PATRIARKË DHE PROFETË

57/74

56—“ELIU DHE BIJTË E TIJ”

*****

Eliu ishte kryeprift dhe gjykatës në Izrael. Ai mbante pozitat më të larta dhe më të përgjegjshme mes popullit të Perëndisë. 41 Si një njeri që ishte caktuar prej Perëndisë për detyrat e shenjta të priftërisë, dhe i zgjedhur si autoriteti më i lartë gjyqësor në vend, ai konsiderohej dhe mbahej si njeri shembull, dhe zotëronte një ndikim të konsiderueshëm mbi fiset e Izraelit. Por ndonëse ishte caktuar që të qeveriste popullin, ai nuk arriti të administronte familjen e vet. Në fakt, Eliu ishte një baba më i butë dhe tolerant nga ç'duhet. Duke dëshiruar paqe dhe rehat, ai nuk para ushtronte autoritetin për të qortuar veset e këqija dhe epshet e djemve të tij. Në vend që t’i ballafaqonte apo t’i ndëshkonte, ai zakonisht i nënshtrohej vullnetit të tyre dhe i lejonte që të vazhdonin me të tyren. Në vend që ta konsideronte edukimin e djemve të tij, Hofniut dhe Finehasit, si një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të tijat, ai e neglizhoi këtë çështje, a thua sikur nuk ishte aspak e rëndësishme. Prifti dhe gjykatësi i Izraelit nuk ishte lënë në errësirë për sa i përket detyrës së disiplinimit dhe drejtimit të fëmijëve që Perëndia ia kishte lënë në dorëzim. Por Eliu u tërhoq nga kjo detyrë, sepse kjo e fundit përfshinte thyerjen e vullnetit dhe tekave të bijve të tij, dhe e bënte të domosdoshme që t’i ndëshkonte dhe t’i privonte. Pa i peshuar pasojat e tmerrshme që do ta ndiqnin rrugën që kishte nisur, ai i llastoi fëmijët duke i lënë të bënin siç dëshironin, dhe duke e neglizhuar përgjegjësinë që kishte të bënte me përgatitjen e tyre për shërbim ndaj Perëndisë si dhe për detyrat e jetës. PPAlb 443.1

Perëndia kishte thënë kohë më parë për Abrahamit, “Unë në fakt e njoh atë, sei ai ka për të urdhëruar fëmijët e tij dhe shtëpinë e tij që të ndjekin pas tij rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë, në mënyrë që Zoti të mund të plotësojë premtimet që i ka dhënë Abrahamit.” - Zanafilla 18:19. Por Eliu i lejoi fëmijët e tij që ta vinin nën kontroll atë. Pra, babai urdhërohej nga djemtë. Mallkimi si pasojë e kësaj shkeljeje të rëndë shihej qartë tek shthurrja dhe ligësia që karakterizonin veprimet e djemve të tij. Ata nuk para e vritnin mendjen për të respektuar karakterin e Perëndisë apo shenjtërinë e ligjit të Tij. Shërbimi ndaj Perëndisë në tempull konsiderohej si një gjë e rëndomtë prej tyre. Prej fëmijërisë, ata ishin mësuar me shenjtëroren dhe shërbesat që zhvilloheshin në të; por në vend që të bëheshin më të bindshëm e më të respektueshëm, ata e nënvleftësuan edhe më shumë shenjtërinë dhe domethënien e shenjtërores.Nga ana tjetër, edhe i jati nuk i kishte ndëshkuar dhe qortuar për mungesën e respektit për autoritetin e tij, as nuk i kishte ndëshkuar për mosrespektimin nga ana e tyre të shërbesave solemne të shenjtërores; dhe kur ata u rritën e u bënë burra, ata ishin plot me frutet vdekjeprurëse të skepticizmit dhe rebelimit. PPAlb 443.2

