PATRIARKË DHE PROFETË

46/74

45—“RËNIA E JERIKOS”

*****

Hebrenjtë hynë në Kanaan, por ende nuk e kishin nënshtruar atë dhe në sytë e njerëzve, lufta për të marrë tokën në pronësi dukej një luftë e gjatë dhe e vështirë. Banorët e saj ishin të fuqishëm dhe vigjilentë për të luftuar kundër pushtimit të tokave të tyre. Shumë fise ishin bashkuar së bashku nga frika e rrezikut të përbashkët. Fakti që kishin kuaj dhe qerre hekuri për beteja, fakti që e njihnin vendin mirë dhe që ishin të stërvitur për luftë ishte një avantazh tepër i madh për ta. Për më tepër, vendi ruhej nga fortesa “qytete të mëdha dhe të fortifikuara deri në qiell.” - Ligji i Përtërirë 9:1. Izraelitët mund të shpresonin për fitore të konfliktit që do vinte vetëm duke u mbajtur fort në sigurinë e një force që s’ishte e tyrja. 33 PPAlb 375.1

Një ndër fortesat më të forta të vendit, qyteti i madh dhe i pasur i Jerikosë shtrihej tani para tyre. I shtrirë në kufijtë e një toke pjellore të mbushur me prodhimet e pasura dhe të shumëllojshme tropikale, tempujt dhe pallatet e të cilit ishin vendbanimi i lluksit dhe vesit, ky qytet krenar, prapa fortifikatave të tij masive, ofronte fyerje ndaj Perëndisë së Izraelit. Jerikoja ishte një ndër fronet kryesore të adhurimit të idhujve, me një përkushtim të veçantë ndaj Ashtorethit, perëndisë së hënës. Këtu ishte epiqendra e gjërave më të ndyra dhe më degraduese në fenë e kanaanejve. Populli i Izraelit, në mendjet e të cilëve ishin të freskëta pasojat e frikshme të mëkatit të tyre në Beth-Peor, mund ta shikonte këtë qytet pagan veçse me përçmim dhe ligështim. PPAlb 375.2

Rrënimi i Jerikosë i dukej Jozueut si hapi i parë në pushtimin e Kanaanit. Por, pikë së pari, ai kërkoi sigurinë e drejtimit hyjnor dhe kjo iu dha. Duke u tërhequr nga kampi me qëllimin për të medituar dhe për t’u lutur që Zoti i Izraelit të shkojë përpara popullit të Tij, ai pa një luftëtar të armatosur me një pamje krenare dhe paraqitje komanduese “me një shpatë të zhveshur në dorë.” Pyetjes që i bëri Jozueu: “A je ti për ne o për armiqtë tanë?,” luftëtari iu përgjigj: “Jo, unë jam kreu i ushtrisë së Zotit; sapo kam arritur në këtë çast.” I njëjti urdhërim që iu dha Moisiut “Zbath sandalet, sepse vendi ku je është i shenjtë,” (- Eksodi 3:5) shfaqi karakterin e vërtetë të këtij të pahjohuri të çuditshëm. Ishte Krishti, Shumë i Larti, i cili po qëndronte para liderit të Izraelit. I tmerruar, Jozueu u përul me fytyrën mbi tokë, e adhuroi dhe dëgjoi fjalët që i dhanë siguri: “Shiko, Unë të kam dhënë në dorë Jerikonë, mbretin e tij dhe luftëtarët e tij trima,” njëkohësisht mori edhe udhëzime se si do ta pushtonin qytetin.” Duke iu bindur urdhrave hyjnorë, Jozueu organizoi ushtrinë e Izraelit. Nuk duhej të bënin asnjë sulm. Thjesht duhej të bënin xhiro rrotull qytetit duke mbajtur arkën e Perëndisë dhe duke iu rënë borive. Fillimisht ishin në radhë luftëtarët, burra të përzgjedhur, që tani nuk do të pushtonin në sajë të fuqisë dhe dhuntive të tyre, por duke iu bindur udhëzimeve të dhëna nga Perëndia i tyre. Pas vinin shtatë priftërinj me bori në dorë. Pastaj, vinte arka e Perëndisë rrethuar nga një kurorë lavdie hyjnore, e mbajtur nga priftërinj të veshur në rroba të posaçme që tregonin detyrën e tyre të shenjtë. Më pas, ndiqte e gjithë ushtria e Izraelit, çdo fis, sipas standarteve të veta. I tillë ishte procesioni që i vinte rrotull qytetit që po i vinte fundi. Nuk u dëgjua asnjë tingull tjetër përveç zhurmës së ecjes së ushtrisë së fuqishme dhe tingujve solemne të borive që jehonin përtej kodrave, duke bërë të dëgjoheshin edhe nëpër rrugët e Jerikos. Pasi përfundonte xhiroja rreth e qark qytetit, në qetësi, ushtria kthehej për në çadrat e veta dhe arka kthehej në vendin e vet në tabernakull. PPAlb 375.3

