PATRIARKË DHE PROFETË

45/74

44—“KALIMI I JORDAN IT”

*****

Izraelitët mbajtën zi për Moisiun për një kohë të gjatë; tridhjetë ditë iu dedikuan shërbesave të veçanta për nder të kujtimit të tij. Asnjëherë më parë ata nuk e kishin kuptuar vlerën e këshillave të tij të çmuara, dashurisë së tij prindërore dhe besimit të palëkundur, derisa erdhi koha që ai u mor prej tyre. Tani, ata i kujtonin mësimet që u kishte dhënë me një vlerësim më të thellë. 32 PPAlb 371.1

Moisiu vdiq, por jo ndikimi i tij. Ai do të jetonte akoma duke u riprodhuar në mendjen e njerëzve. Kujtimi i asaj jete të shenjtë dhe të përulur do të jetonte akoma me fuqi të heshtur, të vazhdueshme, duke transformuar jetët, madje edhe të atyre që i kishin neglizhuar fjalët e tij të gjalla. Ashtu sikurse rrezet e para të lindjes së diellit prekin majat e maleve shumë kohë më përpara se dielli vetë të jetë ngjitur mbi kodra, kështu edhe veprat e njeriut të mirë, të pastër dhe të shenjtë ndriçojnë në botë shumë kohë pasi vetë personi ka vdekur. Veprat e tyre, fjalët dhe shembulli do të jetojnë përherë: “i virtytshmi do të kujtohet gjithmonë.” - Psalmi 112:6. PPAlb 371.2

Megjithëse ishin mbushur me hidhërim për humbjen e madhe, njerëzit e dinin se nuk ishin vetëm. Shtylla e resë qëndronte mbi tabernakull gjatë ditës dhe kolona e zjarrit gjatë natës, një siguri kjo, që Zoti do të ishte akoma Drejtuesi dhe Ndihmësi i tyre, nëse do të ecnin në rrugën e urdhërimeve të Tij. PPAlb 371.3

Tani, si drejtues i Izraelit njihej Jozueu. Kryesisht ai ishte i njohur si luftëtar dhe dhuntitë dhe vlerat e tij do të ishin veçanërisht të dobishme në këtë periudhë të historisë së Izraelit. Kurajoz, i vendosur dhe këmbëngulës, i gatshëm dhe i pakorruptueshëm, që nuk shikonte interesin personal teksa kujdesej për ata që i ishin caktuar dhe, mbi të gjitha, i frymëzuar nga një besim i gjallë tek Perëndia—i tillë ishte karkteri i atij që u zgjodh në mënyrë hyjnore për t’i drejtuar ushtritë e Izraelit në hyrjen e tyre për në Tokën e Premtuar. Gjatë qëndrimit në shkretëtirë ai kishte qenë për Moisiun si kryeministër dhe nëpërmjet besnikërisë së tij të qetë e të pashtirur, qëndrueshmërisë kur të tjerët lëkundeshin, vendosmërisë për të qëndruar në të vërtetën në mes të rrezikut, ai kishte dhënë prova pse duhet të ishte pasardhësi i Moisiut në drejtimin e vendit, madje edhe më parë se zëri i Perëndisë ta thërriste për ta emëruar në këtë pozitë. PPAlb 371.4

Jozueu e shihte punën që i ishte vënë përpara me shqetësim të madh dhe mosbesim tek vetja, por frika iu largua nga siguria që iu dha nga vetë Perëndia: “ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis...ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t’u jap etërve të tyre. Unë ju kam dhënë çdo vend që tabani i këmbës suaj ka për të shkelur, siç i thashë Moisiut.” Që nga lartësitë e Libanit, në një distancë të largët, deri në brigjet e Detit të Madh e përtej brigjeve të Eufratit në lindje - e gjithë kjo tokë do të ishte e tyrja. PPAlb 371.5

Këtij premtimi iu shtua edhe paralajmërimi: “Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh simbas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar.” Urdhëri i Zotit ishte: “Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.” PPAlb 372.1

