PATRIARKË DHE PROFETË

11/74

11—“THIRRJA E ABRAHAMIT”

*****

Pasi shpërndarjes së njerëzve nga Babeli, idhujtaria mori sërish, pak a shumë, përmasa universale. Më në fund, Zoti i la shkelësit e betuar të ligjit të Tij të ndiqnin rrugën e tyre të mëkatit e ligësisë, ndërsa, nga ana tjetër, zgjodhi Abrahamin, nga pasardhësit e Shemit dhe e bëri atë mbajtësin e ligjit të Tij, për brezat e ardhshëm. Abrahami kishte kaluar fëmijërinë në një mjedis supersticioni dhe paganizmi. Madje edhe farefisi i tij, nga i cili njohuria mbi Perëndinë e vërtetë ishte ruajtur, po lëshonte pe ndaj ndikimeve joshëse, që i rrethonin; ata “u shërbenin edhe perëndive të tjera” (të rreme) përveç Jahveh, Perëndisë së vërtetë. Por besimi i vërtetë nuk do të fashitej. Perëndia ka patur gjithmonë një pakicë, apo grup besimtarësh, të cilët i kanë shërbyer vetëm Atij. Adami, Seti, Enoku, Methuselahu, Noeu, Shemi, brez pas brezi, pa ndërprerje, kishin ruajtur, për qindra vjet, zbulesat e çmuara të vullnetit hyjnor. Kështu, Abrahami, biri i Terahut, u bë trashëgimtari i këtij besimi të shenjtë. Idhujtaria e tundonte nga të katër anët, por më kot. Besnik ndër të pabesët, i papërlyer nga apostazia mbizotëruese, Abrahami iu përkushtua me gjithë zemër e mendje adhurimit të Zotit, të vetmit Perëndi të vërtetë. “Zoti është pranë gjithë atyre, që kërkojnë, pranë gjithë atyre, që e kërkojnë në të vërtetë.” - Psalmi 145:18. Zoti ia komunikoi vullnetin e Tij Abrahamit dhe i dha atij një njohuri shëmbullore të kritereve të ligjit të Tij dhe të shpëtimit, që do të realizohej nëpërmjet Krishtit. PPAlb 77.1

Abrahamit iu dha një premtim, një premtim, që është shumë domethënës, veçanërisht për njerëz, që janë të moshuar: një pasardhje e madhe në numër dhe madhështore. “Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd dhe ti do të jesh një bekim.” - Zanafilla 12:2. Këtij premtimi iu bashkangjit diçka e veçantë, që për trashëgimtarin e besimit ishte gjëja më e çmuar: sigurimi nga ana e Perëndisë se Shpenguesi i kësaj bote do të vinte nga pasardhësit e tij: “Në ty do të bekohen familjet e mbarë botës.” Megjithatë, si kusht parësor i përmbushjes, besimi i tij duhet të vihej në provë; u kërkua një sakrificë. PPAlb 77.2

Mesazhi nga Perëndia mbërriti tek Abrahami, “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd dhe shko në vendin, që do të të tregoj.” - Zanafilla 12:1. Në mënyrë që Perëndia ta përgatiste për punën madhështore, që e priste, si ruajtës i profecive të shenjta, Abrahami duhet të ndahej nga shoqëria, që e rrethonte në vitet e rinisë së tij. Përndryshe, ndikimi i farefisit e shokëve do t’i prishte punë e dëmtonte përgatitjen, që Zoti kishte menduar t’i jepte shërbëtorit të tij. Tani që Abrahami ishte i lidhur me qiellin, në një mënyrë të posaçme, i duhej të banonte mes të huajve. Karakteri i tij duhej të ishte shëmbullor, ndryshe nga bota. Ai nuk mund t’u shpjegonte as shokëve të vet rrugën, që do të ndiqte. Gjërat shpirtërore apo frymërore kuptohen vetëm shpirtërisht apo frymërisht. Kështu, motivet dhe veprimet e Abrahamit nuk mund të kuptoheshin dot nga farefisi dhe shoqëria e tij idhujtare. “Me anë të besimit, Abrahami, kur u thirr, u bind të shkojë në atë vend, që do të merrte për trashëgim; dhe u nis pa ditur se ku po shkonte.” - Hebrenjve 11:8. Besnikëria absolute e Abrahamit është një nga dëshmitë më gjurmëlënëse të besimit, që gjenden në Bibël. Për Abrahamin, besimi ishte “siguria e gjërave, që shpresohen, tregim i gjërave, që nuk shihen.” - Hebrenjve 11:1. Duke u mbështetur plotësisht tek premtimi hyjnor, pa pasur as më të paktën siguri për përmbushjen e tij, Abrahami braktisi shtëpi e katandi, la familjen dhe atdheun dhe u nis për udhë, duke mos e ditur fare për ku. Ai u nis për të ndjekur udhën, në të cilën do ta drejtonte vetë Perëndia. “Me anë të besimit, Abrahami u bë një udhëtar në tokën e premtuar, si në një dhe të huaj, duke ndenjur në çadra bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të tij të të njëjtit premtim.” - Hebrenjve 11:9. PPAlb 77.3

