PATRIARKË DHE PROFETË

59/74

58—“SHKOLLAT E PROFETËVE”

*****

Vetë Zoti e drejtonte arsimimin e Izraelit. Megjithatë, përkujdesja e Tij nuk kufizohej vetëm me interesat fetarë te tyre; gjithçka që kishte të bënte me mirëqënien e tyre mendore dhe fizike ishte në të njëjtën kohë pjesë e preokupimit dhe përkujdesjes hyjnore ndaj njeriut. Kjo ishte dhe në brendësi të sferës së ligjit hyjnor. PPAlb 458.1

Perëndia i kishte urdhëruar hebrenjtë që t’u mësonin fëmijëve urdhërimet dhe kriteret e Tij si dhe t’u bënin të ditur atyre të gjithë historinë e marrëdhënies së Tij me paraardhësit e tyre. Kjo ishte njëra nga detyrat më të rëndësishme të çdo prindi— detyrë e cila nuk mund t’i besohej askujt tjetër. Zemrat plot dashuri të babait dhe nënës ishin ato që duhet të edukonin e udhëzonin fëmijët, dhe jo gojët e të panjohurve. Të gjitha ngjarjet e jetës së përditshme duhet të përmbanin kujtesa rreth Perëndisë. Mrekullitë madhështore të Perëndisë kur Ai shpëtoi si dhe premtimet për Krishtin, Shpenguesin që do të vinte duhej të përsëriteshin rregullisht nëpër ambientet familiare izraelite. Gjithashtu, përdorimi i shëmbëlltyrave dhe simbolikës bënin që mësimet të mbaheshin mend më lehtë në memorie. Të vërtetat e lavdishme në lidhje me përkujdesjen e Perëndisë si dhe jetën e së arthmes nguliteshin fort në mendjet e të rinjve. Fëmijët mësoheshin dhe udhëzoheshin që ta shihnin Perëndinë kudo, si në skenat e mrekullueshme të natyrës, ashtu edhe në fjalët zbulesës së Perëndisë. Yjet e qiellit, pemët dhe lulet e fushës, malet e larta madhështore, burimet ujore që rridhnin me hijeshi—të gjitha dëshmonin rreth Krijuesit Perëndi. Shërbesa solemne e flijimit dhe e adhurimit në shenjtërore si dhe fjalët e profetëve ishin zbulesa të Perëndisë. PPAlb 458.2

I tillë kishte qenë trainimi i Moisiut në atë kasolle të vogël në Goshen; trainimi i Samuelit nga Hana besnike; i Davidit në banesën në kodër të Bethlehemit; i Danielit, përpara se skenat e robërisë e ndanë atë që në moshë të re nga shtëpia e etërve. E tillë, gjithashtu, ishte edhe fëmijëria e Krishtit në Nazareth; i tillë edhe trainimi që fëmija me emrin Timote kishte marrë nga goja e gjyshes së tij Loisa dhe nënës Eunike (- 2 Timoteut 1:5; 3:15), pra të vërtetat e Shkrimeve të Shenjta. Masa të mëtejshme që merreshin për edukimin e të rinjve përfshinin krijimin e shkollave të profetëve. Në qoftë se një i ri dëshironte që të kërkonte më thellë në të vërtetat e fjalës së Perëndisë si dhe të kërkonte diturinë qiellore, pra që të mund të bëhej mësues në Izrael këto shkolla ia ofronin pikërisht këtë mundësi. Shkollat e profetëve u themeluan nga Samueli që të shërbenin si pengesë apo mur mbrojtës ndaj shthurrjes së shpërndarë në të katra anët, të siguronin mirëqënien morale dhe shpirtërore të rinisë, si dhe rë promovonin begatinë e ardhshme të kombit duke i ofruar atij njerëz të kualifikuar dhe të aftë të vepronin me druajtje ndaj Perëndisë si udhëheqës dhe këshillues. Për të arritur këë objektiv, Samueli mblodhi grupe të rinjsh të cilët ishin të devotshëm, inteligjentë dhe studiozë. Ata u quajtën bijtë e profetëve. Ndërsa kuvendonin me Perëndinë dhe studionin fjalën e Tij dhe veprat e Tij, urtësia qiellore iu shtua njohurisë dhe talentit të tyre njerëzor. Mësuesit ishin njerëz që jo vetëm zotëronin një njohuri të thellë të së vërtetës hyjnore, por që edhe kishin përjetuar e shijuar kuvendim me Perëndinë si dhe kishin marrë dhuntitë e Frymës së Tij. Ata gëzonin respektin dhe besimin e popullit, si për diturinë që kishin, ashtu edhe për virtytshmërinë. PPAlb 458.3