Rojtarët e qytetit vinin re çdo lëvizje të habitur dhe të alarmuar njëkohësisht, duke ia raportuar autoriteteve të tyre. Ata nuk e dinin kuptimin e gjithë kësaj shfaqjeje, por kur e shikonin atë ushtri të madhe që marshonte rreth e rrotull qytetit të tyre një herë në ditë, bashkë me arkën e shenjtë dhe priftërinjtë që pasonin, misteri i kësaj skene i mbushte me terror zemrat e popullit kanaaneas dhe të priftërinjve të tyre. Ata e kontrollonin herë pas here mbrojtjen e tyre të fuqishme, duke u ndjerë të sigurt se mund ta përballonin me sukses edhe sulmin më të fuqishëm. Shumë prej tyre talleshin qoftë edhe me mendimin se këto shfaqje të veçanta mund t’u shkaktonin ndonjë dëm .Të tjerë tmerrohehin ndërsa shikonin procesionin që vinte rrotull qytetit të tyre çdo ditë. Iu kujtohej që dikur, Deti i Kuq ishte hapur përpara këtij populli dhe që një shteg ishte çarë për ta përmes Jordanit para shumë pak ditësh. Ata nuk e dinin se ç’lloj mrekullish të tjera mund të kryente Perëndia për ta. PPAlb 376.1

Për gjashtë ditë ushtria e Izraelit i erdhi rrotull qytetit. Erdhi dita e shtatë dhe me dritën e parë të agimit, Jozueu organizoi ushtrinë e Perëndisë. Tani ata ishin udhëzuar që të marshonin shtatë herë rreth e rrotull Jerikosë dhe kur boritë do të binin fuqishëm, njerëzit do bërtisnin me një zë të lartë, sepse Zoti ua kishte dhënë qytetin në dorë. PPAlb 376.2

Ushtria e madhe marshoi solemnisht rrotull mureve të larta. Kudo kishte qetësi, përveçse tërheqjes së matur të çdo këmbe dhe tingullit të herëpashershëm të trumpetës që thyente qetësinë e mëngjesit të hershëm. Muret masive prej guri solid dukej sikur ishin krenarë ndaj çdo pushtimi njerëzor. Vrojtuesit mbi mure shikonin me një frikë që përkeqësohej ndërsa mbaroi rrotullimi i parë, pastaj një i dytë, i treti, i katërti, i pesti, i gjashti. Çfarë kuptimi mund të kishin këto lëvizje misterioze? Ç’ngjarje madhështore pritej që të ndodhte vallë? Nuk do t’iu duhej të prisnin shumë. Ndërsa përfundoi rrotullimi i shtatë, procesioni i gjatë pushoi. Boritë, të cilat për pak kohë kishin qenë të heshtura, tani shpërthyen me një zhurmë të furishme, që tundi edhe vetë tokën. Muret prej guri solid me kullat dhe mbrojtjen e tyre masive u tundën dhe u shkulën nga themelet e tyre dhe me një zhurmë përplasjeje ranë gërmadhë mbi tokë. Banorët e Jerikosë u paralizuan nga tmerri dhe ushtritë e Izraelit marshuan brenda dhe morën në dorë qytetin. PPAlb 376.3

