PATRIARKË DHE PROFETË

20/74

20—“JOZEFI NË EGJIPT”

*****

Ndërkohë, Jozefi, së bashku me pronarët e tij të rinj, ndodhej rrugës për në Egjipt. Kur karavani po ecte në drejtim të jugut, drejt kufijve të Kanaanit, Jozefi mund të dallonte nga larg kodrat, mes të cilave ndodheshin çadrat e babait të tij të dashur. Ai qau me të madhe, kur solli ndërmend të atin, në vetminë dhe vuajtjen e vet. I erdhi sërish ndërmend skena në Dothan. Ai pa vëllezërit e tij të inatosur dhe ndjeu përsëri shikimet e tyre të shtrembëra, të drejtuara tek ai. Në veshët e Jozefit jehonin ende të sharat dhe britmat e tyre. Me zemër të dridhur, ai filloi të mendonte se çfarë e priste në të ardhmen. Situata nuk mund të ishte më e keqe: imagjinoni një djalë të privilegjuar dhe të rrethuar me dashuri, që shndërrohet në një skllav të përçmuar e të vobektë! Duke qenë vetëm dhe pa asnjë shok, cili do të ishte fati i Jozefit në atë dhë të huaj, drejt të cilit kishte marrë udhën? Për një kohë të gjatë, ai mezi e mbante veten dhe mallëngjehej, i mbushur plot hidhërim dhe panik. 9 PPAlb 144.1

Por, nën kujdesjen e Perëndisë, edhe kjo përvojë e tmerrshme kishte për të qenë një bekim i mirëfilltë për Jozefin. Brenda pak orësh, ai kishte mësuar atë, që nuk mund të mesohej për vite të tëra. Babai i tij, edhe pse kishte treguar dashuri dhe ëmbëlsi ndaj tij, i kishte shkaktuar një dëm të konsiderueshëm, duke e llastuar e trajtuar me njëanshmëri. Kjo preferencë e pamenduar mirë i kishte zemëruar vëllezërit si dhe i kishte provokuar që të kryenin atë akt mizor, duke e përzënë nga shtëpia. Me thënë të drejtën, efektet e llastimit dukeshin qartë edhe në karakterin e Jakobit. Gabimet, që bënte, ishin toleruar e inkurajuar dhe tashmë kishte ardhur koha të korrigjoheshin. Në fakt, kishte ardhur koha që Jozefi të bëhej zot i vetes dhe të përballonte sfidat e vështira të jetës. I mësuar me përkujdesjen e ëmbël të babait të tij, Jozefi kuptoi se ishte i papërgatitur që t’u bënte ballë vështirësive, që e prisnin, në jetën e e tij prej skllavi, në një dhë të huaj—një skllavi ndaj të cilit nuk do të tregohej as mëshirë dhe as përkujdesje. PPAlb 144.2

Pas pak, Jozefi e shpuri mendjen tek Perëndia i babait të tij. Që në fëmijëri, ai ishte mësuar e udhëzuar që ta donte dhe t’i druhej Atij. Shpesh, në çadrën e të atit ai, kishte dëgjuar historinë e vegimit, që Jakobi kishte parë kur u largua nga shtëpia, si shtegtar e mërgimtar. Ai kishte dëgjuar rreth premtimeve, që Zoti i kishte bërë Jakobit, dhe se si ishin plotësuar, se si, në momentin më delikat, engjëjt e Perëndisë kishin mbërritur për ta mbrojtur, ngushëlluar e udhëzuar. Gjithashtu, Jozefi kishte dëgjuar për shprehjen e dashurisë së Perëndisë, i cili do të siguronte një Shpengimtar, për të shpëtuar të gjithë njerëzit nga mëkati. Tani, të gjitha këto mësime të çmuara i vinin ndërmend. Jozefi krijoi bindjen se Perëndia i etërve të tij ishte edhe Perëndia i tij. Kështu, në ato çaste dhe në atë situatë, ai iu përkushtua plotësisht Zotit dhe iu lut Perëndisë, Ruajtësit të Izraelit që t’i qëndronte pranë, në vendin ku po mërgonte me detyrim. PPAlb 144.3

