PATRIARKË DHE PROFETË

47/74

46—“BEKIMET DHE MALLKIMET”

*****

Pas ekzekutimit të dënimit mbi Akanin, Jozueu u urdhërua që t’i organizonte gjithë luftëtarët dhe të marshonte edhe njëherë tjetër kundra Ait. Fuqia e Perëndisë ishte me njerëzit e Tij dhe shumë shpejt ata e slitinë qytetin në dorë. 34 PPAlb 383.1

Veprimet ushtarake u ndërprenë për pak kohë, në mënyrë që i gjithë Izraeli të angazhohej në një shërbesë solemne shpirtërore. Njerëzit mezi prisnin që të stabilizoheshin në Kanaan, pasi ata ende nuk kishin shtëpi, apo toka për familjet e tyre, po për t’i patur këto të fundit, ata duhej që më parë të përzinin nga vendi kanaanitët, ndonëse kjo punë kaq e rëndësishme duhej ndërprerë për pak kohë, ngaqë një detyrë edhe më e lartë kërkonte vëmendjen e tyre më urgjentisht. Para se të shtinin në dorë trashëgiminë e tyre, ata duhet ta rinovonin besëlidhjen e tyre me Perëndinë. Në udhëzimet e fundit dhënë Moisiut, ishte urdhëruar dy herë që ta dedikonte popullin mbi dy maja malesh, në atë të Ebalit dhe të Gerizimit në Shekem, për të pranuar solemnisht ligjin e Perëndisë. Duke iu bindur këtyre udhëzimeve, i gjithë populli, jo vetëm burrat, por edhe “gratë, fëmijët dhe të huajt që banonin në mes tyre” e lanë kampin e tyre në Gilgal dhe marshuan përgjatë vendit të armiqve të tyre drejt luginës se Shekemit, që i binte të ishte qendra e atij vendi. Edhe pse ishin të rrethuar nga armiq që ende s’i kishin mundur, ata ishin të sigurt nën mbrojtjen e Perëndisë, për sa kohë që i qëndronin Atij besnikë. Tani, sikurse edhe në ditët e Jakobit, “tmerri i Zotit ishte mbi qytetet që ishin rreth e rrotull” (Zanafilla 35:3) dhe hebrenjve nuk u ndodhi asgjë e keqe. PPAlb 383.2

Vendi i caktuar për këtë shërbesë të shenjtë ishte tashmë i shenjtëruar ngaqë lidhej me historinë e etërve të tyre. Ky ishte vendi ku Abrahami kishte ngritur altarin e tij të parë kushtuar Jahveh-it, Zotit Perëndi, në tokën e kanaanitëve. Ishte vendi ku të dy, Abrahami dhe Jakobi kishin ngulur çadrat e tyre. Ishte vendi ku ky i fundit bleu tokën ku fiset e Izraelit do të varrosnin eshtrat e Jozefit. Këtu gjendej edhe pusi që e kishte gërmuar Jakobi dhe lisi nën të cilin ai kishte groposur statujat idhujtare të familjes së tij. PPAlb 383.3

Vendi i zgjedhur ishte një nga më të bukurit në gjithë Palestinën dhe ia vlente që të ishte teatri ku do të luhej kjo skenë madhështore dhe mbresëlënëse. Aty, midis kodrave të zhveshura, shtrihej me një pamje që të bënte për vete lugina e bukur me fushat e saj gjelbëroshe, ku spikatnin kurorat e ullinjve, e vaditur nga ujëra që rridhnin prej burimeve plot jetë dhe ku gëlonin lulet e egra. Majat e Ebalit dhe Gerizimit, ngritur në dy anë të kundërta të luginës, gati i afroheshin njëri-tjetrit dhe faqet e tyre të poshtme duket sikur krijonin një platformë natyrore, ku çdo fjalë që flitej nga njëra majë, dëgjohej qartë edhe në anën tjetër, kurse anët e maleve, duke zbritur poshtë, ofronin goxha hapësirë për mbledhjen e një asambleje të madhe. PPAlb 383.4

