PATRIARKË DHE PROFETË

67/74

66—“VDEKJA E SAULIT”

*****

U shpall përsëri luftë ndërmjet Izraelit dhe filistinasve. “Kështu filistinasit u mblodhën dhe erdhën të fushojnë në Shunem,” në skajin verior të luginës së Jezreelit, ndërkohë që Sauli dhe forcat e tij fushuan pak kilometra më larg, në këmbët e Malit Gilboa, në kufinjtë jugorë të luginës. Kjo ishte lugina ku Gideoni bashkë me treqind burra të tjerë kishin përzënë ushtritë e Midianit. Por fryma që e kishte pushtuar çliruesin e atëhershëm të Izraelit (Gideonin) ishte shumë e ndryshme nga lloji i frymës që trazonte zemrën e mbretit të tanishëm. Gideoni luftoi duke qenë i fortë në besimin tek Perëndia i fuqishëm i Jakobit, por Saulit iu duk vetja i vetëm dhe i pambrojtur, ngaqë Zoti e kishte braktisur. Ndërsa shikoi ushtrinë e filistinasve “pati frikë dhe zemra e tij u drodh fort.” PPAlb 520.1

Sauli kishte mësuar se Davidi dhe forcat e tij ishin me filistinasit dhe priste që biri i Jeseit do përfitonte nga rasti për t’u hakmarrë për të këqiat që i ishin bërë. Mbreti ishte pushtuar nga ankthi. Kishte qenë vetë ai dhe pasioni i tij i paarsyeshëm që e kishte nxitur shkatërrimin e të zgjedhurit të Perëndisë dhe që e kishte përfshirë kombin në një rrezik kaq të madh. Ndërsa ishte përfshirë në përndjekjen ndaj Davidit kishte lënë pas dore mbrojtjen e mbretërisë së tij. Filistinasit, duke përfituar nga mungesa e vigjilencës kishin arritur të futeshin deri në brendësi, në zemër të vendit. Kështu, Satani i cili kishte nxitur Saulin që të përqendronte çdo energji në ndjekjen e Davidit, me po atë frymë ligësie kishte nxitur filistinasit që ta shfrytëzonin këtë rast për të sjellë shkatërrimin e Saulit dhe për të mposhtur popullin e Perëndisë. Eh, sa herë e bën këtë gjë kryearmiku ynë i lig! Djalli lëviz nëpërmjet zemrave të papërkushtuara për të shkaktuar mëri dhe përçarje në kishë dhe më vonë, duke përfituar nga situata e përçarjes midis njerëzve të Perëndisë, ai vë në veprim bashkëpunëtorët e vet për të përgatitur shkatërrimin e tyre. PPAlb 520.2

Të nesermen, Saulit do t’i duhej të ndeshej me armikun në betejë. Rreth tij vareshin pezull hijet e parandjenjave më të këqija që kishte patur ndonjëherë; ndaj më shumë se kurrë dëshironte ndihmë dhe udhërrëfim nga Zoti. Por më kot kërkonte këshillë nga Perëndia. “Zoti nuk iu përgjegj as me anë të ëndrrave, as nëpërmjet urim-it dhe as me anë të profetëve. Perëndia nuk e kthen kurrë mbrapsht një zemër që vjen tek ai me sinqeritet dhe përulësi. Po Saulin, përse vallë e ktheu pa iu përjgigjur?! Sepse nëpërmjet veprimeve të tij, mbreti kishte humbur mundësinë e përfitimeve nëpërmjet të gjitha metodave që mund të kërkohet Perëndia. Ai kishte refuzuar këshillën e Samuelit, profetit, kishte bërë që Davidi, i zgjedhuri i Perëndisë të arratisej dhe kishte masakruar priftërinjtë e Perëndisë. A mund të priste që Perëndia t’i përgjigjej, kur ai vetë i kishte mbyllur kanalet e komunikimit të dhuruara nga Qielli? Ai kishte mëkatuar duke e larguar tej Frymën e hirit—a mund t’i përgjigjej Perëndia atij në ëndrra dhe zbulesa? Sauli nuk u kthye tek Perëndia me përulësi dhe pendim. Ai nuk po kërkonte falje për mëkatin e tij dhe pajtim me Perëndinë, por thjesht çlirimin nga armiqtë e tij. Nëpërmjet kokëfortësisë dhe rebelimit ai e kishte ndarë vetveten nga Perëndia. Kthimi tek Perëndia nuk mund të ndodhte ndryshe, përveçse me pendesë dhe me zemër të thyer, por monarku krenar, në ankthin dhe dëshpërimin e tij, vendosi të kërkojë ndihmë nga një tjetër burim. PPAlb 520.3

“Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të tij: ‘Më gjeni një grua që të jetë mediume, me qëllim që unë të mund të shkoj tek ajo për t’u këshilluar’. Sauli ishte i mirëinformuar për natyrën dhe pasojat e nekromancisë (praktika e të ashtuquajturit komunikim me të vdekurit për të mësuar të ardhmen nëpërmjet magjisë dhe forcave të liga). Perëndia e kishte ndaluar rreptësisht këtë praktikë dhe masa ndaj zbatimit të saj nga ata që praktikonin këto arte demonike ishte dënimi me vdekje. Gjatë jetës së Samuelit, Sauli kishte urdhëruar që gjithë magjistarët dhe ato që kishin frymë spiritizmi, duhet të dënoheshin me vdekje, kurse tani, në nxitimin e dëshpërimit të tij, ai donte t’i drejtohej atij lloj orakulli të cilin më parëe kishte dënuar si diçka të neveritshme. PPAlb 521.1

Mbretit i treguan se një grua që kishte një lloj fryme mediumi jetonte e fshehur në Endor. Kjo grua kishte hyrë në pakt me Satanin duke e lëshuar vetveten nën kontrollin e tij, që ai të përmbushte qëllimet e tij, dhe si shpërblim, princi i ligësisë bënte mrekulli me anë të saj dhe i zbulonte gjëra sekrete. PPAlb 521.2

Duke e fshehur identitetin e tij, Sauli shkoi atje në kohë nate, duke marrë dy shoqërues me vete që ta ndihmonin të gjente vendbanimin e mediumes. Oh sa pamje rrënqethëse! Mbreti i Izraelit i kapur rob nga Satani me vetë vullnetin e tij. Nuk ka shteg më të errët për një qenie njerëzore sesa të këmbëngulësh në rrugën dhe mënyrën tënde dhe të refuzosh ndikimet e shenjta të Frymës së Perëndisë! Nuk ka zinxhirë më të tmerrshëm sesa zinxhirët e atij që ia dorëzon kontrollin e jetës tiranit të tiranëve—dhe e bën këtë me vulnetin e tij! Besimi tek Perëndia dhe bindja ndaj vullnetit të Tij ishin të vetmet kushte në bazë të të cilave Sauli mund të qëndronte si mbret i Izraelit. Sikur ai t’i kishte përmbushur ato gjatë mbretërimit të tij, mbretëria e tij do të kishte qenë e sigurt, Zoti do kishte qenë udhërrëfyesi i tij dhe i Plotfuqishmi, streha e tij. Zoti kishte treguar shumë durim ndaj Saulit; pavarësisht se kokëfortësia dhe rebelimi i treguar pothuajse ee kishin shuar zërin hyjnor në shpirtin e tij, kishte ende mundësi per t’u penduar. Por, kur në kohë rreziku, ai i ktheu kurrizin Perëndisë për t’u bashkuar në aleancë me Satani, ai e preu edhe lidhjen e fundit që e mbante pranë Krijuesit të tij dhe mjerisht, e vendosi vetveten tërësisht në kontrollin e fuqisë demoniake, e cila e kishte torturuar prej vitesh, dhe e cila e kishte sjellë drejt pragut të shkatërrimit. PPAlb 521.3

