PATRIARKË DHE PROFETË

51/74

50—“TË DHJETAT DHE OFERTAT”

*****

Në ekonominë hebree, një e dhjeta e të ardhurave të njerëzve veçohej mënjanë për të mbështetur adhurimin publik të Perëndisë. Kështu, Moisiu i kishte deklaruar Izraelit: “Çdo e dhjetë e tokës, qoftë nga prodhimet e tokës, qoftë nga pemët e drurëve, i takon Zotit; është një gjë e shenjtëruar Zotit. Dhe për të dhjetën e bagëtive të trasha dhe të imta, koka e dhjetë e të gjitha kafshëve që kalojnë nën shufrën do t’i shenjtërohet Zotit.” - Levitiku 27: 30, 32. PPAlb 402.1

Por sistemi i së dhjetës nuk e kishte origjinën tek hebrenjtë. Që nga kohët më te hershme Perëndia kishte kërkuar një të dhjetën, sepse i takonte Atij dhe shumë e kishin pranuar dhe nderuar këtë kërkesë. Abrahami ia pagoi të dhjetën e tij Melkisedekut, priftit të Shumë të Lartit Perëndi.- Zanafilla 14:20. Kur ishte në Bethel, Jakobi, që ishte një i arratisur dhe endacak, i premtoi Perëndisë: “dhe nga të gjitha ato që do të më japësh, unë do të japë të dhjetën.” - Zanafilla 28:22. Ndërsa Izraelitët po përgatiteshin që të bëheshin një komb, ligji i së dhjetës u riafirmua si një ligj i dhënë nga vetë Perëndia dhe nga bindja ndaj të cilit varej begatia e jetës së tyre. PPAlb 402.2

Sistemi i të dhjetave dhe ofertave kishte për qëllim që t’i bënte njerëzit të kuptonin në mendjen e tyre një të vërtetë të madhe—që Perëndia është burimi i çdo bekimi ndaj krijesave të veta, prandaj Atij i takon mirënjohja e njerëzve, pasi ka siguruar për ta dhurata të mira. “Ai u jep të gjithëve jetë, frymëmarje dhe gjithçka.” - Veprat e Apostujve 17:25. Zoti ka thënë: “Të Mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; Imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.” - Psalmi 50:10. “Argjendi është Imi, ari është Imi” - Hagai 2:8. Është Perëndia Ai që i jep njeriut forcën për t’u pasuruar. - Ligji i Përtërirë 8:18. Si pranim i faktit që çdo gjë vjen nga Ai, Perëndia udhëzoi që një pjesë e bekimit t’i kthehej Atij me anën e dhuratave dhe ofertave të cilat do mbështetnin adhurimin e Tij. PPAlb 402.3

“E dhjeta ... është e Zotit.” Këtu përdoret e njëjta formë të shprehuri sikurse edhe ajo e përdorur për ligjin mbi Sabatin. “... por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd.” - Eksodi 20:10. Perëndia la mënjanë për Veten e Tij një racion të caktuar nga koha e njeriut dhe të të ardhurave të tij dhe asnjë njeri nuk mund t’i mbajë këto gjëra për vetveten pa qenë fajtor. PPAlb 402.4

E dhjeta duhej t’i përkushtohej veçanërisht përdorimit të saj nga levitët, fisit që ishte veçuar për shërbimin e shenjtores. Por ky në asnjë mënyrë nuk do të ishte maksimumi i kontributeve që do të jepeshin për zhvillimin e besimit. Tabernakulli, sikurse ca më vonë dhe tempulli, u ngritën tërësisht nga ofertat vullnetare dhe për të siguruar riparimet e mundshme apo edhe shpenzime të tjera, Moisiu udhëzoi që sa herë të bëhej regjistrimi i popullsisë, çdo person duhet të kontribuonte një gjysëm shekeli “për shërbimin në tabernakull.” Në kohën e Nehemias jepej një kontribut i tillë çdo vit. Shih Eksodi 30:12-16; 2 Mbretërve 12:4,5; 2 Kronikave 24:4-13, Nehemia 10:32, 33. Here pas here Perëndisë i silleshin edhe oferta për shlyerjen e mëkatit si dhe oferta falenderimi. Këto shfaqeshin më së shumti me rastin e festave vjetore. Ndërsa masat më dorëlëshuese ishin për të varfërit. PPAlb 402.5