Ndonëse krejtësisht të papërshtatshëm për këtë pozitë, ata u vendosën si priftërinj në shenjtërore për të shërbyer përpara Perëndisë. Zoti kishte dhënë udhëzime nga më specifiket per sa i përket ofrimit të flijimeve; por këta njerëz të këqinj vazhduan të shfaqnin mospërfillje ndaj autoritetit në shërbimin e tyre që duhet të bënin për Perëndinë, dhe nuk i kushtuan ndonjë vëmëndje ligjit mbi flijimet, të cilat duhet të kryheshin në mënyrën më solemne. Këto flijime, të cilat tregonin drejt së ardhmes për tek vdekja e Krishtit, ishin hartuar që të ruanin në zemrat e besimtarëve besimin në Shpëtimtarin e ardhshëm. Për këtë arësye, përmbajtja e plotë dhe strikte ndaj udhëzimeve të Zotit për këto flijimi kishte një rëndësi parësore. Flijimet e paqes ishin veçanërisht një shprehje e falenderimit ndaj Perëndisë. Në këto oferta, vetëm dhjami duhej të digjej në altar; një porcion i caktuar në fakt rezervohej për priftërinjtë, por pjesa më e madhe i kthehej ofruesit, që të hahej prej tij dhe të afërmve apo miqve të tij në një festë flijimi. Kështu, të gjitha zemrat duhet të drejtoheshin, me mirënjohje dhe besim, drejt Jezu Krishtit, Flijimit (apo Kurbanit) të madh që do të hiqte mëkatet e botës (Shih - Gjoni 1:29). PPAlb 444.1

Djemtë e Eliut, në vend që të kuptonin mirë solemnitetin e kësaj shërbese simbolike, mendonin vetëm si e qysh ta kthenin atë në një mjet përfitimi dhe privilegjesh për vete. Duke qenë të pakënaqur me pjesën që u ishte caktuar nga flijimet e paqes, ata kërkonin një porcion shtesë; dhe numri i madh i këtyre flijimeve që paraqitej në festat vjetore i jepte këtyre priftërinjve që të pasuroheshin në kurriz të popullit. Ata kërkonin jo vetëm më shumë se ç’u takonte, por nuk pranonin të pritnin as deri në momentin kur dhjami të ishte djegur si një ofertë ndaj Perëndisë. Ata insistonin tek pretendimi i tyre për për të marrë cilatdo porcione që u pëlqenin, dhe, në rast se ato iu refuzoheshin, ata kërcënonin popullin se do ua merrnin me dhunë. PPAlb 444.2

Kjo mungesë e theksuar e respektit dhe solemnitetit nga ana e priftërinjve shumë shpejt e zhveftësoi domethënien e shenjtë dhe serioze të shërbesës, dhe kështu, njerëzit i “përçmonin ofertat që i bëheshin Zotit.” - 1 Samuelit 2:17b. Sakrifica e madhe simbolike (në lidhje me flijimin e ardhshëm të Krishtit) e cila duhet të shërbente si shpresë për popullin, nuk njihej apo kuptohej më si e tillë. “Prandaj mëkati i dy të rinjve ishte shumë i madh përpara Zotit.” - Vargu 17a. PPAlb 444.3

Këta priftërinj të pabesë gjithashtu shkelën rëndë ligjin e Perëndisë dhe e çnderuan detyrën e tyre të shenjtë me praktikat e tyre të ndyra dhe degraduese. Megjithatë, ata vazhduan që ta ndotnin tabernakullin e Perëndisë me praninë e tyre. Shumë prej njerëzve, duke qenë mjaft të indinjuar nga sjellja rrugaçe dhe e çthurrur e Hofniut dhe Finehasit, e ndërprenë ardhjen e tyre në vendin e caktuar për adhurim. Në këtë mënyrë, shërbimi që ishte paracaktuar nga Perëndia u përçmua dhe u neglizhua për shkak të mëkateve të këtyre njerëzve të këqinj, dhe për më keq, zemrat e atyre njerëzve që kishin tendencën të anonin nga ligësia, u zhytën edhe më thellë në mëkat. Paperëndishmëria, shthurrja, dhe madje edhe idhujtaria mbizotëronin frikshëm gati kudo. PPAlb 444.4

