PATRIARKË DHE PROFETË

9/74

9—“JAVA SHTATËDITËSHE JOSIMBOLIKE”

*****

Ashtu si dita e Sabatit (dita e shtatë e javës, që zgjat nga perëndimi i diellit të premten deri në perëndimin e diellit të shtunën), java e gjen fillimin e saj në krijimin e botës. Ajo është ruajtur dhe na është përcjellë brez pas brezi, nëpërmjet historisë së Biblës. Vetë Perëndia e përcaktoi hapësirën kohore të javës së parë si një mostër për javët e ardhshme, që do të pasonin njëra-tjetrën. Si çdo javë e zakonshme, java e parë përbëhej nga shtatë ditë të plota faktike dhe josimbolike, pra 24-orëshe. Gjashtë prej këtyre ditëve u përdorën për veprën e krijimit; në ditën e shtatë, Perëndia pushoi dhe Ai e bekoi këtë ditë dhe e ndau veç si një ditë pushimi për njeriun. PPAlb 67.1

Në ligjin e dhënë në malin Sinai, Perëndia e ripohoi javën si dhe faktet mbi të cilat ajo mbështetet. Pasi dha urdhërimin: “Mbaj mend ditën e Sabatit, për ta mbajtur të shenjtëruar,” dhe duke specifikuar, në këtë urdhërim, se çfarë duhet bërë në gjashtë ditë dhe çfarë nuk duhet bërë në të shtatën, Perëndia sqaron arsyen për respektimin e konceptit të javës, duke tërhequr vëmendjen tek shembulli i Tij personal: “Do të punosh gjashtë ditë dhe në to do të bësh të gjithë punën tënde; por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë,...sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e Sabatit dhe e ka shenjtëruar atë.” - Eksodi 20:8-11. Kjo arsye duket mjaft e bukur, kuptimplotë si dhe e detyrueshme vetëm në rastin kur ditët e krijimit kuptohen si faktike (pra, shtatë ditë) dhe jo simbolike. Kështu, gjashtë ditët e para të çdo jave i janë dhënë njeriut për të punuar, sepse vetë Perëndia përdori të njëjtën periudhë kohe (gjashtë ditë 24-orëshe) të javës së parë në punën e tij të Krijimit. Ditën e shtatë njeriu nuk duhet të punojë, si përkujtim i prehjes së Perëndisë. PPAlb 67.2

Teoria se ngjarjet e javës së parë kërkonin një periudhë kohore prej mijëra e mijëra vjetësh bie në kundërshtim të plotë me urdhërimin e katërt që u dha nga Perëndia në malin Sinai. Kjo hipotezë e paraqet Krijuesin si dikush, që urdhëron njerëzit t’i përmbahen javës së përbërë prej shtatë ditëve 24-orëshe si përkujtim i periudhave të stërgjata e të papërcaktuara. Kjo nuk tingëllon aspak si metoda, që Perëndia ka zgjedhur në marrëdhëniet me krijesat e Tij. E bën të paqartë dhe të mjegullt atë, që Ai ka bërë më se të qartë. Por është, në fakt, një trajtë ateizmi nga më të rafinuarat e, si pasojë, nga më të rrezikshmet; gënjeshtra e pastër, që fshihet pas kësaj hipoteze, është aq mirë e kamufluar, sa që besohet dhe mësohet madje edhe nga shumë prej atyre, që pretendojnë se i besojnë Shkrimet e Shenjta. PPAlb 67.3

“Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë banorët e tyre me anë të frymës së gojës së Tij... Sepse Ai foli dhe gjërat erdhën në ekzistencë; Ai udhëroi dhe gjërat u shfaqën.” - Psalmi 33:6, 9. Bibla nuk njeh apo pranon epoka të gjata, përgjatë të cilave toka evoluoi ngadalë, nga kaosi fillestar. Shënimi në Librin e Shenjtë rreth çdo dite me radhë deklaron qartë se çdo ditë përbëhej nga mbrëmja dhe mëngjesi, si të gjithë ditët e tjera që kanë pasuar deri sot. Në përfundim të çdo dite, jepet rezultati i veprës së kryer nga Krijuesi (shih - Zanafilla 1). Në përfundim të javës së parë bëhet një deklaratë: “Këto janë origjina (apo zanafilla) e qiellit dhe e tokës kur u krijuan, ditën, që Zoti Perëndi krijoi tokën dhe qiellin.” Zanafilla 2:4. Kjo deklaratë nuk nënkupton aspak idenë se ditët e krijimit ishin ndryshe nga një ditë e zakonshme 24-orëshe. Çdo ditë u quajt ‘origjine ose ‘zanafillë’ sepse në të Perëndia prodhoi apo nisi një pjesë të re të veprës së Tij krijuese. PPAlb 67.4

