PATRIARKË DHE PROFETË

61/74

60—“MENDJEMADHËSIA E SAULIT”

*****

Pas asamblesë në Gilgal, Sauli e shpërndau ushtrinë që kishte ngritur për të mposhtur amonitët, duke lënë mënjanë vetëm dy mijë burra që do të qëndronin nën urdhërat e tij në Mikmash, si dhe një mijë të tjerë që do ndiqnin birin e tij Jonatanin në Gibeah. Ky ishte një gabim i rëndë. Ushtria e tij ishte e frymëzuar me kurajo për shkak të fitores së mëparshme dhe ai duhet të kishte vazhduar menjëherë të luftonte kundër armiqve të tjerë të Izraelit; ndoshta kjo mund të kishte qenë një goditje e fortë për të arritur lirinë e kombit. 44 PPAlb 477.1

Ndërkohë, filistinët, fqinjët e tyre luftëdashës, qëndronin aktivë. Pas disafatës në Ebenezer, ata mbanin ende nën zotërim disa prej fortesave kodrinore në tokën e Izraelit dhe tashmë ishin vendosur në brendësi të vendit. Filistinët kishin shumë më tepër përparësi se Izraeli përsa u përket armatimeve, paisjeve dhe lehtësirave të tjera. Gjatë periudhës së gjatë të sundimit të tyre, ata ishin përpjekur ta forconin fuqinë e tyre ushtarake duke i ndaluar izraelitët që të praktikonin zanatin e metal-punuesve, që ata të mos krijonin armë lufte. Pas arritjes së paqes, hebrenjtë vareshin ende nga garnizonet filistinase për punët që duheshin mbaruar. Duke qenë të dhënë pas dëshirës për të patur një jetë të rehatshme, dhe duke patur sindromin e frymës së mjerë, kjo e fundit e krijuar nga shtypja e gjatë, shumica e burrave të Izraelit, kishin neglizhuar punën për t’u pajisur me armë lufte. Në betejat e asaj kohe përdorej harku dhe hobeja, të cilët izraelitët nuk e kishin të vështirë t’i bënin, por megjithatë, askush prej tyre nuk kishte ndonjë lloj arme, përveç Saulit dhe birit të tij Jonatanit, që zotëronin shpata, apo shtiza. PPAlb 477.2

Përpjekja e parë për t’i nënshtruar filistenjtë nuk u bë deri në vitin e dytë të mbretërimit të Saulit. Goditja e parë u bë nga Jonatani, biri i mbretit, i cili sulmoi dhe e mposhti garrnizonin e tyre në Geba. Të dërrmuar nga kjo disfatë, filistinët u bënë gati për një kundrasulm shumë të shpejtë ndaj Izraelit. Tani, Sauli bëri që, me anë të tingullit të borisë, të shpallej lufta në të gjithë tokën, duke thirrur të gjithë luftëtarët, madje edhe nga fiset përtej Jordanit, që të mblidheshin në Gilgal. Të gjithë iu bindën kësaj thirrjeje për luftë. PPAlb 477.3

Filistinët kishin mbledhur një forcë të madhe në numër në Mikmash: “...me tridhjetë mijë qerre, gjashtë mijë kalorës dhe shumë njerëz, si rëra në bregun e detit.” - 1 Samuelit 13:5. Kur ky lajm mbërriti tek Sauli dhe ushtria e tij në Gilgal, njerëzit i kapi keq paniku, kur menduan se sa shumë forca kundërshtare do u duhej të përballnin në betejë. Ata nuk ishin përgatitur për t’u përballur me armiqtë dhe disa u tmerruan aq shumë sa nuk guxonin të viheshin as edhe në provën për betejë. Disa e kaluan lumin Jordan, kurse disa të tjerë u fshehën nëpër shpella dhe gropa, si dhe ndërmjet shkëmbinjve që ishin të shumtë në atë krahinë. Ndërsa koha e përballjes po afrohej, numri i atyre që dezertuan u rrit shumë, madje dhe ata që nuk i lëshuan rradhët e ushtrisë i kishte pushtuar tmerri. PPAlb 477.4

