PATRIARKË DHE PROFETË

17/74

17—“LARGIMI DHE MËRGIMI I JAKOBIT”

*****

I kërcënuar me vdekje prej Esaut, të tërbuar nga zemërimi, Jakobi u largua nga shtëpia e të atit si një tradhtar; gjithsesi, ai kishte me vete bekimin e të atit. Isaku ia kishte ripërsëritur premtimin e besëlidhjes dhe i kishte kërkuar, si trashëgimtar i tij, të kërkonte një vajzë për grua nga familja e nënës së tij në Mesopotami. Megjithatë, Jakobi e nisi udhëtimin e tij vetmitar me një brengë të madhe në zemër. Vetëm, me një shkop në dorë, atij i duhej të udhëtonte qindra kilometra, nëpërmjet një vendi, që banohej nga fise të egra dhe plaçkitëse. Duke patur turp dhe ndrojtje, ai u përpoq t’u shmangej njerëzve, me qëllim që të mos gjurmohej nga vëllai i vet i inatosur. Jakobi kishte frikë se e kishte humbur përgjithmonë bekimin, që Perëndia kishte taksur për t’ia dhënë atij. Ndërsa, nga ana tjetër, Satani iu afrua pranë për ta munduar me tundime të ndryshme. 5 PPAlb 123.1

Mbrëmja e ditës së dytë të shtegtimit e gjeti Jakobin mjaft larg çadrave të të atit. Ai ndihej si një i huaj dhe, për më tepër, e dinte fare mirë se, gjithë kjo situatë e keqe, kishte ardhur si pasojë e veprimeve të tij të gabuara. Errësira e dëshpërimit sikur ia ngushtonte fytin dhe ai mezi guxoi të lutej. Por, ai ishte aq i vetmuar, sa nuk e kishte ndier kurrë më shumë nevojën për mbrojtje, nga ana e Perëndisë, se sa në këto çaste. Me vajtim dhe përulje të thellë, ai rrëfeu mëkatin, që kishte kryer, dhe kërkoi një shenjë nga ana e Zotit, që ky i fundit nuk e kishte braktisur. Zemra e tij, e ngarkuar, nuk po çlirohej. Ai kishte humbur tërë besimin tek vetvetja dhe druante shumë se Perëndia e etërve të tij e kishte përjashtuar nga planet e Tij. PPAlb 123.2

Por Perëndia nuk e harroi Jakobin. Mëshira e Tij u ofrua edhe për shërbëtorin e tij fajtor dhe mosbesues. Zoti, me dhembshurinë e Tij shfaqi atë, për të cilin Jakobi kishte nevojë më shumë, një Shpëtimtar. Ai kishte bërë faj, por zemra e tij u mbush plot me mirënjohje, kur pa të shfaqej një rrugë, me anë të së cilës mund të rikthehej tek hiri i Perëndisë. PPAlb 123.3

I lodhur nga udhëtimi, shtegtari fillikat u shtri mbi tokë dhe vuri një gur si jastëk. Ndërsa e zuri gjumi, ai pa në një vegim një shkallë të ndritshme, që ndriçonte fort, e cila ishte e mbështetur mbi tokë, ndërsa maja e saj prekte qiellin. Në këtë shkallë, engjëj hipnin e zbrisnin; mbi të ishte Zoti i lavdishëm dhe nga qielli u dëgjua zëri i Tij: “Unë jam Zoti, Perëndia i Abrahamit, babait tënd dhe Perëndia e Isakut; tokën mbi të cilën je shtrirë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu.” - Zanafilla 28:13. Ky premtim u shoqërua me sigurinë që “tërë familjet e tokës do të bekohen nëpërmjet teje dhe pasardhësve të tu”. Vargu 14. Ky premtim i ishte bërë në fillim Abrahamit, pastaj Isakut dhe tani iu përsërit Jakobit. Pastaj, duke marrë parasysh vetminë dhe ankthin, që kishte, Zoti foli disa fjalë ngushëlluese dhe inkurajuese: “Shiko, Unë jam me ty dhe do të të mbroj kudo që të vesh, do të të sjell përsëri në këtë vend, sepse nuk do të të braktis para se të bëj atë, për të cilën të kam folur.”- Zanafilla 28:15. PPAlb 123.4

