PATRIARKË DHE PROFETË

58/74

57—“ARKA MERRET NGA FILISTINASIT”

*****

Edhe një paralajmërim tjetër do t’i jepej shtëpisë së Eliut. Perëndia nuk mund të komunikonte më me kryepriftin dhe bijtë e tij; mëkatet e tyre, si një re e zezë, e kishin lënë jashtë praninë e Frymës së Shenjtë. Por në mes të ligësisë, fëmija me emrin Samuel i qëndroi besnik Perëndisë së qiellit, dhe komunikimi i mesazhit të verdiktit kundër shtëpisë së Eliut iu besua pikërisht Samuelit, tashmë në rolin e profetit të Më të Lartit Perëndi. 42 PPAlb 449.1

“Fjala e Zotit ishte e rrallë në ato ditë, dhe nuk kishte ndonjë zbulesë të gjerë. Në atë kohë ndodhi që Eliu ishte shtrirë në vendin e tij të zakonshëm (tani shikimi i tij kishte filluar të errësohej dhe ai nuk mund të shikonte). Llampa e Perëndisë nuk ishte shuar akoma dhe Samueli ishte shtrirë në tabernakullin e Zotit, ku gjendej edhe arka e Perëndisë. Atëherë Zoti thirri Samuelin. . .” - 1 Samuelit 3:l b-4. Duke PPAlb 449.2

kujtuar se zëri që e thërriste ishte i Eliut, i riu nxitoi për tek shtrati i priftit, duke thënë: “Ja ku jam, se ti më thirre.” - Vargu 5. Përgjigja e Eliut qe: “Unë nuk të kam thirrur, shko të flesh.” - Vargu 6. Samueli u thirr tri herë dhe të trija herët u përgjigj njësoj. Atëherë Eliu u bind se ajo thirrje e mistershme ishte në fakt zëri i Perëndisë. Zoti e kishte anashkaluar shërbëtorin e Tij të zgjedhur plakun e vjetur të thinjur, për të komunikuar me një djalë ende një moshë të njomë. Kjo gjë në vetvete ishte një qortim i rëndë, gjithsesi i merituar ndaj Eliut dhe familjes së tij,. PPAlb 449.3

Megjithatë, në zemrën e Eliut nuk u zgjua asnjë ndjenjë lakmie apo xhelozie. Kështu, e porositi Samuelin që kur ta dëgjonte prapë zërin, t’i përgjigjej, “Folë, o Zot sepse shërbëtori Yt të dëgjon.” - Vargu 9. Edhe një herë u dëgjua i njëjti zë, dhe Samueli u përgjigj, “Folë, sepse shërbëtori Yt të dëgjon.” Kur solli ndër mënd se zëri që po i fliste ishte i Perëndisë së madhërishëm, Samueli u hutua dhe u frikësua aq shumë saqë nuk i kujtoi dot fjalët që i kishte mësuar Eliu që të thoshte. PPAlb 449.4

“Atëherë Zoti i tha Samuelit: ‘Shiko, Unë jam duke bërë në Izrael një gjë që do të shungullojë veshët e kujtdo që ka për ta dëgjuar. Atë ditë Unë do të kryej kundër Eliut të gjitha ato që thashë lidhur me shtëpinë e tij, nga fillimi deri në fund. Po i deklaroj që jam bërë gati të ndëshkoj shtëpinë e tij për gjithnjë, për shkak të paudhësisë që e karakterizon, sepse bijtë e tij janë bërë të neveritshëm dhe ai nuk i ka frenuar. Prandaj Unë i betohem shtëpisë së Eliut që paudhësia e shtëpisë së Eliut nuk do të shlyhet kurrë me flijime dhe me blatime’.” - Vargjet 11-14. PPAlb 449.5

Përpara se ta merrte këtë mesazh nga Perëndia, “Samueli nuk e njihte akoma Zotin, dhe as fjala e Tij nuk i ishte shfaqur akoma;” (- Vargu 7) me fjalë të tjera, Samueli nuk ishte mësuar me manifestime të tilla të drejtpërdrejta të pranisë së Perëndisë, siç u kishte ndodhur më parë profetëve. Por Zoti kishte vendosur posaçërisht që të shfaqte Veten në një mënyrë të papritur, me qëllim që Eliu ta dëgjonte verdiktin nëpërmjet habisë dhe hetimit të të riut. PPAlb 449.6

Samueli u mbush me frikë dhe me habitje kur e kuptoi se sapo kishte marrë nga Zoti një mesazh të tmerrshëm. Në mëngjes, ai nisi të kryente punët si zakonisht, por me një barrë mjaft të rëndë për zemrën e tij rinore. Zoti nuk e kishte urdhëruar që ta shfaqte atë denoncim të frikshëm, kështu që ai e mbajti gojën mbyllur, duke iu shmangur me sa kishte mundësi pranisë së Eliut.Ai kishte frikë se mos ndonjë pyetje e Eliut do ta detyronte që të shpallte ndëshkimin hyjnor kundër një personi të cilin e deshte dhe e respektonte. Nga ana tjetër, Eliu ishte i sigurt se mesazhi parashikonte një fatkeqësi të madhe për të dhe familjen e tij. Kështu, ai e thirri Samuelin, dhe i kërkoi që t’i tregonte me sinqeritet të plotë se çfarë i kishte shfaqur Perëndia. I riu iu bind, dhe plaku i thinjur u përkul me përulësi të plotë ndaj ndëshkimit të tmerrshëm dhe tha: “Ai është Zoti; le të bëjë atë që Atij i duket me vënd.” - Vargu 18. PPAlb 450.1

