PATRIARKË DHE PROFETË

60/74

59—“MBRETI I PARË I IZRAELIT”

*****

Qeverisja e Izraelit administrohej në emër të Perëndisë dhe nëpërmjet autoritetit të Tij. Detyra e Moisiut, ajo e shtatëdhjetë anëtarëve të pleqësisë, e pushtetarëve dhe gjykatësve, kishte të bënte vetëm me zbatimin dhe aplikimin e ligjeve që kishte dhënë Perëndia; ata muk kishin kurrvarë autoriteti për të ndërmarë nisma legjislative për kombin. Kjo kishte qenë, dhe vazhdoi të ishte kondita për ekzistencën e Izraelit si komb. Kohë pas kohe, njerëz të frymëzuar nga Perëndia dërgoheshin për të udhëzuar e mësuar popullin si dhe për të tërhequr vëmendjen e tij në zbatimin rigoroz të ligjeve. 43 PPAlb 466.1

Zoti e kishte parashikuar se Izraeli kishte dëshirë të kishte një mbret, por Ai nuk e dha lejen për t’u bërë ndryshime në parimet mbi të cilat ishte themeluar shteti. Mbreti duhej të ishte përfaqësuesi e zëdhënësi i Më të Lartit Perëndi. Perëndia duhej të njihej nga të gjithë si Kreu i kombit, kurse ligji i Tij duhet të zbatohej si një ligj suprem për mbarë vendin. [* Shih SHTOJCEN (në fund të librit), Shënimi 8]. PPAlb 466.2

Kur u futën e u stabilizuan në fillim në tokën e Kanaanit, izraelitët i pranuan publikisht parimet e teokracisë (pra të një sistemi politik që kishte Perëndinë në krye), dhe kombi bëri shumë progres nën udhëheqjen e Jozueut. Por rritja e popullsië dhe përzierja me kombet e tjera sollën ndryshime të konsiderueshme. Izraelitët adoptuan shumë prej zakoneve e traditave të fqinjëve të tyre paganë, duke e sakrifikuar ndjeshëm në këtë mënyrë karakteristikën e tyre të veçantë e të shenjtë. Me kalimin e kohës, ata e humbën respektin solemn për Perëndinë dhe filluan të mos e vlerësonin fare nderin që u ishte bërë si populli i zgjedhur i Tij. Duke u mahnitur nga pompoziteti dhe luksi i monarkëve paganë, ata villuan ta përçmonin thjeshtësinë e shtetit të tyre. Mes fiseve shpërtheu xhelozia dhe lakmia. Përçarjet e brendshme i dobësuan ndjeshëm si komb; në fakt ata ishin të ekspozuar vazhdimisht ndaj rrezikut të pushtimit nga armiqtë paganë rreth e rrotull. Kështu, populli filloi të besonte se me qëllim që ta ruanin sovranitetin e Izraelit prej kombeve të tjera, fiset do bënin mirë të bashkoheshin nën një qeveri të fortë qendroe. Pra, duke iu shmangur respektimit të ligjit të Perëndisë, ata shprehën dëshirën që të liroheshin nga sundimi i Perëndisë së tyre sovran; dhe rrjedhimisht, dëshira për të patur një mbretëri u përhap shpejt dhe gjeti përkrahje në mbarë Izraelin. PPAlb 466.3

Që nga vitet e udhëheqjes së Jozueut, qeverisja e Izraelit nuk ishte drejtuar asnjëherë me kaq shumë urtësi dhe sukses sa nën drejtimin e administratës së Samuelit. Samueli kryente një detyrë të trefishtë, atë të gjyqtarit, profetit dhe kryepriftit. Për më tepër, ai kishte punuar papushim me një zell të jashtëzakonshëm për mirëqënien e popullit. Në fakt, mbarë kombi kishte begatuar si rrejedhojë e udhëheqjes së tij të mënçur. Rendi ishte rikthyer në vend, sjellja e hijshme dhe e perëndishme ishte promovuar si kurrë ndonjëherë, ndërsa fryma e pakënaqësisë ishte venitur plotësisht prej vitesh. Por ndërsa vitet kalonin, Samueli u detyrua që të ndante disa nga përgjegjësitë e tij qeverisëse, dhe caktoi dy bijtë e tij, Joelin dhe Abijahun për ta ndihmuar si asistentë. Ndërkohë që Samueli vazhdonte të kryente detyrat që i kërkonte posti në Rama, dy të rinjtë qeverisnin nga qyteti i Beershebës, që ta kishin më të lehtë që të administronin pushtetin gjyqësor pranë popullsisë që ndodhej panë kufirit jugor të vendit. PPAlb 466.4

