PATRIARKË DHE PROFETË

65/74

64—“DAVIDI NË ARRATI”

*****

Pas vrasjes së Goliathit, Sauli e mbajti Davidin pranë vetes dhe nuk e lejoi të kthehej në shtëpinë e të atit. 48 Dhe ndodhi që “shpirti i Jonatanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit, dhe Jonatani e deshi si shpirtin e vet.” Jonatani dhe Davidi lidhën një besëlidhje që do të bashkoheshin si vëllezër dhe djali i mbretit “hoqi mantelin që kishte veshur dhe ia dha Davidit, dhe i dha gjithashtu rrobat, shpatën, harkun dhe brezin e tij.” Davidit iu mirëbesuan përgjegjësi të rëndësishme, megjithatë, ai e ruajti modestinë e tij dhe fitoi përkrahjen si nga populli ashtu edhe nga familja mbretërore. PPAlb 501.1

“Davidi shkonte kudo që Sauli e dërgonte dhe dilte me sukses. Kështu Sauli e vuri në krye të luftëtarëve.” Ai ishte i kujdesshëm dhe besnik dhe ishte e qartë që kishte me vete bekimin e Perëndisë. Herë pas here, Sauli e shihte që ai vetë nuk ishte i përshtatshëm ta qeveriste Izraelin dhe kishte përshtypjen se mbretëria do të ishte më e sigurt sikur ai vetë të qëndronte i lidhur me një njeri që merrte udhëzime nga Perëndia (siç ishte Davidi). Sauli mendonte që lidhja e tij me Davidin ishte një farë mburoje edhe për atë vetë. Ngaqë Davidi ruhej dhe mbrohej nga Perëndia, prania e tij mund të ishte një mbrojtje për Saulin sa herë që do dilte për luftë. PPAlb 501.2

Ishte Perëndia Ai që nëpërmjet rrethanave kishte lidhur Davidin me Saulin. Pozita e Davidit në oborrin mbretëror do ta pajisnin me njohurinë e duhur për çështjet e ndryshme të së ardhmes së tij madhështore si mbret, për të cilat duhet të ishte i përgatitur. Gjithashtu, kjo do i jepte edhe mundësinë që të fitonte besimin e mbarë kombit. Vështirësitë dhe problemet që do kalonte nëpërmjet armiqësisë së Saulit, do ta bënin që të ndjente varësinë nga Perëndia dhe që të vendoste besim të plotë tek Ai. Po ashtu, edhe miqësia ndërmjet Jonatanit dhe Davidit ishte siguruar nga Perëndia, me qëllim që të ruante jetën e sunduesit të ardhshëm të Izraelit. Në gjithë këto gjëra, Perëndia po realizonte planet hirplota që kishte hartuar si për Davidin, ashtu edhe për popullin e Izraelit. PPAlb 501.3

Megjithatë, Sauli nuk qëndroi për shumë gjatë në relata miqësore me Davidin. Kur po ktheheshin nga beteja me filistinasit, “gratë e të gjitha qyteteve të Izraelit i dolën para mbretit Saul, duke kënduar dhe hedhur valle me dajre, me thirrje gëzimi dhe me vegla muzikore.” Një grup prej tyre këndonin: “Sauli vrau mijëshen e tij” dhe grupi tjetër i përgjijej: “dhe Davidi dhjetëmijëshen e tij.” Fryma e keqe e xhelozisë depërtoi në zemrën e mbretit. Ai u zemërua nga kënga e këtyre grave. Në vend që t’i zotëronte ndjenjat e lakmisë, ai shfaqi dobësinë e karakterit të tij, duke shpallur: “Davidit i njohin dhjetë mijë dhe mua vetëm një mijë. Tani nuk i mungon asgjë tjetër përveçse mbretërisë.” PPAlb 501.4

Dëshira populiste për aprovim nga njerëzit ishte një difekt i madh në karakterin e Saulit. Ky tipar kishte patur një ndikim kontrollues në mendimet dhe veprimet e tij, a sa në gjithçka dallohej qartë dëshira e tij për lavdërim dhe vetë-lartësim. Standarti i tij i së mirës dhe së keqes matej me kohëzgjatjen e duartrokitjeve të popullit. Një njeri që jeton për të kënaqur të tjerët dhe jo për të fituar aprovimin e Perëndisë, nuk është fare i sigurt. Sauli aspironte të merrte vlerësimin më të lartë nga populli, pra të ishte numri një, ndaj, kur u këndua kjo këngë lavdërimi, në mendjen e tij, Saulit iu mbush mendja se Davidi do t’i fitonte zemrat e njerëzve dhe do të mbretëronte në vend të tij. PPAlb 502.1