Pas kësaj, Jozefi e mblodhi veten, duke dashur të provonte veten si burrë i vërtetë para Zotit. Në çfarëdo rrethanë që do të gjendej, ai do të vepronte si një vartës i Mbretit të qiellit. Ai do t’i shërbente Zotit me gjithë zemër; do t’i duronte të gjitha vështirësitë me këmbëngulje dhe do të kryente çdo detyrë me besnikëri. Mjaftoi përvoja e një dite për ta ndryshuar njëherë e mirë jetën e tij. Fatkeqësia e tmerrmshme, që kishte rënë mbi të, e kishte shndërruar Jozefin, nga një adoleshent i llastuar, në një burrë të pjekur, të guximshëm dhe të vetëpërmbajtur. PPAlb 145.1

Me të mbërritur në Egjipt, Jozefi iu shit si skllav Potifarit, kapitenit të gardës mbretërore, dhe i shërbeu atij për dhjetë vjet. Në shtëpinë e Potifarit, ai u ekspozua kundër vullnetit e dëshirës së tij, ndaj shumë tundimeve të pazakonshme. Ai gjendej në mes të idhujtarisë. Në ato kohë, adhurimi i perëndive të rreme shoqërohej me madhështi, nga ana e shtresës së lartë, dhe mbështetej nga pasuria dhe kultura e kombit më të qytetëruar të botës së atëhershme. Megjithatë, Jozefi ruajti thjeshtësinë e besimit dhe iu përkushtua plotësisht Perëndisë së vërtetë. Gjithçka, që shikonte e dëgjonte përreth, ishte çthurrje e imoralitet, por Jozefi shpërfilli gjithçka, sikur nuk shikonte e as dëgjonte dot. Ai nuk e lejoi asnjëherë mendjen të shtjellonte temat e ndaluara nga feja e etërve të tij. Dëshira për të fituar nderet e egjiptasve nuk arriti ta bënte Jozefin të mbante fshehur parimet e tij. Po ta kishte provuar këtë gjë, ai me siguri do të mposhtej nga tundimi, por, në të vërtetë, atij nuk i vinte aspak turp për fenë e etërve të tij dhe nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të fshehur faktin se ishte adhurues i Jahveh-it, Zotit të vërtetë. PPAlb 145.2

“Zoti qe me Jozefin, dhe ky pasurohej dhe banonte në shtëpinë e zotërisë së tij, egjiptasit. Dhe zotëria e tij e pa që Zoti qe me të dhe që Zoti e sillte mbarë në duart e tij gjithçka bënte.” - Zanafilla 39:2. Besimi i Potifarit tek Jozefi rritej përditë e më tepër dhe, me kalimin e kohës, e ngriti në detyrë, e bëri kryeadministrator të shtëpisë dhe i dha kontroll të plotë mbi të gjitha pronat e veta. “Kështu Potifari la gjithçka kishte në dorë të Jozefit dhe nuk shqetësohej më për asgjë, përveç ushqimit të vet.” (- Zanafilla 39:6). PPAlb 145.3

Begatia e konsiderueshme që i solli Potifarit administrimi i Jozefit nuk ishte rezultat i ndonjë mrekullie të drejtpërdrejtë; por puna e palodhur, përkujdesja dhe përkushtimi nga ana e tij u kurorëzuan me bekimin hyjnor. Sigurisht, Jozefi ia atribuoi sukesin hirit të Perëndisë, madje edhe zotëria i tij e pranoi këtë fakt, si sekretin e vërtetë të pasurimit të tij të paparë. Por pa përpjekjet e shumta dhe pa derdhur djersë, ky sukses nuk do të mund të arrihej kurrë. Perëndia u përlëvdua nga besnikëria e Jozefit, shërbëtorit të Tij. Ishte synimi hyjnor që ky besimtar i shquar i Perëndisë të tregonte pastërti dhe virtytshmëri të pashoqe në karakterin e tij, duke qenë kështu në një kontrast të madh me adhuruesit e idhujve. Drita e hirit hyjnor mund të depërtonte me sukses e të ndriçonte në errësirën e paganizmit. PPAlb 145.4

