PATRIARKË DHE PROFETË

64/74

63—“DAVIDI DHE GOLIATHI”

*****

Kur Mbreti Saul e kuptoi që ishte hedhur poshtë nga Perëndia, dhe kur e ndjeu forcën plotë të fjalëve të qortimit ndaj tij të thëna nga profeti, ai u mbush me indinjatë dhe dëshpërim të hidhur. Nuk ishte pendesa e vërtetë ajo që ia kishte ulur kokën mbretit. Ai nuk arrinte ta perceptonte qartë karakterin fyes të mëkatit të tij dhe nuk bëri aspak përçapje për të reformuar jetën e tij.Mjerisht, ai turfullonte me veten sepse, sipas mendimit të tij, Përëndia ishte treguar i padrejtë që ia kishte refuzuar atij fronin e Izraelit dhe që nuk do ia lejonte pasardhësve të vet trashëgiminë e fronit. Sauli ishte vazhdimisht i shqetësuar, sepse priste orë e minutë shkatërrimin që ishte parashikuar mbi shtëpinë e tij. Ai pretendonte se trimëria që kishte treguar duke përzënë armiqtë e kombit, duhej marrë parasysh dhe e asnjëanësonte mëkatin e tij të mosbindjes. Ai nuk e pranoi qortimin e Perëndisë me përulësi dhe pendim, por fryma e tij kryelartë e mundonte aq shumë, aq sa për pak sa nuk humbi arësyen. Këshilltarët e tij i rekomanduan që të kërkonte ndihmën e ndonjë muzikanti të talentuar, me shpresën se tingujt qetësues të një instrumenti të ëmbël kishin për ta qetësuar frymën e trazuar të mbretit. Perëndia, duke patur kontroll të plotë mbi rrethanat, bëri që të sillej askush tjetër por vetë Davidi, të cilit iu kërkua që të luante mjeshtërisht me harpën e tij, sepse, në fund të fundit, ai ishte një mjeshtër i vërtetë muzike. Tingujt e tij të bukur dhe me frymëzim qiellor sollën efektin e dëshiruar. Melankolia e zymtë që ishte vendosur si një re e zezë në mendjen e Saulit largohej sa herë që ai Davidi i binte harpës. 47 PPAlb 496.1

Kur kishte përiudha gjatë së cilave shërbimet e tij nuk kërkoheshin në pallatin mbretëror, Davidi kthehej tek kullota ndërmjet kodrave dhe aty vazhdonte ta ushtronte thjeshtësinë e shpirtit si dhe mënyrën e të sjellurit që e kishte karakterizuar gjithmonë. Sa herë që ishte e nevojshme, atë e thërrisnin që t’i shërbente mbretit, që ta qetësonte mendjen e çoroditur të monarkut, derisa fryma e keqe që e bezdiste të largohej prej tij. Por ndonëse Sauli ishte i kënaqur shumë me Davidin dhe muzikën e tij, bariu i ri ndihej më i gëzuar dhe i lirshëm kur kthehej nga shtëpia e mbretit për tek fushat dhe kodrat ku kulloste delet e babait. PPAlb 496.2

Davidi rritej në hir para Zotit dhe para njerëzve. Ai ishte udhëzuar të ecte në rrugën e Perëndisë dhe tani ishte edhe më i vendosur në zemrën e vet që të kryente vullnetin e Perëndisë. Për momentin, mëndjen e tij e preokuponin çështje të një natyre tjetër. Davidi kishte qëndruar në oborrin e mbretit dhe kishte parë përgjegjësitë e mbretërimit. Gjithashtu, ai kishte zbuluar disa nga tundimet që kishin mësymur zemrën e Saulit dhe kishte arritur të vinte re difekte të ndryshme në karakterin e mbretit të pare të Izraelit. Davidi kishte parë se lavdia mbretërore ishte e errësuar nga një re e errët trishtimi dhe e dinte se familjarët e Saulit, në jetën e tyre private nuk ishin aspak të kënaqëur e të lumtur. Të gjitha këto gjëra nuk shërbenin tjetër veçse i sillnin mendime trazuese atij që ishte zgjedhur mbret i Izraelit. Por, ndërsa ishte zhytur në një meditim të thellë, dhe i ngacmuar nga këto mendime të ankthshme, Davidi i kthehej harpës së tij dhe krijonte timguj që ia lartësonin mendjen drejt Perëndisë, Autorit të çdo të mire, dhe retë e zeza që dukeshin sikur ia errësonin horizontin e së ardhmes largoheshin tutje. PPAlb 496.3

