PATRIARKË DHE PROFETË
6—“SETHI DHE ENOKU”
*****
Adamit iu dha një djalë tjetër, i cili do të ishte pasardhësi i premtimit hyjnor, trashëgimtari i të drejtës shpirtërore të dhënë pas lindjes. Emri “Seth”, që iu vu birit të Adamit, do të thoshte “i caktuar” ose “kompensim;” “sepse,” tha nëna, “Perëndia më dha një tjetër pasardhës në vend të Abelit, i cili u vra nga Kaini.” - Zanafilla 4:25. Sethi kishte paraqitje më të fisme, sesa Kaini apo Abeli dhe i ngjante Adamit më shumë se dy djemtë e tjerë. Ai kishte një karakter të denjë dhe ndoqi pas hapat e Abelit. Megjithatë, Sethi nuk trashëgoi më shumë mirësi natyrale se Kaini. Përsa i përket krijimit të Adamit, në Shkrimet e Shenjta shkruhet: “Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë.” - Zanafilla l:27a; por njeriut, pas rënies në mëkat, “i lindi një djalë, që i përngjiste atij, sipas shëmbëlltyrës së tij.” - Zanafilla 5:3. Ndërsa Adami u krijua i pamëkat, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, Sethi, si Kaini trashëgoi natyrën njerëzore të rënë në mëkat të prindërve të tij. Por, gjithashtu, atij iu dha njohuria e Shpenguesit si dhe udhëzimet për një jetë të virtytshme. Me anë të hirit hyjnor, Sethi i shërbeu dhe nderoi Perëndinë dhe u mundua, gjatë gjithë jetës, ashtu siç kishte për të bërë dhe Abeli, po të kishte qenë gjallë, të kthente mendjet e njerëzve mëkatarë, në mënyrë që këta t’i bindeshin dhe të respektonin Krijuesin e tyre. PPAlb 43.1
“Edhe Sethit i lindi një djalë, të cilin e quajti Enosh. Atëherë njerëzit filluan të kërkojnë emrin e Zotit.” - Zanafilla 4:26. Besimtarët e kishin adhuruar Perëndinë më përpara; por, ndërsa raca njerëzore po shtohej në numër, dallimi ndërmjet dy klasave apo grupeve u bë gjithmonë e më i dukshëm. Në njërin grup kishte një pranim të hapur besnikërie ndaj Perëndisë, ndërsa në tjetrin neveri dhe mosbindje. PPAlb 43.2
Para rënies në mëkat, prindërit tanë të pare kishin mbajtur të shenjtë ditën e Sabatit (që zgjat nga perëndimi i diellit ditën e premte në perëndimin e diellit ditën e shtunë, shih Zanafilla 1:31 - 2:3), gjë e cila ishte themeluar që në Eden; por, edhe pas përzënies nga Parajsa, ata e vazhduan mbajtjen e Sabatit. Ata i kishin provuar frytet e hidhura të mosbindjes dhe kishin mësuar atë, që herët a vonë do ta mësojë çdokush, që shkel me këmbë urdhërimet e Perëndisë, se normat hyjnore janë të shenjta dhe të pandryshueshme dhe që shkelja e tyre nuk do të lihet e pandëshkuar. Dita e Sabatit, apo shkurt Sabati nderohej nga të gjithë fëmijët e Adamit, që mbetën besnikë ndaj Perëndisë. Por Kaini dhe pasardhësit e tij nuk e respektuan ditën, gjatë së cilës vetë Perëndia ishte prehur. Ata zgjodhën kohën për të punuar apo çlodhur me kokën e tyre, pavarësisht nga urdhri i qartë i Zotit. PPAlb 43.3
Pas marrjes së mallkimit të Perëndisë, Kaini u largua nga familja e atit të tij. Ai e kishte zgjedhur prej kohësh zanatin e punëtorit të tokës dhe tani themeloi një qytet duke e quajtur sipas emrit të djalit të tij më të madh. Ai ishte larguar nga prania e Perëndisë, kishte hedhur tutje premtimin për rikthimin e Edenit, për të kërkuar pronat e kënaqësitë e veta në tokën, që ishte nën mallkimin e mëkatit. Kështu, Kaini rreshtohet në krye të grupit të madh të njerëzve, që adhurojnë perëndinë e kësaj bote. Pasardhësit e tij