PATRIARKË DHE PROFETË

15/74

15—“MARTESA E ISAKUT”

*****

Abrahami tashmë ishte plakur dhe nuk i kishte mbetur dhe aq shumëkohë për të jetuar, megjithatë një punë i kishte mbetur pa bërë, të siguronte plotësimin e premtimit hyjnor për pasardhjen e tij. Isaku ishte djali i vetëm i caktuar nga Perëndia, të cilit i takonte të trashëgonte të atin, si mbajtës i ligjit të Perëndisë dhe si atë i popullit të zgjedhur, por ai ishte ende beqar. Banorët e Kanaanit ishin të dhënë pas idhujtarisë dhe Perëndia i kishte ndaluar martesat ndërmjet popullit të Tij dhe paganëve, duke e ditur se martesa të tilla do të çonin drejt shthurrjes.. Patriarku druhej nga efekti i ndikimeve korruptuese, që e rrethonin të birin. Besimi i palëkundur i Abrahamit tek Perëndia dhe nënshtrimi ndaj vullnetit të Tij u reflektuan tek karakteri i Isakut, por duhet thënë se një i ri si Isaku ishte plot ndjenja dhe emocione të moshës, ndërsa, nga ana tjetër, ai ishte shumë i sjellshëm dhe i përulur për nga mënyra e të sjellit. Në rast se do të martohej me një jobesimtare, ai do të gjendej në rrezik: për hir të harmonisë mund të sakrifikonte parimet. Kështu, në mendjen e Abrahamit, zgjedhja e një bashkëshorteje për të birin ishte një çështje me rëndësi shumë të madhe; patriarku ishte në ankth të madh që i biri të martohej me dikë, që nuk do ta largonte nga Perëndia. 3 PPAlb 113.1

Në kohërat e lashta, fejesat bëheshin zakonisht nga prindërit dhe ky ishte zakoni edhe i atyre, që adhuronin Perëndinë. Megjithatë, askush nuk detyrohej të martohej me dikë, që nuk mund ta donte, por, pasi bënin të ditur ndjenjat e tyre, të rinjtë udhëzoheshin nga gjykimi i prindërve të tyre, që kishin përvojë dhe i druheshin Perëndisë. Të ndiqje një rrugë tjetër, të ndryshme nga kjo, konsiderohej si një gjë e turpshme në sy të prindërve. PPAlb 113.2

Isaku, duke patur besim në urtësinë dhe dashurinë e të atit, ishte i kënaqur që këtë çështje t’ia linte atij në dorë, duke besuar gjithashtu se Vetë Perëndia do ta drejtonte për të bërë zgjedhjen e duhur. Mendja e patriarkut u kthye, për pak çaste, nga të afërmit e të atit në tokën e Mesopotamisë. Ndonëse jo krejtësisht të lirë nga idhujtaria, ata kishin ende njohurinë dhe adhurimin e Perëndisë së vërtetë. Isaku nuk duhet të largohej nga Kanaani, për të shkuar tek ta, por, nga ana tjetër, gjasat më të mëdha ishin që atje ai mund të gjente një vajzë, që do të largohej nga shtëpia e saj dhe të bashkohej me të, duke ruajtur kështu në familjen e tyre të re adhurimin e papërlyer të Perëndisë, që jeton. Abrahami ia besoi këtë punë të rëndësishme “shërbyesit më të moshuar”, një burri të mençur, me përvojë dhe gjykim të shëndoshë, i cili i kishte shërbyer gjithmonë me besnikërsi. Abrahami kërkoi nga shërbëtori që të bënte një betim solemn përpara Zotit, që ai të mos merrte grua për Isakun nga Kanaanitët, por do të zgjidhte një vajzë virgjëreshë nga familja e Nahorit në Mesopotami. Ai i la gjithashtu porosi që të mos e merrte Isakun me vete. Nëse një nuse, që ishte e gatshme të largohej nga fisi i saj nuk gjendej dot, atëherë shërbëtori do të lirohej nga betimi, që kishte marrë. Patriarku e inkurajoi atë, në këtë ndërmarrje të vështirë dhe delikate, me sigurinë se Perëndia do ta kurorëzonte misionin e tij me sukses. “Zoti, Perëndia i qiellit, që më hoqi nga shtëpia e atit tim dhe nga vendi ku kam lindur... Ai do të dërgojë engjëllin e tij para teje dhe ti do të marrësh andej një grua për birin tim”. -Zanafilla 24:7. PPAlb 113.3

