PATRIARKË DHE PROFETË

12/74

12—“ABRAHAMI NË KANAAN”

*****

Abrahami u kthye në Kanaan “shumë i pasur me bagëti, argjend, dhe ar.” - Zanafilla 13:1. Loti ishte ende me të dhe sërish u kthyen në Betel, ku ngritën çadrat pranë altarit, që kishin ndërtuar kohë më parë. Shumë shpejt po kuptonin se zotërimet e shumta po shkaktonin shqetësime të shumta. Në mes të situatave e provave të vështira, ata kishin jetuar së bashku në harmoni, por, meqënëse pasuria e tyre sa vinte e bëhej më e madhe, po shtohej edhe rreziku i një konflikti mes tyre. Kullotat nuk mjaftonin më për bagëtitë dhe gjënë e gjallë të të dyve. Mosmarrëveshjet e shpeshta ndërmjet barinjve të të dyja palëve zgjidheshin nga zotërinjtë e tyre (pronarët). Ishte tepër e qartë se kishte ardhur koha për t’u ndarë. Abrahami, sigurisht, ishte më i madh në moshë se Loti dhe, mbi të, për sa i përket raportit familjar, pasurisë dhe pozitës; megjithatë, ishte ai i pari, që propozoi plane për të ruajtur paqen mes tyre. Edhe pse e gjithë toka i ishte dhënë nga Vetë Perëndia, Abrahami nuk e shfrytëzoi këtë të drejtë. Përkundrazi, ai u soll me një përzemërsi të paparë. PPAlb 83.1

“Le të mos ketë mosmarrëveshje ndërmjet meje dhe teje, as ndërmjet barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse jemi vëllezër. A nuk është vallë tërë toka përpara teje? Ndahu, të lutem, nga unë! Në rast se ti shkon majtas, unë kam për të vajtur djathtas; dhe, në rast se ti shkon djathtas, unë kam për të vajtur majtas.” - Zanafilla 13:8, 9. PPAlb 83.2

Në këtë situatë spikat fryma e fisme dhe e përulur e Abrahamit. Sa shumë të tjerë, po të gjendeshin në një situatë të ngjashme, do të bënin çmos të ruanin të drejtat dhe dëshirat e tyre individuale! Sa shumë familje apo farefise janë futur në sherre për gjëra të tilla! Sa shumë kisha janë ndarë, duke e bërë të vërtetën, që predikojnë, diçka dytësore dhe bëhen shkak për akuzim nga mëkatarët. “Le të mos ketë mosmarrëveshje ndërmjet meje dhe teje”, tha Abrahami, “sepse jemi vëllezër”; jo vetëm nga lidhja farefisnore, por edhe si adhurues të Perëndisë së vërtetë. Fëmijët e Perëndisë, në mbarë botën, janë një familje e vetme dhe e njëjta frymë dashurie dhe pajtimi duhet t’i udhëheqë ata. “Tregoni mirësi për njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore; me nderim e duke i hapur rrugë njëri-tjetrit.” - Romakëve 12:10. Ky është mësimi që na jep Shpëtimtari ynë. Kultivimi i një përzemërsie të përhershme, një gatishmëri për t’u bërë të tjerëve ashtu si dëshirojmë që ata të bëjnë për ne, do të asgjësonte, të paktën, gjysmën e të këqijave të jetës. Fryma e harbutërisë është fryma e Satanit, por zemra, në të cilën gjendet dashuria e Krishtit, ka për të zotëruar një frymë mirësie dhe altruizmi. Besimtarë të tillë i vënë veshin këshillës hyjnore: “Kujdes, që të mos mendoni secili për gjërat e veta, por edhe ato të të tjerëve.” - Filipianëve 2:4. PPAlb 83.3

Edhe pse Loti i detyrohej lidhjes me Abrahamin për pasurinë e tij, ai nuk tregoi mirënjohje për xhaxhanë e tij bamirës. Gjesti më i vogël i mirësjelljes, që duhej të ndërmerrte, do të ishte të linte Abrahamin të zgjidhte. Përkundrazi, ai u përpoq ta shfrytëzonte situatën sa më shumë, në favorin e vet. Ai, “ngriti sytë dhe pa tërë fushën e Jordanit ...ajo ishte e tëra e ujitur deri në Coar...” - Zanafilla 13:10. Vendi më pjellor në mbarë Palestinën, në atë kohë, ishte lugina e lumit Jordan, e cila i kujtonte pamësit Parajsën e humbur dhe kishte një bukuri të ngjashme me fushat pjellore në anët e lumit Nil, të cilat i kishin shijuar pak kohë më parë. Gjithashtu, përreth gjendeshin qytete të pasura dhe të bukura, të cilat ofronin mundësi shumë të mira për tregti. PPAlb 83.4

I dehur nga vegimet e pasurisë materiale, Loti i nënvlerësoi të këqijat morale dhe shpirtërore, që ishin të paevitueshme në këtë mjedis metropolitan. Banorët e atij vendi “ishin shumë të shthurrur dhe mëkatarë në sy të Zotit”; por këtë Loti ose nuk e dinte, ose e dinte dhe nuk i dha shumë rëndësi. Kështu, “Loti zgjodhi për vete tërë fushën e Jordanit dhe filloi t’i zhvendosë drejt lindjes çadrat e veta...duke arritur të ngrejë çadrat e tij deri në Sodom.” - Zanafilla 13:11, 12. Sa dritëshkurtër ishte ky vendim i Lotit, vendim, që nuk mori aspak parasysh pasojat, që do të vinin nga ajo zgjedhje e frymëzuar nga egoizmi. PPAlb 84.1