Prova e besimit, që iu bë Abrahamit, nuk ishte aspak e lehtë. Sakrifica, që iu kërkua, nuk ishte aspak e vogël. Natyrisht që ai ishte mjaft i lidhur me vendin, farefisin dhe familjen e tij. Por ai nuk hezitoi që t’i bindej thirrjes hyjnore. Ai nuk bëri as pyetje përsa i përket tokës së premtimit, nëse toka ishte pjellore, nëse klima ishte e shëndetshmë, nëse ai vend i huaj ishte i begatë dhe tërheqës, nëse do të krijonte mundësi për mbledhje pasurie. Perëndia kishte folur dhe shërbëtori i Tij thjesht duhet t’i bindej. Vendi më i lumtur në botë për të ishte vendi, në të cilin Perëndia dëshironte që ai të ishte. PPAlb 78.1

Shumë njerëz sot vihen në prova të ngjashme me atë të Abrahamit. Ata ndoshta nuk e dëgjojnë zërin e Perëndisë duke folur drejtpërdrejt nga qielli, por Ai i thërret ata me anë të mësimeve të fjalës së Tij dhe rrethanave e situatave, që Ai i ka në dorë. Këtyre njerëzve mund t’u kërkohet të braktisin një karrierë, që premton pasuri e ndere, të lënë mënjanë interesat përfituese e shoqërore dhe të ndahen nga të afërmit; të nisin atë që duket si një udhë vetëmohimi, vështirësie dhe sakrifice. Perëndia ka një punë për ta, që duhet bërë; por një jetë e rehatshme si dhe ndikimi i shoqërisë e farefisit do të pengonte zhvillimin e spikatjen e atyre cilësive e karakteristikave, që janë të domosdoshme për përfundimin me sukses të kësaj pune. Perëndia u bën thirrje këtyre njerëzve që të mbajnë distancë nga ndikimi apo ndihma e të tjerëve. Ai i drejton në atë mënyrë, që ata të ndiejnë nevojë vetëm për ndihmën e Tij dhe të mbështeten vetëm tek Ai, që Ai të mund t’u shfaqet atyre. Kush është i gatshëm që, pas thirrjes së Perëndisë, t’u thotë jo planeve të veta e lidhjeve familjare? Kush do të pranojë detyra të reja e të provojë fusha të reja të paprovuara më parë? Kush do të bëjë punën e Perëndisë, me një zemër të gatshme e të bindur, duke i llogaritur humbjet e veta si fitore për hir të Krishtit? Ai apo ajo, që do ta bëjë këtë, ka besimin e Abrahamit dhe do të ndajë me këtë të fundit atë “peshë të pamasë e të pashoqe të përjetshme lavdie” me të cilën “vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë, që do të shfaqet.” - 2 Korintasve 4:17; Romakëve 8:18. PPAlb 78.2