Izraelitët nuk e kishin fituar qytetin me anë të fuqisë së tyre, beteja kishte qenë tërësisht e Zotit, prandaj ashtu sikurse edhe frytet e para të tokës që duhej t’i dedikoheshin Perëndisë, ashtu edhe qyteti me gjithë ç’kish brenda tij duhej t’i dedikohej Perëndisë si një ofertë flijimi. Izraeli duhet ta kishte të fiksuar mirë në mendje se në betejën për pushtimin e Kanaanit ata nuk duhet të luftonin vetë, por të ishin si instrumenta që do zbatonin vullnetin e Perëndisë, nuk duhet të kërkonin pasuri apo vetë-lavdërim, por lavdinë e Mbretit të tyre, Zotit (Jahveh). Para se t’i zinin robërit, izraelitëve u kishte ardhur urdhëri “Qyteti do të shfaroset, ai dhe çdo gjë që është në të. Por ju kini shumë kujdes lidhur me atë që është caktuar të shfaroset, që të mos jeni ju vetë të mallkuar, duke marrë diçka që është caktuar të shfaroset dhe ta bëni kështu kampin e Izraelit të mallkuar, duke tërhequr mbi të fatkeqësi.” PPAlb 376.4

Të gjithë banorët e qytetit, duke përfshirë çdo gjë të gjallë që u përkiste atyre “burra e gra, fëmijë dhe pleq e madje qe, dele dhe gomarë” të gjithë u vranë me shpatë (- Vargu..). Vetëm besnikja Rahaba, së bashku me shtëpinë e saj u ruajtën për të përmbushur premtimin e spiunëve. Vetë qyteti u dogj, pallatet dhe tempujt e tij, vendbanimet e mrekullueshme me gjithë lluksin e tyre, perdet e shtrenjta dhe veshjet e kushtueshme, të gjitha iu dhanë flakëve. Ajo që nuk mund të shkatërrohej me zjarr, gjëra si “argjendi, ari dhe sendet prej bronzi dhe hekuri” do shenjtëroheshin për shërbimin në tabernakull. Vetë qyteti ishte mallkuar; Jerikoja nuk do të ndërtohej më kurrë si fortesë, pasi mbi çdokënd që do guxonte të ndërtonte muret që fuqia hyjnore i kishte rrëzuar, do e priste gjykimi i Perëndisë. Para gjithë Izraelit u bë deklarata solemne: “Qoftë i mallkuar para Zotit ai njeri që do të ngrihet të rindërtojë qytetin e Jerikosë! Ai do të hedhë themelet mbi të parëlindurin e tij, dhe do t'i lartojë portat mbi birin e tij më të vogël.” PPAlb 377.1

Shkatërrimi total i popullit të Jerikosë nuk ishte gjë tjetër veçse përmbushja e urdhërimeve që Zoti i kishte dhënë Moisiut përsa i përkiste banorëve të Kanaanit: “ti do t’i mundësh dhe do të vendosësh shfarosjen e tyre.” - Ligji i Përtërirë 7:2. “Por nga qytetet e këtyre popujve që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, nuk ke për të lënë asgjë që merr frymë.” - Ligji i Përtërirë 20:16. Shumë njerëzve këto urdhërime iu duken sikur janë kundra ligjit të dashurisë dhe mëshirës që shfaqen në vende të tjera të Biblës, por në të vërtetë, ato ishin urdhërime që dilnin nga një mençuri dhe mirësi e përjetshme. Perëndia po bëhej gati për ta sistemuar Izraelin në Kanaan, në mënyrë që të mund të zhvillonte në nes tyre një komb dhe një qeveri, që do të ishte shfaqje e Mbretërisë së Tij mbi tokë. Ata nuk do ishin thjesht trashëgimtarët e besimit të vërtetë, por edhe ata që do i shpalosnin parimet e së vërtetës në gjithë botën. Kanaanitët e kishin braktisur veten drejt paganizmit më të lig dhe degradues, prandaj ishte e nevojshme që toka të pastrohej nga gjërat që me siguri do pengonin përmbushjen e qëllimeve të mira të Perëndisë. PPAlb 377.2

