PATRIARKË DHE PROFETË

13/74

13—“PROVA E BESIMIT”

*****

Abrahami e kishte pranuar pa diskutim premtimin për një trashëgimtar mashkull, por, fatkeqësisht, ai nuk priti që Perëndia ta përmbushte fjalën, që i kishte dhënë në kohën e Tij dhe me mënyrën e Tij. Në fakt, për të vënë në provë besimin e patriarkut në fuqinë e Perëndisë, u lejua të ndodhte një vonesë; por Abrahami nuk e përballoi me sukses provën. Duke e menduar të pamundur se ajo mund të lindte fëmijë në moshë të thyer, si një plan me anë të cilit të plotësohej qëllimi hyjnor, Sara sugjeroi që njëra nga shërbyeset e saj të merrej nga Abrahami si grua dytësore. Poligamia, në atë kohë, ishte aq e përhapur, saqë nuk konsiderohej më si mëkat, por gjithsesi ishte dhunim i ligjit të Perëndisë dhe kishte pasoja fatale për shenjtërinë dhe paqen e marrëdhënies familjare. Martesa e Abrahamit me Hagarin, do të kishte pasoja të këqija, jo vetëm për shtëpinë e tij, por edhe për brezat e ardhshëm. 51 PPAlb 94.1

E shtyrë nga nderi i papritur, që i jepte pozita e saj e re si grua e Abrahamit dhe me shpresat se do të ishte nëna e një kombi të madh pasardhës të saj, Hagari u bë arrogante dhe mendjemadhe dhe filloi ta trajtonte zonjën e saj, Sarën, me përbuzje. Ambienti familjar që deri atëherë kishte qenë paqësor, tashmë, kërcënohej nga xhelozitë e dyanshme. Abrahami u mundua shumë të rikthente harmoninë, duke qenë i detyruar të merrej me ankesat e të dyja grave. Edhe pse Abrahami ishte martuar me Hagarin me kërkesën e vetë Sarës, kjo e fundit e akuzonte burrin e saj se ai e kishte fajin. Ajo tashmë dëshironte ta zbonte rivalen e saj nga shtëpia, por Abrahami nuk pranoi ta lejonte këtë gjë, sepse Hagari, gjithsesi, ishte nëna e fëmijës së tij, e djalit të premtimit, gjë që e shpresonte me gjithë zemër. Megjithatë, Hagari mbetej shërbyesja e Sarës dhe Abrahami e kishte lënë atë nën kontrollin e zonjës së tij. Fryma e saj arrogante nuk mund ta duronte dot më qëndrimin e ashpër të Sarës, qëndrim ky që kishte marrë shkas nga sjellja fyese dhe harbute e Hagarit. Kështu, “kur Sarai e trajtoi në mënyrë ,të ashpër atë, ajo u largua nga prania e saj”. - Zanafilla 16:6.. PPAlb 94.2

Hagari u largua në drejtim të shkretëtirës dhe, ndërsa po pushonte pranë një burimi, e vetëm dhe fillikate, një engjëll i Zotit në formë njerëzore, u shfaq përpara saj. Duke iu drejtuar si “Hagar, shërbyese e Sarait”, për t’i kujtuar asaj pozitën dhe detyrën e saj, engjëlli i propozoi si më poshtë: “Kthehu tek zonja jote dhe nënshtroju autoritetit të saj” (- Vargu 8). Përveç qortimit, nuk munguan edhe fjalët e ngushëllimit: “Zoti e ka marrë parasysh hidhërimin tënd.” “Unë do t’i shumëzoj fort pasardhësit e tu, aq sa nuk kanë për t’u numëruar për shkak të numrit të tyre të madh” (Vargjet 11, 10). Dhe si një simbol i përhershëm përkujtimi për mëshirën e Zotit, asaj iu propozua që ta quante djalin e saj Ishmael (arab. Ismail), që do të thotë ” Perëndia ka për të dëgjuar”. PPAlb 94.3