Pa vonesë, shërbëtori mori rrugën për në Mesopotami. Udhëtimi i tij do të ishte shumë i gjatë. Ai do të kalonte përtej Damaskut dhe drejt për në ultësirat pjellore, që kufizohen nga lumi i madh i Lindjes. Me vete mori dhjetë deve për përdorimin e grupit, që e shoqëronte, si dhe krushqinë që do të shoqëronte nusen kur të kthehej, por pa harruar dhuratat për nusen, që do të pranonte, dhe shoqet e saj. Kur mbërriti në Haran, “qytetin e Nahorit”, ai ndali jashtë mureve të qytetit, pranë një pusi, tek i cili gratë e vendit vinin çdo mbrëmje për të mbushur ujë. Ishin çaste të vështira dhe plot ankth për Eliezerin, kryeshërbëtorin e Abrahamit. Pasoja të rëndësishme, jo vetëm për familjen e zotërisë së tij, por edhe për brezat e ardhshëm, mund të vinin nga zgjedhja, që do të bënte ai vetë. Po si mund të zgjidhte me zgjuarësi, mes gjithë këtyre grave të panjohura? Duke kujtuar fjalët e zotërisë së tij, Abrahamit, se Perëndia kishte do të dërgonte një engjëll të Tijin pranë tij, ai u lut me përgjërim për udhëzimin e duhur nga Perëndia. Në familjen e zotërisë së tij, ai ishte mësuar me ushtrimin e përhershëm të mirësisë dhe mikpritjes dhe, në këto çaste, ai kërkoi që një gjest mirësjelljeje t’i tregonte vajzën, që ishte zgjedhur nga Perëndia. PPAlb 114.1

Gati pa përfunduar lutja, u dha përgjigjja e menjëhershme. Mes grave, që ishin mbledhur tek pusi, sjellja e hijshme e njërës prej tyre tërhoqi vëmendjen e Eliezerit. Ndërsa vinte te pusi, ai shkoi të takohej me këtë vajzë, duke i kërkuar pak ujë nga shtamba, që mbante mbi sup. Kërkesa u pasua nga një përgjigje shumë e sjellshme, e shoqëruar me një ofertë për t’u sjellë ujë dhe deveve, një shërbim ky që kryhej zakonisht edhe nga vajzat e princërve, për bagëtitë e etërve të tyre. Kështu, shenja, që kishte kërkuar Eliezeri, u plotësua si mos më mirë. Vajza “ishte në paraqitje shumë e bukur” dhe mirësjellja e saj e menjëhershme tregonte mirësinë e zemrës së saj si dhe një natyrë aktive dhe energjike. Deri në këtë moment, dora e Perëndisë kishte qenë me shërbëtorin. Pasi e shpërbleu mirësinë e saj me dhuratat e shtrenjta, që kishte sjellë me vete, Eliezeri kërkoi të takonte prindërit e saj. Kur mësoi se vajza ishte e bija e Bethuelit, nipit të Abrahamit, ai “uli kokën përtokë dhe adhuroi Zotin.” (Zanafilla 24:26). PPAlb 114.2

I dërguari i Abrahamit i kishte kërkuar vajzës nëse ishte e mundur të kalonte natën në shtëpinë e atit të saj. Në mënyrën e shprehjes së mirënjohjes, ajo kishte zbuluar faktin se kishte të bënte me Abrahamin. Kur u kthye në shtëpi, vajza tregoi se çfarë i kishte ndodhur, dhe Labani, vëllai i saj, menjëherë nxitoi të sillte te huajin dhe shoqëruesit e tij, duke i mirëpritur e u hapur shtëpinë. PPAlb 114.3

Eliezeri nuk pranoi të fuste asnjë kafshatë buke në gojë, derisa të kishte treguar detyrën, që e kishte detyruar të vinte. Ai gjithashtu tregoi për lutjen, që kishte bërë, me të gjitha rrethanat, që e kishin shoqëruar. Pastaj ai tha, “Dhe tani, në rast se doni të silleni me dashamirësi dhe besnikëri ndaj zotërisë tim, duhet të ma thoni, në rast se jo, ma thoni njëlloj dhe unë do të kthehem djathtas ose majtas” (Vargu 49). Përgjigjja ishte: “Kjo varet nga Zoti, ne nuk mund të flasim as për mirë as për keq. Ja, Rebeka është këtu para teje, merre me vete, shko dhe ajo të bëhet gruaja e birit të zotërisë tënd, ashtu siç ka thënë Zoti.” (Vargjet 50, 51). PPAlb 114.4

