PATRIARKË DHE PROFETË

56/74

55—“FËMIJA SAMUEL”

*****

Elkanahu, një levit nfga Mali i Efraimit, ishte jo vetëm një burrë i pasur dhe i respektuar, por edhe një njeri që e donte dhe i druhej Perëndisë. Gruaja e tij, Hanah, ishte një grua shumë e devotshme dhe besnike. Duke qenë e ëmbël dhe modeste, karakteri i saj tregonte një përulësi të theksuar, sinqeritet të thellë, dhe besim të pashembullt. 39 Por bekimi që kërkohej me aq ngulmim nga çdo hebre i ishte mohuar këtij çifti të perëndishëm (besimtar); shtëpia nuk iu ishte çelë nga zëri i fëmijës; dhe dëshira për të patur se s’bën një trashëgimtar e detyroi Elkanahun—siç kishte ndodhur me shumë të tjerë—që të lidhte një martesë të dytë. Por ky hap, i nxitur nga një mungesë besimi tek Perëndia, nuk i solli lumturi. Djem e vajza u lindën nga gruaja e dytë; por gëzimi dhe bukuria e martesës, këtij institucioni kaq të shenjtë të Perëndisë, ishte prishur, ndërkohë që paqja në familje ishte thyer. Peninah,gruaja e dytë,e Elkanahut ishte xheloze, e cekët dhe mëndje-ngushtë, dhe sillej me arrogancë e pafytyrësi me Hanën. Ndërkaq Hanah dukej sikur i kishte humbur shpresat për fëmijë, dhe jeta i ishte shndërruar në një barrë të rëndë; gjithsesi, ajo e kaloi këtë situatë prove me përulësi të madhe, pa u ankuar asnjëherë. PPAlb 438.1

Elkanahu u përmbahej me besnikëri urdhërimeve dhe ligjeve të Perëndisë. Në atë kohë, adhurimi në tabernakullin e Shilohut vazhdonte normalisht, por për shkak të parregullsive në shërbesë, shërbimet e tij në shenjtërore nuk ishin të domosdoshme, ndonëse, si levit që ishte, ai e kishte për detyre që të ndihmonte. Megjithatë, ai shkonte rregullisht së bashku me familjen për të adhuruar dhe flijuar në mbledhjet e caktuara. PPAlb 438.2

Por edhe në mes të këtyre festave të shenjta që kishin të bënin me shërbimin ndaj Perëndisë, u imponua fryma e ligë që kishte mallkuar familjen e tij (që prej martesës së dytë). Pasi paraqitën ofertat e falenderimit, e gjithë familja, sipas zakonit, mblidhej së bashku në një festë solemne por edhe të gëzueshme. Në raste të tilla Elkanahu i jepte gruas së fëmijëve një racion për vete siç u jepte edhe një racion secilit prej djemve dhe vajzave të saj; dhe në shenjë të konsideratës që kishte për Hanah-n, i jepte asaj në racion të dyfishtë, simbplokisht duke ia bërë të ditur se dashuria e tij për të nuk kishte për të ndryshuar, edhe sikur të mos lindte kurrë fëmijë. Pastaj, Peninah, gruaja e dytë, e tërbuar nga xhelozia, pretendonte të ishte e para, meqënëse ajo ishte favorizuar nga Perëndia (sepse kishte lindur fëmijë) dhe e tallte keqazi Hanën për faktin se ishte shterpë dhe se kjo, sipas saj, ishte evidencë se Zoti nuk e pëlqente. Kjo histori përsëritej çdo vit, derisa Hanah nuk duroi dot më. Në pamundësi që ta fshihte hidhërimin, ajo qante me dënesë papushim dhe u largua nga festa. Burri i saj u përpoq ta ngushëllonte, por më kot. “Hanah, pse po qan? Pse nuk po ha? Dhe pse është trishtuar zemra jote?” i thoshte. “A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë fëmijë?” - 1 Samuelit 1:8. PPAlb 438.3

