PATRIARKË DHE PROFETË

8/74

8—“PAS PËRMBYTJES”

*****

“...Të gjitha malet e larta që ndodheshin nën tërë qiellin u mbuluan. Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kubitë mbi to”. - Zanafilla 7:19b-20a. Shpeshherë, familjes brenda arkës i dukej se do të merrnin fund, duke qenë se për pesë muaj me radhë arka tundej andej-këndej, në pamje të parë, nën mëshirën e erës dhe të dallgëve. Ishte me të vërtetë një situatë shumë e vështirë dhe e stërmundimshme; por besimi i Noeut nuk u lëkund; ai ishte më se i sigurt dhe besimtar se ishte dora hyjnore ajo, që komandonte timonin. PPAlb 62.1

Kur ujërat filluan të uleshin, Zoti bëri të mundur që arka të pluskonte drejt një vendi të mbrojtur nga një grup malesh, të cilët Zoti i kishte ruajtur me anë të fuqisë së Tij. Këto male ishin shumë pranë njëri-tjetrit dhe arka lëvizte brenda kësaj hapësire dhe jo nëpër oqeanin e pafund. Ky zhvillim ngjarjesh solli shumë gëzim e çlirim tek udhëtarët e rraskapitur e të tulatur nga furtuna e stërgjatur. PPAlb 62.2

Noeu dhe familja e tij prisnin me ankth të madh uljen graduale të ujërave. I kishte marrë malli shumë të ecnin sërish mbi tokë. Dyzet ditë pasi majat e maleve u bënë sërish të dukshme, Noeu lëshoi një korb, një shpend me aftësi të lartë nuhatjeje, për të zbuluar nëse toka ishte tharë. Shpendi, duke mos gjetur asgjë tjetër përveç ujit, vazhdoi fluturimet e tij para e prapa (Shih: Zanafilla 7:6-7). Pas shtatë ditësh, u lëshua një pëllumb “...për të parë në se ujërat ishin pakësuar mbi sipërfaqen e tokës. Por pëllumbi nuk gjeti dot vendin ku të mbështeste këmbën e tij dhe u kthye përsëri në arkë... [Noeu] priti atëherë shtatë ditë të tjera, pastaj e dërgoi përsëri pëllumbin jashtë arkës. Dhe pëllumbi u kthye...nga mbrëmja; dhe ja, ai kishte në sqep një gjethe ulliri të këputur, të njomë.” - Zanafilla 7:11. Kur panë pëllumbin me gjethen në sqep, e gjithë familja u ngazëllye. Pas një jave, (ndërsa pëllumbi nuk u kthye më në arkë, - Vargu 12) “Noeu e zbuloi arkën, vështroi dhe ja, sipërfaqja e tokës ishte e thatë.” - Vargu 13. Megjithatë, ai priti me durim brenda në arkë. Me urdhrin e Perëndisë ishte futur në arkë dhe vetëm me një udhëzim të posaçëm prej Perëndisë mund të dilte profeti nga arka. PPAlb 62.3

Më në fund, një engjëll zbriti nga qielli, hapi derën gjigante dhe urdhëroi patriarkun dhe familjen e tij të dilnin e të zbrisnin mbi tokë dhe të merrnin me vete të gjitha gjallesat, që ndodheshin brenda në arkë. Megjithë gëzimin e daljes nga arka, Noeu nuk e harroi Atë, që e kishte ruajtur me kujdes në mëshirën e Tij. Kështu, veprimi i parë i Noeut, pasi doli nga arka, ishte ndërtimi i një altari dhe ofrimi i një kurbani nga çdo lloj kafshe dhe shpendi të pastër. Me anë të këtij veprimi, Noeu manifestoi jo vetëm mirënjohje ndaj Perëndisë për shpëtimin, por edhe besimin e tij në Krishtin, kurbanin e vërtetë. Ky flijim i pëlqeu Zotit dhe, si rezultat, nxiti dhënien e një bekimi madhështor, jo vetëm për patriarkun dhe familjen e tij, por për të gjithë ata, që kanë për të jetuar në tokë. “...Zoti ndjeu një erë të këndshme dhe tha në zemrën e vet: ‘Unë nuk do ta mallkoj më tokën për shkak të njeriut, sepse synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij; dhe nuk do të godas më çdo gjallesë, siç kam bërë. Deri sa të jetë toka, nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari mbjellja dhe korrja, të ftohtit dhe të nxehtit, vera dhe dimri, dita dhe nata’.” - Zanafilla 8:21-22. Këtu jepet një shembull për të gjithë brezat, që do të vinin më vonë. Noeu ishte rikthyer në një tokë tashmë të shkretuar, por, përpara se të ndërtonte një shtëpi për vete, ai i ndërtoi një altar Perëndisë. Numri i bagëtisë që dispononte ishte i vogël dhe ishte ruajtur e mbrojtur me një kosto të lartë; megjithatë Noeu i dha me gjithë gëzim një pjesë të saj Zotit, si një deklaratë publike se gjithçka, që merrte frymë, i përkiste Atij dhe vetëm Atij. Në mënyrë të ngjashme, detyrimi ynë i parë, për të ofruar lirisht ofertat dhe dhuntitë tona, të cilat burojnë nga vullneti ynë i lirë, është ndaj Perëndisë. Çdo manifestim i mëshirës së Tij dhe i dashurisë së Tij ndaj nesh duhet të pranohet dhe të vlerësohet me një frymë mirënjohjeje nga ana jonë, duke kryer vepra, që tregojnë përkushtimin tonë ndaj Tij por edhe duke dhuruar për çështjen e Tij. PPAlb 62.4