Pas ndarjes nga Loti, Abrahami mori sërish një premtim nga ana e Zotit se do të trashëgonte mbarë vendin. Pas pak kohe, ai u shpërngul për në Hebron, ngriti çadrën nën lisat e Mamres dhe i ngriti Zotit një altar, aty pranë. Në ajrin e pastër të asaj krahine të thjeshtë, por e pasur me pemë ulliri dhe vreshta, fusha me drithëra dhe kullota të mëdha nëpër kodrat përreth, Abrahami jetonte i kënaqur me jetën e tij të thjeshtë e modeste prej patriarku, duke e lënë Lotin në luksin e rrezikshëm të luginës së Sodomit. PPAlb 84.2

Abrahami u nderua nga kombet përreth si një princ i fuqishëm dhe si një udhëheqës i mençur e i denjë. Ai u mundua të ndikonte sa më shumë tek fqinjët. Jeta dhe karakteri i tij, në kontrast të thellë me ato të adhuruesve të idhujve, dëshmoi dhe ndikoi pozitivisht në favor të besimit të vërtetë. Aleanca e tij ndaj Perëndisë ishte e padiskutueshme, ndërsa përzemërsia e bamirësia e tij frymëzuan mirëbesim dhe miqësi. Madhështia e tij e papërlyer impononte respekt dhe nderime. PPAlb 84.3

Feja e Abrahamit nuk u mbajt si një thesar i çmuar, që ruhet me xhelozi dhe shijohet vetëm nga pronari i tij. Feja e vërtetë nuk mbahet kështu, sepse kjo frymë është në kundërshtim me parimet e ungjillit. Kur Krishti banon në zemër, është e pamundur të fshihet drita e pranisë së Tij, apo të zbehet. Përkundrazi, ajo do të ndriçojë gjithnjë e më shumë, ndërsa mjegullat e egoizmit dhe mëkatit, që mbajnë peng shpirtin, munden nga rrezet e ndritshme të Krishtit, Diellit tonë të Virtytshmërisë! PPAlb 84.4

Njerëzit e Perëndisë janë përfaqësuesit e Tij në tokë. Synimi i Perëndisë është që këta njerëz të jenë si fanarë në errësirën morale të kësaj bote. Të shpërndarë në të katra anët, në qendra banimi, qytete të mëdha apo fshatra, ata janë dëshmitarët e Perëndisë, mjetet me të cilat Ai do t’i komunikojë botës ateiste njohurinë e vullnetit të Tij, si dhe mrekullitë e hirit të Tij. Plani i Tij është që të gjithë ata, që janë pjesëmarrës të shpëtimit madhështor, të jenë lajmëtarë apo misionarë për Të. Mirësia dhe devotshmëria e të krishterëve është standarti përcaktues, me të cilin bota ka për të gjykuar ungjillin, lajmin e mirë të Jezu Krishtit. Përballimi me durim i provave, pranimi me mirënjohje i bekimeve, përulësia, virtytshmëria, zemërmirësia, mëshira dhe dashuria, të përvetësuara dhe që praktikohen përditë, këto të gjitha janë drita, që ndriçojnë në karakter përpara botës. Kështu, ato tregojnë kontrastin me errësirën, që buron nga egoizmi i natyrshëm i zemrës njerëzore. PPAlb 84.5

I fortë në besim, i fisëm në zemërmirësi, i pagabueshëm në bindje dhe i përulur në thjeshtësinë e jetës së tij prej pelegrini, Abrahami, nga ana tjetër, ishte një burrë shteti me mjeshtri në diplomaci dhe luftë, gjithmonë i përgatitur dhe guximtar. Ai njihej, gjithashtu, si mësues i një feje të re. Tre vëllezër mbretërorë, sundues të territoreve amorite, në të cilat Abrahami ishte vendosur, treguan miqësinë e tyre ndaj tij duke e ftuar të bënin një aleancë së bashku. Kjo do të shtonte sigurinë në rajon, meqë, këtij të fundit, nuk i mungonin trazirat dhe dhuna. Rasti në të cilin Abrahami do ta përdorte këtë aleancë nuk do të vononte. PPAlb 85.1

Kedorlaomeri, mbreti i Elamit, kishte pushtuar Kanaanin përpara katërmbëdhjetë vjetësh dhe e kishte kthyer mbarë rajonin në taksapagues të tij. Shumë nga princat u hodhën në revoltë. Si pasojë, Mbreti i Elamit, së bashku me katër aleatë, marshoi sërish nëpër këtë territor, për ta nënshtruar përsëri. Pesë mbretërit e Kanaanit mblodhën forcat së bashku dhe u përballën me pushtuesit në luginën e Siddimit, por aty pësuan disfatë të plotë. Pjesa më e madhe e ushtrisë u shkatërrua dhe ata, që mbijetuan, ia mbathën duke u fshehur nëpër malet përreth. Fitimtarët plaçkitën qytetet e rajonit dhe u larguan duke marrë me vete pasuri dhe robër, ndër ta, edhe Lotin, nipin e Abrahamit dhe familjen e tij. PPAlb 85.2