Disa gjeologë pretendojnë se kanë gjetur evidencë nga gërmimet në tokë se kjo e fundit është shumë më e vjetër në moshë nga ç’mësohet nga shënimet e Shkrimeve të Shenjta, më saktë nga libri i Zanafillës. Janë gjetur kocka njerëzish dhe kafshësh, si edhe vegla luftimi, pemë të ngurtësuara, etj. më të mëdha, sesa ato që ekzistojnë sot, ose që kanë ekzistuar për mijëra vjet dhe nga kjo supozohet se toka ka qenë e populluar shumë më përpara kohës, që përshkruhet në shënimet mbi krijimin në Shkrimet e Shenjta dhe nga një racë njerëzish, që ishin shumë më të mëdhenj, në gjatësi, se sa njerëzit, që jetojnë në ditët tona. Arsyetime të tilla kanë bërë që shumë besimtarë, që pretendojnë se besojnë Biblën, të adoptojnë qëndrimin e tyre se ditët e krijimit ishin periudha apo epoka të stërgjatura dhe aq më tepër të papërcaktuara. PPAlb 68.1

Por përveç historisë së Biblës, gjeologjia nuk mund të vërtetojë asgjë tjetër. Ata, që arsyetojnë me kaq besim tek vetja dhe zbulimet e tyre, nuk kanë aspak një koncept të qartë mbi formën e njerëzve, kafshëve apo pemëve të përpara Përmbytjes apo të ndryshimeve të mëdha, që ndodhën prej asaj kohe. Relike të gjetura në tokë tregojnë rrethana të ndryshme, në mjaft aspekte, nga e tashmja, por koha kur ekzistuan këto rrethana mund të mësohet vetëm nga shënimet e frymëzuara të Shkrimeve të Shenjta. Në historinë e Përmbytjes, pena e frymëzuar nga Perëndia shpjegon atë që gjeologjia vetëm nuk e percepton apo llogarit dot. Në ditët e parapërmbytjes, në kohën e Noeut, njerëz, kafshë si dhe pemë disa herë më të mëdha se sa ato, që ekzistojnë sot u varrosën. Kështu ato janë ruajtur si një evidencë për brezat e ardhshëm se banorët e parapërmbytjes morën fund për shkak të një përmbytjeje kataklizmike. Vetë Perëndia u kujdes që zbulimi i këtyre gjërave të krijojë dhe forcojë besimin në historinë e frymëzuar nga Ai dhe të shkruar në Shkrimet e Shenjta. Por, fatkeqësisht, njerëzit, me arsyetimin e tyre sqimatar, bien në të njëjtin gabim, që bënë njerëzit përpara Përmbytjes. Gjërat, që Perëndia u kishte falur si bekim, ata i i shndërruan në një mallkim duke i shpërdoruar apo abuzuar. PPAlb 68.2

Satani e ka metodë te vetën të shtyjë njerëzit të pranojnë përrallat e ateizmit të formave të ndryshme. Kështu ai mjegullon ligjin e Perëndisë, i cili, në vetvete, është mëse i qartë. Së dyti, Satani u jep kurajo të rreme njerëzve, që ata të rebelojnë kundër qeverisjes hyjnore. Shigjetat e tij janë të drejtuara veçanërisht kundër urdhërimit të katërt (urdhërimi që ka të bëjë me ditën e Sabatit, shih - Eksodi 20:8-11), për shkak se ky i fundit tërheq qartas vëmendjen drejt Perëndisë së gjallë, Krijuesit të qiellit e tokës. PPAlb 68.3