Kur u shpall mbret i Izraelit për herë të parë, Sauli kishte marrë urdhëra të qarta nga Samueli përsa i përkiste çështjes se çfarë duhet të bënte: “dhe ja, unë do të zbres te ti për të ofruar olokauste dhe për të kryer flijime falenderimi. Ti do të presësh shtatë ditë deri sa unë të vij te ti dhe të të them çfarë duhet të bësh.”- 1 Samuelit 10:8. PPAlb 478.1

Ndërsa ditët kalonin, Sauli priste, por pa bërë ndonjë përpjekje të veçantë për ta inkurajuar popullin duke e frymëzuar që të kishte besim tek Perëndia. Para se të mbaronte tërësisht koha e caktuar nga profeti (shtatë ditë), Sauli filli të tregonte padurim në lidhje me vonesën dhe e lejoi veten që të dekurajohej nga rrethanat provokuese që e rrethonin. Në vend që të kërkonte me besnikëri të përgatiste popullin për ngjarjen solemne që do të kryente Samueli, ai e lëshoi vetën në mosbesim dhe ndjellakeqësi. Vepra e kërkimit të Perëndisë me anë të sakrificave ishte e një rëndësie dhe solemniteti të lartë dhe Perëndia kërkonte prej popullit të Tij që të analizonte zemrat e tyre dhe të pendohej për mëkatet e tyre, në mënyrë që oferta që izraelitët do t’i bënin Zotit të ishte e pranueshme nga ana e Tij dhe kështu, bekimet e Tij mund t’i ndiqnin, në mënyrë që t’ia dilnin mbanë të mposhtnin armikun. Por Saulit nuk i kishte mbetur asnjë pikë durimi dhe populli, në vend që të kishte besim tek ndihma e Perëndisë, hidhte vështrimin për nga mbreti që kishte zgjedhur, që ky i fundit t’i drejtonte dhe udhëhiqte. PPAlb 478.2

Megjithatë, Perëndisë i erdhi keq për ta dhe nuk i la në dorë të fatkeqësive që do të kishin rënë mbi ta për shkak të zgjedhjes që kishin bërë për t’u mbështetur vetëm tek krahu i brishtë prej mishi (i Saulit). Perëndia i solli ata pranë një shtegu të ngushtë, në mënyrë që të kuptonin se çfarë marrëzie është të mbështetesh vetëm tek njeriu si dhe që të mund të ktheheshin tek Ai, si ndihma e tyre e vetme. Kishte ardhur koha që Sauli të vihej në provë. Tani, ai duhej të tregonte nëse do të mbështetej apo jo tek Perëndia, dhe nëse do të priste me durim në përputhje me urdhërin hyjnor, duke e treguar veten një person tek i cili Perëndia mund të kishte besim në kohë vështirësish në rolin e drejtuesit të popullit të Tij, apo nëse do të ishte i lëkundur dhe i padenjë për të marrë përgjegjësinë e shenjtë që i ishte ngarkuar. Ky mbret që izraelitët kishin zgjedhur, a do t’ia vinte veshin vallë Sunduesit të të gjithë mbretërve? A do ta drejtonte ai shikimin e ushtarëve zemërlëshuar drejt Atij në të cilin gjendet forca dhe çlirimi i përjetshëm? PPAlb 478.3

Sauli po e priste mbërritjen e Samuelit me shumë padurim dhe për rrëmujën, stresin dhe dezertimin e ushtarëve të tij, ia hodhi fajin vonesës së profetit. Erdhi dhe koha e caktuar, por njeriu i Perëndisë nuk po dukej ende. Largpamësia e Perëndisë e kishte ndalur shërbëtorin e Tij. Por, fryma e paduruar dhe impulsive e Saulit doli jashtë kontrollit. Duke menduar se duhet të bënte diçka për të qetësuar frikën e popullit, ai vendosi të mbledhë asamblenë e popullit për një shërbesë fetare dhe që të kërkonte ndihmën hyjnore me anë të flijimeve. Perëndia kishte udhëzuar se vetëm ata persona që ishin shenjtëruar në këtë lloj detyre duhet të paraqisnin flijimet para Tij. Por, Sauli urdhëroi: “Më sillni këtu ofertën e kurbanit dhe flijimet e bashkësisë” (- Vargu 9) dhe ashtu siç ishte, i pajisur me armët e luftës dhe mburojën, iu afrua altarit duke ofruar një flijim para Perëndisë. PPAlb 478.4