Abrahami, i cili banonte në paqe nën lisat e Mamres, mësoi nga njëri prej të mbijetuarve historinë e betejës dhe fatkeqësinë, që e kishte pllakosur Lotin. Abrahami nuk kishte asnjë kujtesë negative, për sa i përket qëndrimit të mëparshëm mosmirënjohës të Lotit ndaj tij. Dashuria për të u ringjall menjëherë dhe ai vendosi ta shpëtonte. Duke kërkuar së pari këshillë nga qielli, Abrahami u përgatit për luftë. Nga vendbanimi i tij, ai mblodhi treqind e tetëmbëdhjetë shërbëtorë, burra të stërvitur, që i druheshin Perëndisë, besnikë deri në vdekje ndaj zotërisë së tyre dhe të zotë në armëmbajtje. Aleatët e Abrahamit, Mamre, Eskol dhe Aner u bashkuan me çetat e tyre dhe, së bashku, iu vunë pas pushtuesve. Elamitët dhe aleatët e tyre kishin kampuar në Dan, në kufirin verior të Kanaanit. Të dehur nga fitorja dhe duke mos pasur frikë ndonjë sulm nga armiqtë, tashmë të mundur, ata e kishin lëshuar veten dhe po bënin qejf. Abrahami, patriarku i sprovuar, e ndau ushtrinë e tij, që t’i afrohej armikut nga të katra anët dhe zbarkoi në kampin armik gjatë natës. Sulmi i tij i befasishëm dhe efikas rezultoi në një fitore të shpejtë. Mbreti i Elamit u vra, ndërsa forcat e tij, tashmë të pushtuara nga paniku, u mposhtën plotësisht. Loti e familja e tij, së bashku me robërit e tjerë e pasuritë e tyre, u shpëtuan. Në fakt, pasuri të shumta ranë si plaçkë lufte në duart e fitimtarëve. Për Abrahamin, nën drejtimin e Perëndisë, fitorja ishte e padiskutueshme. Adhuruesi i Jahveh, Perëndisë së vërtetë, jo vetëm i kishte bërë vendit të tij një shërbim të jashtëzakonshëm, por, gjithashtu, spikati si një burrë plot heroizëm. U pa qartë se virtytshmëria nuk ishte dobësi dhe se feja e Abrahamit i kishte dhënë atij kurajo për të mbrojtur të shtypurit dhe mirëmbajtur të mirët. Akti i tij heroik i dhuroi famë të madhe dhe ndikim të gjerë, mes fiseve përreth. Gjatë rrugës së kthimit, mbreti i Sodomit doli për ta nderuar e përshëndetur fitimtarin e madh. Ai iu lut Abrahamit që të mbante pasuritë për vete dhe i kërkoi vetëm kthimin e ish-robërve. Në një situatë lufte, plaçka e luftës normalisht i takon fitimtarit, por Abrahami nuk e kishte ndërmarrë këtë luftë për të fituar pasuri dhe refuzoi të shfrytëzonte këtë mundësi mbi të pafatët. Ai sugjeroi që tre aleatët e tij të merrnin pjesën, që u takonte, ndërsa nuk pranoi asgjë për vete. PPAlb 85.3

Të paktë do të ishin ata, në rast se do të gjendeshin në këtë situatë, që do të silleshin me aq fisnikëri sa Abrahami. Të paktë do të ishin ata, që do t’i rezistonin tundimit për të zhvatur gjithë këtë pasuri. Shembulli i patriarkut shërben si një qortim për të gjithë ata, që kanë frymë mercenare. Abrahami i mori parasysh kërkesat e drejtësisë dhe njerëzimit. Sjellja e tij ilustron moton e frymëzuar: “Do ta duash fqinjin si veten!” Levitiku 19:18. Abrahami deklaroi: “Unë kam ngritur dorën time drejt Zotit, Perëndisë më të lartë, zotëruesit të qiejve dhe tokës, që nuk do të merrja asgjë nga ajo, që të përket, as edhe një fije apo një lidhëse këpucësh, me qëllim që ti të mos thuash: ‘Unë e pasurova Abrahamin?’ - Zanafilla 14:22, 23. Ai nuk i dha askujt mundësinë për të menduar se ai e kishte nisur këtë betejë për përfitim material. Nga ana tjetër, u tregua mjaft i kujdesshëm që askush të mos mburrej se kishte kontribuar për pasurinë e tij. Vetë Perëndia i kishte premtuar se do ta bekonte Abrahamin. Vetëm Perëndisë i takonte gjithë nderi e lavdia. PPAlb 86.1

Dikush tjetër, që doli përpara për t’i uruar mirëseardhjen patriarkut fitimtar, ishte Melkizedeku, mbreti i Salemit, i cili solli bukë dhe verë për luftëtarët e lodhur. Si “prift i Perëndisë më të lartë”, ai shpalli një bekim për Abrahamin dhe falenderoi Perëndinë, i cili kishte kryer një vepër madhështore shpëtimi, me anë të shërbëtorit të Tij. Dhe Abrahami “i dha atij një të dhjetën e gjithçkaje” (shih - Zanafilla 14:18-20). PPAlb 86.2

Abrahami u kthye me gëzim drejt banesës së tij, por, nga ana tjetër, mendime të ndryshme e bezdisnin goxha. Ai kishte qenë deri tani një njeri i paqes, që kishte shmangur në maksimum armiqësitë dhe sherret. Tani, i tmerruar, ai sillte ndër mendje skenat e betejës së përgjakur, që kishte përjetuar. Por kombet, forcat e të cilëve ishin mposhtur prej tij, padyshim që do të përpiqeshin të ripushtonin Kanaanin, duke e bërë Abrahamin objektin kryesor të hakmarrjes së tyre. Duke u përfshirë kështu në kontlikte kombëtare, do të merrte fund edhe pjesa e paqme e jetës së tij. Aq më tepër, ai nuk e kishte marrë ende në zotërim tokën e Kanaanit dhe tashmë nuk mund të shpresonte për një trashëgimtar, ndaj të cilit do të përmbushej premtimi. PPAlb 86.3

Në një vegim gjatë natës, Zëri hyjnor u dëgjua sërish. “Mos ki frikë, Abraham”, ishin fjalët e Princit të princave; “Unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt ka për të qenë madhështor.” - Zanafilla 15:1. Por mendja e Abrahamit torturohej nga streset e shumta dhe nuk e përtypte dot premtimin me besim të palëkundur, siç kishte vepruar më parë. Ai u lut për një shenjë të prekshme që ky premtim do të përmbushej. Si mund të realizohej premtimi i besëlidhjes, kur dhurata e një fëmije trashëgimtar nuk po jepej? “Zot, Perëndi, çfarë do të më japësh, sepse unë jam pa fëmijë.” Pastaj, Abrahami propozoi që Eliezeri, kryeadministratori i tij të bëhej trashëgimtar i shtëpisë së tij. Ai i propozoi ta bënte Eliezerin djalin e tij me adoptim. Por Zoti e siguroi Abrahamin se trashëgimtari i tij do të ishte një fëmijë i veti. Pastaj Abrahamit iu dha urdhër të dilte nga çadra, të shikonte lart dhe të fillonte të numëronte yjet e pafund, që ndriçonin në qiell. Ndërsa bënte këtë, atij iu thanë këto fjalë: “të tillë kanë për të qenë pasardhësit e tu”. - Zanafilla 15:5. “Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua si virtytshmëri” - Romakëve 4:3. PPAlb 86.4

