PATRIARKË DHE PROFETË

62/74

61—“SAULI HIDHET POSHTË”

*****

Sauli kishte dështuar në provën e besimit që i ishte bërë gjatë situatës së vështirë në Gilgal dhe e kishte çnderuar shërbimin ndaj Perëndisë; gjithesi, gabimet e tij nuk ishin ende të pandreqshme, prandaj dhe Zoti do t’i jepte edhe një mundësi tjetër për t’i dhënë një mësim të dyfishtë—të kishte besim të padiskutueshëm në fjalën e Tij dhe të tregonte bindje ndaj urdhërave të Tij. 45 PPAlb 484.1

Kur u qortua nga profeti Samuel në Gilgal, Sauli nuk pa ndonjë mëkat të madh tek veprimi që kishte ndërmarrë. Ai u ndie sikur ishte trajtuar padrejtësisht, dhe u përpoq të shfajësohej për veprimet e tij duke sajuar justifikime për gabimin që kishte kryer. Që prej asaj kohe, ai nuk pati shumë komunikim me Samuelin. Samueli e donte Saulin si birin e tij, ndërsa Sauli, me temperamentin e tij krenar dhe të nxehtë, kishte patur konsideratë të lartë për profetin, por nuk i duronte dot qortimet që i bënte, që atëherë mundohej ta shmangte sa më shumë që mundej. PPAlb 484.2

Por Perëndia e dërgoi shërbëtorin e tij besnik me një tjetër mesazh për Saulin. Ai kishte ende mundësi të tregonte besnikëri ndaj Perëndisë dhe dinjitet për të udhëhequr Izraelin, duke iu bindur Atij. Samueli erdhi tek mbreti dhe i shpalli fjalën e Zotit. Profeti ia tregoi menjëherë që po fliste i urdhëruar nga Perëndia, i njëjti autoritet që e kishte thirrur Saulin për në fron, në mënyrë që mbreti ta kuptonte rëndësinë e dëgjimit mirë të këtij urdhri: “Unë do ta dënoj Amalekun për atë që i bëri Izraelit kur i preu rrugën, ndërsa po dilte nga Egjipti. Tani shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka pa pasur fare mëshirë për të, por vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë.” -1 Samuelit 15:1-3. Amalekitët kishin qenë të parët që kishin luftuar ndaj tyre në shkretëtirë. Prandaj për shkak të këtij mëkati, si dhe për përçmimin ndaj Perëndisë dhe për shak të praktikimit të idhujtarisë shthurrëse, Perëndia, nëpërmjet Moisiut kishte shpallur mbi ta këtë dënim. Historia e egërsisë së tyre ndaj Izraelit ishte e regjitsruar me urdhërin hyjnor: “do të fshish kujtimin e Amalekut nën qiell; mos e harro!”- Ligji i Përtërirë 25:19. Kryerja e këtij veprimi ishte vonuar katërqind vjet, e megjithatë amalekitët nuk ishin kthyer nga mëkatet e tyre. Perëndia e dinte që ky popull i lig, po t’i jepej mundësia, dkishte për ta shfarosur si popullin e Tij ashtu edhe adhurimin ndaj Perëndisë nga faqja e dheut. Tani kishte ardhur koha që ky dënim i vonuar të realizohej. PPAlb 484.3

Durimi që Perëndia kishte treguar ndaj të këqinjve i kishte shtyrë ata edhe më tepër drejt shkeljeve, por megjithatë, dënimi i tyre do të ishte i sigurt dhe i tmerrshëm, aq më tepër që ishte vonuar shumë kohë. “Sepse Zoti do të ngrihet si në malin e Peratsimit, do të zemërohet si në luginën e Gabaonit, për të plotësuar veprën e Tij, veprën e Tij të padëgjuar, për të plotësuar punën e Tij, punën e Tij të pazakontë.”- Isaia 28:21. Për një Perëndi të mëshirshëm si Perëndia ynë, dënimi është një veprim jashtë natyrës së Tij. “Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, thotë Zoti Perëndi, Unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë.”- Ezekieli 33:11. Perëndia është “i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin, por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin.”- Eksodi 34:6,7. Perëndia nuk kënaqet me hakmarrjen, por megjithatë Ai zbaton drejtësinë mbi shkelësit e ligjit të Tij. Perëndia është i detyruar ta bëjë këtë gjë, që t’i ruajë banorët e tokës nga degradimi dhe rrënimi final. Me qëllim që të shpëtojë njerëzit, Perëndisë i duhet të dënojë ata që e kanë ngurtësuar zemrën e tyre në mëkat. “Zoti është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh, por nuk e lë pa e ndëshkuar aspak të ligun.” - Nahumi 1:3. Duke zbatuar drejtësinë e Tij me vepra të tmerrshme, Perëndia vendos në vend autoritetin e ligjit të Tij të shkelur me këmbë. Vetë fakti i vonesës së zbatimit të drejtësisë nga ana e Tij dëshmon për numrin e pallogaritshëm të mëkateve të cilat shaktojnë ndëshkimin e Tij si dhe për seriozitetin e shpagimit që e pret atë që ka kryer shkeljen e rëndë. PPAlb 484.4