Izraelitët ishin ende në kampin e tyre në lindje të Jordanit, i cili ishte pengesa e parë për pushtimin e Kanaanit. “Çohu!” ishte mesazhi i parë që Zoti i dha Jozueut “kalo Jordanin, ti dhe gjithë ky popull, dhe shko në atë vend që Unë u jap atyre, bijve të Izraelit.” Por Zoti nuk dha asnjë udhëzim për mënyrën sesi do të ndodhte kalimi. Megjithatë, Jozueu e dinte se çfarëdo lloj urdhri që mund të jepte Zoti, Ai do bënte të mundur edhe rrugën që populli i Tij do të ndiqte dhe, duke besuar këtë gjë, udhëheqësi trim filloi menjëheë përgatitjet për të ecur përpara. PPAlb 372.2

Pak milje përtej lumit, mu përballë vendit ku po fushonin izraelitët shtrihej qyteti i madh dhe tejet i fortifikuar i Jerikos. Ky qytet ishte pak a shumë çelësi për të hapur dyert për në gjithë vendin dhe do ishte një pengesë shumë e madhe për suksesin e Izraelit. Prandaj Jozueu dërgoi dy djem të rinj si informatorë për ta survejuar qytetin dhe të merrnin informacione që kishin të bënin me popullsinë e tij, burimet dhe fuqinë e fortesave. Banorët e qytetit, të tmerruar dhe dyshues filluan të ishin të alarmuar gjatë gjithë kohës, kështu që lajmëtarët u gjendën përballë një rreziku të madh. Megjithatë, ata u ruajtën nga Rahaba, një grua e qytetit, e cila rrezikoi jetën e vet. Për t’ia kthyer mirësinë, ata i premtuan se do ta mbronin kur do të pushtonin qytetin. Kështu, Informatorët u kthyen të sigurt, duke sjellë me vete lajmet që kishin mbledhur. “Me siguri Zoti na e ka lënë në duart tona tërë vendin; që tani tërë banorët e vendit dridhen nga frika para nesh.” Njerëzit në Jeriko iu kishin treguar se: “...ne kemi dëgjuar si i thau ujërat e Detit të Kuq Zoti përpara jush kur dolët nga Egjipti, dhe atë që ju u bëtë dy mbretërve të Amorejve, matanë Jordanit, Sihonit dhe Ogut, që vendosët t’i shfarosni. Duke dëgjuar këto gjëra zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti Perëndia juaj është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë.” Menjëherë doli urdhri për t’u përgatitur që të ecnin përpara. Njerëzit duhet të përgatiteshin me racione ushqimore për tri ditë dhe ushtria duhej të ishte në gjendje gatishmërie për betejë. Me gjithë zemër, njerëzit i aprovuan planet e Jozueut dhe e siguruan atë për mirëbesimin dhe mbështetjen e tyre: “Ne do të bëjmë të gjitha ato që ti na urdhëron dhe do të shkojmë kudo që të na çosh. Ashtu siç i jemi bindur për çdo gjë Moisiut, kështu do të të bindemi ty. Vetëm me ty qoftë Zoti Perëndia yt, ashtu siç ka qenë me Moisiun. PPAlb 372.3

Duke e lënë vendfushimin mes kurorave të akacieve në Shitim, ushtria e Izraelit zbriti drejt bregut të Jordanit. Të gjithë e dinin se, pa ndihmën hyjnore, ata nuk do të ishin në gjendje të kalonin. Në atë kohë të vitit, stina e verës, bora e shkrirë nga malet e kishte rritur aq shumë nivelin e ujit, saqë ai mbulonte edhe brigjet, duke e bërë të pamundur kalimin edhe në vendet e zakonshme të kalimit. Ishte vullneti i Zotit që kalimi i Jordanit të bëhej me anë të një mrekullie. Me urdhërin hyjnor, Jozueu u tha njerëzve të shenjtëronin vetveten; pra duhej të largoheshin nga mëkatet e tyre dhe ta çlironin veten nga çdo papastërti e jashtme, sepse “nesër,” - tha ai, “Zoti ka për të bërë mrekulli mes jush.” Arka e besëlidhjes duhej të drejtonte rrugën para gjithë popullit. Kur të shihnin shenjën e pranisë së Zotit, të mbajtur nga priftërinjtë, që do të zhvendosej nga vendi ku e mbanin në qendër të kampit dhe të nisej drejt lumit, populli duhej të lëvizte dhe “ta ndiqte arkën.” Rrethanat e kalimit u paratreguan me çdo hollësi; siç tha dhe Jozueu: “Nga kjo do të njihni që Zoti i gjallë është midis jush dhe që me siguri ka për të dëbuar para jush Kanaanejtë... ja, arka e besëlidhjes së Zotit të të gjithë dheut po bëhet gati të kalojë para jush në lumin Jordan.” PPAlb 372.4

