PATRIARKË DHE PROFETË

66/74

65—“ZEMËRGJËRËSIA E DAVIDIT”

*****

Pas masakrës brutale të priftërinjve të Perëndisë, “një nga bijtë e Ahimelekut, bir i Ahitubit, i quajtur Abiathar, shpëtoi dhe u strehua pranë Davidit. Abiathari i njoftoi Davidit që Sauli kishte vrarë priftërinjtë e Zotit. Davidi i tha Abiatharit: “Unë e dija mirë atë ditë që edomiti Doeg, i cili ndodhej aty, pa dyshim që do ta lajmëronte Saulin. Unë jam shkaktari i vdekjes të të gjithë personave të shtëpisë së atit tënd. Rri me mua, mos ki frikë; ai që kërkon jetën time kërkon edhe tënden; por me mua do të jesh i sigurt.” 49 PPAlb 510.1

Duke qenë vazhdimisht në ndjekje nga mbreti Saul, Davidi nuk po gjente dot ndonjë vendstrehim të qetë apo të sigurt. Në Keilah, banda e tij guximtare e shpëtoi qytetin nga kthetrat e filistinasve por megjithatë, edhe mes njerëzve që sapo kishin çliruar, ata nuk ndjeheshin të sigurt. Prej Keilahut, ata u larguan për në shkretëtirën e Zifit. PPAlb 510.2

Në këtë kohë, kur kishte shumë pak momente të bukura në jetën e Davidit, ai u gëzua shumë nga vizita e Jonatanit, i cili e kishte marrë vesh vendstrehimin ku fshihej. Momentet që këta dy miq të ngushtë kalonin bashkë ishin me të vertëtë të çmuara. Ata ndanë historitë e njëri-tjetrit dhe Jonatani i dha forcë zemrës e Davidit duke i thënë: “Mos ki frikë, sepse Sauli, ati im, nuk do të arrijë të të shtjerë në dorë; ti do të mbretërosh mbi Izraelin dhe unë do të jem i dyti pas teje. Vetë Sauli, ati im, e di këtë.” Ndërsa flisnin për mënyrën e mrekullueshme që Zoti e kishte shpëtuar Davidin, i përndjekuri mori zemër. “Kështu të dy bënë një besëlidhje para Zotit; pas kësaj Davidi mbeti në pyll, kurse Jonathani shkoi në shtëpinë e tij.” PPAlb 510.3

Pas vizitës së Jonatanit, Davidi e inkurajoi veten me këngë lavdërimi, duke e shoqëruar zërin me tingullin e harpës, ndërsa këndonte: PPAlb 510.4

“Unë gjej strehë te Zoti;
si mund t’ i thoni shpirtit tim:
‘Ik në malin tënd, si një zog i vogël?’
Sepse ja, të pabesët nderin harkun e tyre,
rregullojnë shigjetat mbi kordhëz,
për t’i gjuajtur në errësirë kundër atyre që kanë të drejtë nga zemra.
Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?
Zoti është në tempullin e Tij të shenjtë;
Zoti ka fronin e Tij në qiejtë;
sytë e Tij shohin, qepallat e Ttij vëzhgojnë bijtë e njerëzve,
Zoti vë në provë të virtytshmin,
por shpirti i Tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.”
PPAlb 510.5

- Psalmi 11:1-5

Zifitët, në rajonet e të egra të të cilëve Davidi u arratis nga Keilah, i dërguan fjalë Saulit në Gibeah se kishin marrë vesh vendstrehimin e Davidit, dhe se do ta çonin mbretin në vendin ku ishte fshehur Davidi. Por ky i fundit u paralajmërua për planet e tyre, dhe e ndryshoi vendndodhjen, duke kërkuar strehë në malet mes Maonit dhe Detit të Vdekur. PPAlb 511.1

Edhe një herë Sauli mori lajmin: “Ja, Davidi është në shkretëtirën e En-Gedit. Atëherë Sauli mori tre mijë njerëz të zgjedhur nga tërë Izraeli dhe shkoi të kërkojë Davidin dhe njerëzit e tij përballë shkëmbinjve të dhive të egra.” Davidi kishte vetëm gjashtëqind njerëz që e shoqëronin, kurse Sauli kishte dalë kundra tij me një ushtri prej tre mijë vetash. Në një shpellë të veçuar, Davidi dhe njerëzit e tij rrinin në pritje para Zotit për të mësuar se çfarë duhej bërë. Ndërsa Sauli po ngjitej me vrull për në mal, ai u kthye dhe hyri krejt i vetëm pikërisht në shpellën ku gjendej Davidi me njerëzit e tij. Kur shoqëruesit e Davidit e panë që ai ishte vetëm, e nxitën Davidin që ta vriste Saulin. Faktin që tani e kishin mbretin në dorë, ata e interpretuan si një shenjë e sigurt që Vetë Perëndia ua kishte dorëzuar armikun në duart e tyre, në mënyrë që ta shkatërronin. Davidi u tundua që ta shihte ngjarjen në këtë këndvështrim, por zëri i ndërgjegjes i foli duke thënë: “Mos e prek të vajosurin e Perëndisë.” PPAlb 511.2