Megjithatë, patriarku u përgjërua për një shenjë të prekshme, për të bindur besimin e tij dhe si një pasqyrë për brezat e ardhshëm, që vullneti i hijshëm i Perëndisë ndaj tyre do të zbatohej plotësisht. Zoti zbriti poshtë për të hyrë në një besëlidhje me shërbëtorin e Tij, duke përdorur forma të tilla, të cilat ishin zakon kur njerëzit, në atë kohë, ratifikonin një marrëveshje solemne mes tyre. Me urdhër të ardhur nga qielli, Abrahami bëri kurban “një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri. Atëherë Abrami i mori tërë këto kafshë, i ndau më dysh dhe vendosi secilën gjysmë përballë me lutjet e Perëndisë, që do t’i qëndronte besnik Atij. Ai qëndroi pranë altarit deri në perëndimin e diellit, për të mbrojtur kafshët e flijuara nga disa zogj grabitqarë, të cilët zbritën, por Abrahami i përzuri (Vargu 11). Pas perëndimin të diellit, atë e zuri një gjumë i rëndë; “dhe ja, një llahtari dhe një errësirë e thellë e kapluan atë” (Vargu 12). Dhe zëri i Perëndisë u dëgjua, i cili e kujtoi të mos priste zotërim të menjëhershëm të Tokës së Premtuar, duke iu referua vuajtjeve të pasardhësve të Tij, përpara zotërimit të Kanaanit nga ana e tyre. Gjithashtu, Abrahamit iu bë i ditur plani i shpengimit, nëpërmjet vdekjes së Krishtit, kurbanit të madh, si dhe ardhjen e Tij me lavdi. Abrahami pa në vegim edhe tokën e rikrijuar dhe të rikthyer në bukurinë e Edenit, e cila do t’i jepej atij si një zotërim i përjetshëm, si realizimi përfundimtar dhe i plotë i premtimit. PPAlb 87.1

Si garanci për këtë besëlidhje të Perëndisë me njerëzit, u shfaq papritur një furrë, që nxirte tym, dhe një pishtar i zjarrtë, simbole të pranisë hyjnore, që kaluan përmes kafshëve të ndara, dhe dogjën ato plotësisht. Sërish, një zë u dëgjua nga Abrahami, kësaj radhe, për të pohuar dhuratën e tokës së Kanaanit për pasardhësit e tij, “nga përroi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin e Eufratit” (Vargjet 17, 18). PPAlb 87.2

Pasi Abrahami kaloi njëzet e pesë vjet në Kanaan, Zoti iu shfaq sërish dhe i tha: “Unë jam Perëndia i Gjithpushtetshëm; ec përpara Meje dhe ji i përsosur.” Plot frikë e respekt, patriarku u shtri përtokë, me kokën poshtë, dhe mesazhi vazhdoi: “Shiko, besëlidhja ime është me ty dhe ti do të jesh atë i shumë kombeve.” Si dëshmi e përmbushjes së këtij premtimi, emri i tij, i cili deri në këtë moment kishte qenë Abram, u ndryshua në Abraham, që do të thotë, “atë i një turme të madhe”. Emri i Sarait, u bë Sara—“princeshë”; sepse, deklaroi Zëri hyjnor, “ajo ka për të qenë nënë e kombeve; prej saj do të dalin mbretër popujsh” (shih - Zanafilla 17:1-16). PPAlb 87.3

Në këtë kohë, riti i rrethprerjes iu dha Abrahamit si një ” vulë e virtytshmërisë së besimit, që kishte patur, kur ishte akoma i parrethprerë”. - Romakëve 4:11. Ky rit duhej zbatuar nga Patriarku dhe pasardhësit e tij si një shenjë, që tregonte se ata i përkushtoheshin shërbimit ndaj Perëndisë, duke u veçuar kështu nga idhujtarët dhe se Perëndia i kishte pranuar ata si një thesar të veçantë. Me kryerjen e këtij riti, ata do të merrnin përsipër të zbatonin kushtet e besëlidhjes, që ishte bërë mes Zotit dhe Abrahamit. Ata nuk duhet të bënin martesa të përziera me paganët, sepse, duke e bërë këtë, do të humbisnin respektin ndaj Perëndisë dhe ligjit të Tij; do të tundoheshin të bëheshin pjesë e ritualeve të pista e mëkatare të kombeve paganë e do të josheshin drejt idhujtarisë. PPAlb 87.4

Perëndia i dha ndere të shumta Abrahamit. Engjëjt e qiellit ecën dhe folën me të, si mund të flasin dy miq me njëri-tjetrin. Kur kishte ardhur koha për të ndëshkuar Sodomin, ky vendim nuk iu mbajt sekret Abrahamit. Kështu, Abrahami u bë njëfarë ndërmjetësi për mëkatarët, te Perëndia. Biseda e tij me engjëjt paraqet, gjithashtu, një shembull të mrekullueshëm të mikpritjes. PPAlb 88.1

