PATRIARKË DHE PROFETË

42/74

41—“APOSTAZI NË LUMIN JORDAN”

*****

Me zemra të gëzuara dhe besim të ripërtërirë tek Perëndia, ushtritë fitimtare të Izraelit u rikthyen në Bashan. Deri tani ata kishin arritur të pushtonin një territor shumë të pasur dhe kishin besim se edhe Kanaanin do ta pushtonin shumë shpejt. Ndërmjet tyre dhe tokës së premtuar nuk kishte më asgjë tjetër përveç lumit Jordan. Përtej lumit ishte një luginë pjellore e mbjellë me bimë nga më të ndryshmet dhe që ujiteshin nga kanale ujërash që vinin nga burime që shpërthenin dhe që shtriheshin nën hijen e palmave luksoze të mbjella përgjatë tyre. Në kufinjtë perëndimorë të luginës ngriheshin pallatet dhe kullat e Jerikos, që quhej “qyteti i palmave,” ngaqë ishte i futur në gjirin e kurorave që formonin këto pemë. 29 PPAlb 351.1

Në anën lindore të luginës, midis lumit dhe parcelave të mëdha të tokës mbi të cilën kishin udhëtuar, kishte edhe aty një luginë disa kilometra e gjerë dhe me shtrirje goxha të madhe përtej brigjeve tëlumit. Kjo luginë e mbrojtur kishte klimë tropikale dhe aty rritej pema e shittim-it, apo akacies, nga ku kishte marrë emrin edhe lugina “Lugina e Shitimit”. Izraelitët fushuan pikërisht në këtë luginë, pasi, midis akacieve dhe pranë brigjeve të lumit, gjetën një vend të përsosur për t’u tërhequr. Por, nëpër këto rrethina aq tërheqëse, atyre do t’u duhej të përballeshin me një të keqe edhe më të madhe sesa shumë ushtri të armatosura, apo edhe sesa egërsirat e shkretëtirës. Ai vend, aq i pasur në të mirat natyrore, ishte ndotur nga banorët e tij. Gjatë adhurimit të Baalit, perëndisë kryesore të popullsisë në këtë zonë, kryheshin skena nga më të fëlliqurat dhe të pamoralshmet. Nga çdo anë mund të shihje vende që njiheshin për idhujtarinë dhe shthurjen e tyre, madje dhe vetë emrat e atyre vendeve të linin të kuptoje ligësinë dhe shthurrjen e popullit të tyre. Në këto rrethana, populli i Izraelit gjendej vazhdimisht nën presionin e një ndikimi helmues. Mendja e tyre po i pranonte si normale mendimet e liga që u sugjeroheshin vazhdimisht dhe jeta e tyre në rehat dhe pasivitet prodhoi efektet e veta demoralizuese dhe thuajse pa e kuptuar as vetë, Izraelitët po largoheshin nga Perëndia duke ardhur në pozitën që të ishin një prë fare e lehtë e tundimeve. PPAlb 351.2

Gjatë kohës së fushimit të tyre pranë Jordanit, Moisiu po përgatitej për pushtimin e Kanaani. Udhëheqësi i madh ishte i përfshirë tërësisht në këtë punë, por për njerëzit, kjo kohë pritjeje dhe gjendjeje në pezull ishte më provokuesja dhe në shumë pak javë, historia e tyre u prish për shkak të largimeve më të frikshme prej virtytit dhe integritetit. PPAlb 351.3