Megjithatë, shoqëruesit e Davidit nuk ishin të gatshëm ta linin Saulin të shkonte në paqe, prandaj i kujtuan komandantit të tyre fjalët e Perëndisë: “Ja, unë po ta dorëzoj në dorën tënde armikun tënd; bëj me të ç’të duash. Atëherë Davidi u ngrit dhe pa u diktuar preu një cep të mantelit të Saulit. Por pas kësaj Davidit i rrahu zemra, sepse i kishte prerë cepin e mantelit Saulit.” PPAlb 511.3

Sauli u zgjua dhe doli jashtë shpellës për të vazhduar kërkimin, ndërsa një zë buçiti në veshët e tij duke thënë: “O mbret, o imzot!” Ai u kthye për të parë se kush po e thërriste dhe ja, ishte biri i Jeseit, njeriu që mezi priste ta kishte nën pushtetin e vet për ta vrarë. Davidi u përul para mbretit, duke e njohur publikisht si zotninë e tij. Pastaj i foli Saulit me këto fjalë: “Pse dëgjon fjalët e njerëzve që thonë: ‘Davidi kërkon të të bëj keq.’ Ja, sot sytë e tu panë që sot Zoti të kishte dorëzuar në duart e mia në atë shpellë; dikush më tha të të vras, por unë të kurseva dhe thashë: ‘Nuk do ta shtrij dorën kundër zotërisë tim, sepse është i vajosuri i Zotit.’ Veç kësaj, o ati im, shiko në dorën time cepin e mantelit tënd. Në rast se kam prerë cepin e mantelit tënd dhe nuk të kam vrarë, mund të kuptosh dhe të bindesh që nuk ka në veprimet e mia ligësi, as rebelim dhe se nuk kam mëkatuar kundër teje; por ti po më kurdis gracka për të më hequr jetën!” PPAlb 511.4

Kur i dëgjoi fjalët e Davidit, Sauli u prek thellë dhe nuk mund të rrinte pa pranuar vërtetësinë e tyre. Ndjenjat e tij u prekën thellë ndërsa kuptoi se kishte qenë tërësisht në duart e atij personi, jetën e të cilit kërkonte ta merrte. Davidi qëndronte para tij i ndërgjegjshëm për pafajësinë e tij. Me një frymë të zbutur Sauli bërtiti: “A është zëri yt ky, biri im David? Dhe Sauli ngriti zërin dhe filloi të qajë. Pastaj i tha Davidit: ‘Ti je më i virtytshëm se unë, sepse më ke bërë të mira, kurse unë të kam bërë të këqija. Ti sot tregove qe je sjellë mirë me mua, sepse Zoti më kishte lënë në duart e tua, por ti nuk më vrave. Kur pra, një njeri takon armikun e tij dhe e lë të shkojë në paqe? Zoti të dhëntë të mira për atë që më ke bërë sot. Tani e di me siguri që ti do të mbretërosh dhe që mbretëria e Izraelit do të jetë e qëndrueshme në duart e tua.’” PPAlb 511.5

Dhe Davidi bëri një besëlidhje me Saulin që kur kjo gjë të ndodhte, ai do ta trajtonte me mirësi shtëpinë e Saulit dhe nuk do ta shkatërronte emrin (kupto: pasardhjen) e tij. PPAlb 512.1

Duke e njohur mirë të kaluarën e Saulit, Davidi nuk mund të kishte besim të plotë në gjërat për të cilat mbreti i jepte siguri dhe as nuk shpresonte që gjendja e pendesës të vazhdonte për një kohë të gjatë. Kështu, ndërkohë që Sauli u kthye për në shtëpinë e tij, Davidi mbeti në fortesat e maleve. PPAlb 512.2

Ndonjëherë, armiqësia që drejtohet ndaj shërbëtorëve të Perëndisë nga ana e atyre që janë dorëzuar në pushtetin e Satanit, ndryshon dhe kthehet në një ndjenjë paqeje dhe pranimi, por ky ndryshim, zakonisht nuk zgjat shumë. Pasi njerëzit që drejtohen nga një mendje e keqe kanë thënë dhe bërë gjëra të këqia kundër shërbëtorëve të Perëndisë, vjen një moment që thellë në mendje binden për gabimet e tyre. Fryma e Perëndisë lufton me ta dhe arrijnë ta përulin zemrën ndaj Perëndisë dhe ndaj atyre që janë përpjekur t’i shkatërrojnë, madje mundet që edhe ta ndryshojnë sjelljen e tyre. Por ndërsa vazhdojnë t’ia hapin sërish derën sugjerimeve të të ligut, dyshimet e vjetra rizgjohen, armiqësitë e vjetra zgjohen sërish dhe kthehen tek të njëjtat gjëra për të cilat ishin penduar dhe të cilat i kishin braktisur. Ata fillojnë sërish të flasin keq, duke akuzuar dhe duke dënuar në mënyrën më të rëndë po ata persona para të cilëve ishin përulur me përulësi. Këta lloj njerëzish, Satani mund t’i përdorë me fuqi edhe më të madhe se më përpara, pasi tashmë ata kanë mëkatuar nën ndriçimin e një drite më të fuqishme. PPAlb 512.3