Banorët e Kanaanit kishin patur mundësi të shumta për t’u penduar. Dyzet vjet më parë, hapja e Detit të Kuq dhe gjykimet që ranë mbi Egjiptin kishin dëshmuar për fuqinë supreme të Perëndisë së Izraelit. Tani, rënia e mbretërve të Midianit, të Gileadit dhe Bashanit kishin treguar akoma më tej që Jahveh, Perëndia i vërtetë i Izraelit ishte përmbi çdo perëndi. Shenjtëria e karakterit të Tij dhe neveria që kishte ndaj papastërtisë ishin shfaqur në gjykimet që erdhën mbi Izraelin për pjesëmarrjen e tyre në ritet e neveritshme të Baal-peorit. Banorët e Jerikos i dinin të gjitha këto gjëra dhe kishte shumë prej tyre që ndanin të njëjtin mendim me Rahabën, por që refuzuan t’i bindeshin: “Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë.” Sikurse edhe njerëzit para përmbytjes, kanaanejtë jetonin për të blasfemuar ndaj qiellit dhe për të ndotur tokën. Prandaj të dyja, si dashuria ashtu edhe drejtësia kërkonin ekzekutimin e menjëhershëm të këtyre rebelëve ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve. PPAlb 377.3

Me sa lehtësi ushtritë qiellore i hodhën poshtë muret e Jerikosë, atij qyteti krenar, fortesat e të cilit para dyzetë vjetësh i kishin mbushur me terror spiunët mosbesues. I fuqishmi i Izraelit kishte thënë: “Unë kam dhënë Jerikon në duart e tua.” Forca njerëzore ishte e pafuqishme përballë kësaj fjale. PPAlb 378.1

“Me anë të besimit ranë muret e Jerikosë.” - Hebrenjtë 11:30. Komandanti i ushtrisë së Zotit komunikoi vetëm me Jozueun, nuk iu shfaq tërë asamblesë, kështu që atyre u takonte t’i besonin apo jo fjalët e Jozueut, t’u bindeshin urdhërimeve të dhëna atij në emër të Zotit, apo të refuzonin autoritetin e tyre. Ata nuk mund ta shihnin ushtrinë e egjëjve që ishin pranë tyre në drejtimin e Birit të Perëndisë. Ata mund të kenë thënë me vete: “Çfarë lëvizje të pakuptimta janë këto?; dhe kushedi sa qesharakë duhet të dukemi teksa i vijmë rrotull qytetit dhe u biem borive të bëra nga brirët e dashit! Ç’efekt mund të ketë e tëra kjo përpara fortesave që ngrihen si kulla?” PPAlb 378.2

Por pikërisht plani i vazhdimit të kësaj ceremonie për një kohë aq të gjatë para se muret të binin, u ofroi izraelitëve mundësinë për zhvillimin e besimit. Ata duhet ta kuptonin mirë në mendjet e tyre se forca e tyre nuk ishte në mençurinë e njeriut, as në fuqinë e tij, por vetëm tek Perëndia, Shpëtimtari i tij. Në këtë mënyrë ata duhet të mësoheshin që të mbështeteshin tërësisht tek Udhëheqësi i tyre qiellor. PPAlb 378.3

Perëndia do të bëjë gjëra të mëdha për ata që e besojnë. Arsyeja përse njerëzit e Tij nuk kanë shumë fuqi është se ata i besojnë shumë mençurisë së tyre dhe nuk i japin mundësinë Perëndisë që të zbulojë fuqinë e Vet në mbështetje për ta. Ai do i ndihmojë bijtë e Tij besimtarë në çdo lloj urgjence, sikur ata të vendosin mbështetjen e tyre të plotë tek Ai dhe t’i binden Atij plotësisht. PPAlb 378.4

Menjëherë pas rënies së Jerikos, Jozueu vendosi të sulmonte Ain, një qytet të vogël midis luginave që ishin pak milje larg Luginës së Jordanit. Informatorët që u dërguan në këtë vend sollën me vete raportin që kishte vetëm pak banorë dhe se vetëm një forcë e vogël ishte e nevojshme për t’i mundur. PPAlb 378.5

Fitorja e madhe që Zoti kishte korrur për ta u kishte rikthyer izraelitëve besimin tek vetvetja. Ngaqë Perëndia ua kishte premtuar atyre tokën e Kanaanit, ata u ndien të sigurt dhe nuk arritën të kuptonin se vetëm ndihma hyjnore mund t’u garantonte sukses. Madje edhe Jozueu i bëri planet për pushtimin e Ait pa u këshilluar me Perëndinë. PPAlb 378.6