Kur Abrahami mbushi gati njëqind vjeç, premtimi për një djalë iu përsërit dhe një herë, duke e siguruar atë se trashëgimtari i tij i ardhshëm duhet të ishte fëmijë i lindur nga Sara. Por Abrahami ende nuk e kuptonte premtimin. Mendja i shkoi menjëherë tek Ishmaeli, duke këmbëngulur në bindjen e tij se vullneti hirplotë i Perëndisë do të përmbushej nëpërmjet tij. Me dëshirën për djalin e vet, Abrahami thirri, “Zot, ah sikur Ishmaeli të rrojë përpara Teje!” (Vargu 18). Edhe një herë tjetër, u përsërit premtimi me fjalë, që nuk mund të kuptoheshin dot gabim: “Sara, gruaja jote do të të lindë një bir dhe ti do ta quash Isak; unë do të caktoj besëlidhjen time me të, një besëlidhje të përjetshme me pasardhësit e tij” (Vargu 19). Megjithatë, Perëndia mori parasysh edhe lutjen e babait: “Sa për Ishmaelin, unë ta kam plotësuar dëshirën”, tha Ai, “Shiko, unë e kam bekuar atë, kam për ta bërë të frytshëm...dhe do të bëj prej tij një komb të madh” (Vargu 20). PPAlb 95.1

Pas një pritjeje, që zgjati sa vetë jeta, lindja e Isakut, më në fund, solli përmbushjen e ëndrrës më të pabesueshme dhe i mbushi çadrat e Abrahamit dhe Sarës me një gëzim të papërshkruar. Por, për Hagarin, kjo ngjarje solli përmbysjen e të gjitha ambicieve, që kishte shpresuar përbrenda. Ishmaeli, tashmë një djalë i ri, ishte konsideruar nga të gjithë banuesit si përfituesi i ligjshëm i pasurisë së Abrahamit dhe trashëgimtari i bekimeve, që ishin premtuar për pasardhësit e tij. Tashmë, ai ishte mënjanuar papritmas; të zhgënjyer thellë, nënë e bir e urrenin fëmijën e Sarës. Ngazëllimi i përgjithshëm në kamp vetëm e shtoi xhelozinë e tyre, dhe Ishmaeli guxoi të shkonte deri aty, sa të tallte haptazi Isakun, trashëgimtarin e premtimit të Perëndisë. Sara pa tek sjellja kaotike e Ishmaelit një rrezik të përhershëm konflikti, kështu i kërkoi Abrahamit të jepte urdhër që Hagari dhe Ishmaeli të largoheshin nga banesa e tyre. Patriarkut, sigurisht, që nuk i pëlqeu kjo kërkesë dhe u mërzit shumë. Si mund ta përzinte ai Ishmaelin, djalin e tij që e donte aq shumë? Në pezmatim e sipër iu drejtua Zotit për të marrë këshillë. Zoti, nëpërmjet një engjëlli të shenjtë, e udhëzoi që të plotësonte kërkesën e Sarës; dashuria e Abrahamit për Ishmaelin apo Hagarin nuk duhej bërë pengesë, sepse, ndryshe, harmonia dhe lumturia në familjen e tij nuk mund të rikthehej. Për më tepër, engjëlli e ngushëlloi Abrahamin me premtimin se, edhe pse do të ndahej nga shtëpia e të atit, Ishmaeli nuk do të braktisej nga Perëndia; jeta e tij do të mbrohej dhe ai do të bëhej baba i një kombi të madh. Abrahami iu bind fjalëve të engjëllit, por jo pa e vuajtur në vetvete këtë vendim. Zemra e babait ishte e rënduar me një pezmatim të papërshkrueshëm, kur ai i tha Hagarit dhe djalit të tij se duhet të largoheshin. PPAlb 95.2

