PATRIARKË DHE PROFETË

44/74

43—“VDEKJA E MOISIUT”

LIGJIN E PËRTËRIRË 31-34

*****

Perëndia, në çdo hap të marrëdhënies së Tij me popullin e Vet, bashkë me dashurinë dhe mëshirën e Tij, ka treguar edhe drejtësi të paanshme. Historia e popullit të Izrelit na shërben si shembull i tillë. Perëndia kishte derdhur mbi ta bekime të mëdha. Dhembshuria e Tij ndaj tyre është shprehur mjaft qartë: “Ashtu si një shqiponjë nxit zogjtë e saj, fluturon mbi të vegjëlit e saj, shtrin krahët e saj, i merr dhe i mbart mbi krahët e saj, Zoti e drejtoi vetë.” E megjithatë një ndëshkim i menjëhershëm dhe i rëndë ra mbi ta për shkak të shkeljes së rëndë që kryen. 31 PPAlb 363.1

Dashuria e pakufishme e Perëndisë u manifestua në dhuratën e Birit të tij të vetëm si shpengim për racën njerëzore. Krishti erdhi në këtë tokë që t’u zbulojë njerëzve karakterin e Atit të Tij dhe jeta e Tij ishte e mbushur me vepra të dashurisë dhe dhembshurisë hyjnore. E megjithatë vetë Krishti deklaroi: “Derisa qielli dhe toka të kalojnë, asnjë jotë e asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë.” - Mateu 5:18.I njëjti zë që me lutje të durueshme dhe plot dashuri e fton mëkatarin që të shkojë tek Ai për të gjetur falje dhe paqe, në kohën e gjykimit do t’i urdhërojë ata që e refuzuan mëshirën e Tij: “Largohuni nga Unë, ju të mallkuar!” - Mateu 25:41. Përgjatë gjithë Biblës, Perëndia nuk na shfaqet vetëm si një baba i dashur, por edhe si një gjykatës i drejtë. Edhe pse Ai kënaqet kur tregon mëshirë dhe “fal paudhësinë dhe shkeljen” Ai ” në asnjë mënyrë nuk do ta lërë pa ndëshkuar fajtorin.”- Eksodi 34:7. PPAlb 363.2

Perëndia, Sunduesi i Madh i kombeve kishte shpallur që Moisiu nuk do ta udhëhiqte asamblenë e Izraelit drejt Tokës së Premtuar, madje edhe lutja përgjëruese e këtij shërbëtori të shquar të Perëndisë, nuk mundi ta ndryshonte vendimin e Zotit. Moisiu e dinte që duhej të vdiste. Gjithsesi, në asnjë moment ai hoqi dorë nga përkujdesja e tij për Izraelin. Me besnikëri, ai ishte përpjekur që ta përgatiste asamblenë që të hynte në trshëgiminë e premtuar. Me urdhër të Perëndisë, Moisiu dhe Jozueu hynë në tabernakull, ndërsa shtylla e resë erdhi dhe u ndal mbi hyrjen e derës. Pikërisht këtu populli u la në duart e Jozueut. Puna e Moisiut si drejtuesi i Izraelit kishte përfunduar. Megjithatë, ai vazhdonte ta mohonte vetveten në përkujdesin që tregonte ndaj popullit të tij. Në praninë e turmës së popullit të mbledhur, Moisiu i drejtoi pasardhësit të tij këto fjalë: “Qofsh i fortë dhe trim, sepse ti do të hysh bashkë me këtë popull në vendin që Zoti u betua t’u japë etërve të tyre.” Pastaj u kthye nga pleqësia dhe drejtuesit e tjerë të njerëzve, duke iu kërkuar atyre që t’iu bindeshin deri në fund urdhërimeve të Perëndisë, që ai vetë ua kishte komunikuar. Ndërsa njerëzit ia ngulën sytë atij burri të moshuar, i cili do të merrej nga ata së shpejti, ata, me një mirënjohje të re dhe vlerësim më të thellë, kujtuan dashurinë e tij prindërore, këshillat e tij të urta dhe punën e palodhshme. Sa herë kishte ndodhur që, kur me mëkatet e tyre ata kishin tërhequr gjykimin e Perëndisë, lutjet e Moisiut kishin qëndruar pranë Perëndisë që Ai t’i falte. Pikëllimi u kthye në keqardhje. Atyre iu kujtua momenti i hidhur kur, me mëkatin e tyre, ata e kishin provokuar Moisiun të kryente mëkatin, për të cilin tani duhej të vdiste. PPAlb 363.3