“Pastaj Samueli vdiq, dhe tërë Izraeli u mblodh dhe e qau, e varrosën në shtëpinë e tij në Ramah.” Vdekja e Samuelit u konsiderua si një humbje e pariparueshme nga tërë populli i Izraelit. Kishte vdekur një profet i madh, i mirë, që kishte qenë edhe gjykatës dhe populli ndihej tepër i hidhëruar në zemër. Që në fëmijërinë e ti e deri në ato momente, Samueli kishte ecur para Perëndisë me drejtësi në zemrën e tij; edhe pse Sauli kishte qenë mbreti i Izraelit, Samueli kishte ushtruar një ndikim më të madh se mbreti, pasi ishte treguar besnik, i bindur dhe i përkushtuar. Në Bibël lexojmë që ai e gjykoi Izraelin tërë ditët e jetës së tij. PPAlb 512.4

Ndërsa njerëzit krahasonin rrugën e Saulit me atë të Samuelit, ata kuptuan se çfarë gabimi të rëndë kishin bërë që kishin këkuar një mbret për kombin e tyre, në mënyrë që të ishin njësoj si kombet e tjera rreth e rrotull. Shumë prej tyre analizonin situatën e vendit dhe ajo iu dukej alarmante, pasi ishte përpirë nga majaja e mosbesimit dhe e paperëndishmërisë. Shembulli i sunduesit të tyre kishte patur një ndikim shumë të gjerë dhe sado e madhe të ishte zia, sado i madh hidhërimi i tyre, Samueli. profeti i Zotit nuk ishte më gjallë. PPAlb 512.5

Kombi kishte humbur themeluesin dhe drejtorin e shkollave të shenjta (të profetëve), por kjo nuk ishte e gjitha. Kishte humbur personin, tek i cili njerëzit ishin mësuar të shkonin për problemet dhe hallet e tyre, personin që vazhdimisht kishte ndërhyrë para Perëndisë në të mirë të interesave të popullit të tij. Ndërmjetësimi i Samuelit u kishte dhënë një ndjenjë sigurie, pasi: “Lutja e të drejtit vepron fuqishëm kur del nga zemra”- Jakobi 5:16. Tani populli kishte krijuar përshtypjes se Perëndia po e braktiste. Mbreti që kishin pothuajse ishte marrosur krejt. Drejtësia ishte korruptuar e fëlliqur. dhe ruajtja e rendit ia kishte lënë vendin rrëmujës e shastisjes. PPAlb 512.6

Momenti që Zoti kisht zgjedhur për t’i dhënë prehje shërbëtorit të Tij Samuel ishte pikërisht koha kur kombi ziente nga brenda dhe kur këshilla e profetit do të ishte më e nevojshme se kurrë. Kur njerëzit shikonin vendin e tij të prehjes, u vinin në mend kujtimet e hidhura kur ata e kishin refuzuar si udhëheqës; në fakt ai kishte ruajtur një lidhje aq të fortë me Qiellin, saqë dukej sikur e kishte lidhur tërë kombin përpara fronit të Jahveh, Zotit Perëndi. Samueli kishte qenë ai që i kishte mësuar ta donin Perëndinë dhe t’i bindeshin Atij, por tani që kishte vdekur, njerëzve u dukej sikur ishin lënë në mëshirën e një mbreti që i ishte bashkuar Satanit dhe që do ta ndante përfundimisht popullin nga Perëndia i qiellit. PPAlb 513.1

Për arësye sigurie, Davidi nuk mund të ishte i pranishëm në varrimin e Samuelit, por ai vajtoi shumë për të, sikurse bën një djalë i dashur dhe besnik për babanë e vet të përkushtuar. Ai e dinte se vdekja e Samuelit kishte zgjidhur një tjetër lidhje pengese për veprimet e Saulit dhe tashmë u ndie edhe më i pasigurt sesa kur profeti ishte ende gjallë. Ndërkohë që vëmendja e Saulit ishte përqendruar tek zia dhe vajtimi për profetin, Davidi e shfrytëzoi këtë mundësi për të gjetur një vendstrehim më të sigurt, ndaj u largua për në shkretëtirën e Paranit. Këtu ai kompozoi psalmet njëqindenjëzetë dhe njëqindenjëzetëenjë. Në atë vend të egër e të shkretë, pasi kishte kuptuar që profeti kishte vdekur dhe se mbreti ishte armiku i tij, ai këndoi: PPAlb 513.2

Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.
Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët,
Ai që të mbron nuk do të dremitë.
Ja, Ai që mbron Izraelin nuk do të dremitë dhe nuk do të flejë.
Zoti është ai që të mbron,
Zoti është hija jote, Ai ndodhet në të djathtën tënde.
Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.
Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.
PPAlb 513.3

- Psalmi 121:2-8.