Zoti i dinte kushtet e këqija, që do ta rrethonin Jakobin, si dhe rreziqet, që do të haste. Me mëshirën e Tij, Zoti shfaqi të ardhmen përpara shtegtarit të penduar, me qëllim që ai ta kuptonte planin hyjnor në lidhje me të. Gjithashtu, atij i nevojitej përgatitje që të përballonte tundimet, që, me siguri do të vinin, ndërsa ishte vetëm dhe i rrethuar nga njerëz idhujtarë e dinakë. Standarti, që Jakobi duhet të synonte të arrinte ishte i lartë dhe njohuria, se plani i Perëndisë ishte gati për t’u përmbushur nëpërmjet tij, do ta nxiste atë të tregonte besnikëri të vazhdueshme. PPAlb 124.1

Në këtë vegim, plani i shpëtimit të njerëzimit nuk iu shfaq plotësisht Jakobit, por vetëm ato pjesë, që ishin të rëndësishme për të, në atë moment. Shkalla mistike, që iu shfaq në ëndërr, është e njëjta, së cilës i referohet vetë Krishti në bisedën e Tij me Nathanailin. Ai tha, “ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut.” - Gjoni 1:51. PPAlb 124.2

Deri në kohën, kur njeriu rebeloi ndaj autoritetit hyjnor, komunikimi apo kuvendimi ndërmjet Perëndisë dhe njeriut kishte qenë i drejtpërdrejtë dhe i lirshëm. Por mëkati i Adamit dhe Evës e ndau tokën nga qielli dhe, si pasojë, njeriu nuk mund të gëzonte më kontakt të hapur me Krijuesin e vet. Megjithatë, bota nuk u la në mëshirë të fatit. Shkalla, në këtë vegim, përfaqëson Jezusin, ndërmjetësin e caktuar për të risjellë komunikimin. Me anë të sakrificës së tij në kryq, Jezus Krishti ndërtoi një urë mbi humnerën e thellë, që ndante njerëzimin nga Perëndia. Po të mos e kishte arritur këtë gjë, engjëjt, në ndihmë të njerëzimit, nuk do të mund të komunikonin dot me njerëzit e rënë në mëkat. Krishti e lidh njeriun, në pozitën e tij të dobët e të pashpresë, me burimin e fuqisë së pashtershme hyjnore. PPAlb 124.3

E gjithë kjo iu shfaq Jakobit në ëndërr. Edhe pse mendja e tij, për momentin, kuptoi vetëm një pjesë të zbulesës, të vërtetat e mëdha dhe të mistershme të ëndrrës do të ishin objekt studimi, për gjithë jetën e tij. Në këtë mënyrë, botëkuptimi i tij bëhej gjithnjë e më i gjërë. PPAlb 124.4

Jakobi u zgjua nga gjumi, në qetësinë e thellë të natës. Paraqitjet vezulluese të vegimit, që kishte patur, ishin zhdukur. Nuk shikonte më asgjë përveç konturit të zbehtë të kodrave të vetmuara dhe, sipër tyre, qiellin e mbushur me yje. Por kishte në vetvete një ndjenjë se Perëndia ishte me të. Një prani e padukshme zëvendësonte ndjenjën e vetmisë. “Me siguri Zoti është në këtë vend”, tha Jakobi, “dhe unë nuk e dija... Kjo nuk është asgjë tjetër, veçse shtëpia e Perëndisë dhe kjo është porta e qiellit!” - Zanafilla 28:16, 17b. PPAlb 124.5

“Kështu, Jakobi u ngrit herët në mëngjes, mori gurin që kishte vënë nën kokë për jastëk, e ngriti si një përmendore dhe derdhi vaj mbi majën e saj.” - Vargu 18. Në përputhje me zakonet e përkujtimit të ngjarjeve të rëndësishme, Jakobi ngriti një përkujtimore, kushtuar mëshirës së Perëndisë, me qëllim që, sa herë t’i binte rruga këtu, ai të ndalonte dhe të adhuronte Zotin. Ai e quajti atë vend Bethel, që do të thotë “shtëpia e Perëndisë”. Me një mirënjohje të thellë, Jakobi përsëriti premtimin se prania e Perëndisë do të ishte me të, pastaj bëri një betim solemn: “Në qoftë se Perëndia do të jetë me mua dhe do të më mbrojë gjatë këtij udhëtimi, që jam duke bërë, në qoftë se do të më japë bukë për të ngrënë dhe rroba për t’u mbuluar e të kthehem në shtëpinë e babait tim në paqe, atëherë Zoti do të jetë Perëndia im; ky gur që kam ngritur si përmendore, do të jetë shtëpia e Perëndisë dhe nga të gjitha ato, që do të më japësh, unë do të të jap të dhjetën.” - Vargjet 20-22. PPAlb 124.6

