PATRIARKË DHE PROFETË

16/74

16—“JAKOBI DHE ESAU”

*****

Jakobi dhe Esau, dy djemtë binjakë të Isakut, paraqesin një kontrast të theksuar, si në karakter, ashtu edhe në jetë. Kjo mungesë ngjashmërie ishte parathënë nga engjëlli i Zotit, para lindjes së tyre. Duke iu përgjigjur lutjes, plot shqetësim, të Rebekës, engjëlli deklaroi se asaj do t’i jepeshin dy djem. Ai shfaqi përpara saj historinë e tyre të ardhshme: secili do të ishte kreu i një kombi të fuqishëm, por njëri do të ishte më i madh se tjetri dhe ai, që do të lindte i dyti, do të kishte superioritet. 4 PPAlb 118.1

Esau u rrit duke dëshiruar vetëkënaqësinë dhe duke i projektuar të gjithë interesat e tij tek e tashmja. I paduruar dhe i papërmbajtur, ai ngazëllehej në lirinë e egër të gjuetisë dhe, që i ri, zgjodhi jetën e një gjuetari. Megjithatë, ai ishte i preferuari i të atit. Isaku, duke qenë vete një bari i urtë dhe paqedashës, e kishte qejf guximin dhe vrullin e të birit, i cili, sypatrembur, kalonte male dhe shkretëtira, kthehej në shtëpi dhe i sillte të atit kafshë të egra, me histori emocionante të jetës së tij aventureske, që Isaku i kishte shumë për zemër. Nga ana tjetër, Jakobi, ishte i përmbajtur, i zellshëm dhe mirëmbajtës i gjërave. Ai mendonte gjithmonë e më shumë për të ardhmen dhe jo vetëm për të tashmen. Jakobi kënaqej të rrinte pranë shtëpisë, i zënë me mirëmbajtjen e bagëtive dhe aktivitetet bujqësore, nëpër fusha. Këmbëngulja e tij e duruar, kujdesi dhe përmbajtja, që tregonte, vlerësoheshin shumë nga e ëma, Rebeka. Ndjenjat e tij ishin të thella dhe të forta dhe përkujdesjet e tij të ngrohta dhe të pandalshme e bënin nënën shumë më të Iumtur, sesa mirësjellja e rrallë dhe zhurmëmadhe e Esaut. Për Rebekën, Jakobi ishte djali më i dashur. PPAlb 118.2

Premtimet e bëra Abrahamit, dhe që iu rikonfirmuan Isakut, ishin qëllimi kryesor i ëndërrave dhe shpresave të Isakut dhe Rebekës. Këto premtime i ishin bërë të ditura edhe Esaut dhe Jakobit. Ata ishin mësuar ta konsideronin të drejtën e parëbirnisë, (d.m.th. e të parëlindurit mashkull), si një çështje shumë të rëndësishme, sepse, kjo e fundit, përfshinte jo vetëm trashëgimin e pasurisë materiale, por dhe superioritet shpirtëror. Atij, që e merrte këtë të drejtë, i takonte të ishte udhëheqësi shpirtëror i familjes së tij. Për më tepër, në linjën e pasardhjes së tij, do të vinte vetë Shpenguesi i botës. Nga ana tjetër, kishte dhe detyrime të tjera, që kishin të bënin me zotëruesin e së drejtës së parëbirnisë. Ai, që do të trashëgonte bekimet, që vinin nga kjo e drejtë, duhet t’ia përkushtonte jetën shërbimit ndaj Perëndisë. Njësoj si Abrahami, ai duhet PPAlb 118.3

t’u bindej kërkesave hyjnore. Ai duhet të konsultohej me vullnetin e Perëndisë për çështje si martesa, marrëdhëniet familjare dhe jeta publike. PPAlb 118.4