Mirësjellja dhe besnikëria e Jozefit e bënë për vete kryekapitenin Potifar dhe ky i fundit filloi ta trajtonte jo më si një skllav, por sikur ta kishte birin e vet. I riu pati kontakt me njerëz të ngritur e të ditur dhe ai mori një arsimim të gjithanshëm, me njohuri të shumta shkencore, gjuhësore dhe ekonomiko-financiare. Ky arsimim do të ishte mjaft i dobishëm për kryeministrin e ardhshëm të Egjiptit. PPAlb 145.5

Por, para së gjithash, besimi dhe integriteti i Jozefit duhet të viheshin para provave të vështira. Gruaja e zotërisë së tij (Potifarit) u përpoq ta joshte të riun që të thyente ligjin e Perëndisë. Deri atëherë, Jozefi kishte mbetur i panjollosur nga çthurrja që ndodhej kudo, në atë vend. Por, ky tundim i fundit, kaq i papritur, kaq i fuqishëm, kaq joshës—si do të përballohej? Jozefi i dinte mjaft mirë pasojat e refuzimit nga ana e tij. Nga njëra anë ishin fshehtësia, nderet dhe shpërblimi, nga ana tjetër, turp, burgim dhe ndoshta vdekja. Gjithë jeta e ardhslime e tij varej nga vendimi i çastit. A do të triumfonin parimet e tij? A do të ishte Jozefi po aq besnik ndaj Perëndisë, sa kishte qenë më parë? Engjëjt e qiellit e përjetuan këtë skenë me një ankth të patregueshëm. PPAlb 146.1

Përgjigja e Jozefit tregon, mbi të gjitha, forcën e parimit fetar. Ai vendosi të mos e tradhtonte besimin e zotërisë së tij në tokë dhe, cilatdo qofshin pasojat, ai do t’i qëndronte besnik Zotërisë së tij në qiell. Nën syrin vëzhgues të Perëndisë dhe engjëjve të tij, shumë njerëz ndërrmarrin lloj-lloj veprimesh, në mënyrë që të mos ndihen fajtorë në praninë e njerëzve të tjerë, por mendimi i parë, që përshkoi mendjen e Jozefit, ishte për Perëndinë: “Si mund ta bëj unë këtë ligësi të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?”, tha ai. (Vargu 9). PPAlb 146.2

Po të kishim parasysh gjithnjë se Perëndia sheh dhe dëgjon gjithçka, që bëjmë apo themi, dhe mban shënim fjalët e veprimet tona dhe se, një ditë, do të përballemi me to, ne do t’i druheshim mëkatit. Të rinjtë duhet të kenë parasysh përherë se, kudo që të jenë dhe çfarëdo që të bëjnë, ata do të jenë në praninë e Perëndisë. Në të vërtetë, asnjë pjesë e sjelljes sonë nuk mund të mbahet e fshehur. Nuk mund t’i fshehim dot veset, që kemi, nga Më i Larti Perëndi. Ligjet njerëzore, ndonëse ndonjëherë janë të rrepta, shkelen shpesh, pa u vënë re, dhe nuk ndëshkohen. Por nuk ndodh kështu me ligjin e Perëndisë. As mesnata më e errët nuk ndihmon dot për të fshehur fajtorin. Ai apo ajo mund të kujtojnë se janë vetëm, por, në të vërtetë, çdo vepër që kryhet ka një dëshmitar të padukshëm. Motivet e zemrës së fajtorit apo fajtores shqyrtohen nga vetë Perëndia. Çdo veprim, çdo fjalë, çdo mendim, mbahet shënim imtësisht; tërë vëmendja e qiellit është mbi të, sikur të jetonte vetëm një person në tokë. PPAlb 146.3