Ndërsa Davidi dhe burrat e tij ishin në shkretëtirën e Paranit, ata ruajtën bagëtinë dhe gjedhët e një njeriu të quajtur Nabal nga dëmtimi i disa plaçkitësve. Nabali, i cili kishte prona të mëdha në atë zonë, ishte pasardhës i Kalebit, por në karakterin i tij ishte harbut dhe dorështrënguar. PPAlb 513.4

Ishte koha e qethjes së deleve, një kohë për të treguar mikpritje. Davidi dhe shoqëruesit e tij kishin nevoja urgjente për furnizime dhe, sipas zakonit të asaj kohe, biri i Jeseit dërgoi dhjetë burra tek Nabali, duke i porositur që t’i çonin të fala nga drejtuesi i tyre dhe shtoi: “dhe i thoni kështu: ‘Shëndet! Paqe ty, paqe shtëpisë sate dhe paqe çdo gjëje që të përket! Mësova që te ti ndodhen qethësit; kur barinjtë e tu ndodheshin te ne, nuk u kemi bërë asnjë të keqe, dhe nuk u ka munguar gjë gjatë kohës që kanë qenë në Karmel (jo Mali Karmel, por një vend në territorin e Judës, pranë qytetit kodrinor të Maonit). Pyet shërbëtorët e tu dhe do të ta thonë. Paçin hirin tënd këta të rinj, sepse kemi ardhur në një ditë gëzimi; jepu, të lutem, shërbëtorëve të tu dhe birit tënd David ç'të kesh mundësi’.” PPAlb 513.5

Davidi dhe burrat e tij kishin shërbyer si një mur mbrojtës për barinjtë dhe delet e Nabalit dhe tani, ata po i kërkonin këij njeriu të pasur që t’ua kthente nderin duke u ofruar një ndihmë sado të vogël për nevojat e atyre, meqënëse i kishin bërë një shërbim kaq të vyer. Davidi dhe shoqëruesit e tij mund të kishin marrë vetë diçka nga tufa, por nuk e bënë këtë gjë. Ata u sollën me ndershmëri. Megjithatë, mirësia e tyre nuk solli rezultat me Nabalin. Përgjigjia që ai i ktheu Davidit tregoi vetë karakterin e tij: “Kush na qenka ky Davidi dhe kush na qenka ky biri i Jeseit? Sot ka shumë shërbëtorë që largohen nga zotërinjtë e tyre. Të merrkam unë bukën time, ujin tim dhe mishin e kafshëve që kam vrarë për qethësit e mi, për t’ ua dhënë njerëzve që unë nuk di se nga vijnë?!” PPAlb 513.6

Kur shoqëruesit u kthyen duarbosh dhe ia raportuan të gjitha Davidit, ai u mbush me indinjatë. Ai i urdhëroi njerëzit e tij që të bëheshin gati për një përballje, pasi ishte i vendosur që ta dënonte atë njeri që i kishte mohuar të drejtën që i takonte dhe që përveç lëndimit, kishte denjuar edhe të fyente. Në fakt, kjo lëvizje impulsive ishte më tepër në harmoni me karakterin e Saulit se atë të Davidit, por biri i Jeseit kishte ende nevojë të merrte mësime durueshmërie në shkollën e mundimeve. PPAlb 514.1

Njëri prej shërbëtorëve të Nabalit vrapoi për tek gruaja e tij, Abigail, menjëherë pasi Nabali i kishte përzënë të dërguarit e Davidit dhe i tregoi asaj gjithçka që kishte ndodhur. “Shiko,” i tha, “Davidi ka dërguar lajmëtarë nga shkretëtira për të përshëndetur zotin tonë, por ai i ka fyer. Mirëpo këta njerëz janë sjellë shumë mirë me ne, nuk na kanë bërë asnjë të keqe dhe nuk ka munguar asgjë në kohën që kemi bredhur bashkë me ta nëpër fusha. Ata kanë qenë për ne një mur mbrojtjeje natën e ditën për gjithë kohën që kemi kullotur bashkë me ta kopenë tonë. Dije këtë gjë dhe shiko atë që duhet të bësh, sepse, [ndryshe], zotnisë sonë dhe tërë shtëpisë së tij ka për t’i ngjarë ndonjë fatkeqësi; ai është një njeri aq i keq, sa nuk mund t’i flasësh.” PPAlb 514.2

Pa u konsultuar fare me burrin dhe pa i treguar për planin e saj, Abigaili përgatiti disa ushqime të bollshme, që i ngarkoi mbi gomarë dhe ua besoi shërbëtorëve të saj dhe së bashku me ta u nisën për të takuar bandën e Davidit. I takoi rrëzë kodrës “Kur Abigaili pa Davidin, zbriti shpejt nga gomari dhe ra përmbys me fytyrën për tokë përpara Davidit. Kështu u shtri në këmbët e tij dhe tha: ‘O imzot, mbi mua, vetëm mbi mua bie faji! Por lejo shërbëtoren tënde të të flasë, dhe ti dëgjo fjalët e saj.’” - Vargjet Abigaili iu drejtua Davidit me aq nderim sikur po i fliste një mbreti të kurorëzuar. Nabali me përçmim kishte thirrur: “Kush na qenka ky Davidi?”, kurse Abigaili e quajti Davidin “imzot”. Ajo u përpoq që t’i qetësonte ndjenjat e tij të irrituara me fjalë të këndshme dhe iu lut atij në emër të burrit të saj. Pa treguar asnjë lloj krenarie, apo kokëfortësie, madje e mbushur me mençurinë dhe dashurinë e Perëndisë, Abigaili tregoi përkushtim të plotë ndaj familjes së saj dhe ia bëri të qartë Davidit që fyerja e burrit të saj nuk kishte qenë diçka e paramenduar dhe eqëllimshme kundër Davidit, por thjesht ishte pasqyrim i karakterit të tij, sepse ishte një njeri nopran dhe egoist. PPAlb 514.3