Me këtë betim, Jakobi nuk po përpiqej të bënte një kontratë me Perëndinë. Zoti ia kishte premtuar begatinë që më përpara, kështu që ky betim ishte një ndjenjë e fortë mirënjohjeje, që buronte nga zemra, për sigurinë e dashurisë e mëshirës nga ana e Perëndisë. Jakobi ndjeu se Perëndia kishte disa kërkesa ndaj tij, të cilat duhet t’i pranonte, meqë dhuratat e posaçme të hirit hyjnor, që iu dhanë, e bënin borxhli. Në të njëjtën mënyrë, çdo bekim, që jepet për ne, kërkon një përgjigje tonën, ndaj Autorit të mirësisë e mëshirës. Besimtarët e krishterë duhet të analizojnë herë pas here të shkuarën e tyre dhe të kujtojnë me mirënjohje të gjitha bekimet e çmuara, që Perëndia ka dhënë për ta, atëherë kur iu gjend pranë në një situatë të vështirë, atëherë kur bëri një rrugë për ta, kur gjithçka dukej e errët dhe pa perspektivë, atëherë kur u dha forcë të vazhdonin, kur ata nuk rrinin dot në këmbë. Të krishterët duhet t’i njohin të gjitha këto si fakte, që flasin për përkujdesjen e engjëjve qiellorë. Duke marrë parasysh të gjitha këto bekime të panumërta, besimtarët duhet t’i bëjnë gjithnjë një pyetje vetes, me zemër të përuluar e mirënjohëse: “Çfarë do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave, që më ka bërë?” - Psalmi 116:12. PPAlb 125.1

Kohën tonë, dhuntitë tona, zotërimet tona duhet t’ia përkushtojmë shenjtërisht Atij, që na i ka dhënë të gjitha këto bekime me mirëbesim. Sa herë që Perëndia na shpëton nga një situatë e vështirë, ose sa herë që Ai na bën favore, që nuk i prisnim kurrë, ne duhet të pranojmë botërisht mirësinë e Perëndisë, jo vetëm duke shprehur mirënjohjen tonë me fjalë, por, ashtu si Jakobi, duhet ta bëjmë këtë duke bërë dhurata e oferta për çështjen e Tij. Ashtu, si marrim vazhdimisht bekimet e Perëndisë, në të njëjtën mënyrë, duhet të japim vazhdimisht. PPAlb 125.2

“Nga të gjitha ato, që do të më japësh”, tha Jakobi, “unë do të të jap të dhjetën.” Po ne të tjerët, që gëzojmë dritën dhe privilegjet e plota, që vijnë nga ungjilli, a duhet të jemi të kënaqur, kur i japim më pak Perëndisë, sesa i jepej Atij nga ata, që jetuan kohë më parë e në situata aspak të favorshme e të privilegjuara? Absolutisht jo, sepse bekimet, që gëzojmë, janë më të mëdha dhe detyrimet tona rriten përpjesmërisht. Por sa pak llogaritim; sa e kotë përpjekja për të matur me rregulla matematike kohën, paratë dhe dashurinë, përkundrejt një dashurie hyjnore, që është aq ekstravagante, dhe një dhurate të Zotit, që ka një vlerë të pallogaritshme dhe të pakonceptueshme. Të dhjetat për Krishtin! Oh, çfarë qindarkash të pakta, çfarë kompensim i turpshëm, për atë sakrificë, që kushtoi aq shumë! Nga kryqi i Kalvarit, Krishti na bën thirrje për devotshmëri pa rezerva ndaj Tij. Gjithçka kemi, gjithçka jemi, duhet t’i përkushtohet Perëndisë. PPAlb 125.3