Jozefi vuajti për shkak të integritetit të vet, sepse gruaja tunduese e Potifarit u hakmorr, duke e akuzuar për një krim imagjinar e duke shkaktuar burgosjen e tij të menjëhershme. Nëse Potifari do ta kishte besuar vërtet akuzën e gruas kundër Jozefit, ky i fundit do ta kishte humbur jetën, pa dyshimin më të vogël; por virtytshmëria dhe thjeshtësia, që kishin karakterizuar vazhdimisht sjelljen e tij, ishin, për Potifarin, prova të pafajësisë së tij. Megjithatë, për të shpëtuar reputacionin e shtëpisë së zotërisë së tij, ai u braktis, u poshtërua e u burgos. PPAlb 146.4

Në fillim, Jozefi u trajtua shumë dhunshëm nga rojet e burgut. Psalmisti thotë: “[Jozefit] i shtrënguan këmbët me pranga dhe ai u rëndua me zinxhirë hekuri. PPAlb 146.5

Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.” - Psalmi 105:18, 19. Por karakteri i vërtetë i Jozefit do të vezullonte edhe në errësirën e qelisë. Ai mbajti besimin dhe bëri durim; vitet e shumta të shërbimit besnik, që kishte kryer, iu shpërblyen si mos më keq, por kjo nuk bëri që ai të dëshpërohej apo të humbiste besimin. Ai kishte, në vetvete, paqen, që vjen nga pafajësia e një njeriu të pastër dhe të ndërgjegjshëm, dhe kështu ia la fatin e jetës Perëndisë. Në vend që t’i vinte keq për veten, ai i harroi vuajtjet e tij dhe u përpoq të lehtësonte vuajtjet e të tjerëve. Ai gjeti punë për të bërë, edhe në burg. Perëndia po e përgatiste Jozefin në shkollën e mundimeve për një dobi shumë më të madhe dhe Jozefi nuk e refuzoi këtë disiplinë, që, në fakt, i nevojitej. Gjatë qëndrimit të tij në burg, duke qenë dëshmitar i pasojave të shtypjes e tiranisë, si dhe ato të krimit, ai mësoi mësime të vyera mbi drejtësinë, simpatinë dhe mëshirën. Këto mësime e përgatitën që, më vonë, të ushtronte pushtetin me mençuri dhe dhembshuri. PPAlb 146.6

Gradualisht, Jozefi fitoi besimin e drejtorit të burgut i cili, më në fund, i besoi dhe e vuri përgjegjës për gjithë të burgosurit e tjerë. (Zanafilla 39:21-23). Ishte pikërisht sjellja e tij në burg—integriteti i jetës së tij të përditshme dhe simpatia e tij për ata, që ishin në hall dhe në vështirësi—ajo që hapi udhën për prosperitetin dhe nderimin e tij në të ardhmen. Çdo rreze drite, që ne lëshojmë mbi të tjerët, reflektohet tek vetja jonë. Çdo fjalë të butë dhe të dhembshur, që u themi të pikëlluarve, çdo veprim, që bëjmë për të çliruar të shtypurit, dhe çdo dhuratë për nevojtarët, nëse bëhet me motivin e duhur dhe jo për interes personal, do të rezultojë në bekime për ne. PPAlb 147.1

Bukëpjekësi dhe kupëmbajtësi i faraonit ishin futur në burg për fyerje dhe u lanë gjithashtu nën kujdestarinë e Jozefit. Një mëngjes, duke vënë re fytyrat e tyre të vrenjtura, ai i pyeti me mirësjellje se si ishte puna. Ata i thanë se kishin parë, secili, nga një ëndërr të jashtëzakonshme, domethënien e së cilës donin ta merrnin vesh patjetër. “A nuk i përkasin vallë interpretimet Perëndisë?”, tha Jozefi, “më tregoni ëndrrat, ju lutem.” - Zanafilla 40:8. Të dy i treguan ëndërrat, që kishin parë, dhe Jozefi u bëri të ditur shpjegimin: pas tre ditësh, kupëmbajtësi do të rikthehej në detyrën që kishte pasur, ndërsa bukëpjekësi do të ekzekutohej me urdhër të mbretit. Në të dyja rastet ndodhi sipas parashikimit. PPAlb 147.2