Hanah nuk u ankua. Atë barrë që nuk mund ta ndante dot me asnjë shoqe tokësore, ia la në dorë Perëndisë. Ajo u lut me përgjërime dhe të qara që Zoti t’ia largonte fatkeqësinë dhe t’i jepte dhuratën e çmuar të një djali, të cilin ajo do ta rriste e edukonte për Zotin. Kështu, ajo bëri një betim solemn se po t’i realizohej kërkesa, ajo do t’ia dedikonte fëmijën Perëndisë, që nga momenti i lindjes. Hanah ishte afruar pranë hyrjes së tabernakullit, dhe “në trishtimin e shpirtit të saj i lutej Zotit duke qarë me dënesë.” - 1 Samuelit 1:10. Gjithsesi, ajo i fliste Zotit në heshtje, pa bërë zë. Në ato kohëra të liga, skena të tilla adhurimi përjetoheshin shumë rrallë. Mjerisht, festimet e pahijshme dhe përdorimi i pijeve të forta alkoolike nuk ishin gjëra të padëgjuara, madje edhe gjatë festivaleve fetare; ndërkaq, Eli, kryeprifti, pasi e vuri re Hanën, pandehu se ajo ishte dehur nga vera (meqënqse po lëvizte buzët pa bërë zë). Duke menduar se po i bënte një qortim të merituar, ai iu drejtua ashpër, “Deri kur do të jesh e dehur? Të daltë pija nga vetja!” - Vargu 14. PPAlb 439.1

E lënduar dhe e habitur njëkohësisht, Hanah u përgjigj me hijeshi, “o, imzot, unë jam një grua me frymë të syrgjynosur dhe nuk kam pirë as verë, as pije të tjera dehëse, por isha duke hapur zemrën time para Zotit. Mos mendo se shërbëtorja jote është një grua e çoroditur, sepse ka qënë dhimbja dhe hidhërimi i pamasë që më kanë shtyrë të flas deri tani.” - Vargjet 15,16. PPAlb 439.2

Kryeprifti u prek shumë, sepse ishte një njeri i Perëndisë; dhe në vend të qortimit shpalli një bekim: “Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit ta plotësoftë atë kërkesë që i ke bërë!” - Vargu 17. PPAlb 439.3

Kështu, lutja e Hanës gjeti përgjigje; ajo e mori dhuratën për të cilën ishte përgjëruar me aq shumë përulësi. Kur e pa foshnjen (mashkull) pasi lindi, ia vuri emrin Samuel, që do të thotë, “ia kërkova Zotit.” Sapo fëmija ishte në gjendje që të ndahej nga e ëma, Hanah e përmbushi betimin që kishte bërë. Ajo e donte të birin me gjithë zemër; çdo ditë, ndërsa e shihte të rritej dhe dëgjonte cicëritjet e tij, ngrohtësia e saj e rrethonte Samuelin gjithnjë e më shumë. Ai ishte biri i saj i vetëm, dhurata e veçantë që ia kishte dhënë Perëndia i qiellit; por ajo e kishte marrë atë si një thesar të shenjtëruar nga Perëndia, dhe për këtë arësye, nuk do t’ia mbante Perëndisë, Dhënësit të gjithçkaje, atë që i takonte Atij. PPAlb 439.4

Edhe njëherë Hanah udhëtoi së bashku me bashkëshortin për në Shiloh dhe në emër të Perëndisë, ia paraqiti priftit dhuratën e saj të çmuar, duke thënë, ” . . . Jam lutur për të pasur këtë djalë, dhe Zoti më dha atë që i kisha kërkuar. Prandaj edhe unë ia fal Zotit; për aq sa të rrojë, ai do t’i kushtohet Zotit.” - Vargjet 27, 28. Elit i bëri shumë përshtypje besimi dhe përkushtimi i kësaj gruaje të rrallë të Izraelit. Duke qenë vetë një prind që i kishte llastuar djemtë e vet, ai u mahnit dhe qëndroi kokëulur ndërsa u përball me sakrificën e madhe që kjo nënë po bënte duke u ndarë nga fëmija i saj i vetëm me qëllim që t’ia përkushtonte shërbimit ndaj Perëndisë. Tërthorazi, ai u vetëqortua për dashurinë e tij egoiste ndaj djemve të vet, dhe me përulësi dhe respekt solemn u përkul përpara Zotit dhe e adhuroi. PPAlb 439.5

