PATRIARKË DHE PROFETË

50/74

49—“FJALËT E FUNDIT TË JOZUEUT”

*****

Me mbarimin e luftrave dhe pushtimeve Jozueu u tërhoq në shtëpinë e tij të paqtë në qytetin e Timnath-serah. “Shumë kohë mbas pushimit që Zoti i kishte siguruar Izraelit nga të gjithë armiqtë që e rrethonin, Jozueu...mblodhi tërë Izraelin, pleqtë e tij, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij.” 37 PPAlb 399.1

Kishin kaluar tashmë disa vjet qëkur njerëzit ishin stabilizuar në vendbanimet e tyre dhe kishin filluar tashmë të ndodhnin të njëjtat të këqia që deri ca kohë më parë i kishin sjellë Izraelit gjykimet e Perëndisë. Ndërsa e ndiente peshën e viteve në jetën e tij, Jozueu ishte shumë i shqetësuar për të ardhmen e popullit të tij. Ai u foli atyre me një interes edhe më të lartë se ai i një babai normal, kur erdhën për t’u mbledhur edhe një herë rrotull udhëheqësit të tyre të moshuar. Ai iu tha: “Ju i patë të gjitha ato që Zoti, Perëndia juaj, u ka bërë të gjitha kombeve, për shkakun tuaj, sepse ka qenë vetë Zoti, Perëndia juaj, që ka luftuar për ju.” Edhe pse kanaanitët iu ishin nënshtruar, ata ende zotëronin një pjesë të mirë të tokës së premtuar Izraelit dhe Jozueu i paralajmëroi që të mos rrinin duarkryq dhe të harronin urdhërimin e Zotit për t’i shfarosur krejt kombet idhujtare. PPAlb 399.2

Në përgjithësi njerëzit ishin të ngadaltë në përfundimin e veprës për shkatërrimin e paganëve. Fiset ishin shpërndarë nëpër tokat e tyre, ushtria ishte çorganizuar dhe rinisja e luftës shihej me një sy të vështirë dhe të dyshimtë. Por Jozueu deklaroi: “Dhe Zoti, Perëndia juaj, do t’i dëbojë Ai vetë para jush; kështu ju do të shtini në dorë vendin e tyre, ashtu si ju ka premtuar Zoti Perëndia juaj. Jini, pra, shumë të vendosur në zbatimin dhe vënien në praktikë të ligjit të Moisiut, pa u shmangur as djathtas as majtas.” PPAlb 399.3

Jozueu foli drejtpërdrejt me njerëzit që ishin vetë dëshmitarë që, për sa kohë do pranonin kushtet e Zotit, Zoti me siguri do i përmbushte premtimet që u kishte bërë. .’’..pranoni, pra, me gjithë zemër e me gjithë shpirt,” -tha ai, -“që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju; të tëra u vërtetuan për ju; as edhe një nuk ra për tokë.” Ai u tha atyre se, Perëndia, ashtu sikurse i kishte realizuar premtimet, ashtu do të realizonte edhe kërcënimet. “Dhe ka për të ndodhur që, ashtu ju kanë dalë të gjitha gjërat e mira që Zoti Perëndia juaj ju kishte premtuar, kështu Zoti do të sjellë mbi ju tërë fatkeqësitë... Në rast se shkelni besëlidhjen që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar... atëherë zemërimi i Zotit do të ndizet kundër jush dhe ju do të zhdukeni shpejt nga vendi i mirë që Ai ju ka dhënë.” PPAlb 399.4

Satani ka gënjyer shumë njerëz me teorinë e lezeçme në shikim të parë se, Perëndia i do aq shumë njerëzitsaqë Ai ka për ta falur mëkatin e tyre, kurse kërcënimet e Perëndisë i shërbejnë një qëllimi të caktuar në drejtimin e Tij moral, por që nuk është se do të realizohen ndonjëherë. Përkundrazi, në marrëdhënien e Tij me çdo krijesë Perëndia ka ruajtur parimet e Tij të virtytshmërisë e drejtësisë duke demaskuar natyrën e vërtetë të mëkatit, duke e demonstruar madje që pasoja përfundimtare e tij është rrënimi dhe vdekja. Nuk ka patur dhe nuk do të ketë kurrë falje të mëkatit pa kushte. Kjo lloj faljeje thjesht do tregonte se parimet e virtytshmërisë dhe drejtësisë janë braktisur, por fakti është se këto të fundit janë vetë themeli i qeverisjes së Perëndisë. Kjo gjë do ta habiste vetë universin e pamëkatë. Perëndia i ka nxjerrë në pah me besnikëri se cilat janë pasojat e mëkatit dhe, nëse këto paralajmërime nuk do ishin të vërteta, si mund të sigurohemi vallë që premtimet e Tij janë të vërteta? E ashtuquajtura bamirësi apo dhembshuri që do linte pas dore drejtësinë nuk quhet bamirësi, por dobësi. PPAlb 399.5

