PATRIARKË DHE PROFETË

5/74

5—“KAINI DHE ABELI VIHEN NË PROVË”

*****

Kaini dhe Abeli, bijtë e Adamit, ndryshonin ndjeshëm në karakter. Abeli kishte një frymë besnikërie ndaj Perëndisë: ai shihte drejtësi dhe mëshirë në marrëdhënien e Krijuesit me racën njerëzore, të rënë në mëkat, dhe e pranoi me mirënjohje shpresën e shpengimit. Ndërsa Kaini mbante në zemër ndjenja rebelimi dhe murmurinte kundër Perëndisë, për shkak të mallkimit të shpallur ndaj tokës dhe racës njerëzore, si pasojë e mëkatit të Adamit. Kaini e lejoi mendjen, që të rendte pas së njëjtës udhë, që çoi në rënien e Satanit—duke ushqyer dëshirën e shfrenuar për vetëlëvdim dhe duke hedhur dyshime mbi drejtësinë dhe autoritetin hyjnor. PPAlb 37.1

Dy vëllezërit u vunë në provë, siç ishte vënë në provë dhe Adami përpara tyre, për të treguar nëse do të besonin dhe do t’i bindeshin fjalës së Perëndisë. Ata ishin njohur me planin e përgatitur për shpëtimin e njeriut dhe e kishin të qartë sistemin e ofertave dhe flijimeve, që kishte përcaktuar Perëndia. Ata e dinin se, me anë të këtyre flijimeve, ata shprehnin besim te Shpëtimtari, që simbolizohej dhe përfaqësohej nga flijimi dhe, në të njëjtën kohë, deklaronin varësinë e tyre të plotë ndaj Krishtit për falje; ata e dinin se, duke iu përmbajtur planit hyjnor për shpengimin e tyre, po jepnin provë besnikërie dhe bindjeje ndaj vullnetit të Perëndisë. Pa derdhjen e gjakut nuk mund të kishte shlyerje mëkati dhe atyre u duhej të tregonin besim në gjakun e Krishtit, si shpagimi i premtuar, duke ofruar si kurban të parëlindurit e kopesë. Përveç kësaj, frutet e para të tokës duhet të paraqiteshin përpara Zotit, si ofertë falenderimi. PPAlb 37.2

Dy vëllezërit i ngritën altarët njësoj dhe secili solli një ofertë. Abeli paraqiti një kurban nga kopeja, sipas udhëzimeve të Perëndisë. “...Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij.” - Zanafilla 4:4. Zjarri zbriti nga qielli dhe e dogji flijimin. Por Kaini, duke shpërfillur urdhrin e prerë dhe të qartë të Perëndisë, paraqiti vetëm një ofertë frutash. Nuk pati shenjë nga qielli, që të tregonte se oferta u pranua. Abeli iu lut vëllait, që t’i përqasej Perëndisë sipas mënyrës hyjnore të përcaktuar, por përgjërimet e tij, thjesht, e bënë Kainin edhe më të vendosur që të ndiqte vullnetin e vet. Si më i madh në moshë, ai nuk deshi të këshillohej, apo të dëgjonte vërejtje prej vëllait më të vogël dhe kështu i trajtoi me përbuzje këshillat e Abelit. PPAlb 37.3

Kaini doli përpara Perëndisë me murmuritje dhe pabesnikëri në zemër, në lidhje me flijimin e premtuar dhe domosdoshmërinë e ofertave flijuese. Dhurata e tij nuk shprehu pendim për mëkatin. Ai mendoi, si shumë të tjerë sot, se do të ishte pranim dhe shenjë dobësie po të kishte ndjekur planin e përcaktuar hollësisht nga Perëndia dhe po të besonte se shpëtimi do t’i vinte vetëm nga shpagimi i Shpëtimtarit të premtuar. Përkundrazi, Kaini zgjodhi kursin e vetëmbështetjes. Ai do të rrihte kraharorin për meritat e veta. Kështu, ai nuk do të sillte qengjin dhe të përziente gjakun e tij me ofertën, por do të paraqiste frutat, prodhimet e punës së tij. Në këtë mënyrë, Kaini e paraqiti ofertën si një nder, që po i bënte Perëndisë, nder, nëpërmjet të cilit ai pretendonte të merrte miratimin hyjnor. Kaini tregoi bindje dhe dëgjueshmëri, kur ndërtoi altarin, tregoi bindje dhe dëgjueshmëri, kur solli një flijim; por bindja dhe dëgjueshmëria, që paraqiti ishin të pjesshme. Pjesa e rëndësishme, pranimi i nevojës për një Shpengues, u la jashtë. PPAlb 37.4

