PATRIARKË DHE PROFETË
7—“PËRMBYTJA”
*****
Në ditët e Noeut, tokës i sillej rrotull një mallkim i dyfishtë, si pasojë e mosbindjes dhe hyrjes së mëkatit nga ana e Adamit si dhe të vrasjes së kryer nga Kaini. Megjithatë, pamja e natyrës nuk kishte ndryshuar ndjeshëm. Kishte shenja prishjeje aty-këtu, por toka ishte ende mjaft e pasur dhe e zbukuruar nga dhuratat e bëra nga Perëndia. Kodrat ishin kurorëzuar me pemë madhështore, të cilat mbështetnin degët e hardhive të mbushura plot fruta. Luginat e gjëra, që u ngjasonin kopshteve, ishin te veshura me gjelbërim dhe kundërmonin ëmbëlsisht nga aroma e një mijë luleve. Frutet e tokës u përkisnin varieteteve të ndryshme dhe pothuajse nuk njihnin fund. Pemët ishin me përmasa të përsosura, shumë më të mëdha e më të bukura se sa të sotmet; druri i tyre ishte i përbërë nga një substancë tepër e fortë, afërsisht e ngjashme me gurin, por jo më e dobët se ai. Ari, argjendi si dhe gurë të tjerë të çmuar gjendeshin kudo me shumicë. PPAlb 51.1
Deri në atë kohë, raca njerëzore e kishte ruajtur ende zhdërvjellësinë e parë. Por duhet thënë se kishin kaluar shumë pak breza nga fillimi, nga koha kur Adami lejohej të shkonte te pema, që zgjaste jetën e njeriut. Aq më tepër që, në ato kohë, ekzistenca e njeriut matej ende me shekuj dhe jo me vite. Në qoftë se këta njerëz jetëgjatë do t’i përkushtoheshin shërbimit ndaj Perëndisë, me aftësitë e tyre të rralla për të planifikuar dhe zbatuar, ata do ta kishin bërë emrin e Krijuesit të tyre të tillë, që të frymëzonte këngë lavdie në tokë. Në këtë mënyrë ata do të kishin përmbushur qëllimin, për të cilin Perëndia u kishte falur atyre jetën. Por ata dështuan me këtë. Mes tyre kishte shumë gjigantë, njerëz shtatlartë dhe të fuqishëm, të famshëm për zgjuarësinë e tyre, me një talent të jashtëzakonshëm, të cilët shpiknin vepra të ndryshme, nga më mjeshtëroret dhe të mrekullueshmet. Por, në përpjestim të drejtë me aftësitë e tyre mendore dhe fizike ishte dhe lëshimi dhe joshja e tyre ndaj mëkatit dhe ligësisë. PPAlb 51.2
Perëndia u dhuroi banorëve të tokës, përpara Përmbytjes, dhunti dhe pasuri tokësore nga më të shumtat dhe më të pasurat. Por ata i përdorën këto dhurata të Perëndisë për t’u vetëlavdëruar dhe i shndërruan ato në mallkime, duke i përdorur për të kënaqur egon dhe epshet e tyre, në vend që t’i jepnin lavdi dhe falenderime Dhënësit të këtyre dhuntive dhe pasurive. Kështu, ata përdornin arin dhe argjendin, gurët e çmuar dhe drurin e zgjedhur për të ndërtuar banesa për vete dhe përpiqeshin, gjatë gjithë kohës, të bënin gara me njëri-tjetrin se kush do të kishte shtëpitë më të bukura e tërheqëse, kush do të kishte zbukurimet më të realizuara mjeshtërisht, etj. Në fakt, ata i kishin vënë qëllim vetes vetëm të plotësonin dëshirat dhe lakmitë e zemrave të tyre krenare si dhe të harboheshin në skena kënaqësie dhe ligësie. Duke mos dëshiruar që të mbanin Perëndinë në mendje, me kalimin e kohës, njerëzit e lashtë të parapërmbytjes filluan të mohonin ekzistencën e Krijuesit. Ata admironin natyrën në vend të Perëndisë, që krijoi natyrën. Ata lavdëronin vetëm gjeniun njeri, adhuronin vetëm veprat e duarve të tyre dhe u mësonin fëmijëve të tyre, që të përkuleshin vetëm përpara shëmbëlltyrave dhe idhujve të skalitur apo të punuar me dru. PPAlb 51.3
Në fushat e blerta dhe nën hijen e pemëve të dlira, njerëzit e lashtë ndërtuan altare për idhujt e tyre. Grupe të ndryshme pemësh, që kishin vetinë e ruajtjes së florës së tyre gjatë të katra stinëve, përdoreshin për dedikim ndaj perëndive të rreme. Pas këtyre pemëve fshiheshin kopshte të mrekullueshme, me rrugica të gjata gjarpëruese, të veshura nga të dyja anët me pemë frutore nga më të ndryshmet. Këto mbushnin syrin dhe u shërbenin grykësisë dhe lakmisë së njerëzve të asaj kohe dhe, në këtë mënyrë, ata josheshin që të merrnin pjesë në ceremonitë e adhurimit të idhujve. PPAlb 52.1
Për më shumë, njerëzit e flakën Perëndinë nga njohuria dhe, në vend të Tij, ata adhuronin krijesat e imagjinatës së tyre. Si rezultat, me kalimin e kohës, ata shthurreshin gjithnjë e më shumë. Psalmisti e përshkruan mjaft saktë ndikimin, që provokohej tek adhuruesi, si pasojë e adhurimit të idhujve. “Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.” - Psalmi 115:8. Duhet pranuar se ekziston një ligj i pashkruar i mendjes njerëzore, fakti se gjërat, që shikojmë, na ndryshojnë. Kështu, njeriu nuk mund të ngrihet më lart se ç’janë, në të vërtetë, mendimet e tij rreth së vërtetës, pastërtisë dhe shenjtërisë. Nëse mendja nuk arrin të ngrihet mbi nivelet ekzistuese, nëse ajo nuk arrin të lartësohet nga besimi, në mënyrë që të reflektojë rreth urtësisë dhe