Fillimisht, kishte pak komunikim midis Izraelitëve dhe fqinjëve të tyre, por pas pak kohe, femrat midianite filluan që të depërtonin vjedhurazi në kamp. Shfaqja e tyre nuk shkaktoi ndonjë alarm, dhe planet e tyre u realizuan aq qetësisht, saqë Moisiu nuk i vuri re faktet shqetësuese. Synimi i këtyre grave ishte që, duke u shoqëruar me hebrenjtë, t’i bënin ata të shkelnin ligjin e Perëndisë, ta tërhiqnin vëmendjen e tyre në ritualet pagane të adhurimit dhe kështu, t’i udhëhiqnin ata drejt idhujtarisë. Këto motive, duke qenë të mirëstudiuara, u fshehën nën velin e shoqërisë, kështu që nuk u dyshuan, madje edhe nga vetë rojtarët e popullit. Me sugjerim të Balaamit, u caktua një festival i madh në ndër të perëndive pagane të vendit nga mbreti i Moabit dhe gjërat u organizuan në mënyrë sekrete në atë mënyrë që Balaami të kishte mundësi të joshte edhe Izraelitët që të mernin pjesë. Ata e quanin atë profetin e Perëndisë, prandaj s’e pati të vështirë të realizonte qëllimin e tij. Shumë njerëz u bashkuan me të për të qenë dëshmitarë në festimet e ndryshme. Ata shkelën mbi tokë të ndaluar dhe mjerisht, u futën kështu në kurthin e Satanit. Duke u magjepsur nga muzika dhe vallzimet, dhe duke u joshur nga bukuria e veshjeve pagane, ata e hodhën tej besnikërinë e tyre ndaj Zotit Perëndi (Jahveh). Ndërsa u bashkuan me moabitët në argëtimet dhe festimet e tyre, abuzimi me verën ua mjegulloi trurin dhe ua theu barrierat e vetë-kontrollit. Kështu, ata u përfshinë nga epshi, dhe duke qenë se se e kishin përdhosur ndërgjegjen e tyre me shthurje imorale, më në fund u bindën që të përuleshin para idhujve. Ata ofruan sakrifica mbi altaret pagane dhe morën pjesë në ritet më degraduese të mundshme. PPAlb 351.4

Nuk kaloi shumë kohë dhe helmi u shpërnda si një epidemi vdekjeprurëse nëpër të gjithë vendfushimin e Izraelit. Ata që kishin fituar kundër armiqve në betejë, u mposhtën nga ligësia të grave pagane. Njerëzit dukeshin të . Sundimtarët dhe drejtuesit ishin ndër të parët që e shkelën ligjin dhe shumë nga njerëzit ishin fajtorë që apostazia u bë diçka kombëtare. “Kështu Izraeli u bashkua me Baal-Peorin.” - Numrat 25:3. Kur Moisiu arriti të pikaste ligësinë, komploti i armiqve kishte qenë aq i suksesshëm, saqë Izraelitët, jo vetëm që po merrnin pjesë në adhurimin e shoqëruar me orgji seksuale në malin Peor, por ritet pagane kishin filluan të praktikoheshin edhe në kampin e Izraelit. Drejtuesi i moshuar u mbush me indinjatë dhe zemërimi i Zotit u ndez. PPAlb 352.1

Praktikat e tyre të fëlliqura bënë për izraelitët atë që magjitë e Baalit nuk kishin arritur të bënin—i ndanë ata nga Perëndia. Si pasojë e ndëshkimeve të mënjëhershme, njerëzve filluan t’u hapeshin sytë për efektin madhor të mëkatit të tyre. Në kamp shpërtheu një epidemi e tmerrshme, prë e së cilës u bënë me dhjetëra mijëra njerëz. Zoti urdhëroi që drejtuesit e kësaj apostazie të dënoheshin me vdekje nga gjykatësit. Ata iu bindën menjëherë këtij urdhëri. Shkelësit u vranë dhe trupat e tyre u varën para gjithë Izraelit me qëllim që mbarë asambleja, duke parë ndëshkimin që u zbatua mbi drejtuesit, të kuptonte thellë se sa i urryer kishte qenë mëkati i tyre para Zotit, si dhe dhe të ndjente tmerrin e zeërimit të Tij legjitim kundra tyre. PPAlb 352.2