Pranimi i së drejtës së Perëndisë mbi të dhjetën bëhej edhe përpara se kjo e fundit të ishte hequr mënjanë. Kështu, prodhimet e para që piqeshin nga çdo lloj prodhimi i fushës i dedikoheshin Perëndisë. Pjesa e parë e leshit kur qetheshin delet, e grurit, kur ai pastrohej në lëmë, prodhimi i parë i vajit dhe i verës—të gjitha këto veçoheshin për Perëndinë. Kështu ndodhte edhe me të parëlindurit e kafshëve, madje paguhej edhe një çmim shpengimi për djalin e parë që i lindte një familjeje. Frytet e para të gjithçkaje duhej të paraqiteshin para Perëndisë në shenjtoren e Tij dhe pastaj u jepeshin për përdorim priftërinjve. PPAlb 403.1

Në këtë mënyrë njerëzit kujtoheshin vazhdimisht se Perëndia ishte pronari i vërtetë i tokave të tyre, i bagëtive dhe i gjedhëve, se ishte Ai që ua dërgonte shiun dhe rrezet e diellit për kohën e mbjelljes dhe të korrjes dhe çdo gjë që ata zotëronin ishte pjesë e krijimit të Tij, Ai thjesht i kishte bërë ata kujdestarë të të mirave të Tij. PPAlb 403.2

Kur burrat e Izraelit, të ngarkuar me prodhimet e para të fushës, të frutave dhe vreshtave, mblidheshin para tabernakullit, ata pranonin hapur në publik mirësinë e Perëndisë. Kur prifti e pranonte dhuratën, ofruesi duke folur njësoj sikur të ishte përpara Zotit Perëndi thoshte: “Ati im ishte një sirian; para se të vdiste, ai zbriti në Egjipt dhe banoi aty si i huaj me pak njerëz; aty u bë një komb i madh, i fuqishëm dhe i shumtë” dhe pastaj përshkruante udhëtimin për në Egjipt dhe mundimet nga të cilat Perëndia e kishte çliruar Izraelin “me një dorë të fuqishme dhe me krah të shtrirë, me gjëra të tmerrshme e me mrekulli dhe me shenja.” Pastaj shtonte: “pastaj na solli këtu dhe na dha këtë vend, ku rrjedh qumësht dhe mjaltë. Dhe ja tani unë solla prodhimet e para të tokës që ti, o Zot, më ke dhënë!” - Ligji i Përtërirë 26:5, 8-11. PPAlb 403.3

Kontributet që kërkoheshin prej hebrenjve për veprimtari fetare dhe bamirëse arrinin gati një të katërtën e të ardhurave të tyre. Në pamje të parë, pritej që një taksë kaq e rëndë mbi burimet jetësore të njerëzve do t’i rrënonte ata në varfëri, por, përkundrazi, bindja besnike ndaj këtij urdhërimi ishte kusht për begatinë dhe përparimin e tyre. Si kusht për bindjen e tyre, Perëndia u kishte bërë këtë premtim: “...do të qortoj shumë për ju gllabëruesin, me qëllim që ai të mos shkatërrojë më frytin e tokës suaj, dhe vreshti juaj nuk do të rreshtë të sjellë për ju fryt në fushë,”- thotë Zoti Perëndi. “Të gjitha kombet do t’ju shpallin të lumtur, sepse ju do të jeni një vend kënaqësish,” - thotë Zoti Perëndi”- Malakia 3:11. PPAlb 403.4