Perëndia po i jepte Davidit mësime me temë besimin. Ashtu sikurse edhe Moisiu ishte edukuar për punën që do bënte, kështu do të edukohej edhe edhe biri i Jeseit nga Perëndia, që të bëhej udhërrëfyesi i popullit të Tij të zgjedhur. Ndërkohë që përkudesej për delet, Davidi filloi ta çmonte edhe më shumë kujdesin që Perëndia, Bariu ynë i Madh ka për delet e kullotës së Tij. PPAlb 497.1

Kodrat e vetmuara me bimësi të egër ishin vendi ku gëlonin kafshët grabitqare. Shpeshherë tufa e deleve sulmohej nga luanë që mund të vinin nga pyjet e dendur rrotull lumit Jordan, apo nga arinjtë që mund t’ia behnin nga kodrat. Të dyja këto egërsira të dhunshme ishin mëse tëgatshme për të sulmuar, sidomos kur i kapte uria. Në përputhje me zakonin e asaj kohe, armatimi i Davidit përbëhej vetëm nga një hobé dhe nga shkopi i bariut. Megjithatë, që në moshë të re, ai kishte dhënë prova për trimërinë dhe kurajon që e karakterizonte, ndërsa mbronte kopetë e veta. Vite më vonë, kur kujtonte këto episode nga rinia, Davidi do të shkruante: “. . . kur një luan ose një ari vinte për të rrëmbyer një dele nga kopeja, unë e ndiqja, e godisja dhe ia rrëmbeja nga goja; në qoftë se ai kthehej kundër meje, unë e kapja nga krifa, e godisja dhe e vrisja.” - 1 Samuelit 17: 34, 35. Përvoja që mori nga këto eksperienca të jetës i bënë mirë zemrës së Davidit duke shtuar e përforcuar tek ai kurajon, epërsinë dhe besimin. PPAlb 497.2

Edhe para se të ishte thirrur në oborrinn mbretëror, Davidi ishte shquar për veprat e tij të fuqishme. Oficeri që e rekomandoi para mbretit e cilësoi Davidin si një djalë që është “një njeri i fortë dhe trim, i shkathët në luftim, gojëtar i hijshëm”- dhe në fund shtoi: “dhe Zoti është me të.” PPAlb 497.3

Kur Izraeli shpalli luftë kundër filistenjve, tri nga bijtë e Jeseit iu bashkuan ushtrisë së Saulit, kurse Davidi, ende i ri në moshë, qëndroi në shtëpi. Megjithatë, pas një kohe të shkurtër, ai do të shkonte për një vizitë pikërisht tek fendfushimi i ushtrisë së Saulit. Me porosi të të jatit, Davidi ishte dërguar që t’u jepte vëllezërve të tij një mesazh nga Jesei, disa dhurata, si dhe të shihte nëse ishin mirë me shëndet, e pastaj të kthehej me lajme të mira. Por, pa dijeninë e Jeseit, bariut të ri i ishte mirëbesuar një tjetër mision, edhe më i lartë. Ushtritë e Izraelit ndodheshin në rrezik dhe Davidi ishte drejtuar nga një engjëll që të shpëtonte popullin e tij. PPAlb 497.4