“Sapo kishte mbaruar së ofruari ofertën e kurbanit, kur erdhi Samueli; dhe Sauli i doli përpara për ta përshëndetur.” - Vargu 10.Samueli e kuptoi menjëherë që Sauli kishte vepruar në kundërshtim me urdhërat që i ishin dhënë. Perëndia kishte folur me anë të profetit të Tij që, në këtë rast, do të ishte Ai i cili do të shpallte atë që Izraeli duhej të bënte për këtë kohë krize. Në rast se Sauli do t’i kishte përmbushur kushtet sipas të cilavet do të ofrohej ndihma hyjnore, Perëndia do të kishte realizuar një çlirim të mrekullueshëm për Izraelit, qoftë edhe me ata pak njerëz që do t’i kishin qëndruar besnikë mbretit. Por Sauli ndihej aq i vetëkënaqur për veprën që kishte bërë, saqë shkoi dhe u paraqit para profetit si dikush që duhet lavdëruar dhe jo si një që duhej qortuar. PPAlb 479.1

Samuelin e kishte pushtuar një çehre të shqetësuar dhe ishte në ankth, por pyetjes së tij “Çfarë ke bërë kështu?,” Sauli iu përgjigj duke e justifikuar veprimin e kryer me mendjemadhësi. Ai tha: “Kur pashë që populli po shpërndahej larg meje, që ti nuk kishe arritur ditën e caktuar dhe që filistinasit po mblidheshin në Mikmash, thashë me vete: ‘Tani Filistejtë do të më sulen në Gilgal dhe unë akoma nuk i jam lutur Zotit.’ Prandaj e mblodha veten dhe e ofrovavetë flijimin e kurbanit.” - Vargjet 11,12. PPAlb 479.2

“Atëherë Samueli i tha Saulit: “Ti ke vepruar pa mend; nuk e ke respektuar urdhërimin që Zoti, Perëndia yt, të kishte dhënë. Në fakt Zoti [kishte ndërmend] të vendoste përgjithnjë mbretërinë tënde mbi Izraelin. Tani përkundrazi mbretëria jote nuk ka për të vazhduar. Zoti ka kërkuar për Vete një njeri në përputhje me zemrën e Tij dhe e ka caktuar prijës të popullit të Tij... Pastaj Samueli u ngrit dhe u ngjit nga Gilgali në Gibeah të Benjaminit.” - Vargjet 13-15. PPAlb 479.3

Kishte vetëm dy rrugë: ose Izraeli nuk duhet të ishte më populli i Perëndisë, ose duhet të ruhej siç duhej parimi mbi të cilin duhet të funksiononte mbretëria dhe kështu, populli të drejtohej nga fuqia hyjnore. Nëse Izraeli do t’i përkiste tërësisht Zotit, nëse vullneti i njerëzve, i tokësorëve do të kryhej në përputhje me vullnetin e Perëndisë, Ai do vazhdonte të ishte Sovrani i Izraelit. Për sa kohë që mbreti dhe njerëzit do të tregonin me vepra vartësinë ndaj Perëndisë, për aq kohë Ai do të shërbente si mbrojtje për ta. Por asnjë lloj mbretërie në Izrael nuk do të mund të ecte përpara në rast se nuk do të pranonte hapur në gjithçka autoritetin suprem të Perëndisë. Në rast se Sauli do t’i kishte marrë në konsideratë urdhërimet e Perëndisë në kohën e provës, Zoti do të kishte kryer vullnetin e Vet nëpërmjet tij. Dështimi i Saulit në këtë kohë vërtetoi që ai nuk ishte i përshtatshëm për të qenë zëdhënës apo mëkëmbës i Perëndisë për popullin e Tij. Ai do ta keq-drejtonte Izraelin. Vullneti i tij, dhe jo ai i Perëndisë do ishte fuqia kontrolluese në vendim-marrjet e tij. Në rast se Sauli do të ishte treguar besnik, mbretërimi e Tij do të ishte stabilizuar përgjithnjë, por, meqënëse kishte dështuar, qëllimi i Perëndisë duhet të përmbushej nga dikush tjetër. Qeverisja e Izraelit do t’i lihej në dorë dikujt tjetër që do ta qeveriste popullin sipas vullnetit qiellor. PPAlb 479.4