Marrja tej e udhëheqësit të tyre rezultoi një një qortim shumë më i ashpër se çdo lloj qortimi tjetër që ata mund të kishin marrë në rast se Moisiu do vazhdonte të jetonte. Zoti synonte që ata që të kuptonin se drejtuesit të ardhshëm nuk duhej t’ja bënin jetën aq të mundimshme sa ç’ja kishin bërë Moisiut. Zoti u flet njerëzve të Tij në derdhje bekimesh dhe kur këto bekime nuk marrin vlerësimin e duhur, Zoti u flet njerëzve të Tij duke ua hequr atyre bekimet, që t’i ndihmojë ata të kuptojnë mëkatin e tyre dhe të kthehen tek Ai me gjithë zemër. PPAlb 364.1

Atë ditë, Moisiut i erdhi urdhëri: “Çohu...shko në malin Nebo... dhe shiko tokën e Kanaanit, që do t’ua jap në pronësi bijve të Izraelit dhe do të vdesësh në malin të cilit do t’i ngjitesh dhe do t’u bashkohesh etërve të tu.” Moisiu e kishte lënë shpesh herë kampin që të komunikonte me Zotin, duke iu bindur urdhërimeve të Tij, por tani, atij i duhej të nisej me një mision të ri dhe të mistershëm. Atij i duhej të shkonte që ta dorëzonte jetën në duart e Krijuesit. Moisiu e dinte që duhej të vdiste vetëm, asnjë i afërm tokësor nuk u lejua t’i shërbente atij në orët e fundit të jetës. Para tij shtrihej një skenë misteri dhe tmerri, para së cilës zemra e tij do të tkurrej. Ky ishte mundimi i tij më i madh—ndarja nga populli për të cilin kishte treguar aq dashuri dhe kujdes dhe me të cilin kishte qenë aq shumë i lidhur interesi dhe vetë jeta e tij. Por, Moisiu kishte mësuar se si t’i besonte Perëndisë dhe me një besim të padiskutueshëm ai e dorëzoi si veten, ashtu edhe popullin në duart e dashurisë dhe mëshirës së Perëndisë. PPAlb 364.2

Ishte hera e fundit që Moisiu po qëndronte me asamblenë e popullit të tij. Fryma e Zotit erdhi sërish mbi të dhe në një gjuhë shumë prekëse dhe sublime ai shqiptoi nga një bekim mbi secilin prej fiseve dhe përfundoi me një bekim të përbashkët: PPAlb 364.3

“Askush nuk është barabar me Perëndinë e Jeshurunit,
që shkon me kalë nëpër qiejtë në ndihmën tënde
dhe shkon mbi retë me madhështinë e tij.
Perëndia i kohëve të lashta është streha jote
dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm.
Ai do ta dëbojë armikun para teje
dhe do të thotë: ‘Shkatërroje!’
Atëherë Izraeli do ta ndiejë veten të sigurt,
në një vend gruri dhe mushti;
dhe qielli i tij di të japë vesë.
Ti je i lumtur, o Izrarel!
Kush është barabar me ty, o popull i shpëtuar nga Zoti?
Ai është mburoja që të ndihmon
dhe shpata e lavdisë sate.”
PPAlb 364.4

- Ligji i Përtërirë 33:26-2.