Megjithatë, Eliu nuk tregoi frytet e një pendimi të vërtetë. Ai e rrëfeu fajin e vet, por dështoi në denoncimin e mëkatit. Vit pas viti, Zoti e vonoi ndëshkimin kërcënues që kishte bërë. Gjatë atyre vjetëve mund të ishte bërë shumë për të shlyer fajet dhe dështimet e së shkuarës, por prifti plak nuk morri asnjë masë efikase për të korrigjuar dhe zhdukur ligësitë që po ndotnin shenjtëroren e Zotit dhe që po çonin me mijëra veta drejt shkatërrimit. Zemërgjërësia dhe durimi i treguar nga ana e Perëndisë bënë që Hofniu dhe Finehasi ta ashpërsonin edhe më shumë zemrën dhe të tregoheshin edhe më shumë arrogantë në shkeljet e rënda që bënin. Mesazhet paralajmëruese dhe qortuese ndaj familjes së tij ishin bërë të ditura nga Eliu përpara mbarë kombit. Me anë të kësaj, Eliu u përpoq që të luftonte, deri në njëfarë mase, influencën e keqe që kishte ardhur si pasojë e neglizhencës që kishte treguar në të shkuarën. Por këto paralajmërime u hodhën poshtë nga njerëzit, ashtu siç ishin hedhur poshtë nga priftërinjtë. Edhe njerëzit nga kombet përreth, të cilët ishin në dijeni të plotë të fëlliqësive që praktikoheshin në Izrael, u bënë edhe më të paturpshëm në veprimet e tyre idhujtare dhe kriminale. Ata nuk ndjenin asnjë ndjenjë faji. Këtë faj ata do ta ndjenin vetëm në rast se izraelitët do ta kishin ruajtur integritetin e tyre moral. Por dita e hakmarrjes po afronte. Autoriteti i Perëndisë ishte flakur tutje, ndërsa adhurimi i Tij ishte neglizhuar e përçmuar, kështu që u bë e domosdoshme që Zoti të ndërhynte, në mënyrë që nderi i emrit të Tij të mund të ruhej. PPAlb 450.2

“Izraeli doli të luftojë kundër Filistejve dhe ngriti kampin e tij pranë Eben-Ezerit, ndërsa Filistejtë u vendosën pranë Atëkut.” - 1 Samuelit 4:lb. Kjo ekspeditë u ndërmorr nga izraelitët pa u konsultuar fare me Perëndinë, dhe pa marrë pëlqimin e kryepriftit apo të profetëve. “Pastaj Filistinasit u rradhitën për betejë kundër Izraelit; dhe filloi një betejë e madhe, por Izraeli u mund nga filistinasit të cilët vranë në fushën e betejës rreth katër mijë veta.” - Vargu 2. Pasi ushtria që mbeti, e shpartalluar dhe e dëshpëruar, u kthye sërish në vendfushim, “pleqtë e Izraelit thanë: “Përse vallë na mundi sot Zoti përpara filistinasve?” - Vargu 3a. Kombi izraelit në fakt e kishte mbushur kupën për ndëshkimin hyjnor. Mjerisht, ata gjithsesi nuk e kuptuan se kjo katastrofë e tmerrshme kishte ndodhur si pasojë e mëkatit të tyre në rritje. Kështu thanë, “Të shkojmë të marrim në Shiloh arkën e besëlidhjes së Zotit, në mënyrë që të ndodhet në mes nesh dhe të na shpëtojë nga duart e armiqve tanë!” - Vargu 3b. Zoti nuk kishte dhënë as urdhër dhe as leje që arka e shenjtë të vinte pranë ushtrisë; gjithsesi, izraelitët u ndjenë mëse të sigurt që tashmë fitorja do të ishte e tyrja, dhe brohoritën me të madhe kur arka u soll në vendfushim nga bijtë e Eliut. PPAlb 450.3

Filistinasit e konsideronin arkën si perëndinë e Izraelit. Pra sa për filistinasit, të gjitha mrekullitë që Zoti Perëndi (Jahveh) kishte kryer për Izraelin, kishin ndodhur në sajë të fuqisë që ndodhej brënda arkës. Kur dëgjuan brohoritjet e izraelitëve me ardhjen e arkës, filistinasit u thoshin njëri-tjetrit, ” ‘Çfarë kuptimi ka buçima e kësaj britme të madhe në kampin e Hebrenjve?.’ Pastaj mësuan se arka e Zotit kishte arritur në kamp. Kështu filistinasit u trembën, sepse thonin: ‘Perëndia erdhi në kamp’ Dhe thirrnin: ‘Mjerë ne! Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga duart e këtyre perëndive të fuqishme? Këto janë perënditë që i goditën egjiptasit me lloj lloj murtajash në shkretëtirë. Qëndroni të fortë dhe silluni si burra, o filistinas që të mos bëheni skllevër të hebrenjve, ashtu si ata qenë skllevërit tuaj. Silluni si burra dhe luftoni’!” - Vargjet 6-9. PPAlb 451.1