Izraelitët kishin filluar tashmë që të krekoseshin me forcën e tyre dhe t’i trajtonin me përbuzje armiqtë përreth. Pritej një fitore e lehtë dhe u mendua që tremijë burra mjaftonin për ta pushtuar vendin. Këta tremijë burra vrapuan drejt sulmit pa sigurinë që Zoti ishte me ta. Ata shkuan deri afër portës së qytetit për t’u përballur aty me një reziztencë të vendosur. Të goditur nga paniku nga numri i ushtarëve të armikut dhe përgatitjet e tyre gjithëpërfshirëse, ata ia mbathën teposhtë rrëpirës të zhgënjyer e të çoroditur. Kanaanitëtë po i ndiqnin egërsisht: “...i ndoqën nga porta e qytetit deri në Shebarim, duke i goditur në të tatëpjetën.” Edhe pse humbja ishte e vogël në numër (vetëm tridhjetë e gjashtë burra u vranë), disfata ligështoi zemrën e tërë asamblesë. “Dhe zemra e popullit u ligështua, u bë si uji.” Kjo ishte hera e parë që ata ishin përballur me kanaanitët në betejë të vërtetë dhe nëse banorët e këtij qyteti të vogël i bënë që t’ua mbathnin këmbëve, ç’rezultat do të kishin në betejat më të mëdha që i prisnin? Jozueu e pa dështimin e tyre si një shenjë të pakënaqësisë së Zotit dhe i stresuar për atë që kuptoi “i grisi atëherë rrobat e tij dhe ra përmbys me fytyrë për tokë, përpara arkës së Zotit deri në mbrëmje, ai dhe pleqtë e Izraelit, dhe hodhën pluhur mbi kokën e tyre.” “Pastaj Jozueu tha: “O Zot, o Zot, pse bëre që ky popull të kalojë Jordanin dhe të bjerë në duart e amorejve për t’u vrarë?” O Zot, ç’mund të them pasi Izraeli i ktheu kurrizin armikut të tij? Kanaanejtë dhe tërë banorët e vendit do ta marrin vesh, do të na rrethojnë dhe do të zhdukin emrin tonë nga faqja e dheut; çfarë do të bësh Ti atëherë për emrin Tënd të madh?” PPAlb 378.7

Përgjigjia e Perëndisë ishte: “Çohu! Pse rri përmbys me fytyrë për tokë? Izraeli ka mëkatuar; ata kanë shkelur besëlidhjen që u kisha porositur.” Ishte koha kur duhej të merrej një veprim i menjëhershëm dhe i vendosur dhe jo për të qarë dhe vajtuar. Në kamp kishte një mëkat të fshehtë, i cili duhej të gjendej dhe të largohej në mënyrë që prania dhe bekimi i Perëndisë të ishte përsëri me njerëzit e Tij. “Unë nuk do të jem më me ju, në rast se nuk shkatërroni gjërat e caktuara që të shfarosen midis jush.” Një nga njerëzit që ishin caktuar të kryenin gjykimin e Perëndisë nuk e kishte marrë parasysh urdhërin e Perëndisë. Ndaj tërë kombi mbante përgjegjësi për fajin e shkelësit. “kanë marrë madje gjëra të caktuara që të shfarosen, kanë vjedhur dhe kanë gënjyer.” Jozueut iu dhanë udhëzime për zbulimin dhe dënimin e kriminelit. Do të hidhej short për ta gjetur atë. Mëkatari nuk u dallua menjëherë, kështu që çështja ngeli në dyshim për një farë kohe, në mënyrë që njerëzit ta ndienin përgjegjësinë personale për mëkatet që ekzistonin midis tyre dhe kështu të nxiteshin për të analizuar zemrat e tyre dhe të përuleshin para Perëndisë. PPAlb 379.1

Herët në mëngjes, Jozueu i mblodhi bashkë njerëzit sipas fiseve dhe kështu filloi ceremonia solemne dhe mbresëlënëse. Hetimi vazhdonte hap pas hapi. Prova e frikshme po vinte gjithnjë e më afër. Fillimisht fisi, pastaj familja, pasaj njerëzit e shtëpisë, pastaj u zgjodh burri, Akani, djali i Karmit nga fisi i Judës u tregua me gisht nga Perëndia si ngatërrestari i Izraelit. PPAlb 379.2