Eliu kishte gabuar tepër rëndë kur i kishte lejuar të dy bijtë e vet që të shërbenin në këtë detyrë të shenjtë. Duke i justifikuar veprimet e tyre, nga njëri pretekst në tjetrin, sytë e tij u errësuan ndaj mëkateve të tyre; por më në fund ato arritën një kufi që bëri që ai të mos i mbante më sytë mbyllur ndaj sjelljes kriminale të bijve të tij. Njerëzit ankoheshin ndaj veprimeve të tyre të dhunshme, dhe natyrisht, kryeprifti i hidhërua dhe u dëshpërua shumë. Ai nuk guxoi më që të rrinte heshtur. Por mjerisht, bijtë e tij, ishin rritur duke u kujdesur vetëm për veten e tyre, dhe nuk e vrisnin mendjen fare për të tjerët. Ata e panë qartë hidhërimin dhe vrerin e babait të tyre por as kjo nuk i preku në zemër. Ata i dëgjuan qortimet e tij të buta, por ato nuk u bënë ndonjë përshtypje, dhe as që bënë përpjekjen më të vogël që të ndryshonin kursin e tyre të keq, megjithëse ishin paralajmëruar mbi pasojat e mëkatit të tyre të rëndë. Në rast se Eliu do t’i kishte ballafaquar që herët dhe t’i kishte trajtuar me drejtësi, ata do të ishin pezulluar nga detyra e tyre priftërore dhe do të ishin dënuar me vdekje. Duke iu frikësuar bërjes publike të sjelljes së tyre të shëmtuar si dhe dënimit të tyre të merituar, ai i mbajti ata artificialisht në këto detyra që ishin nga më të shenjtat dhe më të besuarat. Por ai vazhdoi t’i lejonte që të përzienin shthurrjen e tyre me shërbesën e shenjtë të Perëndisë si dhe të shkaktonin një lëndim dhe dëm aq të madh ndaj kauzës së të vërtetës, saqë do të duheshin vite të tëra për t’u shëruar. Por duke qenë se vetë gjykatësi i Izraelit e neglizhonte punën e tij, Perëndia e mori këtë çështje në duart e Veta. PPAlb 444.5

“Një njeri i Perëndisë erdhi tek Eliu dhe i tha: “Kështu flet Zoti: A nuk u shfaqa në shtëpinë e atit tënd, kur në Egjipt ata ishin skllevër të shtëpisë së Faraonit? Nuk e kam zgjedhur unë midis gjithë fiseve të Izraelit, që të jetë prifti Im, të ngjitet te altari Im, të djegë temjanin dhe të veshë efodin para Meje? Dhe a nuk kam qenë Unë Ai që i dha shtëpisë së atit tënd tërë flijimet e djegura të bijve të Izraelit të bëra me zjarr? Pse pra i përçmoni flijimet dhe blatimet e Mia që kam urdhëruar të bëhen në banesën time, dhe pse nderoni më tepër fëmijët tuaj se Mua, duke u trashur me pjesën më të mirë të blatimeve të Izraelit, të popullit tim? Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë kisha shpallur që shtëpia jote dhe shtëpia e atit tënd do të kishin ecur gjithnjë para meje, por tani Zoti thotë: Qoftë larg Meje kjo gjë; sepse Unë nderoj ata që më nderojnë, por ata që më përçmojnë do të përçmohen gjithashtu nga ana Ime. Ja, po vijnë ditët kur Unë do të shkatërroj forcën Tënde dhe forcën e shtëpisë së atit Tënd në mënyrë që të mos ketë më asnjë plak në shtëpinë tënde. Dhe ke për të parë mjerimin e banesës sime, ndonëse dhe Perëndia i ka bërë aq të mira Izraelit, nuk do të ketë kurrë më asnjë plak në shtëpinë tënde. Por ai nga të tutë që nuk kam për të hequr nga altari im do të konsumojë sytë e tu dhe do ta mbushë me trishtim zemrën tënde; dhe tërë pasardhësit e shtëpisë sate do të vdesin në lulen e rinisë. Do të të shërbejë si shenjë ajo që ka për t’u ndodhur dy bijve të tu, Hofnit dhe Finehasit; që të dy do të vdesin në të njëjtën ditë. Por unë do të zgjedh për vete një prift besnik, që ka për të vepruar simbas asaj që ndjej në zemrën dhe në shpirtin tim; unë do t’i ndërtoj një shtëpi të qendrueshme, dhe ai ka për të ecur gjithmonë para të vajosurit Tim.” - 1 Samuelit 2:27-35. PPAlb 445.1