Udhëzimi hyjnor, që iu dha Abrahamit në lidhje me shenjtërinë e lidhjes martesore, do të shërbente si një mësim për të gjitha kohërat. Ky udhëzim qartëson se të drejtat dhe lumturia e lidhjes martesore duhen mbrojtur me çdo kusht, edhe duke e paguar shtrenjtë këtë gjë. Sara ishte gruaja e vetme e vërtetë e Abrahamit. Të drejtat e saj, si bashkëshorte dhe grua, nuk duhet t’i gëzonte askush tjetër. Ajo tregoi një respekt të thellë ndaj burrit të saj dhe, për këtë arsye, ajo paraqitet në Dhjatën e Re si një shembull i vyer. Por ajo nuk mund të lejonte që ndjenjat e Abrahamit t’i kushtoheshin një tjetre dhe Zoti nuk e qortoi kur ajo kërkoi dëbimin e rivales së saj. Faktikisht, si Abrahami ashtu edhe Sara kishin treguar mosbesim ndaj fuqisë së Perëndisë dhe ishte, pikërisht, ky gabim që çoi në martesën me Hagarin. PPAlb 95.3

Perëndia e kishte thirrur Abrahamin, që të bëhej baba i besimtarëve. Jeta e tij si besimtar duhet të shërbente si shembull për brezat e ardhshëm. Por besimi i tij nuk do të ishte i përsosur. Ai tregoi mungesë besimi, kur fshehu faktin se Sara ishte gruaja e tij dhe, sërish, kur u martua me Hagarin. Me qëllim që të arrinte standartin më të lartë, Perëndia do ta vinte Abrahamin para një prove tjetër, më e vështira që kishte përjetuar njeriu deri atëherë. Në një vegim gjatë natës, Abrahamit iu tha të merrte rrugën për në vendin e Moriahut dhe atje të ofronte djalin e tij, Isakun, si një ofertë flijimi në një mal, që do t’i tregohej më vonë. PPAlb 96.1

Në kohën kur mori këtë urdhër, Abrahami kishte arritur moshën e njëqind e njëzet vjetëve. Ai konsiderohej si mjaft i thyer në moshë edhe nga bashkëkohësit e vet. Në vitet e hershme, ai kishte patur fuqi të mjaftueshme për të duruar vështirësi dhe për të përballuar rreziqe të ndryshme, por koha e artë e rinisë kishte marrë fund. Kur njeriu është ende i ri në moshë, mund t’u bëjë ballë me kurajo vështirësive dhe vuajtjeve, që sjell jeta. Kur njeriu plaket dhe ndodhet me një këmbë në varr, këto vështirësi e vuajtje rëndojnë shumë më tepër dhe ia ndalin zemrën. Por Perëndia kishte përgatitur dhe një provë të fundit, provën përfundimtare për Abrahamin, përpara se barra e viteve të rëndonte aq shumë mbi të, sa të dëshironte prehje nga mundimet e ankthet e jetës. PPAlb 96.2

Patriarku po banonte në Beersheba në atë kohë, i mbuluar me nderime e begati. Ai ishte shumë i pasur dhe nderohej si një princ i fuqishëm nga sunduesit përreth. Mijëra dele e qe mbulonin fushat, që shtriheshin përtej banesës së Abrahamit. Në çdo anë gjendeshin çadrat e mëditësve të tij, shtëpitë e qindra shërbëtorëve besnikë, që mbante. Biri i premtimit ishte rritur e burrëruar pranë tij. Perëndia dukej se kishte kurorëzuar me bekime të shumta një jetë sakrifice, që priste me durim shpresën e vonuar. PPAlb 96.3

Duke iu përkushtuar besimit në Perëndi, Abrahami kishte braktisur vendlindjen e vet. Ai ishte larguar nga varret e baballarëve dhe shtëpitë e farefisit të tij. Ai kishte bredhur si i huaj në tokën e trashëgimisë së tij. Ai kishte pritur gjatë për lindjen e pasardhësit të premtuar. Me urdhër të Zotit, ai kishte larguar djalin e vet Ishmaelin. Dhe tani, ndërsa fëmija, që kishte dëshiruar të kishte gjithë jetën, po rritej e bëhej burrë dhe patriarkut nuk i kishte ngelur pa plotësuar asnjë ëndërr, një sprovë, më e madhe se gjithë të tjerat të marra së bashku, ishte caktuar për të. PPAlb 96.4