Me një besim të ri dhe të qëndrueshëm në premtimet hyjnore dhe i sigurt për praninë dhe përkujdesjen e engjëjve qiellorë, Jakobi vazhdoi shtegtimin drejt “vendit të fëmijëve të Lindjes”. - Zanafilla 29:1. Por, sa e ndryshme ishte mbërritja e tij nga ajo e Eliezerit, shërbëtorit të Abrahamit, para gati njëqind vjetësh! Shërbëtori kishte ardhur me një karvan të tërë ndihmësish, hipur mbi deve, të mbushura me dhurata të shtrenjta, ar e argjënd, ndërsa trashëgimtari vinte si një shtegtar fillikat, më këmbë, me asgjë, përveç shkopit, që mbante me vete. Ashtu si shërbëtori i Abrahamit, edhe Jakobi ndali pranë një pusi; pikërisht këtu ai takoi Rakelën, të bijën më të re të Labanit. Kësaj radhe, ishte Jakobi ai, që ofroi të shërbente, duke rrotulluar gurin e pusit dhe duke freskuar tufat me gjë të gjallë. Duke bërë të ditur se kush ishte e nga vinte, atij iu ofrua mirëseardhja në shtëpinë e Labanit. Edhe pse erdhi duarbosh dhe i pashoqëruar, disa javë pune treguan vlerën e zellit dhe mjeshtërisë së tij dhe, si rezultat, iu kërkua të rrinte. U ra dakord që ai duhet t’i shërbente Labanit për shtatë vjet, për dorën e Rakelës. PPAlb 125.4

Në kohërat e hershme, zakoni kërkonte që dhëndrri, përpara kryerjes së fejesës, duhet t’i paguante babait të nuses, (vjehrrit të ardhshëm), nje pajë: një shumë parash ose të njëjtën vlerë në prona të tjera, në varësi të rrethanave, që gjendej. Kjo konsiderohej si një masë sigurie për marrëdhënien martesore. Baballarët nuk kishin siguri t’u mirëbesonin lumturinë e bijave të tyre atyre burrave, që nuk kishin marrë masa për funksionimin dhe mbajtjen e një familjeje të re. Në qoftë se ata nuk do të ishin nikoqirë të mirë, apo nuk kishin aftësi për të menaxhuar punërat e ndryshme, apo për të blerë bagëti ose prona, druhej se do të bënin një jetë dembeli dhe paraziti. Por, nga ana tjetër, ishte menduar dhe rasti kur dhëndrri, për momentin, nuk kishte asgjë për të paguar për pajën. Prova ishte e tillë: dhëndrri lejohej të punonte për babain e vajzës, që donte; periudha, se sa kohë duhet të punonte, varej nga vlera e pajës, që kërkohej. Kur dhëndrri e përfundonte me sukses shërbimin e tij dhe tregohej i denjë edhe në aspekte të tjera, merrte vajzën për nuse; në përgjithësi, paja, që kishte marrë vjehrri, i jepej së bijës me rastin e dasmës. Megjithatë, si në rastin e Leas ashtu edhe Rakelës, Labani dahmaqar i mbajti për vete pajat, që duhet t’ua jepte të bijave; ato nuk ia lanë pa përmendur këtë, përpara se të largoheshin nga Mesopotamia, “na ka shitur dhe, veç kësaj, ka ngrënë edhe paratë tona”. - Zanafilla 31:15. PPAlb 126.1

Ky zakon i lashtë sillte rezultate të mira edhe pse, në disa raste, abuzohej, siç bëri Labani. Kur dhëndrrit i kërkohej të vihej në shërbim, për të siguruar dorën e nuses, kjo parandalonte një martesë të nxituar. Gjithashtu, kjo periudhë shërbente edhe si një mundësi për të provuar thellësinë e ndjenjave, që ai kishte, si dhe aftësinë, që duhet të kishte, për të mbajtur familjen me bukë. Në kohërat, që jetojmë, pasoja të shumta negative vijnë, kur ndërmerret një rrugë e kundërt. Ndodh shpesh që të rinjtë, përpara martesës, kanë shumë pak kohë në dispozicion të njihen me zakonet, huqet dhe sjelljen e njëri-tjetrit. Gjithashtu, përsa i përket jetës normale të përditshme, ata janë si të huaj për njëri-tjetrin, kur vendosin të lidhin besën për martesë në altar. Shumë çifte, vënë re (tepër vonë) se ata nuk përputhen me njëri-tjetrin për martesë dhe, për fat të keq, rezultati kryesor i lidhjes së tyre është vuajtja tërë jetën. Ndodh shpesh që gruaja dhe fëmijët vuajnë nga dembelizmi, parazitizmi e veset e tjera të këqija të burrit dhe babait. Kështu, vënia në provë e karakterit të dhëndrrit, sipas zakoni të lashtë, do të parandalonte vuajtjen dhe mungesën e lumturisë për nusen dhe fëmijët e saj të ardhshëm. PPAlb 126.2