Një ilustrim shumë i goditur i pasojave nga mosdhënia plot egoizëm madje edhe e ofertave vullnetare në shtëpinë e Zotit, ishte ngjarja që ndodhi në ditët e profetit Hagai. Pasi ishin kthyer nga robëria e tyre në Babiloni, hebrenjtë vendosën të rindërtonin tempullin e Perëndisë, por duke u përballur me kundërshtimin e fortë nga armiqtë e tyre, ata e ndërprenë punën dhe, duke qenë se ra një thatësirë e madhe, e cila i varfëroi në kulm, u bindën që ishte e pamundur ta ndërtonin tempullin e Perëndisë. Ata thanë: “Nuk ka ardhur ende koha, koha kur duhet të rindërtohet shtëpia e Zotit.” Atëherë fjala e Zotit iu drejtua atyre me anë të profetit Hagai, duke thënë: “A është vallë për ju koha për të banuar në shtëpitë tuaja të mbuluara mirë, ndërsa ky tempull është ende i rrënuar?” Prandaj Zoti Perëndi thotë tani: “Mendohuni mirë për sjelljen tuaj! Ju keni mbjellë shumë, por keni korrur pak; ju hani por jo aq sa të ngopeni; ju pini, por jo aq sa të shuani etjen tuaj; ju visheni, por askush nuk rri ngrohtë; ai që fiton një mëditje, e fiton për ta shtënë në një qese të shpuar.”- Hagai 1:2-6. Më poshtë jepet edhe arsyeja përse kishte ndodhur kjo: “Ju prisnit shumë, por në realitet keni pasur pak; pastaj, kur e keni çuar në shtëpi, unë e shpërndava. Përse?,” thotë Zoti Perëndi, “për shkak të tempullit tim që është i rrënuar, ndërsa secili prej jush rend në shtëpinë e vet. Për këtë arsye qielli e ka ndalur vesën sipër jush dhe toka e ka mbajtur prodhimin e vet. Dhe unë e thirra thatësirën mbi vendin, mbi malet, mbi grurin, mbi mushtin, mbi vajin dhe mbi gjithshka që prodhon toka, mbi njerëzit, mbi bagëtinë dhe mbi gjithë punën e duarve tuaja.” - Vargjet 9-12. “Më parë kur dikush shkonte para një kapice që mendohej se kishte njëzet masa, kishte vetëm dhjetë; kur dikush shkonte te buti për të nxjerrë nga buti pesëdhjetë bate, kishte vetëm njëzet. Unë ju godita me plasjen, me ndryshkun dhe me breshër në çdo punë të duarve tuaja, por ju nuk u kthyet tek Unë.”- Hagai 2:16, 19. PPAlb 403.5

Të alarmuar nga këto paralajmërime, populli u ngrit për ta ndërtuar shtëpinë e Perëndisë. Pastaj u erdhi sërish fjala e Zotit: “Mendohuni mirë që sot e tutje, nga dita e njëzetekatërt e muajit të nëntë, nga dita kur u hodhën themelet e tempullit të Zotit. Mendoni këtë: që nga kjo ditë e tutje, Unë do t'ju bekoj.” - Vargjet 18, 19. PPAlb 404.1

Njeriu i urtë thotë: “Ka nga ata që shkapërdredhin bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër”- Fjalët e Urta 11:24. I njëjti mësim jepet edhe në Dhjatën e Re nëpërmjet apostullit Pal: “Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur. Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar. Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t’ju teprojë për çfarëdo pune të mirë” - 2 Korintasve 9:6, 8. PPAlb 404.2

Perëndia dëshironte që populli i tij Izraeli, të ishte mbajtësi i dritës për gjithë banorët e tokës. Duke u kujdesur për vazhdimësinë e adhurimit publik, ata jepnin dëshmi për ekzistencën dhe sovranitetin e Perëndisë së gjallë. Ishte privilegji i tyre që ta mbështesnin këtë adhurim, si një shprehje e besnikërisë dhe dashurisë së tyre ndaj Tij. Zoti ka vendosur që shpërndarja e dritës dhe e së vërtetës në botë të arrihet nga përpjekjet dhe ofertat e atyre që janë pjesëmarrës në dhënien e dhuratës qiellore. Zoti fare mirë mund të kishte bërë ambasadorë të së vërtetës engjëjt e Tij, Ai mund ta kishte bërë të njohur vullnetin e Tij, kur shpalli ligjin në Sinai, nëpërmjet zërit të Vet, por duke treguar dashuri dhe urtësi të pakufishme, Ai thirri njerëzit që të bëheshin bashkëpunëtorë me Të, duke i zgjedhur për të bërë punën e Tij. PPAlb 404.3