Perëndia e paditi Elin se kishte nderuar bijtë e tij mbi Zotin. Për më tepër, Eliu kishte lejuar ofertën e paracaktuar nga Perëndia si një bekim për Izraelin që të bëhej një gjë e neveritshme, në vend që t’i vinte përpara përgjegjësisë dy bijtë e tij për veprimet e tyre te turpshme e të ulta që kishin kryer. Ata prindër që veprojnë me kokën e tyre, dhe të nisur nga dashuria e verbër për fëmijët e tyre, duke i llastuar ata me plotësimin e të gjitha tekave e dëshirave të tyre egoiste dhe që nuk e lejojnë që fëmijët t’u përmbahen autoritetit të Perëndisë për të qortuar mëkatin dhe për të luftuar e ndrequr ligësinë, e bëjnë mëse të qartë se po nderojnë fëmijët e tyre të këqinj më shumë se sa po nderojnë Perëndinë. Ata kanë më shumë merak që të ruajnë reputacionin sesa të kënaqin Zotin si dhe ta mbajnë shërbesën e Tij nga çdo shfaqje e ligësisë. PPAlb 445.2

Perëndia e konsideroi përgjegjës Elin, në pozitën e priftit dhe gjykatësit në Izrael, për gjendjen morale dhe shpirtërore të popullit, dhe në një mënyrë të veçantë për karakterin e bijve të tij. Ai duhet të ishte përpjekur që në fillim që ta bënte zapt të keqen me anë të masave të buta disiplinore; por në rast se këto nuk do të sillnin rezultatin e duhur, ai duhet ta kishte luftuar të keqen me mjetet më të ashpra. Mjerisht, ai shkaktoi pakënaqësinë e theksuar të Zotit duke mos e qortuar mëkatin dhe duke mos ushtruar drejtësinë mbi fajtorin. Në këto rrethana, pastërtia morale e Izraelit nuk mund t’i mirëbesohej më atij. Ata që kanë shumë pak kurajo që të ballafaqojnë padrejtësitë dhe gabimet, apo që me përtaci apo mungesë interesimi nuk bëjnë asnjë përpjekje serioze për të pastruar familjen apo kishën e Perëndisë, mbahen përgjegjës për ligësinë që mund të rezultojë nga neglizhimi i detyrës së tyre. Pra, ne mbetemi po aq përgjegjës për ato të këqija që ne kemi evidentuar tek të tjerët me anë të ushtrimit të autoritetit prindëror apo pastoral, njësoj sikur këto veprime t’i kishim kryer vetë. PPAlb 446.1

Eliu nuk e organizoi familjen e tij në përputhje me rregullat e Perëndisë për mirëqeverisjen e familjes. Mjerisht, ai veproi me kokën e vet. Në pozitën e një babai llastues, ai i anashkaloi gabimet dhe mëkatet e bijve të tij që në fëmijërinë e tyre, duke e kandisur veten se kur të rriteshin ata do të hiqnin dorë nga tendencat e liga. Shumë prindër në ditët tona bëjnë të njëjtin gabim. Ata pandehin se dinë mënyra më të mira edukimi për fëmijët e tyre se sa ajo që Perëndia ka dhënë në fjalën e Tij. Ata ushqejnë tendencat e këqija tek ta, duke u justifikuar me shprehjen se, “janë tepër të vegjël për t’u ndëshkuar. Prit sa të rriten edhe pak, dhe atëherë mund të arsyetohet me ta.” Kështu, veset e këqija lihen të forcohen derisa shndërrohen në një natyre të dytë. Fëmijët në këtë mënyrë rriten pa kufizime dhe shtrëngime, me trajta të karakterit që në fakt janë një mallkim i përjetshëm për ta dhe kanë shumë gjasa të riprodhohen tek të tjerët. PPAlb 446.2