Zemra e Hanës ishte mbushur plot gëzim e lavdërim, dhe mezi po priste që të shpallte mirënjohjen e thellë ndaj Perëndisë. Fryma e Frymëzimit erdhi mbi të; “Dhe Hana u lut dhe tha: PPAlb 439.6

Zemra ime ngazëllohet në Zotin,
briri im lartësohet në Zotin;
goja ime hapet kundër armiqve të mi,
sepse ngazëllohem në shpëtimin tënd.
Nuk ka asnjë të shenjtë si Zoti,
sepse nuk ka asnjë tjetër vëç Teje,
nuk ka asnjë shkëmb si Perëndia ynë.
Mos vazhdoni të flisni me aq mburrje;
të mos dalin fjalë arrogante nga goja juaj,
sepse Zoti është Perëndia i njohjes
dhe ai i peshon veprimet.
Dhe harqet e të fuqishmëve thyhen,
ndërsa të dobëtit janë pajisur me forcë.
Ata që ishin të ngopur shkojnë si punëtorë ditorë për një copë bukë,
ndërsa ata që ishin të uritur nuk vuajnë më nga uria.
Madje edhe ajo që ishte shterpë, ka lindur shtatë herë,
ndërsa ajo që ka shumë fëmijë është dobësuar.
Zoti të bën të vdesësh dhe të bën të jetosh;
të zbret në varr dhe të ngjit prej andej.
Zoti të varfëron dhe të pasuron,
Ai të poshtëron dhe Ai të lartëson.
Ai e ngre të mjerin nga pluhuri
dhe e heq të varfërin nga plehrat,
në mënyrë që të ulet me princat
dhe të trashëgojnë një fron lavdie;
sepse shtyllat e dheut i përkasin Zotit,
dhe mbi to ai ka mbështetur botën.
Ai ruan rrugën që bëjnë shenjtorët e tij,
por të pafetë do të vdesin në errësirë,
sepse njeriu nuk do të mbizotërojë me anë të forcës.
Kundërshtarët e Zotit do të copëtohen;
Ai do të gjëmojë kundër tyre nga qielli.
Zoti do të gjykojë popujt deri në skajet e tokës,
do t’i japë forcë mbretit të Tij
dhe do ta lartësojë bririn e të vajosurit të Tij.”
PPAlb 440.1

- 1 Samuelit 2:1-10.

Fjalët e Hanës ishin profetike, sepse bënin fjalë si për Davidin, i cili më vonë do të mbretëronte si mbret i Izraelit, ashtu edhe për Mesian, të Vajosurin e Zotit. Ndërkohë që kënga e Hanës i referohet në fillim mburrjeve të një të gruaje të pacipë dhe grindavece, ajo flet më vonë edhe për shkatërrimin e armiqve të Perëndisë si dhe triumfin përfundimtar të popullit të Tij të shpenguar. PPAlb 440.2

Prej Shilohut, Hannah u kthye e qetë në shtëpinë e saj në Ramah, pasi e kishte lënë fëmijën Samuel që të edukohej për të shërbyer në shtëpinë e Perëndisë, nën udhëzimet e kryepriftit. Që në vitet e para të jetës, ajo e kishte mësuar Samuelin që ta donte dhe ta respektonte Perëndinë dhe ta konsideronte veten si përkatësi e Zotit. Me anë të çdo objekti të njohur që e rrethonte ajo ishte përpjekur që t’i tërhiqte vëmendjen drejt Krijuesit. Edhe pasi u nda nga fëmija i saj, përkujdesja e nënës nuk rreshti aspak.Ajo e kujtonte djalin çdo ditë në lutjet e saj. Çdo vit, ajo qepte, me duart e saj, një veshje që ta përdorte për shërbim; dhe kur shkonte së bashku me bashkëshortin për në Shiloh për të adhuruarm ajo ia jepte këtë veshje të birit si kujtim të dashurisë së saj. Çdo fije e kësaj veshjeje ishte thurrur me lutjen që ai të mbetej i pastër, fisnik, dhe besnik. Ajo nuk kërkoi famë botërore për birin e saj, por u përgjërua me përunjësi që ai të merrte madhështinë që vlerëson Perëndia i qiellit—që ai të nderonte Perëndinë dhe të ishte një bekim për bashkëkombasit e vet. PPAlb 440.3