Përsa i përket lindjes dhe udhëzimit fetar të tyre, të dy vëllezërit ishin të barabartë. Të dy ishin mëkatarë dhe të dy pranonin kriteret dhe kërkesat e Perëndisë për respektim dhe adhurim. Nga paraqitja e jashtme, besimi i tyre ishte i njëjtë deri në një farë mase, por përtej kësaj, dallimi ndërmjet të dyve ishte i konsiderueshëm. PPAlb 38.1

“Me anë të besimit, Abeli i ofroi Perëndisë flijim më të mirë nga ai i Kainit.” - Hebrenjve 11:4. Abeli i kuptoi dhe i zbatoi parimet e rëndësishme, që kishin të bënin me shpengimin. Ai e konsideroi veten si mëkatar dhe e konsideroi mëkatin dhe pasojën e tij, vdekjen, si realitete, që e ndanin nga kuvendimi me Perëndinë. Kështu, Abeli solli kafshën e pafajshme tashmë të therrur, jetën e flijuar, duke pranuar kështu kërkesat e ligjit, që ishin shkelur. Përmes gjakut të derdhur, ai kqyri flijimin e ardhshëm, Krishtin, duke vdekur në kryqin e Kalvarit; dhe duke treguar besim në shpagimin, që kishte për t’u bërë, ai pati dëshmitar që ishte i drejtë dhe që oferta e tij u pranua. PPAlb 38.2

Në fakt, Kaini kishte të njëjtën mundësi si Abeli për të mësuar dhe përvetësuar këto të vërteta. Ai nuk u bë viktimë e një vendimi arbitrar. Nuk u zgjodh njëri nga vëllezërit për t’u pranuar nga Perëndia dhe tjetri për t’u mohuar. Abeli zgjodhi besimin dhe bindjen; Kaini mosbesimin dhe rebelimin. Këtu qëndronte e gjithë çështja. PPAlb 38.3

Kaini dhe Abeli përfaqësojnë dy klasa apo grupe, që do të ekzistojnë në botë deri në fund të kohës. Ata, që bëjnë pjesë në njërin grup, pranojnë me përulësi flijimin e përcaktuar për mëkatin, ndërsa ata të grupit tjetër përpiqen të mbështeten tek meritat e veta; flijimit të ofruar nga këta të fundit i mungon virtyti i ndërmjetësimit hyjnor dhe, në këtë mënyrë, ky lloj flijimi nuk mund t’i paqtojë ata me Perëndinë. Vetëm nëpërmjet meritave të Jezusit mund të falen shkeljet tona. Ata, që mendojnë se nuk kanë nevojë për gjakun shpagues të Krishtit, që mendojnë se mund ta sigurojnë miratimin e Perëndisë pa hirin hyjnor, janë duke bërë të njëjtin gabim si Kaini. Në rast se nuk e pranojnë gjakun pastrues të Krishtit, ata mbeten të dënuar. Nuk ka rrugë tjetër të parashikuar për ta, me anë të së cilës mund t’i shpëtojnë robërisë së mëkatit. PPAlb 38.4