Në ditët e Samuelit, u hapën dy shkolla të tilla—njëra në Ramah, pra në vendlindjen e profetit, dhe tjetra në Kirjath-jearim, ku ndodhej arka e shenjtë. Shkollat e tjera u ndërtuan më vonë. PPAlb 459.1

Nxënësit e këtyre shkollave mbështetnin veten financiarisht duke kryer punë të ndryshme, duke lëruar tokën ose duke kryer zanate të ndryshme. Kjo nuk konsiderohej apo shikohej si diçka degraduese apo për të patur turp; në të kndërt, krim konsiderohej që fëmija të mos mësohej që në vogëli me edukatën e punës, dobinë dhe rëndësinë e saj. Me urdhër të Perëndisë, çdo fëmije i mësohej një zanat, ndonëse ishte taksur për t’u arsimuar për një detyrë të shenjtë. Shumë prej mësuesve fetarë fitonin bukën e gojës duke kryer punë fizike. Edhe në kohërat e mëvonshme, si përgjatë kohës së apostujve, njerëz si Pali dhe Akuila nderoheshin e respektoheshin ndonëse bukën e gojës e fitonin nga zanati i bërjes së tendave (çadrave), gjë që e kishin për nder. PPAlb 459.2

Lëndët kryesore për studimnë këto shkolla ishin ligji i Perëndisë, i shoqëruar me udhëzimet që iu dhanë Moisiut, historia e shenjtë e Izraelit, muzika dhe poezia e shenjtë. Metoda e mësimdhënies ndryshonte shumë me shkollat e teologjisë së ditëve të sotme, prej të cilave dipllomohen shumë studëntë, disa prej të cilëve kanë një njohuri më të vërtetë rreth Perëndisë dhe besimit kur e fillojnë shkollën sesa kur e mbarojnë atë. Në ato shkolla të kohërave të moçme, objekti më madhështor i krejt proçesit mësimor ishte vullneti i Perëndisë dhe detyrimet që vinin prej tij për njerëzit. Në analet e historisë së shenjtë të Izraelit studentët viheshin pas gjurmëve të Zotit Perëndi (Jahveh). Të vërtetat e mëdha që dilnin në pah nga personazhet simbolizues studioheshin me vëmendje dhe besimi i tyre arrinte të perceptonte objektin qëndror të krejt sistemit—Krishtin, Qengjin e Perëndisë që do të merrte mbi vete mëkatin e botës. PPAlb 459.3

Në këto shkolla ushqehej një frymë devotshmërie. Nxënësit jo vetëm që mësonin detyrën e lutjes por mësoheshin edhe se si të luteshin, si t’i përqaseshin Krijuesit të tyre, si ta ushtronin besimin në Të, dhe se si të kuptonin dhe t’i bindeshin udhëzimeve të Frymës së Tij. Kështu, kuadro të shkolluar por edhe të shenjtëruar do të dilnin nga këto shtëpi thesari të Perëndisë, me njohuri të larmishme, dhe Fryma e Perëndisë manifestohej në profeci dhe në psalme të shenjta. PPAlb 459.4