Kupëmbajtësi i faraonit i kishte shprehur Jozefit mirënjohjen më të thellë, si për interpretimin e gëzueshëm të ëndrrës ashtu edhe për kujdesin e vazhdueshëm, që Jozefi kishte treguar ndaj tij, gjatë kohës në burg. Jozefi, duke iu referuar me fjalë prekëse burgimit të vet të padrejtë, iu lut kupëmbajtësit të ndërhynte tek faraoni që rasti i tij të rishikohej. “Më kujto”, i tha, “kur të gëzohesh nga lajmi i mirë; dhe trego dashamirësi, të lutem, ndaj meje, duke i folur për mua Faraonit, dhe më nxirr nga këto mure; sepse mua më sollën fshehurazi nga vendi i hebrejve, dhe këtu s’kam bërë gjë për t’u futur në këtë burg të nëndheshëm.” (Zanafilla 40:14, 15). Kupëmbajtësi pa që ëndrra u plotësua, deri në detajin më të vogël. Por, pasi kishte fituar lirinë dhe vendin e mëparshëm të punës, kur erdhi puna për t’i kthyer nderin Jozefit, ai nuk e vrau mendjen për të. Kështu, Jozefi ndenji në burg edhe dy vjet të tjera. Shpresa, që i ishte ndezur në zemër, gradualisht u shua dhe, përveç mundimeve të tjera, iu shtua dhe gjembi i mprehtë i mosmirënjohjes nga ana e kupëmbajtësit. PPAlb 147.3

Por ishte një dorë hyjnore ajo, që do të hapte dyert e burgut. Faraoni, mbreti i Egjiptit pa, brenda një nate, dy ëndrra, të cilat tregonin pak a shumë të njëjtën ngjarje dhe, në dukje, simbolizonin një fatkeqësi të madhe, që do të vinte. Faraoni nuk ishte në gjendje të përcaktonte domedhënien e ëndrrave dhe këto të fundit po e mundonin së tepërmi. Magjistarët dhe dijetarët e oborrit nuk ishin në gjendje të jepnin ndonjë interpreting Kjo gjë e shtoi edhe më tepër stresin dhe ankthin e mbretit dhe tmerri u përhap në mbarë pallatin mbretëror. Kjo sjellje nervoze dhe plot tension i kujtoi kupëmbajtësit rrethanat e ëndrrës, që ai vetë kishte parë, para dy vjetësh. Bashkë me këtë, iu kujtua edhe Jozefi dhe u pendua thellësisht ngaqë ishte treguar mosmirënjohës dhe neglizhent ndaj tij. Menjëherë, shkoi tek mbreti dhe i tregoi se si ëndrra e tij dhe ajo e bukëpjekësit ishin interpretuar nga një i burgosur hebre, dhe se parashikimet e tij ishin përmbushur pikë për pikë. PPAlb 147.4

Ishte paksa poshtëruese për faraonin t’u kthente kurrizin magjistarëve dhe dijetarëve të mbretërisë dhe të konsultohej me një të huaj dhe, për më tepër, skllav. Por puna kishte shkuar deri aty sa, për ta çliruar mendjen nga gjithë ai mundim, që e kishte pllakosur, faraoni ishte i gatshëm të pranonte edhe shërbimin më të ulët. Jozefi u thërrit menjëherë që të paraqitej para faraonit; ai hoqi uniformën e burgut dhe u rrojt, sepse mjekra i ishte rritur shumë, gjatë periudhës së burgimit. Pastaj rendi menjëherë, për t’u paraqitur para pranisë së faraonit. PPAlb 148.1

“Dhe Faraoni i tha Jozefit: ‘Kam parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjendje ta interpretojë, por kam dëgjuar për ty se, kur ke dëgjuar një ëndërr, ke qenë në gjendje ta interpretosh’. Jozefi iu përgjegj Faraonit duke i thënë: ‘Nuk është në mua, por Perëndia do të japë një përgjigje që do ta qetësojë Faraonin.’” - Zanafilla 41:15, 16. Përgjigja e Jozefit ndaj faraonit tregon qartë përulësinë dhe besimin e tij tek Perëndia. Ai e mohon me modesti nderin e zotërimit, në vetvete, të një zgjuarsie të madhe. “Nuk është në mua.” Vetëm Perëndia mund t’u japë shpjegim këtyre mistereve. PPAlb 148.2