Por, ndërsa po zbatonte drejtësinë, Perëndisë iu kujtua mëshira. Amalekitët duhej të shkatërroheshin, kurse kenitët që banonin mes tyre do të ruheshin. Këta njerëz ishin adhurues të Perëndisë dhe ishin miqësorë ndaj izraelitëve, edhe pse nuk ishin tërësisht të lirë nga idhujtaria. Kunati i Moisiut, Hobabi, i përkiste këtij fisi; ai i kishte shoqëruar izraelitët gjatë udhëtimit të tyre në shkretëtirë dhe i kishte ndihmuar shumë, ngaqë e njihte mirë vendin rrethe rrotull. PPAlb 485.1

Që prej shpartallimit të filistinasve në Mikmash, Sauli kishte bërë luftë kundër Moabit, Amonit dhe Edomit, dhe tashmë sërish kundër amalekitëve dhe filistinasve; dhe kudo nga shkonte korrte fitore të reja. Kur mori mandatin kundra amalekitëve, ai shpalli menjëherë luftë. Autoritetit të tij iu shtua edhe ai i profetit, dhe populli iu përgjigj thirrjes për luftë duke u grumbulluar menjëherë nën flamurin e mbretit. Ky angazhim nuk duhej pranuar duke patur si motivacion promovimin dhe lartësimin e vetes; kësaj rradhe izraelitët nuk do merrnin për vete as nderin e betejës, as plaçkën e luftës. Ata duhet të hynin në luftë thjesht si një akt i bindjes ndaj Perëndisë, me qëllimin për të ekzekutuar ndëshkimin e Tij ndaj amalekitëve. Synimi i Perëndisë ishte për të gjithë kombet që të shikonin shkatërrimin e atij populli që kishte ngritur krye kundër sovranitetit të Tij, si dhe ta kishin parasysh se po shkatërroheshin pikërisht nga i njëjti popull që më parë ishte përçmuar prej tyre. PPAlb 485.2

“Sauli i mundi amalekitët nga Havilahu deri në Shur, që ndodhet përballë Egjiptit. Ai e zuri të gjallë Agagun, mbretin e Amalekitëve, dhe vendosi shfarosjen e të gjithë popullit, duke i vrarë me shpatë. Por Sauli dhe populli kursyen Agagun dhe pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve, të kafshëve të majme, të qengjave dhe të kafshëve më të mira, duke mos vendosur shkatërrimin e tyre; por vendosën zhdukjen e tërë sendeve që ishin të një cilësie të dobët dhe pa asnjë vlerë.” - 1 Samuelit 15:7-9. PPAlb 485.3

Fitorja kundër amalekitëve ishte fitorja më e shkëlqyer që Sauli kishte arritur dhe shërbeu për të rindezur tek ai krenarinë e zemrës, që në fakt ishte gjëja më e rrezikshme për të. Vendimi hyjnor për shkatërrimin e plotë të armiqve të Perëndisë u plotësua vetëm pjesërisht. Me ambicjen për të zmadhuar famën gjatë kthimit me triumf, duke qenë i shoqëruar me një rob lufte të rangut më të lartë (siç ishte mbreti Agag), Sauli guxoi të kopjonte zakonet e kombeve rreth e rrotull tij dhe nuk e vrau Agagun, mbretin e egër dhe gjakatar të amalekitëve. Ndërkohë që edhe populli ruajti për vete bagëtinë më të mirë, gjedhët më të mira dhe plaçkën më të mirë, duke i shtuar mëkatit të tyre justifikimin se kafshët ishin ruajtur për t’u flijuar për Perëndinë. Në fakt, synimi i tyre ishte përdorimi i tyre si kafshë flijimi zëvendësuese, që të mos harxhonin kafshët e tyre kur do t’iu duhej t’i bënin kurban. PPAlb 485.4