Grupi i atyre adhuruesve, që ndjekin shembullin e Kainit, përfshin shumicën e njerëzve në botë; pothuajse çdo fë apo sistem politik i rremë është bazuar mbi të njëjtin parim: njeriu mund të mbështetet tek forcat e veta për shpëtim. Nga disa të tjerë pretendohet se raca njerëzore ka nevojë jo për shpengim nga mëkati, por për zhvillim, në mënyrë që të pastrojë, ngrejë dhe ripërtërijë vetveten. Ashtu si Kaini mendonte se do të siguronte favorin hyjnor duke ofruar një ofertë, së cilës i mungonte gjaku i një flijimi, mendojnë dhe shumë të tjerë sot, të cilët shpresojnë se do të vijë koha, kur njerëzimi ka për t’u ngritur në pozitën e kritereve hyjnore, duke mos patur nevojë për shpagimin e ofruar nga Krishti në kryq. Fatkeqësisht, historia e Kainit flet qartë për pasojat e kësaj mendësie. Kjo histori tregon se, pa Krishtin, çdo njeri i niset një udhe pa krye. Njerëzimi nuk ka fuqi brenda vetes për t’u ripërtëritur. Për më tepër, nuk ka aspak tendencë për të ecur përpara dhe lart, drejt hyjnores, por, përkundrazi, përpara dhe poshtë, drejt djallëzores. Krishti është shpresa jonë e vetme. “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell, që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.” - Veprat e Apostujve 4:12. PPAlb 38.5

Besimi i vërtetë, i cili mbështetet krejtësisht tek Krishti, do të manifestohet me anë të bindjes ndaj gjithë kërkesave të Perëndisë. Që nga koha e Adamit e deri në ditët e sotme, konflikti i madh ka patur të bëjë me ligjin e Perëndisë dhe bindjen ndaj tij. Gjatë epokave të ndryshme ka pasur prej tyre, që kanë pretenduar të kenë pasur të drejtën për t’u favorizuar nga Perëndia, edhe pse gjatë asaj kohe ata kanë shpërfillur disa prej urdhrave të Tij. Por Shkrimet e Shenjta deklarojnë se, me anë të veprave besimi bëhet i plotë, dhe se, i pashoqëruar nga veprat, që rrjedhin prej bindjes ndaj Perëndisë, besimi është i vdekur. (Shih Jakobit 2:22, 17). Ai person, që pretendon të njohë Perëndinë “dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të.” - 1 Gjonit 2:4. PPAlb 39.1

Kur Kaini e kuptoi se oferta e tij u refuzua, ai u zemërua si me Zotin ashtu edhe me Abelin, i irrituar se Perëndia nuk pranoi ofertën “rezervë” të njeriut në vend të flijimit të përcaktuar posaçërisht nga Perëndia dhe i inatosur me të vëllain, i cili vendosi t’i bindet Perëndisë dhe jo të bashkohej me Kainin në rebelim ndaj Tij. Pavarësisht shpërfilljes së urdhrit të Perëndisë nga ana e Kainit, duhet thënë se Perëndia nuk e braktisi atë, por zbriti për të arsyetuar me njeriun, që ishte treguar shumë i paarsyeshëm. Dhe Zoti e pyeti Kainin: “Pse je pezmatuar dhe pse është dëshpëruar fytyra jote?” - Zanafilla 4:6. Paralajmërimi hyjnor u transmetua nëpërmjet një engjëlli lajmëtar: “Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por, në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh (mëkatin).” Vargu 7. Vendimi i përkiste plotësisht Kainit. Në rast se do të tregonte besim dhe do të pranonte meritat e Krishtit, Shpëtimtarit të premtuar dhe, në këtë mënyrë, t’u bindej kërkesave të Perëndisë, Kaini kishte për t’u pranuar nga Perëndia dhe do të gëzonte favorin hyjnor. Por, nëse do të vazhdonte duke ngulmuar me mosbesim dhe mosbindje, atij nuk i ngelej asnjë arsye objektive për t’u ankuar më vonë se pse u refuzua nga Zoti. PPAlb 39.2