lanë nam duke u dhënë tërësisht pas gjërave tokësore dhe materiale. Por, kjo sjellje ishte përbuzëse ndaj Perëndisë dhe në kundërshtim me qëllimin e tij për njerëzimin. Krimit të vrasjes, të cilit Kaini i kishte venë firmën e vet, Lameku, i pesti në brez (prejardhje) i shtoi dhe poligaminë. Për më tepër, me një mospërfillje provokuese, Lameku pranoi ekzistencën e Perëndisë vetëm për të siguruar jetën e vet, nga frika e hakmarrjes ndaj Kainit. Abeli kishte jetuar si barí duke banuar në tenda dhe barraka. Pasardhësit e Sethit zgjodhën të njëjtën rrugë, duke konsideruar veten si “të huaj dhe shtegtarë mbi dhé,” që kërkojnë “një atdhe më të mirë, domethënë, një atdhe qiellor.” - Hebrenjve 11:13,16. PPAlb 43.4
Për një kohë të caktuar, dy grupet ndenjën të veçuar nga njëri-tjetri. Pasardhësit e Kainit lëvizën nga vendi, ku ishin përqëndruar në fillim dhe u shpërndanë nëpër fushat, rrafshinat dhe luginat, ku kishin banuar pasardhësit e Sethit dhe këta të fundit, me qëllim që të shpëtonin nga ndikimi ndotës i tyre, u tërhoqën drejt maleve, ku edhe vendosën të banonin. Për sa kohë që ata jetonin veç, pasardhësit e Sethit e mbajtën të pastër adhurimin ndaj Perëndisë. Por, me kalimin e kohës, ata guxuan të jetojnë të përzier me banorët e luginave. Ky shoqërim solli pasojat më të këqija të mundshme. “Djemtë e Perëndisë panë që vajzat e njerëzve ishin të bukura.” - Zanafilla 6:2a. Pasardhësit e Sethit, të joshur nga bukuria fizike e vajzave të pasardhësve të Kainit, e pezmatuan Perëndinë, kur u martuan me to. Shumë prej adhuruesve të Perëndisë ranë në mëkat nga joshjet dhe tërheqjet, që i kishin shumë pranë, dhe, si pasojë, e humbën karakterin e tyre të veçantë e të shenjtë. Përzierja me të shthurrurit i bëri ata të njëjtë si në frymë ashtu edhe në vepra. Kufizimet e urdhërimit të shtatë (shih - Eksodi 20:14) u shpërfillën dhe ata “morën për gra të gjitha ato, që i zgjodhën vetë.” Vargu 2b. Pasardhësit e Sethit përfunduan “në rrugën e Kainit.” (Judës, vargu 11); ata zgjodhën si prioritet begatinë materiale dhe kënaqësitë e botës, ndërsa neglizhuan urdhërimet e Zotit. Njerëzit, “megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua.” - Romakëve 1:21. Për rrjedhojë, “Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur.” - Vargu 28a. Mëkati u shpërnda nëpër mbarë tokën si një lebër vdekjeprurëse. Për pothuajse një mijë vjet, Adami jetoi i rrethuar nga pasardhësit e tij, si një dëshmi e gjallë e pasojave të mëkatit. Gjatë gjithë kohës, ai u përpoq besnikërisht dhe me përkushtim maksimal të ndalte valën e mëkatit. Ai ishte urdhëruar që t’i edukonte pasardhësit sipas rrugës së Zotit dhe, me kujdes të veçantë, ai i ruajti si thesar gjithçka, që vetë Perëndia i kishte shfaqur dhe ua përsëriti pasardhësve brez pas brezi. Fëmijëve të tij, fëmijëve të fëmijëve të tij, deri në brezin e nëntë, Adami u tregonte për jetesën e lumtur dhe të shenjtë në Parajsë dhe u përsëriste historinë e rënies në mëkat dhe të vuajtjeve, që pasuan nga rënia. Adami u theksonte domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të ligjit të Perëndisë si dhe u shpjegonte masat mëshirëplota, që ishin ndërmarrë për shpëtimin e tyre nga mëkati. Megjithatë, shumë pak syresh i vunë vesh fjalëve të tij. Në raste të shpeshta, Adami do të qortohej rëndë për mëkatin, që kishte sjellë kaq mjerim për pasardhësit e tij PPAlb 44.1