Të gjithë e dinin se dënimi ishte i drejtë dhe njerëzit nxituan për në tabernakull dhe me lotë e përulësi të madhe rrëfyen mëkatin e tyre. Ndërsa vajtonin përpara Perëndisë, në derën e tabernakullit, gjatë kohës që epidemia vazhdonte të vepronte akoma duke goditur me vdekje dhe kur gjykatësit po kryenin porosinë e tyre të tmerrshme, Zimri, një ndër fisnikët e Izraelit, erdhi në kamp si “trim,” i shoqëruar nga një prostitute midianite, e cila ishte princeshë e “një familjeje patriarkale në Midian” (shih - Vargu 15), të cilën ai e shoqëroi për në tendën e tij. Kurrë më parë shthurrja morale nuk ishte treguar kaq hapur dhe me kaq prepotencë. I ndëzur nga vera, Zimri krenohej me mëkatin e tij si “mëkati i Sodomës” dhe lavdërohej në turpin që po kryente. Gjatë kohës kur ky princ i Izraelit po kryente mëkatin e tij para gjithë asamblesë së popullit të Perëndisë, sikur donte të sfidonte hakmarrjen e Zotit dhe të tallte gjykatësit e kombit, priftërinjtë dhe drejtuesit e tyre e kishin përkulur vetveten në dhimbje dhe përulësi, duke qarë “midis oborrit dhe altarit” dhe duke iu lutur Zotit t’i ruante njerëzit e Tij dhe mos ta linte trashëgiminë e Tij në duar të ndëshkimit. Finehasi, bir i Eliazarit, kryepriftit, u ngrit dhe pasi kapi në dorë një shtizë, e ndoqi pas për në tendën e tij këtë burrë të Izraelit (Zimrin) dhe aty, i vrau që të dy. Kështu, pra murtaja që kishte rënë pushoi, kurse prifti që kishte kryer ndëshkimin u nderua para gjithë Izraelit dhe u bekua në detyrën e tij për vete dhe për gjithë shtëpinë e tij përgjithnjë. Finehasi “e largoi zemërimin Tim nga bijtë e Izraelit,” - ishte mesazhi hyjnor, prandaj i thuaj: “Ja, Unë po lidh një aleancë paqeje me të, që do të jetë për të dhe për pasardhësit pas tij; besëlidhja e një priftërie të përjetshme, sepse është treguar i zellshëm për Perëndinë e tij dhe ka kryer shlyerjen e fajit për bijtë e Izraelit.” - Vargjet 11-13. PPAlb 352.3

Ndëshkimet që erdhën mbi Izraelin për shkak të mëkatit të tyre në Shitim i morën jetën njerëzve që kishin mbijetuar nga ai grup i madh, i cili, para dyzet vjetësh e kishte kërkuar vetë ndëshkimin hyjnor të mëposhtëm, “ata me siguri do të vdesin në shkretëtirë.” Numërimi i njerëzve me urdhër të Zotit gjatë periudhës së vendfushimit të tyre në luginën e Jordanit tregoi se “ndërmjet tyre tyre nuk kishte asnjë nga ata që u regjistruan nga Moisiu dhe nga prifti Aaron, kur ata regjistruan bijtë e Izaelit në shkretëtirën e Sinait. Dhe prej tyre nuk mbeti as edhe një, me përjashtim të Kalebit, birit të Jenufehut, dhe të Jozueut, birit të Nunit.”- Numrat 26:64, 65. Zoti kishte sjellë ndëshkime mbi Izraelin për shkak se ata iu bindën joshjeve të midianitëve, por as tunduesit nuk mund t’i shpëtonin zemërimit të drejtësisë hyjnore. Amalekitët, që e kishin sulmuar Izraelin në Refidim, duke sulmuar ata ushtarë që ishin të lodhur dhe të këputur, e morën dënimin e tyre shumë vonë, ndërsa midianitët, që i kishin joshur drejt mëkatit, e ndjenë gjykimin e Perëndisë shumë më herët, meqënëse e kishin treguar veten si armiqtë më të rrezikshëm të Perëndisë. ” Merrua hakun bijve të Izraelit kundër midianitëve,“(- Numrat 31:2) kishte qenë urdhëri që Perëndia i dha Moisiut, ” pas kësaj do të bashkohesh me popullin tënd.” Moisiu iu bind menjëherë këtij mandati hyjnor. Nga çdo fis u zgjodhën një mijë burra dhe u dërguan nën drejtimin e Finehasit. “Dhe luftuan kundër Madianit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun dhe vranë tërë meshkujt. Bashkë me viktimat ata vranë edhe pesë mbretërit e Madianit; vranë gjithashtu me shpatë Balaamin, birin e Beorit,”- Numrat 31: 7, 8. Madje edhe gratë që u zunë robër nga ushtria sulmuese u vranë me urdhër të Moisiut si armiqtë më fajtorë dhe më të rrezikshëm të Izraelit. I tillë ishte fundi i atyre që do kishin thurrur të keqen kundër popullit të Perëndisë. Psalmisti thotë: “Kombet janë zhytur në gropën që kishin hapur; këmba e tyre është kapur në rrjetën që kishin fshehur.” - Psalmi 9:15. “Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij. Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë.” Kur njerëzit “mblidhen tok kundër të drejtit,” Zoti “do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t'i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre.”- Psalmi 94:14, 15,21,23. PPAlb 353.1

