PATRIARKË DHE PROFETË

10/74

10—“KULLA E BABELIT”

*****

Me synim ripopullimin e tokës së shkretuar, të cilën Përmbytja sapo e kishte pastruar nga degjenerimi dhe imoraliteti, Perëndia ruajti vetëm një familje, të afërmit e Noeut, për të cilin Ai kishte deklaruar: “ty të kam parë si të drejtë para Meje në këtë brez.” - Zanafilla 7:1. Megjithatë, tek tre bijtë e Noeut doli në pah, shumë shpejt, ndryshimi i madh që ekzistonte në botë edhe përpara Përmbytjes. Tek Shemi, Hami dhe Jafeti, të cilët i binte të ishin ri-themeluesit e racës njerëzore, u parapërfytyrua karakteri i pasardhësve të tyre. PPAlb 72.1

Noeu, duke folur me anë të frymëzimit hyjnor, paratha historinë e tre racave të mëdha, që do të dilnin nga këta baballarë të njerëzimit (tre bijtë e Noeut). Duke iu referuar pasardhësve të Hamit, nëpërmjet emrit të djalit (Kanaan) dhe jo të babait (Ham), Noeu deklaroi: “I mallkuar qoftë Kanaani! Ai qoftë shërbyesi i shërbëtorëve të vëllezërve të tij!” - Zanafilla 9:25. Veprimi i tupshëm dhe i panatyrshëm i Hamit bëri të ditur se respekti për prindin ishte zhdukur me kohë nga qenia e tij. Gjithashtu, ky akt shfaqi imoralitetin dhe poshtërsinë e karakterit të tij. Këto karakteristika të liga gjetën vazhdimësinë e tyre tek Kanaani dhe pasardhësit e tij, mëkati i vazhdueshëm i të cilëve nxiti prononcimin e Perëndisë. PPAlb 72.2

Nga ana tjetër, respekti i treguar nga ana e Shemit dhe Jafetit për babanë e tyre si dhe për ligjet hyjnore, premtoi një të ardhme më të ndritur për pasardhësit e tyre. Përsa i përket këtyre dy djemve, u deklarua: “I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Shemit, dhe Kanaani të jetë shërbëtori i tij. Perëndia do ta rritë Jafetin dhe ky do të banojë në çadrat e Shemit; dhe Kanaani ka për të qenë shërbëtori i tij!” - Zanafilla 9:26, 27. Pasardhja e Shemit do të ishte ajo e popullit të zgjedhur, e besëlidhjes së Perëndisë, e Shpenguesit të premtuar. Jahveh ishte Perëndia i Shemit. Prej pasardhjes së tij do të vinte Abrahami si dhe populli i Izraelit, nëpërmjet të cilit do të vinte Krishti. “I lumtur është ai popull Perëndia i të cilit është Zoti (‘Jahveh’)” - Psalmi 144:15. Ndërsa Jafeti “do të banojë në çadrat e Shemit.” Pasardhësit e Jafetit do të kishin pjesën e tyre të veçantë në bekimet e ungjillit. PPAlb 72.3

Pasardhësit e Kanaanit degraduan drejt formave më të ulta të paganizmit. Megjithëse mallkimi profetik kishte përcaktuar skllavëri për ta, kjo e fundit u pengua për shekuj me radhë. Perëndia tregoi durim të pashembullt me ta, megjithë poshtërsinë dhe degjenerimin e tyre, derisa ata kapërcyen çdo kufi të mundshëm të durueshmërisë hyjnore. Më në fund, erdhi koha, që ata të shpronësoheshin dhe u shndërruan në skllevër të pasardhësve të Shemit dhe Jafetit. PPAlb 72.4

