PATRIARKË DHE PROFETË

63/74

62—“SAULIT HUMB FRONIN”

*****

Pak kilometra në jug të Jeruzalemit “qyteti i Mbretit të madh,” shtrihet Betlehemi, atje ku lindi Davidi, biri i Jeseit, pak më shumë se njëmijë vjet para se foshnja me emrin Jezus, që të përkundej në djepin prej grazhdi, do të adhurohej nga dijetarët e lindjes. Shumë shekuj përpara lindjes së Shpëtimtarit, në kulmin e rinisë së tij, Davidi ruante delet ndërsa i kulloste në kodrat rrotull Betlehemit. Ky djalë i thjeshtë e bari këndonte këngë që i kompozonte vetë dhe melodia e harpës së tij i bënte shoqëri zërit të ëmbël djaloshar. Zoti e kishte zgjedhur Davidin dhe po e përgatiste pikërisht atje, në jetën e tij vetmitare me delet e tij, për punën që Ai kishte planifikuar t’ia besonte në vitet që do të pasonin. 46 PPAlb 492.1

Ndërkohë që Davidi vazhdonte në vetminë e jetës modeste të bariut, Perëndia po i fliste për të profetit Samuel. “Deri kur do të mbash zi për Saulin, ndërkohë që Unë e kam hedhur poshtë që mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe me vaj bririn tënd dhe nisu; po të dërgoj tek Jesei, Betlehemiti, sepse kam zgjedhur një mbret midis bijve të tij. Do të marësh me vete një mëshqerrë dhe do të thuash: ‘Kam ardhur për t’i ofruar një flijim Zotit.’ Do të ftosh Jesein në ceremoninë e flijimit, Unë do të të tregoj atë që duhet të bësh, dhe ti ke për të vajosur atë që do të të them Unë.” - 1 Samuelit 16:13-Kështu Samueli bëri atë që i kishte thënë Zoti dhe shkoi në Bethlehem; pleqtë e qytetit i dolën përpara duke u dridhur dhe i thanë: ‘Po na vjen në mënyrë paqësore?’ Ai u përgjigj: ‘Vij në mënyrë paqësore’.” - Vargjet 4, 5. Pleqtë e pranuan ftesën për ofertën e flijimit dhe Samueli thirri aty edhe Jesein me bijtë e tij. Ndërtuan një altar dhe bënë gati flijimin. E gjithë shtëpia e Jeseit ishte e pranishme, përveç Davidit, më të riut prej djemve të tij, i cili ishte lënë të ruante delet, pasi këto të fundit nuk mund të liheshin të pambrojtura. PPAlb 492.2

Pasi përfundoi ofrimi i flijimit dhe kishte ardhur çast të merrnin pjesë në festën e ofrimit, Samueli filloi inspektimin profetik të djemve të Jeseit, në dukje të gjithë fisnikë. Eliabi ishte më i madhi dhe i përngjante më tepër Saulit si nga shtati ashtu edhe nga bukuria. Tiparet e tij të këndshme dhe forma e hijshme dhe e bëshme trupore ia tërhoqën vëmendjen profetit. Ndërsa shikonte pamjen e tij si prej princi, Samueli mendoi në heshtje: “Me siguri i vajosuri i Zotit është para tij” (- Vargu 6) dhe ndërkohë priste urdhërin hyjnor që të mund ta vajoste. Por Zoti Perëndi nuk e kishte shikimin e Tij tek pamja e jashtme. Eliabi nuk i druhej Zotit. Në rast se do të ishte zgjedhur ai për fronin mbretëror, ai do të kishte qenë një sundues krenar dhe i rreptë. Ajo që Zoti Perëndi i tha Samuelit ishte: “Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën.” - Vargu 7. Bukuria e jashtme nuk mund të jetë domosdoshmërisht një rekomandim i goditur për Perëndinë. Mençuria dhe shkëlqimi i shfaqur në karakterin dhe sjelljen e njeriut pasqyrojnë bukurinë e vërtetë të tij. Gjithashtu, vlera e brendshme dhe pastërtia e zemrës janë ato faktorë që vendos pranimin tonë përpara Perëndisë së plotfuqishëm. Kjo është një e vertetë që duhet kuptuar thellë lidhur me gjykimin që ne i bëjmë vetes dhe të tjerëve. Nga gabimi i Samuelit mund të mësojmë se ai lloj vlerësimi që bazohet mbi bukurinë e fytyrës, apo fisnikërinë e tipareve të trupit është i pavlerë. Duhet të kuptojmë se njeriu është i paaftë të kuptojë sekretet e zemrës, apo këshillat e Perëndisë, pa u ndriçuar fillimisht nga qielli. Mendimet dhe rrugët e Zotit në lidhje me krijesat e Tij qëndrojnë shumë më lart sesa mendjet tona të kufizuara, por megjithatë, ne mund të ndjehemi të sigurt, se fëmijët e Tij do të vendosen në atë lloj detyre dhe pozite për për të cilën edhe janë kualifikuar dhe atyre do t’u jepen aftësitë e duhura për ta përfunduar punën që u është lënë në dorë, në qoftë se do të zbatojnë jo vullnetin e tyre por atë të Perëndisë, në atë masë, në mënyrë që planet dashamirëse hyjnore të mos pengohen nga fëlliqësia e njeriut. PPAlb 492.3