“Kështu, pra, imzot, ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që ti je gjallë, Zoti të ka penguar të derdhësh gjak dhe të vendosësh drejtësi me duart e tua. Armiqtë e tu dhe ata që duan t’i bëjnë keq zotërisë sim qofshin si Nabali!” Abigaili nuk e quajti si meritë të sajën këtë lloj arsyetimi, që synonte ta kthente Davidin nga synimi i tij i nxituar, por nderin dhe lavdinë për këtë ia dha Perëndisë. Më pas, ajo ofroi bollëkun e ushqimeve që kishte sjellë për burrat e Davidit si një dhuratë paqeje dhe vazhdoi të lutej sikur të kishte qenë ajo vetë që kishte shkaktuar pakënaqësinë e Davidit. PPAlb 514.4

“Të lutem,” vazhdoi ajo, “falja fajin shërbëtores sate; me siguri Zoti do ta bëjë të qëndrueshme shtëpinë e zotërisë tim, sepse zotëria im lufton në betejat e Zotit, dhe gjatë tërë kohës së jetës sate nuk është gjetur asnjë e keqe te ti.” Duke thënë këtu, Abigaili parashikoi rrugën që Davidi duhej të ndiqte. Ai duhej të luftonte në betejat e Perëndisë dhe nuk duhet të kërkonte hakmarrje për gabimet personale, pavarësisht se përndiqej si një tradhëtar. Ajo vazhdoi të thoshte: “Në rast se del dikush që të të persekutojë dhe të kërkojë jetën tënde, jeta e zotërisë sim do të ruhet në krahun e jetës pranë Zotit, Perëndisë tënd... Kështu, kur Zoti t’i ketë bërë zotërisë tim të mirat që i ka premtuar dhe të të ketë vënë në krye të Izraelit, kjo gjë nuk do të jetë dhimbje për ty, as edhe një brejtje e ndërgjegjes së zotërisë tim; domethënë të ketë derdhur gjak pa shkak dhe të ketë marrë hak me vetëgjyqësi. Por kur Zoti do t’i bëjë të mira zotërisë tim, kujto shërbëtoren tënde.”- 1 Samuelit 25:29-31. PPAlb 514.5

Këto fjalë mund të vinin vetëm nga dikush që kishte marrë njohuri nga qielli. Devotshmëria e Abigailit u shpalos në mënyrë të pandërgjegjshme në fytyrën e saj, në fjalët dhe veprimet e saj, sikurse një lule që përhap aromën e saj të mrekullueshme. Në zemrën e saj kishte gjetur vendbanim vetë Fryma e Birit të Perëndisë. Fjalët e saj kishin aromën e hirit dhe ishin plot me dashuri dhe paqe, duke lëshuar kështu një influencë hyjnore përreth. Pas reflektimit, Davidit iu kthye llogjika dhe filloi të dridhej ndërsa sillte ndërmend pasojat e veprimit të nxituar që kishte planifikuar për të ndërmarrë “Lum ata që punojnë për paqen, sepse ata do të thirren bij të Perëndisë.” - Mateu 5:9. Ah sikur të kishte më shumë gra në Izrael si kjo grua zonjë, që të zbutnin irritimet e çasttit, që të ndalnin zemërimet impulsive e të nxituara si dhe që parandalonin të këqijat e mëdha me fjalë qetësuese dhe urtësie që vijnë nga një mendje e shëndoshë. PPAlb 515.1

Një jetë e krishterë që karakterizohet nga devotshmëria përhap vazhdimisht dritë, ngushëllim dhe paqe. Ajo kontrollohet nga një dashuri e përunjur, e cila e shenjtëron ndikimin e një personi të tillë. Është një jetë e mbushur me Krishtin, ajo që lë një gjurmë drite, kudo që të shkojë mbartësi i saj. Zemërimi i Davidit u venit nën fuqinë e ndikimit dhe arsyetimit të Abigailit. Ai u bind që kishte ndërmarrë një veprim jo të mençur dhe kishte humbur kontrollin e vetë frymës së tij. PPAlb 515.2

Ai e pranoi gabimin me zemër të përulur, siç e shprehën edhe vetë fjalët e tij: “Le të më rrahë madje i drejti, do të jetë një mirësjellje nga ana e tij; le të më qortojë ai, do të jetë si vaji mbi kokë.”- Psalmi 141:5. Ai e falenderoi dhe e bekoi Abigailin nga zemra për këshillën e drejtë që i dha. Ka shumë njerëz që kur i qorton e vlerësojnë dhe madje edhe e lavdërojnë këtë akt dhe e pranojnë qortimin me mirëkuptim, madje ata edhe i bekojnë ata që përpiqen t’i shpëtojnë nga ndjekja e rrugës së gabuar. PPAlb 515.3