Profecia e Noeut nuk ishte një denoncim arbitrar inati apo një deklaratë favoritizmi. Ajo nuk paracaktoi karakterin dhe fatin e bijve të Noeut. Por tregoi se cilat do të ishin pasojat e drejtimit të jetës, që ata tashmë kishin ndërrmarrë si dhe të karakterit, që ata kishin përvetësuar. Ishte, në fakt, një shprehje e verdiktit të Perëndisë ndaj tyre dhe pasardhësve të tyre, bazuar në karakterin dhe sjelljen e tyre. Si rregull, fëmijët trashëgojnë huqet dhe tendencat e prindërve të tyre dhe i imitojnë; mëkatet e prindërve praktikohen nga fëmijët nga njëri brez në tjetrin. Kështu poshtërsia dhe mungesa e thellë e respektit nga ana e Hamit u riprodhuan tek pasardhësit e tij, duke sjellë një mallkim mbi ta, që do të zgjaste për shekuj të tërë. ” Një mëkatar i vetëm shkatërron shumë të mira.” - Predikuesi 9:18. PPAlb 72.5

Nga ana tjetër, sa bollshëm u shpërblye respekti i Shemit për babain e tij dhe çfarë linje e ndritur, plot me njerëz të shenjtë, do të shfaqej ndër pasardhësit e tij! “Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë... dhe pasardhësit...janë të bekuar.” - Psalmi 37:18, 26. “Ta dish, pra, që Zoti, Perëndia yt, Ai është Perëndia, Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e Tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre, që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij.” - Ligji i Përtërirë 7:9. PPAlb 73.1

Për një farë kohe, pasardhësit e Noeut vazhduan të qëndronin ndërmjet maleve, tek të cilët ishte ulur arka. Ndërsa numri i tyre u rrit, apostazia shkaktoi një ndarje të pariparueshme. Ata, që donin ta harronin Krijuesin e tyre dhe të hidhnin tutje kufizimet e ligjit të Tij, ndiheshin të indinjuar nga të afërmit e tyre, që i druheshin Perëndisë. Pas një farë kohe, ata vendosën të largoheshin nga adhuruesit e Perëndisë. Kështu, ata morën rrugën drejt luginës së Shinarit, në brigjet e lumit Eufrat. Ata u joshën nga bukuria e vendit dhe pjellshmëria e tokës dhe vendosin ta bënin këtu vendbanimin e tyre. PPAlb 73.2

Në këtë vend, ata vendosën të ndërtonin një qytet dhe, në qendër të tij, një kullë me një lartësi të tillë, që e bënte atë një nga mrekullitë e botës. Kjo u vendos me qëllimin, që të parandalonin njerëzit të shpërndaheshin nëpër botë, në bazë farefisnore. Perëndia u kishte dhënë urdhër njerëzve të shpërndaheshin nëpër botë, ta rimbushnin dhe ta rizotëronin atë, por këta ndërtues të Babelit vendosën ta mbanin sa më të njësuar bashkësinë e tyre si dhe të themelonin nje monarki, e cila do të sundonte, gradualisht, mbarë botën. Kështu, qyteti i tyre do të bëhej metropoli i një perandorie universale; lavdia e tij do të impononte admirimin dhe homazhin e mbarë botës dhe themeluesve të tij do t’u thurreshin lavde. Kulla e mahnitshme dukej sikur prekte qiellin. Ajo ishte menduar të shërbente si një monument i pushtetit dhe zgjuarësisë së ndërtuesve të saj, duke e përjetësuar kështu famën e tyre nga njëri brez në tjetrin. PPAlb 73.3

Banorët e luginës së Shinarit nuk e mirëbesuan besëlidhjen e Perëndisë, premtimin hyjnor se Ai nuk do ta përmbyste më botën. Duhet thënë se shumë prej tyre e mohuan ekzistencën e Perëndisë dhe ia faturuan Përmbytjen veprimit të shkaqeve natyrore. Disa të tjerë besonin në një Qenie Supreme dhe se kjo e kishte shkatërruar botën e parapërmbytjes dhe zemrat e tyre, ashtu si ajo e Kainit, u ngritën në rebelim kundër Tij. Një arsye, që i kishte shtyrë të ndërtonin kullën ishte të siguronin një vendstrehim për veten e tyre, në rast të një përmbytjeje tjetër. Duke e ngritur strukturën e kullës në një lartësi shumë më të madhe se ajo e arritur prej ujërave të Permbytjes, ata kujtuan se do ta gjenin veten jashtë çdo rreziku. Dhe, ndërsa do të kishin mundësi të ngjiteshin në lartësitë e reve, ata shpresonin të merrnin vesh shkakun e Përmbytjes. E gjithë kjo ndërmarrje synonte të ngrinte sa më lart krenarinë e projektuesve të saj si dhe të largonte mendjet e brezave të ardhshëm nga Perëndia e t’i shtynte ata drejt idhujtarisë. PPAlb 73.4