Sauli ia hapi zemrën frymës së xhelozisë me të cilën u helmua shpirti i tij. Pavarësisht nga mësimet që kishte marrë nga profeti Samuel, i cili i kishte treguar se Perëndia do të realizonte gjithçka që kishte planifikuar, mbreti e tregoi qartë se nuk i njihte mirë si planet, ashtu edhe fuqinë e Perëndisë. Monarku i Izraelit po i kundërvihej vullnetit të Të Plotfuqishmit Perëndi me vullnetin e tij personal. Gjatë gjithë kohës së sundimit të tij në Izrael, Sauli nuk kishte mësuar se si të sundonte vetë frymën e tij. Mjerisht, ai shpërthimet emocionale që të vinin nën kontroll gjykimin e shëndoshë, derisa u zhyt në furinë e pasionit që e kishte pushtuar. Ai kishte shpërthime zemërimi, gjq që dilte në pah sa herë që tregohej i gatshëm të merrte jetën e dikujt që guxonte të kundërshtonte vullnetin e tij. Nga kjo gjendje marrrëzie ai kalonte më pas në një gjendje zymtësie dhe vetë-zhvlerësimi, derisa shpirti i tij pushtohej nga depresioni dhe hidhërimi. PPAlb 502.2

Saulit ia kishte ëndja të dëgjonte Davidin kur i binte harpës dhe i dukej sikur, për pak kohë, edhe fryma e keqe largohej tutje, por një ditë, ndërsa muzikanti i ri po i shërbente me muzikën e tij duke e shoqëruar me zërin e ëmbël teksa i drejtonte lavde Perëndisë, papritur, Sauli e hodhi heshtën e tij në drejtim të Davidit, duke shpresuar se kështu mund t’i jepte fund jetës së tij. Davidi u ruajt nëpërmjet ndërhyrjes së Perëndisë dhe pasi nuk kishte pësuar ndonjë lëndim, u largua me vrap, larg zemërimit të mbretit të marrosur. PPAlb 502.3

Ndërkohë që urrejtja e Saulit për Davidin shtohej dita-ditës, ai u bë edhe më i vendosur për t’ia marrë jetën, por asnjë nga planet e tija kundër të vajosurit të Perëndisë nuk pati sukses. Sauli e la veten që të kontrollohej nga fryma e keqe që e kishte pushtuar të tërin, kurse Davidi e kishte vendosur besimin e tij tek Ai që është i fuqishëm në këshillat e Tij dhe i fortë për të çliruar. “Druajtja ndaj Zotit është fillimi i diturisë.” - Proverbat 9:10, ndaj Davidi drejtohej vazhdimisht nga Perëndia, në mënyë që të ecte para Tij me përsosmëri. PPAlb 502.4

Duke u dashur të çlirohej nga prania e rivalit të tij, mbreti “e largoi nga vetja dhe e bëri komandant të një mijë njerëzve... por tërë Izraeli dhe Juda e donin Davidin.” Populli e kuptoi shpejt që Davidi ishte një person kompetent dhe që punët që i mirëbesoheshin ai i realizonte me shkathtësi dhe efikasitet. Këshillat prej të riut rridhnin si pasojë e një karakteri të përkorë dhe të mençur; ai kishte dhënë prova se në këshillat e tij kishte siguri, kurse llogjikimi i Saulit ishte ndonjëherë i papërgjegjshëm, vështirë se mund të besoje tek ai dhe vendimet e tij nuk ishin të matura. PPAlb 502.5

Ndonëse Sauli mezi priste të gjente rastin për ta vrarë Davidin, ai kishte frikë prej tij, pasi ishte e qartë që Perëndia ishte me të. Karakteri i patëmetë i Davidit e zgjonte zemërimin e mbretit; ai mendonte që vetë jeta dhe prania e Davidit paraqitnin një qortim të ashpër për të, pasi, gjithçka paraqitej në kontrast me karakterin e tij tashmë të rënë. Lakmia e bëri Saulin të ndihej mjaft keq dhe vendosi fronin e tij në rrezik. Ky tipar i keq i karakterit ka shkaktuar kaq shumë të këqija në botën tonë! E njëjta armiqësi që banonte në shpirtin e Saulit kishte patur pushtuar më përpara edhe Kainin, që të vepronte kundër vëllait të tij, Abelit, ngaqë veprat e tij ishin të drejta dhe për këtë Perëndia e nderonte, ndërkohë që veprat e Kainit ishin të këqija dhe kështu, Perëndia nuk mund ta bekonte atë. Lakmia është degë e krenarisë dhe nëse lejohet që të mbahet në zemër ajo çon drejt urretjes dhe rrjedhimisht drejt hakmarrjes dhe vrasjes. Satani e shfaqi karakterin e vet kur ndezi mërinë e Saulit kundra atij që nuk i kishte bërë kurrë ndonjë të keqe. PPAlb 502.6

