PATRIARKË DHE PROFETË

41/74

40—“BALAAM I”

*****

Duke u kthyer nga beteja e Bashanit për në lumin Jordan, në përgatitje e sipër për pushtimin e menjëhershëm të Kanaanit, izraelitët i ngritën çadrat e tyre pranë lumit, sipër hyrjes së tij në Detin e Vdekur, mu përballë luginës së Jerikos. Ishin pikërisht afër kufijve të Moabit dhe moabitët u terrorizuan nga afërsia e pushtuesve. 28 PPAlb 340.1

Populli i Moabit nuk ishte shqetësuar nga Izraeli, por gjithsesi kishin ndjekur me shqetësim të thellë gjithçka që kishte ndodhur në vendet rreth e rrotull. Amoritët, para të cilëve u ishte dashur të tërhiqeshin, ishin mundur nga hebrenjtë dhe territori që amoritët kishin përvetësuar nga Moabi ishte tashmë në duart e Izraelit. Ushtritë e Bashanit ishin përulur para fuqisë misterioze të fshehur në kolonën e resë dhe fortesat gjigande ishin pushtuar nga hebrenjtë. Moabitët nuk guxuan të rrezikonin asnjë sulm kundër hebrenjve, pasi ndihma e armëve ishte e pashpresë përballë faktorëve të mbinatyrshëm që vepronin në anën e tyre. Por, ashtu siç kishte bërë edhe faraoni, ata vendosën të përdornin fuqinë e magjisë për të kundërvepruar ndaj fuqisë së Zotit. Ata donin të sillnin mallkim mbi Izraelin. PPAlb 340.2

Njerëzit e Moabit ishin lidhur ngushtë me midianitët nga dy nyja: kombësia dhe feja. Balaku, mbreti i Moabit siguroi bashkëpunim për planet e tij kundër Izraelit, duke zgjuar frikën e të afërmve të tyre me anë të mesazhit: “Tani kjo turmë do të gllabërojë gjithçka që kemi rreth nesh, ashtu si kau përlan barin e fushave.” - Numrat 22:4. Balaami, një banor i Mesopotamisë, njihej të kishte fuqi të mbinatyrshme dhe fama e tij kishte arritur në tokën e Moabit. U vendos që ai të thirrej në ndihmë. Duke qenë kështu, lajmëtarë të posaçëm të “pleqve të Moabit dhe pleqve të Midianit” u dërguan për të siguruar orakujt dhe magjitë e tij kundër Izraelit. Menjëherë, ambasadorët nisën udhëtimin e tyre të gjatë mbi male, përtej shkretëtirave të Mesopotamisë dhe, kur e gjetën Balaamin, i komunikuan mesazhin e mbretit të tyre: “Ja, një popull ka dalë nga Egjipti; ai mbulon faqen e dheut dhe është vendosur përballë meje. Eja, pra, të lutem, dhe mallkoje për mua këtë popull, sepse është tepër i fuqishëm për mua; ndoshta do t’ ia dal ta mund dhe ta dëboj nga vendi im; sepse unë e di mirë që ai që ti bekon është i bekuar dhe ai që ti mallkon është i mallkuar.” - Vargjet 5, 6. PPAlb 340.3

Dikur, Balaami kishte qenë një njeri i mirë dhe profet i Perëndisë, por ishte larguar nga e vërteta dulce u mposhtur nga lakmia, e megjithatë, përsëri e mbante veten se ishte profet i Shumë të Lartit. Ai ishte më se në dijeni të asaj që Zoti po bënte me Izraelin, ndaj, kur lajmëtarët i treguan porosinë e tyre, ai e dinte mirë detyrën e vet, pra, që të refuzonte shpërblimet e Balakut dhe t’i përzente ambasadorët e tij. Por, ai guxoi të luante pak me tundimin dhe i nxiti ambasadorët që ta kalonin natën tek ai, duke deklaruar se nuk mund t’u jepte asnjë përgjigje të prerë derisa të këshillohej me Perëndinë. Balaami e dinte fare mirë se mallkimi i tij nuk mund ta dëmtonte dot Izraelin. Perëndia ishte në anën e tyre dhe për sa kohë që izraelitët do t’i qëndronin Atij besnikë, asnjë fuqi armike, qiellore apo tokësore nuk do mund t’i mposhtte ata. Por krenaria e tij u përkëdhel nga fjalët e ambasadorëve .”..ai që ti bekon është i bekuar dhe ai që ti mallkon është i mallkuar.” Përfitimi i dhuratave të çmuara dhe ndonjë promovim i ardhshëm i statusit të tij ia nxitën dhe më tepër lakminë. Ai i pranoi me grykësi dhuratat e ofruara dhe duke pretenduar se do t’i bindej plotësisht vullnetit të Perëndisë, u përpoq të plotësonte dëshirat e Balakut. PPAlb 340.4