Sipas udhëzimeve që iu dhanë Moisiut, mbi malin Ebal u ngrit një monument bërë prej gurësh të mëdhenj. Mbi këta gurë, që më përpara ishin të lyer me një shtresë gëlqereje, u shkrua ligji i Perëndisë, jo vetëm dhjetë parimet që u thanë në malin Sinai dhe që ishin gdhendur në rrasa guri, por të gjitha ligjet që iu komunikuan Moisiut dhe që ai i kishte shkruar në një libër. Pranë këtij monumeti u ngrit edhe një altar me gur të palatuar dhe mbi të i ofroheshin flijime Perëndisë. Fakti që ky altar ishte ngritur në malin Ebal, atje ku ishte shqiptuar mallkimi, ishte mjaft domethënës dhe tregonte që, me të drejtë, Izraeli kishte tërhequr zemërimin e Perëndisë, ngaqë kishte shkelur ligjin e Tij dhe që në ato momente ky mal do të vizitohej sërish, por për të marrë shpengimin e Krishtit, që përfaqësohej aty nga altari i sakrificës. PPAlb 384.1

Gjashtë nga fiset e Izraelit, të gjithë të prejardhur nga Lea dhe Rakela, kishin qëndruar mbi malin Gerizim, kurse ato që kishin prejardhjen nga shërbëtoret e Jakobit, së bashku me Rubenin dhe Zebulunin u pozicionuan në Ebal, ndërkohë që priftërinjtë së bashku me arkën kishin zënë vend në luginën që shtrihej ndërmjet tyre. Nën tingullin e borisë lajmëruese u shpall heshtje dhe në mes të asaj qetësie të thellë dhe në praninë e asamblesë së madhe, duke qëndruar pranë arkës së shenjtë, Jozueu lexoi bekimet që do të vinin nga bindja ndaj ligjit të Perëndisë. Të gjitha fiset mbi malin Gerizim u përgjigjën me një ‘Amen!’ Pastaj, ai lexoi edhe mallkimet dhe fiset mbi malin Ebal bënë të njëjtën gjë duke dhënë aprovimin e tyre, mijëra e mijëra zëra të bashkuar në një zë të vetëm dhanë përgjigjen solemne. Menjëherë mbas kësaj pasoi leximi i ligjit të Perëndisë, së bashku me statutet dhe gjykimet që ua kishte lënë Moisiu. PPAlb 384.2

Izraeli e kishte marrë ligjin direkt nga goja e Perëndisë kur ishin në malin Sinai dhe parimet e tij të shenjta, të shkruara me dorën e Vet ruheshin ende në arkë. Edhe tani, ai ishte shkruar diku ku gjithkush mund ta lexonte. Të gjithë e kishin privilegjin për t’i parë me sytë e tyre kushtet e besëlidhjes, sipas të cilave duhej të merrnin në dorë Kanaanin. Gjithçka ishte bërë që të ishte si shenjë e pranimit të kushteve të besëlidhjes nga ana e tyre dhe të jepnin miratimin e tyre për bekimet, apo mallkimet, sipas bindjes, apo neglizhimit të ligjit. Ligji nuk u shkrua vetëm mbi gurët përkujtimorë, por u lexua nga vetë Jozueu dhe gjithë Izraeli e dëgjoi. Nuk kishin kaluar shumë ditë që kur Moisiu ua kishte dhënë gjithë librin e Ligjit të Përtërirë, e megjithatë, tani ishte Jozueu ai që ua lexoi ligjin përsëri. PPAlb 384.3

Jo vetëm burrat e Izraelit, por edhe “gratë dhe fëmijët” e dëgjonin leximin e ligjit, sepse ishte e rëndësishme që edhe këta ta dinin dhe të bënin detyrën e tyre. Lidhur me statutet e tij, Perëndia tha: “Do t’i shtini këto fjalë në zemrën dhe në mëndjen tuaj, do t’i lidhni si një shenjë në dorë dhe do të jenë si ballore midis syve; do t’ua mësosh bijve tuaj, me qëllim që ditët tuaja dhe ditët e bijve tuaj, në vendin që Zoti është betuar t’u japë etërve tuaj, të jenë të shumta si ditët e qiellit mbi tokë.”- Ligji i Përtërirë 11:18-21. PPAlb 384.4