Për t’u siguruar përtej çdo dyshimi që faji ishte i tij, dhe duke mos lënë vend për dënimin me të cilin ishte dënuar me të drejtë, Jozueu, me solemnitet e nxiti Akanin të pranonte të vërtetën. Akani, tashmë i poshtëruar, bëri një rrëfim të plotë të krimit të tij: “Në të vërtetë jam unë që kam mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë së Izraelit, dhe ja ç’kam bërë. Kur pashë midis plaçkës një mantel të bukur të Shinarit, dyqind silda argjendi dhe një shufër ari që peshon pesëdhjetë sikla, pata një dëshirë të madhe për to dhe i mora; dhe ja, i kam fshehur në tokë në mes të çadrës sime; dhe argjendi është poshtë.” Menjëherë u dërguan lajmëtarë për tek çadra e tij, të cilët e gërmuan tokën në vendin e treguar dhe “ja, plaçka ishte fshehur në çadrën e tij dhe argjendi ndodhej poshtë. Ata e morën nga çadra, ia çuan Jozueut dhe tërë bijve të Izraelit, dhe e vendosën përpara Zotit.” PPAlb 379.3

Dënimi u shpall dhe u ekzekutua në moment. Jozueu i tha: “Pse na vure në telashe? Zoti do të të vërë ty në telashe sot.” Ashtu sikurse kishin mbajtur bashkarisht përgjegjësinë për mëkatin e Akanit, duke vuajtur edhe pasojat e tij, njerëzit, nëpëmjet përfaqësuesve të tyre, duhej të merrnin pjesë edhe në dënimin e tij. “Dhe i tërë Izraeli e vrau me gurë.” PPAlb 379.4

Pastaj një pirg i madh gurësh u hodh mbi të, si dëshmi e mëkatit dhe dënimit që e pasoi. “Prandaj ky vend quhet edhe sot lugina e Akorit,” që do të thotë “telash.” Në librin e Kronikave kujtimi i tij është shkruar me emrin “Akori, telashesjellësi i Izraelit.” - 1 Kronikave 2:7. PPAlb 380.1

Mëkati i Akanit u krye duke përçmuar urdhërat më solemne dhe të drejtpërdrejta dhe shfaqjet më të fuqishme të fuqisë së Perëndisë. “Kini kujdes gjërat e mallkuar, që ju vetë të mos bëheni të mallkuar,” - i ishte thënë të gjithë Izraelit. PPAlb 380.2

Urdhëri u dha menjëherë pas kalimit të mrekullueshëm të Jordanit dhe pranimit të besëlidhjes së Perëndisë me anë të rrethprerjes së njerëzve, si edhe pas kremtimit të Pashkës dhe shfaqjes së Engjëllit të besëlidhjes, Komandantit të Ushtrisë së Zotit. Ky urdhër ishte pasuar nga rrëzimi i Jerikosë, si dëshmi për shkatërrimin që do i priste së shpejti të gjithë atyre që e shkelnin ligjin e Perëndisë. Fakti që vetëm fuqia hyjnore ia kishte dhënë fitoren në dorë Izraelit dhe që ata nuk e kishin marrë Jerikonë me forcën e tyre, ngrinte shumë peshë në lidhje me urdhërimin që të mos merrnin nga gjërat e ngelura. Perëndia i kishte rrëzuar themelet e qytetit me fuqinë e fjalës së Tij; pushtimi i përkiste Atij dhe vetëm Atij duhej t’i dedikohej qyteti së bashku me atë që i përkiste. PPAlb 380.3

Ndër miliona njerëz të Izraelit ishte vetëm një njeri që, në atë orë solemne fitoreje dhe gjykimi, kishte guxuar të shkelte urdhërin e Perëndisë. Lakmia e Akanit u nxit nga pamja e asaj veshjeje të kushtueshme nga Shinari, madje edhe kur u përball me vdekjen në mënyrë të drejtëpërdrejtë, ai e quajti atë “mantel i bukur babilonas.” Një mëkat kishte çuar drejt kryerjes së një tjetri dhe ai e përvetësoi arin dhe argjendin që duhej t’i dedikohej thesarit të Perëndisë, ai e vodhi Perëndinë nga prodhimet e para të tokës së Kanaanit. PPAlb 380.4

Mëkati vdekjeprurës që çoi drejt shkatërrimit të Akanit e kishte rrënjën tek lakmia, që është më i zakonshmi ndër gjithë mëkatet, madje edhe një mëkat që trajtohet shumë lehtë. Ndërkohë që mëkatet e tjera zbulohen shpejt dhe gjejnë dënim, shkelja e urdhërimit të dhjetë ndalohet shumë rrallë. Madhësia e këtij mëkati dhe pasojave të tij negative janë mësime të paharrueshme që rrjedhin nga historia e mjerë e Akanit. PPAlb 380.5