Kur Balaami u thirr që të mallkonte hebrenjtë, ai nuk mundi t’u sjellë atyre ligësi, me gjithë magjitë e tij, pasi Zoti nuk kishte “gjetur paudhësi tek Jakobi, as nuk kishte parë “përdhosje tek Izraeli.” - Numrat 23:21, 23. Por, kur ata iu nënshtruan tundimit dhe shkelën ligjin e Perëndisë, mbrojtja hyjnore u largua prej tyre. Kur njerëzit e Perëndisë u qëndrojnë besnikë urdhërimeve të Zotit, “nuk ka as magji kundër Jakobit, dhe as nuk ka shortari kundër Izraelit.” Prandaj gjithë fuqitë manipuluese dhe tundimet dhelparake të Satanit përdoren për t’i joshur ata në mëkat. Nëse ata besimtarë që shpallin se janë mbartësit e ligjit të Perëndisë bëhen shkelës të parimeve të Tij, ata e ndajnë veten nga Perëndia dhe nuk do jenë në gjendje të qëndrojnë kundër armiqve. Izraelitët, të cilët nuk mund të mundeshin nga armët dhe as nga magjitë e Midianit, ranë prë e prostitutave të tij. E tillë është fuqia e gruas që e vendos veten në shërbimin e Satani. Kjo fuqi ushtrohet me qëllim që të futë në kurth dhe të shkatërrojë besimtarët. “Sepse ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje, dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë.”- Fjalët e Urta 7:26. Kjo ishte mënyra sipas të cilës bijtë e Sethit u larguan nga integriteti i tyre dhe pasardhja e shenjtë u shthurr. Kështu u tundua Jozefi. Po kështu edhe Samsoni humbi forcën e tij, kështu humbi mbrojtja e Izraelit në duart e filistinasve. Këtu u pengua edhe Davidi. Solomoni gjithashtu, mbreti më i zgjuar, i cili tre herë ishte quajtur i dashur në sytë e Perëndisë, u shndërrua në skllav të pasionit dhe sakrifikoi integritetin e tij para së njëjtës fuqi ligësie. PPAlb 354.1

“Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shembull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokës. Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bie.” - 1 Korintasve 10:11,12. Satani e njeh mirë përbërjen e zemrës së njeriut të cilën ai mund të manipulojë. Ai e njeh mirë, pasi ka studiuar intensivisht për mijëra vjet të gjitha pikat që mund të ngacmohen më lehtë në karakterin e njeriut, dhe nga një brez në tjerin ai është përpjekur që të hedhë poshtë më të fortët, princat e Izraelit, me të njëjtat tundime që rezultuan aq të suksesshme në Baal-Peor. Gjatë gjithë kohërave mund të gjesh shtrembërime të fshehura të karakterit që janë copëtuar nga shkëmbinjtë e thepisur të shthurrjes sensuale. Ndërsa i afrohemi fundit të kohës, ndërsa populli i Perëndisë qëndron mbi kufijtë e Kanaanit qiellor, Satani, sikurse edhe në kohët e lashta, do t’i dyfishojë përpjekjet e tij për t’i ndaluar ata që të hyjnë për në tokën e premtuar. Ai i ngre kurthet e tij për çdo qenie njerëzore. Nuk duhet të ruhen vetëm të paditurit dhe të paedukuarit. Djalli do të përgatisë tundime të posaçme edhe për ata që janë në pozitat më të larta, në detyrat më të shenjta. Sikur të ketë mundësi që t’i shtyjë që të ndotin shpirtrat e tyre, ai do të mund të shkatërrojë edhe më tepër nëpërmjet tyre. Edhe sot, ai përdor të njëjtët agjentë apo bashkëpunëtorë që përdori edhe para mijëra vitesh. Nëpërmjet miqësisë me njerëzit e botës, nëpërmjet tërheqjes së bukurisë, të shkuarit mbas kënaqësisë, argëtimeve, festave, apo gotës së verës, ai tundon dhe provokon thyerjen e urdhërimit të shtatë (Shih - Eksodi 20). PPAlb 354.2

Para se t’i drejtonte për në idhujtari, Satani i joshi Izraelitët për të kryer kurvëri. Ata që e çnderojnë imazhin e Perëndisë dhe e ndotin tempullin e Tij që është në personin e tyre do të tregohen të paskrupullt në lidhje me çnderimin që i bëjnë Atij, ndërsa do të plotësojnë epshet e zemrës së tyre të korruptuar. Dorëzimi i vetes tek epshi i sensualitetit bën që mendja të dobësohet dhe fryma të dërrmohet. Fuqitë morale dhe intelektuale mpihen dhe paralizohen nga gjetja e kënaqësisë thjesht në tendencat kafshërore dhe është e pamundur për njeriun e skllavëruar nga epshi që të kuptojë obligimin e shenjtë që ka ndaj ligjit të Perëndisë, që ta çmojë shlyerjen, apo ta vlerësojë sa duhet qenien njerëzore. Mirësia, pastërtia dhe e vërteta, nderimi për Zotin dhe dashuria për gjërat e shenjta—të gjitha këto ndjenja të shenjta dhe dëshira fisnike që e lidhin njeriun me botën qiellore—kur vijnë para zjarrit të epshit, thjesht konsumohen. Kështu qenia njerëzore bëhet një shkretëtirë e errët dhe e shkretë, vendbanimi i frymërave të ndyra dhe “kafazi i çdo shpendi të papastër dhe të urryer.” Qeniet njerëzore të krijuara në imazhin e Perëndisë degradojnë më poshtë, në nivelin e krijesave të tjera. PPAlb 354.3

