PATRIARKË DHE PROFETË

48/74

47—“LIDHJA ME GIBEONITËT

*****

Izraelitet u kthyen nga Shekemi për në fushimin e tyre në Gilgal. Pak mbas kësaj kohe ata patën një vizitë nga një delegacion i panjohur, i cili donte të lidhte aleancë me ta. Ambasadorët e përfaqësuar thanë që kishin ardhur nga një vend i largët dhe pamja e tyre dëshmonte për këtë. Veshja e tyre ishte vjetëruar dhe e mbaruar, sandaleve iu kishte dalë boja, gjërat e tyre kishin zënë myk dhe lëkurët që u shërbenin si shishe vere ishin gati grisur dhe lidhur shpejt e shpejt, sikur të kishin qenë duke udhëtuar. 35 PPAlb 386.1

Në shtëpinë e tyre të largët, siç e quanin atë, përtej Palestinës, bashkëkombasit e tyre kishin dëgjuar për mrekullitë e Zotit për popullin e Tij dhe i kishin dërguar ambasadorët për të krijuar një aleancë së bashku. Hebrenjtë ishin paralajmëruar në mënyrë të veçantë që të mos hynin në asnjë lloj aleance me idhujtarët kanaanitë dhe në mendjet e drejtuesve u zgjua dyshimi në lidhje me vërtetësinë e fjalëvve të të huajve. “Ndoshta banoni në mes nesh; si mund të lidhim aleancë me ju?” Kësaj fjale ambasadorët iu përgjigjën: “Ne jemi shërbëtorë të tu.” Por, kur Jozueu i pyeti menjëherë: “Kush jeni dhe nga vini?,” ata i përsëritën edhe një herë çka thanë më përpara dhe, si provë për sinqeritetin e tyre shtuan: “Kjo është buka jonë që morëm të ngrohtë me vete si rezervë nga shtëpitë tona ditën që u nisëm për të ardhur tek ju, dhe tani është bërë e fortë dhe e thërmuar; dhe këta janë calikët e verës që ishin të rinj kur i mbushëm dhe ja, ku janë prishur; dhe ja, rrobat dhe sandalet tona, që janë ngrënë për shkak të udhëtimit shumë të gjatë.” PPAlb 386.2

Këto lloj provash ishin më kryesoret. Hebrenjtë “nuk kërkuan më tepër këshillë nga Zoti. Kështu Jozueu lidhi paqe me ta dhe nënshkroi një besëlidhje në bazë të së cilës ata mbeteshin të gjallë; dhe krerët e asamblesë u detyruan të betohen për këto gjëra.” - Kështu u lidh aleanca. Por tri ditë pas nënshkrimit të besëlidhjesu mor vesh e vërteta. “Ata mësuan se ata ishin fqinj të tyre dhe banonin në mes tyre.” Gibeonitët e dinin që nuk mund të shpëtonin gjallë nga hebrenjtë, kështu që kishin zgjedhur strategjinë për të ruajtur jetët e tyre. PPAlb 386.3

Izraelitët u indinjuan shumë, kur mësuan për mashtrimin që u kryer ndaj tyre. Situata u rëndua edhe më shumë, kur pas tri ditësh udhëtimi, ata arritën qytetet e gibeonitëve, që ndodheshin në qendër të tokës kanaanite. “Mirëpo tërë asambleja murmuriti kundër krerëve,” por ata refuzuan ta thyenin besëlidhjen, edhe pse tashmë u siguruan për mashtrimin, ngaqë ishin betuar në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit.” “Por bijtë e Izraelit nuk i vranë.” Gibeonitët ishin betuar që do hiqnin dorë nga idhujtaria dhe të pranonin adhurimin e Perëndisë së vërtetë, Jahveh, kështu që ruajtja e jetës së tyre nuk ishte një thyerje e urdhërimit të Zotit për të shkatërruar kanaanitët idhujtarë. Kështu, hebrenjtë nuk kryen mëkat me anë të betimit të tyre. Edhe pse betimi ishte siguruar me anë të mashtrimit, ai duhej respektuar dhe marrë parasysh. Detyrimi, para të cilit të vendos fjala e dhënë, nëse kjo gjë nuk ka qenë një akt i gabuar, duhet të konsiderohet i shenjtë. Përfitimi, hakmarrja, apo interesi personal nuk duhet në asnjë mënyrë të ndikojnë mbi besën, betimin e marrë, apo fjalën e dhënë. “Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin.” - Fjalët e Urta 12:22. Ai që “do t’i ngjitet malit të Zotit” dhe që “do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë” është ai që “edhe sikur të jetë betuar në dëm të vet, nuk tërhiqet.” - Psalmi 24:3; 15:14. PPAlb 386.4