Çfarë shpërblimi të mrekullueshëm mori Hanah! Dhe sa inkurajues është shembulli i saj i besnikërisë! Çdo nëne i besohen mundësi me vlera të pallogaritshme, dhe interesa pambarimisht të vyera. Ato detyra modeste të cilat gratë i shohin si një barrë e lodhshme duhet të konsiderohen prej tyre si një punë madhështore dhe fisnike. Eshtë privilegji i nënës që të bekojë botën me anë të influencës së saj (tek fëmijët), dhe duke bërë kështu, ajo do të sjellë gëzim për vetë zemrën e saj.Ajo mund të bëjë një rrugë të drejtë për këmbët e fëmijëve të saj, nëpërmjet dritës së diellit dhe hijes, drejt lartësive të lavdishme sipër. Por vetëm atëherë kur nëna kërkon, në jetën e vet, që të ndjekë mësimet e Krishtit, ajo mund të shpresojë që të formojë karakterin e fëmijëve të saj sipas modelit hyjnor. Nga ana tjetër, bota gëlon me influencat e saj çthurrëse dhe korruptive. Moda dhe veset ushtrojnë një pushtet të fortë tek të rinjtë e sotëm. Në qoftë se nëna dështon në detyrën e saj për të edukuar, drejtuar, dhe disiplinuar fëmijët e saj, këta të fundit kanë për ta pranuar natyrshëm të keqen, dhe do t’i kthejnë kurrizin të mirës. Çdo nënë duhet të shkojë shpesh tek Shpëtimtari me lutjen, “Na mëso se duhet të sillemi me fëmijën dhe çfarë duhet të bëjmë me të?” Çdo nënë duhet të t’u vërë veshin udhëzimeve që Perëndia ka dhënë në fjalën e Tij (Biblën), dhe asaj do t’i jepet mençuri sipas nevojës së rastit. PPAlb 441.1

Ndërkaq, fëmija Samuel po rritej në shtat si në mirëdashjen e Zotit ashtu edhe në atë të njerëzve.” - 1 Samuelit 2:26. Ndonëse Samueli e kaloi rininë pranë tabernakullit, duke qenë i përkushtuar ndaj adhurimit të Perëndisë, ai nuk ishte i paprekshëm nga influencat e liga apo shembujt e këqinj përreth. Kështu, bijtë e Elit nuk i druheshin Perëndisë, dhe nuk e respektonin babain e tyre; por Samueli nuk ngulmoi që të shoqërohej me ta, apo t’i ndiqte në veset e tyre të këqija. Përpjekja e tij e vazhdueshme ishte që të bëhej ashtu siç Zoti Vetë dëshironte që ai të beëhej. Në fakt, ky është privilegji i çdo të riu apo të reje. Nga ana e tij, Perëndia kënaqet kur edhe fëmijët e vegjël e ofrojnë vetveten për shërbimin ndaj Tij. PPAlb 441.2

Samueli ishte vendosur nën kujdesin e Elit, dhe ëmbëlsia e karakterit të tij e bëri për vete zemrën e kryepriftit plak. Ai ishte i sjellshëm, bujar, i dëgjueshëm, dhe i respektueshëm. Eli, i lënduar nga shkarja nga rruga e drejtë prej dy bijve të tij, gjeti prehje dhe rehat dhe besim në praninë e Samuelit. Samueli ishte shumë i gjindshëm dhe i dashur, dhe dashuria e kryepriftit plak për këtë djalë ishte më e madhe se dashuria e një babai për birin e vet. Ishte në fakt një gjë e pazakontë që të ekzistonte një miqësi dhe ngrohtësi kaq e madhe ndërmjet gjykatësit kryesor të kombit dhe një fëmije të rëndomtë. Ndërkohë që dobësia e moshës po e mundonte Elin, dhe ai ishte mbushur me ankth dhe pishmanllëk nga rruga e shtrembër e dy bijve të tij, ai kthehej tek Samueli për t’u ngushëlluar. PPAlb 441.3