Mbreti e ruante Davidin me shumë kujdes, ngaqë shpresonte të gjente rastin që ai të tregohej sadopak i nxituar apo i pakujdesshëm, e që kjo t’i shërbente si justifikim për ta vrarë. Ai nuk gjente dot rehati në vetvete, derisa të merrte jetën e të riut dhe pastaj të mund të gjente ndonjë justifikim përpara kombit për këtë vepër makabre. Ai ngriti një kurth për këmbët e Davidit, duke e nxitur edhe më shumë që të drejtonte luftën kundra filistinasve dhe duke i shtuar kësaj edhe premtimin se do t’i jepte për grua vajzën e tij, një vajzë mbreti. Këtij propozimi Davidi iu përgjigj me shumë përulësi: “Kush jam unë dhe çfarë është jeta ime dhe familja e atit tim në Izrael, që unë të bëhem dhëndri i mbretit?” Më vonë, monarku e shfaqi pabesinë dhe paburrërinë e tij kur më vonë e martoi vajzën e tij me një tjetër person. PPAlb 503.1

Tërheqja dashurore e Mikalës, vajzës së Saulit ndaj Davidit i dha mbretit një tjetër mundësi për t’i ngritur kurth rivalit të tij. Ai ia ofroi dorën e vajzës së vet me kusht që t’i sillte mbretit evidencë të mposhtjes dhe vrasjes së një numri të caktuar të armiqve të kombit. “Kështu Sauli mendoi: ‘Do t’ia jap, në mënyrë që ky të jetë një lak për të dhe ai të bjerë në duart e filistinasve’”; por Perëndia e mbrojti shërbëtorin e Tij. Davidi u kthye fitimtar nga beteja dhe u bë dhëndri i mbretit. “Mikal, bija e Saulit, e dashuronte Davidin” dhe Sauli u nxeh që kurthet e tij vetëm sa kishin bërë që Davidi, të cilin ai ishte përpjekur ta vriste, të ngrihej edhe më lart. Gjithnjë e më tepër ai e kuptonte që Davidi ishte personi për të cilin Perëndia kishte thënë se ishte më i mirë se ai (Sauli) dhe i cili do të mbretëronte në vend të tij në fronin e Izraelit. Duke hedhur tej çdo lloj kamuflimi, ai u dha urdhër Jonatanit dhe oficerëve të tij që t’ia merrnin jetën Davidit, atij që ndillte urrejtjen e mbretit. PPAlb 503.2

Jonatani ia tregoi Davidit planin djallëzor të mbretit dhe i sugjeroi që të fshihej ndërkohë që ai vetë do t’i përgjërohej të jatit që t’ia kursente jetën çliruesit të Izraelit. Ai parashtroi para mbretit gjithçka që Davidi kishte bërë për të ruajtur nderin dhe madje edhe vetë jetën e kombit, dhe se çfarë faji i rëndë do të rëndonte mbi vrasësin e atij që Perëndia kishte zgjedhur për të përzënë armiqtë e tyre. Ndërgjegjia e mbretit u prek dhe zemra e tij u zbut. “Siç është e vërtetë që Zoti rron, ai nuk ka për të vdekur.” -Vargu. . . . . Davidi u soll para Saulit dhe i shërbeu mbretit siç kishte bërë edhe në të kaluarën. PPAlb 503.3

U shpall përsëri luftë midis Izraelit dhe filistinasve dhe ishte Davidi ai që e drejtoi ushtrinë kundër armikut. Hebrenjtë korrën një fitore të madhe dhe njerëzit e mbretërisë e lavdëruan Davidin për mençurinë dhe heroizmin e tij. Por kjo shërbeu që të rindizte mërinë e mëparshme të Saulit kundër tij. Ndërsa Davidi luante në harpë para mbretit, duke e mbushur pallatin me një harmoni kënaqësi-ndjellëse, Saulin e pushtoi sërish vala e zemërimit dhe lëshoi një shtizë mbi Davidin duke menduar ta mbërthente muzikantin pas murit, por engjëlli i Perëndisë e devijoi armën vdekjeprurëse nga ai. Davidi iku me vrap dhe u arratis për në shtëpinë e vet. Sauli dërgoi spiunë që ta zinin kur të dilte në mëngjes nga shtëpia dhe t’i jepnin fund jetës së tij. PPAlb 503.4