Ne nuk e dimë se çfarë interesash madhore mund të rrezikohen kur Perëndia na vë në provë. Në të vërtetë, siguria nuk gjendet asgjëkundi përveçse në bindjen e plotë ndaj fjalës së Perëndisë. Të gjitha premtimet e Tij na janë dhënë me kusht që të kemi besim tek Ai dhe t’i bindemi. Mosrespektimi nga ana jonë i urdhërimeve ndërpret përmbushjen e premtimeve të mrekullueshme që na presin, premtime këto të paraqitura qartë në Shkrimet e Shenjta. Ne nuk duhet të ndjekim impulset emocionet e çastit, as nuk duhet të mbështetemi në gjykimin e njerëzve, por duhet të shikojmë vullnetin e zbuluar të Perëndisë dhe të ecim në përputhje me urdhërin e përcaktuar qartë prej Tij, pavarësisht nga rrethanat në të cilat ndodhemi. Perëndia do të kujdeset Vetë për rezultatet; me bindjen ndaj fjalës së Perëndisë ne mund të japim prova para njerëzve dhe engjëjve që Perëndia mund të ketë besim tek ne që në momente të vështira, të mund të bëjmë vullnetin e Tij, të nderojmë emrin e Tij, dhe të bekojmë njerëzit e Tij. PPAlb 479.5

Sauli nuk gjeti hir në sytë e Perëndisë dhe nuk u tregua i gatshëm që ta përulte zemrën e tij në pendim. Atë që i mugonte në lidhje me devotshmërinë e tij të vërtetë, ai përpiqej ta plotësonte duke u treguar i zellshëm në praktikat fetare. Sauli e dinte fare mirë historinë e disfatës së Izraelit, atëherë kur arka e Perëndisë u soll në kamp nga Hofniu dhe Finehasi; por mjerisht, ndonëse e dinte këtë episod të hidhur, ai vendosi që ta sillte kutinë e shenjtë (arkën) dhe priftin që shërbente pranë saj. Nëse do të arrinte që, nëpërmjet saj ta frymëzonte popullin me besim, ai shpresonte që ta mblidhte sërish ushtrinë e shpërndarë dhe të luftonte kundër filistinasve. Ai tashmë do të hiqte dorë nga prania dhe mbështetja e Samuelit dhe kështu do të mund ta çlironte veten nga qortimet dhe kritikat e bezdisshme të profetit. PPAlb 480.1

Saulit i ishte ofruar Fryma e Shenjtë për t’ia ndriçuar mënyrën e të arsyetuarit si dhe për t’ia zbutur zemrën. Ai kishte marrë udhëzime dhe qortime për të mirën e tij nga profeti i Zotit. E megjithatë, zvetënimi i tij ishte shumë i madh. Historia e mbretit të parë të Izraelit është një shembull i trishtuar i veseve të këqija të moshës së re. Në vitet e rinisë, Sauli nuk tregoi dashuri dhe bindje ndaj Perëndisë, ndaj fryma e tij aq impulsive nuk rezultoi se ishte zbutur që në fillim me anë të virtytit të përulësisë, dhe mjerisht, ishte pëherë e gatshme që të ngrinte krye kundër autoritetit hyjnor. Ata njerëz që në rininë e tyre e marrin gjithnjë në konsideratë vullnetin e Perëndisë dhe që i zbatojnë me besnikëri detyrat e ngarkuara, do të jenë të përgatitur për shërbime më të larta në jetën që po vjen. Por nga ana tjetër, njerëzit nuk mund të vazhdojnë të shtrembërojnë për një kohë të gjatë ato kapacitete dhe energji që u ka dhënë Perëndia, dhe më vonë, kur iu intereson që të ndryshojnë drejtim, këto fuqi t’i shfrytëzojnë sërish ato, sikur të jenë të freskëta dhe të dhuruara falas, por kësaj rradhe për t’i përdorur tashmë në një drejtim tërësisht të kundërt me rrugën që kanë ndjekur në rini. PPAlb 480.2