Jeta e Adamit ishte një jetë vuajtjeje, përulësie, keqardhjeje dhe pendimi. Kur u largua nga Edeni, ai u pushtua nga tmerri, kur mendoi se kishte për të vdekur. Ai u njoh me realitetin e hidhur të vdekjes në familjen njerëzore kur Kaini, djali i tij i parëlindur, u bë vrasësi i vëllait të vet. I mbushur me brejtje dhe keqardhjen më të thellë për mëkatin e tij dhe dyfish në zi meqë Abeli vdiq dhe Kaini u mallkua, Adami u kërrus nga dhimbja dhe hidhërimi. Ai u bë dëshmitar i shthurrjes së shpejtë, e cila, përfundimisht, do të shkaktonte shkatërrimin e botës me një përmbytje. Megjithëse prononcimi për vdekjen, që i ishte shpallur nga Krijuesi i vet, në fillim, i ishte dukur gjëja më e tmerrshme, duke parë me sytë e vet pasojat e mëkatit për gati një mijë vjet, Adami e përjetoi si një vepër mëshire nga Perëndia përfundimin e një jete vuajtjeje dhe mjerimi. PPAlb 45.1
Pavarësisht nga ligësia e botës së hershme (para përmbytjes), ajo epokë nuk ishte aspak një erë injorance dhe barbarizmi, siç supozohet shpesh. Njerëzve u garantohej mundësia për të arritur një standart të lartë moral dhe intelektual. Njerëzit e asaj kohe zotëronin një forcë të madhe fizike dhe mendore dhe avantazhet e tyre, për të përftuar njohuri fetare dhe shkencore, nuk njihnin rivalitet. Eshtë gabim të supozohet se, meqë jetuan shumë gjatë, mendjet e tyre patën një pjekuri të vonuar. Në të vërtetë, aftësitë e tyre mendore zhvilloheshin mjaft herët dhe ata, që i druheshin Zotit dhe jetonin në harmoni me vullnetin e Tij, pësonin një rritje edhe më të madhe të njohurisë dhe mënçurisë përgjatë jetës së tyre. Po të viheshin shkencëtarë dhe studiues të ndritur të kohërave tona në kontrast me njerëz të së njëjtës moshë, që jetuan para përmbytjes së kohës së Noeut, ata do të dilnin inferiorë si në fuqinë fizike, ashtu edhe atë mendore. Ndërsa jetëgjatësia e njeriut është shkurtuar dhe fuqia e tij fizike është pakësuar, bashkë me të ka rënë edhe fuqia mendore. Në kohët e sotme ka shumë njerëz, që u jepen studimeve për një përiudhë prej njëzet deri pesëdhjetë vjet dhe bota mahnitet me arritjet e tyre. Por sa të kufizuara janë këto arritje në retrospektivë, kur krahasohen me ato të njerëzve, fuqia mendore dhe fizike e të cilëve zhvillohej për shekuj me radhë! PPAlb 45.2
Eshtë e vërtetë që njerëzit në kohët moderne kanë përparësinë e përdorimit të arritjeve të paraardhësve të tyre. Njerëzit me mendjet e ndritura, të cilët planifikuan, studiuan dhe shkruajtën, e kanë lënë veprën e tyre për brezat e ardhshëm. Por, edhe në këtë aspekt, përparësitë e njerëzve të moçëm, përsa i përket njohurisë njerëzore, ishin shumë më të mëdha. Për qindra vjet, ata kishin mes tyre atë, që ishte formuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, që Vetë Krijuesi e shpalli “të mirë”, njeriun, të cilin Perëndia e kishte mësuar e edukuar me një mençuri të pakrahasueshme për gjërat e botës. Adami kishte mësuar nga Krijuesi historinë e krijimit. Ai vetë qe dëshmitar i shumë ngjarjeve për mëse nëntë shekuj dhe, sigurisht, ua kaloi gjithë këtë njohuri pasardhësve të tij. Banorët e lashtë të parapërmbytjes nuk kishin libra, shënime, apo memuare të shkruara, por, me energjinë e tyre të jashtëzakonshme mendore dhe fizike, ata kishin kujtesë shumë të fortë, në të cilën ishin në gjendje të thithnin dhe të ruanin gjerat, që u komunikoheshin. Nga ana tjetër, ata mund të transmetonin apo riprodhonin gjithçka, që kishin në kujtesë, të padëmtuar dhe pa gabime për pasardhësit e tyre. Dhe, për qindra vjet, kishte të paktën shtatë breza, që jetonin në tokë në të njëjtën kohë. Kjo sigurisht u jepte atyre mundësinë për t’u konsultuar së bashku dhe të përfitonin nga njohuria dhe përvoja e njëri-tjetrit. PPAlb 45.3
