato, që korren me anë të talentit, arsimimit, pasurisë apo ndereve të njerëzve. Janë ato fitore, që korren në dhomën e audiencës me Perëndinë, kur besimi i përgjëruar dhe në ankth kapet fort pas krahut të fortë të fuqisë hyjnore. PPAlb 136.2

Ata, që nuk kanë dëshirë apo vullnet të braktisin çdo mëkat dhe të kërkojnë me përgjërim bekimin e Perëndisë, nuk do ta marrin atë. Por, të gjithë ata, që do të mbahen fbrt pas premtimeve të Perëndisë, ashtu si bëri Jakobi, dhe që do të jenë po aq të zellshëm e këmbëngulës sa ai, do të kenë sukses ashtu si edhe ai pati sukses. “Vallë nuk do të marrë hak Perëndia për të zgjedhurit e tij që i thërrasin atij ditë e natë? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre? Po, unë ju them se ai do t’ua marrë hakun së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë vallë besim mbi tokë?” - Luka 18:7, 8. PPAlb 136.3