Filistinasit kryen një sulm të furishëm, i cili solli shpartallimin e ushtrisë izraelite në një kasaphanë të madhe. Kufomat e tTridhjetë mijë luftëtarëve kishin mbushur fushën ndërsa arka e Perëndisë ishte marrë. Të dy bijtë e Eliut ishin vrarë në përjekje për ta mbrojtur atë. Kështu, edhe një herë tjetër, u la një dëshmi në faqet e historisë për të gjithë brezat e ardhshëm—se fëlliqësia që kryhet nga ata njerëz që pretendojnë se besojnë në Perëndi nuk ka për t’u lënë pa ndëshkuar. Sa më e madhe të jetë njohuria e vullnetit të Perëndisë, aq më i madh do të jetë mëkati i atyre që e shpërfillin atë. PPAlb 451.2

Katastrofa më e tmerrshme që mund t’i kishte ndodhur Izraelit, ndodhi. Arka e Perëndisë ishte rrëmbyer, dhe ndodhej nën zotërimin e armikut. Me të vërtetë që lavdia ishte larguar prej Izraelit kur ky simbol i pranisë dhe fuqisë së qëndrueshme të Zotit Perëndi u hoq prej mesit të tyre. Me këtë orendi të shenjtë shoqëroheshin zbulesat më të mrekullueshme të së vërtetës dhe fuqisë së Perëndisë. Në ditët e hershme, kurdoherë që ishte shfaqur arka, ishin arritur fitore të mrekullueshme. Ajo mbulohej nga krahët e kerubinëve prej floriri, dhe lavdia e papërshkrueshme e Shekinahut, simbolit të dukshëm të më të lartit Perëndi kishte qëndruar mbi të, në vendin më të shenjtë. Por kësaj rradhe, arka nuk kishte sjellë fitore. Ajo nuk kishte shërbyer si mjet mbrojtës në këtë rast, kështu që Izraeli u përfshi i gjithi nga hidhërimi dhe zija. PPAlb 451.3

Ata nuk e kishin kuptuar se besimi i tyre ishte sa për sy e faqe, dhe nuk kishte asnjë vlerë kur i aplikohej Perëndisë. Ligji i Perëndisë, që gjendej brënda arkës, ishte gjithashtu një simbol i pranisë së Tij; por izraelitët i kishin trajtuar atë me përçmim urdhërimet, i kishin përbuzur kriteret e tyre, dhe e kishin brengosur Frymën e Zotit në mesin e tyre. Kur populli i përmbahej parimeve të shenjta (të dhjetë urdhërimeve), Zoti ishte me ta dhe punonte për ta me fuqinë e tij të pashtershme; por kur ata e panë ndryshe arkën, pra duke mos e bërë lidhjen mes saj dhe Perëndisë, dhe kur ata nuk e nderuan vullnetin e Tij duke e respektuar ligjin e Tij, ajo arkë për ta nuk ishte asgjë më shumë se një kuti e rëndomtë. Ata e panë arkën në të njëjtën mënyrë si kombet idhujtarë i shihnin perënditë e tyre, sikur ajo të zotëronte në vetvete elementët e fuqisë dhe shpëtimit. Ata shkelën rëndë ligjin që ajo përmbante; sepse pikërisht adhurimi i arkës çoi në të këqijat e formalizmit, hipokrizisë, dhe idhujtarisë. Mëkatet e tyre i kishin ndarë ata prej Perëndisë, dhe Ai nuk mund t’u jepte atyre fitore deri sa ata të ishin penduar dhe të kishin hequr dorë plotësisht nga fëlliqësia e tyre. PPAlb 451.4

Nuk ishte aspak e mjaftueshme që arka dhe shenjtërorja të gjendeshin në mes të Izraelit. Nuk ishte e mjaftueshme që priftërinjtë të ofronin flijimet, apo që njerëzit të quheshin fëmijët e Perëndisë. Zoti nuk e merr parasysh kërkesën që vjen nga ata që e mbajnë fëlliqësinë në zemër; është shkruar se “në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme.” - Fjalët e Urta 28:9. PPAlb 452.1

Kur ushtria doli për të luftuar, Eliu, plak dhe i verbër, kishte pritur në Shiloh. Ai i kishte pritur pasojat e konfliktit me një parandjenjë shumë të keqe; “sepse zemra e tij dridhej për arkën e Perëndisë.” - 1 Samuelit 4:13. Pasi zënte vend jashtë portës së tabernakullit, Eliu ulej mbi ndenjësen e tij në anë të rrugës çdo ditë, sepse priste me ankth e merak mbërritjen e lajmëtarit nga fusha e betejës. PPAlb 452.2