Kur Abigail u kthye në shtëpi, ajo e gjeti Nabalin dhe miqtë e tij duke u dëfryer në një banket të madh, të cilin e kishin shndërruar në një skenë të turpshme pijanecësh. Ajo priti deri të nesërmen në mëngjes për t’i treguar burrit të saj atë që kishte ndodhur gjatë bashkëbisedimit të saj me Davidin. Në zemër, Nabali ishte frikacak dhe kur e kuptoi që marrëzia e tij e kishte sjellë befasisht kaq pranë vdekjes, u duk sikur u godit nga paraliza. Duke patur frikë se Davidi ende synonte që ta përfundonte hakmarrjen e tij deri në fund, Nabali u tmerrua dhe humbi ndjenjat. Pas dhjetë ditësh ai vdiq. Jeta që ia kishte falur Zoti kishte qenë për botën vetëm një mallkim. Në mes të festës dhe gëzimit të tij, Perëndia i kishte thënë ato fjalë që ia tha edhe të pasurit tek shëmbëlltyra e njohur në Dhjatë e Re: “I marrë, këtë natë do të vijnë të kërkojnë shpirtin tënd; të kujt do të jenë ato që ke përgatitur?”- Luka 12:20. PPAlb 515.4

Më pas, Davidi u martua me Abigailin. Ai e kishte tashmë një grua, por zakonet e kombeve rreth e rrotull ia kishin prishur gjykimin dhe kishin ndikuar tek veprimet e tij. Edhe burrat e mirë dhe të njohur kanë gabuar duke ndjekur praktikat e botës. Pasojat e hidhura që erdhën nga martesat e tija me shumë gra, Davidi do t’ ndjente me dhimbje gjatë gjithë jetës. PPAlb 516.1

Pas vdekjes së Samuelit, Davidi u la te jetonte në paqe për disa muaj. Ai u tërhoq përsëri në rajonin e veçuar të zifitëve, por këta armiq spiunuan edhe një herë tek mbreti për këtë, duke shpresuar të fitonin favore prej tij. Kjo njohuri e zgjoi demonin e xhindosjes që ishte mbajtur pezull për ca kohë në kraharorin e mbretit. Ai i urdhëroi sërish ushtarët e tij duke i dërguar që të kapnin Davidin, por disa informatorë miq ia treguan këtë lajm birit të Jeseit. Kështu, duke marrë ca disa prej shoqëruesve me vete, Davidi u nis që të zbulonte se ku ndodhej armiku i tij. Ishte natë në kohën kur mbërritën pranë vend-fushimit të mbretit dhe eskortës së tij dhe filluan t’i afroheshin ngadalë. Askush nuk i vuri re, pasi vend-fushimi ishte i qetë dhe në gjumë. Davidi i thirri miqtë e tij që të shkonin më afër armikut, deri në qendër të vend-fushimit. Pyetjes së tij: “Kush do të vijë me mua te Sauli në kamp?”, Abishai i ishte përgjigjur: “Do të vij unë bashkë me ty.” PPAlb 516.2

Të fshehur nga hijet e errëta të kodrave, Davidi bashkë me Abishain hynë brenda vend-fushimit të armikut. Ndërsa përpiqeshin për të kuptuar numrin real të armiqve të tyre, u gjendën përpara Saulit që po flinte, me heshtën të ngulur në tokë dhe një enë uji pranë kokës. Pranë tij ishte shtrirë edhe Abneri, kryekomandanti i tij dhe rreth e rrotull gjendeshin ushtarët, të gjithë të zhytur në gjumë të thellë. Abishai e ngriti heshtën e tij dhe i tha Davidit: “Sot Perëndia të ka dhënë në dorë armikun tënd; prandaj, të lutem, më lejo ta godas me shtizë dhe ta mbërthej në tokë me një të rënë të vetme; nuk do të ketë nevojë për një goditje të dytë.” Ai po priste që Davidi t’i jepte leje, por në veshin e tij ranë këto fjalë që Davidi po ia pëshpëriste: ‘Mos e vrit; Cili vallë në të vërtetë mund të ngrejë dorën kundër të vajosurit të Zotit pa u bërë fajtor?”... Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, vetëm Zoti do ta godasë; ose sepse ka për t’i ardhur dita dhe do të vdesë, ose sepse ka për të shkuar të luftojë dhe do të vritet. Zoti të më ruajë që të mos e shtyj dorën kundër të vajosurit të Zotit! Tani, të lutem merre shtizën që është pranë kokës së tij dhe enën e ujit dhe të ikim’ Kështu Davidi mori shtizën dhe kanën e ujit që ishte pranë kokës së Saulit dhe iku. Asnjeri nuk pa gjë, asnjeri nuk vuri re, asnjeri nuk u zgjua; të gjithë flinin, sepse një gjumë i thellë i dërguar nga Zoti i kishte zënë.” Me sa lehtësi Perëndia mund ta dobësojë edhe më të fortin, të zhvendosë urtësinë nga i mençuri dhe ta mjegullojë aftësinë e më vigjilentit! PPAlb 516.3