Përpjekjet e Saulit për të ngritur moralin e ushtrisë rezultuan të pavlefshme. Kur e pa se nga ushtria e tij kishin ngelur vetëm gjashtëqind burra, ai e la Gilgalin dhe u tërhoq në kështjellën e Gebës, që ua kishin marrë filistinëve kohët e fundit. Kjo fortesë ndodhej në pjesën jugore të një lugine gurore dhe të thellë, ose pak kilometra në veri të krahinës së Jeruzalemit. Në anën veriore të së njëjtës luginë, në Mikmash, ushtria filistinase qëndronte në vendfushimin e saj, ndërkohë që çeta të vogla dilnin prej saj dhe vërshonin në drejtime të ndryshme për ta shkatërruar vendin. PPAlb 480.3

Perëndia kishte lejuar që situata të arrinte në këtë pikë krize, që ta qortonte qëndrimin e mbrapshtë të Saulit dhe që t’i jepte popullit të Tij një mësim në lidhje me përulësinë dhe besimin. Për shkak të veprimit të dënueshëm të Saulit, kur kishte ofruar flijimin, Perëndia nuk do t’ia jepte meritën atij për mposhtjen e filistnasve. Jonatani, i biri i mbretit, një njeri që i druhej Perëndisë,u zgjodh si instrumenti i çlirimit të Izraelit. I frymëzuar me një mesazh hyjnor, ai i sugjeroi shqytarit të tij që të bënin një sulm të fshehtë mbi kampin e armikut. Ai tha: “ndoshta Zoti ka për të vepruar në favorin tonë, sepse asgjë nuk e pengon Zotin të sigurojë shpëtimin me shumë ose me pak njerëz.” - 1 Samuelit 14:6. PPAlb 481.1

Shqytari i Jonatanit, duke qenë dhe ai një burrë besimtar dhe që lutej shumë, e mbështeti këtë plan dhe të dy së bashku u larguan fshehurazi nga kampi, që të mos hasnin kundërshtim në lidhje me planin që kishin ndërmend. Me lutje përgjëruese ndaj Udhërrëfyesit të baballarëve të tyre, ata ranë dakord për një shenjë që do të përcaktonte se si do të vepronin. Pastaj, duke kaluar përmes grykës së thepisur malore që ndante të dyja ushtritë, në heshtje çanë rrugën e tyre përpara nën hijen e kodrës, duke u fshehur pjesërisht edhe nga gurët e mëdhenj dhe kreshtat e kodrës. Kur iu afruan fortesës filistinase, para tyre u shfaqën armiqtë, të cilët filluan të talleshin me ta duke thënë: “Ja hebrenjtë që po dalin nga shpella ku ishin fshehur,” dhe pastaj u thirrën: “Ejani te ne se kemi diçka për t’ju thënë”, duke nënkuptuar se që do t} i ndëshkonin dy izraelitët për guximin e tyre. Kjo ndoshi ishte pikërisht shenja që Jonatani dhe shqytari i tij kishin rënë dakord me njëri/tjetrin për ta pranuar si provë që Perëndia i kishte dhënë filistinasit në duart e tyre. Duke u fshehur paksa nga sytë e armiqve, dhe duke zgjedhur një shteg sekret dhe të vështirë, luftëtarët arritën deri në majë të kodrës në një pjesë që ishte lënë pa shumë përforcime, ngaqë konsiderohej si e padepërtueshme. Në këtë mënyrë, arritën të hyjnë deri në kampin e armikut dhe i vranë rojet, të cilët, të mbushur me habi dhe frikë, nuk shfaqën pikën më të vogël të rezistencës. PPAlb 481.2

Engjëjt e qiejve mbrojtën Jonatanin dhe shqyrtarin e tij, engjëjt luftuan bahkë me ta, prandaj filistinasit ranë përpara tyre. Toka u drodh sikur të afroheshin një grumbull i madh qerresh dhe kalorësish. Jonatani i njohu shenjat e ndihmës hyjnore, madje edhe filistinasit e morën vesh që Perëndia po vepronte për të çliruar Izraelin. Ushtrinë armike e kapi një frikë e madhe si në fushë, ashtu edhe në garnizon. Të kapur në befasi, dhe duke i ngatërruar ushtarët e tyre me ushtarët armiq, filistinasit filluan të vrisnin njëri-tjetrin. PPAlb 481.3