Lakmia është një e keqe që zhvillohet ngadalë. Akani ishte kënaqur me idenë e grykësisë, derisa i ishte bërë zakon, një zakon që e kishte lidhur atë me zinxhira të pazgjidhshëm. Sikur ta kishte kuptuar këtë të keqe, ai do ishte tmerruar thjesht nga mendimi se ai po i sillte shkatërrimin Izraelit, por shqisat e tij kishin vdekur për shkak të mëkatit dhe kur tundimi u afrua, ai ra një pre e lehtë e tij. PPAlb 380.6

A nuk vazhdohet të kryhen ende mëkate të tilla, pavarësisht nga paralajmërimet e qarta dhe solemne? Edhe ne, ashtu sikurse Akani, që donte të përvetësonte mbetjet e Jerikosë, e kemi të ndaluar të kënaqemi duke lakmuar. Paralajmërimi për ne është: “Ju nuk mund t’i shërbeni Zotit dhe Mamonit.” - Mateu 6:24. “Kini kujdes dhe ruhuni nga lakmia.”- Luka 12:15. “Lakmia, as të mos zihet në gojë midis jush.” - Efesianëve 5:3. Para syve kemi edhe fundin e frikshëm të Akanit, të Judës, të Ananias dhe Safirës. Para gjithë këtyre kemi shembullin e Luçiferit, “birit të agimit,” i cili, duke lakmuar një pozitë më të lartë e hodhi tej një herë e përgjithmonë shkëlqimin dhe lumturinë e qiellit. E megjithatë, pavarësisht nga gjithë këto paralajmërime lakmia sundon me shumicë. PPAlb 380.7

Rruga e kamufluar e lakmisë shihet ngado. Në familje ajo shkakton pakënaqësi dhe përçarje, nxit urrejtje dhe zili midis të pasurve dhe të varfërve dhe nxit shtypjen e vazhdueshme të të varfërve nga të pasurit. Kjo e keqe nuk ekziston vetëm në botë, por edhe në institucionet fetare. Sa e zakonshme është që të gjesh edhe në kishë egoizëm, grykësi, teprime, neglizhim të bamirësive dhe vjedhje të Perëndisë në “të dhjetat dhe ofertat.” Mes anëtarëve të kishës me reputacion të mirë ka për fat të keq shumë Akanë. Ka shumë njerëz që vijnë rregullisht në kishë dhe ulen në tryezën e Zotit, ndërkohë që ndër gjërat e tij materiale ka edhe fitime të paligjshme, gjëra që Zoti i ka mallkuar. Për të fituar “një rrobë të bukur Babilonase” turma të tëra njerëzish sakrifikojnë aprovimin e ndërgjegjes së tyre dhe shpresën qiellore. Turma të tëra janë të gatshëm të shkëmbejnë integritetin dhe aftësitë e tyre të dobishme për një qese me napolona ari. Britmat e të varfërve që vuajnë nuk dëgjohen, drita e ungjillit pengohet gjatë rrugës, qortimi i njerëzve në botë ndizet nga praktikat që japin një shfaqje të gënjeshtërt të asaj se si duhet të jetë një i krishterë, e megjithatë i krishteri lakmitar vazhdon të mbledhë thesare. “A mund ta vjedhë një njeri Perëndinë? E megjithatë, ju Më keni vjedhur, -thotë Zoti.” - Malakia 3:8. PPAlb 381.1

Mëkati i Akanit solli fatkeqësi mbi gjithë kombit. Për mëkatin e një njeriu të vetëm, mospëlqimi i Perëndisë do të qëndrojë mbi gjithë kishën, derisa shkelja të gjendet dhe të hidhet tej. Gjëja që duhet patur më tepër frikë në bashkësitë e besimtarëve nuk është ndikimi i kundërshtarëve, blasfemuesve dhe jo-besnikëve, por i atyre që janë të paqëndrueshëm në besimin e tyre tek Krishti. Këta janë ata që pengojnë bekimet e Perëndisë së Izraelit dhe sjellin dobësi mes popullit të Tij. PPAlb 381.2