Përparësitë, që shijoheshin nga njerëzit e asaj kohe, përsa i përket njohurisë rreth Perëndisë, nëpërmjet veprave të tij, nuk kanë gjetur shokë që prej asaj kohe. Larg prej të qenit një epokë errësire fetare, ajo ishte, përkundrazi, një periudhë kohe shumë e ndritur. E gjithë bota kishte mundësinë të merrte udhëzime nga Adami dhe ata, që i druheshin dhe e respektonin Zotin, kishin gjithashtu Fjalën e Perëndisë, Krishtin si dhe engjëjt e Tij si mësues. Gjithashtu, ata kishin një dëshmi të heshtur mbi të vërtetën, kopshtin e Perëndisë, i cili, për shumë shekuj mbeti në tokë në mes të njerëzve. Lavdia e Perëndisë shfaqej tek porta e Parajsës, që mbrohej nga engjëjt kerubinë. Pikërisht këtu erdhën njerëzit e parë për të adhuruar. Pikërisht këtu u ngritën altarët e tyre dhe, pikërisht këtu, u paraqitën ofertat e flijimet e tyre. Ishte pikërisht këtu vendi, ku Kaini dhe Abeli sollën ofertat e tyre dhe ku Perëndia kishte zbritur të kuvendonte me ta. PPAlb 46.1
Skepticizmi nuk mund ta mohonte dot ekzistencën e Edenit, kur ai shihej me sy, edhe pse hyrja në të nuk lejohej nga engjëjt roje. Rendi i krijimit, objekti i kopshtit, historia e dy pemëve të famshme të tij, aq të lidhura me fatin e njerëzimit, ishin thjesht fakte të pakundërshtueshme. Së fundmi, ekzistenca dhe autoriteti suprem i Perëndisë, detyrimi ndaj ligjit të Tij të shenjtë, ishin të vërteta, që njerëzit vështirë se mund t’i vinin në pikëpyetje, ndërsa Adami jetonte mes tyre. Pavarësisht shthurrjes, që mbizotëronte, kishte një linjë, nga brezi në brez, të njerëzve të shenjtë. Këta njerëz ishin ngritur dhe fisnikëruar nga kuvendimi me Perëndinë dhe jetonin sikur të ishin në shoqërinë e vetë qiellit. Ata ishin njerëz të një intelekti të rrallë, me arritje të mrekullueshme. Ata kishin një mision të shenjtë dhe madhështor: të krijonin një karakter të virtytshëm, të jepnin mësime përkushtimi dhe respekti për Perëndinë, jo vetëm për njerëzit e asaj kohe, por edhe për brezat e ardhshëm. Vetëm disa nga më të njohurit përmenden në Shkrimet e Shenjta, por e vërteta është se, përgjatë të gjitha kohërave, Perëndia ka patur dëshmitarë besnikë, adhurues me zemër të vërtetë. PPAlb 46.2
Për Enokun shkruhet se jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi një djalë. Pas kësaj thuhet se ai eci me Perëndinë për treqind vjet. Gjatë viteve të para, Enoku e kishte dashur, i druhej dhe e respektonte Perëndinë si dhe kishte mbajtur urdhërimet e Tij. Ai i përkiste linjës së shenjtë, atyre që ruajtën besimin e vërtetë, paraardhësit e Atij që ishte premtuar. Enoku e kishte dëgjuar historinë e dhimbshme të rënies në mëkat prej buzëve të vetë Adamit. Por gjithashtu, ai kishte dëgjuar dhe historinë e hatashme mbi hirin e Perëndisë dhe premtimin se një ditë do të vinte Shpëtimtari. Enoku i mbajti shpresat pikërisht te Shpenguesi, që