Ndodhi pikërisht që ata po shoqëroheshin dhe po merrnin pjesë në festat e tyre, që hebrenjtë shkuan drejt shkeljes së ligjit të Zotit dhe sollën gjykimin e Tij mbi kombin e tyre. Kështu ndodh edhe tani; joshja më e suksesshme e Satanit është nxitja ndaj ndjekësve të Krishtit që të shoqërohen me njerëz jobesimtarë dhe të mbrapshtë dhe të bashkohen në mënyrat e tyre të argëtimit. “Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë.” - 2 Korintasve 6:17. Zoti kërkon nga njerëzit e tij sot që të dallohen aq fort nga bota përsa i përket zakoneve, traditave dhe parimeve, sa dallohej edhe populli i Izraelit në kohët e lashta. Nëse ata i ndjekin me besnikëri mësimet e Fjalës (Biblës), ky dallim do të ekzistojë në realitet, nuk ka sesi të jetë ndryshe. Paralajmërimet që iu dhanë hebrenjve kundra asimilimit me paganët, nuk ishin më të drejtpërdrejta dhe të qarta se ato të sotmet që i ndalojnë të krishterët të konformohen në frymën dhe zakonet e njerëzve të paperëndishëm. Krishti na flet edhe ne: “Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Në qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të.”-1 Gjonit 2:15. “Miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë. Ai, pra, që dëshiron të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.” - Jakobi 4:4. Ndjekësit e Krishtit duhet ta ndajnë veten nga mëkatarët, duke e zgjedhur shoqërinë e tyre vetëm kur kanë mundësinë t’u bëjnë atyre ndonjë të mirë. Nuk duhet ta shohim sikur jemi shumë “strikt” në qëllimin për t’u qëndruar larg atyre që ndikojnë tek ne për të na larguar nga Perëndia. Ndërsa lutemi: “Mos na ço në tundim,” ne vetë duhet ta largojmë tundimin sa më larg që mundemi. Izraelitët shkuan drejt mëkatit në një kohë kur bënin një jetë që në pamje të parë dukej e sigurt dhe e lehtë. Ata nuk ia dolën mbanë që ta mbanin Perëndinë gjithnjë përpara syve, neglizhuan lutjet dhe u vetëkënaqën me frymën e vetë-besimit. Marrja e jetës lehtë dhe plotësimi vetëm i kënaqësive vetjake e lënë qytezën e shpirtit të pambrojtur dhe kështu mendime degraduese gjetën vend e hynë. Ishin pikërisht tradhëtarët brenda mureve ata të cilët i hodhën tej fortesat parimore dhe e lëshuan Izraelin në fuqinë e Satanit. Në këtë mënyrë, Satani vazhdon edhe sot që të skicojë shkatërrimin e qenies njerëzore. Përpara se një i krishterë të kryejë mëkat hapur, ndodh një proces i gjatë përgatitës dhe i fshehur nga bota. Nuk është e mundur që mendja të zbresë menjëherë nga pastërtia dhe shenjtëria tek imoraliteti dhe shthurrja. Duhet ca kohë për t’i degraduar ata që janë formuar nga imazhi i Perëndisë në imazhin e kafshëve, apo të vetë Satanit. Duke parë, ne ndryshohemi. Duke u kënaqur në mendime të papastra, njeriu mund ta edukojë mendjen e Tij në atë mënyrë që mëkati, të cilin dikur nuk e honepste dot, tani të kthehet në diçka që e kënaq. PPAlb 355.1

Satani po përdor çdo mjet për ta kthyer krimin dhe veset degjeneruese në diçka normale. Sa herë që ecim në rrugët e qytetit nuk mund të na shpëtojnë nga syri paraqitja e ndonjë krimi që kemi lexuar apo parë në ndonjë roman, apo teatër. Në këtë mënyrë mendja familjarizohet me mëkatin. Rrugët që ndjekin të këqinjtë, të ligjtë prezantohen në gazetat e përditshme dhe gjithçka që mund të nxisë epshin sillet para tyre në histori shumë interesante. Njerëzit dëgjojnë dhe shikojnë kaq shumë nga krimet degraduese, saqë ndërgjegja e tyre, dikur e butë dhe që do të ishte mbledhur menjëherë nga tmerri i këtyre pamjeve, tani është ashpërsuar dhe ata i shohin këto gjëra më një interes përthithës. PPAlb 356.1

Shumë nga argëtimet më të njohura sot në botë, edhe për ata që shpallin se janë të krishterë, tentojnë drejt të njëjtit fund, sikurse edhe ato të paganëve. Shumica e këtyre argëtimeve përdoren nga Satani për shkatërrimin e anës shpirtërore të besimtarëve. Satani prej shekujsh ka punuar që, nëpërmjet dramës të nxisë pasionin dhe të lartësojë vesin. Opera, me shfaqjen e saj të mrekullueshme dhe me muzikën mahnitëse, me maskeradën e saj, vallzimet, tavolinat e lojës, edhe ajo është përdorur nga Satani për të thyer pengesat e parimit dhe për t’i hapur derën vetëkënaqësisë sensuale. Në çdo mbledhje për argëtim ku nxitet krenaria dhe kënaqet oreksi, personi tenton ta harrojë Perëndinë dhe t’i rrëshqasë nga sytë interesi në gjërat e përjetshme; pikërisht këtu Satani e lidh qenien e njeriut me zinxhirët e tij. “Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes.” - Fjalët e Urta 4:23. Një njeri, “ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai.” - Fjalët e Urta 23:7. Zemra duhet të ripërtërihet me anë të hirit hyjnor, përndryshe do të jetë diçka e kotë të kërkosh pastërtinë e jetës. Ai që përpiqet të ndërtojë tek vetvetja një karakter fisnik dhe të virtytshëm, por të pavarur nga hiri i Krishtit thjesht po ndërton shtëpinë e tij mbi rërë rrëshqitëse. Kjo shtëpi do të rrëzohet me siguri nën presionin e stuhive të fuqishme të tundimit. Lutja e Davidit duhet të jetë edhe kërkesa e çdo qenieje njerëzore: “O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.” - Psalmi 51:10. E, pasi jemi bërë pjesëmarrës të dhuratës qiellore, duhet të vazhdojmë në përsosmëri duke qenë “të ruajtur nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit.” - 1 Pjetrit 1:5. PPAlb 356.2