Gjatë natës, engjëlli i Perëndisë iu shfaq Balaamit me mesazhin: “Ti nuk do të shkosh me ta, nuk do ta mallkosh atë popull, se është një popull i bekuar.” - Vargu 12. Në mëngjes, Balaami i largoi ambasadorët me shumë hezitim, por nuk ua tregoi atë që i kishte thënë Zoti. Duke qenë i zemëruar për shkak se ëndrrat e tij të fitimit dhe lavdisë ishin shuar krejt papritur, ai deklaroi me inat: “Kthehuni në vendin tuaj, sepse Zoti nuk më dha leje të vij me ju.” - Vargu 13. PPAlb 341.1

Balaami “deshi pagën e paudhësisë” (2 Pjetrit 2:15). Mëkati i lakmisë, të cilën Zoti e trajton si idhujtari, e kishte bërë atë skllav të rrethanave dhe, nëpërmjet këtij gabimi të vetëm, Satani mori kontroll të plotë të personit të tij. PPAlb 341.2

Dhe pikërisht kjo gjë i solli shkatërrimin. Satani, ky kryetundues, na paraqet përherë nderime dhe përfitime tokësore për t’i joshur njerëzit që mos t’i shërbejnë Perëndisë. Ai u thotë atyre se përkujdesja e tepërt i pengon të ecin përpara. Prandaj edhe shumë njerëz stimulohen që të dalin nga rruga e integritetit rigoroz. Një hap i gabuar e bën më të lehtë rrugën për hedhjen një tjetër hapi të gabuar dhe kështu njerëzit bëhen gjithnjë e më tepër mendjemëdhenj. Pasi ia japin jetën e tyre lakmisë për pasuri dhe pushtet, këta njerëz guxojnë dhe bëjnë gjëra nga më të tmerrshmet. Shumë syresh e marrin veten me të mirë, duke menduar se mund t’i shmangen për pak kohës mënyrës së drejtë të të jetuarit, derisa të arrijnë disa përfitime tokësore dhe se pastaj, mund ta ndërrojnë përsëri drejtimin e tyre, kur t’u dojë qejfi. Këta lloj njerëzish thjesht e lënë veten të bien në kurthin e Satanit dhe rrallë ndodh që mund të dalin prej andej. Kur lajmëtarët e posaçëm i treguan Balakut për refuzimin e Balaamit për t’i ndjekur, ata nuk lanë të kuptohej që atë e kishte ndaluar vetë Zoti. Prandaj, duke menduar se vonesa e Balaamit ishte thjesht çështje shpërblimi, mbreti dërgoi ambasadorë më të shumtë në numër e më të nderuar se ata të parët, me premtime për nderime më të larta dhe me autoritetin për të pranuar çdo lloj kushti që mund të vinte Balaami. Mesazhi urgjent i Balakut për profetin ishte: “Asgjë nuk duhet të të ndalë të vish tek unë, sepse unë do të të mbush me nderime dhe do të bëj të gjitha ato që do të më thuash ti; eja, pra, të lutem, dhe mallkoje këtë popull për mua.” - Vargu 17. PPAlb 341.3

Balaami u vu në provë për herë të dytë. Duke iu përgjigjur lutjeve të ambasadorëve, kësaj radhe ai shfaqi përgjegjshmëri dhe integritet, duke u thënë se asnjë lloj shume ari, apo argjendi nuk mund ta joshte për të vepruar kundra vullnetit të Perëndisë. Megjithatë, ai kishte dëshirë t’i bindej kërkesës së mbretit, prandaj edhe pse iu bë e ditur pa kurrfarë dyshimi se cili ishte vullneti i Perëndisë, ai u kërkoi lajmëtarëve që të prisnin, sa ta pyeste Perëndinë përsëri, a thua se i Përjetshmi Perëndi është si njeriu i cili mund të manipulohet me lehtësi. PPAlb 341.4