Sauli tashmë i ishte nënshtruar provës përfundimtare. Fodullëku dhe mospërfilja që tregoi ndaj vullnetit të Perëndisë tregoi vendimin e tij për të sunduar si një monark i pavarur si dhe vërtetoi në këtë mënyrë se atij nuk mund t’i besohej më fuqia hyjnore, që të vazhdonte si mëkëmbës i Perëndisë. Ndërkohë që Sauli, bashkë me ushtrinë nisën marshimin për në shtëpi, të gëzuar jashtë mase për fitoren, në shtëpinë e profetit Samuel kishte rënë një brengë e madhe. Profeti kishte marrë një mesazh nga Perëndia i cili dënonte rëndë veprimet e ndërmarra nga mbreti: “Unë jam penduar që e kam bërë Saulin mbret, sepse ai është larguar nga Unë dhe nuk ka zbatuar urdhërat e Mia.” - Vargu 11. Profeti u trishtua shumë për veprën e mbretit rebel, ndaj qau dhe u lut tërë natën që Zoti të mund ta ndryshonte mendjen për atë dënim të tmerrshëm. PPAlb 486.1

Pendimi i Perëndisë nuk është si ai i njeriut. “Fuqia e Izraelit nuk do të gënjejë, dhe nuk do të pendohet, sepse Ai nuk është njeri që pendohet.” Pendimi i njeriut përfshin ndryshimin e mendimeve të tij. Ndërsa pendimi i Perëndisë përfshin ndryshimin e rrethanave dhe marrëdhënieve. Njeriu mund ta ndryshojë marrëdhënien e tij me Perëndinë duke iu përmbajtur kushteve nëpërmjet të cilave ai mung të risillet për tek hiri i Perëndisë, ose me anë të veprimit të tij ai mund ta vendosë veten jashtë kushteve të favorshme nga Perëndia; por Vetë Perëndia është i njëjtë “dje, sot dhe përjetë.” - Hebrenjtë 13:8. Mosbindja e Saulit i ndryshoi relatat e tij me Perëndinë, por kushtet e pranimit të Perëndisë nuk ndryshuan—kërkesat e Tij ishin po ato të njëjtat, sepse Ai “nuk ndryshon si hijet që lëvizin.”- Jakobi 1:17. PPAlb 486.2

Me një zemër plot dhimbje, profeti u nis të nesërmen që të takonte mbretin mëkatar. Samueli kishte ende një fije shprese që Sauli do bëhej i ndërgjegjshëm për mëkatin që kishte kryer dhe me anë të pendimit dhe përuljes të rikthehej sërish në favorin hyjnor. Por, kur është hedhur një hap në shtegun e shkeljes, pjesa tjetër e rrugës bëhet edhe më e lehtë. I rënë për shkak të mosbindjes, Sauli u takua me Samuelin me gënjeshtër në buzët e tij. Sauli i tha me zë të lartë: “Qofsh i bekuar nga Zoti! Unë e kam zbatuar urdhrin e Zotit.” - Vargu 13. PPAlb 486.3

Zhurmat që i vinin profetit në vesh vërtetonin të kundërtën e asaj që mbreti i pabindur po i thoshte. Pyetjes: “Ç'është kjo blegërimë dhensh që më vjen në vesh dhe kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?”, Sauli iu përgjigj: “Këto janë kafshë që ua kemi marrë amalekitëve, sepse populli kurseu pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve për t’i ofruar si flijime Zotit, Perëndisë tënd; por pjesën tjetër e kemi shfarosur krejtësisht.” - Vargjet 14, 15. Populli i ishte bindur urdhrave të Saulit, por që të mbulonte veten, ai ishte më se i gatshëm që t’ua ngarkonte atyre mëkatin e mosbindjes së tij. PPAlb 486.4