Pastaj faraoni mori fjalën dhe i tregoi ëndrrat, që kishte parë: “Ja, në ëndrrën time unë rrija në bregun e lumit, kur u ngjitën nga lumi shtatë lopë të majme dhe të hijshme, që nisën të kullosnin ndër xunkthe. Pas tyre u ngjitën shtatë lopë të tjera të dobëta, shumë të shëmtuara dhe kockë e lëkurë; lopë të tilla aq të shëmtuara nuk kisha parë kurrë në gjithë shtetin e Egjiptit. Dhe lopët e dobëta dhe të shëmtuara i hëngrën të shtatë lopët e para të majme; por edhe pasi i hëngrën, asnjeri nuk mund të dallonte që i kishin ngrënë, sepse ato ishin të shëmtuara si më parë. Kështu u zgjova. Dhe pastaj pashë në ëndrrën time shtatë kallinj që dilnin nga një kërcell i vetëm, të plotë dhe të bukur; dhe ja shtatë kallinj të tjerë të fishkur, të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas të parëve. Pastaj shtatë kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e bukur. Këtë gjë ua tregova magjistarëve, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjëndje të më jepte një shpjegim.” (Zanafilla 41:18-24). PPAlb 148.3

“Endrrat e Faraonit janë të njëjta [në përmbajtje]”, tha Jozefi. Perëndia i ka treguar faraonit atë, që ka ndër mend të bëjë. Shtatë lopët e bukura janë shtatë vite dhe shtatë kallinjtë e bukur janë shtatë vite; është e njëjta ëndërr. Edhe shtatë lopët e dobëta dhe të shëmtuara, që ngjiteshin pas atyre, janë shtatë vite; edhe shtatë kallinjtë bosh dhe të tharë nga era lindore janë shtatë vite zije buke. Këto janë ato që i thanë Faraonit: Perëndia i tregoi Faraonit atë që po përgatitet të bëjë. Ja, po vijnë shtatë vite bollëku të madh në tërë vendin e Egjiptit; por pas këtyre do të vinë shtatë vite zije buke dhe gjithë ai bollëk do të harrohet në vendin e Egjiptit; dhe zija do të ligështojë vendin. Dhe në vend nuk do ta kujtojnë më bollëkun e mëparshëm për shkak të zisë së bukës që do të vijë, sepse kjo do të jetë shumë e rëndë’.” (Vargjet 25-31). Përsëritja e ëndrrës theksonte faktin se realizimi dhe përmbushja e saj ishin të sigurt dhe të afërt. “Prandaj faraoni të kërkojë një njeri të zgjuar dhe të urtë dhe ta caktojë në krye të Egjiptit. Faraoni duhet të veprojë kështu: të emërojë në vend mbikqyrës për të mbledhur një të pestën e prodhimeve të vendit të Egjiptit, gjatë shtatë viteve të bollëkut. Ata të grumbullojnë të gjitha ushqimet e këtyre viteve të mbara që po vinë dhe të grumbullojnë grurin nën autoritetin e Faraonit dhe ta ruajnë për furnizimin e qyteteve. Këto ushqime do të jenë një rezervë për vendin në parashikim të shtatë viteve të zisë së bukës që do të bjerë në vendin e Egjiptit; kështu vendi nuk do të humbasë nga zija.” (Vargjet 33-36). PPAlb 148.4