Jakobi kreu shtatë vjet shërbim të devotshëm për Rakelën dhe vitet, që shërbeu “iu dukën pak ditë, sepse kishte shumë dashuri për të”. - Zanafilla 29:20. Por Labani, vjehrri i tij i pangopur, lakmitar dhe egoist, duke dashur të mbante një ndihmës kaq të vyer, kreu një mashtrim të fëlliqur, duke zëvendësuar Lean për Rakelën. Fakti se vetë Lea ishte pjesëmarrëse në këtë mashtrim e bëri Jakobin të ndiente se nuk mund ta donte. Qortimit të tij, plot indinjatë, ndaj Labanit iu kundërpërgjigj oferta për të punuar edhe shtatë vjet të tjera për Rakelën. Por Labani këmbënguli se Lea nuk mund të lihej mënjanë, sepse kjo do të sillte turp për familjen. Kështu, Jakobi e gjeti veten para një pozite shumë të vështirë e të dhimbshme. Më në fund, ai vendosi ta mbante Lean dhe të punonte edhe shtatë vjet të tjera, që të martohej me Rakelën. Rakela ishte, në të vërtetë, e vetmja grua, që ai donte, por pranimi i Leas shkaktoi lakmi dhe xhelozi. Kështu, jeta e patriarkut Jakob u helmua nga rivaliteti ndërmjet dy grave të tij motra. PPAlb 126.3

Për njëzet vjet, Jakobi mbeti në Mesopotami, duke punuar në shërbim te Labanit. Ky i fundit, edhe pse kishte lidhje të afërta farefisnore me Jakobin, u tregua aq harbut, sa shfrytëzoi, në maksimum, përfitimet, që i vinin nga kjo krushqi. Katërmbëdhjetë vjet punë krahu kishte kërkuar për dy vajzat dhe, gjatë periudhës, që kishte mbetur, Jakobit iu ndryshua rroga dhjetë herë. Megjithatë, Jakobi shërbeu me korrektësi dhe besnikëri. Fjalët e tij të fundit, që i tha Labanit, tregojnë shumë qartë devotshmërinë e palodhur, që ai kishte treguar ndaj vjehrrit të tij koprac. “Kam qenë njëzet vjet me ty; delet dhe dhitë e tua nuk kanë dështuar dhe unë nuk kam ngrënë asnjë nga deshtë e kopesë sate. Unë nuk t’i kam sjellë kurrë kafshët të shqyera nga bishat; dëmin e kam pësuar vetë; ti kërkoje me ngulm nga unë atë, që ishte vjedhur ditën apo vjedhur natën. Ky ishte fati im: ditën më digjte vapa dhe natën të ftohtit e madh dhe gjumi më ikte nga sytë.”- Zanafilla 31:38-40. PPAlb 127.1

Ishte e domosdoshme për bariun të ruante bagëtitë ditë e natë. Ato rrezikoheshin nga hajdutët, si dhe nga kafshët e egra, të cilat gjendeshin me shumicë, dhe ishin mjaft të rrezikshme; ato shpesh shkaktonin dëme të konsiderueshme nëpër ato tufa, që nuk ruheshin me besnikëri. Jakobi kishte shumë ndihmës me vete, ndërsa përkujdesej për kullotat e shumta të Labanit, por përgjegjës për gjithçka, që ndodhte, mbahej vetëm ai. Gjatë disa periudhave të caktuara gjatë vitit, atij i duhej të qëndronte gjatë gjithë kohës pranë bagëtive, t’i ruante nga etja, gjatë kohës së nxehtë, dhe nga të ftohtit e madh të mbrëmjes, gjatë muajve më të ftohtë të vitit. Jakobi ishte kryebariu, ndërsa ndihmësit, që kishte nën urdhra, ishin nënbarinjtë. Nëse ndonjë dele mungonte, humbjen e pësonte kryebariu, kështu Jakobi u kërkonte llogari të rreptë ndihmësve, që u kishte lënë në dorëzim bagëtitë. PPAlb 127.2