do të vinte. Por vetëm pas lindjes së djalit të tij të parë, Enoku arriti një përjetim më të lartë. Ai u përfshi në një marrëdhënie edhe më të ngushtë me Perëndinë. Tashmë ai i kuptonte më plotësisht detyrat dhe përgjegjësitë që ai kishte, si fëmijë i Perëndisë. Dhe ndërsa përjetoi dashurinë e djalit për babain, besimin e thjeshtë të fëmijës në mbrojtjen e tij, ndërsa ndjeu ëmbëlsinë dhe ndjeshmërinë e thellë të zemrës së tij për djalin e parëlindur, Enoku mori një mësim të vyer e të çmuar. Ai mësoi për dashurinë e mrekullueshme të Perëndisë për njerëzit dhe për dhuratën e Tij për ta, Birin e Tij. Ai mësoi për besimin që fëmijët e Perëndisë mund të kishin tek Babai i tyre qiellor. Ai mësoi për dashurinë e pakrahasueshme dhe të papërshkrueshme të Perëndisë nëpërmjet Krishtit, e cila u bë tema e meditimeve të Enokut ditë e natë dhe, me gjithë entuziazmin dhe ngohtësinë që ndiente në shpirt, ai u përpoq t’ua shfaqte atë dashuri njerëzve, që kishte pranë vetes, aty ku banonte. PPAlb 46.3
Ecja e Enokut me Perëndinë nuk ndodhi në një gjendje ekstaze apo vegimi. Ajo ishte në të gjitha aspektet e jetës së tij të përditshme. Ai nuk u bë heremit, pra, nuk e izoloi veten krejtësisht nga bota, që e rrethonte. Ai kishte një punë për të bërë për Perëndinë në botë. Në familje dhe në marrëdhëniet me njerëzit përreth, si bashkëshort dhe prind, si mik, shok e qytetar, Enoku ishte në gjithçka shërbëtor i patundur dhe i palëkundshëm i Perëndisë. PPAlb 47.1
Zemra e Enokut ishte në harmoni të plotë me vullnetin e Perëndisë. Ndryshe, “A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë marrë vesh më parë?” - Amos 3:3. Dhe kjo ecje do të vazhdonte për treqind vjet. Të paktë janë ata të krishterë, që nuk do të tregoheshin tepër të devotshëm dhe të përkushtuar, po ta dinin se kishin vetëm pak kohë për të jetuar, apo se ardhja e Krishtit do të ndodhte së afërmi. Por besimi i Enokut vetëm sa u forcua, dashuria e tij u bë më e zjarrtë me kalimin e shekujve. PPAlb 47.2
Enoku ishte një burrë me aftësi të mëdha mendore si dhe me njohuri të gjithanshme; ai ishte nderuar nga zbulesa të veçanta nga ana e Perëndisë; megjithatë, edhe duke qenë në bashkëkuvendim të vazhdueshëm me Qiellin, duke pasur një kuptim të qartë të madhështisë dhe përsosmërisë hyjnore, ai mbeti një nga njerëzit më të përulur. Sa më e afërt bëhej lidhja e tij me Perëndinë, aq më thellë e ndiente Enoku dobësinë dhe papërsosmërinë e tij. PPAlb 47.3
I dëshpëruar nga ligësia në rritje e njerëzve të pafé përreth tij dhe i druajtur se pabesia e tyre mund të pakësonte nderimin dhe respektin e tij për Perëndinë, Enoku shmangu shoqërimin e vazhdueshëm me ta dhe kalonte shumë kohë në vetmi duke iu dhënë tërësisht meditimit dhe lutjes. Kështu, ai priti përpara Zotit, duke kërkuar njohuri më të qarta rreth vullnetit të Tij, për ta vënë në zbatim. Për Enokun, lutja ishte si vetë fryma për trupin; mund të thuhet se ai jetonte në atmosferën e vetë qiellit. PPAlb 47.4
Nëpërmjet engjëjve të shenjtë, Perëndia i bëri të ditur Enokut vendimin, që kishte marrë për ta shkatërruar botën me anë të përmbytjes, si dhe i shfaqi detaje të mëtejshme rreth planit të shpengimit të njerëzimit. Me anë të frymës së profecisë, Perëndia e çoi Enokun përmes brezave të ardhshëm, që do të jetonin pas Përmbytjes. Ai i tregoi gjithashtu ngjarjet e madha, që lidhen me ardhjen e dytë të Krishtit në fund të botës. PPAlb 47.5
