PATRIARKË DHE PROFETË

52/74

51—“PËRKUJDESJA E ZOTIT PËR TË VARFRIT”

*****

Për të promovuar e inkurajuar mbledhjen e njerëzve për shërbesat fetare si dhe për të siguruar një ndihmë për të varfrit, kërkohej një e dhjetë e dytë nga gjithë të ardhurat. Për sa i përket të dhjetës së parë, Zoti kishte deklaruar: “Ja, Unë u lë si trashëgim fëmijëve të Levit të gjitha të dhjetat në Izrael në këmbim të shërbimit që kryejnë, shërbimin e çadrës së mbledhjes.” - Numrat 18:2. Por përsa i përket të dytës, Ai urdhëroi, “Do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Ai ka zgjedhur si vendbanim për emrin e Tij, të dhjetën e grurit tënd, të mushtit tënd, të vajit tënd, dhe të pjellat e para të tufave të bagëtive të trasha dhe të imta, në mënyrë që ti të mësosh të kesh gjithmonë frikë nga Zoti, Perëndia yt.” - Ligji i Përtërirë 14:23, 29; 16:11-14. Populli duhet ta sillte këtë të dhjetë, ose ekuivalentin e saj në pará, për dy vjet, në vendin ku ishte ndërtuar shenjtërorja. Pas paraqitjes së një oferte falenderimi për Perëndinë, dhe një porcion të përcaktuar për priftin, ofruesit duhet ta përdornin pjesën që mbetej për një festë fetare, në të cilën duhet të merrnin pjesë levitët, të huajt, jetimët dhe vejushat. Në këtë mënyrë siguroheshin masat e duhura për ofertat e falenderimit dhe festat gjatë festivaleve të përvitshme. Me këtë rast, njerëzit shpenzonin më shumë kohë në shoqërinë e priftërinjve dhe levitëve, në mënyrë që të merrnin udhëzime dhe ingurajime të ndryshme në shërbimin ndaj Perëndisë. PPAlb 406.1

Megjithatë, çdo tre vjet, kjo e dhjetë e dytë duhej të përdorej në shtëpi, dhe të lihej posaçërisht për të ftuar levitët dhe të varfrit, siç kishte thënë Moisiu, “me qëllim që t’i hanë brenda portave të tua dhe të ngopen.” - Ligji i Përtërirë 26:12. Kjo e dhjetë e veçantë do të siguronte një fond që do të përdorej për bamirësi dhe mikpritje. PPAlb 406.2

Por përveç kësaj u morën edhe masa të tjera për të ndihmuar të varfrit. Në fakt, asgjë tjetër, përveç pranimit të kërkesave të Perëndisë, nuk spikat më shumë në legjislacionin e dhënë nga Moisiu se sa fryma bujare, e dhimbsur dhe mikpritëse që është taksur për të varfrit. Ndonëse Perëndia kishte premtuar se do t’i bekonte me bollëk izraelitët, nuk ishte aspak në planin e Tij që varfëria të mos njihej fare ndër ta. Ai deklaroi se të varfër do të kishte përherë në vendin ku do të banonin. Ndër popullin e Tij të zgjedhur do të kishte përherë prej atyre njerëzve që të impononin zemërgjërësi, bujari dhe dhembshuri. Si në kohët e sotme, edhe atëherë kishte shumë njerëz të pafatë që vuanin nga sëmundje të ndryshme ose kishin humbur pronat apo pasurinë; gjithsesi, për aq kohë sa udhëzimet e Perëndisë do të ndiqeshin me rigorozitet, nuk kishte për të patur as lypësa mes tyre dhe as njerëz që vuanin për bukën e gojës. PPAlb 406.3

Ligji i Perëndisë u jepte të varfërve të drejtën për të përfituar nga një porcion i caktuar i prodhimeve të tokës. Kur kishte uri, i varfri lejohej që të shkonte në arën, kopshtin, ose vreshtin e fqinjit, dhe të hante prej dridhërave, frutave dhe përimeve që të shuante urinë. Pikërisht në përputhje me këtë leje, dishepujt e Krishtit në një rast që përmendet në Dhjatën e Re, shkuan në një arë në ditën e shtunë dhe shkulën disa kallinj gruri sepse i kishte marrë uria (Shih - Marku 2:23). PPAlb 407.1