Urdhri u shpreh në fjalë të tilla, që do të kenë shkaktuar pikëllim të papërshkrueshëm në zemrën e babait: “Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun... dhe sakrifikoje atje, në një nga malet, që kam për të të treguar.” - Zanafilla 22:2. Isaku ishte drita e shtëpisë së tij, ngushëllimi i moshës së thyer e, mbi të gjitha, trashëgimtari i bekimit, që i ishte premtuar. Vdekja mundshme e Isakut nga një aksident apo sëmundje do të ishte e papërballueshme për zemrën e babait, që e donte aq shumë. Kjo gjë do ta katandiste si mos më keq patriarkun flokëbardhë. Por ja ku, sapo ishte urdhëruar të derdhte gjakun e të birit me dorën e tij. Kjo për Abrahamin dukej si diçka aq e kobshme, sa nuk kishte mundësi të ndodhte. PPAlb 96.5

Satani u afrua menjëherë për të sugjeruar se patriarku qe mashtruar, sepse ligji hyjnor urdhëron “nuk ke për të vrarë” (Eksodi 20), dhe Perëndia nuk mund të kërkonte atë që e kishte ndaluar më parë. Duke dalë nga çadra, Abrahami pa lart, drejt qiellit të pastër pa re, dhe kujtoi premtimin, që i ishte bërë para gati pesëdhjetë vjetëve, se pasardhja e tij do të ishte aq e panumërt sa yjet. Nëse ky premtim do të realizohej nëpërmjet Isakut, si mund të vritej ky i fundit? Abrahami u tundua të besonte se, mbase, kishte patur një haluçinacion. I mbushur me dyshime e pikëllim, ai u përkul mbi tokë dhe u lut si asnjëherë tjetër në jetën e tij, për një konfirmim të urdhrit, pra, nëse duhet ta kryente me të vërtetë këtë detyrë të tmerrshme. Ai kujtoi engjëjt, që ishin dërguar për t’i bërë të ditur vendimin hyjnor për të shkatërruar Sodomin dhe që i transmetuan atij premtimin për të njëjtin bir, Isakun. Kështu ai shkoi në vendin ku ai ishte takuar shumë here me lajmëtarët qiellorë, duke shpresuar se mund të takoheshin prapë dhe të merrte udhëzime të tjera, por asgjë nuk ndodhi që ai të çlirohej nga ankthi i tmerrshëm. Errësira dukej sikur e kishte zaptuar plotësish, gjithsesi, urdhri i Perëndisë oshëtinte në veshët e tij: “Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do”. Ai urdhër duhej të zbatohej dhe ai nuk guxoi më të vonohej. Dita e caktuar po afronte e ai duhet të nisej për udhë. PPAlb 97.1

Abrahami u kthye në çadër dhe shkoi drejt vendit ku Isaku, i shtrirë, po flinte gjumë, gjumin e thellë e të qetë të rinisë e pafajshmërisë së tij. Për një çast, babai vështroi fytyrën e ëmbël të të birit dhe u kthye mbrapa duke u dredhur. Ai iu afrua Sarës, e cila gjithashtu po flinte. A ta zgjonte, vallë, që ta përqafonte birin e saj edhe një herë të fundit? A t’i tregonte asaj për kërkesën e Perëndisë? Ah, sa dëshironte që t’ia zbraste zemrën asaj dhe të ndante me të këtë përgjegjësi të tmerrshme, por u zmbraps nga frika se ajo mund ta pengonte. Isaku ishte gëzimi dhe krenaria e Sarës; jeta e saj ishte e lidhur fort pas tij dhe dashuria e nënës mund t’a refuzonte flijimin. PPAlb 97.2

Më në fund, Abrahami e zgjoi të birin, duke i treguar atij urdhrin për të ofruar flijim në një mal të largët. Isaku kishte shkuar shpesh me të atin për të adhuruar tek altaret e shumta, që përkujtonin ecejaket e tij, ndaj ftesa e të atit nuk shkaktoi asnjë surprizë tek i riu. Përgatitjet për udhëtimin përfunduan shpejt. Drunjtë u bënë gati dhe u vendosën mbi samarin e gomarit dhe atë e bir u nisën për rrugë, të shoqëruar nga dy shërbëtorë. PPAlb 97.3