Kur Davidi ishte në një distancë të sigurtë prej kampit qëndroi në majën e një kodre dhe i bërtiti me zë të lartë njerëzve dhe Abnerit duke thënë: “A nuk je vallë një njeri trim? Dhe kush është baraz me ty në Izrael? Pse, pra, nuk e ruajte mirë mbretin, zotërinë tënd? Njëri nga populli erdhi në fakt për të vrarë mbretin, zotërinë tënd. Ajo që ke bërë nuk është aspak e mirë. Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ju meritoni vdekjen, sepse nuk e keni ruajtur mirë zotërinë tuaj, të vajosurin e Zotit! Dhe tani shiko ku është shtiza e mbretit dhe kana e ujit që ishte pranë kokës së tij. Sauli njohu zërin e Davidit dhe tha: ‘A është zëri yt, o biri im David?’ Davidi u përgjigj: ‘Është zëri im, o mbret, o imzot!’ Pastaj shtoi: ‘Pse zotëria im e persekuton shërbëtorin e tij? Ç'kam bërë? Çfarë të keqe kam kryer? Prandaj tani, të lutem, dëgjo, o mbret, o imzot, fjalët e shërbëtorit tënd.’” Sauli e pranoi edhe një herë tjetër fajin: “Kam mëkatuar; kthehu biri im David, sepse nuk do të bëj më asnjë të keqe, sot jeta ime ishte e çmuar në sytë e tua; ja, kam vepruar si një budalla dhe kam gabuar rëndë. Davidi u përgjegj: ‘Ja, shtiza e mbretit; le të vijë këtu një nga të rinjtë e ta marrë.’” Pavarësisht se Sauli i kishte premtuar: “Nuk do të të bëj asnjë të keqe,” Davidi nuk nuk iu afrua më pranë. PPAlb 516.4

Ishte hera e dytë që Davidi ia fali jetën sovranit të tij (Saulit) dhe kjo bëri që Sauli të prekej edhe më tepër në zemër dhe ta pranonte fajin e tij edhe me më tepër përulësi. Ai u mahnit dhe u shtang nga kjo mirësi e pazakontë që i ishte manifestuar. Para se të largohej nga Davidi, Sauli deklaroi: “Qofsh i bekuar, biri im David. Ti do të bësh vepra të mëdha dhe ke për të dalë me siguri fitimtar.” Por biri i Jeseit nuk kishte asnjë shpresë se mbreti do të vazhdonte të kishte të njëjtën rrjedhë mendimi edhe më vonë. PPAlb 517.1

Davidi e dëshironte pajtimin e tij me Saulin më shumë se gjithçka tjetër. Por atij i dukej i pashmangshëm fakti që një ditë do të binte patjetër viktimë e ligësisë së mbretit, ndaj sërish vendosi që të kërkonte strehim në vendin e filistinasve. Bashkë me gjashtëqind burrat që i kishte nën komandën e tij, ai shkoi për tek Akishi, mbreti i Gathit. PPAlb 517.2

Davidi nuk e mori parasysh këshillën e Perëndisë kur arriti në përfundimin se Sauli një ditë do ta realizonte patjetër qëllimin e tij vrastar. Pavarësisht faktit që Sauli po vazhdonte të ngrinte kurthe për ta realizuar vrasjen e Davidit, Perëndia po kujdesej për të që t’ia siguronte mbretërinë Davidit. Perëndia i realizon planet e veta, ndonëse për sytë e njerëzve ato janë të mbuluara nga veli i misterit. Njerëzit nuk mund t’i kuptojnë rrugët e Zotit dhe, duke parë pamjen e jashtme ata i interpretojnë testet dhe sprovat apo mundimet që Zoti lejon të vijnë mbi ta si gjëra që janë kundër tyre dhe që shërbejnë vetëm për t’i shkatërruar ata. Edhe Davidi shikoi pamjen e jashtme dhe jo premtimin e Perëndisë. Ai dyshonte nëse do të vinte ndonjëherë dita kur do ta merrte fronin në dorë. Mundimet e stërzgjatura ia kishin dobësuar besimin dhe ia kishin sosur durimin. PPAlb 517.3

Nuk ishte Zoti Ai që e dërgoi Davidin që të gjente mbrojtje tek filistinasit, armiqtë më të egër të Izraelit. Po ky komb do vazhdonte të ishte armiku i tyre deri pas shumë kohësh, e megjithatë, Davidi u arratis tek ata në kohë nevoje. Ngaqë kishte humbur çdo lloj besimi tek Sauli dhe tek njerëzit e tij, ai e dorëzoi veten në mëshirën e armiqve të popullit të tij. Davidi ishte një gjeneral i zoti dhe kishte dhënë prova që ishte edhe një luftëtar i mençur dhe i suksesshëm, por kur shkoi tek filistinasit, ai veproi kundër interesave të veta. Perëndia e kishte caktuar që të vendoste standartin hyjnor në tokën e Judës dhe ishte mungesa e besimit që e bëri ta braktiste postin e detyrës pa marrë ndonjë urdhër të tillë nga Perëndia. PPAlb 517.4