Interpretimi i ëndrrave ishte aq i llogjikshëm dhe rekomandimi për masat, që duhet të merreshin, ishte aq profesional dhe i saktë, saqë korrektësia e fjalëve të Jozefit as që mund të vihej në dyshim. Por kush do të merrte përgjegjësinë për ekzekutimin e këtij plani? Mbijetesa e vetë kombit varej nga zgjedhja e mençur e personit të duhur. Mbreti u shqetësua sërish. Çështja e caktimit të dikujt u mor në konsideratë për ca kohë. Nëpërmjet kupëmbajtësit, faraoni kishte mësuar mbi zgjuarsinë dhe largpamësinë e treguar nga Jozefi, në administrimin e burgut dhe ishte mëse e qartë se ai zotëronte aftësi administrative të shkallës më të lartë. Kupëmbajtësi, i penduar tashmë për mosmirënjohjen që kishte treguar ndaj Jozefit, u përpoq ta shpagonte atë, duke e ngritur me lëvdata përpara mbretit. Për më tepër, pas një interesimi të faraonit, doli se raportimi i kupëmbajtësit ishte i saktë. Në mbarë mbretërinë, Jozefi ishte i vetmi burrë me dhuntinë për të drejtuar me mençuri në këtë situatë, për të përcaktuar rrezikun, që kërcënonte tërë kombin, dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për ta parandaluar rrezikun. Mbreti u bind se Jozefi ishte njeriu me aftësinë më të madhe për të vënë në zbatim planet, që i kishte propozuar ai vetë. Ishte shumë e qartë se një fuqi hyjnore ishte me Jozefin dhe se nuk gjendej qoftë edhe një zyrtar mbretëror, që të ishte në gjendje apo i kualifikuar të ndërmerrte këtë drejtim politiko-ekonomik, në dobi të kombit, gjatë kësaj situate urgjente. Fakti se ishte hebre dhe skllav u la në harresë, kur u pa qartë se zotëronte një zgjuarsi të dukshme dhe se gjykonte me një pjekuri të paparë. “A mund të gjejmë një njeri si ky, tek i cili të gjendet Fryma e Perëndisë?”, u tha faraoni këshilltarëve të tij. (Vargu 38). PPAlb 149.1

Vendimi u mor dhe Jozefi shtangu nga lajmërimi, që iu bë: “Meqënëse Perëndia të bëri të dish të gjitha këto gjëra, nuk ka asnjeri të zgjuar dhe të ditur sa ti. Ti do të jesh mbi shtëpinë time dhe i tërë populli im do t’u bindet urdhërave të tua; vetëm për fronin unë do të jem më i madh se ti.” (Vargjet 39,40). Pastaj mbreti vazhdoi me proçedurën e dhënies të simbolit shtetëror Jozefit, që i jepte këtij të fundit pushtet si kryeministër. “Faraoni hoqi unazën nga dora e vet dhe ia vuri në dorë Jozefit; e veshi me rroba krejt prej liri dhe i vari në qafë një gjerdan të artë. E hipi pastaj në karron e tij të dytë, dhe para tij thërrisnin: ‘Në gjunjë!’ (Vargjet 41-43). PPAlb 149.2

“[Mbreti] e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij, për t’i lidhur princat e tij sipas dëshirës; dhe për t’u mësuar senatorëve të tij diturinë”. Psalmi 105:21, 22. Nga qelia e burgut, Jozefi u ngrit në pozitën e sunduesit (apo kryeministrit), mbi mbarë tokën e Egjiptit. Ishte një pozitë shumë e nderuar, por, nga ana tjetër, plot vështirësi e rreziqe. Askush nuk mund të qëndrojë në një pozitë kaq të lartë pa patur rrezikuar. Ashtu si tufani lë të padëmtuar lulen e vockël të luginës ndërsa shkul nga rrënjët pemët kryelarta, nga majat e maleve, ashtu edhe ata, që e kanë ruajtur integritetin duke bërë një jetesë të përulur, mund të zvarriten drejt humnerës nga tundimet, që sulmojnë suksesin dhe nderimin material. Por karakteri i Jozefit i përballoi me sukses provat, që iu vunë përpara, përfshirë vështirësitë, nga njëra anë, dhe fama e pasuria, nga ana tjetër. Ai tregoi të njëjtën besnikëri ndaj Perëndisë, si në qelinë e errët të burgut, ashtu edhe në pallatin e ndritshëm të faraonëve. Gjithsesi, ai mbeti një i huaj, në një vend pagan, i ndarë nga të afërmit e tij, adhuruesit e Perëndisë në tokë. Por, nga ana tjetër, Jozefi ishte plotësisht i bindur se dora hyjnore kishte drejtuar çdo hap të tijin. Duke u mbështetur vazhdimisht tek Perëndia, ai zbatoi me devotshmëri detyrat, që i kërkoheshin nga pozita e tij e lartë. Nëpërmjet Jozefit, vëmendja e mbretit dhe e njerëzve të mëdhenj të Egjiptit u drejtua për nga Perëndia i vërtetë dhe, ndonëse ata nuk hoqën dorë nga idhujtaria, ata u detyruan të respektonin parimet e shfaqura në jetën dhe karakterin e Jozefit, këtij adhuruesi të Jahve-it, Perëndisë së vërtetë. PPAlb 149.3