Muzika që interpretohej shërbente për një qëllim të shenjtë: për të drejtuar mendimet e zemrës tek gjërat që janë të pastra, të hijshme dhe inkurajuese, si dhe të zgjonin në shpirt përkushtim dhe mirënjohje ndaj Perëndisë. Çfarë kontrasti ekziston ndërmjet këtij zakoni të lashtë dhe motiveve për të cilat përdoret në shumicën e rasteve muzika e ditëve të sotme! Sa shumë njerëz e përdorin këtë dhunti për të lartësuar vetveten në vend që ta përdorin për të përlëvduar Perëndinë! Dëshira për të dëgjuar muzikë bën që shumë besimtarë naivë të bashkohen me jobesimtarë që jepen vetëm pas qejfit dhe mblidhen së bashku në ambiente ku fëmijët e Perëndisë e kanë të ndaluar prej Tij që të shkojnë. Duke qenë kështu, e njëjta dhunti, e cila kur përdoret siç duhet rezulton në një bekim të madh, shndërrohet në njërën nga mjetet më të suksesshme me anë të së cilës Satani josh dhe huton mendjen e njeriut nga detyrat si dhe nga meditimi i gjërave të përjetshme. PPAlb 459.5

Muzika përbën një pjesë kyçe të adhurimit të Perëndisë në oborret qiellore, dhe ne duhet të përpiqemi që në këngët tona të lavdërimit t’i afrohemi sa më shumë që kemi mundësi harmonisë së koreve qiellore. Trainimi i duhur i zërit është një pjesë e rëndësishme në arsim dhe nuk duhet neglizhuar. Të kënduarit, si pjesë e një shërbese fetare, është një akt adhurimi por në të njëjtën kohë edhe një lutje në vetvete. Zemra duhet ta ndjejë frymën e këngës për ta shprehur atë sa më mirë e sa me bukur. PPAlb 460.1

Sa i madh është dallimi ndërmjet atyre shkollave që mësoheshin nga profetët e Perëndisë dhe institucioneve moderne të mësimdhënies! Sa të pakta janë ato institucione arsimore të cilat nuk qeverisen nga rregullat e zakonet e këaj bote! Mungesa e theksuar e rregullit dhe e displinës është e pafalshme. Nga ana tjetër mosdija që ekziston në lidhje me fjalën e Perëndisë edhe ndër njerëzve që e mbajnë veten si besimtarë të krishterë është alarmuese. Mjerisht, bisedat sipërfaqësore, sentimentalizmi i tepruar, merr notë kaluese në moralin dhe fenë e shtrembëruar të botës. Ndërsa drejtësia dhe mëshira e Perëndisë, karakteri i fëlliqur e i urryer i mëkatit si dhe siguria për pasojat e tij të tmerrshme nuk u prezantohen mendjeve rinore. Në të kundërt, ata që bashkëpunojnë me Satanin udhëzojnë rininë e sotme duke e shtyrë në rrugën e kriminalitetit, abuzivitetit, dhe imoralitetit ekstrem. PPAlb 460.2

A nuk gjenden vallë plot mësime të cilat mësuesit e ditëve tona bëjnë mirë t’i përvetësojnë nga këto shkolla të lashta të hebrenjve? Perëndia, Ai që krijoi njerëzimin, ka siguruar gjithashtu edhe për zhvillimin e rritjen e tij fizike, mendore dhe shpirtërore. Për këtë arësye, suksesi i vërtetë në arsim varet nga besnikëria dhe përkushtimi me të cilën njerëzit zbatojnë planin e Krijuesit. PPAlb 460.3