Kur kisha (bashkësia) ndodhet në vështirësi, kur ekziston ftohtësia dhe rënia shpirtërore, duke i dhënë kështu rastin për të fituar armiqve të Perëndisë, atëherë, në vend që të rrinë krahëlidhur dhe të qajnë situatën e tyre fatkeqe, besimtarët bëjnë mirë të kërkojnë nëse në mes tyre mund të ketë ndonjë Akan. Me përulësi dhe analizë të zemrës së tyre, le të përpiqet secili të zbulojë mëkatet e fshehura që kanë penguar praninë e Perëndisë. PPAlb 381.3

Akani e pranoi mëkatin e tij, por kjo u bë tepër vonë dhe ai nuk mund të përfitonte dot prej tij. Ai e kishte parë ushtrinë e Izraelit të kthehej nga beteja e mundur dhe zemërlëshuar, megjithatë, ai nuk doli përpara që të rrëfente mëkatin e vet. Ai i kishte parë edhe Jozueun dhe pleqtë e tjerë të përkulur mbi tokë me një hidhërim shumë të madh për t’u shpjeguar. Sikur ai ta kishte rrëfyer në ato momente mëkatin e tij, të paktën do kishte dhënë ca prova për pendimin e tij të thellë, por ai vazhdoi të qëndronte i heshtur. Ai e dëgjoi lajmin se një krim i rëndë ishte kryer dhe e dëgjoi fare mirë edhe natyrën e llojit të krimit. Por buzët e tij qëndruan të vulosura. Më tej u ekzekutua hetimi solemn. Kushedi sa u tmerrua Akani në shpirt kur gishti u drejtua nga fisi i tij, pastaj nga familja e tij dhe në fund tek vetë familjarët. Por as atëherë ai nuk doli për të rrëfyer mëkatin e tij, derisa gishti i Perëndisë u vendos mbi të. Më në fund, kur mëkati i tij nuk mund të fshihej më, ai e pranoi të vërtetën. Sa shpesh bëhen rrëfime të tilla. Ekziston një dallim i ndjeshëm ndërmjet pranimit të fakteve pasi janë provuar dhe rrëfimit të mëkateve që i dimë vetëm ne dhe Perëndia. Akani nuk do të ishte rrëfyer, në rast se nuk shpresonte se rrëfimi do i zbuste pasojat e krimit të tij. Por rrëfimi i tij shërbeu vetëm për të treguar që dënimi i tij ishte i drejtë. Në vetvete ai nuk kishte pendesë të thellë nga mëkati, nuk dukej i dërrmuar në frymë, mbeti i pandryshuar në synimet e tij dhe nuk ndjente neveri ndaj së keqes. PPAlb 381.4

Rrëfime të tilla do të bëhen nga fajtorët kur të qëndrojnë para gjyqit të Perëndisë, pasi çdo rast do jetë vendosur për jetë a vdekje. Pasojat që do ndjekin secilin do të çojnë që secili ta pranojë mëkatin e vet. Vetë shpirti i tyre do i detyrojë ta pranojnë nën ndikimin e një ndjenje të tmerrshme dënimi dhe nga frika e gjykimit që do pasojë. Por, këto lloj rrëfimesh nuk do të mund ta shpëtojnë mëkatarin. PPAlb 382.1

Për sa kohë që ia dalin mbanë të fshehin mëkatet e tyre nga njerëzit, shumë njerëz, njësoj si Akani, ndihen të sigurt dhe e marrin veten me të mirë duke menduar se Zoti nuk do të jetë aq strikt sa ta tregojë paudhësinë me gisht. Mëkatet që kanë kryer do t’u rikthehen për ballafaqim këtyre njerëzve kur të jetë shumë vonë, në ditën kur as sakrificat e ofertat nuk do të sjellin rezultat. Kur librat e qiellit do të hapen, Gjykatësi nuk do ia deklarojë njerëzve mëkatet e tyre me fjalë, por do të mjaftojë një shikim bindës dhe penetrues dhe çdo vepër, çdo lëvizje e jetës do i vijë ndërmend keqbërësit. Nuk do të jetë nevoja që personi të gjurmohet nga fisi, tek familja, por vetë buzët e tij do e rrëfejnë turpin e vet. Mëkatet, që dikur ishin të fshehura nga njerëzit, atëherë do t’i shpallen gjithë botës. PPAlb 382.2