Mikala e informoi Davidin për atë që kishte ndërmend të bënte i jati. Ajo e nxiti që të arratisej prej andej për të ruajtur jetën dhe e lëshoi nga dritarja duke e ndihmuar që të merrte arratinë. Ai vrapoi për tek Samueli, në Ramah dhe profeti, duke mos iu trembur mbretit, e mirëpriti Davidin e arratisur. Shtëpia e Samuelit, ndryshe nga pallati mbretëror, ishte një vend plot paqe. Ishte atje, mes kodrave që shërbëtori i nderuar i Perëndisë vazhdonte punën e tij. Me të ishin edhe disa shikues, që e studionin vullnetin e Perëndisë nga afër dhe i dëgjonin me nderim të thellë fjalët udhëzuese që dilnin nga goja e Samuelit. Ato që Davidi përftoi nga mësuesi i Izraelit ishin mësime të çmuara. Davidi besonte se Sauli nuk do t’i urdhëronte trupat e tij të pushtonin këtë vend aq të shenjtë, por për mendjen e errësuar të atij mbreti të mjeruar, nuk ekzistonte ndonjë vend i shenjtë. Lidhja e Davidit me Samuelin e nxiti xhelozinë e mbretit, ngaqë ai që nderohej si profeti i Perëndisë në gjithë Izraelin po ia ofronte ndikimin e tij rivalit të Saulit. Kur mbreti mori vesh vendndodhjen e Davidiz, dërgoi oficerë që ta sillnin atë në Gibeah, ku synonte të kryente krimin që kishte planifikuar. PPAlb 504.1

Këta oficerë u nisën për në rrugën e tyre me qëllim që të merrnin jetën e Davidit, por Perëndia, Ai që ishte shumë më i madh se Sauli i mbikqyrte. Ata u përballën nga engjëjt e padukshëm, ashtu sikurse edhe Balaami kur po shkonte rrugës për të mallkuar Izraelin. Ata filluan të shqiptonin thënie profetike në lidhje me atë që do të ndodhte në të ardhmen dhe të shpallnin lavdinë dhe madhështinë e Jahveh, Zotit Perëndi. Kështu Perëndia luftoi mbi zemërimin njerëzor dhe shfaqi fuqinë e Tij për ta frenuar të keqen, duke e rrethuar shërbëtorin e tij me një mur mbrojtës të engjëjve të shenjtë. PPAlb 504.2

Këto lajme erdhën në veshët e Saulit, kur ai mezi priste ta kishte Davidin nën zap. Mjerisht, në vend që të pranonte qortimin e Perëndisë, mbreti u inatos edhe më tepër dhe dërgoi oficerë të tjerë. Edhe këta të fundit u përfshinë nga fuqia e Frymës së Perëndisë dhe u bashkuan me të parët duke profetizuar. Mbreti dërgoi edhe një grup të tretë oficerësh, por ndikimi hyjnor ra edhe mbi këta në momentin që iu afruan shokëve të tyre dhe filluan edhe ata që të profetizojnë. Më në fund, Sauli vendosi të shkonte vetë, pasi urrejtja e tij e egër tashmë ishte bërë e pakontrollueshme. Ishte i vendosur që të mos priste rast tjetër për t’ia marrë jetën Davidit, por sapo ta shihte që afrohej, do ta vriste me duart e veta, pavarësisht cilat do të ishin pasojat. PPAlb 504.3

Por rrugës u përball me një engjëll të Perëndisë, i cili mori kontroll mbi të. Fryma e Perëndisë e mbajti Saulin në fuqinë e Tij dhe ai e vazhdoi rrugën duke i drejtuar lutje Perëndisë, lutje që ndërthureshin me profeci, parashikime dhe melodi të shenjta. Ai profetizoi për ardhjen e Mesias si Shpenguesi i botës. Kur arriti në shtëpinë e profetit në Ramah, Sauli i zhveshi veshjet e sipërme që tregonin pozitën e tij dhe për një ditë e një natë u shtri përpara Samuelit dhe nxënësve të tij nën ndikimin e Frymës hyjnore. Njerëz u mblodhën që të dëshmonin për këtë skenë kaq të çuditshme dhe përvoja e mbretit u raportua kudo. Kështu, në prag të përfundimit të mbretërimit të tij, doli një fjalë e urtë në Izrael që thoshte se edhe Sauli u përfshi ndër profetët. PPAlb 504.4