Në fakt, Samueli mori pëlqimin e plotë të popullit kur caktoi dy djemtë e tij në këto poste të lartë. Mjerisht, ata nuk u treguan të denjë në detyrat e tyre, siç ishte dreguar i jati. Nëpërmjet Moisiut, Zoti kishte dhënë udhëzime të posaçme për popullin se sunduesit (drejtuesit) e Izraelit duhet të gjykonin e qeverisnin me integritet dhe virtytshmëri, duhet t’i trajtonin me drejtësi dhe kujdes vejushat dhe jetimët, dhe nuk duhet të prëanonin në asnjë mënyrë bakshishe apo shpërblime. Por bijtë e Samuelit “nuk e ndoqën shembullin e tij, u larguan nga rruga e drejtë duke siguruar fitime të palejueshme, pranuan dhurata dhe e fëlliqën sistemin e drejtësisë.” - 1 Samuelit 8:3. Joeli dhe Abijahu nuk ua vunë veshin parimeve që ai ishte munduar aq shumë që t’ua nguliste në mëndje. Ata nuk e imituan aspak jetën e pastër dhe të përulur të babait të tyre të nderuar. Paralajmërimi që i ishte dhënë kohë më parë Eliut (në lidhje me djemtë e tij) duket se nuk kishte influencuar sa duhet në mendjen e Samuelit. Edhe ai i kishte llashtuar në një farë mase dy bijtë e tij, dhe kjo dukej qartë në karaktërin dhe jetën e tyre. Padrejtësia e treguar nga këta gjykatës kishte shkaktuar pakënaqësi të mëdha në popull, i cili e përdori këtë situatë si pretekst për të kërkuar me ngulm atë që kishte dëshiruar prej kohësh fshehurazi - krijimin e një mbretërie. “Atëherë tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën, erdhën te Samueli në Ramah, dhe i thanë: “Ja, ti tani je plakur dhe bijtë e tu nuk ndjekin gjurmët e tua; prandaj cakto mbi ne një mbret që të na qeverisë ashtu siç ndodh në të gjitha kombet.” - Vargjet 4, 5. Ç'është e vërteta, rastet e abuzimeve nuk ishin raportuar tek Samueli. Në rast se sjellja e keqe e bijve të tij do t’i ishte bërë e ditur me kohë, ai do t’i kishte pushuar menjëherë nga puna; por pikërisht këtë nuk donin të bënin autorët e peticionit. Samueli vuri re se motivi i tyre i vërtetë ishte pakënaqësia dhe krenaria, dhe se kërkesa e tyre vinte si rezultat i një strategjie të qëllimshme dhe të paramenduar. Në adresë të Samuelit nuk ishte bërë asnjë ankesë. Të gjithë e pranonin hapur se administrimi i tij ishte bërë me integritet dhe mençuri; por profeti plak e interpretoi këtë kërkesë si një censurim që po i bëhej atij personalisht, pra si një përpjekje për ta mënjanuar. Megjithatë, ai nuk shprehu hapur atë që mendonte; ai nuk hyri në asnjë debat, por e çoi këtë çështje përpara Zotit në lutje dhe kërkoi këshillë vetëm prej Tij. PPAlb 467.1

Dhe Zoti i dha Samuelit: “Dëgjoje zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por më kanë hedhur poshtë Mua, me qëllim që Unë të mos mbretëroj mbi ta. Sillen me ty, ashty siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot: më kanë braktisur për t'u shërbyer perëndive të tjera.” - Vargjet 7, 8. Pra, Samueli u qortua se e kishte kishte marrë personalisht qëndrimin e popullit. Ata nuk kishin treguar mungesë respekti për të, por për autoritetin e Perëndisë, i cili ishte Ai që kishte caktuar drejtuesit per popullin. Ata njerëy që përçmojnë e refuzojnë shërbëtorin besnik të Perëndisë tregojnë përbuzje, jo thjeshtë për personin në fjalë, por për Perëndinë, Atë që e dërgoi këtë person. Në fakt, janë fjalët e Perëndisë, qortimet dhe këshillat e Tij ato që hidhen poshtë; është autoriteti i Tij ai që mohohet. PPAlb 467.2

Kohërat kur Izraeli kishte gëzuar begatinë më të madhe kishin qënë ato në të cilat populli kishte njohur e pranuar publikisht Zotin (Jahveh) si Mbretin e tyre,—kur ligjet dhe qeverisja që Ai kishte caktuar konsideroheshin si superiore ndaj atyre të kombeve të tjera. Moisiu kishte deklaruar si më poshtë për sa I përket urdhërimeve të Zotit për Izraelin: “Ja, unë ju kam mësuar statutet dhe dekretet, ashtu si Zoti, Perëndia im, më ka urdhëruar, me qëllim që t'i zbatoni në vendin në të cilin po hyni për ta shtënë në dorë.” - Ligji i Përtërirë 4:6. Por me braktisjen nga ana e tyre të ligjit të Perëndisë, hebrenjtë nuk ia dolën mbanë që të bëheshin populli që Perëndia dëshironte. Duke qenë kështu, për të gjitha të këqijat që në fakt kishin ardhur si pasoja të drejpërdrejta të mëkatit të tyre, iu vu faji qeverisjes së Perëndisë. Kaq tërësisht ishin verbuar ata nga mëkati. PPAlb 468.1

Nëpërmjet profetëve të Tij, Zoti e kishte parashikuar që Izraeli do të qeverisej nga një mbret; por kjo nuk do të thoshte aspak se kjo formë qeverisjeje ishte më e mirë për ta apo në përputhje me vullnetin e Tij. Ai e lejoi popullin që tëq bënte zgjedhjen e vet, pasi e kishte refuzuar si opsion këshillën hyjnore. Për shëmbull, profeti Hosea deklaron se Perëndia ua dha izraelitëve mbrein në zemërimin e Tij. - Hosea 13:11. Kur njerëzit vendosin të ecin me kokën e vet, pa kërkuar që të marrin pëlqimin e Perëndisë, ose kur veprojnë në kundërshtim me vullnetin e shfaqur prej Tij, Ai shpeshherë i plotëson kërkesat e tyre, me qëllim që, nëpërmjet asaj eksperience të hidhur që vjen pas, ata të kenë mundësinë që të kuptojnë mëndjelehtësinë e tyre si dhe të pendohen për mëkatin që kanë kryer. Krenaria dhe dituria njerëzore, kur veprojnë vetëm, rezultojnë udhërrëfyese shumë të rrezikshme. Ato gjëra që zemra njerëzore dëshiron në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë do të përjetohen në fund si mallkime dhe aspak si bekime. PPAlb 468.2

Perëndia dëshironte prej popullit të Tij që ta trajtonin Atë dhe vetëm Atë si Ligjdhënësin dhe Burimin e fuqisë së tyre. Duke ndjerë varësinë e tyre tek Prëndia, ata do të afroheshin gjithmonë e më shumë pranë Tij. Ata do të lartësoheshin e fisnikëroheshin për të ardhmen e ndritur në të cilën Ai i kishte thirrus si populli i zgjedhur i Perëndisë.Por kur një njeri u vendos në fronin mbretëror, tendenca ishte që mendjet e njerëzve u larguan nga. Ata do të besonin më shumë tek fuqia njerëzore dhe më pak tek ako hyjnore, ndërsa gabimet nga ana e mbretit do t’i çonin drejt mëkatit dhe do ta ndanin kombin prej Perëndisë. PPAlb 468.3

