PATRIARKË DHE PROFETË

43/74

42—“LIGJI I PËRSËRITUR”

*****

Zoti e lajmëroi Moisiun që koha e caktuar per pushtimin e Kanaanit ishte afruar shumë dhe ndërsa profeti i moshuar qëndronte në një pikë të lartë me vështrimin hedhur nga Toka e Premtuar, ai shikonte me shumë interes trashëgiminë e popullitt ë tij. A do ishte e mundur që dënimi që ishte shqiptuar për të në Kadesh të mund të anulohej? 30 Me përgjërim të thellë ai u lut: “O Zot Perëndi, ti ke filluar t’i tregosh shërbëtorit tënd madhështinë tënde dhe dorën e fuqishme që ke; sepse cila është perëndia në qiell apo në tokë që mund të kryejë vepra dhe mrekulli si ato që bën ti?” Prandaj më ler të kaloj Jordanin për të parë vendin e bukur që është matanë tij, krahinën e bukur malore dhe Libanin.”- Ligji i Përtërirë 3:24-27. PPAlb 358.1

Përgjigja ishte: “Mjaft me kaq; mos më fol më për këtë gjë. Ngjitu në majën e Pisgahut, hidh sytë nga perëndimi, nga veriu, nga jugu dhe nga lindja dhe sodit me sytë e tu, sepse ti nuk do ta kalosh këtë Jordan.” PPAlb 358.2

Pa murmuritur, Moisiu iu nënshtrua vullnetit të Perëndisë. Por tani shqetësimi i tij i madh ishte në lidhje me Izraelin. Cili vallë, ashtu sikurse ai vetë, do ta ndiente aq thellë shqetësimin për mirëqenien e tyre? Nga një zemër e mbushur plot, ai derdhi një lutje që thoshte: “Zoti, Perëndia i frymëve të çdo mishi, le të caktojë mbi këtë asamble një njeri që të hyjë dhe të dalë para tyre, dhe t’i bëjë të hyjnë e të dalin, në mënyrë që asambleja e Zotit të mos jetë si një kope pa bari.” - Numrat 27:16, 17. PPAlb 358.3

Zoti e dëgjoi lutjen e shërbëtorit të Tij dhe ja si u përgjigj: “Merr Jozueun, djalin e Nunit, njeriun brenda të cilit është Fryma, dhe vëredorën tënde mbi të; pastaj do ta paraqitësh para priftit Eleazar dhe para tërë asamblesë dhe do t’i japësh disa urdhra në prani të tyre, dhe do ta bësh pjesëmarrës të autoritetit tënd me qëllim që tërë asambleja e bijve të Izraelit t’i bindet.”-Vargjet 18-20. Jozueu e kishte ndjekur Moisiun për një kohë të gjatë dhe duke qenë se ishte njeri i mençur, i aftë dhe me besim, ai u zgjodh që të drejtonte pas tij. PPAlb 358.4

Nëpërmjet vënies së duarve nga Moisiu që shoqërohej me një emërim shumë mbresëlënës, Jozueu u veçua solemnisht si udhëheqësi i Izraelit. Gjithashtu ai u pranua në qeverisjen e vendit që në atë moment. Nëpërmjet Moisiut popullit iu drejtuan edhe disa fjalë për Jozueun: “Ai do të paraqitet përpara priftit Eleazar, i cili do të kërkojë për të mendimin e shprehur nga Urimi përpara Zotit; me urdhër të tij do të hyjnë dhe do të dalin, ai dhe tërë bijtë e Izraelit, tërë asambleja.” - Vargjet 21-23. PPAlb 358.5