Nga ana tjetër, një përpjekje e vazhdueshme bëhet për të shpjeguar veprën e krijimit si pasojë e shkaqeve natyrore. Ky arsyetim njerëzor pranohet madje edhe nga besimtarë të krishterë, në kundërshtim të plotë me faktet, që rreshtohen nga Shkrimet e Shenjta. Ka shumë të tjerë, që kundërshtojnë hetimin dhe studimin e profecive, veçanërisht profecive të librave të Danielit dhe të Zbulesës, duke i shpallur ato aq të paqarta e të vështira, sa që nuk mund të kuptohen. Megjithatë, po këta njerëz pranojnë me zell supozimet e disa gjeologëve, në kundërshtim me atë që shkruhet në librin biblik të Zanafillës. Por, nëse ajo që Perëndia ka shfaqur është kaq e vështirë për t’u kuptuar, me çfarë llogjike mund të pranohen thjesht supozime, që kanë të bëjnë me gjëra, që Perëndia nuk i ka shfaqur?! PPAlb 68.4

“Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë sonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë për gjithnjë, me qëllim që të zbatojmë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji.” - Ligji i Përtërirë 29:29. Tamam se si Perëndia e kreu veprën e krijimit, Ai nuk ia ka treguar hapur kurrë njeriut. Shkenca njerëzore nuk mund të kërkojë apo të hulumtojë dot sekretet e mendjes së Perëndisë më të Lartë. Fuqia e Tij krijuese është po aq e pakuptueshme për njerëzit, sa ç'është dhe ekzistenca e Tij. PPAlb 69.1

Megjithatë, Perëndia ka lejuar që një fije drite të bjerë mbi botë, si në shkencë, ashtu edhe në kulturë e art. Por, kur njerëz, që pretendojnë të jenë shkencëtarë, i shikojnë dhe i trajtojnë tema të tilla kaq madhore nga një pikëpamje tërësisht njerëzore, ata, pa dyshim, do të arrijnë në përfundime të gabuara. Mund të jetë diçka e pafajshme të spekullosh, deri diku, përtej asaj që është zbuluar nga fjala e Perëndisë, nëse teoritë ‘tona’ nuk do të binin ndesh me faktet, që gjenden në Shkrimet e Shenjta. Por ata, që i largohen fjalës së Perëndisë dhe përpiqen t’u referohen veprave, që Ai i krijoi duke u mbështetur vetëm në parimet shkencore, vetëm pluskojnë pa hartë apo busull në një oqean të panjohur. Edhe mendjet më të ndritura, nëse nuk drejtohen nga fjala e Perëndisë në hulumtimin e tyre, befasohen dhe shtangin kur përpiqen të zbulojnë lidhjet ndërmjet shkencës dhe asaj, që zbulohet nga vetë Perëndia i qiellit dhe i tokës. Meqë Krijuesi dhe veprat e Tij mbeten të pakonceptueshme e të pashpjegueshme, në rastet kur këta shkencëtarë bazohen vetëm në ligjet e natyrës, ata sugjerojnë se historia, që jepet nga Shkrimet e Shenjta është ose fiktive, ose e pabesueshme. Ata, që venë në dyshim besueshmërinë e asaj, që është shkruar në Dhjatën e Vjetër dhe atë të Re, do të shtyhen që të bëjnë dhe një hap tjetër, të venë në dyshim vetë ekzistencën e Perëndisë. Kështu, duke humbur spirancën, ata vërtiten e përplasen sa andej-këndej mbi shkëmbinjtë e ateizmit. PPAlb 69.2