Thirrja nga qielli i erdhi Abrahamit, për herë të parë, kur banonte në qytetin “Ur të Kaldeasve” dhe, duke iu bindur kësaj thirrjeje, ai u shpërngul për në Haran. Deri në këtë pikë, atë e shoqëruan të afërmit e vet. Këta të fundit kishin përzier idhujtarinë me adhurimin e Perëndisë së vërtetë. Abrahami qëndroi në Haran deri sa i vdiq i ati, Terahu. Por, pas varrimit të Terahut, Zëri hyjnor i kërkoi Abrahamit që të merrte rrugën. I vëllai Nahori dhe familja e tij nuk u shkëputën nga shtëpia dhe idhujt e tyre. Përveç Sarës, gruas së Abrahamit, vetëm Loti, djali i Haranit, (vëllai i Abrahamit që kishte vdekur prej kohësh), vendosi të bëjë, bashkë me xhaxhain e tij patriark, jetën e pelegrinit. Megjithatë, grupi, që u nis nga Mesopotamia, nuk ishte i vogël. Prej shumë kohësh, Abrahami zotëronte tufa të mëdha bagëtish e gjëje të gjallë, pasuritë e Lindjes, si dhe rrethohej nga një numër i madh shërbëtorësh e nëpunësish. Ai po largohej nga toka e etërve të tij, për të mos u kthyer më kurrë dhe mori me vete gjithçka kishte, “të gjithë pasurinë, që kishin grumbulluar dhe njerëzit, që kishin rekrutuar në Haran.” - Zanafilla 12:5a. Ndër këta të fundit, shumë prej tyre priheshin nga ideale shumë më të larta se shërbimi, apo vetëinteresi. Gjatë qëndrimit në Haran, si Abrahami ashtu edhe Sara kishin drejtuar të tjerët drejt adhurimit dhe shërbimit të Perëndisë së vërtetë. Këta njerëz iu bashkuan familjes së patriarkut dhe e shoqëruan atë për në tokën e premtimit dhe u nisën për të vajtur në vendin e Kanaanëve. E kështu mbërritën në vendin e Kanaanit” (Vargu 5b). PPAlb 78.3

Vendi në të cilin u vendosën në fillim quhej Shekem. Nën hijen e lisave të Morehut, në një luginë të gjerë e të gjelbëruar, me rrënjë ullinjsh e burime uji të pijshëm, ndërmjet Malit Ebal nga njëra anë dhe Malit Gerizim nga ana tjetër, Abrahami shtriu tendat. Ishte një vend vërtet i bukur dhe i hijshëm aty, ku patriarku kishte hyrë, ” një vend me rrjedha uji e me burime, që dalin nga luginat dhe nga malet; një vend me grurë dhe elb, me vreshta, me fiq dhe shegë, një vend me ullinj, që japin vaj dhe me mjaltë.” - Ligji i Përtërirë 8:7, 8. Por, për adhuruesin e Zotit, një hije e rëndë ndihej mbi çdo kodër të veshur me pyje e çdo fushë të mbuluar me fruta. “Kanaanejtë gjendeshin atëherë në këtë tokë.” Zanafilla 12:6. Abrahami kishte realizuar synimin e shpresave të tij, duke gjetur një vend të zënë nga një racë e huaj dhe e mbuluar me idhujtari. Nëpër pyje ishin ndërtuar altarë të perëndive të rreme dhe në lartësitë përreth kryheshin flijime njerëzore. Ndërsa nuk iu nda për asnjë çast premtimit hyjnor, Abrahami e ngriti çadrën e vet, i shqetësuar e i pikëlluar. Por, atëherë, “Zoti u shfaq përpara Abramit dhe i tha: ‘pasardhësve të tu do t’ua jap këtë vend’.” - Zanafilla 12:7a. Ky sigurim nga ana e Zotit e forcoi besimin e Abrahamit dhe, tashmë, ai e dinte se prania hyjnore ishte me të dhe se ai nuk do të lihej në mëshirën e të paudhëve. “Dhe, pikërisht atje, Abrami i ndërtoi një altar Zotit, që i ishte shfaqur” (vargu 7b). Por, si një udhëtar i përhershëm, pas pak, ai u shpërngul drejt një vendi afër Betelit dhe sërish ngriti një altar dhe thirri emrin e Zotit. PPAlb 79.1