Pastaj, Moisiu ktheu shpinën nga asambleja dhe në heshtje dhe i vetëm u drejtua për nga faqja e malit. Ai shkoi në malin Nebo, në majën e Pisgahut. Gjatë asaj nate të vetmuar ai qëndroi duke vëzhguar me sytë e tij ende të fortë skenën që i shfaqej përpara. Shumë larg tij, drejt perëndimit, shtriheshin ujërat e Detit të Madh, në veri shtrihej mali i Hermonit; drejt lindjes shtrihej rrafshnalta e Moabit dhe përtej saj shtrihej Bashani, skena e triumfit të Izraelit dhe ca më tutje në drejtim të jugut shtrihej shkretëtira e endjeve të tyre të gjata. PPAlb 364.5

Në vetmi, Moisiu rishikoi dhe njëherë jetën e tij me probleme dhe vështirësi, qëkurse kishte hequr dorë nga nderimet e oborrit mbretëror dhe nga mbretëria premtuese e Egjiptit, që të hynte në shortin e popullit të zgjedhur të Perëndisë. Atij i erdhën në mendje ato vite të gjata në shkretëtirë duke kullotur kopenë e vjehrrit të tij, Jethros, shfaqja e Engjëllit në shkurren që digjej dhe thirrja e tij për të çliruar Izraelin. Ai i pa sërishmi mrekullitë e mëdha të fuqisë së Perëndisë për hir të popullit të Tij të zgjedhur dhe mëshirën e Tij dashamirëse gjatë viteve të endjes nëpër shkretëtirë dhe rebelimit të tyre. Pavarësisht nga të gjitha ato që Zoti kishte bërë për ta, pavarësisht nga lutjet e Moisiut dhe veprat e tij, vetëm dy njerëz nga gjithë ushtria madhështore që kishin lënë Egjiptin ishin konsideruar të denjë për të hyrë në Tokën e Premtuar. Ndërsa rishikonte rezultatet e punës së tij, Moisiut iu duk sikur e gjithë jeta e tij sakrifikuese dhe e mundimshme dukej sikur kishte shkuar gati e gjitha dëm. PPAlb 365.1

Megjithatë ai nuk u pendua aspak për barrën e stërmadhe që kishte mbartur. Ai e dinte se misioni dhe veprat e tij ishin të caktuara nga vetë Perëndia. Kur u thirr fillimisht që të bëhej drejtuesi i Izraelit, që do t’a çlironte atë nga skllavëria e mëkatit, Moisiu u tërhoq nga përgjegjësia, por që në çastin kur vendosi ta merrte përsipër këtë punë, ai nuk e kishte hedhur barrën tej asnjëherë. Edhe kur Perëndia kishte propozuar që ta lironte dhe ta shkatërronte Izraelin rebel, Moisiu nuk kishte rënë dakord. Edhe pse mundimet kishin qenë të rënda, Moisiu ishte kënaqur me favorin e veçantë që Zoti kishte treguar ndaj tij, kishte përftuar një eksperiencë madhështore gjatë qëndrimit të tij në shkretëtirë duke qenë dëshmitar i fuqisë dhe lavdisë së Perëndisë dhe në bashkësi me dashurinë e Tij, pati ndjesinë që kishte marrë një vendim të mençur kur kishte zgjedhur mundimin bashkë me popullin e Perëndisë, më mirë sesa të gëzonte për pak kohë kënaqësitë e mëkatit. PPAlb 365.2

Ndërsa e hodhi vështrimin pas në përvojën e tij si drejtues i popullit të Perëndisë, kishte vetëm një akt të vetëm që e njolloste figurën e tij. Sikur ajo shkelje të mund të shlyhej, ai do të shpëtonte nga vdekja. Ai ishte i sigurt se, pendimi dhe besimi në Sakrificën e premtuar ishin gjithçka që Zoti kërkonte dhe Moisiu e rrëfeu edhe një herë mëkatin e tij dhe kërkoi falje në emrin e Jezusit. PPAlb 365.3