Objektivi i vërtetë i arsimit është rikthimi i shëmbëlltyrës së Perëndisë tek qeniet njeëzore. Në fillim Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së Tij. Ai e veshi njeriun me veti e virtyte të fisme. Mendja e njeriut ishte përsosmërisht e balancuar, dhe të gjitha energjitë e qenies së tij ishin në harmoni të plotë. Por rënia në mëkat dhe pasojat që rrjedhin prej saji kanë shtrembëruar këto dhunti. Mëkati ka shpërfytyruar dhe gati pothuajse ka zhdukur shëmbëlltyrën apo imazhin e Perëndisë tek njeriu. Plani i shpëtimit të njerëzimit u hartua pikërisht për ta rindërtuar këtë imazh, ndërsa njeriut iu dha një periudhë e kufizuar për të jetuar në tokë. Objektivi më kryesor i kësaj jete— një objektiv ky që lë pas gjithë të tjerët—është rikthimi i njeriut në përsosmërinë e parajsës në të cilën ai u krijua që në fillim. Kështu, detyra e prindërve dhe arsimtarëve për sa i përket arsimimit të rinisë është që të bashkëpunojnë me planin hyjnor; dhe duke bërë kështu, ata bëhen “bashkëpunëtorë me Perëndinë” - 1 Korintasve 3:9. PPAlb 460.4

Të gjitha aftësitë që zotërojnë njerëzit—qofshin këto, fizike, mendore dhe shpirtërore—u jepen nga Perëndia, që të përdoren për të arritur shkallën më të lartë të përsosmërisë. Por kjo nuk mund të përdoret vetëm për qëllime ekskluzivisht vetjake; sepse karakteri i Perëndisë, shëmbëlltyrën e të cilit na takon të marrim, është bamirësi, dhembshuri dhe dashuri. Çdo aftësi dhe çdo atribut që na ka dhuruar Perëndia duhet të përdoret për lavdinë e Tij si dhe për lartësimin e njerëzve që kemi rreth nesh. Dhe pikërisht ky lloj përdorimi është mësimi apo leksioni më i pastër, më i fisëm, dhe më i mrekullueshëm. PPAlb 460.5

Në rast se këtij parimi do t’i ishte kushtuar vëmendja e duhur, nisur nga rëndësia e madhe që ka në vetvete, kishte për të patur një ndryshim rrënjësor në disa prej metodave didaktike që përdoren në ditën tona. Në vend që t’i bëhet apel krenarisë dhe ambicies egoiste, gjë që shkakton një frymë mëndjemadhësie, mësuesit do të përpiqeshin që të zgjonin dashurinë për gjërat e mira në jetë—për mirësinë dhe të vërtetën—duke nxitur kështu dëshirën për përsosmëri. Nxënësit dhe studentët do të kërkonin zgjerimin e larmisë së dhuntive të Perëndisë tek vetja, jo për të bërë garë me të tjerët, por për të përmbushur vullnetin e Krijuesit Perëndi she dhe për të përftuar shëmbëlltyrën apo imazhin e Tij. Në vend që të synojnë thjesht standartet e ksaj bote, ose në vend që të frymëzohen nga dëshira për vetë-lartësim, e cila në vetvete të shndërron në një njeri prepotent dhe arrogant, mendja do të drejtohej për nga Krijuesi, për ta njohur Atë dhe për t’i ngjarë më shumë Atij. PPAlb 461.1

“Frika e Zotit është fillimi i urtësisë; dhe njohuria e Të Shenjtit [Perëndi] është kuptimi i gjithçkaje.” - Fjalët e Urta 9:10. Puna më madhështore në këtë jetë është ndërtimi i karakterit ndërsa njohuria e Perëndisë është themeli i arsimimit të vërtetë. Detyra, përgjegjësia dhe objektivi i punës së çdo mësuesi është që të përvetësojë këtë njohuri, dhe ta gdhendë karakterin në harmoni me të (njohurinë). Ligji i Perëndisë është një reflektim i karakterit të Tij. Për këtë arësye, psalmisti këndon, “Të gjitha urhdërimet e Tua janë virtytshmëri;” dhe “nëpërmjet parimeve të Tua unë marr njohuri (kuptimplotë.” - Psalmi 119:172, 104. Perëndia ka zbuluar Vetveten para nesh në fjalën e Tij si dhe në veprat e krijimit. Nëpërmjet vëllimit të frymëzimit si dhe librit të hapur të natyrës, neve na duhet të përvetësojmë njohurinë e shenjtë të Perëndisë. PPAlb 461.2