Gibeonitët u lejuan që të jetonin, por u caktuan si shërbëtorë pranë shenjtores, për të kryer punët e rëndomta: “Jozueu i caktoi që të jenë druvarë dhe bartës të ujit për asamblenë dhe për altarin e Zotit.” - Vargu ... Ata i pranuan këto kushte me shumë mirënjohje, duke qenë të ndërgjegjshëm që kishin gabuar, por të lumtur që mund ta blinin jetën me çdo kusht. Ata i thanë Jozueut “Dhe ja, tani jemi në dorën tënde; bëna atë që të duket e mirë dhe e drejtë.” -... Për shumë shekuj pasardhësit e tyre ishin të lidhur mbas shërbimit në shenjtore. PPAlb 387.1

Territori i gibeonitëve përbëhej nga katër qytete. Popullsia nuk ishte nën sundimin e ndonjë mbreti, por qeverisej nga një pleqësi, apo senatorë, duke patur Gibeonin si qytetin e tyre më të rëndësishëm: “Gibeoni ishte një qytet i madh, si një qytet mbretëror dhe ishte më i madh se Ai; tërë banorët e tij ishin trima.” Ky është një ndër faktet më të spikatur të terrorit që i kishte kapur banorët e Kanaanit nga frika e izraelitëve, saqë banorët e një qyteti të tillë madhështor duhej t’i ishin drejtuar një lloj zgjidhjeje kaq përulëse që të shpëtonin jetët e tyre. Por, do të kishte qenë shumë më mirë për gibeonitët që të kishin vepruar me ndershmëri ndaj Izraelit. Ndërkohë që nënshtrimi ndaj Perëndisë iu kishte siguruar ruajtjen e jetës, mashtrimi që bënë iu solli vetëm turp dhe skllavëri. Perëndia kishte siguruar që kushdo që e hidhte poshtë paganizmin dhe do e lidhte veten me Izraelin, do të ndante dhe ai bekimet e besëlidhjes. Këta lloj njerëzish ishin përfshirë nën termin “i huaji që banon në mesin tuaj,” një klasë, e cila, me pak përjashtime, gëzonte favore dhe privilegje të barabata me Izraelin. Udhëzimi i Perëndisë ishte: PPAlb 387.2

“Kur një i huaj banon bashkë me ju në vendin tuaj, mos e trajtoni keq. Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.” - Levitiku 19:33, 34. Përsa i përket Pashkës dhe ofrimit të sakrificave, urdhri i Perëndisë ishte: “Do të ketë një statut të vetëm për gjithë asamblenë, për ju dhe për të huajin që banon midis jush; do të jetë një statut i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj; ashtu siç jeni ju, ashtu do të jetë edhe i huaji përpara Zotit.” - Numrat 15:15. PPAlb 387.3

E tillë ishte baza mbi të cilën gibeonitët do të ishin pranuar, sikur të mos kishin zgjedhur mashtrimin. Poshtërimi që iu bë banorëve të “qytetit mbretëror,” ku “të gjithë burrat ishin të fuqishëm”, që të ishin druvarë dhe mbartës uji gjatë gjithë brezave të tyre, nuk ishte i vogël. Por ata kishin adoptuar veshjen e varfërisë me qëllim për të mashtruar dhe po kjo gjë u ndodhi atyre si shenjë e shërbyesve të përhershëm . Kështu, gjatë gjithë brezave, gjendja e tyre si shërbëtorë do të ishte dëshmi e urrejtjes së Zotit ndaj gënjeshtrës e falsitetit. PPAlb 387.4