Të gjitha kallëzat pas mbledhjes së të korrurave nëpër ara, kopshte dhe vreshta u përkitnin të varfërve. “Kur korr në arën tënde,” tha Moisiu, “dhe harron aty një demet (ose kapë), nuk do të kthehesh prapa për ta marrë; do të jetë për të huajin, për jetimin dhe gruan e ve, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në tërë veprën e duarve të tua. Kur do të shkundësh kokrrat e ullinjve të tua, nuk do të kthehesh në degët e tyre; ullinjtë që kanë mbetur do të jenë për të huajin, për jetimin dhe për gruan e ve. Kur do të vjelësh vreshtin tënd, nuk do të kalosh një herë të dytë; vilet e mbetura do të jenë për të huajin, për jetimin dhe për gruan e ve. Dhe do të kujtosh se ke qenë skllav në vendin e Egjiptit; prandaj të urdhëroj të veprosh në këtë mënyrë.” - Ligji i Përtërirë 24:19-22.; Levitiku 19:9, 10. PPAlb 407.2

Po kështu, çdo shtatë vjet merrej një masë tjetër e veçantë në ndihmë të të varfërve. Ky vit quhej viti sabatik ose viti shtunor (duke u nisur nga Sabati, ose e shtuna, dita e shtatë e javës) dhe fillonte në fund të sezonit të të korrurave. Në periudhën e farëzimit, e cila vinte menjëherë pas mbledhjes së të korrurave njerëzit nuk duhej të mbillnin; ata nuk duhej as të vishnin vreshtat në pranverë; dhe gjithashtu nuk duhet të prisnin as të korrura dhe as të vjela. Prej gjithë prodhimit që mbillej nëpër ara vetvetiu (spontanisht), ata mund të hanin për aq kohë sa ishte i freskët, por nuk lejoheshin që të kursenin apo magazinonin asnjë lloj prodhimi bujqësor në shtëpi. Prodhimi i atij viti duhej t’i jepej falas të huajve, jetimëve, dhe vejushave, madje edhe zogjve apo kafshëve të fushës. Eksodi 23:10; Levitiku 25:5. PPAlb 407.3

Por në qoftë se toka bujqësore normalisht prodhonte aq sa plotësonte nevojat e njerëzve, si i bëhej gjatë këtij viti shtunor (sabatik) që ata të rrinin gjallë ndërsa nuk lejoheshin as të mbillnin dhe as të mblidhnin prodhimet? Edhe për këtë, Perëndia kishte menduar dhe kishte marrë masat përkatëse duke premtuar se, “Unë kam urdhëruar që bekimi Im të vijë mbi ju vitin e gjashtë, dhe ai do t’ju japë një të korrur që do të mjaftojë për tre vjet. Kështu vitin e tetë do të mbillni dhe do të hani nga e korrura e vjetër deri në vitin e nëntë; do të hani nga e korrura e vjetër deri sa të vijë e reja. - Levitiku 25:21, 22. PPAlb 407.4

Respektimi i vitit shtunor (sabatik) do të shërbente si një përfitim si për tokën ashtu edhe për njerëzit. Kështu, në rast se toka bujqësore nuk do të lërohej për një vit, ajo kishte për të prodhuar shumë më tepër se zakonisht gjatë vitit në vazhdim. Duke qenë kështu, edhe njerëzit liroheshin nga puna e rëndë nëpër ara; dhe ndërsa ata mund të merreshin edhe me punëra të tjera të domosdoshme, gjatë këtij viti ata kishin më shumë kohë për të pushuar, gjë që krijonte një mundësi të artë që të ripërtërinin energjitë fizike dhe të ishin të përgatitur për barrën e vitit në vazhdim. Gjatë këtij viti të veçantë, ata kishin më shumë kohë për meditim dhe lutje, për t’u njohur me mësimet dhe kërkesat e Zotit për ta, si dhe për edukimin e familjes. PPAlb 407.5