Nuk ka mallkim të madh për familjet sesa kur i lejojnë fëmijët që të bëjnë çfarë u do qejfi. Kur prindërit plotësojnë çdo dëshirë të fëmijëve dhe i llastojnë ata edhe në gjëra që ata e dinë se nuk janë të mira për ta, fëmijët shumë shpejt do të humbasin të gjithë respektin për këta prindër, do të shpërfillin konceptin e autoritetit të Perëndisë apo më të rriturve, dhe kështu çohen si robër drejt vullnetit të Satanit. Influenca e një familjeje të çoroditur është e përhapur dhe me pasoja katastrofike për të gjithë shoqërinë. Ajo grumbullohet në një dallgë të fortë ligësie që prek familjet, komunitetet, dhe madje edhe qeveritë. PPAlb 446.3

Për shkak të pozitës së Eliut, influenca e këtij të fundit ishte më e gjërë se ajo e një njeriu të zakonshëm. Jeta e tij familjare shërbente si shembull për mbarë Izraelin. Pasojat e tmerrshme të sjelljes së tij neglizhente, duke i marrë joseriozisht gjërat, u panë në mijëra shtëpi që ishin brumosur nga shembulli i tij personal. Në qoftë se fëmijët llastohen duke u lejuar të veprojnë keq, ndërkohë që prindërit e tyre duan thjeshtë të duken si njerëz fetarë, e vërteta mbi Perëndinë syrgjynoset e shtrembërohet si mos më keq. Prova që vërteton më mirë se çdo gjë tjetër përkushtimin e krishterë të një familjeje, është lloji i karakterit që lindet nga ajo influencë. Veprat flasin me zë shumë më të lartë se sa pretendimi më pozitiv i perëndishmërisë. Në qoftë se profesorët e lëndës së fesë (religjionit), në vend që të angazhohen me përpjekjet e tyre më të sinqerta e më të vazhdueshme për të rritur një familje të mirë-disiplinuar si një dëshmi që tregon për avantazhet që sjell besimi tek Perëndia, janë të shkujdesur dhe tepër tolerues në qeverisjen që u bëjnë familjeve të tyre, dhe të butë ndaj dëshirave dhe veseve të këqija të fëmijëve të tyre, ata po veprojnë njësoj si Eliu, duke mbuluar me turp vetë kauzen e Krishtit, dhe po sjellin shkatërrimin për veten dhe familjarët e tyre. Eshtë e vërtetë se të këqijat që vijnë nga mungesa e përkushtimit prindëror janë të mëdha, pa bërë asnjë përjashtim, por ato janë dhjetëfish më të mëdha kur ekzistojnë në familjet e atyre që janë caktuar si mësues të popullit. Kur këta të fundit dështojnë së kontrolluari familjarët e tyre, ata, për shkak të shembullit të keq që japin, shkaktojnë devijimin e shumë të tjerëve. Faji i tyre është shumë më i madh se sa ai i të tjerëve për vetë faktin se pozita e tyre është më e madhe se ajo e të tjerëve. PPAlb 446.4

Premtimi ishte bërë që shtëpia (nënkupto pasardhësit) e Aaronit do të ecnin përpara Perëndisë përgjithmonë; por ky premtim ishte bërë me kusht që ata të përkushtoheshin ndaj punës në shenjtërore me gjithë zemër dhe ta nderonin Perëndinë në të gjitha veprimet e tyre, pra as t’i shërbenin vetvetes, dhe as të ndiqnin prirjet e tendencat e tyre të mbrapshta.Eliu dhe bijtë e tij ishin vënë në provë, dhe Perëndia i gjeti ata krejtësisht të padenjë për atë pozicion të lartë që gëzonin si priftërinj në shërbim të Tij. Dhe Perëndia deklaroi, “Qoftë larg Meje kjo gjë.” Ai nuk mundi dot të përmbushte të mirat që Ai kisht synuar për t’u bërë, për shkakun se ata nuk e bënë të tyren. PPAlb 447.1