Në të vërtetë, këta njerëz kanë humbur thjeshtësinë e besimit. Besimi në autoritetin hyjnor të Fjalës së Shenjtë të Perëndisë duhet të jetë i patundshëm. Bibla nuk është për t’u trajtuar si një libër, që duhet testuar e vërtetuar nga shkenca, e bazuar tek idetë njerëzore. Njohuria njerëzore, në vetvete, është një udhërrefyese tek e cila nuk mund të mbështetesh. Skeptikët, që e lexojnë Biblën me qëllimin për ta kritikuar e për ta demaskuar, duke qenë se kanë një botëkuptim të kufizuar si për shkencën, ashtu dhe për atë, që është zbuluar nga lart, dalin me pretendimin se kanë gjetur gjëra kontradiktore në Shkrimet e Shenjta. Por e vërteta është se këto të fundit janë në harmoni të plotë, kur kuptohen siç duhet. Moisiu shkroi nën drejtimin e Frymës së Perëndisë dhe një teori e saktë mbi gjeologjinë nuk ka për të pretenduar dot kurrë se ka bërë zbulime, të cilat nuk përputhen me atë, që është shkruar në Shkrimet e Shenjta. E gjithë e vërteta, si në natyrë ashtu edhe në gjërat e zbuluara nga Perëndia, mbetet e njëjtë dhe qëndrueshme në çdo manifestim të saj. PPAlb 69.3

Në fjalën e Perëndisë ngrihen shumë çështje, të cilave, edhe studiuesit më të arrirë, nuk mund t’u japin përgjigje. Këto tema tërheqin vëmendjen tonë për të treguar se sa shumë gjëra ekzistojnë, edhe në aspektet më të rëndomta të jetës së përditshme, që mendja e kufizuar njerëzore, me gjithë krenarinë e diturinë e saj, nuk arrin dot t’i kuptojë plotësisht. PPAlb 70.1

Megjithatë, shkencëtarë të caktuar pretendojnë se ata mund ta kuptojnë mençurinë e Perëndisë, atë që Ai ka bërë apo mund të bëjë. Ekziston një ide mbizotëruese, që pretendon se Perëndia nuk është i plotfuqishëm, por i kufizuar nga ligjet e Veta. Njerëzit ose e mohojnë ose e injorojnë ekzistencën e Tij, ose mendojnë se mund të shpjegojnë gjithçka, madje dhe veprimtarinë e Frymës së Shenjtë në zemrën e njeriut; dhe kështu ata nuk e respektojnë më emrin e Tij dhe nuk i druhen pushtetit dhe fuqisë së Tij. Ata nuk besojnë tek e mbinatyrshmja dhe nuk kuptojnë ligjet e Perëndisë apo fuqinë e pafundme të Tij, e cila zbaton vullnetin e Tij përmes tyre. Siç përdoret zakonisht, shprehja “ligje të natyrës” përfshin atë, që njerëzit kanë mundur të zbulojnë përsa i përket ligjeve, që qeverisin botën fizike; por, sa e mangët është njohuria e tyre dhe, sa e madhe fusha, në të cilën Krijuesi mund të punojë në harmoni me ligjet e Tij dhe, megjithatë, krejtësisht përtej konceptimit të kufizuar njerëzor! PPAlb 70.2

Shumë syresh japin leksione se lënda në vetvete përmban fuqi jetësore, se disa elementë të caktuar janë të përfshirë tek lënda dhe kjo e fundit lejohet të veprojë nëpërmjet energjisë së saj të brendshme; se proçeset natyrore zhvillohen në përputhje me ligje të caktuara, tek të cilat Vetë Perëndia nuk mund të ndërhyjë. Kjo është një shkencë e rreme dhe nuk mbështetet aspak nga fjala e Perëndisë. Natyra është shërbëtore e Krijuesit të saj. Perëndia nuk i anullon ligjet e Tij dhe nuk punon në kundërshtim me to, por Ai i përdor gjithmonë ato si vegla të Tijat. Natyra dëshmon për një inteligjencë, një prani, një energji aktive, e cila funksionon në dhe nëpërmjet ligjeve të saj. Në natyrë vihet re veprimtaria e pandalshme e Atit dhe Birit. Krishti thotë: “Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj”. - Gjoni 5:17. PPAlb 70.3