Jeta e bariut, plot devotshmëri e përkujdesje, si dhe dhembshuria e tij e madhe për krijesat e pafajshme, që i janë dhënë në dorëzim, janë përdorur nga shkrimtarët e frymëzuar për të ilustruar disa nga të vërtetat më të vyera të ungjillit, lajmit të mirë për Jezu Krishtin. Krishti, në marrëdhënien me popullin e Tij, krahasohet me një barí. Pas rënies në mëkat, Ai pa që delet e Tij kishin marrë rrugën drejt shkatërrimit përfundimtar, ndërsa kanoseshin nga rrugët e errëta të mëkatit. Për të shpëtuar këto krijesa të pashpresa, Ai la nderet dhe lavditë e shtëpisë së Atit të Tij. Ai thotë, “Unë do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën, do t’i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën... Unë do të shpëtoj delet e mia dhe ato nuk do të bëhen më pré..., as do t’i hanë më bishat e fushës, por do të qëndrojnë të sigurta dhe askush nuk ka për t’i trembur.” - Ezekieli 34:16a, 22a, 28b. Zëri i tij dëgjohet, kur i thërret të vijnë në tufën e Tij: “Dhe do të ketë një çadër, që do të shërbejë për të bërë hije kundër të nxehtit të ditës, si dhe për të shërbyer si strehë dhe mbrojtje kundër furtunës dhe shiut.”- Isaia 4:6. Kujdesi i tij për tufën nuk rresht kurrë. Ai forcon të dobëtit, shëron të vuajturit, merr qengjat në krahë dhe i mban ata në prehër. Delet e Tij e duan fort. “Nuk kanë për të ndjekur asnjë të huaj, por do të largohen prej tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve.” -Gjoni 10:5. PPAlb 127.3

Krishti thotë, “Unë jam bariu i mirë, bariu i mirë jep jetën e vet për delet. Kurse rrogëtari, që nuk është bari, kur delet nuk janë të vetat dhe sheh ujkun, që po vjen, i braktis delet dhe ikën; ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet. Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t’ia dijë për delet. Unë jam bariu i mirë, i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.” - Gjoni 10:11-14. PPAlb 128.1

Krishti, Kryebariu, ia ka mirëbesuar përkujdesjen ndaj tufës së Tij pastorëve të Tij si nënbarinj; ai u kërkon atyre të tregojnë të njëjtin interes që tregoi Ai vetë, si dhe të ndiejnë përgjegjësinë e shenjtë të detyrës, që u ka caktuar me mirëbesim. Ai i ka urdhëruar ata, në mënyrë solemne, që të qëndrojnë besnikë, të ushqejnë tufën, t’u japin forcë të dobtëve, të rigjallërojnë të vobektët dhe t’i mbrojnë ata nga ujqërit grabitqarë. PPAlb 128.2

Krishti dha jetën e Vet për të shpëtuar delet e Tij dhe ai u tregon barinjve të Tij dashurinë e treguar nga Ai vetë, që ata ta marrin si shembull. Por “rrogëtari, që nuk është bari, delet [e të cilit] nuk janë të vetat”, nuk e vret mendjen fare për tufën. Ai punon thjesht për përfitim personal dhe kujdeset vetëm për vete. Ai llogarit fitimin e vet, ne vend që t’i përkushtohet detyrës që ka dhe, në kohë trazire apo rreziku, ai do t’ia mbathë dhe do ta braktisë tufën. PPAlb 128.3

Apostulli Pjetër u bën thirrje nënbarinjve (pastorëve): “Ruani tufën e Perëndisë, që është midis jush, duke e mbikqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnetin e duhur dhe jo si zotërues mbi ata, që janë trashëgimia e Perëndisë, por duke u bërë shembull për tufën.” - 1 Pjetrit 5:2, 3. Pali thotë: “Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë kujdestarë, që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën Ai e ka fituar me gjakun e Tij. Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën.”- Veprat e Apostujve 20:28, 29. PPAlb 128.4