Mesazhi i refuzimit të Saulit i solli Samuelit hidhërim të pamasë. Duhej që të shpallej para gjithë ushtrisë së Izraelit, në një kohë që ata ishin të pushtuar nga krenaria dhe gëzimi i fitores që i ishte atribuar guximit dhe aftësisë prej gjenerali të mbretit të tyre, pasi Sauli nuk e kishte përmendur Perëndinë në lidhje me suksesin e Izraelit në këtë konflikt; por kur profeti pa faktet e rebelimit të Saulit, ai u pushtua nga indinjata për shkak se ai, që ishte favorizuar aq shumë nga Perëndia i kishte thyer rëndë ligjet e Perëndisë dhe e kishte drejtuar Izraelin në mëkat. Samueli nuk u mashtrua nga dinakëria e mbretit. Me ndjenja të përziera brengosjeje dhe indinjate, ai deklaroi: “Mjaft! Më lër të të të tregoj atë që më tha Zoti sonte... A nuk është vallë e vërtetë që, ndonëse ti ishe i vogël në sytë e tu, u bëre kreu i fiseve të Izraelit, dhe që Zoti të ka vajosur mbret të Izraelit?” - Vargjet 16, 17. Ai e përsëriti edhe një herë urdhërin e Perëndisë në lidhje me amalekitët dhe i kërkoi mbretit arsyen për mosbindjen nga ana e tij. Sauli këmbënguli me justifikimet e tija: “Por unë iu binda zërit të Zotit, e plotësova misionin që Zoti më kishte ngarkuar, solla Agagun, mbretin e Amalekut, dhe caktova për shfarosje amalekitët. Por populli mori gjërat më të mira që duhet të ishin shfarosur, për t’i bërë flijime Zotit Perëndisë tënd, në Gilgal.” - Vargjet 20, 21. PPAlb 486.5

Me fjalë të prera dhe solemne profeti e grisi tej velin e gënjeshtrave dhe shpalli verdiktin e pakthyeshëm: “A mos vallë i pëlqejnë Zotit ofertat e kurbanit dhe flijimet më shumë se bindja ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve. Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret.” - Vargjet 22, 23. PPAlb 487.1

Kur mbreti e dëgjoi këtë dënim të frikshëm, thërriti me zë të lartë: “Kam mëkatuar; sepse kam shkelur urdhrin e Zotit dhe fjalët e tua, dhe kjo sepse kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij.” - Vargu 24. I tmerruar nga denoncimi i profetit, Sauli e pranoi botërisht fajin, të cilin pak më parë e kishte mohuar me kokëfortësi, por ende vazhdonte t’ia hidhte fajin popullit, duke deklaruar se kishte mëkatuar nga frika e njerëzve. PPAlb 487.2

Nuk ishte keqardhja për mëkatin, por frika për pagën e tij ajo që po e nxiste tani mbretin e Izraelit, ndërsa i lutej Samuelit: “Por tani, të lutem, falma mëkatin tim dhe kthehu me mua, që unë të mund të bie përmbys para Zotit.” - Vargu 25. Sikur Sauli të ishte penduar me të vërtetë, ai do kishte rrëfyer mëkatin e tij hapur, por shqetësimi i tij kryesor ishte të ruante pozitën dhe toruan si dhe dhe të gëzonte besnikërinë e njerëzve. Ai e dëshironte nderin e pranisë së Samuelit vetëm e vetëm që të forconte ndikimin e vet mbi kombin. PPAlb 487.3

“Unë nuk do të kthehem me ty, sepse ke hedhur poshtë fjalën e Zotit dhe Zoti të ka hedhur poshtë ty, që ti të mos jesh më mbret mbi Izraelin:” - Ndërsa Samueli u kthye për t’u larguar, në agoninë e frikës, mbreti kapi fort mantelin e tij për ta tërhequr profetin, por iu gris në dorë. Kur pa këtë gjë profeti that: “Zoti hoqi sot nga duart e tua mbretërinë e Izraelit dhe ia dha një tjetri, që është më i mirë se ti.” - Vargjet 27, 28. PPAlb 487.4

Sauli ishte më shumë i shqetësuar nga largimi demonstrativ i Samuelit se sa nga pakënaqësia e Perëndisë. Ai e dinte se njerëzit kishin më tepër besim tek profeti se tek ai vetë. Sikur me urdhërin e Perëndisë të zgjidhej një mbret tjetër, Sauli kishte frikë se nuk mund ta ruante dot më autoritetin e vet. Ai i frikësohej një revolte të menjëhershme, nëse Samueli do ta braktiste përfundimisht. Sauli i kërkoi profetit që ta nderonte atë përpara njerëzve dhe drejtuesve, duke u bashkuar me të në publik për një shërbesë fetare. Pas një urdhëri hyjnor, Samueli ra dakort dhe iua plotësoi kërkesën mbretit. Në këtë mënyrë nuk jepej asnjë shkak apo pretekst për revoltë. Por Samueli thjesht qëndroi vetëm si një dëshmitar i heshtur i shërbesës. PPAlb 487.5