Ndërsa po i afrohej vend-fushimit, Davidi dëgjoi një zhurmë shurdhuese, të jepej përshtypja sikur ishte gati të fillonte një kryengritje. “Ushtria po dilte për t’u radhitur në formacion beteje dhe lëshonte britma lufte.” Izraelitët dhe filistinasitishin radhitur në formacione luftarake, gati për t’u përleshur, një ushtri përballë ushtrisë tjetër. Davidi vrapoi për tek ushtria izraelite dhe shkoi për të përshëndetur vëllezërit e tij. Ndërsa po fliste me ta, Goliathi, kampioni i filistenjve doli përpara dhe me fjalë fyese i poshtëronte izraelitët duke i sfiduar që të nxirrnin një burrë nga radhët e tyre që do mund të luftonte në një duel, vetëm për vetëm me të. Ai e përsëriti edhe një herë sfidën e tij, dhe kur Davidi vuri re se të gjithë izraelitët i kishte pushtuar frika dhe kur mësoi që provokimi i Goliathit ishte bërë prej ditësh dhe askush nuk kishte denjuar që të përballej me këtë mburracak pagan, fryma iu trazua përbrenda. Ai digjej nga zelli për të ruajtur nderin e Perëndisë së gjallë dhe reputacionin e popullit të Tij. Në ato çaste, ushtritë e Izraelit ishin të demoralizuara në maksimum. Guximi i kishte humbur fare. I thonin njëri-tjetrit: “E keni parë këtë njeri që shkon përpara? Ai shkon përpara për të vënë në provë sedrën e Izraelit.” I mbushur me turp dhe indinjatë, Davidi thërriti: “Po kush na qenka ky Filistinas i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë të gjallë?” PPAlb 497.5

Eliabi, vëllai më i madh i Davidit, kur i dëgjoi këto fjalë, I njihte fare mirë mendimet e vëllait të tij më të vogël. Edhe kur kishte qenë bari, ai kishte treguar guxim, kurajo dhe forcë që rrallë mund të shihej. Nga ana tjetër, vizita e mistershme e Samuelit në shtëpinë e babait të tyre, largimi i tij i heshtur, të gjitha këto kishin zgjuar tek vëllezërit e tjerë dyshime në lidhje me arsyen e vërtetë të asaj vizite. Kur panë se Davidi ishte njeruar më shumë se çdo vëlla tjetër, ata i kishte pushtuar xhelozia dhe nuk e trajtonin më me respektin dhe dashurinë që ai meritonte, pavarësisht se sa i dashur dhe i ndershëm ishte ndaj tyre. Ata e konsideronin mbretin e ardhshëm thjesht si një bari të rëndomtë dhe pyetjen që Davidi sapo kishte bërë, Eliabi e mori personalisht si qortim për frikën që ai vetë kishte treguar duke mos bërë asgjë për t’ia mbyllur gojën gjigandit filistinas. I zemëruar, vëllai më i madh iu përgjigj: “Pse ke ardhur këtu? Kujt ia le ato pak dele në shkretëtirë? Unë e njoh krenarinë tënde dhe prapësinë e zemrës sate, ke zbritur këtu për të parë betejën.” - Davidi iu përgjigj: “Ç'kam bërë unë tani? Nuk ishte veçse një pyetje e thjeshtë.” PPAlb 498.1

Fjalë e Davidit shkuan deri në vesh të mbretit, i cili e thirri të riun që të paraqitej para tij. Sauli i dëgjoi me habi fjalët e bariut, ndërsa thoshte: “Zemra e askujt të mos ligështohet për shkak të tij! Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë filistinas.” Sauli u përpoq ta ndalonte Davidin nga qëllimi i tij, por ky i fundit nuk lëvizte nga e vetja. Ai iu përgjigj me thjeshtësi mbretit, pa pretenduar ndonjë gjë, dhe foli për përvojën e vet ndërsa kujdesej për kopetë e babait të tij: “Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij filisinasi. Atëherë Sauli i tha Davidit: “Shko dhe Zoti qoftë me ty.” PPAlb 498.2