Para se të hiqte dorë nga pozita e tij si lideri i dukshëm i Izraelit, Moisiu u drejtua që t’u përsëriste atyre historinë e çlirimit nga Egjipti dhe të udhëtimit nëpër shkretëtirë, si dhe të ripërsëriste edhe një herë ligjin e dhënë në malin Sinai. Kur ishte dhënë ligji, pak nga anëtarët e bashkësisë kishin qenë në moshë të atillë, sa ta mbanin mend solemnitetin e tmerrshëm të asaj shpalljeje. Ndërsa do kalonin shumë shpejt Jordanin dhe do merrnin në dorë Tokën e Premtuar, Zoti duhej të paraqiste para tyre fjalët e ligjit të Tij dhe t’u kërkonte atyre bindjen si kusht i përparimit. Për të përsëritur paralajmërimet dhe betimet e tij, Moisiu qëndroi përpara njerëzve. Fytyra e tij ndriçonte nga një dritë e shenjtë. Flokët e tij ishin zbardhur nga koha, por trupin e kishte të drejtë, fytyra e tij kishte çehren e forcës dhe të shëndetit dhe sytë e tij ishin të qartë, e aspak të turbullt. Ishtë një rast i rëndësishëm, prandaj ai paraqiti me një ndjenjë të thellë dashurinë dhe mbrojtjen e Perëndisë, Mbrojtësit të tyre të Plotfuqishëm. PPAlb 358.6

“Pyet gjithashtu kohërat e lashta, që kanë qenë para teje, nga dita që Perëndia krijoi njeriun në tokë, dhe pyet nga një anë e qiellit në tjetrën në se ka pasur ndonjë herë një gjë aq të madhe si kjo ose në se është dëgjuar një gjë e tillë si kjo. A ka pasur vallë ndonjë popull që të ketë dëgjuar zërin e Perëndisë të flasë nga mesi i zjarrit, siç e dëgjove ti, dhe të ketë mbetur gjallë? A ka pasur vallë ndonjë Perëndi që ka provuar të shkojë e të marrë për vete një komb në mes të një kombi tjetër me anë provash, shenjash, mrekullish dhe betejash, me dorë të fuqishme, me krahë të shtrirë dhe me ankthe të mëdha terrori, siç bëri për ju Zoti, Perëndia juaj, në Egjipt para syve tuaj? Të tëra këto të janë treguar, në mënyrë që të pranosh se Zoti është Perëndi dhe që nuk ka asnjë tjetër veç tij.” - Ligji i Përtërirë 4:32-35. PPAlb 359.1

“Zoti nuk e ka vënë dashurinë e tij mbi ju, as nuk ju ka zgjedhur ngaqë ishit më të shumtë nga ndonjë popull tjetër; ju ishit në fakt më i vogli i të gjithë popujve; por ngaqë Zoti ju do dhe ka dashuri të mbajë betimin që u ka bërë etërve tuaj, ai ju nxori me një dorë të fuqishme dhe ju shpëtoi nga shtëpia e skllavërisë, nga dora e Faraonit, mbretit të Egjiptit. Prano, pra, që Zoti, Perëndia yt, është Perëndia, Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e Tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij.” - Ligji i Përtërirë 7:7-9. Njerëzit e Izraelit ishin treguar të gatshëm të fajësonin Moisiun për problemet e tyre, por tashmë dyshimet e tyre në lidhje me krenarinë, ambicjen dhe egoizmin e tij u larguan dhe ata po i dëgjonin fjalët e tij me mirëbesim. Me besnikëri Moisiu vendosi përpara popullit shkeljet dhe gabimet e etërve të tyre. Shpeshherë, ata ishin ndier të paduruar dhe rebelë për shkak të udhëtimit të gjatë nëpër shkretëtirë, por nuk ishte faji i Zotit për vonesën për në Tokën e Premtuar. Në fakt, Zoti ishte brengosur më shumë se ata vetë, pasi, duke u nisur nga mënyra se si silleshin, Ai nuk do të mundte dot ‘ua jepte menjëherë në dorë Tokën e Premtuar, dhe kështu të gjithë kombet të mund të shikonin forcën e Tij të fuqishme teksa çlironte fëmijët e Tij. Duke mos u mbështetur tek Perëndia, me krenarinë dhe mosbesimin e tyre, ata nuk ishin të përgatitur për të hyrë në Kanaan. Në asnjë mënyrë ata nuk mund të përfaqësonin atë popull, Perëndi i të cilit është Zoti, pasi ata nuk ishin mbuluar me karakterin e Tij plot pastërti, mirësi dhe mirëdashje. Sikur etërit e tyre të kishin besuar në drejtimin e Perëndisë, të kishin lejuar të udhëhiqeshin nga gjykimi i Tij dhe të kishin ecur sipas urdhërimeve të Tij, ata do të ishin vendosur tashmë në Kanaan prej shumë kohësh, si një popull i begatë, i shenjtë dhe i lumtur. Vonesa e tyre për të hyrë në tokën e shenjtë e çnderoi Perëndinë dhe e largoi lavdinë e Tij në sytë e kombeve të tjera. PPAlb 359.2