Isaku ua bëri të ditur të dy djemve këto privilegje dhe kushte dhe deklaroi qartë se Esaut, si më të madhit në moshë, i takonte të kishte të drejtën e parëbirnisë. Por, me thënë të drejtën, Esau nuk kishte ndonjë dëshirë aq të madhe për të qenë i devotshëm, ashtu si nuk kishte ndonjë dëshirë të madhe të bënte një jetë fetare. Kriteret, që shoqëronin të drejtën shpirtërore të parëbirnisë, i dukeshin si pengesa dhe kufizime të imponuara. Ligji i Perëndisë, i cili ishte kushti i besëlidhjes hyjnore me Abrahamin, konsiderohej nga Esau si një barrë robëruese. I dhënë pas vetëkënaqësisë, Esau dëshironte, mbi të gjitha, liri të plotë për të bërë atë, që kishte qejf të bënte. Për të, lumturia e vërtetë ishte pushteti dhe pasuritë, festat dhe dëfrimet. Ai rrihte gjoksin duke u mburrur për jetën aventurore, që kalonte, pa i dhënë llogari askujt dhe duke patur liri të shfrenuar. Rebeka kujtonte fjalët e engjëllit. Duhet thënë se ajo i vërente karakteret e dy djemve me më shumë mprehtësi sesa i shoqi. Ishte e bindur se trashëgimia e premtimit hyjnor ishte e taksur për Jakobin. Kështu, ajo ia përsëriti fjalët e engjëllit Isakut, por kënaqësia e babait nuk lëvizte nga djali i madh dhe e bëri të qartë se nuk do ta ndryshonte këtë gjykim. PPAlb 118.5

Jakobi kishte marrë vesh, nga e ëma, për aludimin hyjnor se e drejta e parëbirnisë do t’i takonte atij dhe tek ai ziente një dëshirë e patregueshme për privilegjet, që kjo e drejtë përmbante. Ai nuk lakmonte pronat e pasuritë e të atit, por aspekti shpirtëror i së drejtës së të parëlindurit ishte ajo që dëshironte më shumë se çdo gjë tjetër. Të bisedonte me Perëndinë, siç kishte bërë gjyshi i tij, i virtytshmi Abraham, të ofronte sakrificën e shpengimit për familjen e tij, të ishte paraardhësi i popullit të zgjedhur dhe i Mesisë (Krishtit) së premtuar, si dhe të trashëgonte pasuritë e pavdekshme, që gjendeshin tek premtimet e besëlidhjes, pikërisht tek këto gjëra gjendeshin privilegjet dhe nderet e vërteta, që ndiznin në zemrën e tij dëshirat më të zjarrta. Me mendje, Jakobi shihte drejt të ardhmes, sikur kërkonte të prekte bekimet e saj të padukshme. PPAlb 119.1

Me një dëshirë, të mbajtur fshehur, Jakobi dëgjonte të gjitha detajet, që i ati përmendte në lidhje me aspektin shpirtëror të së drejtës së parëbirnisë. Nga ana tjetër, ai fiksonte me kujdes gjërat, që i kishte mësuar e ëma. Ditë e natë, kjo temë pushtonte mendimet e tij, derisa u kthye në interesin me stimulues në jetën e tij. Por, duke vlerësuar kështu bekimet e përjetshme mbi ato të përkohshme, Jakobi nuk kishte një njohuri të gjallë (me përjetim) të Perëndisë, që respektonte. Zemra e tij nuk ishte e përtërirë nga hiri hyjnor. Ai kishte bindjen se premtimi, në lidhje me të, nuk mund të përmbushej për aq kohë sa Esau mbante ende të drejtat e parëbirnisë. Kështu, Jakobi vriste mendjen papushim, që të gjente një mënyrë, me anë të së cilës të siguronte bekimin, që nënvlerësohej aq shumë nga i vëllai, por që për të ishte gjëja më e çmuar. PPAlb 119.2