Nën vellon e errësirës Sauli dhe shoqëruesit e tij ecnin përmes luginës dhe duke kaluar të sigurt ushtrinë filistease, kaluan edhe faqen e malit për të shkuar drejt shtëpisë së vetmuar të mediumes së Endorit. Atje, gruaja me frymë shortarie ishte fshehur në mënyrë që të mund t’i vazhdonte magjitë e saj fshehurazi. Sado që Sauli përpiqej të fshihte fytyrën,vetë pamja e tij krenare dhe mbretërore tregonin që ai nuk ishte një ushtar i rëndomtë. Gruaja dyshoi që në fillim se vizitori i saj mund të ishte Sauli dhe dhuratat e tij të majme ia forcuan edhe më tej këto dyshime. Kërkesës së tij “Bëj një shortari për mua, të lutem, me një seancë spiritizmi dhe më thirr atë që do të të them,” gruaja iu përgjigj: “Shiko, ti e di ç’ka bërë Sauli; ai i ka shfarosur nga vendi mediumet dhe shortarët. Pse i ngre një grackë jetës sime, për të shkaktuar vdekjen time?” Pastaj “Sauli iu betua në emër të Zotit, duke thënë: “Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, asnjë ndëshkim nuk do të kesh për këtë.” Dhe kur ajo tha: “Cilin duhet të të nxjerr?”ai iu përgjigj: “Samuelin.” PPAlb 521.4

Pasi bëri yshtjet e saj, ajo tha: “Pashë qenie të mbinatyrshme (fjalë për fjalë: perënditë) që u ngritën nga toka. Është një plak që po ngjitet dhe është mbështjellë me një mantel. Atëherë Sauli kuptoi se ishte Samueli, u përul me fytyrën për tokë dhe ra përmbys.” PPAlb 522.1

Në fakt, ai që doli nga yshtjet e një magjistareje nuk ishte profeti i shenjtë i Perëndisë. Samueli nuk mund të ishte i pranishëm në ata strofull frymërash të këqija. Ajo pamje e mbinatyrshme mund të realizohej vetëm e vetëm nga fuqia e Satanit. Ai e kishte po aq të lehtë të merrte formën e Samuelit, sa ç'e kishte që të merrte edhe formën engjëllit të dritës që tundoi Krishtin në shkretëtirë. PPAlb 522.2

Fjalët e para të gruas ndërsa po kryente yshtarinë iu drejtuan vetë mbretit: “Pse më ke mashtruar? Ti je Sauli!” Kështu pra, fjalët e parë të frymës së ndyrë që personifikonte profetin ishin që të komunikonte në mënyrë sekrete me gruan e t’i tregonte se personi para saj ishte Sauli dhe ta paralajmëronte kështu për mashtrimin që i ishte bërë. Mesazhi për Saulin nga fryma që kishte marrë pamjen e profetit ishte: “Pse më shqetësove duke bërë që të dal?” Sauli iu përgjegj: “Ndodhem në një ankth të madh, sepse filistinasit më luftojnë dhe Perëndia është larguar nga unë, dhe nuk më përgjigjet.” PPAlb 522.3

Kur Samueli ishte gjallë, Sauli e kishte përbuzur sistematikisht këshillën e tij dhe i kishte refuzuar qortimet e tij. Kurse tani, i gjendur në presionin e stresit dhe te fatekqësisë, ai mendonte se udhëzimi i profetit ishte shpresa e tij e vetme dhe në vend që të komunikonte me ambasadorin e Qiellit, ai, me një prepotencë të paparë kishte ardhur si nevojtar tek lajmëtari i ferrit. Kështu, Sauli e vendosi veten plotësisht në duart e Satanit dhe tashmë, ky i fundit, ai që e gjen kënaqësinë vetëm në shkaktimin e mjerimit dhe shkatërrimit, arriti ta shfrytëzojë në maksimum nga kjo mundësi e artë që i erdhi në duar për të sjellë shkatërrimin e mbretit të pështjelluar të Izraelit. Nga të ashtuquajturat buzët e Samuelit, erdhi si përgjigje për Saulin një mesazh i tmerrshëm: “Pse këshillohesh me mua, në qoftë se Zoti është larguar nga ti dhe është bërë armiku yt? Zoti veproi ashtu siç kishte thënë nëpërmjet meje. Zoti e shkëputi mbretërinë nga duart e tua dhe ia dha një tjetri, Davidit, sepse nuk iu binde zërit të Zotit dhe nuk zbatove në jetë zemërimin e thellë të tij kundër Amalekut; për këtë arsye Zoti të bëri sot këtë gjë. Zoti do ta japë edhe Izraelin bashkë me ty në duart e Filistejve.” PPAlb 522.4