Moisiu, i cili e kishte kuptuar karakterin dhe vlerën e ligjit të Perëndisë, e siguroi popullin se asnjë komb tjetër nuk kishte rregulla kaq të drejta, të mençura dhe të mëshirshme sa ç’kishin hebrenjtë. Ai tha: “Ja, unë ju mësova statutet dhe dekretet, ashtu si Zoti Perëndia im, më ka urdhëruar, me qëllim që t'i zbatoni në vendin në të cilin po hyni për ta shtënë në dorë. Do t’i respektoni, pra, dhe do t’i zbatoni në praktikë; sepse kjo do të jetë dituria dhe zgjuarsia juaj në sytë e popujve, të cilët, duke dëgjuar të flitet për të gjitha këto statute, kanë për të thënë: ‘Ky komb i madh është një popull i ditur dhe i zgjuar’!” - Ligji i Përtërirë 4:5. PPAlb 360.1

Moisiu e thirri popullin që të kujtonte: “ditën gjatë së cilës jeni paraqitur para Zotit, Perëndisë tuaj në Horeb.” (- Vargu 10) Më pas, ai e nxiti tërë popullin hebre duke thënë: “Cili komb i madh ka në fakt Perëndinë aq pranë vetes, si Zotin Perëndinë tonë, që është pranë nesh sa herë e kërkojmë? Cili komb i madh ka statute dhe dekrete të drejta si gjithë ky ligj që po ju vë përpara sot?” (- Vargjet 7, 8). Sot mund të përsëritet përsëri e njëjta sfidë dhënë Izraelit. Ligjet, që Perëndia i dha popullit të Tij të lashtë janë më të mençurat, më të mirat dhe nga më njerëzoret në krahasim me ligjet e shumë kombeve mbi tokë. Ligjet e kombeve mbajnë shenjat e paudhësive dhe pasioneve të një zemre që nuk ka rilindur, ndërsa ligjet e Perëndisë, mbajnë vulën hyjnore. PPAlb 360.2

Moisiu vazhdoi me deklaratën: “Zoti ju mori dhe ju nxori nga furra e hekurt, nga Egjipti, për të qenë populli i tij, trashëgimia e tij, ashtu siç jeni sot” (- Vargu 20). Toka, në të cilën do të hynin së shpejti dhe e cila do të ishte e tyrja me kusht që t’i bindeshin ligjeve të Perëndisë, iu përshkrua atyre në këtë mënyrë—dhe imagjinoni se si mund ta kenë prekur këto fjalë zemrën e bijve të Izraelit ndërsa shikonin që ai, i cili po i pasqyronte aq bukur bekimet e tokës së mirë, për shkak të mëkatit të tyre ishte ndaluar që të merrte pjesë në trashëgiminë e popullit të Tij. PPAlb 360.3

“Zoti Perëndia yt, po të bën të hysh në një vend të mirë, një vend me rrjedha uji e me burime që dalin nga luginat dhe nga malet një vend me grurë dhe elb, me vreshta, me fiq dhe shegë, një vend me ullinj që japin vaj dhe me mjaltë; një vend ku do të hash bukë sa të duash, ku nuk do të të mungojë kurrgjë; një vend ku gurët janë hekur dhe ku do të rrëmosh bakër nga malet”; “një vend për të cilin Zoti, Perëndia yt, ka kujdes dhe mbi të cilin i janë drejtuar vazhdimisht sytë e Zotit, Perëndisë tënd, nga fillimi i vitit deri në mbarim të tij.”- Ligji i Përtërirë 8:7-9; 11: 10-12. PPAlb 360.4