Zoti iu shfaq Balaamit natën dhe i tha: “Në rast se këta njerëz kanë ardhur të të thërrasin, çohu dhe shko me ta; por do të bësh vetëm ato gjëra që Unë do të të them.” - Vargu 20. Deri këtu, Zoti e lejoi Balaamin që të ndiqte vullnetin e vet, sepse ai e kishte vendosur ne zemër atë që donte. Ai nuk kërkoi të kryente vullnetin e Perëndisë, por fillimisht e zgjodhi vetë rrugën, pastaj kërkoi të siguronte ligjërimin e saj nga Perëndia. Ka me mijëra njerëz sot, të cilët po ndjekin të njëjtën rrugë. Sikur përsiatjet e tyre të ishin në harmoni me detyrën që Perëndia u ka caktuar, nuk do ta kishin të vështirë ta kuptonin se ç’duhet të bënin. Gjërat janë shprehur qartë para tyre në Bibël, apo u tregohen qartë nga situata dhe logjika. Por, meqënëse këto evidenca janë në kundërshtim me përsiatjet dhe dëshirat e zemrës së tyre, ata shpesh i shpërfillin dhe pastaj bëjnë sikur shkojnë tek Perëndia për të mësuar nga Ai se çfarë duhet të bëjnë. Me një përshpirtje të shtirur, ata luten gjatë dhe me përgjërim që të ndriçohen. Por nuk mund të luhet me Perëndinë! Shpesh, Ai i lejon këta persona të ndjekin dëshirën e tyre dhe të vuajnë pasojat. “Por populli Im nuk e ka dëgjuar zërin Tim dhe Izraeli nuk më është bindur. Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre.”- Psalmi 81:11, 12. Kur dikush e sheh qartë atë që duhet të bëjë, as mos të mendojë se mund të shkojë para Perëndisë me kërkesën për justifikim. Përkundrazi, ai person duhet që me një frymë të përulur t’i dorëzohet Perëndisë, të kërkojë prej Tij fuqi dhe mençuri për të realizuar atë që i kërkohet. PPAlb 342.1

Moabitët ishin një komb i shthurrur dhe idhujtar, megjithatë me aq dritë sa kishin, mëkati i tyre në sytë e Zotit nuk ishte aq i madh sa mëkati i Balaamit. Duke qenë se ky i fundit e mbante veten sikur të ishte profeti i Zotit, gjithçka që duhet të thoshte i takonte të vinte nga autoriteti hyjnor. Prandaj, ai nuk duhej t’ia lejonte vetes të fliste çfarë të donte, por duhet të ndante mesazhin të cilin ia shpallte Zoti. Urdhërimi hyjnor ishte, “... do të bësh vetëm ato gjëra që unë do të të them.” PPAlb 342.2

Balaami mori leje për të shkuar me lajmëtarët e Moabit, nëse do të vinin për ta marrë në mëngjes. Por, të mërzitur nga vonesa e tij dhe duke menduar se do të vinte një tjetër refuzim, ata u nisën për në shtëpinë e tyre, pa u konsultuar më parë me Balaamin. Çdo justifikim për t’iu bindur kërkesës së Balakut tashmë ishte larguar. Por Balaami ishte i vendosur që të përfitonte shpërblimin, ndaj duke i hipur kafshës së barrës që kishte kohë që e përdorte, mori edhe ai udhën. Ai kishte frikë se Zoti mund ta tërhiqte lejen e Tij dhe në ato momente, prandaj nxitonte të ecte përpara sa më shpejt, kështu ngutej që mos ta humbiste në asnjë lloj mënyre shpërblimin e lakmuar. PPAlb 342.3

Por, “Engjëlli i Zotit i doli rrugës si armik kundër tij.” - Vargu 22. Kafsha e pa lajmëtarin hyjnor, i cili nuk mund të dallohej nga njeriu, dhe u kthye nga rruga kryesore duke shkuar drejt fushës. Me goditje të ashpra, Balaami e solli kafshën e barrës në rrugën e duhur, por engjëlli u shfaq përsëri në një vend të ngushtë e të mbyllur nga muret dhe gomarica , në përpjekje e sipër për të shmangur figurën kërcënuese, përplasi këmbën e të zotit të saj në mur. Balaami ishte verbëruar ndaj ndërhyrjes qiellore dhe nuk e dinte që vetë Zoti po e pengonte shtegun e tij. Kështu, meqënëse nuk dinte nga t’ia mbante, e rrahu kafshën pa mëshirë dhe e detyroi të ecte përpara. PPAlb 342.4

Përsëri, “Engjëlli i Zotit shkoi tutje dhe u ndal në një vend të ngushtë, ku nuk mund të lëvizje as djathtas as majtas,” (- Vargu 26) duke u shfaqur me një qëndrim kërcënues dhe kafsha e shkretë, duke u drithëruar nga tmerri, ndaloi papritur dhe u ul në tokë nën të zotin. Zemërimi i Balaamit shpërtheu plotësisht dhe, me shkopin e tij, e rrahu kafshën më tepër se herën e parë. Atëherë, Zoti zgjidhi gojën e kafshës dhe “një kafshë barre pa gojë, duke folur me zë njeriu, e ndaloi marrëzinë e profetit” - 2 Pjetrit 2:16. “Çfarë të kam bërë që më rreh në këtë mënyrë tri herë me radhë?” PPAlb 343.1