Nënshtrimi i Gibeonit ndaj izraelitëve i mbushi mbretërit e Kanaanit me shqetësim. Ata filluan të ndërmerrnin disa masa për t’u hakmarrë për ata që kishin bërë paqe me pushtuesit. Nën udhëheqjen e Adoni-Zedekut, mbretit të Jeruzalemit, pesë nga mbretërit kanaaneas hynë në një aleancë kundër Gibeonit. Lëvizjet e tyre ishin të shpejta. Gibeonitët nuk ishin të përgatitur për mbrojtje, ndaj i dërguan Jozueut që ishte në Gilgal një lajmëtar: “Mos u moho ndihmën shërbëtorve të tu; nxito të ngjitesh te ne, na shpëto dhe na ndihmo, sepse të gjithë mbretërit e Amorejve që banojnë në krahinën malore janë mbledhur kundër nesh. Rreziku nuk kërcënonte vetëm njerëzit e Gibeonit, por edhe Izraelin. Ky qytet drejtonte kalimin për në Palestinën qendrore dhe jugore dhe duhet ta ruanin mirë, nëse duhet të pushtonin vendin. PPAlb 388.1

Jozueu u përgatit që t’i shkonte menjëherë në ndihmë Gibeonit. Banorët e qytetit të pushtuar ishin frikësuar se mos ai nuk do i përgijgjej thirrjes së tyre, për shkak të mashtrimit të mëparshëm, por meqënëse ata i isihn nënshtruar kontrollit të Izraelit dhe kishin pranuar adhurimin e Perëndisë, ai e ndiente veten të obliguar që t i mbronte. Këtë herë, ai nuk lëvizi pa marrë këshillën hyjnore dhe Perëndia e inkurajoi në atë që sapo do të ndërmerrte: “Mos ki frikë nga ata,” - ishte mesazhi hyjnor “sepse i kam lënë në duart e tua; asnjë prej tyre nuk do të jetë në gjendje të të rezistojë.” “Kështu Jozueu u ngjit në Gilgal, ai vetë me gjithë luftëtarët, të gjithë luftëtarë trima.” PPAlb 388.2

Pasi kishin marshuar tërë natën, në mëngjes ai mbërriti bashkë me forcat e tij në Gabaon. Mbretërve të aleancës u duhej edhe pak kohë për t’i mbledhur trupat e tyre rrotull Gibeonit, ndërkohë që Jozueu mbërriti atje duke i sulmuar. Sulmi përfundoi me humbje të thellë të pushtuesve. Ushtria e tyre madhështore ua mbathi këmbëve kur panë Jozueun duke iu ngjitur malit, mbas Beth-Horonit dhe, pasi arritën majë, vrapuan teposhtë faqes tjetër të malit. Aty shpërtheu një stuhi breshëri mbi kokat e tyre. “Zoti hodhi kundër tyre nga qielli gurë të mëdhenj... ata që vdiqën nga breshëri i gurëve ishin më shumë se ata që bijtë e Izraelit vranë me shpatë.” PPAlb 388.3

Ndërsa amoritët vazhdonin aratisjen e tyre të gjatë, përiqeshin që të gjenin strehë në shkëmbinjtë e maleve rrotull. Jozueu, teksa shikonte poshtë shtegut malor vuri re që kishte edhe shumë pak ditë për të përfunduar gjithë punën. Nëse nuk do të shkatërroheshin totalisht, armiqtë e tyre do të mblidheshin sërish për t’u ngritur në sulme të reja. “Jozueu i foli Zotit dhe në prani të Izraelit tha: O diell, ndalu mbi Gabaonin, dhe ti, hënë, në luginën e Ajalonit!” “Kështu dielli u ndal dhe hëna qëndroi në vend deri sa mbaroi hakmarrja e popullit kundër armiqve të tij. ...Kështu dielli u ndal në mes të qiellit dhe nuk u nxitua të perëndojë pothuajse një ditë të tërë.” PPAlb 388.4