Më në fund, njëri prej fisit të Benjaminit u kthye nga beteja, “me rroba të grisuara, dhe kokën të mbuluar me dhé,” (- Vargu 12) dhe që kishte ardhur me nxitim drejt rrugës për në qytet. Në nxitim e sipër, ai u fut me nxitim brenda në qëtet duke e lënë pas Eliun plak. Ndërkohë, ai filloi t’u tregonte turmave të shumta lajmin e keq të disfatës dhe humbjes. PPAlb 452.3

Zhurma e kujës dhe vajtimeve mbërriti në veshët e atij që po vrojtonte pranë tabernakullit. Atëherë lajmëtari u soll të vinte tek ai. Kështu, ky burrë i tha Eliut, “Izraeli ia mbathi përpara filistinasve dhe u bë një masakër e madhe në popull; edhe dy bijtë e tu, Hofniu dhe Finehasi kanë vdekur.” Ndonëse ishte një lajm i tmerrshëm, Eliu e kishte përgatitur veten për këtë, dhe pati kurajo ta përballonte. Por kur lajmëtari shtoi, “edhe arka e Perëndisë u morr” (- Vargu 17), çehrja e tij mori një pamje dëshpërimi dhe agonie të papërshkrueshme. Kur solli ndërmend se mëkati i tij (pra, neglizhimi dhe llastimi i të dy djemve) kishte çnderuar në këtë mënyrë Perëndinë, dhe e kishte detyruar Atë që të tërhiqte praninë e Tij prej Izraelit, Eliu u bë aq keq saqë nuk e mbante dot më veten; i ranë të gjitha fuqitë, dhe ra, “theu qafën dhe vdiq.” - Vargu 18. PPAlb 452.4

Gruaja e Finehasit, pavarësisht nga arroganca e të shoqit, ishte një grua që i druhej Zotit. Vdekja e vjehrrit dhe e burrit, dhe mbi të gjitha, lajmi i kobshëm se arka e Perëndisë ishte marrë, shkaktuan edhe vdekjen e saj. Ajo ndjeu se shpresa e fundit për Izraelin kishte marrë fund; dhe në atë orë të pafatë, ajo i vuri emrin djalit që sapo kishte lindur, Ikabod, ose “i palavdishëm;” ndërsa rënkoi dhe tha fjalët e fundit para se të vdiste, duke përsëritur, “Lavdia është larguar prej Izraelit, sepse arka e Perëndisë është marrë.” - Vargu 22. PPAlb 452.5

Por Zoti nuk e kishte braktisur plotësisht popullin e tij, dhe as që do ta lejonte të vazhdonte gjatë krekosja e paganëve. Ai i kishte përdorur filistinasit si një instrument ndëshkues kundër Izraelit, dhe Ai kishte përdorur arkën për t’i ndëshkuar filistinasit. Në kohërat e mëparshme, prania hyjnore e kishte ruajtur nga afër, duke bërë që të ishte forca dhe lavdia e popullit të Tij besnik. Ajo Prani e padukshme do të vazhdonte ta ruante, por duke sjellë tmerr dhe shkatërrim ndër shelësit e ligjit të Tij të shenjtë. Shpesh Zoti përdor armiqtë e Tij më të betuar për të dënuar mosbesnikërinë e popullit që pretendon se është i Tiji. Të këqinjtë mund të triumfojnë për një kohë të caktuar, ndërsa Izraeli duhet të ndëshkohet për fajet e rënda të tij, por koha me siguri do të vinte edhe për ta, që të viheshin përballë verdiktit të një Perëndie që është i shenjtë dhe që e urren mëkatin. Në cilindo vend ku ushqehet e kultivohet ligësia, pa asnjë dyshim e ekuivok, ka për të rënë ndëshkimi hyjnor. PPAlb 452.6

Filistinasit e zhvendosën arkën në triumf e sipër në Ashdod, njërin prej pesë qyteteve më të mëdha të vëndit, dhe e vendosën në tempullin e perëndisë së tyre Dagon. Ata pandehën se fuqia që deri në ato momente e kishte ruajtur nga afër arkën do të bëhej e tyrja, dhe që kjo e fundit, e bashkuar me fuqinë e Dagonit, do t’i bënte ata të pathyeshëm. Por kur hynë në tempullin e tyre pagan të nesërmen në mëngjes, ata u përballën me një pamje që shkaktoi alarm dhe ankth të madh ndër ta. Idhulli i Dagonit “qe rrëzuar me fytyrë përtokë përpara arkës së Zotit Perëndi.” - 1 Samuelit 5:3. Priftërinjtë paganë e morën idhullin dhe duke kryer respektet e rastit, e rivendosën në vendin e tij. Por mëngjesin e së nesërmes, ata e gjetën idhullin e Dagonit të cunguar në një mënyrë të pazakontë, sërish me fytyrën përtokë përpara arkës së Zotit Perëndi. Pjesa e sipërme e këtij idhulli i përngjante fytyrës së një njeriu, ndërsa pjesa e poshtme i ngjante imazhit të një peshku. Kësaj rradhe, secila pjese që i përngjante gjymtyrëve njerëzore ishte prerë, dhe kishte mbetur vetëm trupi i cunguar në formë peshku. Si priftërinjtë ashtu edhe populli u shtangën të tmerruar; ata e konsideruan këtë ngjarje të mistershme si një shenjë të keqe profetike, e cila paralajmëronte shkatërrim për ta dhe idhujt e tyre nga ana e Perëndisë së hebrenjve. Për rrjedhojë, ata e zhvendosën arkën nga tempulli dhe e vendosën në një ndërtesë tjetër. PPAlb 453.1