Në mesditën e një dite të nxehtë vere, patriarku ishte ulur pranë derës së çadrës, duke vështruar peisazhin e qetë, kur vuri re, nga larg, tre udhëtarë, që po afroheshin. Përpara se të mbërrinin në çadrën e tij, tre udhëtarët u ndalën, gjoja sikur po diskutonin për rrugën në vazhdim. Pa pritur që ata të kërkonin ndonjë gjë, Abrahami u ngrit menjëherë dhe, ndërsa u duk se udhëtarët morën përsëri rrugën, ai nxitoi me vrap pas tyre e, me një mirësjellje të jashtëzakonshme, kërkoi ta nderonin duke qëndruar tek ai për t’u freskuar pak. Me duart e veta, Abrahami solli ujë që ata të pastronin këmbët nga pluhuri i rrugës. Ai e zgjodhi vetë ushqimin për ta dhe, ndërsa pushonin nën hijen e lisave, u përgatit një gosti e plotë. Abrahami qëndroi gjithë kohës në këmbë, në shenjë respekti, ndërsa ata shijuan mikpritjen e tij. Këtë akt mirësjelljeje, Perëndia nuk e harroi dhe i dha rëndësi të veçantë, duke e përfshirë në fjalën e Tij të shkruar, në Bibël; pas njëmijë vjetësh, kjo mikpritje do të përmendej nga apostulli i frymëzuar, i cili do të shkruante: “Mos harroni të praktikoni mikpritjen, sepse disa, duke e bërë këtë, priten nga engjëj pa e ditur!” - Hebrenjve 13:2. PPAlb 88.2

Abrahami pa tek të ftuarit vetëm tre udhëtarë të lodhur, pa e menduar se mes tyre ishte Njëri, që mund të adhurohej pa bërë mëkat. Por karakteri i vërtetë i lajmëtarëve qiellorë u bë i ditur. Edhe pse ata ishin nisur rrugës si lajmëtarë të inatit (të Perëndisë për mëkatin e shthurrjen e plotë të Sodomit dhe Gomorrës), ata folën së pari fjalë bekimi ndaj Abrahamit, njeriut të besimit. Edhe pse Perëndia nuk e toleron mëkatin dhe e dënon shkeljen e ligjit të Tij, Ai nuk kënaqet aspak në hakmarrje. Akti i shkatërrimit është një “akt i huaj” për Atë, që është i pafund në dashuri. PPAlb 88.3

“Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej Tij dhe Ai u bën të njohur atyre besëlidhjen.” - Psalmi 25:14. Abrahami kishte nderuar Perëndinë dhe Zoti e nderoi atë, duke ia marrë në konsideratë mendimet, duke ndarë me të vendimet, që merrte. “A t’ia mbaj fshehur atë, që do të bëj, Abrahamit?”, tha Zoti (- Zanafilla 18:17). “Britma, që ngrihet nga Sodomi dhe Gomorra është e madhe dhe, meqenëse mëkati i tyre është shumë i rëndë, unë do të zbres për të parë nëse kanë bërë me të vërtetë simbas britmës, që ka arritur tek unë, në rast të kundërt, kam për ta marrë vesh” (Vargjet 20, 21). Perëndia e dinte shumë mirë përmasën e fajit të Sodomit, por Ai u shpreh siç mund të shprehej një njeri i thjeshtë, në mënyrë që drejtësia e vendimeve të tij të kuptohej sa më qartë. Përpara se të sillte ndëshkimin mbi të shthurrurit, Ai do të zbriste Vetë, të shihte rrugën, që ata kishin marrrë. Në rast se ata nuk i kishin kaluar kufinjtë e mëshirës hyjnore, Ai do t’u jepte kohë për t’u penduar nga mëkatet. PPAlb 88.4

Dy nga lajmëtarët qiellorë u larguan, duke e lënë Abrahamin vetëm me Atë, të cilin tashmë patriarku e njohu të ishte Biri i Perëndisë. Dhe njeriu i besimit u përgjërua për banorët e Sodomit. Kohë më parë ai i kishte shpëtuar ata me anë të shpatës, kësaj radhe po përpiqej t’i shpëtonte me anë të lutjes. Loti dhe familja e tij ishin ende banorë atje. Dashuria altruiste, që kishte nxitur Abrahamin t’i shpëtonte ata nga Elamitët, kësaj radhe u përpoq t’i shpëtonte, në rast se ishte vullneti i Perëndisë, nga stuhia e ndëshkimit hyjnor. PPAlb 88.5

Me respekt e përulje të thellë, Abrahami parashtroi kërkesën e vet: “Marr guximin t’i flas Zotit, megjithëse unë nuk jam veçse pluhur dhe hi.” - Zanafilla 18:27. Nuk kishte vetëbesim këtu apo mburrje për virtytshmërinë e tij. Abrahami nuk pretendoi që Zoti t’i bënte ndere, meqë ai i ishte bindur Atij, apo, meqë kishte bërë sakrifica të shumta për të plotësuar vullnetin e Tij. Duke qenë vetë mëkatar, ai u përgjërua për hatër të mëkatarëve. Këtë frymë duhet të kenë të gjithë ata, që i përqasen Perëndisë. Por Abrahami tregoi afrinë, që ka një fëmijë, kur i kërkon diçka babait, që e do fort. Abrahami iu afrua Lajmëtarit qiellor dhe paraqiti peticionin e tij me vendosmëri. Edhe pse Loti ishte banor i Sodomit, ai nuk kishte marrë pjesë në shthurrjen e fëlliqësinë e banorëve të qytetit. Abrahami mendoi se, në këtë qytet të populluar, duhet të ketë edhe adhurues të tjerë të Perëndisë së vërtetë. Dhe duke patur këtë gjë parasysh, kërkoi, “Qoftë larg Teje, të bësh këtë gjë: të shkaktosh vdekjen e të virtytshmit bashkë me atë të të paudhit, kështu që i virtytshmi të trajtohet si i paudhi. Larg teje një mendim i tillë! Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?” - Zanafilla 18:25. Abrahami nuk e bëri kërkesën vetëm njëherë, për të larë gojën, por ngulmoi disa herë. Duke u bërë gjithnjë e më shumë guximtar, ndërsa Zoti ia pranonte kërkesat, ai vazhdoi deri sa u sigurua se, në rast se vetëm dhjetë njerëz të virtytshëm gjendeshin në qytet, ai nuk do të shkatërrohej. PPAlb 89.1