dashurisë hyjnore, njeriu ka për t’u zhytur gjithnjë e më poshtë. Adhuruesit e perëndive të rreme i veshën idhujt e tyre me atribute dhe epshe njerëzore. Në këtë mënyrë, standarti i karakterit të tyre ishte degraduar në masë të ngjashme me atë të njerëzimit mëkatar. Ata ishin të përlyer kryq e tërthor. “Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë.” - Zanafilla 6:5. “Por toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe toka ishte mbushur plot e përplot me dhunë”. - Zanafilla 6:11. Perëndia u kishte dhënë njerëzve urdhërimet e Tij si rregullator për jetën, por ligji i Tij u shkel dhe rezultati ishte çdo mëkat apo faj që mund të pjellë mendja. Ligësia e njeriut u bë e hapur dhe mbizotëruese. Drejtësia u gropos në dhé ndërsa rënkimet e të shtypurve u dëgjuan deri në qiell. PPAlb 52.2
Poligamia ishte ushtruar që herët, në kundërshtim me paktin hyjnor, që ishte caktuar në fillim. Zoti i dha Adamit vetëm një grua, duke treguar kështu sistemin, që duhej respektuar. Por, pas rënies në mëkat, njerëzit zgjodhën të ndiqnin dëshirat e tyre mëkatare. Si pasojë, kriminaliteti dhe vuajtjet u rritën ndjeshëm. Nuk respektohej më as marrëdhënia martesore dhe as e drejta e pronësisë. Kushdo, që lakmonte gruan apo pronat e fqinjit të vet, i merrte ato me forcë. Kështu, njerëzit krenoheshin me veprat e tyre të dhunshme. Ata ngazëlleheshin kur shkatërronin jetën e kafshëve. Nga ana tjetër, përdorimi i mishit si ushqim i bëri ata edhe më të ashpër dhe më të uritur për gjak, derisa arritën në atë pikë, sa jetën njerëzore filluan ta shikonin me një indiferencë të pabesueshme dhe të frikshme. PPAlb 52.3
Bota ishte ende në moshën e një fëmije të parritur; megjithatë ligësia ishte thelluar dhe përhapur aq shumë, sa Perëndia nuk mund ta toleronte dot më; dhe Ai tha: “Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun, që kam krijuar.” - Zanafilla 6:7. Perëndia deklaroi se Fryma e Tij nuk do të hahet gjithmonë me racën fajtore njerëzore. Në qoftë se njerëzit nuk do të rreshtnin së ndoturi botën dhe thesaret e saj të pasura me mëkatet e tyre, Ai do t’i fshinte nga faqja e dheut, si dhe do të shkatërronte të gjitha gjërat, që Ai kishte krijuar për të qenë bekim për njerëzimin. Kështu, Ai do të fshinte nga faqja e dheut kafshët e fushës si dhe bimësinë, që siguronte ushqimin e bollshëm për të gjithë. Në këtë mënyrë, ajo botë aq e dlirë do të transformohej në një skenë gjigante shkretimi dhe shkatërrimi. PPAlb 53.1
Përmes çthurrjes mbizotëruese, Methuselahu, Noeu, si dhe shumë të tjerë punuan me gjithë shpirt, që të mbanin gjallë njohurinë rreth Perëndisë së vërtetë dhe të përballnin dallgët e ligësisë. Njëqind e njëzet vjet përpara Përmbytjes, Zoti, me anë të një engjëlli të shenjtë, i deklaroi Noeut vendimin, që kishte marrë dhe e udhëzoi atë që të ndërtonte një arkë (në formë anijeje). Përgjatë ndërtimit të arkës, ai duhet të predikonte se Perëndia do të sillte një përmbytje me ujë mbi tokë, për të shkatërruar të këqinjtë. Ata, që do të besonin këtë mesazh dhe do të përgatiteshin për këtë ngjarje duke u penduar dhe u reformuar, do të merrnin faljen dhe do të shpëtoheshin. Enoku u kishte përsëritur fëmijëve të tij atë, që Perëndia i Kishte treguar në vegim përsa i përket Përmbytjes. Kështu, Methuselahu dhe fëmijët e tij, të cilët jetuan deri gjatë periudhës kur Noeu filloi predikimet, e ndihmuan atë me ndërtimin e arkës. PPAlb 53.2
Perëndia i dha Noeut përmasat e sakta të arkës dhe udhëzime tepër të qarta përsa i përket ndërtimit të saj në çdo aspekt. Zgjuarësia njerëzore nuk do të kishte mundur të formulonte një strukturë aq të fortë e të durueshme. Perëndia ishte hartuesi, ndërsa Noeu ishte kryepërgjegjësi i ndërtimit. Arka u ndërtua në formën e një anijeje, në mënyrë që të pluskonte mbi ujërat por, në disa aspekte, i ngjasonte më shumë një shtëpie të madhe. Ishte tre kate e lartë me vetëm një derë, që ishte vendosur anash. Drita vinte nga lart dhe ndarjet e brendshme ishin bërë në mënyrë, që drita të depërtonte kudo. Materiali, që u përdor për ndërtimin e arkës, ishte qiparisë e zgjedhur, që mund të përballonte kalbjen për qindra vjet. Ndërtimi i kësaj vepre gjigante ishte një proces i ngadaltë dhe i lodhshëm. Edhe pse njerëzit e asaj kohe zotëronin më shumë forcë, përgatitja, rreshtimi dhe thurrja e trarëve të mëdhenj kërkonte shumë më tepër kohë se ç’mund të kërkojë në ditët e sotme. Ajo, që mund të bëhej prej njeriut, u bë, madje përsosmërisht; megjithatë arka, në vetvete, nuk do ta mund ta përballonte stuhinë që do të përshkonte tokën. Vetëm Perëndia mund t’i mbronte shërbëtorët e Tij mbi ujërat e trazuara. PPAlb 53.3
“Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar nga Perëndia për ato gjëra që ende nuk shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij: me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i virtytshmërisë që është me anë të besimit.” - Hebrenjve 11:7. Ndërsa Noeu po jepte mesazhin e tij paralajmërues për botën, veprat e tij dëshmuan për ndershmëri dhe sinqeritet. Kështu besimi i tij u përsos dhe u bë i dukshëm. Ai i dha botës shembullin e një njeriu, që beson vetëm atë çfarë thotë Perëndia. Noeu i investoi tek arka të gjitha pronat dhe zotërimet e tij. Ndërsa filloi të ndërtonte atë anije gjigante, mbi tokën e thatë, turma të shumta erdhën nga të katër anët e tokës që të shikonin pamjen e çuditshme si dhe të dëgjonin fjalët e sinqerta plot pasion të këtij predikuesi vetmitar. Çdo gozhdë e ngulur për ndërtimin e arkës ishte një dëshmi më shumë për njerëzit. PPAlb 53.4
Në fillim, shumë vetë nisën ta pranonin paralajmërimin. Megjithatë, ata nuk u kthyen drejt rrugës së Perëndisë me një pendim të vërtetë. Ata nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga mëkatet. Përgjatë kohës përpara Përmbytjes, besimi i tyre u vu në provë dhe ata dështuan në përballimin e provës. Të mposhtur nga mosbesimi, që mbizotëronte, zërat e tyre më në fund iu bashkuan atyre të shumicës dhe kështu e mohuan mesazhin solemn. Disa u bindën thellësisht për vërtetësinë e mesazhit të Noeut dhe ishin gati për t’i dëgjuar fjalët paralajmëruese, por kishte shumë të tjerë, që talleshin e qeshnin, dhe ata iu bashkuan të njëjtit refren. Ata nuk denjuan të pranonin ftesën e mëshirshme për t’u penduar; për më tepër, u shndërruan në tallësit më arrogantë e më famëkeqë. Fatkeqësisht, askush nuk është më i pacipë dhe i shfrenuar në mëkat sesa ata, që kanë qenë besuar më parë, por i kanë rezistuar Frymës bindëse të Perëndisë. PPAlb 54.1
Njerëzit e atij brezi nuk ishin të gjithë idhujtarë, në kuptimin e plotë të fjalës. Shumë prej tyre pretendonin se ishin adhurues të Perëndisë dhe se idhujt që mbanin thjesht përfaqësonin dhe simbolizonin Hyjninë dhe se, nëpërmjet tyre, njerëzimi mund të përfitonte një njohje më të qartë të Qenies hyjnore. Ky grup i priu gjithë të tjerët në hedhjen poshtë të mesazhit të predikimeve të Noeut. Ndërsa këta njerëz bënin përpjekje për të përfaqësuar Perëndinë me objektet e tyre materiale, mendjet e tyre u errësuan ndaj madhështisë dhe fuqisë hyjnore. Për më tepër, ata reshtën së kuptuari shenjtërinë e karakterit të Tij apo natyrën e shenjtë dhe të pandryshueshme të kritereve të Tij. Ndërsa mëkati u shtua dhe u bë fenomen i përgjithshëm, dukej gjithmonë e më pak i fëlliqur dhe ky grup, më në fund, deklaroi se ligji hyjnor nuk ishte më në fuqi; se dënimi i shkeljes së ligjit të Perëndisë ishte në kundërshtim me karakterin e Perëndisë; gjithashtu, ata mohuan se gjykimi i Perëndisë kishte për ta ndëshkuar tokën. Po t’i ishin bindur njerëzit e atij brezi ligjit të Perëndisë, do ta kishin njohur zërin e Perëndisë në paralajmërimin që bënte Noeu, shërbëtori i Tij; por mendjet e tyre ishin errësuar aq shumë nga mohimi i dritës të së vërtetës sa ata besuan me të vërtetë, se mesazhi i Noeut ishte thjesht një fantazi dhe iluzion. Në anën e së drejtës nuk kishte turma apo shumicë. Bota ishte rreshtuar kundër drejtësisë së Perëndisë dhe kundër ligjeve të Tij, ndërsa Noeu u konsiderua dhe u trajtua si një fanatik. Kur tundoi Evën që të mos i bindej Perëndisë, Satani i tha asaj, “Sigurisht që nuk keni për të vdekur.” - Zanafilla 3:4. Njerëzit e mëdhenj, të famshmit, të nderuarit dhe të mençurit përsëritën të njëjtën gjë. “Kërcënimet e Perëndisë kanë për qëllim frikësimin tonë ndaj nuk kemi për t’u vënë në provë asnjëherë”, thonin ata. “Nuk keni pse alarmoheni. Ngjarje si kjo, që na serviret, pra shkatërrimi i botës nga i njëjti Perëndi që e bëri atë, si dhe dënimi i qenieve që Ai vetë krijoi, nuk ka për të ndodhur kurrë. Qetësohuni; mos u merakosni fare. Noeu është një fanatik që e kanë lënë trutë.” Kështu, bota gajasej e përqeshte budallallëqet e plakut që, sipas tyre, kishte rrjedhur fare. Në vend që të përulnin zemrën përpara Perëndisë, ata vazhduan rebelimin dhe poshtërsitë si më parë. Në fakt, ata vazhduan në rrugën e tyre njësoj sikur Perëndia të mos u kishte folur nëpërmjet shërbëtorit te Tij. PPAlb 54.2
Por Noeu qëndroi si një shkëmb në mes të stuhisë. I rrethuar nga përbuzja dhe tallja e të gjithëve, ai u dallua për përshtatshmërinë e tij të shenjtë dhe besnikërinë e palëkundur. Zëri i Perëndisë fliste dhe i jepte forcë zërit të Noeut. Marrëdhënia me Perëndinë e bëri atë të fortë, me forcën e fuqisë së Tij të pashterrshme dhe, për njëqind e njëzet vjet, zëri solemn i Noeut ra në veshët e atij brezi, duke paralajmëruar për ngjarje, të cilat mençuria njerëzore i kishte gjykuar si të pamundshme. PPAlb 55.1