Banorët e Ashdodit u goditën nga një sëmundje e tmerrshme dhe fatale. Pasi kujtuan murtajat që i ishin imponuar Egjiptit nga Perëndia i Izraelit, populli pa tek prania e arkës mes tyre pikërisht arësyen e vuajtjeve dhe sëmundjeve të tyre. Kështu, u vendos që arka të dërgohej në qytetin e Gathit. Por murtaja nuk vonoi dhe ra edhe mbi atë qytet, kështu që burrat e atij qyteti e çuan në Ekron. Në këtë qytet, banorët e pritën arkën të tmerruar, dhe duke thirrur, “Kanë sjellë arkën e Perëndisë të Izraelit tek ne, që të vdesim ne dhe popullsia jonë.” - Vargu 10. Ata u kthyen tek perënditë e tyre për mbrojtje, siç, kishin vepruar më parë banorët e Gathit dhe Ashdodit; por puna shkatërruese vazhdoi edhe më tej, derisa, në dëshpërim e sipër, “britmat e qytetit u ngjit deri në qiell.” - Vargu 12. Duke patur frikë që ta mbanin arkën pranë zonave të banuara, njerëzit e vendosën atë në një fushë të hapur. Por edhe atje ra një murtajë minjsh, e cila infektoi mbarë krahinën si dhe shkatërroi të gjitha prodhimet bujqësore si në fusha ashtu edhe në hambarë. Shkatërrimi i plotë, qoftë nga skamja, qoftë nga sëmundjet, tashmë kërcënonte mbarë vendin. PPAlb 453.2

Për shtatë muaj me rradhë, arka mbeti në Filisti, dhe gjatë kësaj periudhe izraelitët nuk ndërmorrën asnjë përpjekje që ta rekuperonin atë. Por filistinët tashmë ishin po aq në ankth për vete që të çliroheshin nga prania e arkës, sa ç’kishin qenë kur e përftuan më parë në betejë. Në vend që të kishte shërbyer si një burim fuqie për ta, arka e shenjtë ishte kthyer në një barrë të madhe si dhe në një mallkim të rëndë. Megjithatë, ata nuk dinin se çfarë duhet të bënin në këtë situatë; sepse kudo ku transportohej arka, atje fillonin edhe ndëshkimet e Perëndisë. Kështu, populli u bëri thirrje të parëve të kombit, së bashku me priftërinjtë paganë dhe shortarët, duke u kërkuar me përgjërim, “ç’duhet të bëjmë me arkën e Zotit? Na tregoni mënyrën që duhet të ndjekim për ta kthyer në vendin e saj.” - 1 Samuelit 6:2. Ata u këshilluan që ta rikthenin arkën duke e shoqëruar me një ofertë të kushtueshme për shkeljen. “Atëherë,” thanë priftërinjtë, “do të shëroheni dhe do të mësoni pse dora e [Zotit] nuk ju është ndarë.” - Vargu 3. PPAlb 453.3

Për mbrojtjen kundër një murtaje apo heqjen e saj, ndër paganët ekzistonte një zakon i lashtë që kërkonte bërjen e një forme apo imazhi në ar, argjënd apo në ndonjë matërial tjetër të çmuar, të asaj gjëje që kishte shkaktuar murtajën, ose të objektit apo pjesës së trupit që ishte lënduar më shumë. Kjo formë vendosej pastaj mbi një shtizë ose në një vend të dukshëm, dhe supozohej që i mbronte njerëzit me efikasitet ndaj të këqijave të simbolizuara nga forma. Një praktikë e ngjashme ekziston edhe sot e kësaj dite ndër disa popuj paganë. Kur një person që vuan nga një sëmundje shkon për t’u shëruar për tek tempulli i idhullit të tij, ai mbart me vete një figurë të pjesës së lënduar, të cilën ai e paraqet si një ofertë për perëndinë e tij. PPAlb 454.1

Në përputhje me bestytninë që mbizotëronte kudo, të parët e Filistisë i porositën njerëzit që të bënin figura që simbolizonin murtajat me të cilat ishin sulmuar—“pesë hemorroide ari dhe pesë minj ari, sipas numrit të të parëve të filistinasve, sepse,” thanë ata, “e njëjtë murtajë ka rënë mbi ju të gjithë, dhe mbi të parët tuaj.” - Vargu 4. PPAlb 454.2