“Kur pastaj Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin për të cilin iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, të të japë qytete të mëdha dhe të bukura që ti nuk i ke ndërtuar dhe shtëpi plot me të mira që ti nuk i ke mbushur, puse të çelur që ti nuk i ke gërmuar, vreshta dhe ullishte që ti nuk i ke mbjellë; kur të kesh ngrënë dhe të jesh ngopur, ki kujdes të mos harrosh Zotin që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë, sepse Zoti Perëndia yt, që ndodhet në mes teje, është një Perëndi xheloz.” Moisiu tha se nëse do të bënin të keqen në sytë e Perëndisë: “Ju do të zhdukeni shpejt nga toka që do të pushtoni përtej Jordanit.” Pas përsëritjes publike të ligjit, Moisiu përfundoi edhe punën e shkruarjes së ligjit, statuteve dhe gjykimeve që ia kishte dhënë Zoti dhe gjithë rregullat në lidhje me sistemin e sakrificave. Libri ku shkruheshin të gjitha këto do të ruhej nga persona të caktuar dhe për t’u ruajtur i sigurt u vendos brenda arkës. Udhëheqësi i madh ende ishte i mbushur me frikën se njerëzit do largoheshin nga Perëndia. Duke iu adresuar atyre edhe një herë në mënyrë rrënqethëse dhe sublime, ai shpalli para tyre bekimet që do ishin të tyret në rast bindjeje dhe mallkimet që do të pasonin në rast shkeljeje: PPAlb 360.5

“Tani, në rast se ti i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh tërë urdhërimet e tij që sot unë po të urdhëroj, do të jesh i bekuar në qytete dhe në fshatra, i bekuar do të jetë edhe fryti i barkut tënd, fryti i tokës dhe i bagëtisë sate, pjelljet e lopëve të tua dhe fryti i deleve të tua. Të bekuara do të jenë shporta dhe magjja jote. Do të jesh i bekuar kur hyn dhe i bekuar kur del. Zoti do të veprojë në mënyrë që armiqtë e tu, që ngrihen kundër teje, të munden para teje dhe Zoti do ta urdhërojë bekimin të ndodhet mbi ty në hambaret e tua dhe mbi të gjitha ato gjëra ku ti do të vësh dorë.” PPAlb 361.1

“Por në rast se nuk i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, për të respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet dhe të gjitha statutet e tij që sot të urdhëroj, do të ndodhë që të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty dhe do të të gjejnë dhe do të bëhesh objekt habie, proverbi dhe talljeje në mes tërë popujve pranë të cilëve do të të çojë Zoti. Zoti do të të shpërndajë midis tërë popujve, nga njëri skaj i tokës në tjetrin; dhe atje ti do t’u shërbesh perëndive të tjera, që as ti as etërit e tu nuk i keni njohur kurrë, perëndi prej druri dhe prej guri. Dhe midis atyre kombeve nuk do të gjesh prehje dhe vend ku të pushojnë tabanët e këmbëve të tua; aty Zoti do të të japë një zemër të drithëruar, sy përgjërues dhe ankth në shpirt. Jeta jote do të qëndrojë përpara pezull në pasiguri; do të dridhesh natën dhe ditën dhe nuk do të kesh asnjë siguri për qenien tënde. Në mëngjes do të thuash: Ah, të ishte mbrëmje!’ dhe në mbrëmje do të thuash: Ah, të ishte mëngjes!’ për shkak të llahtarës që do të mbushë zemrën tënde dhe të pamjes që do të shohin sytë e tu.” PPAlb 361.2

Me anë të Frymës që frymëzon, duke parë përtej shekujve, Moisiu pikturoi në mendje imazhin e rënies përfundimtare të Izraelit si komb dhe shkatërrimin e tij nga ushtritë romake. “Zoti do të sjellë kundër teje nga larg, nga skajet e dheut, një komb të shpejtë, si shqiponja që fluturon, një komb gjuhën e të cilit ti nuk do ta kuptosh, një komb me një pamje të egër që nuk do të respektojë plakun dhe nuk do të ketë mëshirë për të voglin.” PPAlb 361.3