Tashmë, një pamje panoramike e Tokës së Premtuar iu tregua në vegim. Para tij shtrihej çdo pjesë e vendit, jo më e zbehtë dhe e pasigurt për shkak të distancës, por e qartë, e dallueshme dhe e bukur në vizionin e tij. Në këtë skenë ajo shfaqej jo sikur dukej atëherë, por sikurse do të bëhej me bekimin e Perëndisë gjatë kohës që do pronësohej nga Izraeli. Atij i dukej sikur po shihte një Eden (parajsë) të dytë. Kishte aty male të mbuluar me kedrat e Libanit, kodra ngjyrë gri nga ngjyra e ullinjve dhe që të kënaqnin me aromën e vreshtave, lëndina të mëdha, të gjelbra që rrezatonin nga lulet, të pasura dhe pjellore, aty palmat e tropikut, këtu fushat që valëzonin nga kallinjtë e grurit e të elbit, lugina të shndritshme me melodinë e përrenjve dhe këngën e zogjve rreth e rrotull, kopshte dhe qytete të mbara, liqene të pasura në “ujërat e detrave,” bagëtia që kullot nëpër faqet e kodrave, dhe midis shkëmbinjve— thesaret e fshehura të bletëve të egra. Ishte me të vërtetë një tokë ashtu sikurse Moisiu, i frymëzuar nga Fryma e Perëndisë ia kishte përshkruar Izraelit: “Vendi i tij qoftë i bekuar nga Zoti me dhurata të çmuara të qiellit, me vesën, me ujërat e humnerës që ndodhet poshtë, me frytet e çmuara të diellit, me prodhimet e çmuara të çdo muaji, me prodhimet më të mira të maleve të lashta, me dhuratat e çmuara të kodrave të përjetshme, me dhuratat e çmuara të tokës dhe të të gjitha gjërave që ajo përmban.” PPAlb 365.4

Moisiu e pa popullin e zgjedhur të stabilizuar në Kaanan, secili nga fiset sipas pronësisë së tij. Ai pa edhe historinë e tyre në kohën pas vendosjes në Tokën e Premtuar—historia e gjatë dhe e trishtë e apostazisë së tyre dhe dënimi për këtë u shfaq aq qartë para tij. Ai pa se për shkak të mëkateve të tyre ata do të shpërndaheshin nëpër faqen e dheut midis paganëve, pa lavdinë që largohej nga Izraeli dhe qytetet e tij të bukur të kthyera në gërmadha, dhe popullin e tij robër në toka të huaja. Ai i pa ata të restauruar në tokën e etërve të tyre dhe së fundmi i pa edhe nën robërinë e Romës. PPAlb 366.1

Moisiut iu lejua që të shihte përpara në rrjedhën e kohës dhe të shikonte ardhjen e parë të Shpëtimtarit tonë. Ai pa Jezusin si një foshnje në Bethlehem. Dëgjoi zërat e ushtrisë qiellore të shpërthenin në një këngë të gëzuar lavdërimi ndaj Perëndisë dhe shpallnin paqen mbi tokë. Në qiell, ai pa yllin që do drejtonte dijetarët e lindjes për tek Jezusi dhe një dritë madhështore e përshkoi mendjen e tij ndërsa kujtoi fjalët profetike: “një Yll do të dalë nga Jakobi dhe një Skeptër do të ngrihet nga Izraeli.” - Numrat 24:17. Ai pa jetën e përulur të Jezusit në Nazaret dhe shërbesën e mrekullueshme të dashurisë, simpatisë dhe shërimit të Tij, si dhe refuzimin nga një komb krenar dhe mosbesues. I mahnitur, ai dëgjoi se si ata e lartësonin ligjin e Perëndisë me krenari, ndërkohë që refuzonin dhe hidhnin poshtë vetë Atë, i cili ua kishte dhënë ligjin. Ai pa edhe Jezusin mbi Malin e Ullinjve, i cili, duke qarë i dha lamtumirën qytetit të dashurisë së Tij. PPAlb 366.2

Ndërsa pa refuzimin përfundimtar të atij populli që ishte bekuar aq shumë nga Perëndia, për të cilin ai ishte lodhur, ishte lutur dhe kishte sakrifikuar, për të cilin ishte treguar i gatshëm të lejonte të fshihej dhe vetë emri i tij nga libri i jetës, ndërsa dëgjonte ato fjalë të frikshme: “Ja, shtëpia juaj ju është lënë e shkretë.” - Mateu 23:38, zemra e Moisiut u mbush me ankth dhe lot të hidhur ranë nga sytë e tij, për shkak të keqtrajtimit që iu bë Birit të Perëndisë. PPAlb 366.3