Pasi ishte marrë pëlqimi i familjes së vajzës, vetë Rebeka u pyet nëse kishte dëshirë të shkonte kaq larg nga shtëpia e atit të saj, për t’u martuar me djalin e Abrahamit. E nisur nga gjithçka, që kishte ndodhur, Rebeka besonte se Perëndia e kishte zgjedhur atë, posaçërisht, për të qenë gruaja e Isakut dhe kështu tha “Do të shkoj”. PPAlb 115.1

Shërbëtori i Abrahamit, duke e parashikuar gëzimin e zotërisë së tij, për suksesin e plotë të misionit, ishte më i paduruar se kurrë. Kështu, në mëngjes herët, ata morën rrugën e kthimit. Abrahami, në këtë kohë, banonte në Bershebë dhe Isaku, që kujdesej për bagëtitë në vendin përreth, ishte kthyer tek çadra e të atit, për të pritur Eliezerin, që kthehej nga Harani. Isaku, që kishte dale, aty nga mbrëmja, në fushë, për t’u menduar, ngriti sytë dhe pa disa deve, që po vinin. Edhe Rebeka ngriti sytë dhe pa Isakun. Atëherë zbriti me të shpejtë nga deveja dhe i tha shërbëtorit: ‘Kush është ai njeri, që vjen nga fusha drejt nesh?’. Shërbëtori u përgjegj: ‘Eshtë zotëria im’. Atëherë ajo mori vellon dhe u mbulua. Pastaj shërbëtori i tregoi Isakut tërë gjërat, që kishte bërë. Isaku e futi Rebekën në çadrën e Sarës, nënës së tij, dhe e mori me vete. Ajo u bë gruaja e tij dhe ai e dashuroi. Kështu Isaku u ngushëllua mbas vdekjes së nënës së tij.” - Vargjet 63-67. PPAlb 115.2

Abrahami ishte shumë i ndërgjegjshëm mbi pasojat e martesave të përziera ndërmjet atyre, që i druheshin Zotit dhe atyre, që nuk i druheshin Atij, që nga ditët e Kainit deri në kohën, kur jetoi. Pasojat e vetë martesës së tij me Hagarin, si dhe ato të lidhjeve martesore të Ishmaelit dhe Lotit, shërbenin si fakte të pakundërshtueshme. Mungesa e besimit, nga ana e Abrahamit dhe Sarës, kishte rezultuar në lindjen e Ishmaelit, në përzierjen e pasardhjes së virtytshme me atë pagane. Influenca e babait mbi të birin kundërshtohej nga ajo e farefisit idhujtar të nënës si dhe nga martesat e Ishmaelit me gra pagane. Xhelozia e Hagarit dhe e grave, që ajo kishte zgjedhur për Ishmaelin, e kishte rrethuar familjen e tij për një kohë. Ishte, në të vërtetë, një pengesë, të cilën Abrahami më kot u mundua ta kapërcente. PPAlb 115.3

Mësimet e hershme të Abrahamit kishin patur ndikim të konsiderueshëm tek Ishmaeli, por ndikimi i grave të tij çoi në fillimin e idhujtarisë në shtëpinë e tij. I ndarë nga i ati dhe i acaruar nga sherret e konfliktet e një shtëpie, të cilës i mungonte dashuria dhe druajtja ndaj Perëndisë, Ishmaeli u shty të zgjidhte jetën e pashembullt të një kryeplaçkitësi të shkretëtirës. “Dora e tij” do të ishte “kundër të gjithëve dhe dora e të gjithëve kundër tij.” - Zanafilla 16:12. Në vitet e fundit të jetës së tij, ai u pendua për rrugën e ligë, që kishte marrë, dhe iu rikthye Perëndisë së të atit, por vula e karakterit, që iu dha pasardhësve të tij, mbeti e njëjta. Kombi i fuqishëm, që u krijua nga pasardhësit e tij, ishte një popull pagan dhe i dhunshëm. Ata do të përbënin një shqetësim dhe barrë të vazhdueshme për pasardhësit e Isakut. PPAlb 115.4