Levitët, në himnin e tyre, të mbajtur shënim nga profeti Nehemia, këndonin: “Vetëm ti je Zoti! Ti ke bërë qiejt, qiejt e qiejve dhe tërë ushtrinë e tyre, dheun dhe tërë ato që qëndrojnë mbi të, detet dhe gjithçka që është në ta. Ti i mban gjallë tërë këto gjëra...” - Nehemia 9:6. Përsa i përket kësaj bote, veprimtaria krijuese e Perëndisë ka përfunduar. Sepse “veprat e Tij perfunduan, që kur se u krijua bota.” - Hebrenjve 4:3. Por energjia e Tij ende përdoret për të mirëmbajtur objektet e krijimit të Tij. Mekanizmi, që u përcaktua dhe u vu në lëvizje në fillim, nuk vazhdon të veprojë me anë të energjisë së brendshme dhe të bëjë që pulsi të rrahë, që frymëmarrja të pasojë frymëmarrjen; por çdo frymëmarrje, çdo rrahje e zemrës, është një evidencë që tregon mbi përkujdesjen e gjithanshmë të Atij, në të cilin “ne jetojmë, lëvizim dhe jemi.” - Veprat e Apostujve, 17:28. Nuk ndodh për shkak të fuqisë së brendshme që, vit pas viti, toka prodhon të mirat e saj dhe vazhdon lëvizjen e saj rreth diellit. Dora e Perëndisë udhëheq planetet dhe i mban ato në pozicionin e duhur, përgjatë marshimit të tyre nëpër qiell. Profeti deklaron: “Ngrini sytë tuaja përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon.” - Isaia 40:26. Nëpërmjet fuqisë së Perëndisë, rritet bimësia, shfaqen gjethet dhe çelin lulet. Ai “mbulon qiellin me re, përgatit shiun për token dhe bën që të rritet bari në malet.” (- Psalmi 147:8) Me anë të Tij luginat bëhen pjellore. Ai “dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit. Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.” - Psalmi 104:20, 21. Çdo organizëm i gjallë, që nga insekti më i vogël e deri tek njeriu, janë në varësi të përditshme të kujdesit të Perëndisë. Siç thotë aq bukur psalmisti: “të gjithë presin që ti t’u japësh ushqimin në kohën e duhur. Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira” (- Vargjet 27, 28). Fjala e Perëndisë kontrollon elementet formues të tokës; “Ai dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.” - Psalmi 147:16. “Kur Ai nxjerr zërin e Tij, ka një zhurmë ujërash në qiell; Ai i bën avujt të ngjiten nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun dhe nxjerr erën nga rezervuaret e Tij.” - Jeremia 10:13. PPAlb 70.4

Perëndia është themeli i gjithçkaje. E gjithë shkenca e vertëtë është tërësisht në harmoni me veprat e Tij. Gjithë shkollimi i vërtetë të bën t’i bindesh dhe të respektosh qeverisjen e Perëndisë, në mbarë universin. Shkenca na bën të njohura mrekulli të reja; ajo ecën përpara dhe eksploron thellësi të reja, por asgjë nga zbulimet e saj nuk bie në kontradiktë me atë, që është zbuluar nga Perëndia. Injoranca mund të përpiqet të mbështetë pikëpamje të pavërteta mbi Perëndinë, duke i bërë apel shkencës, por, në të vërtetë, libri i natyrës dhe fjala e shkruar hedhin dritë të bollshme mbi njeri-tjetrin. Në këtë mënyrë, ne shtyhemi të adhurojmë Krijuesin dhe të kemi një besim inteligjent në fjalën e Tij. PPAlb 71.1

Asnjë mendje e kufizuar njerëzore nuk mund ta kuptojë ekzistencën, fuqinë, mençurinë dhe veprat e Atij, që është i Pafund. Thotë shkruesi i shenjtë: “A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit? Janë më të larta se qielli; çfarë mund të bësh? Janë më të thella se Sheoli: çfarë mund të dish? Madhësia e tyre është më e gjatë se toka dhe më e gjerë se deti.” - Jobi 11:7-9. PPAlb 71.2

Në fund të fundit, veprat e krijimit japin dëshmi mbi fuqinë dhe madhështinë e Perëndisë. “Qiejt deklarojnë lavdinë e Perëndisë: kupa qiellore tregon veprën e duarve të Tij.” - Psalmi 19:1. Ata, që konsiderojnë fjalën e shkruar si udhërrëfyes, do ta përjetojnë shkencën si një ndihmëse për të kuptuar Perëndinë. “Në fakt, cilësitë e Tij të padukshme, fuqia e Tij e përjetshme dhe hyjnia e Tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë...” - Romakëve 1:20. PPAlb 71.3