Ai e ndoqi Shpëtimtarin për në Gjetsemani dhe vështroi agoninë e Tij në atë kopsht, tradhëtinë, talljen dhe fshikullimin, dhe...kryqëzimin. Moisiu pa që, ashtu sikurse ai vetë kishte ngritur lart gjarprin në shkretëtirë, ashtu do të ngrihej lart edhe Biri i Perëndisë, që kushdo që beson në Të “të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” - Gjoni 3:15. Hidhërimi, indinjimi dhe tmerri e mbushën zemrën e tij, ndërsa vazhdonte të shikonte hipokrizinë dhe urrejtjen satanike të treguar nga populli i Izraelit kundrejt Shpëtimtarit të tyre, Engjëllit Madhështor që kishte ecur përpara etërve të tyre. Moisiu dëgjoi edhe klithmën rrënqethëse të Krishtit: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” - Marku 15:34. Ai e pa Jezusin të shtrirë në varrin e ri të Jozefit. I dukej sikur errësira e një dëshpërimi të pafund po e përqafonte botën. Por ai pa lart përsëri dhe shikoi Atë që vinte si Fitimtar duke u ngjitur në qiell me një eskortë engjëjsh të mrekullueshëm dhe duke drejtuar një turmë të madhe robërish të çliruar. Moisiu pa portat e shndritshme qiellore të hapeshin para Tij për ta mirëpritur si dhe ushtrinë e qiellit me këngë triumfi që mirëprisnin Komandantin e tyre. Dhe pikërisht atje Moisiut iu zbulua se vetë ai do ishte një ndër ata që do i qëndronte pranë Shpëtimtarit dhe që do i hapte Atij portat e përjetshme. Ndërsa shikonte këtë skenë, fytyra e tij shndriti me një rrezatim të shenjtë. Sa të vogla i dukeshin tani vuajtjet dhe sakrificat e veta të krahasuara me ato të Birit të Perëndisë. Sa të lehta në kontrast me “peshën e pamasë, të pashoqe e të amshueshme të lavdisë.” - 2 Korintasve 4:17. Ai u gëzua që i ishte dhënë leja, sado e pakët që mund të ishte, që të kishte qenë pjesëmarrës në vuajtjet e Krishtit. PPAlb 366.4

Moisiu i pa dishepujt e Jezusit ndërsa ata shkonin për të përhapur Ungjillin eTij në mbarë botën. Ai pa se populli i Izraelit (në kuptimin fizik të fjalës) kishte rënë nga lartësia e fatit në të cilin Zoti i kishte thirrur; në mosbesimin e tyre kishin dështuar që të ishin drita e botës. Por edhe pse e kisin përçmuar mëshirën e Perëndisë dhe i kishin humbur bekimet e Tij si bekime të popullit të zgjedhur të Perëndisë, Zoti nuk e kishte hedhur tej pasardhjen e Abrahamit - qëllimi i lavdishëm, që Zoti e kishte marrë përsipër të realizonte nëpërmjet Izraelit duhej të përmbushej. Të gjitha ata që nëpërmjet Krishtit do të bëheshin bij të besimit duhet të numëroheshin si bij të Abrahamit dhe ishin trashëgimtarë të premtimeve të besëlidhjes; sikurse Abrahami edhe ata janë të thirrur që t’i bëjnë të ditur botës ligjin e Perëndisë dhe Ungjillin e Birit të Tij. Moisiu pa dritën e Ungjillit që shkëlqente nëpërmjet dishepujve të Jezusit drejt atyre “mbi të cilët kishte rënë errësira” (- Mateu 4:16) dhe mijëra njerëz nga tokat pagane do të grumbulloheshin në shkëlqimin e zgjimit të kësaj drite. Duke parë këtë, Moisiu u gëzua në rritjen dhe përparimin e Izraelit të ri. PPAlb 367.1