Shembulli personal i të gjithë atyre që shërbejnë në gjëra të shenjta duhet të jetë i tillë që të detyrojë njerëzit që të kenë respekt solemn për Perëndinë dhe që të mos bëjnë gafë që ta fyejnë Atë. Kur njerëzit që përfaqësojnë Krishtin (shih - 2 Korintasve 5:20) duke u folur të tjerëve mbi mesazhin e Perëndisë për mëshirë dhe pajtim, e përdorin thirrjen e tyre të shenjtë si një mantel për të mbuluar epshet e tyre të shfrenuara egoiste dhe sensuale, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse shndërrohen në bashkëpunëtorët më të efektshëm të Satanit. Ashtu si Hofni dhe Finehasi, ata i detyrojnë të tjerët që të “përçmojnë ofertat që i bëhen Zotit.” Ata mund ta ndjekin fshehurazi këtë rrugë të keqe për njëfarë kohe; por kur karakteri i tyre i vërtetë ekspozohet më në fund, besimi i njerëzve të tjerë pëson një tronditje aq të madhe saqë shpeshherë bën që ata të humbasin besim tek feja e vërtetë. Mjerisht, në mendjen e këtyre njerëzve krijohet një mosbesim ndaj të gjithë atyre që pretendojnë t’u mësojnë të tjerëve fjalën e Perëndisë. Për më keq, mesazhi i shërbëtorit të vërtetë të Krishtit perceptohet me dyshim. Një pyetje i mundon vazhdimisht në mendje, “Ore, a mos do dalë edhe ky si ai tjetri, që ne e pandehëm njeri të shenjtë, por na doli i degjeneruar?” Në këtë mënyrë, fjala e Perëndisë e humbet fuqinë e saj vepruese tek njerëzit. PPAlb 447.2

Fjalët që më në fund Eliu përdori për të qortuar bijtë e vet janë fjalë solemne dhe me shumë rëndësi—fjalë për të cilat të gjithë ata që shërbejnë në gjëra të shenjta do të bënin mirë të meditonin: “Në rast se një njeri mëkaton kundër një njeriu tjetër, Perëndia e gjykon, por në rast se një njeri mëkaton kundër Zotit, kush do të ndërhyjë për të?” - 1 Samuelit 2:25. Po të kishte qenë se veprimet e tyre kriminale kishin dëmtuar vetëm bashkatdhetarët e tyre, gjykatësi mund të kishte kryer pajtimin duke caktuar një ndëshkim dhe duke kërkuar dëmshpërblim; dhe në këtë mënyrë shkelësit mund të ishin falur. Ose, po të kishte qenë se ata nuk rezultonin fajtorë të një mëkati të paramenduar, për ta mund të ishte paraqitur një ofertë mëkati.Por mëkatet e tyre ishin aq të ndërthurrur me detyrën e tyre shërbyese si priftërinj të Më të Lartit Perëndi, pra, në ofrimin e flijimeve për mëkatin, sa puna e Perëndisë ishte përdhosur dhe çnderuar aq shumë përpara popullit, dhe asnjë lloj shlyerjeje nuk mund të pranohej më për ta. As babai i tyre, ndonëse ishte kryeprift, nuk guxoi të bënte ndërmjetësim për hir të tyre; asi ai nuk mund t’i mbronte dot ata nga zemërimi i një Perëndie të shenjtë. Nga të gjithë mëkatarët, më fajtorët janë ata që përçmojnë mjetet që Perëndia i qiellit ka siguruar për shpengimin e njeriut—të cilët “e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë hapur Atë.” - Hebrenjve 6:6. PPAlb 448.1