Këta burra të ditur pranuan me këtë rast praninë e një fuqie misterioze që e shoqëronte arkën—një fuqi të cilën ata me zgjuarsinë e tyre nuk e përballonin dot. Megjithatë, ata nuk e këshilluan popullin e tyre që ta braktisnin idhujtarinë dhe t’i shërbenin Zotit Perëndi. Ata e urrenin ende Perëndinë e Izraelit, ndoënse ishin ishin të detyruar nga verdiktet e Tij ndëshkuese që t’i nënshtroheshin autoritetit të tij. Kështu të gjithë njerëzit e këqinj mund të binden nga ndëshkimet e Perëndisë se është e kotë që ata të luftojnë kundër Tij. Ata mund të detyrohen që t’i binden fuqisë së Tij, ndërkohë që në zemrën e tyre ende rebelohen kundër kontrollit të Tij. Një nënshtrim i tillë nuk i shpëtonë këta njerëz mëkatarë. Zemra duhet t’i jepet plotësisht Zotit—duhet të nënshtrohet nga hiri hyjnor—dhe vetëm pas kësaj mund të pranohet pendesa e njeriut. PPAlb 454.3

Sa madhështore është zemërgjërësia dhe mëshira e Perëndisë ndaj të këqinjve! Filistinasit idhujtarë dhe bashkë me ta edhe izraelitët bukëshkalë i kishin shijuar së bashku frytet që siguroheshin nga Perëndia. Dhjetë mijë mëshira të palajmëruara po binin qetësisht në rrugën e këtyre njerëzve mosmirënjohës dhe rebelë. Çdo bekim që merrnin vinte nga Perëndia, dhe ata e dinin mirë këtë. Mjerisht, ata u treguan indiferentë ndaj dashurisë hyjnore. Në fakt, durimi i Perëndisë ka qenë shumë i madh ndaj racës njerëzore, por kur ata kanë vazhduar me kokëfortësi dhe pa u penduar në rrugën e tyre të keqe, Perëndia e ka hequr prej Tyre dorën e Tij mbrojtëse. Ata nuk kanë begenisur që ta dëgjojnë zërin e Perëndisë që kumbon nga veprat e Tij, si dhe në paralajmërimet, këshillat dhe qortimet e mesazheve të Tij, kështu që Ai është detyruar që t’u flasë atyre nëpërmjet ndëshkimeve. PPAlb 454.4

Kishte disa prej Filistinasve të cilët ishin të gatshëm të pengonin me çdo kusht kthimin e arkës për në vendin nga kishte ardhur. Këta njerëz e shihnin pranimin publik të fuqisë së Perëndisë së Izraelit si poshëruese dhe fyese për krenarinë e Filistisë. Por “priftërinjtë dhe shortarët” iu lutën popullit që të mos imitonin kokëfortësinë e faraonit dhe të egjiptasve, që të mos sillnin fatkeqësi e shkatërrime edhe më të mëdha për veten e tyre. Më në fund u formulua një plan që u pranua nga të gjithë, dhe u vu menjëherë në zbatim. Arka, e shoqëruar me ofertën e artë për shkeljen e rëndë (ofertë zhdëmtimi), u vendos në një qerre të re e të papërdorur, pra duke shmangur kështu rrezikun e ndotjes. Pastaj, ata morën dy lopë qumështore mbi të cilat nuk ishte vënë asnjëherë zgjedha. Viçat e tyre u çuan larg në stallë, dhe lopët u lanë të lira të shkonin nga të dëshironin. Në qoftë se arka duhej t’i rikthehej izraelitëve nga rruga për në Beth-shemesh, qyteti më i afërt që ishte pjesë e fisit të Levit, filistinasit do ta pranonin këtë si një shenjë se Perëndia i Izraelit ishte Ai që ua kishte shkaktuar këto fatkeqësi; “në rast se jo,” thanë ata, “atëherë do ta marrim vesh se nuk paska qenë dora e Tij që na ka goditur; ishte një rastësi që na ndodhi.” - Vargu 9. PPAlb 455.1

Pasi u lanë të lira, lopët qumështore i lanë prapa viçat, duke pëllitur ndërsa ecnin, dhe menjëherë morën rrugën drejt Beth-shemeshit. Kafshët e durueshme që nuk udhëhiqeshin nga asnjeri, vazhduan rrugën për një kohë të gjatë. Prania hyjnore e shoqëronte arkën, dhe kjo e fundit u mbart e sigurt deri në vendin e caktuar. PPAlb 455.2

Ishte koha e korrjes së grurit, dhe banorët e Beth-shemeshit po korrnin në luginën jashtë qytetit. “Dhe pasi ngritën sytë lart, panë arkën dhe u gëzuan që e panë. Dhe qerrja mbërriti në fushën e Jozueut nga Beth-shemeshi, dhe u ndal atje ku ndodhej një gur i madh; kështu ata e çanë lëndën drusore të qerres dhe i ofruan lopët qumështore si një ofertë flijimi për Zotin ” - Vargjet 13, 14. Atëherë, të parët e filistinasve, pasi e kishin ndjekur nga larg arkën “deri në kufirin me Beth-shemeshin,” dhe kishin dëshmuar marrjen në dorëzim të saj, u kthyen në Ekron. Murtaja ishte ndërprerë, dhe kështu u bindën se fatkeqësitë që u kishin rënë kishin qenë ndëshkime nga Perëndia i Izraelit. PPAlb 455.3