Abrahami, ‘miku i Perëndisë’, krijoi për ne një shembull të vyer. Lutja ishte pjesë qëndrore e jetës së tij. Kudo që ai ngrinte çadrat, aty pranë do të ngrihej një altar, duke grumbulluar të gjithë pjesëtarët e kampit të tij që të vinin për flijimin e mëngjesit dhe atë të mbrëmjes. Edhe, kur vinte koha të hiqte çadrat, altari mbetej atje. Gjatë viteve në vazhdim, ndër Kanaanenjtë, që udhëtonin, do të kishte nga ata, që do të merrnin udhëzime nga Abrahami; dhe sa herë ndodhte që njërit prej tyre t’i binte rruga nga altari, ai e dinte se kush kishte qenë më përpara në atë vend dhe, kur ngrinte çadrën për vete, ai riparonte edhe altarin dhe pastaj adhuronte aty Perëndinë, që jeton. PPAlb 79.2

Abrahami vazhdoi të udhëtonte drejt jugut dhe, sërish, besimi i tij u vu në provë. Qiejt i mbajtën rreshjet, burimet nëpër lugina u thanë dhe nuk rridhnin më, ndërsa bari nëpër fusha u tha. Nuk kishte më kullota për bagëtinë e dhentë. Uria kërcënoi mbarë kampin. A nuk e vuri në pikëpyetje patriarku, në këtë moment, drejtimin nga ana e Perëndisë? A nuk e ktheu kokën pas me ëndje duke sjellë në mendje begatinë e fushave Kaldease? Të gjithë, pa dallim, po prisnin me padurim për të parë se çfarë do të bënte Abrahami, ndërsa kushtet po vështirësoheshin çdo ditë e më tepër. Për aq kohë sa besimi i tij dukej i patundshëm, ata ndjenë se kishte ende shpresë. Ata ishin të sigurt se Perëndia ishte Miku i tij dhe se Ai po vazhdonte ta drejtonte. PPAlb 80.1

Abrahami nuk mund të shpjegonte dot drejtimin, që vinte nga ana e Perëndisë, në këto rrethana. Ai, sigurisht, nuk i kishte realizuar aspiratat e veta, por ai nguli këmbë tek premtimi, “Unë do të të bekoj, dhe do ta bëj emrin tënd të madh; dhe ti do të jesh një bekim.” - Zanafilla 12:2. Me lutje të sinqerta, ai mendoi si të ruante jetën e njerëzve të tij dhe të gjësë së gjallë. Por, në asnjë çast, nuk i lejoi rrethanat, që të trondisnin besimin e tij në fjalën e Perëndisë. Për të shpëtuar nga thatësira, ai u nis për në Egjipt. Ai nuk e braktisi Kanaanin dhe nuk u kthye në tokën kaldease, nga e cila kishte ardhur, aty ku kishte bukë me bollëk; në vend të kësaj, Abrahami zgjodhi një vendstrehim të përkohshëm, sa më pranë Tokës së Premtimit, duke synuar rikthimin e shpejtë në vendin, që i kishte caktuar vetë Perëndia. PPAlb 80.2

Perëndia, duke ndikuar në rrethanat, e solli këtë provë për Abrahamin me synimin për t’i dhënë atij mësime për përuljen, durimin, dhe besimin, mësime këto, që do të mbaheshin shënim për të mirën e të gjithë atyre, që do të thirreshin për të përballuar situata nga më të vështirat e më të dhimbshmet. Perëndia i drejton fëmijët e Tij me anë të një udhe, që ata nuk e njohin, por Ai nuk harron dhe nuk neglizhon aspak ata, që e vendosin besimin e tyre tek Ai. Ai lejoi vuajtjen të vinte tek Jobi, por Ai nuk e braktisi atë për asnjë çast. Ai e lejoi Gjonin, apostullin e dashur të Krishtit, të internohej në ishullin e shkretë të Patmosit, por Biri i Perëndisë e takoi atë pikërisht atje dhe vegimi i tij u mbush me skena lavdie të pavdekshme. Perëndia lejon që provat të sulmojnë njerëzit e Tij që, me bindjen dhe besimin e tyre të vazhdueshëm, ata vetë të forcohen e pasurohen shpirtërisht dhe që shembulli i tyre të jetë burim force për të tjerët. “Unë i njoh mendimet, që kam për ju,” thotë Zoti, “mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë.” - Jeremia 29:11. Të njëjtat prova, që testojnë në maksimum besimin tonë dhe të cilat shpesh të japin përshtypjen se Perëndia na ka braktisur, jepen në të vërtetë për të na çuar më afër Krishtit. Ato jepen që ne të mund t’i lëmë gjithë shqetësimet tek këmbët e Tij dhe që të përjetojmë paqen, që Ai do të na japë në shkëmbim. PPAlb 80.3