Nga ana tjetër, gruaja e Lotit ishte një grua e pafé dhe egoiste. Ndikimi i saj bëri që burri i saj të ndahej nga Abrahami. Po të mos ishte për të, Loti nuk do të kishte shkuar për të banuar në Sodom, atje ku nuk mund të merrte më këshilla nga Abrahami, xhaxhai i tij i urtë, patriarku, që i druhej Perëndisë. Ndikimi i bashkëshortes së tij, si dhe lidhjet shoqërore të atij qyteti të lig, do ta kishin çuar atë drejt mosbesimit ndaj Perëndisë, po të mos kishte qenë për udhëzimet besnike, që ai kishte marrë në rini, nga Abrahami. Martesa e Lotit dhe vendimi i tij për të jetuar në Sodom ishin hallkat e para të një zinxhiri ngjarjesh të rënduara me ligësi e mëkat në botë, për shumë breza me radhë. PPAlb 115.5

Askush nga ata, që i druhen Perëndisë, nuk mund të lidhet pa rrezikuar me një, që nuk i druhet Atij. “A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë marrë vesh më parë?” - Amos 3:3. Lumturia dhe begatia e një marrëdhënieje martesore varen nga bashkimi i të dy palëve; por ekziston një dallim rrënjësor ndërmjet besimtarit dhe jobesimtarit, që ka të bëjë me shijet, tendencat dhe vendimet, që duhen marrë. Ata po u shërbejnë dy zotërinjve, ndërmjet të cilëve nuk mund të ketë asnjë përputhshmëri. Sado të pastra dhe korrekte të jenë parimet e njërit, ndikimi i bashkëshortit jobesimtar do të ketë tendencën për të larguar atë, që beson te Perëndia. PPAlb 116.1

Ai person, që ka nisur marrëdhënien martesore në momentin, kur ka qenë i pakonvertuar (jobesimtar); në momentin kur konvertohet (bëhet besimtar) vihet para një detyrimi edhe më të madh: t’i qëndrojë besnik bashkëshortit/es, edhe pse ata mund të kenë botëkuptime shumë të ndryshme, përsa i përket besimit të tyre fetar. Megjithatë, kërkesat e Perëndisë duhet të vendosen mbi çdo marrëdhënie tokësore, edhe nëse pasojat mund të përfshijnë vuajtje dhe përndjekje. Me frymën e dashurisë dhe zemërbutësisë, kjo lloj besnikerie mund të ketë një ndikim pozitiv për të fituar bashkëshortin/en tjetër në besim. Por martesa e të krishterëve me jobesimtarët ndalohet nga Bibla. Udhëzimi i Zotit është, “Mos u lidhni në mënyrë të pabarabartë me jobesimtarët.” - 2 Korintasve 6:14, 17, 18. PPAlb 116.2

Isaku u nderua pa masë nga Perëndia, duke u bërë trashëgimtari i premtimeve, nëpërmjet të cilëve do të bekohej mbarë bota. Megjithatë, kur mbushi dyzet vjeç, ai iu nënshtrua vendimit të të atit, i cili caktoi shërbëtorin e tij besnik dhe me përvojë të zgjidhte një grua për të. Rezultati i asaj martese, siç paraqitet nga Shkrimet e Shenjta, është një pamje e këndshme dhe e mrekullueshme e lumturisë familjare. Dhe Isaku e futi Rebekën në çadrën e Sarës, nënës së tij, e mori me vete; ajo u bë gruaja e tij dhe ai e dashuroi. Kështu Isaku u ngushëllua mbas vdekjes së nënës së tij.” PPAlb 116.3

-Zanafilla 24:67. PPAlb 116.4

Çfarë kontrasti ekziston ndërmjet mënyrës së veprimit të Isakut dhe asaj, që ndiqet nga shumë të rinj në ditët tona, madje edhe nga ata, që vijnë nga familje besimtarësh! Të rinjtë mendojnë shpesh se, kur vjen puna se kujt do t’i përkushtojnë ndjenjat e tyre, ata duhet ta marrin këtë vendim plotësisht vetë, pra, pa u konsultuar me askënd. Kjo është një çështje që, sipas tyre nuk duhet të kontrollohet as nga Perëndia dhe as nga prindërit e tyre. Ndërsa janë ende të papjekur, ata e mendojnë veten plotësisht të aftë t’i marrin vetë vendimet, pa ndihmën e prindërve. Vetëm disa vite martese janë të mjaftueshme për të vërtetuar gabimin, që kanë bërë, por, në shumicën e rasteve, është tepër vonë për të parandaluar pasojat e kobshme, që vijnë nga një vendim i papjekur. Fatkeqësisht, e njëjta mungesë mençurie dhe vetëkontrolli, që më parë diktoi vendimin e nxituar për t’u martuar, lejohet ta përkeqësojë gjëndjen, derisa një marrëdhënie martesore e tillë bëhet gazi i botës. Kështu, shumë të rinj kanë çuar dëm lumturinë e tyre në këtë jetë dhe shpresën e tyre për jetën, që do të vijë. PPAlb 116.5