Por, në vend që të pranonte fajin, Kaini vazhdoi të ankohej dhe të qahej për padrejtësinë e Perëndisë dhe të ushqente xhelozi dhe inat ndaj Abelit. Me zemërim të thellë, ai e qortoi ashpër Abelin dhe u përpoq ta përfshinte dhe atë në konflikt, përsa u përkiste raporteve, që të dy kishin me Perëndinë. Me përulësi, ndonëse pa frikë dhe pa lëkundje, Abeli mbrojti drejtësinë dhe mirësinë e Perëndisë. Ai ia shpjegoi shumë qartë gabimin Kainit dhe u përpoq ta bindte se e kishte vetë fajin. Abeli i foli Kainit për dhembshurinë e Perëndisë. Perëndia kish qenë Ai, që u kishte kursyer jetën prindërve të tyre edhe pse kishte të drejtë t’i dënonte ata me vdekje të menjëhershme. Përkundrazi, Perëndia i donte të gjithë, përndryshe nuk do të jepte Birin e Tij të shenjtë dhe të pafajshëm që të vuante dënimin, që kishin shkaktuar prindërit e tyre. E gjithë kjo e xhindosi edhe më tepër Kainin. Arsyeja dhe ndërgjegjja i thoshin se Abeli kishte të drejtë; por atij i erdhi tmerrësisht inat që vëllai më i vogël, i cili zakonisht merrte këshilla prej tij, të denjonte në këtë rast ta kundërshtonte dhe, aq më tepër, të mos pajtohej aspak me rebelimin e tij. Në furi e sipër, me një tërbim të verbër Kaini e vrau të vëllain. PPAlb 39.3

Kaini e urreu dhe e vrau të vëllain, jo për ndonjë faj, që kish bërë Abeli, por “sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta.” - 1 Gjonit 3:12. Kështu, gjatë të gjitha kohërave, të këqinjtë kanë urryer ata, që ishin më të mirë, sesa vetë ata. Gjatë gjithë jetës së tij, Abeli shfaqi bindje dhe besim të palëkundur ndaj Perëndisë. Në këtë mënyrë, Kaini e shihte jetën e Abelit si një qortim të vazhdueshëm. “Sepse kushdo, që bën gjëra të mbrapshta, e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij.” - Gjoni 3:20. Sa më e ndritshme të jetë drita qiellore, që më shumë reflektohet nga karakteri i atyre, që i shërbejnë besnikërisht Perëndisë, aq më qartazi shfaqen fajet e të pafëve dhe aq më të qëllimshme do të jenë përpjekjet e tyre për të shkatërruar ata, që u trazojnë rehatinë. PPAlb 40.1

Vrasja e Abelit ishte shembulli i parë i armiqësisë së paralajmëruar më herët nga Perëndia, armiqësi, që do të ekzistonte ndërmjet gjarprit dhe pasardhësve të gruas, ndërmjet Satanit e të nënshtruarve ndaj tij nga njëra anë dhe Krishtit dhe ndjekësve të Tij nga ana tjetër. Satani kishte vënë nën kontroll racën njerëzore nëpërmjet mëkatit të njeriut, por do të ishte Krishti Ai, që do të mundësonte njerëzimin ta flakte këtë zgjedhë. Tërbimi i Satanit rritet e ashpërsohet sa herë që një person, përmes besimit në Jezusin, Qengjin e Perëndisë, heq dorë nga shërbimi ndaj mëkatit. Jeta e shenjtë e Abelit ishte një dëshmi e qartë kundër pretendimit të Satanit, se ishte e pamundur për njeriun, që të mbante ligjin e Perëndisë. Kur Kaini, i nxitur nga fryma e të ligut, e kuptoi qartë se nuk mund ta vinte nën kontroll Abelin, u irritua dhe u zemërua aq, sa i mori dhe jetën. Fatkeqësisht, e njëjta frymë do të manifestohet kundër atyre, që do të do të shpallin virtytshmërinë e ligjit të Perëndisë. Eshtë e njëjta frymë, e cila përgjatë gjithë kohërave, ka përgatitur turrën e druve dhe ka ndezur zjarr në stekën e dishepujve të Krishtit. Por, këto mizori të grumbulluara mbi ndjekësit e Jezusit, kurdisen e nxiten nga Satani dhe bashkëpunëtorët e tij, për shkak se këta të fundit nuk mund t’i detyrojnë besimtarët e vërtetë, që t’i nënshtrohen kontrollit dhe pushtetit satanik. Sjellja e Satanit tregon tërbimin dhe xhindosjen e një kundërshtari, tashmë të mundur. Çdo martir i Jezusit ka vdekur dhe vdes fitimtar. Thotë profeti: “ata e mundën atë (dragoin e madh, gjarprin e lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan) me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje.” - Zbulesa 12: 11, 9. PPAlb 40.2