Në furinë e zemërimit që e kishte mbërthyer, ngaqë po i pengohej udhëtimi, Balaami iu përgjigj kafshës sikur po i drejtohej një qenieje inteligjente: “Sepse më ke tallur; sikur të kisha një shpatë në dorë, tani do të të vrisja.” - Vargjet 28, 29. Ja pra, i ashtuquajturi magjistar, që ishte nisur udhës për të kënduar një mallkim kundër një kombi të tërë, me synimin për të paralizuar fuqinë e tyre, por që nuk kishte fuqi as të vriste kafshën mbi të cilën kishte hipur! PPAlb 343.2

Tashmë, sytë e Balaamit u hapën dhe ai pa Engjëllin e Perëndisë që qëndronte përpara me shpatën ngritur gati për ta vrarë. I tmerruar “Balaami u përkul dhe ra përmbys me fytyrën për tokë.” Engjëlli i tha: “Pse e rrahe plot tri herë gomaricën tënde? Ja, unë kam dalë si armiku yt, sepse rruga që ndjek ti nuk pajtohet me vullnetin tim; gomarica më pa dhe më ka evituar plot tri herë; në rast se nuk do të më kishte evituar, me siguri do të të kisha vrarë duke e lënë atë të gjallë.” - Vargjet 32, 33. PPAlb 343.3

Balaami i detyrohej kafshës së shkretë, të cilën e kishte keqtrajtuar aq egërsisht, për ruajtjen e jetës së Tij. Njeriu që shpallte se ishte profet i Perëndisë, i cili deklaroi se sytë e tij u hapën dhe se ai pa “vizionin e të Plotfuqishmit,” ishte verbuar aq shumë nga lakmia dhe ambicja, saqë nuk mund ta dallonte Engjëllin e Zotit, që kafsha e tij arrinte ta shihte. .’’..perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë” - 2 Korintasve 4:4. Sa të shumtë janë ata që janë verbuar si Balaami! Ata nxitojnë të vrapojnë drejt shtigjeve të ndaluara, duke shkelur ligjin hyjnor dhe nuk mund të dallojnë që Zoti dhe engjëjt e Tij janë kundër tyre. Ashtu si Balaami, ata zemërohen madje edhe me ata që përpiqen t’i ndalojnë nga shkatërrimi i tyre. PPAlb 343.4

Balaami kishte dhënë prova për llojin e frymës nga e cila drejtohej, thjesht nga mënyra se si trajtonte kafshën e tij: “I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij, por të përbrendshmet e të pabesëve janë mizore” - Fjalët e Urta 12:10. Pak njerëz e kuptojnë siç duhet mëkatin e abuzimit ndaj kafshëve, apo faktit që ato lihen të vuajnë për shkak të neglizhimit. Ai që krijoi njeriun, është po Ai që bëri edhe kafshët më të ulëta dhe “Ai është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij” - Psalmi 145:9. Kafshët u krijuan që t’i shërbejnë njeriut, por ai nuk ka të drejtë t’u shkaktojë atyre dhimbje nëpërmjet trajtimit të ashpër e mizor. Është për shkak të mëkatit të njeriut që “mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim” Romakët 8:22. Kështu pra, vuajtja dhe mëkati nuk përshijnë vetëm racën njerëzore, por edhe kafshët. Pikërisht për këtë arsye, i takon njeriut që të kërkojë të lehtësojë dhe jo ta rrisë peshën e vuajtjes, e cila ka ardhur për faj të tij mbi gjithë krijesat e Perëndisë. Ai, i cili abuzon me kafshët, sepse është më tepër i fuqishëm se to, është njëkohësisht frikacak dhe tiran. Tendenca që shkakton dhimbje si tek njerëzit, ashtu edhe tek krijesat më të thjeshta, është satanike. Shumë njerëz, ngaqë kafshët nuk e tregojnë egërsinë e tyre, mendojnë se nuk do të merret vesh. Por, sikur këtyre njerëzve t’u hapeshin sytë, sikurse ndodhi me Balaamin, ata do të shihnin një engjëll të Perëndisë që qëndron si dëshmitar për të dëshmuar para tyre në gjyqin qiellor. Në qiell mbahen shënime në një libër dhe po vjen dita kur do të shpallet gjykimi kundër atyre që kanë abuzuar me krijesat e Perëndisë. PPAlb 343.5