Samueli u udhëzua që ta plotësonte kërkesën e popullit, por në të njëjtën kohë t’i paralajmëronte rreth mosdhënies së pëlqimit të Zotit si dhe të bënte të ditura pasojat që do të vinin nga kjo zgjedhje “Kështu Samueli i tregoi tërë fjalët e Zotit drejtuar popullit që i kërkonte një mbret.” - 1 Samuelit 8:10. Me besnikëri të plotë, ai shpjegoi qartazi barrat që do të binin mbi ta, si dhe u tregoi kontrastin ndërmjet një rregjimi të tillë sundues dhe gjendjes së tyre të tanishme që pak a shumë garantonte kondita lirie dhe begatie. Mbreti i tyre kishte për të imituar pompozitetin dhe luksin e monarkëve të tjerë të rajonit. Pët ta siguruar këtë, ishte e domosdoshme vendosja e taksave të rënda apo haraçeve mbi popullsinë. Edhe djalin më të dlirë ai kishte për ta thirrur nën shërbimin e tij. Ata do të bëheshin karrocierë dhe kalorës të ushtrive të tij. Ata duhet të mbushnin rradhët e ushtrisë së mbretit, do të punonin tokën e mbretit, do të mblidhnin të korrurat e mbretit, si dhe do të prodhonin mjete luftarake që duheshin për shërbimin ndaj tij. Gratë e Izraelit do të shërbenin si parfumiere, gjellëbërëse dhe furrtare për oborrin mbretëror. Për të forcuar pozitat e tij, mbreti do të konfiskonte pronat më të mira ëq kishin, tapitë e të cilave ishin dhënë nga Vetë Zoti Perëndi. Gjithashtu, shërbëtorët më të vlefshëm që kishin, si edhe bagëtitë më të mira do të merreshin prej mbretit të cilat “do t’i përdorte për llogari të tijën.” - Vargu 16. Përveç të gjitha këtyre gjërave, mbreti do të kërkonte një të dhjetën e të ardhurave të tyre, fitimeve nga puna që kryenin, bor, apo të prodhimeve të tokës. “ju do të jeni skllevër të [mbretit],” konkludoi profeti Samuel. “Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Zoti nuk do t'ju përgjigjet.” - Vargjet 17b, PPAlb 468.4

18. Me t’u krijuar mbretëria, sado të rënda të rezultonin haraçet e detyrimet për popullsinë, kjo e fundit nuk do ta kishte më në dispozicion opsionin e mospagesës. Megjithatë, ata dhanë përgjigjen e mëposhtme: “Jo, do të kemi një mbret mbi ne. Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet; mbreti ynë do të na qeverisë, do të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona.” - Vargjet 19, 20. PPAlb 469.1

“Si gjithë kombet...” Izraelitët nuk arritën dot të kuptojnë se të ishe ndryshe dhe jo njësoj si kombet e tjera ishte në fakt një privilegj dhe bekim i veçantë. Perëndia i kishte ndarë veç izraelitët prej kombeve të tjerë për t’i kthyer në një thesar të veçantë për Vete. Por ata , duke mos e vlerësuar aspak këtë nder të lart, mezi pritën që të imitonin shembullin e paganëve! Mjerisht, kjo dëshirë për t’u konformuar me praktikat e zakonet pagane ekziston edhe ndër ata që pretendojnë se janë besimtarë të Perëndisë në ditët tona. Pasi largohen nga rruga e Zotit, ata bëhen gjithnjë e më shumë ambiciozë për përfitimet dhe nderimet që mund t’u ofrojë bota. Shumë të krishterë vazhdojnë të përpiqen papushim që të kopjojnë traditat e atyre që adhurojnë perëndinë e mbrapshtë të kësaj bote. Shumë të tjerë pretendojnë se po të bashkohen me jobesimtarët, dhe të konformohen me mënyrën e tyre të jetesës, ata mund të jenë në gjendje të ushtrojnë një influencë më të madhe tek këta njerëz. Por të gjithë ata që ndërmarrin këtë rrugë në të vërtetë e veçojnë veten nga Perëndia, Burimi i fuqisë së tyre. Duke u bërë miq të kësaj bote jobesimtare, ata bëhen armiq të Perëndisë. Për hir të rehatisë dhe nderimeve tokësore ata sakrifikojnë kauzën e ndritur në të cilën i ka thirrur Perëndia, që të tregojnë me vepra se përlëvdojnë Perëndinë, Atë që na ka thirrur të gjithëve nga errësira për në dritën e mrekullueshme të Tij. - 1 Pjetrit 2:9. PPAlb 469.2

Samueli i dëgjoi me trishtim fjalët e popullit: por Zoti i tha, “Dëgjoje kërkesën e tyre dhe cakto një mbret mbi ta.” - Vargu 22. Profeti e kishte kryer detyrën e vet. Ai e kishte paraqitur me besnikëri paralajmërimin hyjnor, dhe ky i fundit ishte hedhur poshtë. Me zemër të rënduar, ai i urdhëroi njerëzit që të largoheshin, ndërsa vetë u largua për të përgatitur për ndryshimin e madh në formën e qeverisjes. PPAlb 469.3

Jeta e pastërt dhe e përulur e Samuelit do të shërbente si një qortim i vazhdueshëm si për priftërinjtë dhe krerët që mendonin vetëm për vete, ashtu edhe për asamblënë krenare të Izraelit të dhënë pas veseve të këqija. Ndonëse Samueli nuk përdori as pompozitet dhe as luks e gjëra për t’u dukur, veprat e tij mbanin vulën e Qiellit. Ai u nderua nga Shpenguesi i botës, nën udhëheqjen e të cilit ai kishte drejtuar kombin izraelit. Por popullit i ishte mërzitur devocioni dhe besimi i tij i thellë; ata e përbuzën autoritetin e tij të përulur dhe e refuzuan atë për një tjetër që do të sundonte mbi ta si mbret. PPAlb 470.1