Duke ecur përbri njëri-tjetrit, Abrahami dhe Isaku udhëtuan pa bërë fjalë. Patriarkut, i munduar nga sekreti i rëndë, që mbante, nuk i bënte zemra të fliste. Ai e kishte mendjen tek Sara, nëna krenare, nëna e dashur, që kishte lënë pas, dhe dita kur atij i duhej të kthehej tek ajo vetëm. Ai e dinte mirë se thika, që kishte marrë jetën e djalit të saj, do të përshkonte vetë zemrën e saj. PPAlb 97.4

Ajo ditë, dita më e gjatë në jetën e Abrahamit, dalëngadalë po mbaronte. Ndërsa djali i tij dhe dy shërbëtorët po flinin, Abrahami kaloi gjithë natën zgjuar, në lutje, duke shpresuar, deri në fund, se një lajmëtar qiellor do të vinte e do të thoshte se prova kishte qenë e mjaftueshme dhe se i riu mund të rikthehej shëndoshë e mirë tek e ëma. Por nuk erdhi asnjë lloj çlirimi për torturën, që ndiente përbrenda. Një tjetër ditë e gjatë, një tjetër natë përgjërimesh e lutjesh kaluan, ndërsa urdhri, që kishte për ta lënë atë pa fëmijë, vazhdonte t’i tingëllonte në vesh. Satani u afrua që të pëshpëriste dyshime dhe mosbindje, por Abrahami u rezistoi sugjerimeve djallëzore. Ndërsa po bëheshin gati të fillonin udhëtimin e ditës së tretë, patriarku, duke parë nga veriu, pa shenjën e premtuar: një re të lavdishme, që vërtitej mbi Malin e Moriahut dhe, tashmë, ishte plotësisht i sigurt se zëri, që i kishte dhënë urdhrin, ishte nga qielli. PPAlb 97.5

Edhe në ato çaste, Abrahami nuk murmuriti kundër Perëndisë, por i dha krahë vetes, duke u mbështetur në provat e mirësisë e besnikërisë së Zotit. Ky bir i ishte dhuruar, kur nuk e priste kurrë dhe a nuk kishte të drejtë Ai, që ia bëri këtë dhuratë të çmuar, ta rimerrte? Atëherë besimi përsëriti premtimin: “nga Isaku do të dalin pasardhës, që do të mbajnë emrin tënd”, pasardhës, që do të jenë të panumërt si rëra në brigjet e detit (Zanafilla 21:12; 22:17). Isaku ishte fëmijë i një mrekullie dhe a nuk mundte ta rikthente e njëjta fuqi, që i dha atij jetën? Duke hedhur sytë përtej të dukshmes, Abrahami u mbështet tek fjala hyjnore: “Abrahami e kishte llogaritur se Perëndia ishte aq i fuqishëm, sa ta ringjallte [Isakun] edhe prej së vdekurish.” - Hebrenjve 11:19. PPAlb 98.1

Megjithatë, askush tjetër, përveç Perëndisë, nuk mund ta kuptonte sa e madhe ishte sakrifica e babait në dhënien e të birit për të vdekur si flijim; Abrahami nuk dëshironte askënd tjetër, përveç Perëndisë, që të ishte i pranishëm në këtë skenë të ndarjes. Kështu, ai i urdhëroi dy shërbëtorët të mos vazhdonin më rrugën, duke thënë: “Rrini këtu..., unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë, pastaj do të kthehemi pranë jush.” Zanafilla 22:5. Drunjtë u stivosën mbi shpinën e Isakut, atij që do të ofrohej. Abrahami mori thikën dhe zjarrin me vete dhe, së bashku, filluan të ngjiten drejt majës së malit. Në heshtje, Isaku filloi të pyeste veten se çfarë do të ishte oferta, meqë tani ishin mjaft larg kullotave me bagëti. Më në fund, denjoi të flasë: “Ati im!”, “ja zjarri dhe druri, po ku është qengji për sakrificën?” Oh çfarë prove ishte kjo! Si e përshkuan zemrën e Abrahamit ato fjalë aq të dlira: “Ati im”. Por ende jo, ai nuk mund t’i tregonte dot, as tani. “Biri im”, i tha, “Perëndia do të sigurojë një qengj për flijimin” (Vargu 8). PPAlb 98.2