Në kohën e caktuar vargu i popullit filloi të lëvizte përpara, i drejtuar nga arka që mbahej mbi shpatullat e priftërinjve. Njerëzit ishin udhëzuar që të rrinin më mbrapa arkës, kështu që kishte një distancë prej gati tre kilometrash nga arka. Të gjithë shikonin me shumë interes lëvizjen e priftërinjve drejt bregut të Jordanit. Populli i shihte ndërsa ata që mbanin arkën e shenjtë ecnin vazhdimisht përpara drejt rrjedhës së furishme e të zemëruar, derisa këmbët e mbajtësve u zhytën në ujë. Papritur, rrjedha e sipërme e ujit u tëroq mbrapa, kurse rrjedha e poshtme vazhdoi të rridhte teposhtë, kështu që shtrati i lumit mbeti i thatë. PPAlb 373.1

Me urdhrin e Zotit, priftërinjtë ecën edhe pak përpara deri në mes të lumit dhe qëndruan aty, derisa e gjithë ushtria zbriti dhe kaloi për në bregun tjetër. Kështu, në mendjet e izraelitëve u ruajt edhe një herë tjetër mesazhi që fuqia që ndaloi ujërat e Jordanit, ishte po e njëjta fuqi që, para dyzet vjetësh hapi Detin e Kuq për etërit e tyre. Kur të gjithë njerëzit kishin kaluar, vetë arka u soli në bregun perëndimor. Sapo ajo arriti në një vend të sigurt ku “tabanët e këmbëve të priftërinjve u ndalën në vend të thatë,” ujërat deri atëherë të burgosur, u çliruan dhe u lësliuan teposhtë si një rrjedhë e papërmbajtshme nëpër kanalin e zakonshëm të lumit. PPAlb 373.2

Brezat e ardhshëm nuk do të ngeleshin pa një dëshmi të kësaj mrekullie madhështore. Ndërsa priftërinjtë që mbanin arkën ishin ende në mes të Jordanit, dymbëdhjetë burra të zgjedhur që më përpara, një për çdo fis, morën nga një gur secili për ta çuar në bregun perëndimor. Këta gurë duhej të vendoseshin si një monument në vendin e parë të fushimit përtej lumit. Njerëzve iu kërkua që t’ua transmetonin fëmijëve të tyre dhe fëmijëve të fëmijëve historinë e çlirimit që Zoti kishte kryer për ta, sikurse tha dhe Jozueu: “me qëllim që tërë popujt e tokës të pranojnë që Zoti ka dorë të fuqishme dhe që ju të keni gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia juaj.” PPAlb 373.3

Ndikimi i kësaj mrekullie si tek hebrenjtë, ashtu edhe tek armiqtë e tyre ishte i një rëndësie të madhe. Ishte një lloj sigurie ndaj popullit të Izraelit që Perëndia po vazhdonte të ishte i pranishëm me ta dhe t’i mbronte, ishte një provë që Ai po vepronte mes tyre nëpërmjet Jozueut, ashtu sikurse kishte bërë edhe nëpërmjet Moisiut. Kjo lloj sigurie ishte e nevojshme për t’i forcuar zemrat e tyre ndërsa përgatiteshin për të pushtuar tokën, detyra madhështore para së cilës etërit e tyre ishin tërhequr dyzet vjet më parë. “Sot do të filloj të të bëj të madh në sytë e të gjithë Izraelit, me qëllim që të kuptojnë se ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem edhe me ty.” Rezultati ishte përmbushja e këtij premtimi. “Po atë ditë, Zoti e bëri të madh Jozueun në sytë e tërë Izraelit, dhe banorët e tij patën frikë nga ai ashtu si patën frikë nga Moisiu gjatë gjithë ditëve të jetës së tij.” PPAlb 373.4