Kishte ngelur për t’u kryer edhe një akt tjetër i rreptë dhe i tmerrshëm drejtësie. Samueli duhej të shpagonte publikisht nderin e Perëndisë dhe ta qortonte Saulin për veprimet e tij. Ai urdhëroi që t’i sillnin përpara mbretin e amalekitëve. Ndër të gjithë ata që kishin rënë nga shpata e Izraelit, Agagu ishte më i pamëshirshmi dhe më fajtori, një njeri që i kishte urryer izraelitët dhe gjithmonë ishte përpjekur t’i shkatërronte ata. Me urdhërin e profetit Agagu u soll afër tij, duke kandisur veten se i kishte kaluar ora e vdekjes. Por Samueli deklaroi: “Ashtu si shpata i la pa fëmijë gratë, kështu edhe nëna jote do të mbetet pa të birin midis grave. Pastaj Samueli e therri copë-copë Agagun përpara Zotit në Gilgal.” - Vargu 33. Pasi e kreu këtë gjë, Samueli u kthye në shtëpinë e tij në Rama, kurse Sauli në Gibeah. Profeti dhe mbreti nuk do të takoheshi më me njëri-tjetrin, përveçse një herë pas shumë kohësh. PPAlb 488.1

Kur u thirr për t’u vendosur në fron, Sauli kishte treguar një qëndrim të përulur për aftësitë e tij dhe ishte i gatshëm të merrte udhëzime. Ai nuk kishte shumë njohuri dhe përvojë dhe kishte probleme serioze me karakterin e tij. Por Perëndia i dhuroi atij Frymën e Shenjtë si drejtues dhe ndihmës për të, dhe e vendosi në një pozitë në të cilën ai mund t’i zhvillonte cilësitë që i kërkoheshin një udhëheqësi të Izraelit. Në rast se do të kishte qëndruar i përulur, duke kërkuar vazhdimisht që të drejtohej nga urtësia hyjnore, ai do të kishte qenë në gjendje që të t’i zbatonte me sukses dhe nder detyrat e pozitës së lartë që gëzonte. Nën ndikimin hyjnor, çdo cilësi e mirë do të fuqizohej, ndërsa tendencat e së keqes do e humbnin pushtetin e tyre. Kjo është vepra që Perëndia ua propozon të gjithë atyre që i përkushtohen e shenjtërohen Atij. Ka shumë njerëz që Perëndia i ka thirrur në pozita të larta sepse tregojnë një frymë përulësie dhe modeste. Me largpamësinë që e karakterizon, Perëndia i vendos këta njerëz atje ku ata mund të mësojnë rreth Tij. Ai do t’ua bëjë të ditur atyre të metat e karakterit, ndërsa të gjithë atyre që i kërkojnë ndihmë, Ai ka për t’u dhënë forcë të mjaftueshme për të korrigjuar gabimet. PPAlb 488.2

Por Sauli vazhdoi të sillej me prepotencë e kryeneësi dhe në këtë mënyrë e çnderoi Perëndinë duke treguar mosbesim dhe mosbindje. Ndonëse kur ishte thirrur fillimisht për t’u bërë mbret, ai kishte qenë i përulur dhe pa ndonjë besim të madh tek vetja, suksesi e bëri që të kishte besim në vetvete. Kjo krenari ishte ndezur që në fitoren e tij të parë dhe kjo krenari e ndezur në zemër kishte qenë rreziku i tij më i madh. Trimëria dhe aftësitë ushtarake që ishin shfaqur në çlirimin e Jabesh-Gileadit kishte zgjuar entuziazmin e gjithë kombit. Njerëzit e nderonin mbretin, duke harruar që ai ishte thjesht një mjet nëpërmjet të cilit vepronte Perëndia. Për më tepër, ndonëse fillimisht Sauli ia atribuoi lavdinë Perëndisë, më pas ai filloi ta merrte atë lavdi për vete. Ai nuk i kushtoi rëndësinë e duhur varësisë tek Perëndia, dhe për pasojë, në zemrën e tij ishte larguar tashmë nga Perëndia. Në këtë mënyrë u shtrua rruga për mëkatin e tij të mendjemadhësisë dhe sakrilegjit në Gilgal. E njëjta ndjenjë e verbër besimi tek vetvetja e shtyu Saulin që të mos e pranonte qortimin e Samuelit. Sauli e njihte zyrtarisht Samuelin si profet të Perëndisë, prandaj edhe duhet t’ia kishte pranuar qortimin, ndonëse në vetvete, ai nuk e kuptonte se si kishte mëkatuar. Në rast se Sauli do të kishte qenë i gatshëm që ta shihte dhe rrëfente mëkatin që kishte kryer, kjo përvojë e hidhur do t’i kishte shërbyer si një mësim parapalmërimi për të bërë kujdes në të ardhmen. PPAlb 488.3