Në kohën kur kulla ishte përfunduar pjesërisht, një pjesë e saj ishte zënë si apartamente banimi për ndërtuesit; apartamente të tjera, të mobiluara e zbukuruara me shumë luks, iu dedikuan idhujve, që ata adhuronin. Njerëzit u ngazëllyen nga suksesi, që kishin patur dhe lavdëruan perënditë prej ari e argjendi, duke u pozicionuar kundër Perëndisë, Sunduesit të vetëm të qiellit dhe tokës. Papritur, puna e tyre, që deri në ato momente kishte ecur vaj, u shqyrtua. U dërguan engjëj nga qielli për të zbuluar synimet e vërteta të ndërtuesve. Kulla tashmë kishte arritur një lartësi mjaft të madhe dhe ishte e pamundur për punëtorët, në majë, të komunikonin drejtpërdrejt me ata në kantier, prandaj ishin vënë disa njerëz, në nivele të ndryshme lartësie, që të merrnin apo jepnin raporte për çështje pune, përfshi porositë për materiale ndërtimi, që nevojiteshin si dhe udhëzime të tjera, që kishin të bënin me punën. Kështu, ndërsa mesazhet përcilleshin nga njëri nivel në tjetrin, gjuha komunikuese u ngatërrua deri në atë pikë sa materialet, që nuk duheshin vinin e anasjelltas. Në shumicën e rasteve, kur udhëzime dhe porosi të ndryshme mbërrinin në nivelin e fundit, ku punohej, ato ishin të kundërtat e atyre, që ishin bërë në fillim. Rrëmuja dhe nervozizmi pasuan me shpejtësi. E gjithë puna u ndërpre. Nuk mund të kishte më as harmoni, as bashkëpunim. Për më tepër, ndërtuesit nuk ishin në gjendje të jepnin një shpjegim për keqkuptimet e çuditshme, që filluan të kishin dhe, të inatosur e zhgënjyer në kulm, filluan të bënin sherr me njëri-tjetrin. Kështu, aleanca e tyre përfundoi si mos më keq, në konflikt e gjakderdhje. Si shenjë e mospajtimit nga ana e Perëndisë, rrufe nga qielli thyen pjesën e sipërme të kullës dhe e hodhën furishëm poshtë. Njerëzit u bënë të kuptonin e të ndienin se ka një Perëndi në qiell, i cili sundon gjithçka. PPAlb 74.1

Deri në këtë kohë, të gjithë njerëzit kishin folur të njëjtën gjuhë; tani ata, që mund të kuptonin gjuhën e njëri-tjetrit, u bashkuan në grupe. Sipas gjuhëve të ndryshme, grupet u larguan nga njëri-tjetri, duke marrë udhë të ndryshme. “Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin.” - Zanafilla 11:8. Me këtë shpërndarje do të realizohej qëllimi i popullimit të mbarë botës. Ky synim i Perëndisë do të realizohej duke përdorur të njëjtin mjet, që njerëzit kishin përdorur për të penguar përmbushjen e këtij synimi. PPAlb 74.2

Ah, në çfarë pozite humbëse gjenden ata, që ngrihen kundër Perëndisë! Ishte vullneti i Tij që, ndërsa njerëzit do të shpërndaheshin në pjesë të ndryshme të tokës e do të themelonin kombe, ata do të merrnin me vete njohuri të vullnetit të Tij, në mënyrë që drita e së vërtetës të ndriçonte, pa u venitur, për breza me radhë. Noeu, predikuesi besnik i drejtësisë, jetoi edhe treqind e pesëdhjetë vjet të tjera pas Përmbytjes, Shemi pesëqind vjet dhe kështu pasardhësit e tyre kishin mundësi të njiheshin me kriteret e Perëndisë dhe historinë e marrëdhënies së Tij me etërit e tyre. Por ata nuk kishin dëshirë të dëgjonin këto të vërteta të pamohueshme. Në fakt, ata nuk kishin aspak dëshirë të përfshinin Perëndinë në njohurinë e tyre. Si pasojë e ngatërrimit të gjuhëve, ata u shkëputën në një masë të konsiderueshme nga ata, që mund t’u kishin dhënë dritë. PPAlb 74.3