Ushtrimi i fuqisë hyjnore në të mirë të Izraelit do të shërbente njëkohësisht për të rritur frikën e kombeve të tjerë ndaj tyre dhe në këtë mënyrë të përgatiste rrugën për një fitore më të lehtë dhe të plotë. Kur lajmi, që Perëndia kishte mbajtuir ujërat e Jordanit para fëmijëve të Izraelit, mbërriti në veshët e mbretit të amorenjve dhe të kanaanejve, zemrat e tyre u mpakën nga frika. Deri tani hebrenjtë kishin vrarë pesë mbretërit e Madianit, Sihonin e fuqishëm, mbretin e amorenjve dhe Ogun e Bashanit dhe tani, kalimi i Jordanit të fryrë dhe të furishëm i terrorizoi gjithë kombet rrethuese. Kanaanejve, gjithë Izraelit dhe madje edhe vetë Jozueut iu dha një provë e pagabueshme se Perëndia i Gjallë, Mbreti i tokës dhe i qiellit ishte midis popullit të Tij dhe që Ai nuk do t’i linte të dështonin dhe as nuk do t’i braktiste. Pak larg Jordanit, hebrenjtë ngritën kampin e tyre të parë në Kanaan. Aty Jozueu “rrethpreu (bëri synet) bijtë e Izraelit” dhe ” bijtë e Izraelit e ngritën kampin e tyre në Gilgal dhe aty kremtuan Pashkën.” Ndërprerja e ritit të rrethprerjes që pas rebelimit të tyre në Kadesh kishte qenë për Izraelin një dëshmi e vazhdueshme që besëlidhja me Zotin, simbol i së cilës ishte dhe rrethprerja, ishte thyer. Po ashtu, ndërprerja e kremtimit të Pashkës, që ishte përkujtimorja e çlirimit të tyre nga Egjipti, ishte edhe ajo evidencë që Zotit nuk i pëlqente dëshira e tyre për t’u kthyer në tokën e skllavërisë. Gjithsesi, vitet e refuzimit tashmë kishin mbaruar. Edhe një herë Perëndia e njohu Izraelin si popullin e Tij, që kishte lindur në shkretëtirë. Zoti i shpalli Jozueut: “Sot ju hoqa turpërimin e Egjiptit” dhe duke iu aluduar kësaj, vendi ku ata fushuan u quajt Gilgal, që do të thotë “të heqësh tej.” PPAlb 374.1

Ngaqë prisnin që Izraeli, pasi ishte çliruar prej Egjiptit, të pushtonte edhe tokën e Kanaanit, por që ata dështuan, popujt paganë e kishin turpëruar Perëndinë dhe popullin e Tij. Armiqtë e tyre kishin triumfuar ngaqë Izraeli ishte endur në shkretëtirë për një kohë shumë të gjatë dhe duke u tallur kishin deklaruar se Perëndia i hebrenjve nuk kishte qenë i aftë t’i sillte ata në Tokën e Premtuar. Tani, edhe me shenja mrekullie, Perëndia e kishte shfaqur fuqinë dhe favorin e Tij kur hapi Jordanin përpara popullit të Vet, prandaj armiqtë nuk mund t’i turpëronin më izraelitët. PPAlb 374.2

“Ditën e katërmbëdhjetë të muajit, në të ngrysur” bijtë e Izraelit festuan Pashkën në fushat e Jerikosë. “Të nesërmen e Pashkës hëngrën prodhime të vendit, bukë të ndorme dhe grurë të pjekur po atë ditë. Të nesërmen hëngrën prodhime të vendit, manna mbaroi; kështu bijtë e Izraelit nuk patën më manna, por atë vit hëngrën frytet e vendit të Kanaanit.” Viteve të gjata të endjeve nëpër shkretëtirë u erdhi fundi. Këmbët e izraelitëve më në fund po shkelnin mbi Tokën e Premtuar. PPAlb 374.3