Përshtatja graduale ndaj temave të cilat mendja e njeriut mësohet të bluajë në vetvete është një proces i pashmangshëm. Me fjalë të tjera, në rast se mendja okupohet vetëm me çështje të thjeshta dhe të rëndomta, ajo ka për t’u dobësuar dhe aftësitë mendore do të zvogëlohen. Në rast se mendja e njeriut nuk stërvitet e nuk vihet të mundohet me probleme të vështira, pas një farë kohe ka për ta humbur pothuajse krejt aftësinë për t’u rritur. Bibla nuk njeh rivalë të tjerë në rolin e saj si një burim edukativ. Në fjalën e Perëndisë, mendja e njeriut gjen tema nga më të thellat e meditueset si dhe aspirata nga më të lartat e më të dëshirueshmet. Bibla përmban historinë më udhëzuese që zotërohet nga njerëzit. Ajo zbriti me freski nga burimi i së vërtetës së përjetëshme dhe një dorë hyjnore ka ruajtur e ka ruajtur pastërtinë e saj përgjatë të gjitha kohërave. Ajo ndriçon të shkuarën e hershme, atje ku përpjekjet njerëzore bëjnë përpjekje të kota për të penetruar. Në fjalën e Perëndisë ne shikojmë me ëndje që vendosi themelet e tokës dhe shtriu skajet e pafund të qiejve. Vetëm këtu (në Bibël) mund të gjejmë historinë e racës njerëzore të padenigruar dhe të panjollë nga paragjykimet dhe krenaria njerëzore. Këtu janë dokumentuar betejat, disfatat, si dhe fitoret e njerëzve më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë kjo botë. Këtu janë shpalosur çështjet që kanë të bëjnë me detyrimet e njeriut ndaj Perëndisë, dhe e destinacioni përfundimtar i tij. Në Shkrimet e Shenjta, perdja që ndan botën e dukshme nga e padukshmja tërhiqet mënjanë, dhe neve na jepet mundësia që të shikojmë konfliktin e ashpër ndërmjet dy forcave kundërshtuese, të mirës dhe të keqes, që nga hyrja e parë e mëkatit deri në triumfin përfundimtar të virtytshmërisë, drejtësisë dhe të vërtetës; dhe gjithçka nuk është asgjë tjetër veçse një zbulësë e karaktërit të Perëndisë. Në refelktimin solemn të të vërtetave që na paraqiten në fjalën e Perëndisë mendja e çdo njeriu ftohet për kuvendim me mendjen infinite (hyjnore). Një studim i tillë jo vetëm që të pasurojë e fisnikërojë karakterin tonë, por gjithashtu është në gjendje që të zgjerojë dhe gjallërojë aftësitë tona mendore. PPAlb 461.3

Mësimi i Biblës është e lidhur katërcipërisht me begatinë dhe suksesin e njeriut në të gjitha marrëdhëniet e fushat e jetës. Ky mësim shpalos parime të tilla të cilat në fakt janë si një gur themeli për begatinë e çdo kombi—parime tek të cilat mirëqënia e shoqërisë mbahet e lidhur fort, dhe që janë garancia mbrojtëse e çdo familjeje— parime pa të cilat askush nuk mund të përftojë leverdi, lumturi, dhe nderime në këtë jetë, apo të mund të shpresojë sigurimin e një jete të përjetshme në të ardhmen. Bibla është përgatitje e domosdoshme për çdo pozitë në të cilën ndodhemi në jetë, si dhe për çdo fazë të eksperiencës sonë njerëzore. Po të studiohet dhe respektohet, Bibla, fjala e Perëndisë, do t’i jepte botës njerëz me intelekt shumë më të zhvilluar e më të fortë sesa kanë për t’u dhënë aplikimet më të ngushta të lëndëve apo temave që nxiten nga filozofia njerëzore. Bibla do të formonte njerëz të fortë e me karakter të hekurt, njerëz me perceptim të thellë dhe gjykim të shëndoshë—njerëz të cilët në të njëjtën kohë do të ishin nder për Perëndinë dhe bekim për botën. PPAlb 462.1