Edhe një herë tjetër ndodhi që mbreti përndjekës pësoi disfatë në qëllimet e veta. Ai e siguroi Davidin që mes tyre do të kishte paqe, por Davidi nuk para i besonte shumë pendesës së mbretit. Ai e përdori këtë mundësi për t’it’u arratisur sërish, para se mbretin ta kapte sërish depresioni e të ndryshonte mendim, siç kishte ndodhur edhe më parë. Ndihej i lënduar thellë në zemër dhe kishte dëshirë të shihte edhe një herë shokun e tij të ngushtë, Jonatanin. I ndërgjegjshëm për pafajësinë e tij, ai e kërkoi birin e mbretit dhe e pyeti në një mënyrë shumë prekëse: “Çfarë kam bërë? Cili është faji im dhe cili është mëkati im kundër atit tënd, që ai kërkon jetën time?” Jonatani ishte i bindur se babai i tij kishte ndryshuar mendje dhe se nuk synonte më t’ia merrte jetën Davidit. Kështu, ai iu përgjigj Davidit: “Mos ndodhtë kurrë! Ti nuk ke për të vdekur; ja im atë nuk bën asnjë veprim të madh apo të vogël pa ma njoftuar mua. Pse do të ma fshihte im atë këtë gjë? Nuk është e mundur!” Pas shpalosjes së mrekullueshme të fuqisë së Perëndisë, Jonatani nuk mund ta besonte që babai i tij do të vazhdonte të synonte vrasjen e Davidit, pasi kjo do të përbënte një rebelim të hapur ndaj Perëndisë. Por Davidi ende nuk ishte i bindur për këtë. Me këmbëngulje të vazhdueshme, ai i tha Jonatanit: “Por siç është e vërtetë që Zoti jeton, dhe që rron shpirti yt, mua nuk më ndan nga vdekja veçse një hap.” PPAlb 505.1

Kur dilte hëna e re, në Izrael festohej një festival i shenjtë. Ky festival qëlloi të ndodhte një ditë pas bisedës mes Davidit dhe Jonatanit. Pritej që në këtë ditë të dy të rinjtë të paraqiteshin në tryezën e mbretit, por Davidi pati frikë të ishte i pranishëm aty dhe i bënë punët që të shkonte të shihte vëllezërit e tij në Betlehem. Gjatë kthimit do fshihej në fushën pranë sallës së banketit, duke mos u paraqitur para mbretit për tri ditë me radhë, ndërkohë që Jonatani do të përpiqej t’i merrte vesh mendjen Saulit. Nëse do e pyesnin se ku ishte i biri i Jeseit, ai do thoshte që kishte shkuar në shtëpi që të merrte pjesë në ceremoninë e ofrimit të flijimit nga babai dhe familjarët e tij. Nëse mbreti nuk do të nxehej nga ky fakt, por do të përgjigjej: ‘Epo, mire, atëherë situata do ishte e sigurt për Davidin dhe ai mund të kthehej në oborrin mbretëror. Por, nëse mbreti do zemërohej nga mungesa e tij, kjo nënkuptonte se Davidi duhej të largohej. PPAlb 505.2

Ditën e parë të festës mbreti nuk bëri ndonjë pyetje lidhur me Davidin, por kur vendi i tij mbeti përsëri bosh ditën e dytë, ai pyeti: “Pse nuk ka ardhur biri i Eseit për të ngrënë as dje, as sot? Jonatani iu përgjegj Saulit: ‘Davidi më kërkoi me insistim që ta lë të shkojë në Betlehem’ dhe tha: ‘Të lutem lermë të shkoj, sepse në qytet kemi një flijim në familje, dhe vëllai im më ka detyruar të marr pjesë në të; tani, pra, po të gëzoj hirin tënd, të lutem, lermë të hidhem shpejt për të parë vëllezërit e mi.’ Për këtë arësye nuk erdhi në tryezën e mbretit.” Kur Sauli dëgjo këto fjalë, zemërimi i tij u bë i papërmbajtshëm. Ai deklaroi se për sa kohë që Davidi të ishte gjallë, Jonatani nuk do të mund ta trashëgonte dot fronin e Izraelit, prandaj ai urdhëroi që ta gjenin Davidin dhe ta vrisnin menjëherë. Përsëri Jonatani ndërhyri për shokun e tij duke thënë: “Pse vallë duhet të vdesë? Çfarë ka bërë?” Kjo pyetje veç sa e bëri zemërimin e mbretit edhe më tepër satanik dhe shtizën që e kishte përgatitur për Davidin, ai e hodhi tashmë në drejtim të të birit. PPAlb 505.3

Princi u hidhërua dhe u indinjua së tepërmi dhe u largua nga prania mbretërore duke mos qenë më i ftuar në festë. Shpirti i tij kishte rënë në dëshpërimtë thellë, ndërsa u drejtua për tek vendi ku e kishte lënë të takohej me Davidin për t’i treguar atij planet dashakeqëse të mbretit. Që të dy ranë mbi supet e njëri tjetrit dhe qanë me ngashërim. Xhindosja e errët i mbretit kishte hedhur hijen e tij mbi dy djelmoshat dhe hidhërimi i tyre ishte i tejskajshëm. Mbi veshët e Davidit jehonin fjalët e fundit të Jonatanit para se të ndaheshin për të ikur secili në rrugën e vet: “Shko në paqe, tani që ne të dy jemi betuar në emër të Zotit, Zoti le të jetë përgjithmonë dëshmitar midis meje dhe teje dhe ndërmjet pasardhësve të tu dhe pasardhësve të mi.” PPAlb 506.1