Gjatë gjithë rrugës së tij të rebelimit Sauli kishte qenë joshur dhe mashtruar nga Satani. Puna e tunduesit është që ta bëjë mëkatin të duket si diçka e vogël, që ta bëjë shtegun e shkeljes të lehtë dhe tërheqës, që ta verbojë mendjen ndaj paralajmërimeve dhe kërcënimeve të Zotit. Satani, me fuqinë e tij prej shtrigani e kishte nxitur Saulin që të shfajësohej duke hedhur poshtë qortimet dhe paralajmërimet e Samuelit. Kurse tani, në këtë moment kaq kritik, ai u kthye kundër tij duke shfaqur peshën e madhe të mëkatit të tij në mënyrë që të mund ta zhyste plotësisht në dëshpërim. Nuk kishte zgjedhje më të goditur për t’ia shkatërruar kurajon dhe për t’ia mjegulluar gjykimin Saulit, apo që të mund ta shtynte atë drejt një dëshpërimi dhe vetë-shkatërrimi kaq të madh. PPAlb 522.5

Saulit gati sa nuk po i binte të fikët nga stërlodhja dhe agjërimi. Ishte i tmerruar dhe me ndërgjegje të plagosur. Ndërsa mbi veshët e tij ra parashikimi i frikshëm, trupi i tij u lëkund si lisi nga një stuhi e furishme dhe ra me fytyrë përmbys. PPAlb 523.1

Shtriga që kishte zhvilluar atë seancë spiritiste u alarmua nga tmerri. Mbreti i Izraelit shtrihej para saj si një njeri i vdekur. Po sikur të vdiste në banesën e saj, çfarë pasojash mund të sillte kjo për të? Ajo i kërkoi që të çohej dhe të merrte pak ushqim, duke i përmendur se, meqënëse ajo e kishte vënë në rrezik jetën e saj duke plotësuar dëshirën e tij, edhe ai duhej t’i bindej kërkesës së saj që të ruante jetën e vet. Më në fund, Sauli u bind të hante diçka, sidomos kur edhe shërbëtorët e tij iu lutën që ta bënte këtë, dhe gruaja vendosi para tij viçin e majmë dhe bukën pa maja që e përgatiti shpejt e shpejt. Çfarë skene!—Në atë shpellë të shpifur të shtrigës, shpellë që vetëm pak çaste më parë i kishte bërë jehonë verdiktit të ndëshkimit— bërë në praninë e lajmëtares së Satanit, —Sauli, ai që kishte qenë vajosur nga Perëndia si mbret i Izraelit, ishte ulur për të ngrënë, në përgatitje për betejën vdekjeprurëse të ditës që po zbardhte. PPAlb 523.2

Ai dhe shoqëruesit u kthyen në kamp para agimit që të përgatiteshin për betejë. Sauli e kishte shkatërruar veten duke u këshilluar me frymën e errësirës. I shtypur nga tmerri i dëshpërimit, ai e kishte të pamundur që ta frymëzonte ushtrinë e tij me kurajo. I ndarë nga Burimi i forcës, ai nuk mund t’i drejtonte mendjet e Izraelit që të shikonin tek Perëndia si ndihmësi i tyre. Në këtë mënyrë, ajo që ishte parathënë nga burimi i ligësisë do të realizohej me lehtësi deri në fund. PPAlb 523.3