Shumë shpejt në kampin e Izraelit u dëgjua zhurma e betejës. Rojet e mbretit raportuan se kishte ndodhur një trazirë e madhe mes filistinasve dhe se numri i ushtrisë së tyre po pakësohej. Megjithatë, ende nuk ishte bërë e ditur që ndonjë pjesë e ushtrisë izraelite të ishte larguar nga kampi. Pas kryerjes së kontrollit, u raportua se mungonin vetëm Jonatani dhe shqytari i tij. Duke vënë re që filistenjtë po hasnin në vështirësi, Sauli e nxiti ushtrinë e tij që t’i bashkohej sulmit. Edhe hebrenjtë që më parë kishin dezertuar në duart e armikut, tani u kthyen kundër atyre. Shumë ushtarë të tjerë dolën nga vendet ku fshiheshin dhe, ndërsa filistenjtë ia mbathën me të katra, të mundur, ushtria e Saulit i dërrmoi tmerrësisht ata që po mundoheshin të shpëtonin. PPAlb 481.4

I vendosur që të përfitonte sa më shumë që mundej nga rasti që iu dha, Sauli ua ndaloi ushtarëve të vet të hanin ushqim gjatë asaj dite, madje edhe e përforcoi urdhërin e tij duke shpallur një mallkim: “I mallkuar qoftë ai që do të prekë ushqim para mbrëmjes, para se të hakmerrem me armiqtë e mi.” - Vargu 24. Fitorja ishte arritur tashmë, edhe pse pa dijeninë e Saulit dhe pa kontributin e tij, por ai donte që të dilte në pah dhe më vonë të mburrej për shkatërrimin e plotë të ushtrisë armike. Urdhërimi për të ndaluar ushqimin erdhi si pasojë e ambicies së tij egoiste dhe tregonte që mbreti ishte fare indiferent ndaj nevojave të njerëzve, ndërkohë që për vete kërkontetë krekosej. Gjithashtu, fakti që ndalimi i ushqimit u shoqërua me një betim solemn mallkues na shpjegon se Sauli ishte njeri shumë i ashpër dhe profan. Vetë fjalët e mallkimit tregonin që bota rrotullohej vetëm për të, dhe zellin e kishte vetëm për vete dhe jo për të nderuar Perëndinë. Synimi i tij nuk ishte që “para se Zoti të hakmerrej me armiqtë e Tij”, por “para se unë të hakmerrem me armiqtë e mi.” Ndalimi i ushqimit bëri që njerëzit të shkelnin urdhërin e Perëndisë. Ata kishin luftuar tërë ditën dhe gati po u binte të fikët nga uria, kështu që sapo mbaroi përiudha e agjërimit, ata iu turrën plaçkës së luftës dhe e gëlltitën mishin me gjithë gjak, duke thyer kështu urdhëresën që ndalonte ngrënien e gjakut. PPAlb 482.1

Gjatë betejes, Jonatani, i cili nuk e kishte dëgjuar urdhërin e mbretit, pa e ditur e theu atë duke ngrënë pak mjaltë në pyll. Sauli e mësoi këtë gjë në mbrëmje. Ai kishte shpallur në marrëzi e sipër se thyerja e këtij urdhëri duhej dënuar me vdekje, ndaj, ndonëse Jonatani nuk ishte fajtor i një mëkati të vullnetshëm, ndonëse Perëndia e kishte ruajtur jetën e tij në mënyrë të mrekullueshme dhe nëpërmjet tij kishte sjellë fitoren, mbreti deklaroi se dënimi duhej zbatuar. Që të ruante jetën e birit të tij, Saulit do t’i duhej të pranonte që kishte mëkatuar kur kishte bërë atë betim aq të marrë e tëpamenduar. Kjo do të ishte poshtëruese dhe e papranueshme për krenarinë e tij. “Perëndia e bëftë këtë dhe madje edhe më keq” qe prononcimi i tij i kobshëm, ” sepse ti ke për të vdekur me siguri, o Jonatan.” - Vargu 44. PPAlb 482.2

Sauli nuk mund të merrte merita për fitoren, por të paktën shpresonte të nderohej per zellin në ruajtjen e shenjtërisë së betimit që bëri. Madje edhe sikur t’i duhej të sakrifikonte jetën e birit të vet, ai do e bënte këtë për t’u treguar vartësve të tij se autoriteti mbretëror duhet të respektohet. Në Gilgal, shumë pak kohë më përpara, ai e tregoi veten shumë të nxituar kur mori përsipër detyrën e priftit, në kundërshtim me urdhërimin e Perëndisë. Kur u qortua nga Samueli ai e justifikoi veten e tij me kokëfortësi. Tani që urdhri i tij ishte thyer,—ndonëse ishte një urdhër pa kurrfarë llogjike, dhe që ishte thyer për shkak të mosdijes,—mbreti dhe babai e dënoi djalin e tij me vdekje. PPAlb 482.3