Për më tepër, në hulumtimin e shkencave, ne duhet të përftojmë një njohuri mbi Krijuesin tonë. Në fakt, e gjithë shkenca e vërtetë nuk është gjë tjetër veçse një përkthim i bukurshkrimit të Perëndisë në botën fizike (materiale). Shkenca sjell nga studimi i saj vetëm evidenca të njëpasnjëshme mbi urtësinë dhe fuqinë e Perëndisë. Kur kuptohet siç duhet, si libri i hapur i natyrës, ashtu edhe fjala e shkruar na prezantojnë dhe na njohin me Perëndinë duke na mësuar kështu diçka prej ligjeve nëpërmjet të cilëve Ai vepron, ligje të cilat dëshmojnë mençurinë dhe mirësinë e Tij të pafundme. PPAlb 462.2

Nxënësit dhe studentët duhet të drejtohen në mënyrë që ta shohin Perëndinë në të gjitha veprat e krijimit. Mësuesit dhuet të imitojnë shembullin e Krishtit, Mësuesit të Madh, i cili përdori ilustrime nga skenat e njohura të natyrës, të cilat i thjeshtëzuan ndjeshëm mësimet e Tij duke i bërë ato shumë mbresëlënëse për mendjet e audiencave. Zogjtë që cicëronin në degët e pemëve, lulet e luginës, pemët e larta, tokat pjellore, kallinjtë e grurit, toka e djerrë, dielli i përëndimit që ndriçonte qiejt me rrezet e arta— të gjitha këto shërbyen si elementë mësimdhënie. Krishti bëri një lidhje shumë të goditur ndërmjet veprave të dukshme të Krijueseit dhe fjalëvë të jetës që Ai foli, në mënyrë të tillë që kurdoherë që këto objekte apo imazhe të paraqiteshin përpara syve të atyre që e dëgjonin, mendja t’u shkonte menjëherë tek mësimet e së vërtetës që Ai i kishte bashkangjitur me to. PPAlb 462.3

Mbi malet e larta madhështore, nëpër luginat e frytshme, në oqenanet e mëdhenj e të thellë shikohet dora krijuese e Perëndisë, e cila na bëhet e ditur në këto faqe të zbulesës hyjnore. Elementët e natyrës i dëshmojnë njeriut për dashurinë e Krijuesit të tij. Në fakt, Perëndia na ka lidhur me Veten me anë të dhuratave të panumërta në qiell e tokë. Kjo botë nuk është e gjitha e mjeruar dhe e shkretë. Mbi çdo syth që çel, mbi çdo petal të luleve, dhe mbi çdo fije bari është shkruar “Perëndia është dashuri.” (- 1 Gjonit 4:14). Ndonëse mallkimi i mëkatit ka bërë që në tokë të mbijnë ferra e barëra të këqinj, mbi këto barëra të këqinj ka lule, ndërsa gjembat mbulohen prej trëndafilave. Të gjitha gjërat në natyrë dëshmojnë për përkujdesjen prindërore dhe të dhembshur të Perëndisë dhe dëshirën që Ai ka për t’u dhuruar lumturi fëmijëve të Tij. Ndalimet dhe urdhërat e Tij nuk kanë për synim që vetëm të tregojnë autoritetin e Tij, por në gjithçka që Perëndia bën për ne, ai ka parasysh mirëqënien tonë, sepse jemi fëmijët e Tij. Ai nuk kërkon prej nesh që të heqim dorë nga ndonjë gjë që do të ishte e vlefshme dhe e dobishme për t’u mbajtur. PPAlb 462.4