Gjatë vitit shtunor (sabatik), skllevërit hebrenj duhet të liroheshin, dhe nuk duhet të largoheshin nga ish-pronarët duarbosh. Porosia e Zotit ishte: “Dhe kur do ta lësh [skllavin] të largohet i lirë, nuk do ta lësh të shkojë duarbosh; do t’i japësh dhurata bujarisht nga kopeja jote, nga lëmi dhe nga hambari yt; do ta bësh pjesëtar të bekimeve me të cilat Zoti, Perëndia yt, të ka mbushur.” - Ligji i Përtërirë 24:14, 15. PPAlb 408.1

Paga e argatit duhej të paguhej me përpikmëri: “Nuk do t’i hash hakun argatit të varfër dhe nevojtar, qoftë ai njëri nga vëllezërit e tu (izraelit) apo një nga të huajt që banojnë në vendin tënd, brenda portave të tua; do t’i japësh pagën e tij po atë ditë, para se të perëndojë dielli, sepse ai është i varfër dhe kjo është dëshira e tij; kështu ai nuk do të bërtasë kundër teje para Zotit dhe ti nuk do të kesh mëkat.” - Ligji i Përtërirë 24:14,15. PPAlb 408.2

Porosi të veçanta u dhanë gjithashtu në lidhje me trajtimin e skllevërve që largoheshin pa leje nga pronarët: “Nuk do t’i dorëzosh pronarit të tij skllavin që i ka ikur për t’u strehuar pranë teje. Ai do të banojë me ty, në mes jush, në vendin që ka zgjedhur në njërën prej portave tuaja, atje ku do t’i duket më i mirë; dhe nuk do ta ngacmosh.” - Ligji i Përtërirë, 23:15, 16. PPAlb 408.3

Për të varfërit, viti i shtatë ishte viti i çlirimit prej borxheve. Hebrenjtë ishin të detyruar që të ndihmonin në çdo kohë bashkëkombasit e tyre më në nevojë, duke u dhënë hua pa interes. Të aplikoje fajde ndaj të varfërit ishte rreptësisht e ndaluar: “Në rast se vëllai (bashkëkombasi) yt varfërohet dhe ndodhet ngushtë në mes tuaj, ti do ta përkrahësh si të huaj dhe si mik që të mund të jetojë pranë teje. Mos nxirr nga ai asnjë përfitim ose dobi; por ki frikë nga Perëndia yt, dhe vëllai yt do të jetojë pranë teje. Nuk do t’i japësh hua paratë e tua me kamatë, as do t’i japësh ushqimet e tua për të nxjerrë ndonjë përfitim.” - Levitiku 25:35-37. Në rast se borxhi mbetej i papaguar deri në vitin e shtatë (shtunor), kapitali nuk mund të rekuperohej. Njerëzit ishin paralajmëruar posaçërisht kundër mosdhënies së ndihmës për bashkëkombësit e tyre në rast nevoje: “Në rast se ke ndonjë vëlla nevojtar midis jush, midis ndonjë prej qyteteve që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do ta fortësosh zemrën dhe nuk do ta mbyllësh dorën para vëllait tënd nevojtar; Ki kujdes që të mos ketë asnjë mendim të keq në zemrën tënde, i cili të të bëjë të thuash: ‘Viti i shtatë, viti i lehtësimit është afër,’ dhe ta shikosh me sy të keq vëllanë tënd nevojtar dhe të mos i japësh asgjë; ai do të bërtiste kundër teje para Zotit dhe ti do të mëkatoje.” “Nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj Unë po të të jap këtë urdhërim dhe po të të them: ‘Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfërit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj’... dhe do t’i hapësh me zemërgjerësi dorën tënde dhe do t’i japësh hua aq sa i nevojitet për të përballuar nevojat që ka.” - Ligji i Përtërirë 15:7-9, 11, 8. PPAlb 408.4

Askush nuk ka pse frikësohet se bujaria dhe zemërgjërësia do t’i çojnë në nevojë. Respektimi i urdhërimeve të Perëndisë do të sjellë me siguri prosperitet. Zoti ka thënë, “do t’u japësh hua shumë kombeve, por ti nuk do të kërkosh hua; do të sundosh mbi shumë kombe, por ato nuk do të sundojnë mbi ty.” - Ligji i Përtërirë 15:6. PPAlb 408.5