Në luginën e Shunemit dhe faqet e Malit Gilboah u turrën drejt një luftimi vdekjeprurës dy ushtritë; ajo e filistinasve dhe ajo e Izraelit. Edhe pse skena e frikshme në shpellën e Endorit ia kishte prerë të gjitha shpresat, Sauli luftoi me gjithë fuqinë e tij të dëshpëruar për të ruajtur fronin dhe mbretërinë e tij. Por më kot! Izraelitët ua mbathën para filistinasve, dhe ranë të vrarë në malin Gilboa. Edhe tre djemtë guximtarë të mbretit vdiqën pranë tij. Shigjetat fluturonin mbi kokën e Saulit. Ai pa me sytë e tij ushtarët që binin njëri pas tjetrit dhe bijtë e tij të rrëzuar nga shpata. Vetë ishte plagosur dhe as që bëhej fjalë që të luftonte më, por as t’ia mbathte me vrap. Arratisja ishte e pamundur, ndaj, i vendosur që të mos dorëzohej në duart e filistinasve i gjallë, ai e urdhëroi armë-mbajtësin e tij: “Nxirre shpatën tënde dhe më vrit me të.” Kur ai refuzoi ta bënte këtë gjë kundra të vajosurit të Zotit, Sauli vrau veten duke u hedhur mbi shpatën e vet. PPAlb 523.4

Kështu mori fund mbreti i parë i Izraelit, duke e ngarkuar veten edhe me mëkatin e vetëvrasjes. Jeta e tij kishte qenë një dështim dhe ai vdiq me përdhosje dhe dëshpërim, kjo sepse ai vendosi vullnetin e tij të fëlliqur kundnë kundërshtim me vullnetit të Perëndisë. PPAlb 523.5

Lajmi i disfatës u përhap në çdo krahinë. Njerëzit ia mbathën nga qytetet dhe filistinasit nuk e patën të vështirë t’i pushtonin ato. Mbretëria e Saulit, tashmë e ndarë nga Perëndia kishte provuar shkatërrimin e popullit të tij. PPAlb 524.1

Pas ditës së betejës, filistinasit, duke u përpjekur t’i plaçkisnin njerëzit e vrarë e t’u merrnin gjërat e çmuara, zbuluan edhe trupat e Saulit dhe tre bijve të tij. Për ta bërë të plotë triumfin e tyre, ata ia prenë kokën Saulit dhe e zhveshën nga armatimi dhe që të dyja; koka dhe armatimi u dërguan në vendin e filistinasve si trofe për fitoren e arritur “për ta çuar lajmin në tempullin e idhujve të tyre dhe popullit.” PPAlb 524.2

Përfundimisht, armatimi u var në “tempullin e Ashtorethit,” kurse koka në tempullin e Dagonit. Kështu pra, lavdia e fitores i shkoi fuqisë së këtyre perëndive të rreme dhe në këtë mënyrë emri i Jahveh, Zotit Perëndi të vërtetë të Izraelit, u përdhos rëndë. PPAlb 524.3

Kufomat e Saulit dhe tre djemve të tij u tërhoqën zvarrë për në Beth-shan, një qytet jo shumë larg Gilboas dhe pranë lumit Jordan. I lidhën pastaj me zinxhira që t’i gllabëronin shpendët grabitqarë. Por njerëzit trima të Jabesh-Gileadit, duke u kujtuar se si në ditët e lumtura të rinisë së tij, Sauli e kishte çliruar qytetin e tyre, shfaqën mirënjohje duke i shpëtuar trupat e mbretit dhe të princave dhe organizuan një funeral dinjitoz. Duke kaluar Jordanin gjatë natës, “hoqën nga muret e Beth-Shanit kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij; pastaj u kthyen në Jabesh dhe këtu i dogjën ato. Pastaj morën kockat e tyre, i varrosën poshtë marinës në Jabesh dhe agjëruan shtatë ditë me radhë.” Kështu, vepra fisnike që Sauli kishte bërë para shumë vitesh për ta, siguroi për të dhe bijtë e tij një funeral të denjë, gjë që doli nga zemra dhe duart e disa njerëzve të mëshirshëm në atë orë të errët disfate dhe çnderimi. PPAlb 524.4