Për dyzetë ditë me radhë, ushtria e Izraelit ishte dridhur para provokimit të rëndë që u kishte bërë gjigandi filistinas. Zemra u ishte lëshuar, ndërsa vështronin shtatin e tij masiv, mbi tri metra. Mbi kokën e tij ishte një helmetë prej tunxhi, për vete kishte veshur një parzmore hekuri që peshonte pesë mijë shekel dhe këmbët i kishte të mbështjella me mburojë tunxhi. Edhe parzmorja ishte e përbërë nga shtresa tunxhi, të mbivendosura njëra mbi tjetrën si luspa peshku dhe ishin aq të lidhura me njëra tjetrën, saqë nuk bëhej fjalë që atë armaturë të mund ta penetronte ndonjë shigjetë apo shtizë Mbi shpinë, gjigandi kishte veshur po ashtu një parzmore prej tunxhi. “Maja e ushtës së tij ishte si shuli i një endësi dhe peshonte gjashtë qind sikla argjendi: para tij ecte shqytari i tij.” PPAlb 498.3

Çdo mbrëmje dhe çdo mëngjes, Goliathi i ishte afruar kampit të Izraelit, duke bërtitur me zë të lartë: “Pse keni dalë për t'u radhitur në formacion beteje? A nuk jam unë një filistinas dhe ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni pra një burrë që të dalë kundër meje. Në rast se do të jetë në gjendje të luftojë me mua dhe të më vrasë, ne do të jemi shërbëtorët tuaj; por në rast se dal unë fitues dhe e vras, atëherë ju do të jeni shërbëtorët tanë dhe do të na shërbeni. Pastaj flistinasi shtoi: “Unë sot po sfidoj trupat e Izraelit. Më jepni një burrë [për dyluftim] dhe do të luftojmë!” PPAlb 499.1

Ndonëse Sauli i kishte dhënë leje Davidit që të pranonte sfidën e Goliathit, mbreti kishte shumë pak shpresa se Davidi do të dilte fitimtar në këtë sipërmarrje kaq kurajoze. Më në fund u dha urdhri që të riun ta vishnin me armaturën e vetë mbretit. I vunë mbi kokën hemetën e rëndë prej bronzi dhe në trup i lidhën parzmoren me zinzhira dhe, në anë të tij ishte shpata e monarkut. I pajisur me këto armatime, ai u nis drejt punës së tij, por pak nga pak i ngadalësoi hapat dhe ndaloi. Mendimi i parë i spektatorëve në ankth që ndodheshin pranë ishte se Davidi kishte ndërruar mendje dhe nuk do ta vinte në rrezik jetën e tij, pra të pranonte të përballej me një armik që nuk përputhej fare në përmasë me të. Por vetë djaloshi guximtar as që e mendonte këtë. Pasi u kthye tek Sauli, ai i kërkoi leje që ta hiqte armaturën e rëndë, duke i thënë: “Unë nuk mund të eci me këtë armaturë, sepse nuk jam mësuar me të.” Ai e hoqi armaturën e mbretit dhe në vend të saj mori në dorë vetëm shkopin e tij prej bariu, torbën dhe u nis me një hobë në dorë. Pastaj zgjodhi pesë gurë të lëmuar në përrua, i futi në torbë dhe me hobénë në dorë shkoi përpara duke iu afruar filistinasit. Duke u krekosur, gjigandi eci pak përpara, për t’u përballur me më të fortin e luftëtarëve të Izraelit. Para tij e printe rrugën shqytari dhe shikonte përpara sikur asgjë s’mund t’i bënte dot ballë. Ndërsa iu afrua Davidit nga afër, ai pa një djalosh të ri, të quajtur ‘djalosh’ thjesht nga mosha e re. Faqet e Davidit skuqnin nga shëndeti dhe trupi i tij ishte i lidhur mirë, i pambrojtur nga ndonjë lloj armature dhe i zbuluar përpara kundërshtarit të tij, megjithatë ekzistonte një kontrast shumë i madh ndërmjet trupit të tij rinore dhe përmasave të stërmëdha të filistinasit. PPAlb 499.2