Pas “shtatë të shtuna vjetësh,” “shtatë herë shtatë vjet,” vinte viti i madh i lehtësimit—jubileu. “Pastaj ... do t’i biesh burisë së jubileut; ditën e shlyerjes do të bëni që të bjerë buria në të gjithë vendin. Dhe do të shenjtëroni vitin e pesëdhjetë dhe do të shpallni lirinë në vend për të gjithë banorët e tij. Do të jetë për ju një jubile; secili prej jush do të kthehet në pronën e vet dhe secili prej jush do të kthehet në familjen e vet.” - Levitiku 25:9, 10. PPAlb 408.6

Dhe vërtetë, “ditën e dhjetë të muajit të shtatë, në Ditën e Shlyerjes,” binte trumpeta e jubileut. Anembanë vendit, kudo që banonin izraelitë, dëgjohej zëri që thërriste të gjithë pasardhësit e Jakobit (Izraelit) që të mirëpritnin vitin e lehtësimit (apo çlirimit). Në Ditën e madhe të Shlyerjes, kryhej shpengimi i mëkateve të Izraelit, dhe pastaj, me zemër të lehtësuar e të gëzuar populli mirëpriste jubileun. PPAlb 409.1

Ashtu siç ndodhte në vitin shtunor, toka në vitin jubilë as nuk mbillej, as nuk korrej; në fakt i gjithë prodhimi që dilte vetvetiu konsiderohej si një pronë e ligjshme e të varfërve. Disa klasa të caktuara të skllevërve hebrenj—të gjithë ata që nuk e fitonin lirinë në vitin shtunor—çliroheshin me këtë rast. Por gjëja që e bënte më të veçantë vitin e jubileut ishte kthimi i të gjitha pronave (tokësore) tek familja e pronarit të parë. Me anë të një udhëzimi të posaçëm nga Perëndia, toka ishte ndarë me short. Pasi ishte bërë ndarja, askush nuk lejohej që të shiste dynymët që kishte nën zotërim. Askush nuk lejohej të shiste tokën, përveçse atëherë kur detyrohej nga varfëria që ta bënte këtë gjë, por pastaj, kur ai apo anëtarë të farefisit të tij do të kishin dëshirë ta riblenin (shpengonin) tokën, blerësi nuk kishte të drejtë refuzimi—ishte i detyruar t’ia shiste ish-pronarit; ndërsa në rast se nuk shpengohej, toka i rikthehej automatikisht ish-pronarit (të parë) ose trashëgimtarëve të tij në vitin e jubileut. PPAlb 409.2

Zoti i deklaroi Izraelit: “Tokat nuk do të shiten përgjithmonë, sepse toka është e Imja; sepse ju jeni të huaj dhe qiramarrës tek Unë.” - Levitiku 25:23. Njerëzit duhet ta kishin mëse të qartë faktin se ajo tokë që u ishte lejuar për përdorim për një kohë të caktuar në të vërtetë i përkiste Perëndisë; se Perëndia ishte pronari i ligjshëm i tokës, zotëruesi i parë i saj, dhe se Ai kishte të drejtën që të merrte masat e nevojshme për mbrojtjen e të varfërve dhe të të vobektëve. Pra, të gjithë duhet ta kishin të qartë se të varfërit kanë po aq hapërsirë në botën e Perëndisë sa ç’kanë ata që janë më më gjendje apo më të pasur. PPAlb 409.3

Të tilla ishin masat siguruese që u ndërmorën nga Krijuesi ynë i mëshirshëm, pqr të pakësuar vuajtjet, për të sjellë disa rreze shprese, për të çuar pakëz rreze dielli, në jetën e varfanjakëve dhe të hidhëruarve. PPAlb 409.4