Djali i mbretit u kthye në Gibeah ndërsa Davidi nxitoi për të shkuar në Nob, një qytet që ishte pak kilometra larg dhe që i përkiste fisit të Benjaminit. Në këtë vend ishte mbartur tabernakulli, mbas Shilohut, dhe këtu shërbente kryeprifti Ahimelek. Davidi nuk dinte tjetër vend ku mund të strehohej përveçse tek shërbëtori i Perëndisë. Kur ai mbërriti atje në nxitim e sipër dhe fillikat, si dhe me një pamje plot shqetësim dhe ankth, kryeprifti e pa me habi. Ai e pyeti se ç’e mirë e kishte sjellë tek ai. Duke qenë i mbërthyer nga sikleti dhe frika se mos kapej, në këtë situatë tërësisht të pazakontë, Davidi ia lejoi vetes që të mashtronte. Ai i tha kryepriftit se ishte dërguar nga mbreti me një porosi që ishte sekrete dhe që kërkonte përkujdesje të veçantë. Në këtë rast, ai tregoi mungesë besimi tek Perëndia dhe mëkati i tij do të shkaktonte më vonë vdekjen e kryepriftit. Sikur faktet të ishin shfaqur siç ishin në të vërtetë, Ahimeleku do kishte ditur si të vepronte për t’ia ruajtur jetën. Perëndia kërkon që njerëzit e tij të shquhen për vërtetësi, edhe kur ndodhen në mes të një rreziku shumë të madh. Davidi i kërkoi priftit pesë bukë. Ai nuk kishte gjë tjetër përveç bukës së ofruar, që ishte e shenjtë, por Davidit nuk i erdhi zor, dhe e mori bukën që të shuante urinë. PPAlb 506.2

Tani u paraqit një tjetër rrezik. Kreu i barinjve të Saulit, Doegu, i cili kishte pranuar besimin e hebrenjve, në ato çaste po përsëriste ritet e betimit në vendin e adhurimit. Kure pa Doegun, Davidi vendosi të nxitonte edhe më tepër e sa më shpejt të gjente strehim dhe të merrte edhe ndonjë armë, me të cilën të mund të vetëmbrohej, nëse kjo do të ishte e domosdoshme. Ai i kërkoi Ahimelekut një shpatë i cili i tha se nuk dispononteasnjë shpatë tjetër tjetër përveç asaj të Goliathit, e cila ishte ruajtur si relike në tabernakull. Davidi u përgjigj: “Asnjë nuk ia kalon asaj; ma jep!” Guximi iu rizgjua ndërsa e rrëmbeu shpatën që dikur e kishte përdorur për të shkatërruar kampionin e filistinasve. PPAlb 506.3

Davidi u largua për në Akish, tek mbreti i Gathit, ngaqë besonte se do të kishte më tepër siguri tek armiqtë e popullit të tij, sesa në mbretërinë e Saulit. Por dikush i raportoi Akishit se Davidi ishte ai që kishte vrarë kampionin e filistinasve para shumë vitesh dhe tani, ai që kishte kërkuar strehë tek armiqtë e Izralit u gjend para një tjetër rreziku të madh. Duke u shtirë si i marrë, ai ia doli mbanë që të largohej nga armiqtë e tij dhe kështu mori sërish arratinë. PPAlb 506.4

Gabimi i parë i Davidit ishte shfaqja e mosbesimit tek Perëndia në Nob, kurse i dyti ishte gënjeshtra para se të shkonte në Akish. Davidi kishte shfaqur tipare fisnike të karakterit të tij dhe vlera e tij morale kishte bërë që të gjente favor para njerëzve, por ndërsa mbi të po vinin mundimet, besimi i tij u lëkund dhe kështu, tek ai u shfaq dobësia njerëzore. Çdo njeri i dukej spiun ose tradhëtar. Në të kaluarën, edhe në situata ekstreme, Davidi kishte hedhur shikimin e tij drejt Perëndisë me sy që tregonin besim të qëndrueshëm.Pikërisht në këtë mënyrë e kishte mundur gjigandin filistinas. Ai kishte besuar tek Perëndia. Kishte ecur kudo në emrin e Tij; por pasi ishte përndjekur e sulmuar, shastisja dhe dëshpërimi pothuajse e kishin mbuluar Babain e tij qellor nga pamja. PPAlb 507.1