Pas Eliabit, Samueli e vazhdoi inspektimin e tij me gjashtë bijtë e tjerë të Jeseit, të cilët ishin të pranishëm në shërbesën e kryer, por Perëndia nuk dha ndonjë shenjë të përzgjedhjes për asnjërin prej tyre. Me një hezitim të dhimbshëm, Samueli, pasi hodhi vështrimin e tij mbi djalin e shtatë, tashmë ndihej konfuz dhe i habitur. Kështu, e pyeti Jesein: “A janë këtu tërë bijtë e tu?” Ai iu përgjigj: “Mungon më i vogli sepse tani është duke kullotur delet.” Samueli i tha që ta sillnin edhe atë, duke shtuar: “sepse nuk do të shtrohemi në tryezë para se ai të vijë këtu.” - Vargu 11. PPAlb 493.1

Bariu i ndrojtur u çudit kur mori lajmin e papritur nga një lajmëtar që i tregoi se profeti Samuel kishte ardhur në Betlehem dhe po e kërkonte. I habitur, Davidi pyeste veten se përse vallë profeti dhe gjykatësi i Izraelit kërkonte të shihte pikërisht atë. megjithatë iu bind thirrjes që i bënë pa u vonuar. “Davidi ishte kuqalash, me sy të bukur dhe pamje të hijshme.” - Vargu 12. Ndërkohë që Samueli po e kundronte me kënaqësi djaloshin bari, modest, por të pashëm e burrëror, zëri i Zotit i foli profetit duke i thënë: “Ngrihu, vajose se ai është.” Davidi kishte dhënë prova që ishte i zoti dhe besnik në detyrën e thjeshtë të bariut, por tashmë Perëndia e kishte zgjedhur që të ishte komandanti i popullit të Tij. “Atëherë Samueli mori bririn e vajit dhe e vajosi para vëllezërve të tij; që nga ajo ditë Fryma e Zotit zbriti te Davidi.” - Vargu 13. Profeti e kishte kryer detyrën e caktuar dhe me një zemër të çliruar u ngrit dhe shkoi në Ramah. PPAlb 493.2

Samueli nuk ia kishte bërë të njohur detyrën e tij askujt, madje as familjes së Jeseit, dhe ceremonia e vajosjes së Davidit kishte ndodhur fshehurazi. Ishte një aludim në zemrën e të riut lidhur me fatin që e priste që nga ai moment, në mënyrë që në mes të gjithë rreziqeve dhe përvojave të ndryshme që do ta ndiqnin në vitet e ardhshme,. Kjo njohuri do ta frymëzonte për t’i qëndruar besnik planit që Perëndia do të realizonte nëpërmjet jetës së tij. PPAlb 493.3