Në karakterin e Samuelit ne vëmë re një reflektim të shëmbëlltyrës apo imazhit të Krishtit. Ishte pikërisht pastërtia e jetës së Shpëtimtarit tonë aso që ndezi më shumë se gjithçka tjetër inatin e zemërimin e Satanit. Jeta që jetoi Krishti ishte drita e botës. Ajo shfaqi fëlliqësinë që mbahej fshehur brenda zemrave të njerëzve. Ishte shenjtëria e Krishtit ajo që nxiti kundër Tij të ashtuquajturit profesorë të perëndishmërisë (mësuesit e ligjit) Krishti nuk erdhi me pasurinë dhe me nderimet e botës. Megjithatë, veprat që Ai kreu treguan se Ai zotëronte pushtet dhe fuqi shumë më të madhe se udhëheqësit apo sunduesit njerëzorë. Çifutët pritnin nga Mesia që të thyente zgjedhën e pushtuesit. Mjerisht, ata nuk hoqën doë nga mëkatet që i rëndonin shumë mbi qafë. Në rast se Krishti do t’i kishte mbuluar mëkatet e tyre dhe do të kishte konfirmuar devocionin që kishin, ata do ta kishin pranuar Atë për mbret, por nuk do t’i kishin duruar aspak qortimet që Ai bëri sypatrembur kundër ligësive të tyre. Ajo bukuri karakteri në të cilën bamirësia, dhembshuria, pastërtia dhe shenjtëria mbretëronin si virtyte supreme, ajo që nuk kishte inat asgjë tjetër përveç mëkatit, u përçmua prej tyre. Por kështu ka qenë në çdo epokë të historisë njerëzore. Drita nga qielli sjell gjykimin e saj mbi të gjithë ata që refuzojnë të ecin nën të. Kur qortohen nga shembulli që tregojnë ata që e urrejnë mëkatin, hipokritët shndërrohen në bashkëpunëtorë të Satanit,bëhen gati për të lënduar e përndjekur besimtarët e vërtetë. “të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë një jetë të përshpirtshme në Krishtin Jezus, do të përndiqen. - 2 Timoteut3:12. PPAlb 470.2

Ndonëse një formë monarkike e qeverisjes për Izraelin ishte parashikuar në rofeci, Perëndia e kishte rezervuar për Vete të drejtën për të zghur mbretin e ty. Hebrenjtë nga ana e tyre e respektuan autoritetin e Perëndisë dhe e mirëpritën zgjedhjen eksluzive që Ai ndërmorri. Kështu, zgjedhja hyjnore i ra Saulit, njërit prej djemve të Kishit, nga fisi i Benjaminit. PPAlb 470.3

Karaktesistikat personale të monarkur të ardhshëm ishin të tilla sa që kënaqnin plotësisht krenarinë e zemrës së popullit që kishte nxitur dëshirën për të patur një mbret. “... [N]dër bijtë e Izraelit nuk kishte asnjë më të pashëm se [Sauli]. - 1 Samuelit 9:2. Duke patur një paraqitje finsike dhe dinjitoze, në lule të rinisë, mjaft i gjatë dhe simpatik, Sauli dukej sikur kishte lindur pët të komanduar. Megjithatë, pavarësisht pamjes së jashtme tërheqëse, Saulit i mungonin ato cilësi dhe virtyte që mundësojnë mençurinë e vërtetë. Ai nuk kishte mësuar që në moshë të re që t’u vinte frerin shpërthimeve të papritura e të zjarrta emocionale. Për më tepër, ai nuk e kishte ndjerë asnjëherë fuqinë ripërtëritëse të hirit hyjnor. Sauli ishte biri i një izraeliti të fuqishëm dhe të pasur. Megjithatë, në përputhje me zakonet e asaj kohe, ai punonte për të jatin në detyrën e rëndomtë të bujkut. Kur qëlloi që disa prej kafëshëve, pronë e të jatit, kishin humbur nëpër kodra, Sauli shkoi bashkë më një shërbëtor që t’i gjente. Për tre ditë me rradhë kërkuan, por më kot. Në kërkim e sipër ata i ishin afruar shumë rrethinave të Ramahut, [* Shih SHTOJCEN (në fund të librit), Shënimi 9], qytetit ku jetonte Samueli. Shërbëtori i propozoi Saulit që të shkonin e të pyetnin tek profeti në lidhje me kafshët e humbura. “Dhe shërbëtori iu përgjegj Saulit, duke thënë: “Ja, unë kam në dorë një çerek sikli prej argjendi; do t'ia jap njeriut të Perëndisë dhe ai do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim.” - Vargu 8. Kjo ishte në përputhje me zakonet e asaj kohe. Kur një person i afrohej një njeriu që ishte epror i tij, qoftë në pozitë apo në rang, ai i bënte atij një dhuratë të vogël si shprehje respekti. PPAlb 470.4

Ndërsa iu afruan qytetit, ata takuan disa vajza të reja të cilat kishin dalë për të mbushur ujë, dhe i pyetën se ku gjendej profeti apo “shikuesi.”2 Ato iu përgjigjën se pas pak do të niste një shërbesë fetare, dhe se profeti kishte mbërritur më herët, se ishte një ceremoni ofrimi mbi “vendin e lartë” dhe pas saj një festë me rastin e ceremonisë. Nën qeverisjen e Samuelit kishte ndodhur një ndyshim i madh. Kur ai u thirr për herë të parë nga Perëndia, shërbesat e shenjtërores kishin marrë një reputation shumë të keq në popull. “Njerëzit i përçmonin ofertat që i bëheshin Zotit”- 1 Samuelit 2:17. Por adhurimi i Perëndisë tashmë kremtohej anembanë vendit, dhe njerëzit tregonin interes për shërbesat fetare. Meqënëse nuk kishte ende shërbim të veçantë në shenjtërore, flijimet për një periudhë kohe ofroheshin tjetërkund; dhe ishin pikërisht qytetet e priftërinjve dhe levitëve, atje ku populi shkonte për të marrë udhëzimet e duhura, ato vende që ishin zgjedhur posaçërisht ëpër këtë qëllim. Pikat më të larta të këtyre qyteteve zgjidheshin zakonisht si vende për flijim (kurban), dhe për këtë arësye quheshin “vendet e larta.” PPAlb 471.1