Goliathi u mbush me zemërim dhe habi dhe tha: “Mos jam vallë një qen që ti po del kundër meje me shkop në dorë?” Pastaj derdhi mbi Davidin gjithë mallkimet e mundshme në emër të të gjithë zotave që ai njihte. Duke u tallur ai bërtiti: “Eja këtu, dhe unë do t ‘ ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushave.” PPAlb 499.3

Davidi nuk u zmbraps para kampionit të filistenjve. Duke bërë një hap përpara, ai iu përgjigj armikut të tij: “Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit (Jahveh) të plotfuqishëm, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer. Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde dhe do t ‘ u jap pikërisht sot kufomat e ushtrisë së filistinasve shpendëve të qiellit dhe egërsirave të tokës, me qëllim që i gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael. Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës, sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t’ ju dorëzojë në duart tona.” PPAlb 499.4

Në tonin e zërit të Davidit, në shikimin e tij prej fitimtari dhe në shprehjen e fytyrës së tij të gëzuar lexohej qartë se ai nuk i trembej aspak Goliathit. Ky fjalim, i mbajtur me zë të qartë dhe muzikor u ngjit në ajër dhe u dëgjua mirë nga mijëra prej njerëzve që ishin rreshtuar gati për luftë. Zjarri i zemërimit të Goliathit arriti kulmin. Në zemërim e sipër, ai e ngriti lart helmetën që i mbronte kokën dhe u nis përpara që të hakmerrej ndaj kundërshtarit të tij. Ndërkohë, biri i Jeseit po përgatitej për t’i bërë ballë armikut të tij. “Kur filistinasi lëvizi dhe shkoi përpara për t'u ndeshur me Davidin, edhe Davidi nxitoi menjëherë drejt fushë-betejës, përballë filistinasit; vuri dorën në thes, nxori prej tij një gur, e hodhi me hobénë dhe e goditi në ballë filistinasin; guri iu zhyt në ballë dhe ai ra me fytyrë për tokë.” PPAlb 499.5

NJë habi e papërshkrueshme përshkoi radhët e të dyja ushtrive. Ata kishin qenë të sigurt se Davidi kishte për t’u vrarë, por kur guri fluturoi duke fërshëllyer nëpër ajër, drejt e në shenjë, ata panë që luftëtari i fuqishëm u drodh, duke i zgjatur duart e tij, sikur papritur të ishte goditur nga verbëria. Gjigandi Goliathu lëkund dhe u drodh dhe pastaj ra përdhë si një lis i sapo-prerë. Davidi nuk priti as edhe një çast, por kërceu mbi trupin e përkulur të filistiasit dhe ia mori shpatën e rëndë duke e kapur me të dyja duart. Shumë pak çaste më përpara, gigandi ishte mburrrur me po atë shpatë duke thënë se me të do t’ia priste kokën Davidit dhe do ia hidhte si ushqim shpendëve të qiellit. Por tashmë ajo shpatë po ngrihej mbi vetë kokën e tij, e cila iu pre, duke iu shkëputur nga trupi, ndërkohë që një britmë gëzimi shpërtheu nga kampi i Izraelit. PPAlb 500.1

Filistinasit shtangën nga tmerri dhe rrëmuja që ndodhi si rezultat, shkaktoi tërheqjen e tyre përfundimtare. Britmat e hebrenjve fitimtarë jehuan përtej majave të maleve, ndërsa i ndoqën armiqtë ikanakë dhe: “i ndoqën filistinasit deri në hyrjen e luginës dhe në portat e Ekronit. Filistinasit e plagosur për vdekje ranë në rrugën e Shaarimit, deri në Gath dhe në Ekron. Ndërsa fëmijët e Izraelit u kthyen nga ndjekja e filistinasve, dhe plaçkitën kampin e tyre. Pas kësaj, Davidi mori kokën e filistinasit dhe e çoi në Jeruzalem, por armët e tij i vendosi në çadrën e tij.” PPAlb 500.2