Nderi i madh që u iu bë Davidit nuk shërbeu për ta bërë krenar. Pavarësisht nga pozita e lartë që do të kishte një ditë, ai e vazhdoi me qetësi punën, më se i kënaqur që të priste zhvillimin e planeve të Zotit në kohën dhe mënyrën e Tij. Duke qenë po aq i përulur dhe modest sa ç’ishte edhe para vajosjes, djali bari u kthye tek kodrat ku vazhdoi të kulloste delet e tij dhe të kujdesej për to me po aq dashuri si edhe më përpara. Por, tani ai filloi të kompozonte melodi dhe t’i binte harpës me një frymëzim të ri. Vreshtat, të rënduara nga bistakët e mëdhenj e të bollshëm shkëlqenin nën rrezet e diellit. Pemët e pyllit, me gjethnajën e gjelbër lëkundeshin nga flladi i këndëshëm. Davidi vështronte diellin që përshkonte me dritën e tij qiellin, që dilte sikurse një dhëndërr nga dhoma e vet dhe që gëzohej si një njeri i fortë që po fitonte një garë. Aty pranë ndodheshin edhe majat krenare të kodrave që drejtoheshin drejt qiellit, në një distancë më të largët ngriheshin edhe majat e zhveshura të malit të gurtë të Moabit, e mbi të gjitha këto shpalosej e kaltra e bukur e qiejve madhështorë. Dhe, përtej tyre ishte Perëndia. Ai nuk mund ta shihte dot, por veprat e Tij dëshmonin me lavdërime për Të. Drita e ditës, që përshkonte pyjet dhe malet, livadhet dhe përrenjtë, të sillte në mendje të vështroje Babain e dritave, Autorin e çdo dhurate të mirë dhe të përsosur. Zbulesat e përditshme të karakterit dhe madhështisë së Perëndisë, Krijuesit të tij, ia mbushnin zemrën poetit të ri me ngazëllim dhe adhurim. Ndërsa meditonte mbi Perëndinë dhe veprat e Tij, kapacitetet e mendjes dhe zemrës së Davidit po zhvilloheshin dhe forcoheshin për punën që e priste përpara. Çdo ditë që kalonte e sillte atë në një komunikim edhe më të ngushtë me Perëndinë. Mendja e tij penetronte vazhdimisht nëpër thellësira të reja për të gjetur tema të mëtëjshme që do ta frymëzonin për këngë të reja dhe që do ta zgjonin edhe më tej muzikën e harpës së tij. Melodia e bukur e zërit të tij çante ajrin duke e përcjellë jehonën nëpër kodra dhe dukej sikur i përgjigjej këngës së gëzuar të engjëjve në qiell. PPAlb 493.4

Kush vallë mund t’i masë rezultatet e atyre viteve mundimesh dhe endjesh nëpër kodrat e vetmuara? Kuvendimi me natyrën dhe me Perëndinë, përkujdesja për delet, rreziqet që u kanoseshin atyre dhe aftësia e tij shpëtuese, brengat dhe gëzimet e detyrës së tij të përulur, shërbyen jo vetëm për të formuar karakterin e Davidit dhe për ta bërë më të pjekur në jetën e tij, por edhe që nëpërmjet psalmeve të këngëtarit të ëmbël të Izraelit të ndizte dashuri e besim në zemrat e brezave të ardhshëm të fëmijëve të Perëndisë, duke i sjellë ata edhe më pranë zemrës së Perëndisë, ku buron përherë dashuria. Të gjitha krijesat jetojnë në sajë të Tij. PPAlb 494.1

Në bukurinë dhe forcën e moshës së tij të re, Davidi po përgatitej për të marrë një pozitë aq të lartë që e rradhiste me fisnikët e tokës. Talentet e tij, duke qenë dhurata të çmuara nga Perëndia, u përdorën prej tij për t’i shërbyer lartësimit të lavdisë së Dhuruesit hyjnor. Mundësitë që i jepeshin për meditim dhe reflektim i shërbyen për t’u pasuruar me atë lloj mençurie dhe devotshmërie, që e bënë të fitonte dashurinë e Perëndisë dhe të engjëjve. Ndërsa mendonte rreth përsosmërisë së Krijuesit, para tij hapeshin horizonte të reja e më të qarta të konceptimit të Perëndisë. Temat e paqarta tashmë ishin ndriçuar, vështirësitë tashmë qartësuar, hutimi ishin zëvendësuar nga harmonia, dhe çdo rreze e re drite sillte shpërthime të reja frymëzimi, himne edhe më të bukura përkushtimi për lavdinë e Perëndisë dhe të Shpenguesit (Krishtit). Dashuria e Zotit që e kishte prekur aq shumë, trishtimet që e zinin herë pas here, triumfet që kishte përjetuar, të gjitha këto i flisnin dhe ia gjallëronin mendjen. Për më tepër, ndërsa vështronte dashurinë e Perëndisë në të gjitha aspektet e jetës, zemra e Davidit rrihte fort me më tepër adhurim dhe mirënjohje, zëri i tij shpërthente në një melodi më të bukur, harpën e tij e përfshinte një gëzim edhe më ekzaltues dhe djaloshi bari vazhdonte nga njëra forcë në tjetrën, nga njëra njohuri në tjetrën, sepse mbi të qëndronte Fryma e Zotit. PPAlb 494.2