Të gjithë ata, që e konsiderojnë detyrë të bezdisshme, qortohen nga fjalët e apostullit: “Ruani tufën e Perëndisë, që është midis jush, duke e mbikqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnetin e duhur.” -1 Pjetrit 5:2. Shërbëtorë të tillë jobesnikë do të liroheshin nga detyra prej Kryebariut. Kisha e Krishtit është fituar apo blerë me gjakun e Tij dhe çdo bari duhet të kuptojë se delet, që ka nën kujdestari, kanë kushtuar një sakrificë të pallogaritshme. Ai duhet t’i konsiderojë ato të gjitha si të një vlere të paçmuar dhe duhet të tregohet i palodhur, në përpjekjet e tij për t’i mbajtur sa më të shëndetshme. Bariu, që është i mbushur me frymën e Krishtit, do të imitojë shembullin e Tij vetëmohues, duke punuar vazhdimisht për mirëqënien e atyre, që ka nën përgjegjësi; kështu, tufa do të rritet nën kujdesin e tij. PPAlb 129.1

Të gjithë do të thirren për të dhënë një llogari të hollësishme të veprimtarisë së tyre ungjillore. Zotëria do të kërkojë nga çdo bari: “Ku është kopeja që t’u dha ty, kopeja jote e mrekullueshme?” - Jeremia 13:20. Ai që do të konfirmohet si besnik, do të marrë një shpërblim të madh. “Kur të shfaqet Kryebariu”, thotë apostulli, “do të merrni kurorën e lavdisë, që nuk fishket.” - 1 Pjetrit 5:4. PPAlb 129.2

I mërzitur nga shërbimi i stërzgjatur dhe i padrejtë, që po i bënte Labanit, Jakobi i transmetoi vendimin se do të kthehej në Kanaan. Ai i tha vjehrrit, “Më lejo të iki, që të shkoj në shtëpinë time, në vendin tim. Më jep gratë e mia dhe bijtë e mi, për të cilët të kam shërbyer dhe lermë të iki, mbasi ti e njeh mirë shërbimin, që të kam bërë.” Por Labani, duke u përpjekur të mbante, i tha, “Në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, qëndro, sepse kam mësuar nga përvoja, që Zoti më ka bekuar për shkakun tënd.” - Zanafilla 30:25-27. Labani e dinte mjaft mirë se pasuria e tij po rritej si rrjedhim i punës së dhëndrrit të tij. PPAlb 129.3

Jakobi iu përgjigj: “Ajo që ti kishe para se të vija unë, ishte pak, por tani është rritur shumë dhe Zoti të ka bekuar, kudo që kam qënë unë.” - Zanafilla 30:30. Por me kalimin e kohës, Labani u bë edhe më ziliqar i begatisë më të madhe, që kishte Jakobi, i cili “...u bë shumë i pasur dhe pati një numër të madh kopesh, shërbëtoresh, shërbëtorësh, devesh dhe gomarësh.” - Vargu 43. Edhe djemtë e Labanit ishin po aq xhelozë sa babai i tyre dhe thashethemet e tyre të ndyra ranë në veshët e Jakobit: Ai “mori gjithçka kishte babai ynë dhe me atë, që i përkiste babait tonë, ai krijoi gjithë këtë pasuri. Pastaj Jakobi vuri re edhe fytyrën e Labanit, e cila, ndaj tij, nuk ishte siç kishte qenë më parë.”- Zanafilla 31:1,2. PPAlb 129.4

Po të mos kishte përbrënda frikën e një konfrontimi të mundshëm me të vëllanë, Esaun, Jakobi do të qe larguar nga vjehrri i tij dinak një orë e më parë. Për këtë arsye, kishte duruar kaq shumë vjet. Tani, ndihej i kërcënuar nga djemtë e Labanit, të cilët, duke e konsideruar pasurinë e tij si të tyren, mund të guxonin ta merrnin atë me forcë. Kështu, Jakobi e gjeti veten në një situatë shumë të vështirë, duke mos ditur cilën rrugë të ndiqte. Por, duke kujtuar premtimin hirplotë, të dhënë nga Perëndia në Bethel, ai ia parashtroi situatën, në të cilën ndodhej, Perëndisë, duke kërkuar këshillë prej Tij. Lutja e tij pati përgjigje, me anë të një ëndrre: “Kthehu në vendin e etërve të tu, te fisi yt dhe Unë kam për të qenë me ty.” - Zanafilla 31:3. PPAlb 129.5