Mendimi mbizotërues në disa shtresa të shoqërisë, se religjioni nuk është i favorshëm apo ndihmues për shëndetin apo për lumturinë në këtë jetë, është njëri prej pasaktësive më djallëzore. Shkrimi i shenjtë thotë: “Druajtja ndaj Zotit të çon në jetë; kush e ka do të mbetet i ngopur...” - Fjalët e Urta 19:23. “Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën? Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra. Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.” - Psalmi 34:12-14. Fjalët e mençura “janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.” - Fjalët e Urta 4:22. PPAlb 463.1

Besimi i vërtetë e sjell njeriun në harmoni me ligjet e Perëndisë, qofshin këto fizike, mendore, apo morale. Ai të mëson vetë-kontroll, qetësi, durueshmëri dhe përmbajtje. Besimi e finsikëron mendjen, e pasuron shijen, dhe shenjtëron gjykimin. Ai e bën njeriun pjesëmarrës së pastërtisë së qiellit. Besimi në dashurinë e Perëndisë si dhe përkujdesja e Tij mbi gjithçka lehtëson barrë e ankthit e të mundimit. Ai e mbush zemrën e çdo njeriu pa përjashtim me gëzim dhe kënaqësi. Për më tepër, besimi ka tendencën që të përmirësojë shëndetin, të zgjasi jetën, si dhe të thellojë kënaqësinë e të gjitha bekimeve që ai përmban. Ai hap për shpirtin një burim lumturie që nuk njeh fund. Ah sikur të gjithë ata që nuk e kanë zgjedhur Krishtin të mund të kuptonin se Ai ka diçka shumë më të mirë për t’iu ofruar se ajo që po kërkojnë vetë. Njeriu vetëm sa i bën dëmin dhe padrejtësinë më të madhe vetvetes kur mendon apo vepron në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Asnjë gëzim i vërtetë nuk mund të gjendet në shtegun e ndaluar prej Tij, sepse Ai di gjithçka më mirë se çdokush tjetër, dhe planifikon gjëra vetëm për të mirën e krijesave të Tij. Shtegu i mbrapshtë i shkeljes të çon vetëm drejt mjerimit dhe shkatërrimit; por “Rrugët e [diturisë] janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja.” - Fjalët e Urta 3:17. Trajnimi fizik dhe religjioz që praktikohej në shkollat e hebrenjve mund të na sjellë shumë përfitime po ta studiojmë. Mjerisht, vlera e këtij trajnimi nuk vlerësohet siç duhet. Ekziston një lidhje intime ndërmjet mendjes dhe trupit dhe për këtë arësye ligjet që kontrollojnë tërësinë tonë fizike duhet të merren parasysh në qoftë se dëshirojmë që të arrijmë një nivel të lartë moral dhe intelektual. Për të siguruar një karakter të fortë, dhe të mirë-balancuar duhet të stërviten dhe zhvillohen si energjitë fizike ashtu edhe ato mendore. Vallë cili studim do të ishte më i rëndësishëmpër të rinjtë e të rejat se sa ai që e ka të bëjë me këtë organizëm të mrekullueshëm që na ka dhënë Perëndia, si dhe me ligjet me anë të së cilëve ai mund të mbahet i shëndetshëm? PPAlb 463.2

Siç ndodhte në kohërat e Izraelit, ahstu edhe në ditët e sotme çdo i ri duhet të udhëzohet në lidhje me detyrat e jetës së përditshme. Të gjithë duhet të përpiqen që të mësojnë sa më shumë duke kryer edhe punë fizike, me anë të së cilës, në rast se lind nevoja, ata mund të sigurojnë bukën e gojës. Kjo është tepër e rëndësishme, jo vetëm kur marrim parasysh pasiguritë e jetës, por edhe për impaktin që kanë mbi shvillimin fizik, mendor, dhe moral. Edhe në rastin kur është gjë e sigurt për dikë se nuk ka pse kryejë punë fizike për të siguruar jetesën, ai person duhet gjithsesi të mësohet me edukatën e punës. Pa ushtrimet fizike, askush nuk mund të gëzojë një fizik energjik dhe shëndet to fortë e të qëndrueshëm. Gjithashtu, disiplina që rrjedh prej punës me orar është e një rëndësie të veçantë sepse siguron një mendje të fortë dhe aktive si dhe një karakter fisnik. PPAlb 464.1