Çdo shtatë vjet i gjithë ligji duhej të lexohej para tërë asamblesë së Izraelit, siç urdhëroi edhe Moisiu: “Në fund të çdo shtatë vjetëve, në kohën e caktuar si vit i faljes, në festën e Kasolleve, kur tërë Izraeli do të vijë të paraqitet përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Ai ka zgjedhur, do të lexosh këtë ligj para tërë Izraelit, në veshët e tërë izraelitëve. Do të mbledhësh popullin, burra, gra, fëmijë dhe të huajin që ndodhet brenda portave të tua, që të dëgjojnë dhe të mësojnë të kenë frikë nga Zoti Perëndia juaj, dhe të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji, kështu që bijtë e tyre që akoma nuk e njohin, të dëgjojnë Zotin, Perëndinë tuaj, dhe të kenë frikë prej Tij, për të gjithë kohën që do të jetoni në vendin që ju po hyni ta pushtoni, duke kaluar Jordanin.”- Ligji i Përtërirë 31: 10-13. PPAlb 384.5

Satani punon vazhdimisht për ta prishur atë që Perëndia ka folur, që ta verbojë mendjen dhe ta errësojë botëkuptimin dhe në këtë mënyrë t’i shtyjë njerëzit për mëkat. Kjo është edhe arsyeja pse Perëndia është kaq i prerë, duke i bërë kërkesat e Tij shumë të qarta, saqë askush nuk ka pse gabon. Perëndia kërkon vaahdimisht që t’i sjellë njerëzit nën mbrojtjen e Tij, në mënyrë që Satani të mos praktikojë mbi ta fuqinë e tij të egër e mashtruese. Zoti ka zbritur që t’u flasë atyre me zërin e Tij, që t’i shkruaj orakujt e shenjtë me dorën e Tij. Këto fjalë të shenjta , të gjitha të mbushura me jetë dhe që ndriçojnë nga e vërteta i janë komunikuar njeriut si një dritë e përsosur. Meqë Satani është aq i gatshëm që ta tërheqë vëmendjen dhe t’i devijojë ndjenjat ndaj premtimeve dhe kërkesave të Perëndisë, duhet edhe më tepër punë për t’i fiksuar ato në mendje dhe për t’i futur në zemër. PPAlb 385.1

Mësuesit e Biblës duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje udhëzimit të njerëzve në bazë të fakteve dhe historive biblike dhe paralajmërimeve dhe kërkesave të Perëndisë. Këto duhet të paraqiten në një gjuhë të thjeshtë, të përshtatura edhe për fëmijët. Kjo duhet të jetë pjesë e punës nga të dyja palët; prindërit dhe drejtuesit e kishës duhet të vëzhgojnë nëse të rinjve po u mësohen Shkrimet e Shenjta. PPAlb 385.2

Prindërit mundën dhe duhet t’ua nxisin fëmijëve të tyre interesin për njohuritë e ndryshme të përfshira në Shkrimet e Shenjta. Por, që ta bëjnë këtë për djemtë dhe vajzat e tyre, pikë së pari, ata vetë duhet të shfaqin interes për këto Shkrime. Ata duhet të jenë të mirëinformuar për mësimet e Biblës dhe ashtu sikurse Zoti ia urdhëroi Izraelit: “do t’ua mësosh bijve tuaj, duke u folur per to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecnën rrugës, kur rri shtrirë dhe kur çohesh.” - Ligji i Përtërirë 11:19. Ata që duan që fëmijët e tyre ta duan dhe ta nderojnë Perëndinë, duhet të flasin për mirësinë e tij, madhështinë dhe fuqinë e shfaqur nëpërmjët fjalës dhe veprës së Tij krijuese. PPAlb 385.3

Çdo kapitull dhe çdo varg i Biblës është një komunikim i Zotit me njeriun. Ne duhet t’i lidhim parimet e saj si një shenjë në dorën tonë dhe si një fasho midis syve tanë. Nëse ajo studiohet ashtu siç duhet, do ta udhëheqë popullin e Perëndisë, sikurse edhe Izraelitët, nëpërmjet kolonës së resë gjatë ditës dhe kolonës së zjarrit gjatë natës. PPAlb 385.4