Mungesa e përkohshme e Labanit krijoi një mundësi të mirë për t’u larguar. Kopetë dhe tufat u mblodhën me shpejtësi dhe u dërguan për rrugë dhe, së bashku me gratë, fëmijët dhe shërbëtorët, Jakobi kaloi lumin Eufrat, duke vazhduar në drejtim të Gileadit, në kufinjtë e Kanaanit. Pas tri ditësh, Labani u njoftua për largimin e tyre; u përgatit për ta ndjekur dhe mori shpejt rrugën, derisa e arriti karvanin e Jakobit në ditën e shtatë të udhëtimit. Ai ishte tmerrësisht i inatosur dhe e Kishte ndarë mendjen ta detyronte Jakobin të kthehej, me forcë. Ai nuk kishte as dyshimin më të vogël se do të mund ta bënte këtë, meqë grupi, që kishte marrë me vete, ishte shumë më i madh në numër, se grupi i Jakobit. Shtegtarët u gjendën, vërtet, në një situatë të rrezikshme. PPAlb 129.6

Fakti që Labani nuk e realizoi dot dëshirën e tij, shpjegohet me faktin tjetër se Vetë Perëndia ndërhyri për mbrojtjen e shërbëtorit të Tij, Jakobit. “Eshtë në fuqinë e dorës sime që t’ju bëj keq, por Perëndia i atit tënd më foli natën e kaluar, duke thënë: ‘Ruhu, mos t’i flasësh Jakobit as për mirë apo për keq’; me fjalë të tjera, ai nuk duhet ta detyronte atë, me forcë, që të kthehej, apo të përpiqej ta mashtronte me lajka. PPAlb 129.7

Labani e kishte mbajtur për vete pajën e martesës, që u takonte të dyja vajzave të tij. Gjithashtu, ai e kishte trajtuar Jakobin me dinakëri dhe vrazhdësi, por, tashmë, me një hipokrizi karakteristike, ai e qortoi Jakobin që ishte larguar fshehurazi, dhe që nuk i kishte dhënë mundësi atij, si baba, të bënte një gosti me rastin e largimit, apo t’u thoshte lamtumirë bijave të tij dhe fëmijëve të tyre. PPAlb 130.1

Në përgjigjen e tij, Jakobi e denoncoi haptazi dhe si burri-burrit atë praktikë lakmitare dhe egoiste të Labanit dhe i kujtoi besnikërinë dhe ndershmërinë, që kishte treguar ndaj tij. “Po të mos kisha Perëndinë e atit tim, Perëndinë e Abrahamit dhe druajtjen e Isakut ti, me siguri, do të më kishe kthyer duarbosh. Perëndia e pa trishtimin tim dhe mundin e duarve të mia dhe kështu mbrëmë të qortoi rëndë.” - Zanafilla 31:42. PPAlb 130.2

Labani nuk mund t’i mohonte faktet, që iu parashtruan, ndaj e ktheu faqen dhe bëri një propozim, për të shpallur një besëlidhje paqeje. Jakobi e pranoi besëlidhjen dhe, me këtë rast, u mblodh një pirg, apo tog, me gurë, për të përkujtuar marrëveshjen. Këtij togu iu vu emrin Mizpah, “kullë roje”, sepse Labani ndër të tjera tha, “Le të vrojtojë Zoti ndërmjet meje dhe tejë, kur do të jetë e pamundur të takohemi me njëri-tjetrin.” - Vargu 49. PPAlb 130.3

“Pastaj Labani i tha Jakobit, ‘Shiko këtë tog gurësh dhe...këtë përmendore, që kam ngritur ndërmjet meje dhe teje, le të jetë ky tog kjo përmendore një dëshmi, që unë nuk do ta kapërcej këtë tog për të të bërë keq ty dhe as ti nuk do ta kapërcesh për të më bërë keq mua. Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Nahorit, Perëndia i atit të tyre, u bëftë gjykatës midis nesh!’. Dhe Jakobi u betua për druajtjen e atit të tij, Isakut.” - Vargjet 51-53. Për të konfirmuar këtë marrëveshje, të dyja palët shtruan një darkë. Darka kaloi me biseda miqësore. Të nesërmen, me të gdhirë, Labani dhe shoqëruesit e tij u larguan. Me këtë ndarje morën fund, njëherë e përgjithmonë, lidhjet ndërmjet pasardhësve të Abrahamit dhe banorëve të Mesopotamisë, pra ish-farefisit të Abrahamit. PPAlb 130.4