Në ditët e Izraelit, e dhjeta dhe ofertat vullnetare ishin të nevojshme për ruajtjen e ceremonive të shërbesës hyjnore. Po në kohët e sotme, a mos vallë njerëzit duhet të japin më pak? Parimi i parashtruar nga vetë Krishti është se ofertat tona duhet të jenë në përputhje me dritën dhe privilegjet që gëzojmë: “Atij që i është dhënë shumë, do t’i kërkohet shumë; dhe atij që i është besuar shumë, do t’i kërkohet shumë.”- Luka 12:48. Kur Jezusi i dërgoi dishepujt e Tij të dëshmonin, Ai u tha: “Falas morët, falas jepni.”- Mateu 10:8. Për sa kohë që bekimet dhe privilegjet tona rriten—por mbi të gjitha, kur përballemi me sakrificën e pakrahasueshme të Birit të lavdishëm të Perëndisë—a nuk duhet ta shprehim mirënjohjen tonë me më tepër dhurata në mënyrë që edhe të tjerëve t’u bëhet e mundur përhapja e mesazhit të shpëtimit? Ndërkohë që puna e ungjillit zgjerohet, ajo kërkon edhe më tepër mbështetje sesa gjatë kohërave të mëparshme; dhe kjo e bën ligjin e të dhjetave dhe ofertave në ditët tona një detyrim edhe më urgjent sesa në kohën e ekonomisë izraelite. Në qoftë se populli i Perëndisë, me vullnetin e lirë të zemrës do ta mbështeste me bujari kauzën hyjnore me anë të dhuratave të zemrës, në vend që të përdorte metoda aspak të krishtera dhe jo-shenjtëruese për të siguruar burime financiare, vetë Perëndia do të nderohej si dhe shumë më tepër qenie njerëzore do të fitoheshin për Krishtin. PPAlb 404.4

Plani i Moisiut për të ngritur fonde për ndërtimin e tabernakullit rezultoi shumë i suksesshëm. Nuk ishte nevoja që njerëzit të nxiteshin për të dhënë. Moisiu nuk përdori asnjërën prej metodave që në kohët e sotme, mjerisht, përdoren jo rrallë nga shumë institucione fetare. Ai nuk bëri as ndonjë festë madhështore. Nuk i ftoi njerëzit në skena të papërshtatshme argëtuese, vallzimi, as nuk organizoi llotari, apo ndonjë lloj gjëje tjetër të pahijshme për të siguruar mjetet e nevojshme për ndërtimin e shtëpisë së Zotit. Perëndia e drejtoi Moisiun që t’i ftonte pasardhësit e Izraelit të sillnin gjithë ofertat e tyre. Ai duhet t’i pranonte dhuratat nga çdo person që i jepte ato vullnetarisht, pra nga thellësia e zemrës. Dhe ofertat erdhën me aq bollëk, saqë Moisiu i urdhëroi njerëzit që të mos sillnin më, mbasi kishin sjellë më tepër sesa mund të përdorej. PPAlb 405.1

Perëndia i ka bërë njerëzit kujdestarë të Tij. Prona që Ai e ka vendosur në duart e tyre është mjeti që përdoret prej Tij për përhapjen e ungjillit. Atyre që e tregojnë veten kujdestarë besnikë, Ai do t’u mirëbesojë gjëra më të mëdha. Zoti ka thënë: “sepse Unë nderoj ata që më nderojnë.” - 1 Samuelit 2:30. “Perëndia e do dhuruesin e gëzuar” dhe kur njerëzit e Tij i sjellin dhuratat e tyre me mirënjohje në zemër, “jo dorështrënguar dhe as të kursyer,” ata do të ndiqen nga bekimi i Tij, sikurse Ai edhe ka premtuar: “Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë,” thotë Zoti Perëndi, “nëse Unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini.” - Malakia 3:10. PPAlb 405.2