Perëndia u çnderua për shkak të mosbesimit të Davidit. Filistinasit i frikësoheshin më shumë Davidit sesa Saulit dhe ushtrisë së tij, ndaj, duke e vendosur veten nën mbrojtjen e tyre (filistinasve), Davidi u zbuloi atyre dobësinë e popullit të tij. Në këtë mënyrë ai i inkurajoi këta armiq të përjetshëm që ta shtypnin popullin e Izraelit. Davidi ishte vajosur që të qëndronte në mbrojtje të popullit të Perëndisë dhe Zoti nuk dëshironte në asnjë mënyrë që para këtyre paganëve mëkatarë të zbulohej dobësia e popullit të Tij, apo që të dukej sikur Zoti po tregohej indiferent lidhur me mirëqënien e tyre. Për më tepër, vëllezërit e Davidit krijuan përshtypjen që ai ishte bashkuar me paganët që t’u shërbente perëndive të tyre. Nëpërmjet këtij akti, ai i la shkas keqndërtimit të motiveve që e shtynin, ndaj shumë njerëz filluan të kishin paragjykime për të. Kjo ishte pikërisht ajo që Satani kërkonte nga Davidi, që, duke kërkuar strehim tek filistenjtë, ai të lartësonte armiqtë e Perëndisë dhe të popullit të Tij. Davidi nuk hoqi dorë nga adhurimi i Perëndisë dhe nuk e ndaloi përkushtimin e tij ndaj kësaj çështjeje, por, për hir të sigurisë personale, ai sakrifikoi besimin e tij tek Perëndia dhe në këtë mënyrë e dëmtoi karakterin e lartë dhe besnik që Perëndia kërkon nga shërbëtorët e Tij. PPAlb 517.5

Mbreti i filistinasve e priti Davidin me përzemërsi, pjesërsisht ngaqë e admironte dhe pjesërisht ngaqë i përkëdhelej sedra po të kishte pranë një izraelit që do ta mbronte. Në mbretërinë e Akishit, Davidi u ndie i sigurt nga tradhëtia. Ai mori atje edhe familjen e tij, fisin, zotërimet dhe burrat që e ndiqnin dhe në pamje të parë dukej sikur ai kishte ardhur aty për të qëndruar një herë e mirë. E gjitha kjo e kënaqi Akishin, i cili premtoi se do t’i mbronte izraelitët e arratisur. PPAlb 518.1

Me kërkesën e Davidit për të mos banuar në qytetin mbretëror, por në hapësirat e blerta, mbreti Akish ia plotësoi dëshirën duke i dhënë në zotërim Ziklagun. Davidi e kuptonte që jetesa në praninë e idhujtarëve do ishte e rrezikshme si për të ashtu edhe për shoqëruesit e tij. Po të banonin në një qytet të veçuar për ta, do mund ta adhuronin Perëndinë me më tepër liri sesa po të kishin qëndruar në qytetin e Gathit, ku ritet pagane do të shërbenin si burim i së keqes dhe mërzitjes. PPAlb 518.2

Gjatë kohës që banoi në këtë qytet të izoluar, Davidi bëri luftë kundër geshuritëve, gezritëve dhe amalekitëve dhe nuk la asnjë të gjallë që mund t’i çonte lajmet në Gath. Pasi kthehej nga beteja, Akishit i linte të kuptonte se kishte luftuar kundër atyre nga populli i vet që i kundërviheshin, pra kundër burrave të Judës. Nëpërmjet kësaj rrugëzgjidhjeje ai ndihmoi që të forcohej dora e filistenjve, pasi mbreti Akish mendonte në vetvete: “Ai u bë i urrejtshëm nga populli i Izraelit dhe kështu do të jetë gjithmonë shërbëtori im.” Davidi e dinte që ishte vullneti i Perëndisë që ato kombe pagane të shkatërroheshin dhe e dinte që ai vetë ishte caktuar për të bërë pikërisht këtë punë, por ndërsa praktikonte mashtrimin, ai nuk po ecte në mençurinë e Perëndisë. PPAlb 518.3

“Ato ditë filistinasit mblodhën ushtrinë e tyre për të luftuar Izraelin. Atëherë Akishi i tha Davidit: ‘Dije mirë që duhet të dalësh të luftosh bashkë me mua, ti dhe njerëzit e tu’.” Davidi nuk kishte synuar asnjëherë që të ngrinte dorën kundër popullit të tij, por tani nuk ishte i sigurt se çfarë duhet të bënte, derisa vetë rrethanat t’ia diktonin këtë gjë. Ai iu përgjigj mbretit me paqartësi, duke i thënë: “Ti me siguri ke për të parë atë që do të bëjë shërbëtori yt.” Akishi i mori këto fjalë si një premtim që Davidi do ta mbështeste në luftën që po afronte dhe u betua që do e nderonte Davidin së tepërmi dhe do i jepte një pozitë të lartë në oborrin mbretëror filistinas. PPAlb 518.4

Por ndonëse besimi i Davidit tek premtimet e Perëndisë ishte lëkundur paksa, ai e mbante mend fare mirë se Samueli e kishte vajosur mbret të Izraelit. Atij iu kujtuan fitoret mbi armiqtë e tij që Zoti i kishte dhuruar në të shkuarën. Ai e mori në konsideratë edhe një herë mëshirën e madhe të Perëndisë që e kishte ruajtur nga dora e Saulit dhe vendosi që të mos e tradhëtojë më këtë mirëbesim të shenjtë hyjnor . Ndonëse mbreti i Izraelit kishte kërkuar që ta vriste, ai nuk duhej të kishte lidhur aleanca me armiqtë e popullit të vet. PPAlb 519.1