Por, si qe në gjendje Jozefi të zhvillonte një karakter kaq burrëror? Si arriti të ketë veti të tilla si virtytshmëria dhe urtësia? Që në moshë të re, ai kishte preferuar punën në vend të favoritizmit dhe, kështu, integriteti, besimi i thjeshtë dhe natyra e fisme e Jozefit si i ri dhanë frutet e tyre tek veprat e tij si burrë. Një jetë e pastër dhe e thjeshtë kishte ndihmuar zhvillimin vigoroz të fuqive të tij fizike dhe intelektuale. Kuvendimi me Perëndinë, nëpërmjet veprave të Tij, dhe mbajtja parasysh e të vërtetave madhështore, që u ishin mirëbesuar trashëgimtarëve të besimit, e kishte ngritur dhe fisnikëruar natyrën shpirtërore të Jozefit, duke e zgjeruar dhe forcuar mendjen në një nivel të tillë, që nuk mund të arrrihej nga asnjë lloj arsimimi njerëzor. Vëmendja e pandërprerë për detyrën, në çdo situatë dhe vend pune, nga më i ulti deri tek më i nderuari, e kishte stërvitur Jozefin deri në atë pikë sa të tëra fuqitë e tij, fizike dhe mendore, punonin me kapacitet të plotë. Ai person, që jeton në përputhje me vullnetin e Perëndisë, Krijuesit të gjithçkaje, siguron, për vete, zhvillimin më të vërtetë e më fisnik të karakterit. “Të kesh frikë nga Zoti, kjo është dituri, dhe t’i largohesh së keqes është zgjuarsi.” - Jobi 28:28. PPAlb 150.1

Të paktë janë ata, që kuptojnë rëndësinë e ndikimit të gjërave, në dukje të parëndësishme, në jetë, tek zhvillimi i karakterit. Asgjë, me të cilën kemi të bëjmë, nuk është në të vërtetë “e vogël”. Rrethanat e ndryshme, që ndeshim përditë, synojnë të vënë në provë besnikërinë tonë dhe të na aftësojnë që të na mirëbesohen përgjegjësi më të mëdha. Duke u qëndruar besnikë parimeve, në ecejaket e jetës së përditshme, mendja mësohet që të vendosë si prioritete kërkesat e detyrës dhe jo ato të qejfit apo më të lehtat. Mendjet, që disiplinohen në këtë mënyrë, nuk lëkunden midis të drejtës dhe të gabuarës, si kallamishtja, që dridhet nga era; ata i qëndrojnë besnikë detyrës, sepse janë vetëstërvitur me zakonet e besnikërisë dhe së vërtetës. Duke u treguar besnikë në gjërat e vogla, ata mbledhin forca për të qenë besnikë në gjërat e mëdha. PPAlb 150.2

Një karakter i virtytshëm ka vlerë më të madhe sesa ari i Ofirit. 10 Pa të, askush nuk mund të lartësohet në një pozitë të nderuar. Por karakteri nuk trashëgohet. Ai nuk mund të blihet. Shkëlqimi moral dhe cilësitë e dëshirueshme mendore nuk janë frut i rastësisë. Dhuratat më të çmuara nuk kanë asnjë vlerë, në qoftë se nuk përmirësohen. Formimi i një karakteri fisnik është një proçes, që zgjat gjithë jetën, dhe është fruti i dëshiruar i përpjekjeve të atyre, që janë punëtorë dhe këmbëngulës. Perëndia siguron mundësitë; suksesi varet nga përdorimi që u bëhet atyre. PPAlb 151.1