Megjithatë, kjo situate do të shërbente që t’i mësonte Davidit mençurinë, pasi e ndihmoi që të kuptonte sa i dobët ishte dhe se sa nevojë kishte që të varej nga Perëndia në mënyrë të vazhdueshme. Oh, sa e çmuar që është prania e ëmbël e Frymës së Perëndisë kur Ai zbret për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që janë të dëshpëruar e të mërzitur në shpirt, kur ai vjen për të inkurajuar zemërlëshuarit, e për të fortësuar të dobëtit si dhe për t’ u dhënë guxim dhe ndihmë shërbëtorëve të Perëndisë që janë nën mundime! Oh, çfarë Perëndie është Ky i yni, i cili i trajton me mirëdashje ata që gabojnë dhe shfaq durim dhe zemërbutësi edhe në momente kundërshtimi dhe sa herë që ne jemi të mbytur nga trishtimi! PPAlb 507.2

Çdo lloj dështimi që u ndodh fëmijëve të Perëndisë u vjen për shkak të mungesës së besimit. Kur tërësia e qenies sonë rrethohet nga hije, kur kemi nevojë për dritë dhe udhërrëfim, duhet të shikojmë lart, atje ku ka dritë përtej errësirës. Davidi nuk duhet të kishte lejuar për asnjë moment ta humbiste besimin tek Perëndia. Kishte arsye të mira për këtë, pasi ai ishte i vajosuri i Zotit dhe engjëjt e tij e kishin mbrojtur edhe në mes të rrezikut. Ai ishte veshur me kurajo që të bënte vepra të mrekullueshme dhe në rast se do ta kishte larguar mendjen nga situata stresuese që e rrethonte dhe të mendonte për fuqinë dhe madhështinë e Perëndisë, ai do të kishte qenë në paqe, madje edhe në mes të luginës së hijes së vdekjes, ai mund të kishte përsëritur me besim premtimin e Perëndisë: “Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria Ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes Time nuk do të hiqet...”- Isaia 54:10. PPAlb 507.3

Davidi kërkoi strehim nga përndjekja e Saulit ndërmjet maleve të Judës. Ai u fsheh në shpellën e Adullamit, vend, i cili edhe me pak forca mund të mbrohej para një ushtrie të tërë. “Kur vëllezërit e tij dhe tërë shtëpia e atit të tij e mësuan këtë gjë, zbritën aty poshtë tek ai.” Edhe familja e Davidit nuk mund të ndihej e sigurt, pasi e dinin që në çdo kohë, fiksimet dhe dyshimet e paarsyeshme të Saulit mund të drejtoheshin kundër tyre që ishin familjarët e Davidit. Tashmë ata e kishin marrë vesh (edhe pse kjo njihej nëpër gjithë Izraelin) që Perëndia e kishte zgjedhur Davidin si mbretin e ardhshëm të popullit të Tij dhe besonin që, ndoënse tani ai ishte thjesht një i arratisur që jetonte në një shpellë të vetmuar, do të ishin më të sigurt me të, sesa t’i ekspozoheshin çmendurisë së egër të një mbreti xheloz si Sauli. PPAlb 507.4

Në shpellën e Adullamit, familja ishte mbledhur bashkë në një atmosferë dashurie dhe ngrohtësie. Biri i Jeseit ia arriti të krijonte një melodi dhe tekst atje, ndërsa këndonte: “Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!”- Psalmi 133:1. Ai e kishte përjetuar më përpara urrejtjen e vëllezërve të tij mosbesues, ndaj harmonia që kishte zënë vendin e përçarjes, i solli gëzim të pamasë zemrës së të riut të arratisur. Në këtë vend, Davidi kompozoi Psalmin e pesëdhjetëeshtatë. PPAlb 507.5

Jo shumë kohë pas kësaj, Davidit iu bashkuan shumë njerëz të tjerë, të cilët donin të çliroheshin nga barra e rëndë e mbretit. Kishte shumë njerëz të tjerë që kishin humbur besimin tek sunduesi i Izraelit, pasi mund ta shihnin që ai nuk drejtohej më nga Fryma e Zotit. “Dhe tërë ata që hasnin vështirësi, që kishin borxhe apo që ishin të pakënaqur u mblodhën pranë tij dhe ai u bë kreu i tyre. Ishin me të rreth katërqind veta.” Këtu, Davidi krijoi një mbretëri të vogël që po e drejtonte vetëm në të cilën mbizotëronte rregulli dhe disiplina. Por ndonëse ishte tërhequr në male, as që bëhej fjalë që të ndjehej i sigurt, pasi merrte lajme të herëpashershme që mbreti nuk kishte hequr dorë nga qëllimi për ta vrarë. PPAlb 508.1