Na rast se Perëndia do të ishte distancuar krejtësisht nga Sauli, Ai nuk do t’i kishte folur më atij nëpërmjet Samuelit, duke i ngarkuar kështu një detyre të caktuar, gjë që do ta ndihmonte që të korrigjonte gabimet e së shkuarës. Kur një njeri që pretendon se është besimtar (bir i Perëndisë), nuk bën kujdes që të zbatojë vullnetin e Tij, duke ndikuar kështu për keq tek të tjerët që edhe ata të jenë të parespektueshëm dhe të pakujdesshëm në kryerjen e vullnetit të Tij, për të, gjithsesi, ka ende mundësi që dështimet të mund t’i kthehen në fitore, me kusht që të pranojë qortimin e Perëndisë me një frymë keqardhjeje dhe pendimi të vërtetë dhe të kthehet tek Perëndia me përulësi dhe besim. Poshtërimi që sjell humbja shpeshherë përjetohet si një bekim, sepse na bën të qartë se jemi të paaftë të kryejmë vullnetin e Perëndisë pa patur ndihmën e Tij. PPAlb 489.1

Kur Sauli ia ktheu shpinën qortimit të dërguar nga Fryma e Shenjtë e Perëndisë, dhe nguli këmbë në vetë-justifikimin e tij kokëfortë, me këtë ai hodhi poshtë të gjitha mënyrat me anë të të cilave Perëndia mund të kishte vepruar për ta shpëtuar nga vetja. Sauli e kishte ndarë veten nga Perëndia me vullnet të plotë. Ai nuk mund të merrte dot më ndihmë apo udhërrëfim nga Perëndia, pa u kthyer më parë tek Ai duke i rrëfyer me ndershmëri mëkatin. PPAlb 489.2

Në Gilgal, sjellja e Saulit të jepte përshtypjen se mbreti ishte tepër i përkushtuar, ndërsa qëndronte përpara ushtrisë duke i ofruar Perëndisë një flijim. Por devotshmëria e tij nuk ishte as e vërtetë, dhe as e sinqertë. Kjo shërbesë fetare e kryer në kundërshtim të hapur me urdhërin hyjnor nuk shërbeu për gjë tjetër veçse për dobësimin e pozitës së vetë Saulit, duke e vendosur atë përtej ndihmës të cilën Perëndia ishte mëse i gatshëm që ta ofronte. PPAlb 489.3

Në përleshjen kundër ushtrisë së Amalekut, Sauli mendoi se kishte kryer gjithçka që ishte thelbësore lidhur me urdhërimin e Zotit, por Perëndia nuk ishte as i kënaqur me bindje të pjesshme, dhe as i gatshëm që ta anashkalonte atë që ishte neglizhuar, nëpërmjet një motivi të ashtuquajtur “të besueshëm.” Perëndia i kishte shpallur Izraelit: “Nuk do të veproni ashtu siç vepruat sot këtu, ku secili bën të gjitha ato që i duken të drejta në sytë e tij, por do kesh kujdes dhe do t’i bindesh të gjitha fjalëve që Unë të urdhëroj.” - Ligji i Përtërirë 12:8, 28. Kur na duhet të marrim një vendim në lidhje me rrugën që duhet të zgjedhim, nuk duhet të mendojmë nëse është i dëmshëm apo jo, por duhet të kujdesemi të kuptojmë nëse është apo jo në përputhje me vullnetin e Perëndisë. “Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.” - Fjalët e Urta 14:12. PPAlb 489.4