Lutja e Abrahamit u frymëzua nga dashuria për njerëzit, që ishin pranë greminës. Ndërsa ai urrente mëkatet e atij qyteti të shthurrur, Abrahami dëshironte që mëkatarët të shpëtoheshin. Interesimi i tij i madh për Sodomin tregon ankthin që ne duhet të kemi për ata, që nuk janë penduar ende. Ne duhet të ushtrojmë zemërimin tonë ndaj mëkatit, por nga ana tjetër të kemi simpati e dashuri për mëkatarin. Mes nesh ka njerëz, që po shkojnë drejt shkatërrimit, një shkatërrim, që është aq i pashpresë e aq i tmerrshëm, sa ai që ra mbi qytetin e Sodomit. Çdo ditë, koha e mëshirës për shumë njerëz merr fund. Çdo orë, disa janë duke kaluar përtej kufirit të mëshirës. Por, ku janë zërat paralajmërues, zërat përgjërues, që t’i bëjnë thirrje mëkatarit të largohet nga ky fund i tmerrshëm? Ku janë duart, që shtrihen për ta kapur e larguar atë nga vdekja e sigurt? Ku janë ata, që me përulësi dhe besim plot këmbëngulje po ndërmjetësojnë te Perëndia për këtë mëkatar? PPAlb 89.2

Fryma e Abrahamit ishte frymë e ngjashme me atë të Krishtit. Vetë Biri i Perëndisë është Ndërmjetësi i madh për hir të mëkatarit. Ai, që ka paguar çmimin për shpengimin e çdo qenie njerëzore, e njeh vlerën e tyre. Me një antagonizëm ndaj të keqes, që mund të ekzistojë vetëm tek dikush me një naturë të pastër e të panjollosur, Krishti tregoi ndaj mëkatarit një dashuri, që mund të vijë vetëm nga një mirësi, që nuk njeh fund. Në agoninë e momenteve të kryqëzimit, i rënduar nga pesha e tmerrshme e mëkateve të mbarë botës, Krishti u lut për torturuesit e vrasësit e Vet, “Atë, fali, sepse ata nuk e dinë se çfarë janë duke bërë.” - Luka 23:34. PPAlb 89.3

Për Abrahamin është shkruar se “ai u quajt mik (apo shok) i Perëndisë”, “ati i të gjithë atyre, që besojnë.” - Jakobit 2:23; Romakëve 4:11. Dëshmia e Perëndisë, për sa i përket këtij patriarku besnik është: “Abrahami iu bind vullnetit tim dhe respektoi urdhërat, urdhërimet, statutet dhe ligjet e mia.” Dhe përsëri, “Unë në fakt e kam zgjedhur, me qëllim që të urdhërojë bijtë dhe shtëpinë e tij ta ndjekin pas tij rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë, në mënyrë që Zoti të mund të plotësojë premtimet, që i ka dhënë Abrahamit.” - Zanafilla 26:5; 18:19. Abrahami ishte thirrur për një nder të lartë, të qënurit baba i atyre njerëzve që, për shekuj më radhë, do të ishin mirëmbajtësit dhe ruajtësit e së vërtetës së Perëndisë për botën; baba i atij populli, nëpërmjet të cilit të gjithë kombet e tokës duhet të bekoheshin, me ardhjen e Mesias (Krishtit) së premtuar. Por, Ai, që e thirri patriarkun, e konsideroi atë të denjë. Eshtë vetë Perëndia, që flet. Ai, që i kupton mendimet nga larg dhe që bën një vlerësim të saktë për çdo njeri, thotë “Unë e njoh atë”. Nga ana e tij, Abrahami nuk do ta tradhtonte të vërtetën për qëllimet e tij egoiste. Ai do të mbante ligjin dhe do të tregohej i drejtë dhe i virtytshëm. Dhe Ai, jo vetëm që do t’i druhej Zotit për vete, por do të aplikonte fenë e vërtetë në shtëpinë e vet. Ai do ta mësonte familjen e tij me virtytshmëri. Ligji i Perëndisë do të ishte fuqiplotë në banesën e tij. PPAlb 89.4

Vendbanimi i Abrahamit përfshinte më shumë se njëmijë vetë. Ata, që ishin drejtuar nga udhëzimet e tij për të adhuruar vetëm një Perëndi, gjetën një shtëpi në banesën e tij dhe këtu, ashtu si në një shkollë, ata morën udhëzime, që do t’i përgatisnin të ishin përfaqësues të besimit të vërtetë. Kështu, një përgjegjësi e madhe binte mbi shpatullat e Abrahamit. Ai mësonte krerët e familjeve dhe metodat e tij të administrimit do të aplikoheshin në çdo familje, në vendbanimin të tij të madh, që përfaqësohej nga këta krerë. PPAlb 90.1

Në kohërat e hershme, babai ishte i pari por edhe prift në familjen e vet. Ai ushtronte autoritet mbi fëmijët e tij edhe kur këta të fundit kishin familjet e tyre. Të gjithë pasardhësit edukoheshin ta respektonin atë si krye, si në çështje fetare ashtu edhe në ato laike. Abrahami u përpoq që ky sistem patriarkal administrimi të vazhdonte brez pas brezi, sepse kështu ruhej dhe njohuria për Perëndinë e vërtetë. Ishte e domosdoshme t’i mbante anëtarët e çdo familjeje të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, me qëllim ndërtimin e një pengese kundër idhujtarisë, që ishte përhapur dhe rrënjosur aq shumë. Abrahami u përpoq me çdo mjet, që kishte në dorë, të ruante pjesëtarët e vendbanimit të tij nga përzierja me paganët dhe nga zakonet e tyre idhujtare, sepse ai e kishte kuptuar mirë se,familjariteti me ligësinë dhe shthurrjen do të korruptonte çdo parim. Kujdesi më i madh u tregua për asgjësimin e çdo lloj forme feje të rreme si dhe për të rifreskuar çdo mendje se madhështia dhe lavdia e Perëndisë, që jeton, ishte objekti i vërtetë i adhurimit. PPAlb 90.2