Ata ndërtuan një altar në vendin e caktuar dhe mbi të vendosën drunjtë. Atëherë, me zë të dredhur, Abrahami i tregoi birit mesazhin hyjnor. Isaku e mësoi fatin e tij me habi e tmerr, por nuk bëri asnjë rezistencë. Ai mund të ishte larguar nga tragjedia, që e priste nga çasti në çast, po të donte ta bënte këtë gjë; plaku, i pllakosur nga pikëllimi, i rraskapitur nga udhëtimi treditor më i tmerrshëm i jetës së tij, nuk mund ta kundërshtonte vullnetin e një të riu plot energji. Por Isaku ishte edukuar, që në fëmijëri, t’i bindej me çdo kusht dhe menjëherë të atit. Kur Fjala e Perëndisë iu bë e ditur, ai u nënshtrua plotësisht dhe me vullnet të plotë. Ai ndante besimin e Abrahamit dhe ndihej i nderuar që ishte thirrur të jepte jetën e vet, si ofertë flijimi për Perëndinë. Ai u përpoq, me ëmbëlsi, të lehtësonte pikëllimin e të atit, duke ndihmuar duart e tij, që dridheshin papushim, të lidhnin litarët, që do ta mbanin të lidhur mbi altar. PPAlb 98.3

Dhe tani fjalët e fundit të dashurisë thuhen, lotët e fundit derdhen, përqafimi i fundit jepet. Babai ngre thikën që të vrasë të birin kur, papritur, krahu i tij bllokohet në ajër. Një engjëll i Perëndisë i bën thirrje patriarkut nga qielli: “Abraham, Abraham!” Ai përgjigjet menjëherë, “Ja ku jam”. Dhe zëri dëgjohet përsëri: “Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, duke qënë se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke” (Zanafilla 22:9-11). PPAlb 98.4

Atëherë Abrahami ngriti sytë dhe pa “prapa tij një dash të zënë për brirësh në një kaçube” dhe me shpejtësi e ofroi si kurban “në vend të të birit”. Me gëzim e mirënjohje të papërshkrueshme, Abrahami i dha një emër të ri këtij vendi të shenjtë “Jahveh-jireh”, që do të thotë “Zoti ka për të siguruar” (Vargjet 12-14). PPAlb 99.1

Në Malin Moriah, Perëndia ripërtëriu besëlidhjen e Tij, duke konfirmuar, me një betim solemn, bekimin ndaj Abrahamit dhe pasardhjes së tij përmes gjithë brezave, që do të vinin: “Unë betohem për Veten Time, thotë Zoti, se ti e bëre këtë dhe nuk kurseve tët bir, të vetmin bir, që ke, Unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhjen tënde si yjet e qiellit dhe si rëra, që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të saj. Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhja jote, sepse ti iu binde zërit Tim” (Vargjet 16-18). PPAlb 99.2

Kjo vepër madhështore e besimit qëndron fort si një shtyllë drite, që ndriçon rrugën e shërbëtorëve të Perëndisë për kohërat në vazhdim. Abrahami nuk u përpoq të gjente justifikime për të mos kryer vullnetin e Perëndisë. Gjatë atij udhëtimi treditor, ai kishte kohë të mjaftueshme për të arsyetuar e vënë në dyshim Përëndinë, nëse do të ishte i bindur për dyshimin. Ai mund të kishte arsyetuar se vrasja e birit të tij do të bënte që ai të shihej e trajtohej si vrasës, si një Kain i dytë; kjo do të bënte që këshillat e tij të refuzoheshin e përbuzeshin dhe, rrjedhimisht, do të binte edhe pushteti i tij për të bërë mirë ndaj të tjerëve përreth. Ai mund të kishte pretenduar se, ngaqë kishte moshë të thyer, mund të bënte përjashtim e të mos bindej. Por patriarku nuk gjeti strehë në asnjërin prej këtyre justifikimeve. Abrahami ishte njeri; pasionet dhe ndjenjat e tij dashurore ishin të ngjashme me tonat, por ai nuk u ndal kurrë për të vënë në pikëpyetje se si do të realizohej premtimi, nëse Isaku kishte për t’u vrarë. Perëndia është i drejtë dhe i virtytshëm në të gjitha kriteret, që kërkon, dhe Abrahami iu bind urdhërit hyjnor pikë për pikë. PPAlb 99.3

“Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu llogarit si virtytshmëri; ai u quajt miku i Perëndisë.” - Jakobit 2:23. “Ata, që janë nga besimi të njëjtë, janë bij të Abrahamit.” - Galatasve 3:7. “A nuk u shfajësua Abrahami, ati ynë, me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar? E sheh pra se si besimi veproi bashkë me veprat e tij dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u bë i përsosur.” - Jakobit 2:21,22. Ka shumë njerëz, që e keqkuptojnë marrëdhënien ndërmjet besimit dhe veprave. Ata thonë, “Vetëm besoni në Jezu Krishtin dhe jeni të sigurt. Nuk keni fare pse të mbani e respektoni ligjin”. Por besimi i vërtetë mund të bëhet i qartë vetëm i shopqëruar me bindje. Krishti iu përgjigj kështu jobesimtarëve çifutë: “Në se ju do të ishit fëmijët e Abrahamit, ju do të kryenit veprat e Abrahamit.” - Gjoni 8:39. Dhe në lidhje me atin e besimtarëve, Zoti deklaron: “Abrahami iu bind vullnetit tim dhe respektoi urdhrat, urdhërimet, statutet dhe ligjet e mia.” - Zanafilla 26:5. Ndërsa apostulli Jakob thotë: “Besimi; në qoftë se nuk vjen me vepra, është i vdekur në vetvete.” - Jakobit 2:17. Kurse Gjoni, apostulli, që përqëndrohet më shumë tek tema e dashurisë, thotë: “Kjo është dashuria e Perëndisë, që ne të mbajmë urdhërimet e Perëndisë.” - 1 Gjonit 5:3. PPAlb 99.4

Me anë të simboleve dhe premtimeve, “...Perëndia ia dha më përpara Abrahamit lajmin e mirë (ungjillin)...” - Galatasve 3:8. Ndërsa besimi i patriarkut ishte i ngulitur tek ardhja e mëvonshme e Shpenguesit. Krishti do t’u thoshte çifutëve: “Abrahami, ati juaj, u ngazëllye me shpresën, që do të shihte ditën time, kështu e pa dhe u gëzua.” - Gjoni 8:56. Dashi i ofruar në vend të Isaakut simbolizon Birin e Perëndisë, i cili do të flijohej në vendin tonë. Atëherë kur njerëzimi kishte marrë dënimin me vdekje, për shkak të shkeljes së ligjit të Perëndisë, Ati, duke hedhur vështrimin tek Biri i Tij, i tha mëkatarit: “Jeto, sepse e kam gjetur kurbanin.” PPAlb 99.5

Perëndia e urdhëroi Abrahamin të vriste të birin, që mendja e tij të arrinte të kuptonte realitetin e ungjillit, lajmin e mirë të Jezu Krishtit si dhe të vinte në provë besimin e tij. Agonia, që Abrahami përjetoi gjatë atyre tre ditëve të tmerrshme, u lejua të ndodhte me qëllim që ai të kuptonte, nga përvoja e tij, një copëz të vogël të madhështisë së sakrificës së kryer nga Perëndia, që nuk njeh fund për shpengimin e njerëzimit. Asnjë provë tjetër nuk mund ta torturonte shpirtin e Abrahamit sa ajo e bërjes kurban të të birit. Perëndia lejoi Birin e Tij të vdiste me agoni dhe turp. Engjëjt, që përjetuan poshtërimin dhe torturën shpirtërore të Birit të Perëndisë, nuk u lejuan të ndërhynin, siç ndërhynë në rastin e Isakut. Nuk u dëgjua ndonjë zë, që thirri: “mjafton!”. Për të shpëtuar njerëzimin e rënë në mëkat, Jezusi, Mbreti i lavdisë, dha jetën e Vet. A mund të jepet ndonjë provë më e fortë mbi dhembshurinë e dashurinë e pafund të Perëndisë? “Ai, që nuk kurseu as Birin e Vet, por e dha për të gjithë ne, si ka mundësi që Ai, bashkë me Të, të mos na dhurojë të gjitha gjërat?” - Romakëve 8:32. PPAlb 100.1