Perëndia është dhuruesi i jetës. Që nga fillimi ligjet e Tij ishin vendosur që t’i shërbenin jetës. Por në mes të rregullit që Perëndia kishte krijuar u shfaq mëkati dhe për rrjedhojë u prish harmonia. Për sa kohë që të ekzistojë mëkati, vuajtja dhe vdekja janë të paevitueshme. Vetëm ngaqë Shpenguesi ynë, Krishti, ka marrë përspër barrën e mëkatit në vendin tonë, ne kemi shpresë për t’u strehuar, lidhur me fundin që na pret, në vetë Personin e Tij. PPAlb 400.1

Para se Jozueu të vdiste, krerët dhe përfaqësuesit e fiseve u mblodhën përsëri në Shekem për t’iu bindur thirrjes së tij. Ky ishte vendi që kishte më tepër lidhje se çdo vend tjetër me historitë e shenjta që u kujtonte atyre besëlidhjen e Zotit me Abrahamin dhe Jakobin, si dhe betimin e tyre solemn para se të hynin në Kanaan. Këtu ishin malet Ebal dhe Gerizim, dëshmitarët e heshtur të betimeve, të cilat ata ishin mbledhur për t’i rinovuar përsëri në praninë e udhëheqësit të tyre që ndodhej në prag të vdekjes. Nga çdo anë kishte fakte të gjithçkaje që Perëndia kishte bërë për ta; se si Ai iu kishte dhënë një tokë për të cilën nuk ishin lodhur dhe qytete të cilat nuk i kishin ndërtuar, madje dhe vreshta dhe ullinj, që ata nuk i kishin mbjellë vetë. Edhe një herë tjetër, Jozueu ua solli ndërmend historinë e Izraelit, duke u sjellë në mendje veprat e mrekullueshme të Perëndisë, në mënyrë që të gjithë të kuptonin dashurinë dhe mëshirën e Tij dhe t’i shërbenin Atij “në ndershmëri dhe në të vërtetë.” PPAlb 400.2

Nën drejtimin e Jozueut, arka ishte sjellë nga Shilohu. Ishte vërtet një ngjarje e një rëndësie të veçantë dhe ky simbol i pranisë së Perëndisë do e thellonte edhe më tej përshtypjen që donte të linte tek njerëzit. Pasi kishte paraqitur mirësinë e Perëndisë ndaj Izraelit, Jozueu i thirri ata që, në emër të Perëndisë të zgjidhnin se kujt donin t’i shërbenin. Adhurimi i idhujve vazhdonte ende të praktikohej deri diku fshehurazi, prandaj Jozueu tani po përpiqej t’i sillte përpara vendimit se ata duhet ta largonin këtë mëkat nga Izraeli. “Dhe në rast se ju duket një gjë e keqe t’i shërbeni Zotit,” - iu tha ai, - “zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni.” Jozueu dëshironte t’i drejtonte që t’i shërbenin Perëndisë jo me forcë, por me vullnet të lirë. Dashuria për Perëndinë është themeli i vertetë i besimit. Nuk kishte asnjë vlerë që t’i shërbeje Perëndisë qoftë për ndonjë shpërblim, apo për shkak të frikës. Apostazia e hapur nuk do e ofendonte Perëndinë më tepër sesa hipokrizia dhe adhurimi formal sa për sy e faqe. PPAlb 400.3