Ishte një organizim i mënçur, të cilin Vetë Perëndia e kishte bërë, për t’i mbajtur njerëzit e Tij të shkëputur, sa më larg, nga çdo lidhje me paganët, duke bërë që ata të banonin të veçuar, dhe jo të përzier mes kombeve të tjerë. Ai e kishte ndarë Abrahamin nga farefisi i tij idhujtar, me qëllim që patriarku të mësonte e edukonte familjen e tij larg ndikimeve joshëse, që do t’i kishin rrethuar në Mesopotami. Gjithashtu, synimi tjetër i Perëndisë ishte që besimi i vërtetë të mund të ruhej në pastërtinë e vet të plotë nga pasardhësit e Abrahamit, nga njëri brez në tjetrin. PPAlb 90.3

Pasioni i Abrahamit për fëmijët dhe të afërmit e tij e bënë që ai të ruante besimin e tyre fetar, t’u mësonte atyre njohurinë e statuteve hyjnore, si trashëgiminë më të çmuar që mund t’u linte atyre dhe, nëpërmjet tyre, botës. Të gjithëve iu mësua se ata ishin nën pushtetin e Perëndisë së qiellit. Nuk duhet të kishte përdorim dhune nga ana e prindërve dhe mosbindje nga ana e fëmijëve. Ligji i Perëndisë përcaktonte detyra për secilin prej tyre dhe vetëm duke iu përmbajtur ligjit mund të sigurohej si lumturia, ashtu edhe begatia. PPAlb 90.4

Shembulli i tij personal, ndikimi pa zhurmë i jetës së tij të përditshme, ishte një mësim i vazhdueshëm. Përshtatshmëria e tij e palëkundshme, mirësia dhe mirësjellja e tij e pashoqe, e cila kishte bërë për vete mbretër të shumtë, praktikoheshin në ambientin familjar. Ekzistonte një aromë rreth jetës së tij, një fisnikëri dhe bukuri karakteri, që ua bënin të ditur të gjithëve se Abrahami ishte i lidhur me Qiellin. Ai nuk neglizhoi kurrë as edhe shërbëtorin më të ulët. Në shtëpinë e tij nuk kishte një ligj për zotërinë e një tjetër për shërbëtorin, një udhë mbretërore për të pasurit dhe një tjetër për të varfërit. Të gjithë trajtoheshin me drejtësi dhe simpati, si bashkëtrashëgimtarë të hirit të jetës. PPAlb 91.1

“Ai do të urdhërojë...shtëpinë e tij.” Kjo do të thoshte se prindi nuk duhet të neglizhonte aspak tendencën për mëkat të fëmijëve, ky neglizhim e bënte prindin fajtor. Nuk do të kishte përjashtim të papërgjegjshëm apo llastim të asnjë lloji. Nuk do të kishte asnjë lëshim dhe nuk duhet të tregohej asnjë dobësi, përsa u përket detyrave të tij si prind ndaj fëmijëve. Abrahami do të jepte jo vetëm udhëzimet e duhura, por, gjithashtu, do të mbante autoritetin e ligjeve, që përmbanin drejtësi e virtytshmëri. PPAlb 91.2

Sa pak njerëz gjenden në ditët tona, të cilët ndjekin këtë shembull! Nga ana e shumë prindërve vihet re një sentimentalizëm i verbër dhe egoist, dashuri boshe, e cila manifestohet kur fëmijët lihen të veprojnë sipas dëshirës së tyre, me gjykim të paformuar si dhe me ndjenja pasioni të padisiplinuara. Kjo është gjëja më e keqe që mund t’i shkaktosh fëmijës dhe një mëkat i rëndë, me pasoja për mbarë botën. Fryma liberaliste dhe mungesa e autoritetit në familje, e ushqyer nga prindërit, shkakton rrëmujë në familje dhe në shoqëri. Ajo forcon tek të rinjtë dëshirën për të ndjekur tendencat e tyre rebele, në vend që t’u nënshtrohen kritereve hyjnore. Në këtë mënyrë, ata rriten me një zemër rezistuese ndaj vullnetit të Perëndisë, duke ua transmetuar këtë frymë ateiste dhe të papërgjegjshme fëmijëve të tyre dhe fëmijëve të fëmijëve të tyre. Ashtu si Abrahami, prindërit e sotëm duhet ta komandojnë shtëpinë pas tyre. Bindja ndaj autoritetit prindëror duhet edukuar dhe vënë në zbatim si hapi i parë në bindjen, që duhet treguar ndaj autoritetit të Perëndisë. PPAlb 91.3

Vlerësimi minimal, që i bëhet ligjit të Perëndisë, madje edhe nga drejtuesit fetarë, ka prodhuar gjëra tmerrësisht të këqija. Mësimi i rremë, që është përhapur më shumë, pretendon se statutet hyjnore nuk janë më të detyrueshme për njerëzit. Ky mësim ka të njëjtin efekt si idhujtaria për moralin e njerëzve. Ata, që përpiqen të minimizojnë peshën e ligjit të shenjtë të Perëndisë, po përpiqen të godasin drejtpërsëdrejt themelin e administrimit të familjeve dhe kombeve. Prindërit fetarë, të cilët nuk i respektojnë siç duhet statutet e Perëndisë, nuk i urdhërojnë fëmijët e tyre të vazhdojnë të ndjekin rrugën e Zotit. Ligji i Perëndisë nuk shihet më si rregulli i parë në jetë. Kur ndërtojnë shtëpinë e tyre, fëmijët nuk ndjehen para kurrfarë detyrimi që t’u mësojnë fëmijëve të tyre gjëra, që askush nuk ua mësoi. Dhe kjo është arsyeja se pse ekzistojnë kaq shumë familje pa asnjë ambient shpirtëror; kjo është arsyeja se pse mëkati dhe shthurrja janë përhapur kudo dhe thellë. PPAlb 91.4