Në fakt, Zoti do t’i vendoste një kufi dëshirës së tepruar për prona dhe pushtet. Të këqija të shumta do të rezultonin nga grumbullimi i i pasurisë nga njëra klasë (e shoqërisë), si dhe ai i varfërisë dhe degradimit nga klasa tjetër. Duke mos patur asnjë lloj kufizimi, pushteti i të pasurve do të shndërrohej në një monopol, dhe për pasojë, të varfërit, ndonëse ishin të denjë në çdo lloj aspekti të mundshëm në sytë e Perëndisë, konsideroheshin dhe trajtoheshin si më inferiorë se sa bashkatdhetarët e tyre më në gjendje. Ndjesia e këtij trajtimi të padrejtë do të shkaktonte zemërim tek klasa më e varfër e shoqërisë. Kjo gjendje do të sillte ndjenja dëshpërimi dhe pakënaqësie, gjë që kishte tendencën që të demoralizonte shoqërinë dhe t’u hapte derën krimeve nga më të ndryshmet. Rregulloret e përcaktuara nga Perëndia ishin hartuar me qëllim që të promovonin e inkurajonin barazinë shoqërore. Në këtë kontekst, masat siguruese të vitit shtunor (sabatik) dhe të jubileut, në shumicën e rasteve, përmirësonin ose korrigjonin atë çka kishte shkuar keq gjatë intervalit, si në gjendjen shoqërore ashtu edhe atë politike të kombit. PPAlb 409.5

Këto rregullore, pra, ishin hartuar me qëllim që të bekonin si të varfrit ashtu edhe të pasurit. Këta të fundit duhet të hiqnin dorë nga kopracia dhe pozita e vetë-lartësimit, dhe në vend të kësaj duhet të kultivonin një frymë fisnike dhe bamirësie; dhe duke ushqyer një vullnet të mirë ndërmjet të gjitha shtresave të shoqërisë, ata do të promovonin rendin e duhur shoqëror si dhe stabilitet në qeverisje. Në të vërtetë, të gjithë ne jemi të ndërthurrur në rrjetën e madhe të njerëzimit, dhe të gjitha ato gjëra që ne kemi mundësi që të bëjmë për përfitimin dhe përmirësimin e jetës së të tjerëve, kanë për t’u shndërruar në bekime për vetë ne. Ligji i ndërvarësisë së përbashkët i aplikohet të gjitha shtresave të shoqërisë. Të varfërit nuk janë më pak të varur tek të pasurit sa ç’janë të pasurit të varur tek të varfërit. Ndërkohë që njëra klasë e shoqërisë kërkon të ketë pjesë në bekimet që Perëndia ka dhënë për fqinjët e tyre më të pasur, këta të fundit kanë nevojë për shërbimin besnik, forcën mendore, si dhe atë të krahut (punës fizike) të cilat janë kapitali i njerëzve të varfër. PPAlb 410.1

Bekime të madha iu premtuan Izraelit në rast respektimi të direktivave të dhëna nga Zoti. “Unë do t’ju jap shirat simbas stinëve,” deklaroi Zoti, “dhe toka do të japë prodhimin e saj dhe drurët e fshatit do të japin frytet e tyre. Shirat do të vazhdojnë deri në kohën e vjeljes së rrushit dhe vjelja e rrushit do të vazhdojë deri në kohën e mbjelljeve; do të hani bukën tuaj sa të ngopeni dhe do të banoni të sigurt në vendin tuaj. Unë do të bëj që të mbretërojë paqja në vend; do të bini në shtrat dhe askush nuk ka për t’ju trembur; do të zhduk nga vendi juaj kafshët e këqia dhe shpata nuk ka për të kaluar nëpër vendin tuaj. Ju do t’i ndiqni armiqtë tuaj dhe ata do të bien para jush të shpuar tej per tej nga shpata. Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre, dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre, dhe armiqtë tuaj do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata. Unë do të kthehem nga ju, do t’ju bëj produktivë dhe do t’ju shumëzoj, dhe kështu do të vërtetoj besëlidhjen Time me ju. Ju do të hani nga prodhimi i vjetër, i ruajtur për një kohë të gjatë dhe do ta hiqni atë për t’i bërë vend prodhimit të ri. Unë do ta vendos banesën time midis jush dhe nuk do t’ju përzë. Do të eci midis jush dhe do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli Im. Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit, që të mos ishit më skllevërit e tij; e kam thyer zgjedhën tuaj dhe kam bërë që të ecni me kokën lart. Por në rast se nuk më dëgjoni dhe nuk zbatoni në praktikë të gjitha urdhërimet e mia, në rast se përçmoni statutet e mia dhe shpirti juaj hedh poshtë dekretet e mia, duke mos zbatuar në praktikë të gjithë urdhërimet e mia, duke shkelur besëlidhjen time, edhe Unë do ta bëj këtë për ju: do të çoj kundër jush tmerrin, ligështimin dhe ethet, të cilët do të konsumojnë sytë tuaj dhe do ta bëj jetën tuaj të meket; dhe do ta mbillni kot farën tuaj, sepse do ta hanë armiqtë tuaj. Do ta kthej fytyrën Time kundër jush dhe armiqtë tuaj do t’ju mundin; do të sundoheni prej atyre që ju urrejnë dhe do t’ua mbathni këmbëve pa qenë të ndjekur nga askush.” - Levitiku 26:4-17. PPAlb 410.2