Banorët e Beth-shemeshit e shpërndanë me shpejtësi të madhe lajmin e gëzueshëm se arka tashmë ishte marrë sërish në zotërimin e tyre, dhe njerëzit e krahinave përreth vërshuan në këtë vend për të mirëpritur kthimin e arkës. Arka ishte vendosur mbi gurin që shërbeu në fillim si altar, përpara të cilit u ofruan flijime shtesë për Zotin. Në rast se adhuruesit do të ishin penduar për mëkatet e tyre, bekimet e Perëndisë do të kishin qenë me ta. Por ata nuk po e zbatonin me besnikëri ligjin e Tij;dhe ndërkohë që ngazëlleheshin për rikthimin e arkës si një mjet që u sillte mbarësi, ata nuk kishin aspak konceptin e duhur në lidhje me shenjtërinë e arkës. Në vend që të përgatitnin një vend të përshtatshëm për pritjen e saj, ata e lanë të qëndronte në fushën që po korrej. Ndërsa vazhdonin të shikonin nga afër atë kuti të shenjtë dhe flitnin për mënyrën e jashtëzakonshme se si ishte kthyer, ata filluan të spekullonin se ku ndodhej fuqia e saj e veçantë. Më në fund, të mposhtur nga kurioziteti i tepërt, ata hoqën mbulesat dhe guxuan ta hapin. PPAlb 455.4

I gjithë Izraeli ishte porositur që ta konsideronte arkën me një respekt dhe solemnitet të thellë. Kur u kërkohej që ta lëviznin nga njëri vend në tjetrin, levitëve nuk u lejohej që ta shihnin nga sipër. Vetëm një herë në vit lejohej kryeprifti që të shikonte arkën e Perëndisë. Madje edhe filistinasit paganë nuk kishin guxuar që të hiqnin mbulesat që kishte arka. Engjëj të qiellit, të padukshëm, e shoqëronin arkën përgjatë të gjitha udhëtimeve që kishte bërë. Ky guxim i tepruar dhe i shëmtuar nuk u la pa ndëshkuar. Shumë veta u goditën dhe vdiqën në vënd. PPAlb 455.5

Duke u nisur nga ky ndëshkim, ata njerëz që nuk u vranë, në vend që të pendoheshin për mëkatin që kishin kryer, vetëm sa filluan ta shihnin arkën me një frikë supersticioze. Tashmë, duke qenë mëse të gatshëm që të çliroheshin nga prania e arkës, por nga ana tjetër, edhe duke patur frikë që ta zhvendosnin atë, banorët e Beth-shemeshit i dërguan fjalë atyre të Kirjath-jearimit, duke i ftuar që ta merrnin arkën. Banorët e këtij vendi e mirëpritën me gëzim të madh ardhjen e kutisë së shenjtë. Ata e dinin fare mirë se ishin përfshirë në një ndërmarrje solemne që u jepej nga favori hyjnor vetëm njerëzve besnikë e të përgjegjshëm. Me një kënaqësi solemne, ata e sollën arkën në qytetin e tyre dhe e vendosën në shtëpinë e Abinadabit, nga fisi i Levit. Abinadabi caktoi birin e tij Eleazar që të përkujdesej për arkën, dhe kjo e fundit qëndroi në atë vend për vite të tëra. PPAlb 456.1

Gjatë viteve që kishin rrjedhur që nga koha kur Zoti shfaqiu Vetveten ndaj birit të Hanës, thirrja e bërë Samuelit për detyrën e profetit ishte njohur nga mbarë kombi. Duke e transmetuar me besnikëri paralajmërimin hyjnor ndaj shtëpisë së Eliut, ndonëse kishte qenë një detyrë e dhimbshme dhe e mundimshme, Samueli kishte dhënë prova më se të mjaftueshme mbi besnikërinë që e karakterizonte si lajmëtar i Zotit Perëndi. “dhe Zoti ishte me të dhe nuk la të shkonin kot asnjë nga fjalët e tij. Tërë Izraeli, nga Dani deri tek Beer-Sheba e dinte se Samueli ishte bërë një profet i Zotit.” - 1 Samuelit 3:19, 20. PPAlb 456.2