Udhëheqësi i moshuar i vuri krerët që të merrnin parasysh çdo detaj për të cilin ai po u fliste dhe të vendosnin nëse dëshironin të jetonin me të vërtetë si kombet e degraduar rreth e rrotull tyre. Nëse nuk ju dukej e mirë që t’i shërbenin Perëndisë, burimit të fuqisë dhe të bekimeve, atëherë le të zgjidhnin pikërisht atë ditë se kujt donin t’i shëbenin-“perëndive që iu shërbyen etërit tuaj,” nga të cilët Abrahami ishte thirrur që të largohej, apo “perëndive të amoritëve në tokën e të cilëve jetonin.” Fjalët e fundit ishin qortim i hapur për Izraelin. Perënditë e amoritëve nuk kishin qenë në gjendje t’i mbronin adhuruesit e tyre. Kombet e këqia ishin shkatërruar pikërisht për shkak të ligësisë dhe mëkateve të tyre dhe toka e mirë që kishin patur më përpara i ishte dhënë popullit të Perëndisë. Sa çmenduri do të tregohej nga ana e izraelitëve sikur të zgjidhnin perënditë për shërbimin e të cilëve amoritët ishin shkatërruar! “Sa për mua dhe shtëpinë time,” -tha Jozueu, -“ne do t’i shërbejmë Zotit Perëndi.” I njëjti zell i shenjtë që kishte frymëzuar zemrën e këtij udhëheqësi të madh iu përçua edhe njerëzve. Fjalët e tij i nxitën që të kthenin një përgjigje të prerë: “Larg qoftë që ne të braktisim Zotin Perëndi (Jahveh) dhe t’u shërbejmë perëndive të tjera.” “Ju nuk mund t’i shërbeni Zotit, sepse ai është një Perëndi i shenjtë, një Perëndi xheloz; ai nuk do t’i falë shkeljet dhe mëkatet tuaja.” Para se të ndodhte ndonjë reformation i qëndrueshëm, njerëzit duhet ta ndjenin që ata ishin të paaftë t’i bindeshin Perëndisë. Ata e kishin thyer ligjin e Tij dhe kjo gjë i dënonte si shkelës dhe nuk kishte rrugë shpëtimi. Ata kishin besim në forcën dhe drejtësinë e tyre, por ishte e pamundur që ata të mund ta siguronin vetë faljen e mëkateve; ata kurrë nuk mund t’u bindeshin fjalëve të ligjit të përsosur të Perëndisë dhe më kot po betoheshin që do t’i shërbenin Zotit. Vetëm duke besuar tek Krishti ata mund të siguronin falje për mëkatet e tyre dhe kështu të merrnin fuqi për t’iu bindur ligjit të Perëndisë. Duhet të ndalonin se besuari në përpjekjet e tyre dhe duhet ta vendosnin besimin e tyre të plotë tek Shpëtimtari i premtuar, nëse donin vërtetë që të pranoheshin nga Perëndia. PPAlb 400.4

Jozueu u përpoq t’i drejtonte dëgjuesit e tij që t’i peshonin mirë fjalët e tyre dhe që të mos bënin më kot betime që më vonë nuk do t’i përmbushnin dot. Me vendosmëri të madhe ata e përsëritën deklaratën e tyre: “Jo, ne do t'i shërbejmë Zotit!” Duke iu përmbajtur edhe një herë tjetër dëshmisë që sapo bënë kundër vetes së tyre që kishin zgjedhur Perëndinë, ata e përsëritën edhe një tjetër here betimin: “Ne do t’i shërbejmë Zotit, Perëndisë tonë, dhe do t’i bindemi zërit të Tij.” PPAlb 401.1

“Kështu Jozueu lidhi atë ditë një besëlidhje me popullin dhe i dha statutet dhe dekretet në Sikem.” Mbasi e mbajti shënim këtë mbledhje solemne, ai e vendosi bashkë me librin e ligjit brenda arkës. Pastaj ngriti një shtyllë si përkujtimore duke thënë: “Ja, ky gur do të jetë një dëshmitar kundër nesh, sepse ai i dëgjoi tërë fjalët që na tha Zoti; ai, pra, do të shërbejë si dëshmitar kundër jush, me qëllim që të mos e mohoni Perëndinë tuaj. Pastaj Jozueu e ktheu popullin në vendin ku ishte më parë, secili në trashëgiminë e vet.” PPAlb 401.2

Punës së Jozueut për Izraelin i erdhi fundi. Ai “e kishte ndjekur Perëndinë gjatë gjithë jetës” dhe në librin e Perëndisë, emri i tij është shkruar: “Shërbëtor i Zotit Perëndi (Jahveh).” Dëshmia më fisnike e karakterit të tij si drejtues i popullit është vetë historiku i brezit që i shijoi më së miri veprat e tij: “Izraeli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut.” PPAlb 401.3