Shkatërrimi total i tokës dhe vuajtja e tmerrshme e popullit gjatë pushtimit të Jeruzalemit në kohën e Titit, shumë shekuj më vonë” iu portretizuan Moisiut si një pamje shumë e gjallë: “do të hajë frytin e bagëtisë sate dhe prodhimin e tokës sate, deri sa të shkatërrohesh; dhe do të rrethojë në të gjitha qytetet e tua, deri sa të rrëzohen në të gjithë vendin muret e larta dhe të fortifikuara te të cilat kishte besim. Do të hash frytin e barkut tënd, mishin e bijve dhe të bijave të tua, që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë. Gruaja më zemërbutë dhe delikate midis jush, që për delikatesën dhe elegancën e saj s’do të kishte guxuar të vendoste tabanin e këmbës në tokë, do të ketë një zemër keqbërëse ndaj burrit që pushon mbi gjirin e saj, ndaj djalit dhe vajzës së saj, ndaj plaçentës që del nga barku i saj dhe ndaj fëmijëve që lind, sepse ajo do t’i hajë fshehurazi, për shkak se çdo gjë mungon gjatë rrethimit dhe për shkak të mjerimit të madh që do të pësosh nga armiqtë e tu në të gjitha qytetet e tua.” PPAlb 361.4

Moisiu e përfundoi bisedën e tij me Ijalët aq mbresëlënëse: “Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën, që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu, dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t’i bindesh zërit të Tij dhe të qëndrosh i lidhur ngushtë me Të, sepse ai është jeta jote dhe gjatësia e ditëve të tua, kështu që ti të mund të jetosh në vendin që Zoti u betua t’u japë etërve të tu: Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.” - Ligji i Përtërirë 30:19, 20. PPAlb 362.1

Me qëllim që të arrinte t’i nguliste këto fjalë edhe më thellë në zemrën e njerëzve, Moisiu i shqiptoi ato në vargje të shenjta. Kjo këngë nuk ishte thjesh historike, por edhe profetike. Ndërsa rikujtonte veprat e mrekullueshme të Perëndisë për popullin e Tij në të shkuarën, në të njëjtën kohë, kjo këngë u bëri një parantezë edhe ngjarjeve të së ardhmes, në fitoren e vërtetë të besnikëve, kur Krishti do të vijë për herë të dytë në fuqi dhe lavdi. Njerëzit u nxitën që ta mësonin përmendësh këtë histori poetike dhe t’ua mësonin atë fëmijëve të tyre, nipërve dhe mbesave. Kjo këngë duhej të këndohej nga njerëzit kur mblidheshin për adhurim dhe të përsëritej vazhdimisht nga njerëzit ndërsa secili bënte punët e veta të ditës. Ishte detyra e prindërve që t’ua ngulisnin fëmijëve të tyre kaq mirë këtë gjë në mëndje, saqë ata mos ta harronin asnjëherë. PPAlb 362.2

Meqënëse Izraelitët duhet të ishin, në një farë mënyre, rojtarët dhe kujdestarët e fjalës së Perëndisë, rëndësia e parimeve të saj dhe e bindjes ndaj tyre duhet t’u parashtrohej atyre në mënyrë të veçantë dhe, nëpërmjet tyre fëmijëve të fëmijëve të fëmijëvë të tyre. Përsa i përket statuteve të Tija, Zoti urdhëroi: “do t’ua mësosh bijve tuaj, duke u folur për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur rri shtrirë dhe kur çohesh; do t’i shkruash në shtalkat e shtëpisë tënde dhe mbi portat e tua.” PPAlb 362.3

Kur fëmijët e tyre, në kohërat që do të vinin do të pyesnin: “Çfarë kuptimi kanë dëshmitë, statutet dhe gjykimet, të cilat Zoti ua ka urdhëruar?” - atëherë prindërit do t’u përgjigjen, duke e përsëritur historinë e veprave të mrekullueshme të Zotit ndaj popullit të Tij, sesi Perëndia i çliroi ata, që të mund t’i bindeshin ligjit të Tij dhe duke u thënë fëmijëve të tyre: “Zoti, Perëndia ynë na i dha të gjitha këto statute, që ta druajmë Perëndinë dhe që të na ruajë të gjallë, siç jemi edhe sot. Dhe kjo do të jetë drejtësia jonë, nëse iu bindemi gjithë urdhërimeve para Zotit Perëndisë sonë, ashtu siç Ai na ka urdhëruar.” PPAlb 362.4