“Të bindesh është më mirë se të ofrosh sakrificë.” - Libri. . . . . . Ofertat flijuese ishin në vetvete diçka jo me ndonjë vlerë të rëndësishme në sytë e Perëndisë. Ato ishin hartuar që të shprehnin pendimin e personit që i ofronte dhe besimin e tij tek Krishti, si dhe të shprehnin zotimin për t’iu bindur ligjit të Perëndisë në të ardhmen. Por kur bëheshin pa pendimin e duhur, pa besimin e pa zemrën e bindur, ofertat ishin të pavlera. Kur e shkeli në mënyrë të drejtpërdrejtë ligjin e Perëndisë, Sauli propozoi të ofronte një flijim nga lloji i të cilave Perëndia i kishte caktuar për shkatërrim. Një vepim i tillë tregonte një përçmim të hapur ndaj autoritetit hyjnor. Kjo shërbesë duhet të kishte qenë një fyerje e rëndë për Perëndinë e qiellit. Le të mendojmë pak, duke patur parasysh mëkatin e Saulit dhe pasojat e tij, se sa shumë njerëz ndjekin ende këtë rrugë? Ndërkohë që refuzojnë të besojnë në Perëndinë dhe t’i binden disa prej urdhërimeve të Tij, ata vazhdojnë t’i ofrojnë Atij shërbesat fetare formale. Fryma e Perëndisë nuk mund t’i përgjigjet kësaj lloji shërbese. Pavarësisht se sa të zellshëm mund të jenë njerëzit në mbajtjen e ceremonive fetare, Perëndia nuk mund t’i pranojë ato në rast se ato vazhdojnë me ngulmim të thyejnë me vullnetin të qoftë dhe njërit nga urdhërimet e Tij. PPAlb 489.5

“Rebelimi është si mëkati i shortarisë (magjisë) dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake.” - 1 Samuelit 15:23. Rebelimi e ka origjinën tek Satani dhe gjithë rebelimi ndaj Perëndisë vjen drejtpërdrejt si rezultat i ndikimeve satanike. Ata që zgjedhin të qëndrojnë kundra udhëheqjes së Perëndisë kanë hyrë në marrëdhënie me djallin, kryeapostatin (krye-shtrembëruesin) dhe ky i fundit do të ushtrojë gjithë fuqitë dhe dinakërinë e tij për të robëruar ndjenjat dhe për të keq-drejtuar arësyetimin. Ai do bëjë që çdo gjë të duket në dritë të rreme. Ashtu sikurse prindërit tanë të parë, edhe sot, të gjithë ata që gjenden nën fuqitë magjike të tij, arrijnë të shohin vetëm përfitimet e mëdha që arrihen si rezultat i shkeljes. PPAlb 490.1

Nuk ka evidencë më të fortë mbi fuqinë mashtruese të Satanit sesa kjo, që shumë njerëz që gënjehen prej tij gënjejnë vetveten me besimin sepo i shërbejnë Perëndisë. Kur Koreu, Datani dhe Abirami rebeluan kundër autoritetit të Moisiut, ata menduan se po përballeshin thjesht me një drejtues njerëzor, një njeri si dhe ata vetë dhe besonin me të vërtetë se po i bënin një shërbim Zotit. Por duke e hedhur poshtë instrumentin që Perëndia kishte zgjedhur, ata e refuzuan Krishtin dhe e ofenduan Frymën e Perëndisë. Kështu, edhe në ditët e Krishtit, skribët dhe drejtuesit hebrenj, të cilët shprehnin zell të madh për të nderuar Perëndinë, pikërisht ata kryqëzuan Birin e Tij. E njëjta frymë vazhdon të qëndrojë ende tek ata që vendosin në zemër të tyre të ndjekin vullnetin e tyre, në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. PPAlb 490.2

Sauli kishte prova të pakontestueshme që Samueli ishte frymëzuar në mënyrë hyjnore. Vendimi i tij për të mos marrë në konsideratë urdhërin e Perëndisë nëpërmjet profetit, ishte kundra asaj që dikton arsyeja dhe gjykimi i shëndoshë. Mendjemadhësia fatale e Saulit duhet t’i atribuohet magjisë dhe yshtjes satanike. Sauli kishte manifestuar zell të madh në shkatërrimin e idhujtarisë dhe magjisë, por duke mos iu bindur urdhërit hyjnor, ai ishte pushtuar nga e njëjta frymë kundërshtimi ndaj Perëndisë dhe kishte qenë aq realisht i frymëzuar nga Satani, sa janë edhe ata që praktikojnë spiritizmin; madje edhe pasi u qortua, i shtoi rebelimit të tij kokëfortësinë. Edhe sikur të ishte bashkuar haptazi me idhujtarët, ai nuk do kishte treguar ofendim më të madh se ky ndaj Frymës së Perëndisë. PPAlb 490.3