Kështu arsyetonte bota përpara Përmbytjes: ligjet e natyrës ishin fiksuar për shekuj me radhë. Stinët përsëriteshin vazhdimisht dhe rregullisht sipas radhës. Deri në atë kohë, nuk kishte rënë asnjëherë shi, toka ujitej dhe freskohej nga mjegulla apo vesa. Lumenjtë nuk i kishin kaluar kurrë kufijtë dhe thjesht çonin ujin drejt detit pa asnjë peripeci. Ligje të veçanta i mbanin ujërat në mënyrë që brigjet të mos përmbyteshin. Por këta filozofë nuk e morën parasysh dorën e Atij, që, në fakt, i mbante këto ujëra, duke thënë, “Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!” - Jobi 38:11 PPAlb 55.2
Me kalimin e kohës, ndërsa klima nuk ndryshoi pothuajse fare, njerëzit, zemrat e të cilëve më parë ishin dredhur nga frika, tashmë u qetësuan. Ata arsyetuan ashtu siç arsyetojnë shumë njerëz sot: natyra është mbi Perëndinë e natyrës dhe ligjet natyrore janë të fiksuara aq fort sa as Vetë Perëndia nuk mund t’i ndryshojë ato. Kështu, ata arsyetonin në këtë mënyrë: nëse mesazhi i Noeut është i saktë, natyra ka për të dalë nga kursi i saj i rregullt. Me këtë lloj arsyetimi, ata bënë që mesazhi paralajmërues i profetit të tingëllonte në veshët e botës si një iluzion, një mashtrim i përmasave të mëdha. Ata treguan përbuzjen e tyre për paralajmërimin e Perëndisë duke u sjellë njësoj siç ishin sjellë para se të jepej paralajmërimi. Ata vazhduan festimet dhe mbrëmjet e shfrenuara të grykësisë: hanin dhe pinin, ndërtonin dhe mbillnin, bënin plane për të ardhmen se çfarë dhe sa përfitime do të kishin; kështu e vazhduan edhe më tej rrugën e tyre të çthurrjes me ligësi dhe me arrogancë të hapur ndaj kritereve të Perëndisë, duke dëshmuar se nuk kishin frikë nga i pafundmi Perëndi. Ata gjithashtu lanë të kuptohej se, nëse kishte ndonjë gjë të vërtetë në mesazhin e Noeut, njerëzit e famshëm, dijetarët, largpamësit, njerëzit e mëdhenj, do ta kishin kuptuar këtë me kohë. PPAlb 55.3
Në qoftë se njerëzit, që jetuan përpara Përmbytjes, do të kishin besuar dhe do t’i kishin vënë vesh paralajmërimit dhe do të ishin penduar për veprat e tyre të liga, Perëndia do ta kishte ndalur zemërimin e Tij, siç do të bënte më vonë me qytetin Ninevë. Por, me rezistencën e tyre plot kokëfortësi ndaj qortimit të ndërgjegjes dhe paralajmërimeve të profetit të Perëndisë, ai brez e mbushi kupën e ligësisë së vet dhe, si pasojë, i bëri gropën vetes, duke përgatitur terrenin për shkatërrim. PPAlb 55.4
Periudha e mëshirës edhe pak dhe do të përfundonte. Noeu kishte ndjekur me besnikëri udhëzimet, që kishte marrë nga Perëndia. Arka u përfundua ashtu si kishte porositur Zoti dhe u mbush me ushqime për njerëzit dhe gjënë e gjallë. Tashmë, shërbëtori i Perëndisë bëri apelin përfundimtar solemn përpara njerëzve. Me një apel plot ankth, që në fakt i përngjante agonisë, që fjalët nuk e përshkruajnë dot, ai iu përgjërua atyre që të kërkonin strehë, ndërsa ende kishin mundësi. Sërish, ata i refuzuan fjalët e Noeut dhe ngritën zërat duke u tallur dhe duke bërë gjeste të pahijshme ndaj tij. Befas, një qetësi pllakosi turmën, që po tallej e gajasej. Kafshë, të të gjitha llojeve, nga më të egrat deri tek më të butat, u panë të zbritnin nga mali dhe pylli duke u drejtuar drejt arkës. Një zhurmë e ngjashme me një erë të fortë u dëgjua dhe ja, zogj të të gjitha llojeve po fluturonin nga të gjitha drejtimet, duke errësuar kështu qiellin dhe, me një rregull për t’u pasur zili, u futën brenda në arkë. Kafshët iu bindën urdhrit të Perëndisë, ndërsa njerëzit u treguan te pabindur. Të drejtuar nga engjëjt e shenjtë, ato “erdhën dy nga dy para Noeut, në arkë, një mashkull e një femër”, ndërsa nga çdo lloj kafshe të pastër shtatë çifte (Zanafilla 6:2-9). Mbarë bota vështronte me kureshtje të jashtëzakonshme, disa me frikë. U thirrën filozofë, që ta shpjegonin këtë ngjarje të bujshme, por më kot. Ishte një mister, të cilit nuk mund t’i jepnin shpjegim. Por njerëzit ishin ashpërsuar aq shumë nga mohimi i vazhdueshëm i dritës të së vërtetës, sa që edhe kjo skenë nuk solli asgjë më tepër sesa një reagim të përkohshëm. Ndërsa njerëzit hodhën vështrimin e tyre nga dielli, që ndriçonte me lavdinë e vet, si dhe nga toka e veshur me një bukuri përrallore, ata e shpërfillën frikën, që rritej, me haré e të qeshura. Kështu, me anë të veprave të tyre të dhunshme, njerëzimi i asaj kohe bëri që të binte mbi të zemërimi tashmë i ndezur i Perëndisë. PPAlb 55.5