Tani, një tjetër skenë kaloi para tij. Moisiut iu tregua edhe puna e Satanit që do i drejtonte hebrenjtë në refuzimin e Krishtit, ndërkohë që pretendonin se zbatonin ligjin e Atit. Tani, Moisiu pa edhe botën e krishterë të mbështjellë nga i njëjti mashtrim, që vjen nga ata që thonë se kanë pranuar Krishtin, por ndërkhë kanë refuzuar ligjin e Perëndisë. Moisiu dëgjoi zërin e priftërinjve dhe pleqve të çmendur që bërtisnin: “Largojeni Atë!,” “Kryqëzojeni!” Po sot ne dëgjojmë të njëjtën gjë nga të ashtuquajturit mësues të krishterë që bërtasin: “Largojeni Ligjin!”. Moisiu pa që dita e shtunë, pra, Sabati do të shkelej me këmbë dhe një institucion tjetër i rremë do të ngrihej në vend të tij. Sërisht, Moisiu u mbush me terror dhe habi. Si ka mundësi që ata që kanë pranuar Krishtin të refuzojnë ligjin e Tij, të cilin Ai e shpalli me gojën e vet gjatë predikimit në malin e shenjtë? Si mundej një njeri që i druhej Perëndisë të linte mënjanë ligjin që është themeli i qeverisjes së Perëndisë jo vetëm në tokë, por edhe në qiell? Me gëzim, Moisiu pa që ligji i Perëndisë ende do të nderohej dhe do të lartësohej nga pak veta që do t’i qëndronin besnikë. Ai pa përpjekjet e mëdha të fuqive tokësore të ditëve të fundit për të shkatërruar ata që mbanin ligjin e Perëndisë. Ai vështroi përpara në kohën kur Perëndia do të çohej për t’i dënuar banorët e tokës për paudhësinë e tyre dhe ata që druanin emrin e Tij do të mbroheshin dhe do të fshiheshin gjatë ditës së zemërimit të Tij. Ai dëgjoi besëlidhjen paqësore të Zotit me ata që e kishin zbatuar ligjin e Tij, ndërsa Perëndia ngrinte zërin e Vet nga vendbanimi i Tij i shenjtë, para të Cilit do të dridhej toka dhe qielli. Moisiu pa edhe ardhjen e dytë të Krishtit në lavdi, pa ringjalljen e të vdekurve në jetë të përjetshme dhe shenjtorët që do ishin të gjallë në atë kohë që shndërroheshin në trupa të paprishshëm pa e parë vdekjen dhe që të gjithë së bashku i pa të ngjteshin drejt Qytetit të Perëndisë me kengë gëzimi në gojë. PPAlb 367.2

Kishte edhe një skenë tjetër që u shfaq përpara syve të Moisiut - toka e çliruar nga mallkimi, shumë më e bukur se vetë Toka e Premtuar, të cilën ai e pa me kaq vonesë. Aty nuk ka më mëkat dhe vdekja nuk mund të hyjë. Aty, kombet e të shenjtëve kanë gjetur shtëpinë e tyre. Moisiu e shikon këtë skenë me një gëzim të pashprehshëm; kjo ishte përmbushja e një çlirimi edhe më të lavdishëm nga ai që kishte përfytyruar Moisiu. Mbas shumë e shumë endjeve, të cilat tashmë kishin mbetur të shkuara, të harruara, Izraeli i Perëndisë, më në fund kishte hyrë në tokën e dlirë. PPAlb 368.1

Përsëri vegimi u largua dhe sytë e Moisiut ngelën mbi Kanaan, i cili shtrihej në distancë. Pastaj, si një luftëtar i lodhur ai u shtri të pushonte. “Kështu Moisiu, shërbëtori i Zoit, vdiq aty, në vendin e Moabit, sipas fjalës së Zotit. Zoti e varrosi në luginën e vendit të Moabit, përballë Beth-Peorit; dhe askush nuk e ka mësuar deri më sot vendin e varrit të tij.” Po ta dinin se ku ishte varri i Moisiut, shumë njerëz që nuk kishin qenë të gatshëm të dëgjonin këshillat e Moisiut ndërsa ai kishte qenë me ta, do të ishin rrezikuar që të kryenin idhujtari lidhur me trupin e tij të vdekur. Por vetë engjëjt e Perëndisë e varrosën trupin e shërbëtorit të Tij besnik dhe bënin rojë mbi varrin e vetmuar. PPAlb 368.2