Për t’i qetësuar nga frika dhe tmerri i vazhdueshëm, që kishin për një përmbytje botërore të ardhshme, ndërsa shikonin retë në qiell të mblidheshin dhe të sillnin shi, Zoti i dha zemër Noeut dhe familjes së Tij duke bërë një premtim solemn: “Sa për mua, Unë caktoj besëlidhjen time me ju dhe me brezin, që vjen pas jush...: asnjë lloj mishi nuk do të shfaroset më nga ujërat e përmbytjes, dhe nuk do të ketë më përmbytje për të shkatërruar tokën. Kjo është shenja e besëlidhjes, që Unë përfundoj midis Meje dhe jush...Unë e vendos ylberin tim në një re, dhe do të shërbejë si shenjë për besëlidhjen e përfunduar midis Meje dhe tokës. Dhe kur të sjell re mbi tokën, do të ndodhë, që harku të shfaqet në retë; dhe Unë do të kujtohem për besëlidhjen time midis meje dhe jush... Harku, pra, do të ndodhet në retë dhe Unë do ta shikoj për të kujtuar besëlidhjen e përjetshme midis Perëndisë dhe çdo gjallese të çfarëdo mishi, që ndodhet mbi tokë.” - Zanafilla 9:11-16. PPAlb 63.1

Sa madhështore është përkujdesja e Perëndisë dhe dhembshuria e Tij ndaj krijesave të rëna në mëkat, që e bën Atë të vendosë ylberin e mrekullueshëm në qiell, si një shenjë të besëlidhjes së Tij me njerëzimin! Zoti deklaron se, kur Ai vetë të shohë ylberin, do të kujtohet për besëlidhjen e Tij. Kjo nuk do të thotë aspak se, përndryshe, Ai do të kishte për ta harruar, por, thjesht, se Perëndia na flet në gjuhën tonë njerëzore, në mënyrë që ne ta kuptojmë më mirë Atë. Synimi i Perëndisë ishte që, kur fëmijët e brezave të ardhshëm të pyesnin rreth domethënies së harkut të lavdishëm shumëngjyrësh, që përshkon qiellin, prindërit e tyre do t’u tregonin historinë e Përmbytjes dhe t’u thoshin se : Më i Larti Perëndi i ka dhënë formë ylberit dhe e ka vendosur atë mes reve, si një garanci se ujërat nuk kanë për ta përmbytur më të gjithë tokën njëherësh. Kështu, brez pas brezi, ylberi do t’u dëshmonte atyre mbi dashurinë hyjnore për njeriun dhe do të forconte besimin e tyre te Perëndia. PPAlb 63.2

Në qiell, forma e një ylberi rrethon fronin dhe shkëlqen mbi kokën e Krishtit. Profeti thotë: “Ashtu siç është pamja e një ylberi në re në një ditë shiu, kështu ishte pamja e atij shkëlqimi, që e rrethonte. Ajo ishte një shfaqje e shëmbëlltyrës së lavdisë të Zotit.” - Ezekieli 1:28. Gjoni, autori i librit të Zbulesës, shkruan: “...Ja, një fron ishte në qiell dhe mbi fron rrinte Një i ulur. Dhe Ai, që ishte ulur, nga pamja i ngjante një guri diaspri dhe sardi; ...rreth fronit ishte një ylber, që i ngjante smeraldit.” - Zbulesa 4:2, 3. Sa herë që ligësia e njeriut shkakton gjykimin dhe zemërimin e Perëndisë, Krishti Shpëtimtar, i cili ndërmjetëson në emrin tonë tek Ati, tërheq vëmendjen tek ylberi në re, tek ylberi përreth fronit të Tij dhe ai mbi kokën e Vet, si një shenjë e mëshirës së Perëndisë për çdo mëkatar, që pendohet. PPAlb 63.3