Në rang kombi, izraelitët vazhduan përsëri në rrugën e idhujtarisë dhe fëlliqësisë, dhe si dënim, ata mbetën vasalë ndaj filistinëve për një kohë të gjatë. Gjatë kësaj periudhe Samueli kreu vizita nëpër vend, në qytete dhe fshatra, duke u përpjekur t’i sillte zemrat e njerëzve tek Perëndia i etërve të tyre; dhe këto përpjekje të tija sollën rezultate goxha të mira. Pasi e duruan shtypjen e sunduesve për njëzet vjet, izraelitët, “iu ankuan Zotit.” - 1 Samuelit 7:2. Samueli nga ana e tij i këshilloi: “Në rast se ktheheni tek Zoti me gjithë zemër, hiqni nga gjiri juaj perënditë e huaja dhe Ashtarothin (një nga perëndeshat pagane) dhe përgatitini zemrat tuaja ndaj Zotit, dhe shërbejini vetëm Atij.” - Vargu 3. Në këtë rast, ne shohim një akt të devotshëm dhe shprehje të një besimi që vjen nga zemra. Ky besim mësohej në kohën e Samuelit ashtu siç u mësua nga Vetë Krishti, kur jetoi në tokë. Pa hirin e Krishtit, fasadat fetare të Izraelit të lashtë nuk kishin asnjë lloj vlere. Të njëjta mbeten edhe për Izraelin e sotëm. PPAlb 456.3

Në ditët e sotme ka nevojë për një ringjallje të besimit të vërtetë të zemrës, ashtu siç përjetohej nga Izraeli i lashtë. Pendimi është hapi i parë që duhet të ndërmerret nga të gjithë ata që dëshirojnë të kthehen tek Perëndia. Askush nuk mund ta bëjë këtë punë për një tjetër. Ne duhet që të përulemi individualisht përpara Perëndisë, si dhe të flakim tutje idhujt tanë. Kur i kemi bërë të gjitha këto gjëra, Yoti ka për të na shfaqur të gjithëve shpëtimin që vjen prej Tij. PPAlb 456.4

Me bashkëpunimin e krerëve të fiseve, në Mizpeh u mblodh një asamble e madhe. Në këtë vënd u mbajt një festë solemne. Njerëzit rrëfenin mëkatet me një përulësi të thellë; dhe për të treguar vendosmërinë për t’iu përmbajtur udhëzimeve që kishin dëgjuar, ata e veshën Samuelin me autoritetin e gjykatësit. PPAlb 457.1

Filistinasit e konsideruan këtë mbledhje sikur të ishte kushtrim lufte, dhe kështu grumbulluan ushtritë dhe u lëshuan për t’i shpërndarë izraelitët përpara se këta të fundit të vinin në zbatim planet e tyre. Lajmi për afrimin ehordhive filistinase shkaktoi tmerr të madh në Izrael. Njerëzit i luteshin Samuelit, “Mos e ndërpre klithmën tënde për neve tek Zoti, që Ai të na shpëtojë nga duart e filistinasve.” - Vargu 8. PPAlb 457.2

Ndërkohë që Samueli ishte në mes të paraqitjes së një qengji si një ofertë flijimi ndaj Perëndisë, filistinët u afruan për dyluftim. Atëherë, Peëndia i plotfuqishëm. Ai që kisht ezbritur mbi Malin Sinai përmes flakëve, tymit dhe vetëtimave, Ai që kishte ndarë më dysh Detin e Kuq dhe që bëri një rrugë përmes Lumit Jordan për pasardhësit e Izraelit, e tregoi edhe një herë fuqinë e Tij. Një furtunë e tmerrshme u lëshua mbi armiqtë që po mësynin, dhe toka u mbush me kufomat e atyre luftëtarëve të fuqishëm. PPAlb 457.3

Izraelitët kishin qëndruar të heshtur dhe solemnë, duke u dridhur nga shpresa dhe frika. Por kur panë se si u kositën armiqtë e tyre, ata e kuptuan se Perëndia e kishte pranuar pendimin që kishin bërë. Ndonëse të papërgatitur për luftë, ata i konfiskuan armët e filistinasve të vrarë, dhe iu vunë nga pas ushtarëve të arratisur në drejtim të Beth-kharit. Kjo fitore e paharrueshme u korr në të njëjtën fushë ku, njëzet vjet më parë, Izraeli ishte mundur si mos me keq nga filistinasit, priftërinjtë ishin vrarë, dhe arka e Perëndisë ishte rrëmbyer. Për kombe të tërë ashtu si edhe për individë të veçantë, rruga e besnikërisë ndaj Perëndisë është rruga e sigurisë dhe lumturisë, ndërsa rruga ajo e mosbindjes të çon veçse drejt shkatërrimit dhe disfatës. Kësaj rradhe, filistinasit u shpartalluan aq rëndë, sa që dorëzuan të gjitha fortesat që kishin zaptuar në territorin izraelit. Gjithashtu, ata hoqën dorë nga çdo lloj akti armiqësor për vite të tëra. Shumë kombe të tjerë ndoqën të njëjtin shembull, dhe rrjedhimisht, izraelitët shijuan paqen deri në fund të përiudhës administrative të Samuelit. PPAlb 457.4

Me qëllim që kjo ngjarje të mos harrohej, Samueli ngriti një gur të madh si një përkujtimore ndërmjet Mizpehut dhe Shenit. Ai e quajti këtë përkujtimore Ebenezer, “shkëmbi i ndihmës,” duke i thënë popullit, “Deri këtu Zoti Perëndi na ka ndihmuar.” - Vargu 12. PPAlb 457.5