“Nuk doli më në Izrael një profet i ngjashëm me Moisiun, me të cilin Zoti fliste sy për sy, në të gjitha shenjat dhe mrekullitë që Zoti e dërgoi të bënte në të gjithë madhështinë e fuqisë dhe në të gjitha gjërat e mëdha dhe të tmerrshme që Moisiu kreu përpara syve të të gjithë Izraelit.” PPAlb 368.3

Sikur jeta e Moisiut të mos ishte njollosur nga i mëkat i vetëm, kur ai dështoi t’i jepte lavdi Perëndisë që u dha ujë në shkëmbin e Kadeshit, ai do të kishte hyrë në Tokën e Premtuar dhe trupi i tij do të ishte shndërruar pa e parë vdekjen. Por ai nuk do të rrinte për shumë kohë në varr. Vetë Krishti, së bashku me engjëjt që e kishin varrosur Moisiun, zbriti nga qielli për të thirrur shenjtorin që po flinte. Satani ishte gëzuar jashtë mase kur ia arriti qëllimit për ta bërë Moisiun të mëkatonte kundër Perëndisë dhe ta sillte kështu nën pushtetin e vdekjes. Kundërshtari i madh deklaroi se dënimi hyjnor “Sepse ti je pluhur, prandaj në pluhur do të kthehesh” - Zanafilla 3:19 - i jepte atij vetë pronësinë e të vdekurit. Fuqia e varrit nuk ishte thyer asnjëherë dhe të gjitha ata që shtriheshin në varre ai i quante si robërit e tij dhe nuk i lëshonte nga shtëpia e atij burgu të errët. PPAlb 368.4

Për herë të parë Jezusi do t’i jepte jetë një të vdekuri. Ndërkohë që Princi i jetës dhe engjëjt shkëlqyes iu afruan varrit, Satani u alarmua në lidhje me superioritetin e vet. Bashkë me engjëjt e tij ai qëndroi përballë Jezusit për të debatuar kundra këtij pushtimi të një territori që ai e quante të vetin. Ai mburrej ngaqë shërbëtori i Perëndisë ishte bërë i burgosuri i tij. Ai shpalli se edhe Moisiu nuk ishte në gjendje ta mbante ligjin e Zotit, pasi kishte marrë për vete lavdinë që i takonte Perëndisë, dhe ky ishte mëkati kryesor që e kishte përzënë Satanin nga qielli, kështu që për shkak të shkeljes së tij, Moisiu kishte ardhur nën sundimin e Satanit. Kryetradhëtari i përsëriti sërisht akuzat e lashta që kishte lëshuar kundër qeverisjes në qiell dhe i përsëriti edhe ankesat ndaj padrejtësisë që Zoti kishte treguar ndaj tij. PPAlb 368.5

Jezusi nuk hyri në diskutim me Satanin. Ai mund të kishte sjellë si provë kundër tij veprën e egër që mashtrimet e tij kishin bërë në qiell, duke shkaktuar rrënimin e një numri të madh të banorëve qiellorë. Jezusi mund të kishte dëshmuar për mashtrimet që kishte sjellë në kopshtin në Eden, duke shkaktuar mëkatin e Adamit dhe duke sjellë vdekjen mbi racën njerëzore. Ai mund t’i kishte thënë Satanit se gjithë sa ndodhi me Izraelin në lidhje me murmurimat dhe rebelimin e tyre, duke sjellur lodhjen e drejtuesit të tyre aq të duruar, i cili në një moment pakujdesie u gjend nën surprizën e mëkatit, që e solli atë nën fuqinë e vdekjes—e gjitha kjo kishte qenë vepër e tij. PPAlb 369.1

Por Krishti ia la çdo gjë në dorë Atit të Tij duke thënë: “Zoti të qortoftë!” - Juda 9. Shpëtimtari nuk hyri në asnjë lloj debati me kundërshtarin e Tij, por menjëherë filloi të thyente fuqinë e armikut të rënë, duke e sjellë të vdekurin në jetë. Kjo ishte një evidencë që Satani nuk mund ta kundërshtonte aspak dhe në asnjë mënyrë superioritetin e Birit të Perëndisë. Ringjallja u sigurua njëherë e përgjithmonë. Satanit iu vodh preja dhe i drejti që kishte vdekur jetoi përsëri. PPAlb 369.2