Ndërtuesit e Babelit kishin kultivuar frymën e ankesës e murmurimit kundër Perëndisë. Në vend që të kujtonin me mirënjohje mëshirën e Tij ndaj Adamit dhe besëlidhjen e tij me Noeun, ata ankoheshin për ashpërsinë e Perëndisë, kur kishte përzënë çiftin e parë nga Edeni dhe kishte shkatërruar botën me anë të një përmbytjeje. Por, ndërsa murmurisnin kundër Perëndisë, duke e quajtur arbitrar e të ashpër, ata, në fakt, po pranonin pushtetin e më të tmerrshmit ndër tiranët. Satani po bënte ç’ishte e mundur që të ndillte përbuzje tek njerëzit, për ofertat e flijimit, që simbolizonin e sinjalizonin vdekjen flijuese të Krishtit; dhe, kur mendjet e njerëzve u errësuan nga idhujtaria, Satani i shtyu që të fabrikonin e imitonin këto flijime në mënyrën më të kobshme, duke flijuar fëmijët e tyre mbi altarët e perëndive të tyre të rreme. Ndërsa njerëzit u larguan prej Perëndisë, atributet hyjnore, drejtësia, pastërtia dhe dashuria u zëvendësuan me dhunën, shtypjen, dhe brutalitetin. PPAlb 75.1

Njerëzit e Babelit kishin synuar të krijonin një qeverisje, e cila do të ishte plotësisht e pavarur nga Perëndia, megjithatë, kishte ende mes tyre njerëz, që i druheshin Perëndisë, por që ishin mashtruar nga pretendimet e jobesimtarëve dhe ishin joshur nga makinacionet e komplotet e tyre.. Për hir të këtyre besimtarëve, Zoti e vonoi ndëshkimin e Tij dhe u dha njerëzve kohë të bollshme, që të nxirrnin në pah karakterin e tyre të vërtetë. Përgjatë këtij procesi, besimtarët, (fëmijët e Perëndisë në tokë), u munduan ta ndryshonin vullnetin e jobesimtarëve; por shumica e njerëzve ishin tepër të bashkuar në sfidën e përbashkët ndaj Perëndisë në qiell. Po të mos u kërkohej llogari, ata do ta kishin demoralizuar krejt botën, që në vitet e hershme të saj. Aleanca e tyre kishte për bazë rebelimin; ishte një mbretëri e krijuar për vetëpërlëvdim, në të cilën Perëndia nuk do të kishte as pushtet e as nderim. Po të ishte lejuar kjo aleancë, një forcë e fuqishme do të merrte situatën në dorë, për ta shporrur mirësinë e drejtësinë nga toka dhe, bashkë me të, paqen, lumturinë, dhe sigurinë. Në vend të statuteve hyjnore të cilat janë “të shenjta, të drejta dhe të mira” (Romakëve 7:12), njerëzit po përpiqeshin të zëvendësonin ligjet, që këto të fundit t’u vinin për shtat shpirtit të tyre egoist e kryeneç. PPAlb 75.2

Ata që i druheshin Perëndisë i bënë thirrje Atij, që të ndërhynte. “Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën, që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar.” - Zanafilla 11:5. Duke patur mëshirë për botën, Ai mposhti synimet e ndërtuesve të kullës si dhe përmbysi simbolin e arrogancës së tyre. Duke patur mëshirë, Ai e ngatërroi të folurin e tyre, duke ngadalësuar ndjeshëm synimin e tyre për rebelim. Perëndia ka shumë durim për fëlliqësinë e njerëzve dhe u jep mundësi të bollshme për t’u penduar; por Ai mban parasysh të gjitha mjetet, që ata përdorin për t’i rezistuar ligjit të Tij të drejtë e të shenjtë. Kohë pas kohe, dora e padukshme, që mban skeptrin e qeverisjes, shtrihet për të përballuar fëlliqësinë në rritje. Historia e kësaj toke përmban fakte të pagabueshme se Krijuesi i universit, Ai, që është i pakufizueshëm në dituri, dashuri dhe vërtetësi, është Sunduesi Suprem i qiellit dhe i tokës dhe se askush nuk mund të sfidojë apo përballojë fuqinë e Tij. PPAlb 75.3