Vrasësi Kain u thirr shumë shpejt për të dhënë llogari dhe për t’u përgjigjur për krimin që kishte kryer. “... Zoti i tha Kainit: ‘Ku është vëllait yt Abeli?’ Ai u përgjigj: ‘Nuk e di; mos jam unë vallë rojtari i vëllait tim?”‘ Zanafilla 4:9. Kaini ishte zhytur aq thellë në mëkat, sa që kishte humbur sensin e pranisë së vazhdueshme të Perëndisë si dhe madhështinë dhe gjithëditurinë e Tij. Përfundimisht, Kaini gjeti ngushëllim tek falsiteti dhe u përpoq ta fshihte fajin e tij. PPAlb 40.3

Atëherë, Zoti i tha Kainit, “Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka.” - Vargu 10. Perëndia sapo i kishte dhënë Kainit një mundësi për të rrëfyer mëkatin. Kaini kishte pasur kohë të mjaftueshme për të reflektuar. Ai e njihte mirë poshtërsinë e veprës, që kishte kryer dhe falsitetin, që kishte përdorur për ta fshehur atë; por ai vazhdoi me rebelimin dhe mosbindjen e vet dhe, si pasojë, përballja hyjnore nuk u shty për më vonë. Zëri i Perëndisë, që pak më parë kishte folur plot përgjërim e mirëdashje, shpalli fjalët e lemerishme: “Dhe ti tani je më i mallkuar se toka, që hapi gojën për të marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote. Kur të punosh tokën, ajo nuk do të të japë më prodhimet e saj, dhe ti do të jesh një endacak dhe një ikanak mbi tokë.” Vargjet 11-12. PPAlb 40.4

Pavarësisht faktit se për krimet e tij Kaini meritonte dënimin me vdekje, Krijuesi mëshirëplotë e kurseu sërish jetën e tij dhe i garantoi mundësi për pendim. Por, pas kësaj ngjarjeje, Kaini jetoi i yshtur për të ngurtësuar zemrën dhe për të inkurajuar rebelim kundër autoritetit hyjnor. Aq më keq, ai u bë kreu i një linje mëkatarësh të spikatur dhe të shfrenuar. Ky renegat dhe fëmohues, i shtyrë nga Satani, u bë tundues i të tjerëve; shembulli dhe ndikimi i tij u reflektua në forcën e tyre demoralizuese, derisa toka u mbush me aq degjenerim, poshtërsi dhe dhunë sa ia kërkoi vetes shkatërrimin e saj. PPAlb 41.1

Me kursimin e jetës së vrasësit të parë, Perëndia i dha një mësim të rëndësishëm mbarë universit përsa i përket temës së konfliktit të madh. Historia e errët e Kainit dhe pasardhësve të tij do të shërbente si një ilustrim i asaj, që do të ishte pasoja e lejimit të mëkatarit për të jetuar përgjithmonë duke ushtruar rebelimin e tij kundër Perëndisë. Fatkeqësisht, vetëpërmbajtja e Perëndisë i inkurajoi të ligjtë, që të bëheshin më të paturp, më kryeneçë dhe më mospërfillës në veprimtarinë e tyre të fëlliqur. Pesëmbëdhjetë shekuj pas verdiktit të shpallur ndaj Kainit, universi do të ishte dëshmitar i realizimit dhe përmbushjes së ndikimit dhe shembullit të keq të Kainit, realizim dhe përmbushje, që u pasqyruan tek kriminaliteti, shthurrja dhe ndotja, që përfshiu mbarë botën. U bë krejtësisht e qartë se verdikti i vdekjes, që i ishte shpallur racës së rënë njerëzore, si pasojë e thyerjes së ligjit të Perëndisë, ishte si i drejtë, ashtu edhe mëshirëplotë. Sa më gjatë njerëzit të jetonin në mëkat, aq më të shpërfytyruar kishin për t’u bërë. Verdikti hyjnor për shkurtimin e karrierës mëkatare njerëzore, e cila karakterizohej nga një fëlliqësia e imoraliteti i pashoq dhe lirimi i botës nga ndikimi i keq i atyre, që ishin të thekur e mëse të vendosur në rebelim, ishte në fakt bekim dhe jo mallkim. PPAlb 41.2