Një ditë, kur Esau u kthye i lodhur e i dërrmuar nga gjuetia, kërkoi të hante nga ushqimi, që po gatuante Jakobi. Ky i fundit, që kishte veçse një fiksim në mendje, e shfrytëzoi situatën në favorin e tij. Kështu, ai ofroi të kënaqte oreksin e të vëllait, por kjo do t’i kushtonte Esaut të drejtën e parëbirnisë. “Shiko, unë jam duke vdekur (nga uria)”, thërriti gjuetari i papjekur dhe i cekët, ç’dobi do të më japë mua kjo parëbirnia?” - Zanafilla 25:32. Për një pjatë supe me thjerrëza, ai i dha lamtumirën së drejtës së parëbirnisë dhe e konfirmoi këtë transferim me anë të një betimi. Po të kishte duruar edhe për disa minuta ai, fare mirë, mund të kishte siguruar ushqim nga çadrat e të atit, por, për të plotësuar dëshirën e çastit, ai tregtoi, në mënyrën më të papërgjegjshme, trashëgiminë e lavdishme, që Vetë Perëndia i kishte premtuar babait dhe gjyshit të tij. Interesi i tij ishte plotësisht tek e tashmja. Fatkeqësisht, Esau ishte gati të sakrifikonte qielloren për tokësoren, të shkëmbente një të mirë të së ardhmes për një ngopje barku të çastit. “Kështu Esau e shpërfilli parëbirninë e tij.” - Zanafilla 25:34. Duke e flakur tej atë, ai në fillim sikur u çlirua. Tani nuk kishte më pengesa në jetë, mund të bënte ç’të donte. Shumë të tjerë, në ditët tona, kanë të njëjtin mentalitet të papërgjegjshëm, pra, dëshirën për liri pa frena. Sa keq që e shesin parëbirninë e tyre, e cila u mundëson një trashëgim të pastër e të panjollosur, trashëgimin e përjetshëm në qiell! PPAlb 119.3

Duke qenë gjithnjë i dhënë pas kënaqësive tokësore dhe sipërfaqësore, Esau mori për vete dy gra nga bijat e Hethit. Ato ishin adhuruese të perëndive të rreme dhe, si pasojë, idhujtaria e tyre i shqetësoi së tepërmi Isakun dhe Rebekën. Esau kishte dhunuar një nga kushtet e besëlidhjes, që ndalonte martesat e përziera ndërmjet popullit të zgjedhur dhe paganëve, megjithatë, Isaku ishte ende i palëkundur në këmbënguljen për t’ia kaluar Esaut të drejtën e parëbirnisë. Arsyetimi, nga ana e Rebekës, dëshira e madhe e Jakobit për bekimin si dhe indiferenca e Esaut ndaj detyrimeve, që vinin prej së drejtës, nuk ndikuan aspak në gjykimin e Isakut. PPAlb 120.1

Vitet kaluan dhe Isaku ishte plakur aq shumë, sa kishte humbur shikimin, dhe priste nga çasti në çast të vdiste.Kështu, ai vendosi të mos e vononte më transferimin e bekimit mbi djalin e tij të madh, Esaun. Por, duke ditur kundërshtimin nga ana e Rebekës dhe e Jakobit, ai vendosi ta zhvillonte fshehurazi këtë ceremoni solemne. Në përputhje me zakonin e bërjes së një feste për raste të tilla, patriarku i kërkoi Esaut, “dil nëpër fusha dhe kap për mua kafshë gjahu; pastaj më përgatit një gjellë mishi me erëza nga ai, që më pëlqen dhe sillma, që unë ta ha dhe që të të bekoj para se të vdes.”- Zanafilla 27:3,4. PPAlb 120.2

Rebeka e kuptoi se ç’kishte ndërmend të bënte i shoqi. Ajo ishte e sigurt se kjo ishte në kundërshtim me atë, që kishte shfaqur Perëndia si vullnet të Tijin. Isaku po rrezikonte të provokonte pakënaqësinë hyjnore dhe të pengonte birin e tij më të vogël nga marrja e pozitës, për të cilën ishte thirrur nga vetë Perëndia. Ajo ishte përpjekur të logjikonte me të shoqin, por më kot. Kështu, ajo vendosi ta shfrytëzonte me zgjuarësi situatën, nëpërmjet një plani. PPAlb 120.3

Sapo Esau u largua për të kryer porosinë e të atit, Rebeka vuri në zbatim planin e saj për të arritur atë, që dëshironte. Ajo i tregoi Jakobit se ç’kishte ndodhur, duke ia bërë të qartë se duhet të vepronin urgjentisht, për të parandaluar transferimin e bekimit tek Esau, bekim ky, që do të ishte përfundimtar dhe i pakthyeshëm. Kështu, nëna e siguroi të birin se, po të ndiqte udhëzimet e saj, ai mund ta bënte të tijin bekimin, siç kishte premtuar Perëndia. Jakobi nuk ra dakort menjëherë rreth planit, që propozoi Rebeka. Mendimi, se do të mashtronte të atin, e brengosi thellë. Ai kishte përshtypjen se një mëkat i tillë do të sillte mallkim, në vend të bekimit. Por, shpejt, skrupujt e tij u mundën dhe ai nxitoi të zbatonte sugjerimet e së ëmës. Synimi i tij ishte të thoshte një gënjeshtër të pastër, por, kur u gjend në praninë e të atit, ai kishte shkuar tepër larg për t’u kthyer prapa dhe, me anë të mashtrimit, ai mori atë bekim aq të lakmuar. PPAlb 120.4