Sakrifica, që iu kërkua Abrahamit, nuk ishte vetëm për të mirën e tij, ashtu si nuk ishte vetëm për të mirën e brezave në vazhdim, por ishte, gjithashtu, edhe për edukimin e qenieve inteligjente, që nuk njohin mëkat, në qiell si dhe në botët e tjera. Fusha e konfliktit të madh ndërmjet Krishtit dhe Satanit, fusha mbi të cilën është kryer plani i shpengimit, është si një libër shkolle për mbarë universin. Meqënëse Abrahami kishte treguar një mungesë besimi tek premtimet e Perëndisë, Satani e kishte akuzuar atë përpara engjëjve dhe përpara Perëndisë se nuk ia kishte dalë mbanë të zbatonte kushtet e besëlidhjes, si pasojë, nuk i meritonte bekimet, që rridhnin prej saj. Perëndia dëshironte të vërtetonte besnikërinë e shërbëtorit të Tij, përpara gjithë qiellit, për të treguar qartë se asgjë më pak se bindja e plotë nuk ka për t’u pranuar, si dhe për të shpjeguar pak më gjerësisht planin e shpëtimit. PPAlb 100.2

Qeniet qiellore ishin dëshmitarë të ngjarjes, kur besimi i Abrahamit dhe nënshtrimi i Isakut u vunë në provë. Kjo provë ishte shumë më e rëndë se ajo me të cilën ishte përballur Adami. Respektimi në lidhje me ndalesën (e ngrënies së frutit), që iu parashtrua prindërve tanë të parë, nuk përfshinte asnjë lloj vuajtjeje. Por urdhëri për Abrahamin kërkonte një sakrificë të tmerrshme, me një agoni shumë të madhe. Gjithë qielli pa me habi dhe admirim bindjen e patundur të Abrahamit ndaj urdhrit hyjnor. Gjithë qielli duartrokiti besnikërinë e tij të pashembullt. U duk qartë se akuzat e Satanit ishin të rreme. Perëndia i deklaroi shërbëtorit të Tij, “Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, [pavarësisht akuzave të Satanit] duke parë se nuk më ke refuzuar as birin tënd, të vetmin bir që ke.” - Zanafilla 22:12. Besëlidhja e Perëndisë, konfirmuar Abrahamit, me anë të një betimi përpara qenieve inteligjente të botëve të tjera, dëshmoi, mbi të gjitha, se bindja dhe besnikëria kanë për t’u shpërblyer. PPAlb 100.3

Misteri i shpengimit ishte i vështirë për t’u kuptuar, madje edhe nga engjëjt: të kuptoje që Komandanti i qiellit, Biri i Perëndisë, duhet të vdesë për njeriun fajtor. Kur Abrahamit iu dha urdhri për të vrarë të birin, interesi i gjithë qenieve qiellore u rindez. Me një vëmendje të madhe, ata vunë re çdo hap të plotësimit të këtij urdhri. Kur pyetjes së Isakut, “Ku është qengji për flijimin?” Abrahami iu përgjigj “Perëndia ka për të siguruar Vetë një qengj”, në çastet kur dora e Abrahamit u mbajt në ajër dhe kur dashi, të cilin e kishte siguruar Perëndia, u ofrua në vend të Isakut, atëherë u përhap shumë më tepër dritë mbi misterin e shpengimit apo shpëtimit të njerëzimit nga mëkati. Edhe engjëjt e kuptuan më qartë atë çfarë Perëndia kishte siguruar mrekullisht, si një flijim të vlefshëm, vetëm e vetëm për të bërë të mundur shpëtimin e njerëzimit. - 1 Pjetrit 1:12. PPAlb 100.4