Enoku kishte vrarë mendjen në lidhje me të vdekurit. Ai kishte përshtypjen se të drejtët dhe të pabesët do të ktheheshin në pluhur së bashku dhe ky do të ishte fundi i tyre. Ai nuk e përfytyronte dot jetën e të drejtëve përtej varrit. Në një vegim profetik, Enokut iu transmetuan fakte, që kishin të bënin me vdekjen e Krishtit, si dhe iu tregua ardhja e Tij në lavdi, i shoqëruar nga të gjithë engjëjt e shenjtë, për të shpëtuar të drejtët nga varri e vdekja. Enoku gjithashtu pa gjendjen e fëlliqur të botës në kohën përpara se të vinte Krishti, për të dytën herë. Brezi, që do të jetonte në atë kohë, do të ishte më arroganti, më mburracaku, më kokëforti në botë; brez që do të shkelte me këmbë ligjin e Perëndisë dhe do të përbuzte planin e Tij të shpëtimit. Ai pa të drejtët, që ishin kurorëzuar me lavdi dhe nder, ndërsa të këqinjtë të përzënë nga prania e Perëndisë dhe të shkatërruar prej zjarrit. PPAlb 47.6
Kështu, Enoku u kthye në një predikues të virtytshmërisë, i cili, si një profet besnik, u lajmëronte njerëzve atë çka i kishte zbuluar Perëndia. Ata, që i druheshin Zotit, e kërkonin këtë njeri të shenjtë, për të marrë udhëzime e lutje prej tij. Enoku punonte haptazi, duke ndarë mesazhet e Perëndisë me këdo, që i dëgjonte fjalët paralajmëruese. Veprimtaria e tij nuk ishte e kufizuar vetëm me pasardhësit e Sethit. Në tokën ku Kaini kishte kërkuar të largohej nga Prania hyjnore, profeti i Perëndisë bëri të ditur skenat e mrekullueshme, që kishte përjetuar në vegimet e tij. “Shikoni,” deklaroi ai, “Ja, Zoti vjen me dhjetëra mijërat e tij të shenjtë, për të bërë gjyqin kundër të gjithëve dhe për të bindur të gjithë të pabesët, në mes tyre, për të gjitha veprat e paudhësisë dhe për të gjitha fjalët fyese, që mëkatarët e pabesë folën kundër Tij.” - Judës, Vargjet 14, 15. PPAlb 48.1
Enoku e denoncoi mëkatin me një guxim të pashembull. Ndërsa u predikonte njerëzve të kohës së tij dashurinë e Perëndisë në Krishtin dhe u përgjërohej të braktisnin udhën e ligësisë, ai qortoi ashpër gjendjen e fëlliqur të asaj kohe dhe i paralajmëroi njerëzit e atij brezi se, pa dyshim, gjykimi do të vinte për shkelësit e ligjit. Ishte Fryma e Krishtit, që foli nëpërmjet Enokut: Fryma nuk prononcohet vetëm me thënie dashurie, dhembshurie dhe përgjërimi; nuk thuhen vetëm gjëra të bukura e të buta nëpërmjet njerëzve të shenjtë. Perëndia vendos në zemrat dhe buzët e lajmëtarëve të Tij të vërteta të tilla, që i përngjajnë një shpate me dy presa. PPAlb 48.2
Fuqia e Perëndisë u ndie nga ata, që dëgjuan zërin e shërbëtorit të Tij. Disa i vunë vesh paralajmërimit dhe hoqën dorë nga mëkatet; por shumica u tallën me mesazhin solemn dhe vazhduan me më shumë guxim rrugën e ligësisë. Bota, përpara përmbytjes së kohës së Noeut, e refuzoi paralajmërimin e Enokut, njeriut që eci me Perëndinë. Në të njëjtën mënyrë, brezi i fundit, që do të jetojë në botë, ka për të shpërfillur paralajmërimet e lajmëtarëve të Zotit. PPAlb 48.3