Perëndia urdhëroi Noeun: “Hyr në arkë bashkë me tërë familjen tënde, sepse kam parë se ti je i drejtë para Meje në këtë brez.” - Zanafilla 6:1. Paralajmërimi i Noeut ishte refuzuar nga bota, por shembulli dhe ndikimi i tij do të rezultonte në bekim për familjarët e tij. Si shpërblim për besnikërinë dhe përshtshmërinë e tij, Perëndia shpëtoi të gjithë pjesëtarët e familjes së Noeut bashkë me të. Çfarë inkurajimi për besnikërinë prindërore! PPAlb 56.1
Mëshira kishte sosur në përgjërimet e saj për njerëzimin fajtor. Kafshët e tokës dhe zogjtë e qiellit tashmë ishin futur në vendin e strehës. Noeu dhe familja e tij ishin brenda arkës dhe “pastaj Zoti i mbylli brenda.” - Zanafilla 6:16. U pa një shkëndijë drite verbuese dhe një re e lavdishme, më e ndritshme se vetë rrufëja, zbriti nga qielli dhe sillej përreth hyrjes së arkës. Dera gjigante, që ishte e pamundur të mbyllej nga ata, që ishin brenda, u mbyll ngadalë nga duar të padukshme. Noeu u la brenda dhe mohuesit e mëshirës së Perëndisë u lanë jashtë. Vula e Qiellit ishte mbi atë derë; vetë Perëndia e kishte mbyllur dhe vetëm Ai mund ta hapte. Kështu, kur Krishti do të ndalë ndërmjetësimin e Tij për njerëzit mëkatarë, përpara se të vijë në retë e qiellit, dera e mëshirës do të mbyllet. Atëhere hiri hyjnor nuk do t’i kufizojë më të ligjtë dhe Satani do të ushtrojë kontroll të plotë mbi ata, që do të kenë refuzuar mëshirën. Ata do të bëjnë përpjekje për të shkatërruar popullin e Perëndisë, por njësoj si Noeu, që u mbyll brenda në arkë, ashtu edhe njerëzit e drejtë do të mbulohen e mbrohen nga fuqia hyjnore. PPAlb 56.2
Për shtatë ditë me radhë, pasi Noeu dhe familja e tij kishin hyrë në arkë, nuk u duk asnjë shenjë stuhie, që po afronte. Gjatë kësaj periudhe, u vu në provë besimi i personave brenda arkës. Ishte një javë triumfi për botën jashtë arkës. Vonesa, në dukje, u forcoi bindjen se mesazhi i Noeut kishte qenë thjesht një marrëzi dhe se Përmbytja nuk do të vinte kurrë. Pavarësisht nga skenat solemne, që kishin dëshmuar, hyrjen e kafshëve dhe zogjve dhe mbylljen e derës nga engjëlli i Perëndisë, ata përsëri vazhduan të festonin e bënin qejf, duke përqeshur këto manifestime sinjalizuese të fuqisë së Perëndisë. Ata u mblodhën në turma të mëdha përreth arkës duke tallur e fyer keqazi e dhunshëm ata, që ishin brenda, me një guxim, që nuk e kishin shfaqur më parë. PPAlb 56.3
Por, ditën e tetë, mbarë qielli u mbush me re të zeza. Kjo u pasua nga zhurmat e bubullimave dhe shkëndijat e rrufëve. Filluan të binin sasi të mëdha shiu. Bota nuk kishte përjetuar kurrë më parë diçka të tillë. Zemrat e njerëzve u mbushën me frikë. Të gjithë thoshin me vete: “A thua vallë Noeu kishte të drejtë dhe bota po shkon drejt shkatërrimit?” Qielli u nxi edhe më shumë dhe shiu filloi të bjerë edhe më furishëm. Të terrorizuara, kafshët lëviznin sa andej-këndej si të xhindosura dhe britmat e tyre të kobshme dukeshin sikur parathonin qartë fatin e tyre dhe të njerëzimit bashkë. Pastaj, “tërë burimet e humnerës së madhe shpërthyen dhe dritaret e qiellit u hapën.” - Zanafilla 6:11. Uji dukej sikur vinte nga retë, me katarakte të fuqishme. Lumenjtë dolën nga shtratet, shpërthyen nga të dyja anët dhe përmbytën luginat. Sasi të pallogaritshme ujërash shpërthyen nga toka me një forcë të papërshkrueshme, duke hedhur gurë të mëdhenj me qindra metra në atmosferë të cilët, në zbritje, do të nguleshin sërish thellë në tokë. PPAlb 57.1
Në fillim, njerëzit panë shkatërrimin e veprave të duarve të tyre. Ndërtesat e pallatet madhështore, kopshtet e mrekullueshme dhe grupet e pemëve, në të cilat kishin vendosur idhujt e tyre, u shkatërruan nga rrufetë, që vinin nga qielli i zi. Gërmadhat e tyre u shpërndanë në të katra anët. Altarët, mbi të cilët ishin ofruar flijimet e urryeshme njerëzore, u bënë shkrumb e hi dhe adhuruesit idhujtarë i përshkoi tmerri, si pasojë e fuqisë së Perëndisë së gjallë. Atyre iu bë e ditur se ishte çthurrja dhe idhujtaria e tyre, që e kishin sjellë këtë shkatërrim. PPAlb 57.2
Ndërsa furtunat dhe stuhitë u bënë edhe më të furishme, pemë, ndërtesa, gurë dhe dhë hidheshin e priteshin nga çdo drejtim. Tmerri i njerëzve dhe kafshëve ishte përtej përshkrimit. Mbi zhurmën shurdhuese të stuhisë, dëgjohej vajtimi i njerëzve, që kishin përbuzur autoritetin e Perëndisë. Edhe Satani, i cili u detyrua të strukej në mes të thellësive të tokës, pati frikë për vetë ekzistencën e tij. Deri në ato çaste, ai kishte shijuar të pasurin nën kontroll të kësaj race kaq të fuqishme dhe dëshironte, që ata të jetonin, në mënyrë që të praktikonin poshtërsitë e tyre dhe të vazhdonin rebelimin kundër Sunduesit të qiellit. Tashmë, Satani shprehu mallkimet më të këqija ndaj Perëndisë, duke e akuzuar për padrejtësi dhe mizori. Duke ndjekur shembullin e Satanit, shumë