Para se të binte mbrëmja, Perëndia ia plotësoi Jozueut premtimin e Tij. E tërë ushtria armike i ishte dhënë në dorë Jozueut. Ngjarjet e asaj dite do të mbeteshin në memorjen e Izraelit për një kohë të gjatë. “Dhe nuk pati kurrë, as më parë dhe as më vonë, një ditë si ajo kur Zoti plotësoi dëshirën e zërit të një njeriu, sepse Zoti luftoi për Izraelin.” “Dielli dhe hëna kanë mbetur në banesën e tyre; në dritën e shigjetave të tua lëvizën me të shpejtë, në vetëtimën e ushtës sate flakëruese. Ti e ke përshkuar dheun i indinjuar, i ke shkelur kombet i zemëruar. Ke dalë për të shpëtuar popullin tënd.” - Habakuku 3:11-13. PPAlb 388.5

Ishte Fryma e Perëndisë Ai që frymëzoi lutjen e Jozueut, që të jepeshin ende fakte për fuqinë e Perëndisë së Izraelit. Kjo kërkesë nuk u bë pra me mendjemadhësi nga drejtuesi i Izraelit. Jozueu kishte marrë premtimin që me siguri Perëndia do t’i rrëzonte armiqtë e Izraelit, e megjithatë ai investoi aq shumë përpjekje dhe energji, sa mund të duheshin që suksesi të varej vetëm nga ushtria e Izraelit. Ai bëri gjithçka që mund të bënte energjia njerëzore, pastaj me besim ngriti zërin e tij për të kërkuar ndihmën qiellore. Sekreti i suksesit është bashkimi i fuqisë hyjnore me përpjekjet njerëzore. Ata që arrijnë rezultatet më të mira janë ata që mbështeten plotësisht në Krahun e Të Plotfuqishmit. Burri që urdhëroi: “O Diell, ndalu mbi Gabaonin, dhe ti, hënë, në luginën e Ajalonit!”- është i njëjti person, i cili për orë të tëra qëndroi i përulur në lutje përpara Perëndisë në kampin e Gilgalit. Njerëzit e fuqishëm janë ata që luten. PPAlb 389.1

Kjo mrekulli e fuqishme dëshmon se krijimi është nën kontrollin e Krijuesit. Satani përpiqet t’ua fshehë njerëzve veprën hyjnore në botën fizike - përpiqet ta largojë vëmendjen e njerëzve nga puna e palodhshme e “Atij që i pari i lëviz gjërat.” Me këtë lloj mrekullie, kushdo që lartëson natyrën para Perëndisë së natyrës do të qortohet. PPAlb 389.2

Me vullnetin e Tij Perëndia i urdhëron forcat e natyrës ta hedhin poshtë fuqinë e armiqve të Tij: “zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij.” - Psalmi 148:8. Kur amorenjtë paganë kishin vendosur në zemrën e tyre që t’i kundërshtonin qëllimet e Perëndisë, Perëndia ndërhyri duke “hedhur gurë të mëdhenj” mbi armiqtë e Izraelit. Neve na është treguar që një betejë edhe më e madhe do të ndodhë në skenat mbyllëse të historisë së tokës, ku “Zoti hapi arsenalin e tij dhe nxori jashtë armët e indinjatës së tij.” - Jeremia 50:25. Zoti e pyeti Jobin: “Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit, që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës?” - Jobi 38:22, 23. PPAlb 389.3

Edhe Gjoni, autori i librit të Zbulesës (në Dhjatën e Re), përshkruan shkatërrimin që do të ndodhë kur do të dalë një “një zë i madh nga tempulli i qiellit, nga froni, duke thënë: “U bë!” Po ashtu, ai thotë: “Dhe një breshër i madh, me peshë prej një talenti, ra nga qielli mbi njerëzit.” - Zbulesa 16:17, 21. PPAlb 389.4