Përmes një jete me veprimtari të konsiderueshme, Enoku ruajti me përkushtim të thellë bashkëkuvendimin me Perëndinë. Sa më të rënda e kërkuese i kishte punët, aq më të rregullta e të sinqerta i kishte lutjet. Për periudha të caktuara, ai vazhdonte të veçohej nga shoqëria e asaj kohe. Pasi kalonte njëfarë kohe me njerëzit, me qëllimin e vetëm për t’i ndihmuar që të ndryshonin për mirë, Enoku tërhiqej për të kaluar një periudhë kohe në vetmi. Gjatë kësaj kohe, ai ndiente uri dhe etje për njohurinë hyjnore, që vetëm Perëndia mund të japë. Duke bashkëkuvenduar kështu me Perëndinë, Enoku reflektonte gjithnjë e më tepër shëmbëlltyrën hyjnore. Fytyra i shndritte nga një dritë e shenjtë, nga drita, që ndriçon në fytyrën e Jezusit. Kur kthehej nga takimi me Perëndinë, të gjithë, madje edhe të pafëtë e shikonin me mahnitje gjurmën e qiellit mbi fytyrën e Enokut. PPAlb 48.4
Fëlliqësia e njerëzve në atë kohë kishte arritur një lartësi të tillë, sa që shkatërrimi iu duk si dënim. Ndërsa vitet kalonin njëri pas tjetrit, dallgët e fajeve të njerëzve vetëm zmadhoheshin, ndërsa retë e gjykimit hyjnor vetëm errësoheshin. Megjithatë, Enoku, dëshmuesi i besimit, vazhdoi punën duke paralajmëruar, përgjëruar, lutur e duke u përpjekur, me gjithë shpirt, të kthente mbrapsht dallgët e fajit dhe të mbante të shtrënguara bullonat e hakmarrjes. Megjithëse paralajmërimet e tij u shpërfillën nga njerëz të shthurrur e mëkatarë, dëshmia e tij u mor në konsideratë dhe u mirëprit nga Perëndia. Kështu, Enoku vazhdoi të luftonte me besnikëri kundër ligësisë në rritje, derisa Perëndia e lëvizi nga një botë mëkati në ngazëllimet, që ofron vetëm qielli. PPAlb 48.5
Bashkëkohësit e Enokut e kishin përqeshur atë si një budalla, sepse ai nuk kishte synuar të mblidhte ar a argjend, apo të ndërtonte zotërime në këtë botë. Por zemra e Enokut ishte tek thesaret e përjetshme. Ai e kishte vështruar qytetin qiellor. Ai e kishte parë Mbretin, në lavdinë e Tij, në mes të malit Zion. Mendja, zemra dhe fjala e tij ishin në qiell. Sa më e madhe bëhej ligësia e botës përreth, aq më shumë shtohej zelli dhe endja e tij për banesën e Perëndisë. Ndërsa jetoi në tokë, me anë të besimit, Enoku banoi në zonën e dritës. PPAlb 49.1
“Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.” - Mateu 5:8. Për treqind vjet, Enoku kishte kërkuar pastërtinë e shpirtit, që të ishte në harmoni me Qiellin. Për treqind vjet, kishte ecur me Perëndinë. Dita-ditës ai dëshironte një lidhje më të ngushtë me Krijuesin; kuvendimi i tij me Perëndinë ishte bërë gjithmonë e më intim, derisa Perëndia e mori Enokun në qiell. Ai kishte qëndruar tek tehu i botës së përjetshme, vetëm një hap e ndante nga bota e të bekuarve dhe, tashmë, portat u hapën; ecja me Perëndinë, aq shumë e praktikuar në tokë, vazhdoi dhe ai kaloi përmes portave të Qytetit të Shenjtë, ëi pari ndër njerëzit, që hyri atje. PPAlb 49.2
Mungesa e Enokut u ndie shumë në tokë. Zëri, që ishte dëgjuar dita-ditës me paralajmërime dhe udhëzime, u mungonte njerëzve. Kishte disa, si nga të mirët ashtu edhe nga të këqinjtë, të cilët kishin qenë dëshmitarë të largimit të Enokut. Duke shpresuar se Enoku ishte transportuar drejt njërit prej vendeve, ku kalonte kohën në vetmi, ata, që e donin, kërkuan gjatë me ngulmim, njësoj si shumë bij profetësh do të kërkonin për Elijahun, por më kot. Ata raportuan se Enoku nuk gjendej, sepse e kishte marrë Perëndia. PPAlb 49.3