Në portën e qytetit, Sauli u takua nga vetë profeti. Perëndia i kishte treguar më parë Samuelit se pikërisht në atë çast mbreti i ardhshëm i Izraelit do të paraqitej përpara tij. Ndërkaq, ata ndodheshin përballë njëri-tjetrit dhe Zoti i tha Samuelit, “Ky është njeriu për të cilin të fola; ai do të mbretërojë mbi popullin tim.” - 1 Samuelit 9:17. PPAlb 471.2

Kërkesës së Saulit, ““Tregomë të lutem, ku është shtëpia e shikuesit?” Samueli iu përgjigj, “Unë jam shikuesi (profeti). - Vargjet 18, 19. Pasi e siguroi se kafshët që kishin humbur ishin gjetur, ai i kërkoi që të qëndronte për festëm që do të kremtohej. Në të njëjtën kohë, i bëri një aludim për fatin madhështor që e priste përpara: “Mbi cilin drejtohet gjithë dëshira e Izraelit, a nuk është vallë mbi ty dhe mbi tërë shtëpisn e atit tënd?” - Vargu 20. Zemra e Saulit rrahu fort kur dëgjoi këto fjalë të profetit. Ai arriti të kuptonte deri tiku domethënien e atyre fjalëve, sepse kërkesa për një mbret ishte bërë një çështje që kishte përfshirë vëmëndjen e mbarë kombit. Me modesti dhe përunjësi, Sauli u përgjigj, “A nuk jam unë një Benjaminit, një nga fiset më të vogla të Izraelit? Dhe familja ime a nuk është, vallë më e vogla e gjithë familjeve të fisit të Benjaminit? Pse më flet, pra, në këtë mënyrë?” - Vargu 21. PPAlb 471.3

Samueli e ftoi të panjohurin për në vendin e asamblesë, aty ku ishin mbledhur paria e qytetit. Mes tyre, me porosi të profetit, vendi i nderit iu dha Saulit, ndërsa gjatë festës atij iu vu përpara porcioni më i shijshëm. Me të mbaruar ceremonia, Samueli e mori Saulin si mysafir në shtëpinë e tij, dhe atje, mbi tarracë, ai bisedoi me të, duke i shpjeguar parimet madhështore mbi të cilat ishte ngritur qeverisja e Izraelit. Kështu pra, duke Samueli po përpiqej që ta parapërgatiste Saulin për këtë post kaq të lartë. PPAlb 471.4

Kur Sauli u largua, të nesërmen herët në mëngjes, profeti u nis bashkë me të. Pasi përshkuan qytetin, Samueli porositi Saulin që ky t’i thoshte shërbëtorit që të ecte pak përpara vetëm. Pastaj, i tha Saulit që të ndalte që të merrte një mesazh që i ishte dërguar nga Perëndia. “Atëherë Samueli mori një enë të vogël me vaj dhe e derdhi mbi kokën e tij; pastaj e puthi dhe tha: “A nuk të ka vajosur Zoti si kreu i trashëgimisë së tij?” - 1 Samuelit 10:1. PPAlb 472.1

Për të vërtetuar se e gjitha kjo ishte bërë nëpërmjet autoritetit hyjnor, Samueli i parashikoi ngjarjet që do t’i ndodhnin gjatë udhëtimit që Sauli do të ndërmerrte për në shtëpinë e të atit. Gjithashtu, Samueli e siguroi Saulin se ai do të kualifikohej nga vetë Fryma e Perëndisë për postin e lartë që e priste. “Fryma e Zotit do të të ngarkojë të bësh profeci,” tha Samueli, dhe ti “do të shndërrohesh në një njeri tjetër. Kur këto shenja do të realizohen, bëj atë që rasti kërkon, sepse Perëndia është me ty.” - Vargjet 6, 7. PPAlb 472.2

Pasi Sauli mori rrugën e kthimit, gjithçka ndodhi siç e kishte parashikuar Samueli. Afër kufirit të Benjaminit, ai u njoftua se kafshët e humbura ishin gjetur. Në luginën e Taborit, ai takoi tre njerëz të cilët po shkonin për të adhuruar Perëndinë në Bethel. Njëri prej tyre mbante tre keca, tjetri tre bukë, kurse i treti një calik (shishe) me verë, për kremtimin e flijimit. Ata e përshëndetën aSaulin si zakonisht dhe i dhanë dy prej tri bukëve që kishin me vete. Në Gibeah, vendlindjen e tij, një grup profetësh që po kthehej nga “vendi i lartë” po këndonin këngë lavdërimi për Perëndië me muzikë duke përdorur një harpë, një dajre, një fyell dhe një qeste. Kur Sauli iu afrua, Fryma e Zotit erdhi edhe mbi të, dhe ai iu bashkua grupit në këngët e lavdërimit, dhe profetizoi së bashku me ta. Ai foli aq bukur dhe me hijeshi, dhe u përfshi aq shumë në shërbesë, saqë ata që e njihnin thirrën të habitur: “Çfarë i ka ndodhur birit të Kishit? Éshtë edhe Sauli midis profetëve?” - Vargu 11. PPAlb 472.3

Në kohën kur Sauli u bashkua me profetët e tjerë në adhurim, në zemrën e tij ndodhi një ndryshim i madh i kryer nga Fryma e Shenjtë. Drita e pastërtisë dhe shenjtërisë hyjnore ndriçoi në errësirën e natyrshme të zemrës njerëzore. Sauli e pa veten se si ishte në të vërtetë përballë Perëndisë. Ai pa bukurinë e shenjtërisë. Tashmë, atij iu bë thirrja për të nisur betejën kundër mëkatit dhe Satanit dhe iu shpjegua se në këtë në këtë konflikt të ashpër fuqia duhet t’i vijë plotësisht nga Perëndia. Plani i shpëtimit, i cili më parë ishte dukur i mjegullt dhe i pasigurt, iu shfaq dhe iu komunikua qartë. Zoti e pajisi me kurajon dhe diturinë që nevojitej për këtë emërim kaq të lartë. Ai i shfaqi Saulit Burimin e fuqisë dhe hirit dhe e ndriçoi mendjen e tij duke i shpjeguar qartë kërkesat hyjnore si edhe detyrimet e tij. PPAlb 472.4