Satani punon vazhdimisht, me një energji të konsiderueshme dhe pas një mijë maskave, për të keqparaqitur karakterin dhe qeverinë e Perëndisë. Me plane të mirorganizuara dhe të shtrira mirë në kohë si dhe me një fuqi të jashtëzakonshme, ai është duke punuar ende, që të mbajë banorët e botës nën mashtrimet e veta. Perëndia, Ai, që ështe i pafund dhe ka një urtësi të pakrahasueshme, e sheh fundin nga fillimi dhe, në raportet e tij me të keqen, planet e tij janë shumë më të mirëmenduara dhe të llogaritura. Qëllimi i Perëndisë ishte, jo vetëm dhënia fund e rebelimit, por dhe demonstrimi para krejt universit i natyrës së vërtetë të këtij rebelimi. Plani i Perëndisë ishte shpalosur qartë: të tregonte drejtësinë, por edhe mëshirën, të shoqëruara këto me urtësinë dhe virtytshmërinë e Tij në qëndrimin e Tij ndaj së keqes. PPAlb 41.3

Banorët e botëve të tjera, të paprekur nga mëkati, po i ndiqnin me interes të thellë ngjarjet, që po zhvilloheshin në tokë. Në gjendjen, që ndodhej bota e atëhershme, (përpara Përmbytjes së kohës së Noeut), ata panë të ilustruara mjaft qartë pasojat e administrimit, që Luciferi ishte orvatur të vendoste në qiell, që, me pak fjalë, përmblidhet në dy pika: mohimi i autoritetit të Krishtit dhe flakja tej e ligjit të Perëndisë. Gjithashtu, ata vërejtën kontrollin e plotë, që Satani kishte mbi mëkatarët despotikë të botës së lashtë të parapërmbytjes. Mendimet e zemrave të njerëzve ishin vazhdimisht të liga. - Zanafilla 6:5. Çdo emocion, impuls dhe imagjinatë u kundërvihej qartë parimeve hyjnore të pastërtisë së shpirtit, paqes dhe dashurisë. Ishte, në të vërtetë, një shembull i shthurrjes së kobshme, që erdhi si pasojë e zbatimit të politikës së Satanit për të hequr kufizimet e ligjit të shenjtë të Perëndisë nga krijesat e Tij. PPAlb 41.4

Bazuar në faktet e shpalosura përgjatë procesit të konfliktit të madh, Perëndia ka për të demonstruar parimet e rregullave të Tij të qeverisjes, të cilat janë fallsifikuar prej Satanit dhe gjithë atyre, që ky i fundit ka mashtruar. Drejtësia e Zotit ka për t’u pranuar përfundimisht nga mbarë bota, ndonëse ky pranim ka për t’u bërë tepër vonë për të shpëtuar të shthurrurit. Perëndia mban me Vete simpatinë dhe miratimin e krejt universit, ndërsa hap pas hapi plani i Tij përparon drejt zbatimit të plotë. Perëndia do të vazhdojë t’i mbajë me vete gjatë fashitjes përfundimtare të rebelimit. Do të shihet qartë se, të gjithë ata, që kanë braktisur kriteret hyjnore, në fakt, kanë rreshtuar veten në anën e Satanit, në betejë kundër Krishtit. Kur Satani, princi i kësaj bote, do të gjykohet, të gjithë ata, që do të bashkohen me të, kanë për të patur të njëjtin fat me të. Në atë kohë, i gjithë universi ka për të qenë dëshmitar i shpalljes së verdiktit hyjnor. Me këtë rast, universi do të deklarojë: “Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i kombeve.” - Zbulesa 15:3. PPAlb 42.1