Megjithatë, që t’i rezistojmë tundimit, na duhet që të bëjmë diçka. Ata që nuk duan të bien pre e mjeteve të Satanit, duhet të ruajnë mirë shtigjet e zemrës së tyre, duhet të shmangin leximin, shikimin, apo dëgjimin e gjërave që sugjerojnë mendime të papastra. Mendja nuk duhet të lihet që të hallakatet aty-këtu mbi tema të ndryshme që kundërshtari i qenieve njerëzore mund të sugjerojë. “Duke ngjeshur ijët e mendjes suaj,” thotë apostulli Pjetër, ” mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj, por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj.” - 1 Pjetrit 1:13-15. “Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.” - Filipianët 4:8. Kjo kërkon prej nesh që të lutemi me këmbëngulje dhe të kemi vigjilencë të përhershme. Duhet të kërkojmë ndihmë edhe nga ndikimi i Frymës së Shenjtë që banon në ne, i Cili do ta tërheqë vëmendjen tonë tek gjërat që janë atje lart dhe do na ndihmojë që të familjarizohemi me jetesën në gjëra të pastra dhe të shenjta. Duhet edhe që të studiojmë më shumë e më thellë fjalën e Perëndisë. “Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? - thotë psalmisti. “Duke e ruajtur me fjalën tënde. E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.” - Psalmi 119:9, 11. PPAlb 356.3

Mëkati i Izraelit në Beth-peor bëri që gjykimi i Tij të binte mbi tërë kombin; edhe pse po të njëjtat mëkate që kryhen edhe sot mund të mos dënohen në mënyrë aq të menjëhershme, ato patjetër që do të përballen një ditë me hakmarrjen. “Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë.” - 1 Korintasve 3:17. Natyra u ka shtuar këtyre krimeve ndëshkime të tmerrshme, ndëshkime të cilat herët a vonë do të bien mbi çdo shkelës të urdhërimeve të Perëndisë. Nga gjithë mëkatet e tjera, këto lloj mëkatesh janë ato që kanë sjellë më së tepërmi degjenerimin e frikshëm të racës sonë njerëzore dhe peshën e sëmundjeve dhe mjerimit me të cilin është mallkuar bota. Njerëzit mund t’ia dalin mbanë që të fshehin shkeljet e tyre nga një njeri sikurse ata vetë, por me siguri që do e korrin rezultatin në vuajtje, sëmundje, paaftësi mendore, apo vdekje. Dhe përtej kësaj jete qëndron tribuna e gjykimit me shpërblimet e saj që mbajnë shpagimet e përjetshme. “Ata që i bëjnë këto gjëra nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë,” por me Satanin dhe engjëjt e tij do kenë pjesën e tyre në “liqenin e zjarrtë,” që është “vdekja e dytë”.- Galatasve 5:21, Zbulesa 20:14. PPAlb 357.1

“Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji; por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa.” Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj, për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë. Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji, dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar.” - Fjalët e Urta 5:3, 4, 8-11. PPAlb 357.2

“Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve. Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës.” - Fjalët e Urta 2:18, 19. “Të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit.” - Fjalët e Urta 9:18. PPAlb 357.3