njerëz blasfemuan ndaj Perëndisë dhe, po të kishin patur mundësi, do ta kishin shfarosur Atë nga froni i pushtetit. Të tjerët i kishte kapur paniku dhe zgjatnin duart drejt arkës dhe luteshin për t’u futur brenda. Por përpjekjet e tyre ishin të kota. Më në fund, u ndie nga ndërgjegja e të gjithëve se ka një Perëndi i cili sundon në qiell. Ata thërritën emrin e Tij me përgjërime të shumta, por veshi hyjnor nuk ishte më i hapur për thirrjet e tyre. Në ato momente të tmerrshme, ata kuptuan se shkelja e ligjit të Perëndisë kishte sjellë shkatërrimin mbi ta. Megjithatë, edhe pse nga frika e ndëshkimit e pranuan më në fund mëkatin e tyre, ata nuk u penduan me të vërtetë dhe nuk mbërritën kurrë në atë pikë sa ta urrenin apo përbuznin ligësinë. Edhe po të ishte anulluar gjykimi për ta, ata do të kishin vazhduar rebelimin dhe qëndrimin e tyre arrogant ndaj Qiellit. Kështu, kur ndëshkimi i Perëndisë do të bjerë mbi botën, përpara shkatërrimit të saj, kësaj radhe me zjarr, ata, që nuk do të pendohen për mëkatin dhe ligësinë e tyre, do të marrin vesh se cili ishte mëkati dhe ligësia e tyre, përbuzja e Ligjit të Tij të Shenjtë. Megjithatë, ata nuk do të pendohen më shumë se sa u penduan mëkatarët e botës së lashtë. PPAlb 57.3
Në dëshpërim e sipër, disa u përpoqën të hynin me forcë në arkë, por struktura e ndërtuar me përsosmëri u rezistoi përpjekjeve të tyre. Disa u kapën pas arkës, deri kur u morën me forcë nga ujërat në rritje e sipër, deri kur u përplasën pas shkëmbinjve apo pemëve, kur arka filloi të pluskojë. Arka gjigante u drodh në çdo fibër të saj, ndërsa rrihej pamëshirshëm nga era dhe lëvizte vrullshëm sa andej këndej. Britmat e kafshëve brenda shprehnin frikën dhe dhimbjen e tyre. Por, në mes të thellësive të tokës, arka vazhdoi të pluskonte mbi ujërat e vrullshme, mjaft e sigurt. Engjëjt, që shkëlqejnë në fuqinë e tyre, u porositën që ta ruanin. PPAlb 58.1
Të ekspozuara nga furtuna, kafshët vërshuan drejt njerëzve, sikur prisnin ndihmë prej tyre. Disa njerëz lidhën femijët e tyre dhe veten pas kafshëve të fuqishme, duke menduar se këto të fundit do të rezistonin gjatë dhe do të ngjiteshin në pikat më të larta, për të shpëtuar nga ujërat në rritje. Disa të tjerë u lidhën pas pemëve të mëdha, që gjendeshin në majë të kodrave dhe maleve; por pemët u shkulën me forcë nga toka dhe, të rënduara nga qeniet e gjalla, ranë me forcë përtokë dhe u fundosën nga ujërat e shumta. Çast pas çasti, vendet, të cilat dukeshin sikur premtonin strehim, u braktisën. Ndërsa niveli i ujërave rritej gjithnjë e më shumë, njerëzit rendën për strehë në malet më të larta. Shpeshherë ndodhte që njerëzit dhe kafshët të luftonin me njëri-tjetrin për vendstrehim, deri në momentin kur të dyja palët do të përpiheshin nga rrymat e forta ujore. PPAlb 58.2
Njerëzit hodhën vështrimin e tyre drejt oqeanit të pafund, nga majat më të larta. Ishte mëse e qartë se paralajmërimet e shërbëtorit të Perëndisë ishin të vërteta dhe askush nuk mund të qeshte e tallej me to. Ah, sa shumë dëshironin këta mëkatarë të mjerë të kishin sërish mundësinë të cilën më parë e kishin refuzuar! Ah, sa shumë përgjëroheshin për një afat kohor, qoftë dhe një orë më tepër, një privilegj mëshire më tepër, një thirrje më tepër nga buzët e Noeut! Por zëri i ëmbël hyjnor, që kumbonte plot mëshirë, nuk do të dëgjohej dot më prej tyre. Dashuria, jo më pak se drejtësia, e bëri të domosdoshëm faktin, që Perëndia, me gjykimin e Tij, duhet t’i jepte fund mëkatit. Kështu, ujërat hakmarrëse përmbytën vendstrehimin e fundit tokësor dhe, përfundimisht ata, që e kishin përbuzur Perëndinë, e gjetën fundin e tyre në thellësitë e errëta të ujërave. PPAlb 58.3
“Sepse... nëpërmjet fjalës së Perëndisë qiejt vinin në ekzistencë shumë kohë më parë, dhe se toka doli nga uji dhe u sajua nëpërmjet ujit, për shkak të të cilit bota e atëhershme u mbulua nga uji dhe humbi, ndërsa qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë.” (2 Pjetrit 3:5-7). Një tjetër stuhi po vjen; toka do të përfshihet sërish nga zemërimi shkatërrues i Perëndisë dhe mëkati e mëkatarët do të shkatarrohen përfundimisht. PPAlb 58.4