Perëndia gjithmonë i ka vënë në provë njerëzit e Tij në furrnaltën e vuajtjeve. Pikërisht, në nxehtësinë e furrnaltës, ndahet ari i kulluar i karakterit të krishterë nga papastërtitë e ndryshme. Jezusi e vëzhgon këtë provë tonën; Ai e di se çfarë nevojitet për të pastruar metalin e çmuar, në mënyrë që ai të reflektojë rrezatimin e dashurisë së Tij. Pikërisht me anë të provave të vështira, Perëndia u mëson disiplinën shërbyesve të Tij. Ai sheh se disa kanë forca, që mund të përdoren për zgjerimin dhe ecjen përpara të punës së Tij dhe Ai i vë këta njerëz përpara provës. Duke ndikuar tek rrethanat, Perëndia i sjell këta njerëz në pozita të tilla, ku karakteri i tyre testohet dhe evidentohen difekte dhe dobësi të cilat ata kujtojnë se nuk i kanë. Kështu, Ai u jep atyre një mundësi të artë për të korrigjuar këto difekte dhe të përgatiten për shërbimin ndaj Tij. Ai u tregon atyre dobësitë, që kanë dhe i mëson që të mbështeten tek Ai; sepse Ai ështe ndihma dhe ruajtësi i vetëm që kanë. Kështu arrihet objektivi i Perëndisë. Këta njerëz edukohen, përgatiten dhe disiplinohen, të gatshëm për të përmbushur qëllimin madhështor për të cilin u janë dhënë fuqit, që disponojnë. Kur Perëndia i thërret për të vepruar, ata janë gati dhe kështu engjëjt e qiellit mund të bashkohen me ta në punën, që duhet realizuar në tokë. PPAlb 80.4

Gjatë qëndrimit të tij në Egjipt, Abrahami dha prova se kishte ende dobësi dhe papërsosmëri si njeri. Duke fshehur, për shembull, faktin se Sarën e kishte grua, Abrahami tregoi një mungesë të theksuar mosbesimi në përkujdesjen hyjnore. Gjithashtu, tek ai u evidentua një mungesë e besimit dhe e kurajos, që e kishin karakterizuar aq shpesh dhe me hijshmëri përgjatë jetës së tij. Sara kishte një paraqitje të jashtme mjaft tërheqëse, dhe Abrahami nuk kishte as dyshimin më të vogël se egjiptianët do ta lakmonin këtë bukuroshe të huaj dhe se, me qëllim, për ta bërë të tyren, ata nuk do të hezitonin aspak të vrisnin burrin e saj. Abrahami arsyetoi se ai nuk ishte fajtor për mashtrim, duke e paraqitur Sarën si motrën e vet, meqë, në të vërtetë, ajo ishte vajza e babait të tij, edhe pse jo e nënës së tij. Por kjo fshehje e marrëdhënies së tyre të vërtetë ishte mashtrim. Asnjë devijim nga integriteti strikt nuk e merr aprovimin e Perëndisë. Nëpërmjet mungesës së besimit nga ana e Abrahamit, Sara e gjeti veten të kanosur nga rreziqe të shumta. Mbreti i Egjiptit, pasi u informua për bukurinë e saj, bëri që ajo të merrej në pallatin mbretëror, me synimin për ta marrë për grua. Por Zoti, në mëshirën e Tij të madhërishme, e mbrojti Sarën, duke paralajmëruar oborrin mbretëror. Nëpërmjet këtij paralajmërimi, monarku mori vesh se cila ishte e vërteta, dhe, i indinjuar nga mashtrimi i Abrahamit ndaj tij, ai e qortoi atë dhe ia ktheu gruan duke i thënë: “Çfarë është kjo që më ke punuar? Pse nuk më the që ajo ishte gruaja jote? Pse më the: ‘është motra ime’? Kështu unë kisha për ta marrë atë për grua! Ja, pra, ku është gruaja jote; merre me vete dhe nisu!” - Zanafilla 12:18, 19. PPAlb 81.1