Me garancinë, që iu transmetua Noeut përsa i përket Permbytjes, Vetë Perëndia ka lidhur një nga premtimet më të çmuara të hirit të Tij: “Për Mua ky do të jetë një fakt si ujërat e Noeut; ashtu siç u betova që ujërat e Noeut nuk do të mbulonin më tokën, kështu betohem që nuk do të zemërohem më me ty dhe nuk do të të kërcënoj më. Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria Ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhëmbshuri për ty.” - Isaia 54:9, 10. PPAlb 64.1

Ndërsa Noeu hodhi vështrimin drejt kafshëve të fuqishme grabitqare, të cilat dolën bashkë me të nga arka, atë e zuri frika se egërsirat do të shfarosnin familjen e tij, e cila numëronte vetëm tetë vetë. Por Zoti dërgoi një engjëll për shërbëtorin e Tij me një mesazh ngushëllimi dhe garancie: “...Frika dhe tmerri juaj do të ushtrohet mbi të gjitha kafshët e tokës, mbi të gjithë zogjtë e qiellit, mbi gjithçka, që lëviz mbi tokë, si edhe mbi të gjithë peshqit e detit. Ata janë lënë në pushtetin tuaj. Çdo gjë, që lëviz dhe ka jetë do t’ju shërbejë si ushqim; unë ju jap tërë këto gjëra, ashtu siç ju jap edhe barin e gjelbër.” - Zanafilla 9:2, 3. Përpara kësaj kohe, Perëndia nuk i kishte dhënë leje njeriut për të ngrënë mish prej kafshëve. Synimi i Tij ishte që raca njerëzore të mbahej vetëm nga prodhimet e tokës. Por tashmë, kur çdo gjë e gjelbër ishte shkatërruar, Ai i lejoi njerëzit që të hanin mishin e peshqve dhe kafshëve të pastra të cilat kishin mbijetuar në arkë. PPAlb 64.2

E gjithë sipërfaqja e tokës pas Përmbytjes kishte ndryshuar krejtësisht. Një mallkim i tretë, i frikshëm, e kanoste tokën si pasojë e mëkatit. Ndërsa ujërat filluan të tërhiqeshin, kodrat e malet u rrethuan nga dete të mëdhenj e të trazuar. Kudo, që hidhje sytë, shihje eshtrat dhe kufomat e njerëzve e kafshëve. Por Zoti nuk i lejoi këto të fundit që të dekompozoheshin dhe të ndotnin ajrin, prandaj Ai përgatiti në tokë një sipërfaqe të madhe varrimi. Një erë e furishme, e cila ishte dërguar për të tharë e tërhequr ujërat, i mori me vete eshtrat dhe kufomat, në disa raste, duke këputur e marrë me vete edhe cepat e maleve. Kështu, duke grumbulluar sasi të mëdha pemësh, gurësh dhe dhérash, u mbuluan trupat e të vdekurve. Ne të njëjtën mënyrë, ari dhe argjendi, druri i zgjedhur dhe gurët e çmuar, të cilët e kishin pasuruar e zbukuruar tokën përpara Përmbytjes dhe ishin idhujzuar nga banorët e atëhershëm, u fshehën nga pamja dhe kërkimet e njeriut. Kjo u shkaktua nga veprimi mjaft i fuqishëm i ujërave dhe hedhja e sasive të panumërta dherash dhe gurësh mbi ta, në disa raste, duke formuar male të rinj mbi metalet dhe gurët e çmuar. Perëndia kuptoi se sa më shumë i pasuronte dhe u jepte begati njerëzve mëkatarë, aq më shumë do të korruptoheshin jetët e tyre në sytë e Tij. Thesaret, të cilat në fakt ishin menduar, që të drejtonin njerëzit për të përlëvduar Atë, që kishte dhënë gjithçka me bollëk, u adhuruan si idhuj, ndërsa Perëndia qe çnderuar e përbuzur. PPAlb 64.3