Vajosja e Saulit si mbret nuk i ishte bërë e ditur popullit. Perëndia kishte vendosur që kjo gjë të bëhej publikisht me anë të shortit. Për këtë arësye, Samueli mblodhi tërë popullin në Mizpeh. U bënë lutje për udhërrëfimin hyjnor, pastaj u zhvillua ceremonia solemne e hedhjes së shortit. Ngjarja u përjetua në qetësi të plotë ndërsa populli priste me ankth se kujt do t’i binte shorti. Hap pas hapi, u përcaktuan fisi, farefisi, dhe familja. Pastaj, Sauli, biri i Kishit, u përcaktua si individi i zgjedhur për t’u bërë mbret. Por Sauli nuk ndodhej në asamble. Duke u ndjerë rënduar nga sensi i përgjegjësisë së madhe që do të binte mbi të, Sauli ishte fshehur pa u ndjerë. Por ai u soll përsëri para popullit, i cili vuri re me krenari dhe kënaqësi se Sauli kishte hijen e mbretit dhe kishte një pamje shumë të hijshme, dhe ishte “ishte më i lartë se gjithë njerëzit nga supi e lart.” - Vargu 23. Madje, edhe Samueli, kur e prezantoi para asamblesë, thirri me të madhe, “E shihni atë që ka zgjedhur Zoti? Nuk ka asnjë si ai në tërë popullin. Kështu tërë populli lëshoi britma gëzimi dhe thirri: “Perëndia e shpëtoftë mbretin!” - Vargu 24. PPAlb 472.5

Pastaj, Samueli përcaktoi përpara popullit “të drejtat e mbretërisë,” pra, duke shpjeguar parimet mbi të cilat ishte bazuar qeveria monarkike dhe nëpërmjetë të cilëave ajo duhet të kontrollohej. Mbreti nuk do të ishte një monark absolut, por pushteti i tij varej nga vullneti i Më të Lrtit Perëndi. Ky fjalim u mbajt shënim në një libër, në të cilin përcaktoheshin qartë kompetencat e mbretit si dhe të drejtat dhe privilegjet e popullit. Ndonëse kombi e kishte nënçmuar paralajmërimin e Samuelit, profeti besnik, edhe pse ishte detyruar që t’i plotësonte dëshirat e tyre, prapë se prapë u përpoq që t’i mbronte liritë e tyre civile me aq sa ishte e mundur. PPAlb 473.1

Ndërkohë që populli ishte përgjithësisht gati që ta njihte botërisht Saulin si mbretin e tij pati një numër të konsiderueshëm njerëzish kundra. Fakti që mbreti ishte zgjedhur nga fisi i Benjaminit, më i vogli mes fiseve të Izraelit duke lënë mënjanë në këtë mënyrë si Judën ashtu edhe Efraimin, dy fiset më të mëdha e më të fuqishëm, ishte një kafshatë që nuk kapërdihej dot prej tyre. Ata nuk pranuan që t’i shpallnin aleancën Saulit, as që t’i sillnin dhuratat e rastit.Ata që kishin qenë më ngulmuesit në kërkesën e tyre për të patur mbret ishin po të njëjtët që refuzuan të pranonin me mirënjohje njeriun e zgjedhur nga Perëndia. Anëtarët e secilit fraksion kishin nga një kanditat të preferuar, të cilin kishin dëshira ta shihnin ulur në fronin mbretëror, ndërsa disa prej parisë kishin dashur ta kishin për vete këtë nder. Lakmia dhe xhelozia zjarrmonte në zemrat e shumë njerëzve. Përpjekjet e krenarisë dh ambicies kishin shkaaktuar vetëm zhgënjim dhe pakënaqësi. PPAlb 473.2

I gjendur para kësaj situate, Sauli nuk e pa të përshtatshme që të merrte menjëherë përgjegjësinë e pushtetit. Ai la Samuelin që të administronte qeverinë si më parë, dhe u kthye në Gibeah. Ai u shoqërua nga një eskortë e madhe burrash, të cilët, pasi e panë se verdikti hyjnor kishte rënë mbi të, ishin të vendosur ta mbronin. Por Sauli nuk bëri ndonjë përpjekje që ta ushtronte me forcë të drejtën që kishte për fronin mbretëror. Në shtëpinë e tij mes luginave e kodrave të Benjaminit, ai pa bërë zhurmë filloi të merrej përsëri me detyrën e bijkut, duke ia lënë ngritjen e autoritetit të tij plotësisht Perëndisë. PPAlb 473.3

Menjëherë pas zgjedhjes së Saulit, amonitët, nën mbretin e tyre, Nahashin, pushtuan territorin e fiseve në lindje të lumit Jordan dhe kërcënuan qytetin e Jabesh-gileadit. Banorët u përpoqën të siguronin një armëpushimi cili do t’i detyronte që t’i paguanin haraçe amonitëve. Mbreti mizor nuk do ta pranonte këtë ofertë, pa plotësimin e një kushti ekstrem: t’u nxirrte të gjithë burrave syrin e djathtë duke poshtëruar në këtë mënyrë tërë Izraelin, dhe duke u krekosur me prepotencë për fuqinë e tij. -1 Samuelit 11:2. PPAlb 473.4