Jakobi dhe Rebeka korrën sukses në atë që synonin, por fituan vetëm brenga dhe shqetësime nga mashtrimi, që kryen. Perëndia kishte deklaruar se Jakobi do ta merrte të drejtën e parëbirnisë dhe fjala e Tij do të përmbushej në kohën e Tij, po qe se ata do të prisnin me besim që Ai ta bënte këtë. Por, si shumë të tjerë, që jetojnë në ditët tona dhe pretendojnë të jenë fëmijë të Perëndisë, ata nuk ishin të gatshëm ta linin këtë çështje në duart e Tij. Rebeka e vuajti tmerrësisht këshillën e gabuar, që i kishte dhënë të birit; kjo këshillë ishte mjeti, që do ta largonte atë nga ajo, dhe ajo nuk e pa më kurrë Jakobin. Që nga momenti, kur mori të drejtën e parëbirnisë, Jakobi ndihej i rënduar nga vetëndëshkimi. Ai kishte mëkatuar kundër të atit, të vëllait, vetvetes dhe kundër Perëndisë. Ajo orë e shkurtër do t’i kushtonte atij një jetë të tërë pendimi. Kjo skenë nuk do t’i hiqej nga sytë edhe vite më vonë, kur veprimet e liga të bijve të tij ia brengosën shpirtin. PPAlb 121.1

Sapo u largua Jakobi nga çadra e të atit, hyri Esau. Edhe pse e kishte shitur të drejtën e parëbirnisë dhe e kishte konfirmuar këtë transferim me një betim solemn, ai ishte i vendosur të siguronte për vete bekimet e së drejtës, pavarësisht nga pretendimet e të vëllait. Së bashku me aspektin shpirtëror të së drejtës së parëbirnisë ishte i lidhur dhe aspekti material. Kjo nënkuptonte se, që këtej e tutje, Esau do të ishte kreu i familjes dhe, me vdekjen e të atit, ai do të zotëronte dyfishin e pasurisë së tij. Këto ishin bekimet, që vlerësonte Esau. “Çohu ati im”, i tha, “dhe ha nga gjahu i birit tënd, me qëllim që të më bekosh.” (Zanafilla 27:31). PPAlb 121.2

Duke u dridhur nga habia dhe pikëllimi, babai plak dhe i verbër zbuloi rrengun, që i ishte punuar. Shpresat, që kishte mbajtur gjallë kaq shumë vite, kishin shkuar të gjitha dëm. Kështu, ai ndjeu thellë zhgënjimin, që, në ato çaste, po përjetonte biri i tij i madh. Megjithatë, i shkrepi një bindje në vetvete se, prapa këtyre rrethanave, ishte Perëndia. Planet e tij ishin prishur dhe, për më tepër, kishte ndodhur ajo gjë, që ai ishte munduar aq shumë ta parandalonte. Ai kujtoi fjalët e engjëllit të thëna Rebekës dhe, pavarësisht nga mëkati për të cilin Jakobi tashmë ishte fajtor, Isaku pa tek ai atë, që ishte më i përshtatshmi për të përmbushur planet e Perëndisë. Ndërsa fjalët e bekimit i kishte ende në buzë, ai kishte ndjerë Frymën e frymëzimit mbi të; duke i kuptuar rrethanat, ai ratifikoi lutjen bekuese që, pa e ditur, ia kishte shpallur Jakobit: “Kam bekuar atë (Jakobin) dhe i bekuar ka për të qenë ai.” (Zanafilla 27:33). PPAlb 121.3