Ka shumë prej atyre që thërrasin me një entuziazëm të madh se të gjithë njerëzit duet të kenë një përqindje të barabartë në bekimet e përkohshme të Perëndisë (në këtë jetë). Por ky nuk ishte qëllimi i Perëndisë. Ndryshueshmëria për sa i përket gjendjes ekonomike është njëri nga mjetet me anë të të cilëve Perëndia ka për qëllim që të vendosë në provë dhe të përmirësojë karakterin e njeriut. Gjithsesi, Ai ka për synim që të gjithë ata që kanë pasuri në këtë botë duhet ta konsiderojnë veten thjeshtë si administratorë të mallrave dhe pasurive të Tij. Perëndia u ka besuar këtyre njerëzve mjetet e nevojshme për t’u përdorur për të mirën e atyre që janë në nevojë dhe që vuajnë. PPAlb 410.3

Krishti ka thënë se të varfërit ne do t’i kemi gjithnjë me vete. Kështu, Ai bashkon interesat e Tij me atë të njerëzve të vuajtur e të vobektë. Zemra e Shpëtimtarit tonë simpatizohet me më të varfërit dhe më të ngratët prej fëmijëve të Tij tokësorë.Ai na e bën të qartë se ata janë përfaqësuesit e Tij në tokë. Ai i ka vendosur ata ndërmjet nesh me qëllim që në zemrat tona të zgjohet ajo dashuri që ndjen Ai vetë ndaj të vuajturve dhe të shtypurve. Dhembshuria dhe bamirësia që u tregohet atyre pranohen nga Krishti njësoj sikur t’i ishin treguar Atij Vetë. Ndërkohë që një veprim mizor apo neglizhimi kundër tyre konsiderohet njësoj sikur t’i ishte bërë Atij. PPAlb 411.1

Sa e ndryshme do të ishte gjendja e tanishme e botës, në aspektin moral, shpirtëror dhe kohor të saj, në qoftë se ligji i dhënë nga Perëndia për të mirën e të varfërve do të kishte vazhduar të aplikohej kudo! Egoizmi dhe mëndjemadhësia nuk do ishin kaq të theksuara sa ç’janë tani; përkundrazi, çdo njeri kishte për të ushqyer një konsideratë të lartë për mirëqënien dhe lumturinë e të tjerëve; dhe ai mjerim që në kohët tona është i shtrirë plotësisht në shumë vende, nuk do të kishte ekzistuar. PPAlb 411.2

Parimet e përcaktuara nga Perëndia, do të kishin parandaluar të gjitha ato ligësi të tmerrshme që kanë ndodhur përgjatë të gjitha kohërave si pasojë e shtypjes së të varfërve prej të pasurve si dhe mosbesimit e zemërimit të të varfërve ndaj të pasurve. Ndërkohë që këto parime hyjnore do të bënin që grumbullimit të pasurive të mëdha dhe privilegjeve që vinin nga luksi i tepruar t’u vihej një cak, ato do të kishin parandaluar në të njëjtën kohë edhe mosdijen dhe degradimin e paevitueshëm të dhjetëra mijërave, shërbimi i keqpaguar i të cilëve është i domosdoshëm për ndërtimin e këtyre pasurive kolosale. Parimet e Perëndisë do të kishin sjellë një zgjidhje paqësore të atyre problemeve që kërcënojnë në kohërat që jetojmë se bota do të vuajë nga anarkia dhe gjakderdhja. PPAlb 411.3