Çdo student duhet të kryejë punë fizike në një orar të caktuar çdo ditë. Kështu kultivohet dhe inkurajohet edukata për punën dhe vetë-mbështejtjen. Ndërkohë, të rinjtë do të mbroheshin nga disa praktika shumë të këqija shthurrëse të cilat në shumicën e rasteve vijnë si pasojë e dembelizmit. Dhe kjo është në linjë me objektivin kryesor të arsimimit, sepse duke inkurajuar jetesën aktive, zellin, dhe pastërtinë ne vijmë në harmoni me Krijuesin. PPAlb 464.2

Të rinjtë bëjnë mirë të kuptojnë qëllimin përse janë krijuar, të nderojnë Perëndinë dhe të jenë bekim për njerëzit që kanë përreth; le të shohin mirë atë dashuri të ëmbël që Ati Perëndi në qiell ka treguar pëe ta, si dhe për të ardhmen e ndritur për të cilën duhet të përgatiten nga disiplina e jetës. Ata bëjnë mirë të kuptojnë dinjitetin dhe nderin në të cilin janë thirrur, pra që të bëhen bij e bija të Perëndisë, dhe kështu me mijëra prej tyre do t’i kthenin shpinën duke e përçmuar atë mënyrë jetese parazite të cilën kanë jetuar e cila u ka ofruar vetëm objektiva egoiste dhe të pamoralshme. Duke qenë kështu, të rinjtë do të mësonin ta urrenin mëkatin dhe ta braktisnin atë, jo thjeshtë nga shpresa e shpërblimit apo frika e ndëshkimit, por nga domethënia e fëlliqësisë që mëkati ka në brendësi të tij. Në fund të fundit, mëkati do të sillte veçse degradim të aftësive dhe fuqive të dhëna nga Perëndia, dhe do të krijonte një njollë mbi karakterin e tyre të perëndishëm. PPAlb 464.3

Perëndia nuk i shtyn të rinjtë që të jenë më lak aspirues. Elementët e karakterit që e bëjnë njeriun të sukesshëm dhe të respektueshëm nga të tjerët—siç është dëshira e papërmbajtshme për të bërë mirë, vullneti i papërkulur, përpjekjet e zellshme, këmbëngulja e palodhur—duhen bërë çmos të inkurajohen. Me hirin e Perëndisë ato mund t’u shërbejnë objektivave të lartë e të lavdërueshëm e jo interesave të ngushtë vetjakë dhe të përkohshëm, ashtu si qiejtë janë shumëmë të lartë se toka. Për më tepër, proçesi mësimor që filon në këtë jetë do të vazhdojë edhe në jetën në vazhdim. Ditë pas dite, veprat e mrekullueshme të Perëndisë, evidencat e diturisë dhe fuqisë së Tij më krijimin dhe mirëmbajtjen e universit, misteri infinit i dashurisë dhe mençurisë nëplanin e shpengimit, do të paraqiten përpara mendjes me një bukuri të paparë. “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan Atë.” Edhe në këtë jetë ne mund të kapim disa grimca të pranisë së Perëndisë dhe mund të shijojmë gëzimin e kuvendimit me Atë që e ka fronin në qiel, por plotësinë e gëzimit dhe bekimit do ta ndjejmë në jetën e paskëtajme. Vetëm përjetësia mund të zbulojë të ardhmen e lavdishme që mund të arrihet nga njerëzit tek të cilët restaurohet imazhi i Perëndisë. PPAlb 464.4