Esau e kishte nënvlerësuar bekimin për vite të tëra, por, tani, që bekimi kishte ikur prej tij përgjithmonë, ai dëshironte me ngulm ta zotëronte. Gjithë natyra e tij impulsive dhe e papërmbajtur u rikthye në çast, tërbimi dhe furia e tij ishin të tmerrshme. Ai thirri me një ulërimë të fortë e mjaft të hidhur, “Bekomë edhe mua, ati im!” “A nuk ke ruajtur një bekim për mua?” Por premtimi, që ishte dhënë nuk mund të merrej mbrapsht. Atë të drejtë parëbirnie, që ai e kishte shkëmbyer me aq mëndjelehtësi, nuk mund ta rimerrte më kurrë. “Për një gjellë me mish”, për një kënaqje të përkohshme të grykësisë së vet të shfrenuar, Esau shiti trashëgiminë e tij. Kur e kuptoi budallallëkun e vet, ishte tepër vonë për ta rikthyer bekimin. “Kur ai deshi të trashëgojë bekimin, iu refuzua, ndonëse e kërkoi me lot, sepse nuk gjeti vend pendimi.” - Hebrenjve 12:16, 17. Esau nuk u privua nga privilegji, që kishte në vetvete kërkimi i hirit të Perëndisë me anë të pendimit, por ai nuk mund të gjente asnjë mjet për të rikthyer të drejtën e parëbirnisë. Pikëllimi i tij nuk buronte nga bindja se kishte mëkatuar; ai nuk dëshironte të pajtohej me Perëndinë. Ai u brengos për shkak të pasojave të mëkatit të tij, por jo për vetë mëkatin. PPAlb 121.4

Për shkak të indiferencës, që tregoi ndaj bekimeve dhe kritereve hyjnore, Esau quhet në Shkrimet e Shenjta “një person profan”. - Vargu 16. Ai përfaqëson ata, që vlerësojnë minimalisht shpengimin e kryer për ta nga Krishti dhe janë gati të sakrifikojnë trashëgiminë e tyre drejt qiellit për gjërat e prishshme të tokës. Shumica e njerëzve jetojnë për të tashmen, duke mos menduar, apo treguar kujdes, për të ardhmen. Ashtu si Esau, ata thërrasin: “Le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim.” - 2 Korintasve 15:32. Ata kontrollohen plotësisht nga tendencat e instiktit. Në vend që të praktikojnë vetëmohim, ata heqin dorë dhe anashkalojnë gjërat më të vlefshme në jetë. Nëse vihen përpara një zgjedhjeje, se nga cila gjë do të heqin dorë: nga plotësimi me çdo kusht i epshit dhe grykësisë, apo nga bekimet qiellore, që u premtohen vetëm atyre, që janë vetëmohues dhe i druhen Perëndisë, ata zgjedhin të kënaqin grykësinë, ndërsa përçmojnë Perëndinë dhe qiellin. Sa shumë, edhe nga ata, që pretendojnë se janë të krishterë, jepen pas epsheve dhe grykësive, që janë të dëmshme për shëndetin dhe që ndikojnë shumë negativisht në anën shpirtërore. Kur u jepet detyra ta pastrojnë veten nga fëlliqësitë e trupit dhe të zemrës dhe të praktikojnë një jetë të shenjtë dhe me druajtje ndaj Perëndisë, ata ndjehen të fyer. Ata e kuptojnë qartë se nuk mund të vazhdojnë me epshet e grykësitë në të njëjtën kohë, kur duan të sigurojnë qiellin. Kështu, ata mbërrijnë në përfundimin se, meqë rruga drejt jetës së përjetshme është kaq e ngushtë, ata do të marrin mundimin, të ecin në të. PPAlb 122.1

Shumë njerëz e shesin sot të drejtën e parëbirnisë për epshet e tyre sensuale. Shëndeti sakrifikohet, aftësia mendore dobësohet dhe qielli privohet; gjithçka, vetëm për një kënaqësi të përkohshme, një kërkesë që, në të njëjtën kohë, dobëson dhe poshtëron karakterin. Ashtu si Esau erdhi në vete dhe kuptoi budallallëkun e shkëmbimit të nxituar, që kishte bërë dhe e kuptoi këtë atëherë kur qe tepër vonë për t’u korrigjuar, ashtu do të jetë edhe në ditën e Perëndisë me të gjithë ata, që e kanë shkëmbyer trashëgiminë e tyre drejt qiellit për epshe e grykësi, që nxiten nga nepsi e egoizmi. PPAlb 122.2