Populli nuk u bind dhe e refuzoi ekzekutimin e këtij urdhëri. Duke guxuar të përballen me zemërimin e mbretit, ata deklaruan: “A duhet të vdesë Jonatani që ka sjellë këtë çlirim të madh në Izrael? Mos ndodhtë kurrë! Ashtu siç është e vërtetë që Zoti jeton, nuk ka për të rënë në tokë as edhe një fije floku nga koka e tij, sepse sot ai ka vepruar bashkë me Perëndinë.” - Vargu 45. Monarku krenar nuk guxoi ta hidhte poshtë këtë verdikt unanim, kështu që jeta e Jonatanit u kursye. PPAlb 482.4

Sauli e ndjeu menjëherë që biri i tij preferohej më tepër se ai vetë nga populli dhe nga Perëndia. Çlirimi që kishte realizuar Jonatani ishte një qortim i drejtpërdrejtë ndaj një mbreti të marrosur. Ai pati një parandjenjë që mallkimet do të binin mbi vetë kokën e tij. Nuk e vazhdoi më luftën me filistinët, por i mërzitur dhe i pakënaqur u kthye në shtëpi. PPAlb 482.5

Ata njerëz që janë më se të gatshëm të gjejnë justifikime për mëkatin e tyre, janë më të ashprit kur vjen fjala për për të gjykuar dhe dënuar të tjerët. Shumë njerëz, sikurse edhe Sauli, sjellin mbi veten e tyre pakënaqësinë e Perëndisë, por e urrejnë këshillën dhe e përçmojnë qortimin. Edhe pasi janë bindur se Perëndia nuk është me ta, ata nuk pranojnë ta shohin veten si shkakun e problemit që kanë. Ata i gëzohen frymës krenare dhe prepotente ndërsa i dënojnë me ashpërsi ata që janë më të mirë se ata. Këta të ashtuquajtur gjykatës të vetë-shpallur do të bënin mirë të meditonin mbi fjalët e Krishtit: “Sepse me atë gjykim që gjykoni të tjerët, do të gjykoheni, dhe me atë masë që matni, me atë do t’ju matin.” - Mateu 7:2. PPAlb 483.1

Shpesh, ata që kërkojnë të lartësojnë vetveten sillen në një rrethanë të tillë ku mund të shfaqet karakteri i tyre i vërtetë. Kështu ndodhi edhe në rastin e Saulit. Rruga që ndoqi e bindi popullin se nderet dhe autoriteti mbretëror ishin më të shtrenjta për të se ç’ishin drejtësia, mëshira dhe bamirësia. Kështu, populli u drejdetyrua që ta shihte gabimin që kishte kryer duke refuzuar qeverisjen që Perëndia u kishte dhënë. Ata e kishin shkëmbyer Samuelin, profetin e devotshëm, lutjet e të cilit kishin sjellë veçse bekime, me një mbret, i cili në zellin e tij të verbër, ishte lutur për një mallkimqë të binte mbi ta. PPAlb 483.2

Në rast se burrat e Izraelit nuk të mos kishin ndërhyrë për t’i shpëtuar jetën Jonatanit, çlirimtari i Izraelit do kishte humbur jetën si pasojë e dekretit të mbretit. Kushedi me sa dyshim dhe pasiguri duhet ta kenë ndjekur njerëzit udhëheqjen e Saulit që prej asaj ndodhie! Sa hidhur iu vinte mendimi se ai ishte vendosur në fron nga vetë ata! Perëndia i duron gjatë paudhësitë e njerëzve dhe të gjithëve u dhuron mundësinë që t’i shohin mëkatet e tyre dhe t’i braktisin ato, por, kur ndonjëherë duket sikur Ai i lë të përparojnë, ata që e përçmojnë vullnetin dhe paralajmërimet e Tij, Ai me siguri do bëjë që të shfaqet marrëzia e tyre, në kohën e Vet. PPAlb 483.3