Toka paraqiste një pamje rrëmuje dhe shkretimi, e cila është e pamundur të përshkruhet. Malet, që më parë kishin qenë aq të bukur, me një simetri të përsosur, ishin bërë të thepisur e të çrregullt. Gurë të shumtë, hedhurina dhe copa të mëdha shkëmbinjsh tashmë gjendeshin të shpërndarë nëpër mbarë sipërfaqen e tokës. Në shumë vende, kodrat dhe malet ishin zhdukur, duke mos lënë asnjë gjurmë të ekzistencës së tyre; ndërsa, nga ana tjetër, luginat dhe ultësirat u kishin lëshuar vend vargmaleve. Këto ndryshime ishin shkaktuar në disa vende më shumë, në disa të tjera më pak. Atje ku, njëherë e njëkohë, gjendeshin thesaret më të pasura të tokës, ar, argjend e gurë të çmuar, u dukën shenjat më të qarta të mallkimit. Ndërsa vendet, që kishin qenë të pabanuara dhe ato ku çthurrja dhe kriminaliteti kishte qenë më i pakët, nuk u trazuan shumë nga mallkimi. PPAlb 65.1

Një pasojë tjetër ishte varrosja e pyjeve të panumërt. Këto të fundit, me kalimin e shekujve, janë shndërruar gradualisht në qymyr, duke formuar shtresat e mëdha të qymyrit, që ekzistojnë në ditët tona, si dhe duke prodhuar sasi të konsiderueshme nafte. Qymyri dhe nafta shpesh marrin flakë dhe digjen poshtë sipërfaqes së tokës. Në këtë mënyrë, gurët nxehen, graniti digjet dhe hekuri shkrin. Veprimi i ujit mbi gëlqeren i shton furinë nxehtësisë ekstreme dhe, si pasojë, shkaktohen tërmete, vullkane dhe përhapje zjarri. Kur zjarri dhe uji bien në kontakt me gurë e metale, shkaktohen shpërthime të fuqishme të nëndheshme, të cilat u përngjajnë bubullimave të padëgjueshme. Ajri nxehet dhe të merr frymën. Shpërthime vullkanike pasojnë dhe, shpesh herë, këto të fundit nuk u japin hapësirë të mjaftueshme elementëve të nxehur; si pasojë, vetë toka dridhet, dheu hapet e bymehet si dallgët e një deti. Kështu shkaktohen e krijohen çarje dhe fraktura të mëdha dhe, shpesh herë, qytete, fshatra si dhe male të tërë, që digjen, gëlltiten dhe shfarosen nga faqja e dheut. Këto dukuri të jashtëzakonshme do të jenë gjithnjë e më të shpeshta, gjithnjë e më të tmerrshme, pikërisht në kohën përpara ardhjes së dytë të Krishtit dhe fundit të botës, si shenja të shkatërrimit, që po afron për të. PPAlb 65.2

Thellësitë e tokës janë arsenali i Perëndisë, prej së cilit u nxorën mjetet e përdorura për shkatërrimin e botës së vjetër të parapërmbytjes. Ujërat, që burojnë nga toka, u bashkuan me ujërat nga qielli për të realizuar veprën e shkretimit. Që nga koha e Përmbytjes, zjarri nga njëra anë dhe uji nga ana tjetër kanë shërbyer si mjete të Perëndisë për shkatërrimin e qyteteve të zhytura në ligësi e çthurrje. Këto ndëshkime shërbejnë si një paralajmërim për të gjithë ata, që e marrin lehtë ligjin e Perëndisë dhe shkelin me këmbë autoritetin e Tij, në mënyrë që ata të ndërgjegjësohen dhe të dridhen përpara fuqisë së Tij dhe të rrëfejnë sovranitetin e Tij të drejtë. Dhe ka ndodhur që njerëzit kanë vështruar malet e përflakur të hedhin tutje me forcë zjarr e flakë; të shpërthejnë dhunshëm duke shkrirë gurë e metale, të përthajnë lumenj të tërë, të djegin e mbulojnë qytete të mbipopulluara, si dhe të shpërndajnë gjithkund shkatërrim e shkretim. Ndërsa njerëzit kanë vështruar të gjitha këto, edhe zemra më e fuqishme është drithëruar e mbushur me tmerr dhe të pafetë e blasfemuesit janë detyruar të pranojnë fuqinë e pashterrshme të Perëndisë. PPAlb 65.3