Si pasojë e mëkatit, Moisiu kishte rënë në fuqinë e Satanit. Ai meritonte të ishte rob i vdekjes me ligj, megjithatë ai u ngrit në jetë të përjetshme, duke e ruajtur titullin e tij në vetë emrin e Shpenguesit të tij. Moisiu doli nga varri i lavdishëm dhe u ngjit me Çlirimtarin e tij drejt Qytetit të Perëndisë. PPAlb 369.3

Kurrë më parë, deri në momentin e sakrifikimit të Jezusit, nuk ishte treguar aq bukur në të njëjtën kohë dashuria dhe drejtësia e Perëndisë, sesa në mënyrën sesi veproi Ai me Moisiun. Perëndia e ndaloi Moisiun të shkonte në Kanaan, për t’i mësuar kështu një mësim që nuk duhej të harrohej kurrë: që Perëndia kërkon bindje të plotë dhe që njerëzit duhet të kujdesen që mos ta marrin për vete lavdinë që i takon Perëndisë. Ai nuk mund ta plotësonte lutjen e Moisiut që të merrte pjesë në trashëgiminë e Izraelit, por Zoti nuk harroi që mos ta braktiste shërbëtorin e Tij. Perëndia i qiellit e kuptoi vuajtjen që kishte duruar Moisiu dhe e kishte vënë re çdo vepër besnike të shërbimit të tij gjatë gjithë atyre viteve të gjata konflikti dhe mundimi. Nga maja e malit të Pisgaut, Zoti e thirri Moisiun drejt një trashëgimie pambarimisht më të lavdishme se ajo e Tokës së Premtuar të Kanaanit. PPAlb 369.4

Mbi malin e shpërfytyrimit Moisiu ishte i pranishëm së bashku me Elian që ishte shndërruar. Ata ishin dërguar si mbajtësit e dritës dhe të lavdisë që Ati i sillte Birit të Tij. Kështu që, lutja e Moisiut e shqiptuar para aq shumë shekujsh, më në fund, u përmbush. Ai qëndronte mbi “malin e dlirë” bashkë me trashëgiminë e popullit të tij, duke i dëshmuar Atij tek i Cili ishin përqendruar gjithë premtimet e Izraelit. E tillë ishte skena e fundit që iu shfaq në vizion një të vdekshmi në historinë e atij njeriu që nderohej kaq shumë nga Qielli. PPAlb 369.5

Moisiu ishte një personazh simbolizues i Krishtit. Ai vetë i tha Izraelit: “Zoti, Perëndia yt, do të krijojë për ty një Profet si unë në mes teje dhe vëllezërve të tu; atë keni për ta dëgjuar.” - Ligji i Përtërirë 18:15. Zoti e pa të vendit që ta disiplinonte Moisiun në shkollën e mundimit dhe të varfërisë përpara se të përgatitej të drejtonte ushtritë e Izraelit drejt Kanaanit tokësor. Izraeli i Perëndisë, duke udhëtuar për në Kanaanin qiellor ka një Kapiten që nuk ka nevojë për mësues njerëzor që ta përgatisë në misionin e tij si udhëheqës i gjërave hyjnore, megjithatë, ai u perfeksionua nëpërmjet vuajtjeve dhe “në atë që ai vetë u tundua, mund ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve realizuesin e shpëtimit të tyre.” - Hebrenjtë 2:10,18. Shpenguesi ynë nuk shfaqi dobësi apo papërsosmëri njerëzore, megjithatë Ai duhej të vdiste që të siguronte edhe për ne hyrje për në Tokën e Premtuar. PPAlb 369.6

“Dhe Moisiu qe me të vërtetë besnik në shtëpinë e Perëndisë si shërbëtor, për të dëshmuar për të gjitha gjërat që duheshin thënë, por Krishti, si Bir, është mbi shtëpinë e tij dhe shtëpia e vet jemi ne, në qoftë se e mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës.”- Hebrenjtë 3:5,6. PPAlb 370.1