Ai gjeti vendstrehim për prindërit e tij tek mbreti i Moabit dhe pastaj, pasi një profet i Zotit e paralajmëroi për rrezikun, ai u largua nga vendi ku fshihej për në pyllin e Harethit. Përvoja që po kalonte nuk ishte e panevojshme dhe as e pafrytshme. Perëndia po e drejtonte atë nëpër një rrugë disiplinore që ta përgatiste për të qenë një gjeneral i zoti dhe njëkohësisht një mbret i drejtë dhe i mëshirshëm. Me bandën e të arratisurve të tjerë, ai filloi të marrë në dorë punën që më parë i ishte besuar Saulit, por që ky i fundit, për shkak të etheve të vrasjes dhe xhindosjes së verbër që e kishin pushtuar, ishte bërë krejtësisht i paaftë për ta çuar përpara. Është e pamundur që njeriu t’i largohet këshillave të Perëndisë dhe të ngelet me po atë qetësi dhe mençuri që i mundëson të veprojnë me drejtësi dhe maturi. Nuk ka gjë më të tmerrshme, më të frikshme, e më të pashpresë, sesa të ndjekësh vetëm mençurinë njerëzore e cila nuk drejtohet nga mençuria e Perëndisë. PPAlb 508.2

Sauli po bënte përgatitje që t’i ngrinte kurth Davidit dhe ta zinte në shpellën e Adullamit dhe, pasi u zbulua që Davidi ishte larguar nga ai vendstrehim, mbreti u zemërua keq. Largimi i Davidit ishte për të një mister. Ai arriti ta shpjegonte këtë fakt duke dyshuar se në kampin e tij kishte patur tradhëtarë, të cilët e kishin informuar birin e Jeseit për synimin dhe afrimin e mbretit. PPAlb 508.3

Ai u tha këshilltarëve të vet se kundër tij ishte bërë konspiracion dhe duke ofruar dhurata dhe bakshishe të majme, ai u përpoq t’i joshte për të treguar se cili prej tyre ishte mik me Davidin. Doegu, edomiti u bë spiuni i rradhës. I shtyrë nga ambicja dhe joshja, dhe nga inati që kishte për kryepriftin meqënëse ky i fundit e kishte qortuar për mëkatet e tij, Doegu raportoi vizitën e Davidit tek Ahimeleku, duke e paraqitur bisedën me një kontekst të tillë që bëri që zemërimi i mbretit të ndizej kundër njeriut të Perëndisë. Fjalët e asaj gjuhe të ligë ndezën zjarrin e ferrit dhe nxitën xhindosjen më të keqe të zemrës së Saulit. I tërbuar nga zemërimi, ai dha urdhër që e gjithë familja e kryepriftit të shfarosej. Dekreti i kobshëm u ekzekutua menjëherë. Jo vetëm Ahimeleku, por edhe anëtarët e familjes së babait të tij, “tetëdhjetë e pesë persona që mbanin efodin prej liri”, të gjithë u vranë nga dora vrastare e Doegut. PPAlb 508.4

“Sauli goditi gjithashtu me shpatë Nobin, qytetin e priftërinjve, burrat, gratë, të vegjëlit, foshnjat e gjirit, lopët, gomarët dhe delet; i vrau të gjithë me shpatë.” Ja se ç’mund të bënte Sauli nën kontrollin e Satanit. Kur Perëndia e kishte urdëhruar Saulin që t’i shfaroste tërësisht, ai ishte shtirë sikur ishte shumë i dhembshur për ta zbatuar atë vendim hyjnor dhe kishte kursyer shumë gjëra që duhet të ishin shkatërruar. Ndërsa tani, pa marrë kurrfarë urdhëri nga Perëndia, nën drejtimin dhe frymëzimin e Satanit, ai jo vetëm denjoi të vriste priftërinjtë e Perëndisë por solli shkatërrimin dhe shfarosjen mbi banorët e Nobit. Kaq e ligë është fëlliqësia e zemrës njerëzore që ka hedhur poshtë drejtimin e Perëndisë. PPAlb 508.5

Kjo vepër e mbushi gjithë Izraelin me tmerr. Njeriu që kishte bërë këtë barbari të kobshme ishte mbreti që ata vetë e kishin zgjedhur, një mbret që kishte vepruar siç vepronin edhe mbretërit e kombeve të tjera që nuk e kishin frikë Perëndinë. Arka ishte me ta, por priftërinjtë që i kishin marrë në pyetje, ishin vrarë me shpatë. Çfarë do të ndodhte më pas? PPAlb 509.1