Popullsia e qytetit iu lut për shtatë ditë kohë. Amonitët ranë dakort, duke menduar se kështu, triumfi i fitores së tyre do të ishte edhe më i madh për ta dhe më poshtërues për izraelitët. U dërguan menjëherë lajmëtarë nga Jabeshi për të kërkuar ndihmë tek fiset në perëndim të lumit Jordan. Ata e sollën lajmin edhe në Gibeah, duke përhapur tmerr në të katër anët. Pasi u kthye në mbrëmje së bashku me qetë me të cilat kishte punuar në fushë, Sauli dëgjoi të qarën me të madhe të popullit e cila nënkuptonte se kishte rënë një fatkeqësi e madhe. Ai tha, “Çfarë kanë njerëzit që qajnë?” - Vargu 5. Kur iu tregua ajo ngjarje e turpshme, fuqitë e Saulit që deri në ato çaste ishin në gjumë, u zgjuan menjëherë. “Fryma e Perëndisë erdhi mbi Saulin. .... Dhe mori një pendë qesh, i preu qetë copë-copë dhe i dërgoi në të gjithë territorin e Izraelit me anë të lajmëtarëve, duke thënë: “Kështu do të trajtohen qetë e atij që nuk ka për të ardhur pas Saulit dhe Samuelit.” - Vargu 7. PPAlb 474.1

Treqind e tridhjetë burra u mblodhën në luginën e Bezekut, nën komandën e Saulit. Lajmëtarët u dërguan menjëherë për në qytetin e rrethuar duke i siguruar se të nesërmen do të ndihmoheshin , pikërisht në ditën në të cilën do të dorëzoheshin para amonitëve. Nëpërmjet një marshimi të shpejtë gjatë natës, Sauli dhe ushtria e tij kaluan lumin Jordan dhe arritën përpara Jabeshit “përpara se të gdhinte” (- Vargu 11a). Ashtu si Gideoni, Sauli e ndau ushtrinë në tre grupime, dhe ia behu në fushimin amonit në atë orë të herët të mëngjesit, në të cilët amonitët nuk para ndjenin ndonjë rrezikdhe për pasojë ishin më të brishtë. Pas panikut që ra në kamp, amonitët u shpartalluan plotësisht. Dhe “ata që shpëtuan u shpërndanë dhe nuk mbetën as dy veta bashkë.” - Vargu 11b. PPAlb 474.2

Gadishmëria, zelli dhe trimëria e Saulit, si edhe aftësitë prej gjenerali që tregoi në drejtimin e një ushtrie kaq të madhe në numër, ishin pikërisht ato cilësi që populli i Izraelit kishte dëshiruar për mbretin e tyre, pra që t’ia dilnin mbanë në betejë me kombet e tjera. Ata tashmë e përshëndetën si mbretin e tyre, duke ia atribuar nderin e fitores agjentëve njerëzorë, duke harruar kështu se pa bekimin e posaçëm të Perëndisë, të gjitha përpjekjet e tyre do të kishin rezultuar të kota. Në delir e sipër, disa prej tyre propozuan që të vriteshin të gjithë ata që kishin refuzuar të pranonin publikisht autoritetin e Saulit. Por mbreti ndërhyri duke thënë, “Asnjeri nuk do të vritet në këtë ditë, sepse sot Zoti ka realizuar një çlirim të madh në Izrael.” - Vargu 13. Në këtë rast, Sauli tregoi evidencë për ndryshimin që kishte ndoshur në karakterin e tij. Në vend që ta merrte nderin për vete, ai ia dha lavdinë Perëndisë. Në vend që të tregonte dëshirën për hakmarrje, ai manifestoi një frymë dhembshurie dhe faljeje. Kjo është një evidencë e pagabueshme për praninë e hirit të Perëndisë në zemrën e njeriut. PPAlb 474.3

Pastaj, Samueli propozoi që të mblidhej një asamble kombëtare në Gilgal, që atje të shpallet publikisht mbretëria dhe Sauli të shpallet zyrtarisht mbret. Kështu u bë; “Aty përpara Zotit ata ofruan flijime falenderimi; dhe po aty Sauli dhe tërë njerëzit e Izraelit u gëzuan shumë.” - Vargu 15. PPAlb 474.4

Gilgali kishte qenë vendi i vendfushimit të parë të Izraelit në Tokën e Premtuar. Ishte pikërisht këtu vendi ku Jozueu, nëpërmjet një urdhri hyjnor, ndërtoi shtyllën me dymbëdhjetë gurë për të përkujtuar kalimin e mrekullishëm të lumit Jordan. Në këtë vend ishte përtërirë edhe riti i rrethprerjes (synetit). Në këtë vend ishte kremtuar Pashka pas mëkatit në Kadesh dhe në udhëtimin e shkretëtirës. Në këtë vend ndali manna. Në këtë vend, Kapiteni i ushtrive të Zotit ishte shfaqur si komandant suprem i ushtrive të Izraelit. Nga ky vend ata marshuan për të mposhtur Jerikon si dhe për të pushtuar Ain. Në këtë vend, Akani mori dënimin e merituar për mëkatin e tij, dhe po në këtë vend u nënshkrua traktati me gibeonitët i cili dënoi neglizhimin e Izraelit për t’u konsultuar më parë me Perëndinë. Mbi këtë luginë, e lidhur me ngjarje kaq ë bujshme, qëndronin Samueli dhe Sauli; dhe kur thirrjet e mirëseardhjes për mbretin ishin shuar, profeti plak bëri fjalimin e fundit si qeveritar i kombit. PPAlb 474.5

“Ja, unë ju dëgjova për të gjitha ato që më thatë dhe vura një mbret mbi ju. Dhe tani ja, mbreti që do të shkojë para jush. Unë tashmë jam plak dhe i thinjur, dhe bijtë e mij janë midis jush, unë kam ecur para jush qysh nga rinia ime deri më sot. Ja ku jam, dëshmoni kundër meje përpara Zotit dhe përpara atij që është vajosur: Kujt i kam marrë kaun? Kujt i kam marrë gomarin? Kujt i kam ngrënë hakun? Cilin kam shtypur? Nga duart e kujt kam pranuar ndonjë dhuratë që më ka zënë sytë? Unë do t'jua kthej.” 1 Samuelit 12:1-3. PPAlb 475.1