Duke iu referuar skenave të mësipërme, profetët e moçëm do të thonin: “Oh, sikur t’i shqyeje qiejtë dhe të zbrisje! Para Teje do të tundeshin malet. Ashtu si zjarri djeg degët e thata, ashtu si zjarri e bën ujin të valojë, zbrit për t’ua bërë të njohur emrin tënd kundërshtarëve të Tu dhe t’i bësh kombet të dridhen para Teje. Kur bëre gjëra të tmerrshme që nuk i prisnim, Ti zbrite dhe malet u tundën në praninë Tënde.” - Isaia 64:1-3. “Zoti është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh, por nuk e lë pa e ndëshkuar aspak të ligun. Zoti vazhdon rrugën e tij në shakullimë dhe në furtunë dhe retë janë pluhuri i këmbëve të tij. Ai e qorton rëndë detin dhe e than, i bën të thahen të gjithë lumenjtë.” - Nahumi 1:3, 4a. Ngjarje akoma më të tmerrshme, që nuk janë parë kurrë të ndodhin mbi tokë, kanë për t’u dëshmuar nga njerëzit në ardhjen e dytë të Krishtit. “Malet dridhen para Tij, kodrat treten; në prani të Tij toka ngrihet, po, bota dhe tërë banorët e saj? Kush mund t’i rezistojë indinjatës së Tij dhe kush mund të durojë zjarrin e zemërimit të Tij? Tërbimi i Tij derdhet si zjarr dhe shkëmbinjtë janë prej Tij të thërmuara.” - Nahumi 1:5, 6. “Uli qiejtë e Tu, o Zot, dhe zbrit, dhe ata do të nxjerrin tym. Hidh rrufetë dhe shpërndaji, lësho shigjetat e Tua dhe shkatërroji ata.” - Psalmi 144:4, 6. PPAlb 65.4

“Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja do të hedh poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi.” - Veprat e Apostujve 2:19. “Atëherë shkrepën zëra bubullima dhe vetëtima, dhe u bë një tërmet i madh, që i tillë nuk ishte bërë qëkurse u bënë njerëzit mbi tokë, një tërmet kaq fort i madh...Dhe çdo ishull iku, edhe malet nuk u gjetën më. Dhe një breshër i madh, me peshë prej një talenti, ra nga qielli mbi njerëzit.” - Zbulesa 16:18, 20, 21a. PPAlb 66.1

Ndërsa rrufetë prej qiellit bashkohen me zjarret në tokë, malet do të digjen si furra dhe do të hedhin tutje lumenj të tërë Have, duke mbuluar kështu parqe e fusha, qytete e fshatra. Masa të mëdha inerte do të shkrihen e hidhen mbi lumenjtë dhe do të bëjnë që ujërat e këtyre të fundit të valojnë e, për rrjedhojë, të shkaktojnë shpërthime të shumta. Copa të mëdha shkëmbi do të shpërthejnë dhumshëm dhe do të mbulojnë tokën, duke shkaktuar dëme të papërshkrueshme. Lumenjtë do të përthahen. Toka do të kriset; gjithkund do të ndodhin tërmete të tmerrshme dhe shpërthime të papara vullkanike. PPAlb 66.2

Kështu Perëndia ka për t’i shkatërruar të ligjtë nga toka. Por të virtytshmit do të mbrohen në mes të të gjitha këtyre ngjarjeve të kobshme, ashtu siç u mbrojt Noeu dhe familja e tij në arkë gjatë Përmbytjes. Perëndia ka për të qenë streha e tyre dhe ata do të kenë besim në krahët e Tij. Psalmisti thotë: “Duke qenë se ke thënë: ‘O Zot, Ti je streha ime’, dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde, nuk do të të gjejë asnjë e keqe, asnjë plagë nuk do t’i afrohet çadrës sate. Sepse Ai do të urdhërojë Engjëjt e Tij të të ruajnë në të gjitha rrugët e tua. Ata do të të mbajnë në duart e tyre, me qëllim që këmba jote të mos pengohet nga ndonjë gur.” - Psalmi 91:9-12. “Sepse ditën e fatkeqësisë Ai do të më fshehë në çadrën e tij, do të më fshehë në një vend sekret të banesës së Tij, do të më lartojë mbi një shkëmb.” - Psalmi 27:5. “Këdo që ka vënë mbi mua dashurinë e tij, Unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin Tim. Ai do të më kërkojë dhe Unë do t’i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj. Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t’i tregoj shpëtimin Tim.” - Psalmi 91:14. PPAlb 66.3