Abrahami, në fakt, u favorizua shumë nga mbreti; edhe në situatën e sapopërshkruar, Faraoni dha urdhër që Abrahami, të afërmit dhe shoqëruesit e tij të ruheshin. Gjithashtu, ai urdhëroi rojet e tij që t’i shoqëronin deri në dalje të territorit të mbretërisë. Në këtë kohë dolën ligje, që i ndalonin egjiptianët të kishin çfarëdo marrënie me barinjtë e huaj, qoftë edhe kur bëhej fjalë për të ngrënë apo pirë së bashku. Përzënia e Abrahamit nga Faraoni ishte në pamje të parë e hijshme dhe e përzemërt; por, në fakt, ai i kërkoi Abrahamit të largohej nga Egjipti, sepse nuk guxonte t’i jepte leje që të qëndronte. Pa e ditur, ai ishte ndodhur në një situatë, në të cilën ai kishte për ta dëmtuar rëndë Abrahamin, por Perëndia kishte ndërhyrë, dhe e kishte shpëtuar monarkun nga kryerja e një mëkati të rëndë. Faraoni pa tek ky i huaj një burrë, të cilin vetë Perëndia e respektonte dhe si pasojë, atë e zuri një frikë e madhë, meqë kishte në mbretërinë e vet dikë, që gëzonte kaq hapur favorin hyjnor. Po të kishte qëndruar Abrahami në Egjipt, pasuria dhe nderimi i tij në rritje kishte shumë gjasa të nxiste lakminë e egjiptianëve dhe, llogjikisht, ai mund të sulmohej a dëmtohej. Për këtë Faraoni kishte për t’u konsderuar përgjegjës, dhe oborri i tij mbretëror kishte për t’u ndëshkuar. PPAlb 81.2

Paralajmërimi, që iu dha Faraonit, shërbeu si mbrojtje për Abrahamin, në marrëdhëniet e tij të mëpasme me popujt paganë. Sigurisht, kjo ngjarje nuk mund të mbahej e fshehtë, por mori dhenë. U pa qartë nga të gjithë se Perëndia, të cilin Abrahami adhuronte, kishte për ta mbrojtur shërbyesin e Tij dhe se çdo dëm, që mund t’i shkaktohej, do të ndizte hakmarrjen hyjnore. Eshtë një gjë vërtet e rrezikshme t’i bësh keq njërit prej fëmijëve të Perëndisë, Mbretit qiellor. Psalmisti i referohet këtij kapitulli të ekspereiencës së Abrahamit, kur thotë, duke folur për njerëzit e zgjedhur, se Perëndia “nuk lejoi që t’i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre, dhe tha: ‘Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi?'.” - Psalmi 105: 14,15. PPAlb 82.1

Ekziston një ngjashmëri interesante ndërmjet eksperiencës së Abrahamit në Egjipt, dhe asaj të pasardhjes së tij, shekuj më vonë. Të dy zbritën në Egjipt për shkak të thatësirës dhe të dy bënë një ndalesë atje. Nëpërmjet manifestimeve të ndëshkimit hyjnor në favor të tyre, egjiptianët i pllakosi frika ndaj tyre; dhe, të pasuruar nga dhuratat e paganëve, ata u larguan prej andej me bollëk e të mira të shumta materiale. PPAlb 82.2