Populli iu përgjigj njëzëri: “Ti as nuk na ke ngrënë hakun, as nuk na ke shtypur dhe nuk ke marrë asgjë nga duart e askujt.” - Vargu 4. PPAlb 475.2

Samueli nuk po përpiqej që të justikonte vetëm veprimet e veta. Kohë më pare, ai kishte përcaktuar parimet që duhet të qeverisnin si mbretin ashtu edhe popullin,dhe ai dëshironte që t’u shtonte këtyre fjalëve peshën e shembullit të tij personal. Që nga fëmijëria ai kishte qenë i lidhur me punën e Perëndisë, dhe gjatë gjithë jetës së tij të gjatë ai kishte vetëm një objektiv për vete—lavdinë e Perëndisë dhe e mira e të mirave për Izraelin. PPAlb 475.3

Përpara se të mund të shpresohej për ditë të begata për Izraelin, ai duhet t’i përkushtohej pendesës përpara Perëndisë. Si pasojë e mëkatit, ata e kishin humbur besimin tek Perëndia si dhe mprehtësinë në lidhje me fuqinë dhe diturinë për të sunduar mbi kombin—kishin humbur besimin në aftësinë e Perëndisë për t’u hakmarrë për kauzën e tyre. Përpara se të mund të gjenin paqe të vërtetë, ata duhet të viheshin për të parë e rrëfyer atë mëkat për të cilin kishin qenë fajtorë. Ata e kishin shpallur dëshirën kur kishin kërkuar të kishin mbret, “që mbreti të na gjykojë, dhe të na prijë dhe të luftojë betejat tona.” - 1 Samuelit ....... Pastaj, Samueli tregoi edhe njëherë historinë e Izraelit, që nga dita kur Perëndia i kishte sjellë nga Egjipti. Jahveh, Zoti Perëndi i vërtetë, Mbret i mbretërve kishte qenë prijësi i tyre dhe i kishte luftuar betejat për ta. Sa shpesh kishte ndodhur që mëkatet e tyre t’i kishin shitur tek ushtritë e armikut, por sapo hiqnin dorë nga rruga e keqe, Perëndia, me mëshirën që e karakterizon, ngrinte një çlirimtar për ta. Zoti dërgoi Gideonin dhe Barakun, si dhe “dhe ju çliroi nga duart e armiqve tuaj që ndodheshin rreth e rrotull jush, dhe ju jetuat në siguri..” - 1 Samuelit 12:11. Megjithatë, kur ndodheshin të kërcënuar nga një rrezik i rradhës, ata kishin deklaruar, “një mbret do të mbretërojë mbi ne,” atëherë kur, siç tha profeti, “Zoti, Perëndia juaj ishte Mbreti juaj.” - Vargu 12. PPAlb 475.4

“Prandaj tani,” vazhdoi fjalimin Samueli, “ndaluni dhe shikoni këtë gjë të madhe që Zoti do të bëjë para syve tuaj. A nuk jemi vallë në kohën e korrjes së grurit? Unë do të kërkoj ndihmën e Zotit dhe Ai do të dërgojë bubullima dhe shi; kështu do të kuptoni dhe do të shihni se e keqja që keni bërë duke kërkuar një mbret për ju, është e madhe në sytë e Zotit. Atëherë Samueli kërkoi ndihmën e Zotit dhe ai dërgoi atë ditë bubullima dhe shi; - Vargjet 16-18. Në kohën e korrjes së grurit, në muajt maj dhe qershor nuk binte shi në lindje. Qielli ishte pa ré ndërsa ajri i butë dhe i qetë. Duke qenë kështu, një furtunë në këtë sezon i mbushi me frikë zemrat e të gjithëve. Të poshtëruar, njerëzit e rrëfyen tashmë mëkatin e tyre—të njëjtin mëkat për të cilin kishin qenë fajtorë; “Lutju Zotit, Perëndisë tënd, për shërbëtorët e tu, që të mos vdesin, sepse tërë mëkateve tona u kemi shtuar të keqen e kërkimit të një mbreti për ne.” - Vargu 19. PPAlb 475.5

Samueli nuk e la popullin në dekurajim e sipër. Kjo do t’i kishte penguar përpekjet e tyre për të kërkuar një jetë më të mirë. Satani donte t’i bënte që ta shihnin Perëndinë si të ashpër dhe Një që nuk fal, dhe në këtë mënyrë, ata do të ekspozoheshin para tundimeve të shumëfishta. Por Perëndia është i mëshirshëm dhe Një që fal, dhe dëshiron përherë që të tregojë favor për popullin e Tij kur ai i bindet zërit të Tij. “Mos u frikësoni; ndonëse e keni bërë gjithë këtë të keqe, mos reshtni së ndjekuri Zotin, por shërbejini Zotit me të gjithë zemrën tuaj.Mos u largoni për të ndjekur gjëra të kota, që nuk vlejnë as çlirojnë, sepse janë gjëra të kota. Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e tij, për hir të tij të madh, sepse i pëlqeu Zotit t'ju bëjë popullin e Vet.” - Vargjet 20-22. PPAlb 476.1

Samueli nuk foli fare në lidhje me mospërfilljen që populli kishte treguar ndaj tij; ai nuk bëri ankesën më të vogël për sa i përket mosmirënjohjes me të cilën Izraeli e kishte paguar përkushtimin e tij jetësor; por përkundrazi, ai i siguroi izraelitët për përkujdesjen e pandërprerë që do të vazhdonte nga ana e tij. “Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mëkatoj kundër Zotit duke hequr dorë nga lutjet për ju; përkundrazi, do t'ju tregoj rrugën e mirë dhe të drejtë. Vetëm kini druajtje nga Zoti dhe shërbejini besnikërisht me gjithë zemër; mbani parasysh gjërat e mëdha që ka bërë për ju. Por në rast se vazhdoni të bëni të keqen, si ju ashtu dhe mbreti juaj, do të flakeni tutje.” - Vargjet 23-25. PPAlb 476.2