Nuk ishte gjë e zakonshme që levitët të merrnin pjesë në shërbesat e veçanta para se të mbushnin njëzet e pesë vjeç, por Samueli kishte përbërë një përjashtim ndaj këtij rregulli. Çdo vit që kalonte e gjente Samuelin me detyra gjithmonë e më të rëndësishme që i besoheshin; dhe ndërkohë që ishte ende fëmijë, “një efod prej liri” (- Vargu 16) ishte vendosur mbi të si shenjë e shenjtërimit të tij ndaj punës në shenjtërore. Ndonëse ishte ende i ri në moshë kur u soll për të shërbyer në tabernakull, Samueli kishte që në atë moshë detyra për të përmbushur e realizuar në shërbimin ndaj Perëndisë, sipas kapacitetit që kishte. Këto detyra ishin në fillim shumë përulëse, dhe jo gjithmonë dhe aq të këndshme; por ato u kryen më së miri, dhe me një zemër të vullnetshme dhe të aftë. Besimi i tij tek Perëndia dukej qartë në çdo detyrë të jetës që i jepej. Ai e konsideronte veten shërbëtor të Perëndisë, ndërsa punën e tij si punën e Perëndisë. Përpjekjet e tij u pranuan sepse nxiteshin nga dashuria ndaj Perëndisë si dhe nga një dëshirë e sinqertë për të kryer vullnetin e Tij. Pikërisht në këtë mënyrë, Samueli u bë bashkëpunëtor me Zotin e qiellit dhe të tokës. Ndërka, Perëndia e përgatiti që të realizonte një punë madhështore për Izraelin. PPAlb 442.1

Sa shumë e lezetçme dhe e ndërueshme do të ishte në qoftë se fëmijët do të mësoheshin që t’i konsideronin detyrat e përditshme si ajo rruga që është skicuar për ta nga vetë Perëndia, si shkolla në të cilën ata duhet të edukoheshin për të dhënë një shërbim besnik dhe efikas. Të kryesh çdo detyrë siç do ta kryeje për Zotin, e bën të shijueshme edhe punën më të rëndomtë dhe i lidh punëtorët në tokë me qeniet e shenjta që kryejnë vullnetin e Perëndisë në qiell. PPAlb 442.2

Suksesi në këtë jetë, suksesi në fitimin e jetës së ardhshme, varet nga një vëmendje e kujdesshme dhe plot besnikëri ndaj gjërave në dukje të vogla (të parëndësishme). Përsosmëria shihet në gjërat më të vogla që ka bërë Perëndia po aq sa shihet edhe tek gjërat e mëdha. Ajo dorë hyjnore që vari planetet në hapësirë është e njëjta dorë që krijoi me mjeshtëri e delikatesë zambakët e fushës. Dhe ashtu siç Perëndia është i përsosur në sferën e Tij, ashtu duhet të jemi edhe ne në tonën. Struktura simetrike e një karakteri të këndshëm, dhe të fortë ndërtohet e përforcohet nga veprimet dhe detyrat individuale.Për më tepër, jeta jonë duhet të karakterizohet nga besnikëria në detajet më të vogla ashtu si në detajet më të mëdha. Integriteti në gjërat e vogla, shfaqja e veprimeve qoftë edhe të vogla të besnikërisë, dhe veprat e vogla të mirësjelljes kanë për ta ndritur udhën e jetës; dhe kur punës sonë në botë do t’i vijë fundi, do të shihet qartë se secila nga këto detyra të vogla që është kryer me besnikëri ka ushtruar një influencë për të mirë—një influencë që nuk zbehet kurrë. PPAlb 442.3

Rinia e ditëve të sotme mund të bëhet po aq e çmuar në sytë e Zotit sa ç’ishte Samueli. Duke e mbajtur lart me besnikëri integritetin e tyre të krishterë, ata mund të ushtrojnë një influencë të fortë në punën reformuese. Njerëz të tillë nevojiten për këtë kohë.Perëndia ka një punë për secilin prej tyre. Njerëzit nuk kanë arritur asnjëherë rezultate më të mira për Perëndinë dhe njerëzimin se sa mund të arrihen në këto ditët e sotme nga ata që do t’i qëndrojnë besnikë detyrës së dhënë nga Perëndia. PPAlb 442.4