Mëkatet, që detyruan Perëndinë të hakmerrej ndaj botës së parapërmbytjes, në kohën e Noeut, ekzistojnë edhe sot. Druajtja ndaj Perëndisë nuk gjendet më në zemrat e njerëzve, ndërsa ligji i Tij trajtohet me indiferencë dhe përbuzje. Degjenerimi i thellë i brezit të atëhershëm matet me atë të brezave të sotëm. Krishti tha “Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë; dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut.” - Mateu 24:38, 39. Perëndia nuk i dënoi banorët përpara përmbytjes së kohës së Noeut për të ngrënët apo të pirët e tyre; Ai u kishte dhënë frutet e tokës me bollëk për të plotësuar nevojat e tyre fizike. Mëkati i tyre qëndronte në faktin se ata i morën këto dhurata pa mirënjohjen më të vogël ndaj Dhënësit të tyre si dhe për shkak se ata degraduan vetveten, duke u dhënë pas orekseve të shfrenuara dhe grykësisë pa karar. Ishte plotësisht e ligjshme për ta që të martoheshin. Martesa i përkiste rendit të Perëndisë dhe ishte një institucion i mirëfilltë hyjnor, madje nga më të parët, që u krijua. Perëndia dha porosi dhe udhëzime specifike për martesën, duke e stolisur atë me shenjtëri dhe bukuri. Por këto direktiva u harruan dhe martesa u përçudnua duke u kthyer në një mjet, që u shërbente vetëm epsheve. PPAlb 59.1
Një situatë pothuajse identike gjendet dhe në ditët tona. Ajo, që është e ligjshme në vetvete, abuzohet dhe çohet në ekstreme. Grykësia dhe orekset e çdo lloji janë të shfrenuara. Njerëz, që pretendojnë se janë besimtarë dhe ndjekës të mësimeve të Krishtit, hanë dhe pinë pa u përmbajtur me pijanecët, ndërkohë që emrat e tyre gjenden ende në listat e nderit të kishave të ndryshme. Abuzimi me të ngrënët dhe pijet alkoolike i mpin fuqitë morale dhe shpirtërore dhe përgatit udhën për abuzimin me epshet e ulta. Gjithnjë e më shumë, njerëzit nuk duan t’ia dinë fare për detyrimet morale, që frenojnë dëshirat e tyre sensuale. Si pasojë, ata shndërrohen në skllevër të epshit. Duket qartë se shumë njerëz jetojnë vetëm për të kënaqur shqisat e tyre, vetëm për këtë botë e vetëm për këtë jetë. Ekstravaganca mbizotëron çdo hallkë të shoqërisë. Integriteti sakrifikohet për luksin dhe paraqitjen e jashtme. Ata, që nxitojnë të bëhen të pasur pa derdhur djersë, shkelin rëndë ligjet dhe drejtësinë, shtypin dhe shfrytëzojnë më të varfërit, ndërsa “skllevër dhe shpirtra njerëzish” ende shiten dhe blihen. Korrupsioni, rryshfetet dhe vjedhjet kanosen dhe lulëzojnë në rrethet e larta dhe të ulta të politikës. Faqet e gazetave janë të mbushura plot e përplot me kronika të zeza, vrasje dhe krime, aq të kobshme dhe monstruoze nga njëra anë dhe plotësisht pa shkak nga ana tjetër, të krijojnë përshtypjen se çdo instinkt njerëzor është zhdukur nga faqja e dheut. Këto krime të dhunshme janë bërë kaq të shpeshta e të zakonshmë sa që shumë rrallë nxitin ndonjë koment apo shkaktojnë habi. Fryma e anarkisë po depërton në çdo lloj shoqërie njerëzore. Nga ana tjetër, ngjarjet famëkeqe, të cilat herë pas here ngjallin kureshtjen e publikut dhe shpesh e tmerrojnë atë, tregojnë më së miri se epshi, dhuna dhe anarkia ndodhen jashtë kontrollit dhe kanë për t’i shkaktuar botës vetëm mjerim dhe shkatërrim. Pamja, që përshkruhet nga Shkrimet e Shenjta në lidhje me botën, që jetoi përpara përmbytjes së kohës së Noeut, pasqyron në mënyrë sa të vërtetë aq edhe të frikshme gjendjen drejt së cilës po rend me nxitim shoqëria njerëzore. Edhe në kohët e tanishme, madje dhe në vende, që ende pretendojnë të jenë me popullsi të krishterë, përditë ndodhin krime të rënda dhe të tmerrshme, të ngjashme me ato, për të cilat u dënuan dhe u shkatërruan mëkatarët e kohës përpara përmbytjes. PPAlb 59.2
Perëndia dërgoi Noeun, përpara përmbytjes, për të paralajmëruar botën, në mënyrë që njerëzit t’i drejtoheshin pendimit dhe kështu t’i shpëtonin shkatërrimit, që u kanosej. Ndërsa dita-ditës afrohet ardhja e dytë e Krishtit, Zoti dërgon shërbëtorët e Tij me një paralajmërim për botën, që të përgatitet për këtë ngjarje madhështore. Shumë njerëz kanë jetuar duke shkelur vazhdimisht ligjin e Perëndisë. Për këtë arsye, Perëndia mëshirëplotë u bën atyre thirrje, që t’u binden parimeve të shenjta të ligjit. Të gjithë atyre, që do të heqin dorë nga mëkati me anë të pendimit ndaj Perëndisë dhe besimit në Krishtin, do t’u ofrohet falje. Por shumë njerëz pretendojnë se u kërkohet të sakrifikojnë shumë, kur u duhet të heqin dorë nga mëkati. Jeta e tyre nuk është në harmoni me parimet e pastra të qeverisjes morale të Perëndisë. Për këtë arsye, ata kanë për t’i refuzuar paralajmërimet hyjnore si dhe kanë për ta mohuar autoritetin e ligjit të Perëndisë. PPAlb 60.1