Nëse mund të veçohet ndonjë temë, që duhet marrë në konsideratë me shumë kujdes, dhe për të cilën duhet kërkuar mendimi dhe këshilla e personave më të pjekur, kjo temë është ajo e martesës. Nëse ekziston një moment, kur Bibla nevojitet më shumë se kurrë për t’u këshilluar, nëse ekziston një moment, kur udhëzimi hyjnor duhet kërkuar në lutje më shumë se kurrë, ky moment vjen përpara marrjes së hapit të rëndëshishëm (të martesës), i cili i lidh dy njerëz së bashku për tërë jetën. Prindërit nuk duhet kurrë të neglizhojnë përgjegjësinë e tyre për lumturinë, që fëmijët e tyre mund të kenë në të ardhmen. Respektimi i mendimit të Abrahamit nga ana e Isakut erdhi si pasojë e edukimit, që kishte marrë që i vogël, për t’ju bindur prindërve. Ndërsa Abrahami kërkoi prej fëmijëve të tij që të respektonin autoritetin prindëror, jeta e tij e përditshme dëshmoi se ai lloj autoriteti nuk ishte një kontroll egoist dhe arbitrar, por ishte, në fakt, i rrënjosur në dashuri dhe kërkonte vetëm lë mirën dhe lumturinë për ta. PPAlb 117.1

Baballarët dhe nënat duhet të kenë parasysh se kanë përpara tyre një detyrë për të edukuar fëmijët e tyre, në mënyrë që ndjenjat e këtyre të fundit të drejtohen për tek ata, që kanë për të qenë partnerë të përshtatshëm. Ata duhet ta konsiderojnë si detyrë, duke mësuar dhe dhënë shembullin e tyre personal, me hirin ndihmues të Perëndisë, t’i japin formën e duhur karakterit të fëmijëve, që në fëmijëri. Vetëm në këtë mënyrë, ata do të rriten me një karakter të pastër e të fisëm dhe do të tërhiqen nga e mira dhe e vërteta. Siç je vetë, e njëjta gjë do të të tërheqë; siç je vetë, të njëjtën gjë do të të vlerësosh. Dashuria për të vërtetën dhe pastërtinë duhet mbjellë sa më herët në zemër dhe, kështu, të rinjtë do të kërkojnë shoqërinë e atyre, që i zotërojnë këto cilësi. PPAlb 117.2

Vetë prindërit duhet të kërkojnë, në karakterin si dhe jetën e tyre familjare, të shëmbëllejnë dashurinë dhe dhembshurinë e Atit qiellor. Le të ndriçojë shtëpia nga rrezet e diellit! Kjo do të jetë shumë më e vlefshme për fëmijët tuaj, se sa pronat apo paratë. Dashuria familjare duhet mbajtur gjallë në zemrat e tyre, që, kur të kthejnë kokën e të sjellin ndër mend shtëpinë e fëmijërisë, ta kujtojnë atë gjithmonë me nostalgji, si një vend paqeje dhe lumturie, pothuajse si parajsa. Pjesëtarët e familjes nuk kanë të gjithë të njëjtën vulë karakteri dhe do të ketë raste të shpeshta, kur do të kërkohet durim dhe tolerancë, por, nëpërmjet dashurisë dhe vetëdisiplinimit, të gjithë këta pjesëtarë mund të lidhen shumë fort me njëri-tjetrin. PPAlb 117.3

Dashuria e vërtetë është një parim i lartë dhe i shenjtë. Ajo është plotësisht e ndryshme në karakter nga dashuria, që vjen nga impulset, dhe që, papritur, merr fund kur vihet nën një provë të vështirë. Fëmijët duhet të përgatiten për të ndërtuar familjet e tyre të ardhshme, duke treguar besnikëri ndaj detyrave, që kanë ndaj prindërve në shtëpi. Në ambientin familjar, ata duhet të tregojnë vetëmohim, mirësjellje dhe simpati të krishterë. Në këtë mënyrë, dashuria do të mbahet gjithmonë e ngrohtë, në zemër, dhe ai, që del nga ky ambient familjar për t’u bërë kreu i familjes së tij të re, do të dijë se si të promovojë lumturinë e asaj, që ka zgjedhur për bashkëshorte për tërë jetën. Kështu, martesa, në vend që të jetë fundi i dashurisë, do të jetë vetëm fillimi i saj. PPAlb 117.4