Me marrjen në qiell të Enokut, Zoti synonte t’i mësonte njerëzimit një mësim të rëndësishëm.Ekzistonte, në fakt, rreziku se njerëzit do t’i lëshonin udhë dekurajimit, për shkak të pasojave të frikshme të mëkatit të Adamit. Shumë prej tyre ishin gati të rënkonin, “çfarë përfitimi kemi patur ne, që i jemi druajtur Zotit dhe u jemi bindur urdhrave të Tij? A nuk ka rënë mbi racën tonë një mallkim i rëndë dhe a nuk na pret vdekja të gjithëve?” Por udhëzimet, që Perëndia i kishte dhënë Adamit, të cilat ishin përsëritur nga Sethi dhe treguar nga Enoku, larguan errësirën dhe dekurajimin dhe i dhanë shpresë njerëzimit. Ashtu si nëpërmjet Adamit erdhi vdekja, kështu, nëpërmjet Shpëtimtarit të premtuar do të vinte jeta dhe pavdekësia. Satani, nga ana tjetër, mundohej t’i bënte njerëzit të besonin se nuk kishte shpërblim për të mirët, apo dënim për të këqinjtë dhe se ishte e pamundur që njerëzit t’u bindeshin statuteve hyjnore. Por në rastin e Enokut, Perëndia deklaron: “që Ai është, dhe se është Shpërblyesi i atyre, që e kërkojnë atë me ngulmim.” - Hebrenjve 11:6. Ai tregon se çfarë do të bëjë për ata, që mbajnë urdhërimet e Tij. Me shembullin e Enokut, njerëzve iu tregua se ishte e mundur që ata t’i bindeshin ligjit të Perëndisë; se, edhe ndërsa jetonin në mes të mëkatarëve dhe të shthurrurve, ata ishin në gjendje, me anë të hirit të Perëndisë, t’i rezistonin mëkatit dhe të pastroheshin e shenjtëroheshin. Tek shembulli i Enokut, njerëzimi pa bekimet e një jete të tillë; dhe marrja e tij në qiell ishte, gjithashtu, një provë për profecinë e tij për të ardhmen: besimtarët do të kishin si shpërblim gëzimin, lavdinë e jetën e pasosur dhe të pafëtë si dënim do të kishin mjerimin dhe vdekjen. PPAlb 49.4
Me anë të besimit, Enoku ” u zhvendos, që të mos shikonte vdekje dhe nuk u gjet më, sepse Perëndia e kishte zhvendosur; sepse, para se të merrej (në qiell), ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë.” - Hebrenjve 11:5. Në mes të një bote të dënuar me shkatërrim për shkak të ligësisë së saj, Enoku jetoi nje jetë shembullore, me një bashkëkuvendim aq të afërt me Perëndinë, sa nuk iu lejua të binte viktimë e vdekjes. Karakteri i perëndishëm i këtij profeti përfaqëson gjendjen e shenjtërisë, që duhet të arrihet nga ata, që do të “shpengohen nga toka” (Zbulesa 14:3), në kohën e ardhjes së dytë të Krishtit. Atëherë, ashtu si në botën përpara Përmbytjes, ligësia do të mbizotërojë. Njerëzit do të rebelohen kundër autoritetit hyjnor duke ndjekur epshet e zemrave të tyre të shthurrura dhe mësimet e filozofive mashtruese. Por, ashtu si Enoku, njerëzit e Perëndisë do të kërkojnë pastërtinë e zemrës dhe përkushtim ndaj vullnetit të Tij, deri sa të reflektojnë shëmbëlltyrën e Krishtit. Si Enoku, ata do të paralajmërojnë botën për ardhjen e dytë të Zotit dhe për gjykimet, që do të ndjekin shkeljet. Me anë të fjalëve të shenjta dhe shembullit personal, ata do të dënojnë mëkatet e të pafëve. Ashtu si Enoku u mor në qiell, përpara shkatërrimit të botës me anë të ujit, ashtu edhe besimtarët, që do të jenë gjallë, do të merren në qiell, para se toka të shkatërrohet, këtë herë, më anë të zjarrit. Thotë apostulli: “të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi.” “Sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata, që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin. Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë. - 1 Korintasve 15:51, 52; 1 Selanikasve 4:16-18. PPAlb 50.1