Planet e kompromentuara të ndërtuesve të Babelit përfunduan si mos më keq, me turp dhe disfatë të plotë. Monumenti i krenarisë së tyre u bë memorial i budallallëkut të tyre. Megjithatë, edhe në kohërat e sotme, njerëzit ndjekin vazhdimisht të njëjtën rrugë, duke u mbështetur tek vetja dhe duke mohuar ligjin e Perëndisë. Eshtë pikërisht parimi, që vetë Satani u përpoq të praktikonte në qiell; i njëjti që përfshiu Kainin ndërsa paraqiti ofertën e tij. PPAlb 75.4

Edhe në kohët e sotme gjenden “ndërtues kullash”. Të pafetë ndërtojnë teoritë e tyre nga gjoja zbulimet shkencore dhe kështu mohojnë fjalën e shfaqur të Perëndisë. Ata e mohojnë me cinizëm të drejtën morale të Perëndisë për të qeverisur mbi gjithçka. Ata përbuzin ligjin e Tij dhe mburren me mjaftueshmërinë e arsyetimit njerëzor. Atëherë, “meqënëse vendimi kundër një veprimi të keq nuk zbatohet menjëherë, zemra e bijve të njerëzve mbushet me dëshirë për të bërë të keqen.” - Predikuesi 8:11. PPAlb 76.1

Edhe në botën, që pretendon të jetë e krishterë, shumë syresh u kthejnë shpinën mësimeve të qarta të Biblës dhe ndërtojnë besime të bazuara në spekullime njerëzore dhe përralla me mbret, duke u përpjekur kështu që të tërheqin vëmendjen e të tjerëve tek “kulla” e tyre, si e vetmja mënyrë për t’u ngjitur në qiell. Shumë njerëz mashtrohen nga gojët, që flasin plot elokuencë, sidomos kur këto të fundit pretendojnë se shkelësit e urdhërimeve të Perëndisë nuk do të vdesin, se shpëtimi mund të sigurohet pa iu bindur ligjit të Perëndisë. Në qoftë se ata, që pretendojnë të jenë ndjekës të Krishtit, do të pranonin kriterin e Perëndisë, ai do t’i bashkonte; por për aq kohë sa zgjuarësia njerëzore çmohet më shumë se Fjala e tij e Shenjtë, ka për të patur ndarje e përçarje. Gjendja e tanishme, mjaft e ngatërruar e Krishtërimit, me besime e sekte, që kundërshtojnë njëri-tjetrin, përfaqësohet me vend me termin “Babiloni”, të cilin profecia (Zbulesa 14:8, 18:2) ia aplikon kishave të ditëve të fundit, që duan më shumë botën, sesa qiellin. PPAlb 76.2

Shumë të tjerë synojnë ta bëjnë qiellin banesë të tyren duke siguruar pushtet dhe pasuri. Ata “tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë” (Psalmi 73:8), duke shkelur të drejtat e njeriut dhe duke mospërfillur autoritetin hyjnor. Mund të ndodhë që arrogantët të jenë për ca kohë në pushtet dhe mund të kenë sukses në sipërmarrjet e tyre, por, në fund, ata kanë për të hasur vetëm zhgënjim dhe pikëllim. PPAlb 76.3

Koha e hetimit të Perëndisë po fillon. Më i Larti Perëndi do të zbresë për të parë atë, që kanë ndërtuar bijtë e bijat e njerëzve. Pushteti i Tij sovran do të bëhet i ditur; veprat e arrogancës njerëzore do të bëhen pluhur. “Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve. Nga vendi i banimit të tij, Ai kqyr tërë banorët e tokës... Zoti bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjëson synimet e popujve. Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së Tij për çdo brez. Lum ai komb, që ka Perëndinë Zot; lum populli, që Ai ka zgjedhur për trashëgimi të Tijën. - Psalmi 33:13, 14, 10-12. PPAlb 76.4