Nga e gjithë popullata botërore përpara përmbytjes, vetëm tetë njerëz besuan dhe iu bindën fjalës së Perëndisë, nëpërmjet Noeut. Për njëqind e njëzet vjet, Noeu, ky predikues i virtytshmërisë, paralajmëroi botën mbi shkatërrimin, që po afrohej. Por mesazhi i tij u refuzua dhe u përbuz. Kështu do të ndodhë dhe kësaj radhe. Përpara se Zoti ligjvënës të vijë për të dënuar të këqinjtë, njerëzit, që jetojnë në mëkat, kanë për t’u paralajmëruar që të kthehen nga rruga e keqe e mëkatit, drejt aleancës së tyre me Perëndinë. Por, për shumicën, këto paralajmërime do të jenë të kota. Apostulli Pjetër thotë: “...Në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë: ‘Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit.”‘ - 2 Pjetrit 3:3, 4. A nuk i dëgjojmë këto fjalë të përsëritura, jo vetëm nga njerëzit jobesimtarë, por edhe nga shumë predikues dhe punonjës feje në vendet moderne? “Nuk ka arsye për t’u alarmuar”, deklarojnë ata. “Përpara se të vijë Krishti, e gjithë bota ka për t’u konvertuar dhe besimtarët do të mbretërojnë me Mbretin e tyre për një mijë vjet. Paqe, paqe! Të gjitha gjërat do të vazhdojnë ashtu siç ishin në fillim. Të mos bezdiset askush nga mesazhet emocionale të këtyre fanatikëve.” Por kjo doktrinë, mbi të ashtuquajturin mijëvjeçar të paqes, nuk është në harmoni me mësimet e Krishtit dhe apostujve të Tij. Jezusi bëri një pyetje mjaft domethënëse: “Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë vallë besim mbi tokë?” - Luka 18:8. Kështu, siç e kemi parë, Krishti deklaron se gjendja në botë do të jetë e ngjashme me atë të kohës së Noeut. Apostulli Pal na paralajmëron që t’i ruhemi çthurrjes dhe ligësisë, të cilat do të jenë në rritje ndërsa fundi afrohet: “Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve, që flasin gënjeshtra me hipokrizi, të damkosur në ndërgjegjen e tyre.” - 1 Timoteut 4: 1, 2. Apostulli gjithashtu thotë se “në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira.” - 2 Timoteut 3:1. Ndërsa në vargjet pasardhëse, Pali paraqet një listë “të bezdisshme” të mëkateve, që do të gjenden ndër ata, që pretendojnë të jenë besimtarë. PPAlb 60.2
Ndërsa afatit të kohës së mëshirës po i afrohej fundit, banorët e bashkëkohësit e Noeut iu dhanë tërësisht epsheve dhe gostive ekstravagante. Ata, që zotëronin influencë dhe pushtet, u detyruan të mbanin mendjet e njerëzve të zëna e përfshira me qejfet dhe haretë, në mënyrë që paralajmërimi i fundit solemn i Perëndisë të mos u bënte përshtypje dhe ta anashkalonin. A nuk e shohim të njëjtën gjë të ndodhë dhe në ditët tona? Ndërsa shërbëtorët e Perëndisë janë duke dhënë mesazhin se fundi i botës po afrohet, bota është e zënë dhe e përfshirë me qejfe dhe në kërkim të epsheve të rëndomta. Ekziston një reklamim i vazhdueshëm i eksitimit dhe i personazheve VIP, i cili shkakton indiferencë ndaj Perëndisë dhe i pengon njerëzit që të përballen dhe të pranojnë të vërtetën e Ungjillit. Ky i fundit është i vetmi, që mund t’i shpëtojë ata nga shkatërrimi që do të vijë. PPAlb 60.3
Në kohën e Noeut, filozofët deklaronin se ishte e pamundur që bota të shkatërrohej me anë të ujit. Në mënyrë të ngjashme, dëgjojmë në ditët tona shumë njerëz të shkencës të cilët përpiqen të tregojnë se bota nuk mund të shkatërrohet me anë të zjarrit, se ky skenar nuk përputhet me ligjet e natyrës. Por Perëndia i natyrës, Autori dhe Zotëruesi i ligjeve të saj, mund të përdorë në çdo kohë veprat e duarve të Tij, për të përmbushur vullnetin e Tij sovran. Atëherë kur njerëzit e famshëm e dijetarët nxitonin të servirnin si fakt të kryer se shkatërrimi i botës me anë të ujit ishte i pamundur, atëherë kur të gjithë e trajtonin me fodullëk profecinë e Noeut si një marrëzi dhe e konsideronin atë një fanatik, pikërisht atëherë erdhi papritur e papandehur koha e Perëndisë. Kështu “tërë burimet e humnerës së madhe shpërthyen dhe dritaret e qiellit u hapën si katarakte” (Zanafilla 6:11) dhe tallësit përfunduan poshtë ujërave të përmbytjes. Me gjithë filozofinë e tyre të fryrë, ishte tepër vonë kur njerëzit e kuptuan qartë se mençuria e tyre ishte thjesht marrëzi, se Autori dhe Hartuesi i ligjeve të natyrës është më i madh se to dhe se Perëndia është sovran dhe i gjithpushtetshëm, asgjë nuk mund ta ndalë Atë nga arritja e planeve dhe qëllimeve të Tij. “Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut. Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë... Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet.” - Luka 17:26, 27, 30. “Por dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka, që janë në të do të digjen krejt.” - 2 Pjetrit 3:10. Atëherë kur arsyetimet filozofike do të kenë larguar nga mendjet e njerëzve frikën e gjykimit të Perëndisë, atëherë kur mësuesit fetarë kanë për të lajmëruar me pompozitet për ardhjen e epokës së paqes dhe begatisë, atëherë kur bota ka për të qenë krejtësisht e përfshirë me gjërat e rëndomta, qofshin këto punë apo qejf, mbjellje apo ndërtime, festa apo gosti ekstravagante, atëherë kur ata do të jenë duke refuzuar paralajmërimet e Perëndisë dhe duke tallur lajmëtarët e Tij—pikërisht atëherë do të bjerë mbi ta shkatërrimi i papritur dhe ata nuk do të mund të shpëtojnë dot. - 1 Selanikasve 5:3. PPAlb 61.1