Vetëm atëherë kur vetë prindërit jetojnë në përputhje me ligjin e Perëndisë, me zemra të përsosura, do të jenë të përgatitur të urdhërojnë fëmijët e tyre t’i ndjekin pas. Në këtë aspekt, ka nevojë për reformim, një reformim, që duhet të jetë i thellë dhe i gjërë. Prindërit duhet të ndryshojnë, pra të reformohen; pastorët dhe drejtuesit e bashkësive duhet të ndryshojnë, ata kanë nevojë për Perëndinë në shtëpitë e tyre. Nëse ata do të vinin re një situatë të ndryshme, ata duhet të sjellin fjalën e Tij në familjet e tyre dhe duhet të këshillohen gjithmonë me të. Prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve se ai është zëri i Perëndisë, që u drejtohet atyre dhe se ata duhet t’i binden atij pa diskutim. Ata duhet të edukojnë me durim fëmijët, duke i mësuar me përzemërsi dhe pa u lodhur, se si të jetojnë në atë mënyrë, që pëlqehet nga Perëndia. Kështu, fëmijët e këtyre familjeve do të jenë të përgatitur për t’i bërë ballë dinakërisë, që spikat tek mosbesnikëria. Ata kanë pranuar Biblën si bazë për besimin e tyre dhe kanë një themel të tillë, që nuk mund të shkatërrohet dot nga stuhitë e forta të skepticizmit. PPAlb 92.1

Lutja neglizhohet në shumë ambiente familjare. Prindërit mendojnë se nuk kanë kohë për periudhën e adhurimit në mëngjes dhe mbrëmje. Ata nuk kursejnë as disa çaste, që t’i shpenzojnë për të falenderuar Perëndinë për mëshirën e Tij të jashtëzakonshme, për dritën e bekuar të diellit dhe për rreshjet e shiut, të cilat ndihmojnë bimësinë që të rritet, si dhe për mbrojtjen e tyre, që sigurohet nga engjëjt e shenjtë. Nuk kanë kohë për të bërë kërkesa lutjeje për ndihmë dhe udhërrëfim nga ana e Perëndisë; nuk gjejnë kohë as për të kërkuar që Jezusi të ketë një prani mbizotëruese në familjen e tyre. Ata dalin nga shtëpia për të punuar, ashtu si do të bënin qetë apo kuajt, pa menduar aspak për Perëndinë apo qiellin. Ata janë aq të çmuar sa Biri i Perëndisë, në vend që t’i linte të lirë, të humbisnin përfundimisht, dha jetën e Vet për t’i shpëtuar, por ata vështirë se e vlerësojnë mirësinë e Tij të madhërishme më shumë sesa kafshët, që zhduken. PPAlb 92.2

Si patriarkët e moçëm, ata, që pretendojnë se e duan Perëndinë, duhet t’i ndërtojnë një altar Zotit, kudo që e ngrejnë çadrën e tyre. Nëse ka patur një kohë në të cilën çdo shtëpi duhet të jetë një shtëpi lutjeje, ajo kohë është tani. Baballarët e nënat duhet të ngrenë zemrat e tyre lart drejt Perëndisë, duke bërë kërkesa me përulësi për veten dhe fëmijët e tyre. Babai, si udhëheqës shpirtëror i familjes, duhet të vendosë mbi altarin e Perëndisë flijimin e mëngjesit dhe të mbrëmjes, ndërsa gruaja dhe fëmijët bashkohen në lutje dhe lavdërim. Jezusi do të dëshironte aq shumë të banonte në një shtëpi të tillë! PPAlb 92.3

Nga çdo familje e krishterë duhet të ndriçojë një dritë e shenjtë. Dashuria duhet të shfaqet me vepra. Duhet të praktikohet në çdo lloj marrëdhëniesh brenda familjes, duke u manifestuar në mirësi dhe konsideratë, në një përzemërsi të butë e të ëmbël. Ka shtëpi në të cilat ky parim praktikohet, shtëpi ku Perëndia adhurohet dhe dashuria më e vërtetë mbretëron. Nga këto shtëpi, lutja e mëngjesit dhe e mbrëmjes ngrihen lart tek Perëndia, si një temjan i ëmbël, dhe mëshira e bekimet e Tij bien mbi pjesëtarët e familjes si vesa e mëngjesit. PPAlb 92.4

Një familje e krishterë, që është e rregullt dhe e disiplinuar, është një argument shumë i fortë në favor të realitetit të fesë së krishterë, një argument që jobesimtarët nuk mund ta kundërshtojnë lehtë. Të gjithë mund të shikojnë se ka diçka shpirtërore, që funksionon në familje, e cila ndikon pozitivisht tek fëmijët dhe se Perëndia i Abrahamit është me ta. Nëse shtëpitë e atyre, që pretendojnë se janë besimtarë të krishterë, do të kishin mësimin e duhur fetar, do të ishin në gjendje të ushtronin një influencë për mirë edhe më gjërë, pra jashtë mureve të shtëpisë. Kështu, do të ishin, në kuptimin e vërtetë të fjalës, “drita e botës”. Perëndia i qiellit i flet sot çdo prindi besnik me fjalët, që iu drejtuan Abrahamit: “Sepse Unë e njoh atë, me qëllim që të urdhërojë fëmijët dhe shtëpinë e tij ta ndjekin pas në rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë, në mënyrë që Zoti të mund të plotësojë premtimet, që i ka dhënë Abrahamit.” - Zanafilla 18:19. PPAlb 92.5