Përçmimi i qortimeve dhe paralajmërimeve të fjalës së Perëndisë, apo dhe Frymës së Tij është një hap shumë i rrezikshëm. Sikurse edhe Sauli ka shumë që i nënshtrohen tundimit derisa verbohen lidhur me karakterin e vërtetë të mëkatit. Gënjejnë veten duke menduar se kanë synime të mira dhe se nuk kanë gabuar kur u janë larguar kërkesave të Perëndisë. Ata e bëjnë këtë pavarësisht nga Fryma e hirit që u është dhënë, derisa zërit të Frymës nuk i kushtohet më vëmendje, kështu që ata lihen të jetojnë në mashtrimet që më parë i zgjodhën vetë. PPAlb 490.4

Kur bëhet fjalë për Saulin, Perëndia i kishte dhënë popullit të Tij një mbret sipas zemrës së tyre, siç kishte dhënë edhe Samueli kur Saulit iu konfirmua mbretëria në Gilgal. “Ky është, pra, mbreti që keni zgjedhur ju dhe e keni kërkuar ju.”- 1 Samuelit 12:13. I pashëm, fisnik në mënyrën e qëndrimit dhe me tipare të një princi, pamja e tij ishte në harmoni me konceptin e tyre të dinjitetit mbretëror, si dhe fuqia dhe aftësitë e tij për të drejtuar ushtrinë ishin cilësitë që ata i konsideronin si më të mirat për të siguruar nderin dhe respektin e kombeve të tjera. Ata nuk ishin shumë të ndjeshëm ndaj atyre cilësive më të larta që duhet të kishte një mbret, të cilat do ta ndihmonin atë të drejtonte me drejtësi dhe barazi. Ata nuk kërkuan një mbret që kishte fisnikërinë e vërtetë të karakterit, i cili të ishte i pushtuar me dashurinë dhe fuqinë e Zotit. Ata nuk kishin kërkuar këshillë nga Perëndia se çfarë cilësish duhet ta karakterizonin mbretin e tyre, në mënyrë që mund ta ruante popullin e tij si populli i ndryshëm, i zgjedhur dhe i shenjtë i Perëndisë. Ata nuk po kërkonin rrugën e Zotit, por rrugën e tyre. Prandaj Perëndia u dha një mbret sipas dëshirës së tyre, karakteri i të cilit reflektonte vetë karakterin e tyre. Zemrat e tyre nuk i ishin nënshtruar Perëndisë dhe e njëjta gjë vlente edhe për mbretin e tyre-ai nuk i nënshtrohej hirit hyjnor. Nën sundimin e këtij mbreti, ata do të merrnin përvojën e nevojshme për të parë gabimin e tyre dhe të ktheheshin duke ndjekur Perëndinë. PPAlb 491.1

Megjithatë, Perëndia, duke vendosur mbi Saulin përgjegjësinë e mbretërisë, nuk e la atë vetëm. Ai bëri që Fryma e Tij e Shenjtë të qëndronte në Saulin dhe t’i shfaqte dobësitë e tij, si dhe nevojën për hirin hyjnor dhe, në rast se Sauli do të ishte mbështetur tek Perëndia, Ai do të kishte qëndruar me të. Për aq kohë sa vullneti i mbretit të parë të Izraelit kontrollohej nga vullneti i Perëndisë, për aq kohë sa do t’i nënshtrohej disiplinës së Frymës së Shenjtë, Perëndia kishte për t’i kurorëzuar përpjekjet e tij me sukses. Por, kur Sauli zgjodhi të vepronte me kokën e vet dhe në mënyrë të pavaruar nga Perëndia, Zoti nuk mund të ishte më udhërrëfyesi i tij dhe u detyrua që ta linte. Pastaj, Perëndia thirri drejt fronit “një mbret sipas zemrës së Tij” (- Samuelit 13:14) jo një që nuk kishte probleme me karakterin e vet, por i cili, në vend që të besonte tek vetvetja, do të mbështetej tek Perëndia dhe do të drejtohej nga Fryma e Tij; i cili, kur të mëkatonte, dot’ nënshtrohej plotësisht qortimit dhe korrigjimit. PPAlb 491.2