Kur e pa lajmëtarin e Perëndisë, Balaami thirri i terrorizuar: “Unë kam bërë mëkat, sepse nuk e dija që ti rrije në rrugë kundër meje; prandaj tani, në se ajo që po bëj nuk të pëlqen, atëherë unë do të kthehem prapa.” - Numrat 22:34. Zoti bëri që Balaami ta vazhdonte udhëtimin, por i la të kuptonte se fjalët e tij duhet të kontrolloheshin nga fuqia hyjnore. Zoti do jepte fakte kundër moabitëve që izraelitët ishin nën mbrojtjen e Qiellit dhe Zoti arriti ta realizonte këtë gjë më efektivisht, kur u tregoi atyre se sa i pafuqishëm ishte Balaami qoftë edhe për të shqiptuar një mallkim kundër izraelitëve pa miratimim qiellor. Kur mbreti i Moabit mori vesh se Balaami po afrohej, doli jashtë kufijve të mbretërisë, bashkë me eskortën e tij për ta mirëpritur. Kur mbreti i shprehu çudinë për vonesën e tij, nën dritën e gjithë shpërblimeve që do e prisnin, profeti iu përgjigj: “Ja, erdha te ti; por tani a mund të them diçka? Fjalën që Perëndia do të më vërë në gojën time, atë do të them unë.” Balaamit i vinte shumë keq për këtë lloj shtrëngimi, pasi kishte frikë se qëllimi i tij nuk do të përmbushej, ngaqë fuqia kontrolluese e Perëndisë e kishte pushtuar të tërin. PPAlb 344.1

Me shumë pompozitet, mbreti dhe oborrtarët e tij e shoqëruan Balaamin për “në vendet e larta të Baalit,” prej ku ai mund të vëzhgonte ushtrinë izraelite. Ja, më në fund profeti që qëndron mbi lartësitë krenare, duke hedhur vështrimin e tij poshtë, drejt çadrave të popullit të zgjedhur të Perëndisë. Sa pak dinë izraelitët në lidhje me atë që po ndodh pranë tyre. Sa pak dinë ata në lidhje për përkujdesjen e Perëndisë që shtrihej mbi ta ditën dhe natën! Sa të mpira janë mendjet e popullit të Perëndisë! Sa të ngadalshëm kanë qenë ata, gjatë gjithë shekujve për të perceptuar dashurinë dhe mëshirën e Tij të madhe. Ah sikur të mund ta dallonin fuqinë e mrekullueshme të Perëndisë që vepronte vazhdimisht për të mirën e tyre; zemrat e tyre do të mbusheshin me mirënjohje për dashurinë e Tij dhe me nderim për madhështinë dhe fuqinë e Tij! PPAlb 344.2

Balaami kishte ca njohuri mbi ofertat e flijimeve që bënin hebrenjtë dhe shpresonte se duke ofruar shumë sakrifica si dhurata të çmuara, mund të siguronte bekimin e Zotit për realizimin e projekteve të tij mëkatare. Kështu pra, dëshirat e moabitëve idhujtarë po merrnin kontrollin e mendjes së tij. Mençuria e tij ishte kthyer në budallallëk, vizioni i tij frymëror u mjegullua, ai i kishte sjellë vetes verbëri, duke iu nënshtruar fuqisë së Satanit. PPAlb 344.3

Nën drejtimin e Balakut, u ngritën shtatë altarë dhe mbi secilin prej tyre ai ofroi nga një sakrificë. Pastaj, ai u tërhoq në një vend “të lartë” për t’u takuar me Perëndinë, duke premtuar se do t’i bënte të ditur Balakut gjithçka që Perëndia do t’i zbulonte. PPAlb 344.4

Mbreti qëndronte prapa sakrificave, bashkë me fisnikët dhe princërit e Moabit, ndërsa rrotull tyre ishte mbledhur turma entuziaste në pritje të profetit. Më në fund, profeti erdhi dhe njerëzit po prisnin fjalët që do ta paralizonin përgjithmonë fuqinë e çuditshme që vepronte në anën e izraelitëve të urryer. Balaami tha: PPAlb 344.5

“Balaku, mbret i Moabit, më ka sjellë nga Arami,
nga malet e Lindjes, duke thënë,
Eja, mallko për mua Jakobin, eja dhe padit Izraelin!
Si mund të mallkoj atë që Zoti nuk e ka mallkuar?
Si mund të padis atë që Zoti nuk e ka paditur?
Unë e shoh nga maja e shkëmbinjve
dhe e sodis nga lartësitë;
ja, është një popull që qëndron vetëm
dhe nuk është përfshirë në gjirin e kombeve.
Kush mund të llogarisë pluhurin e Jakobit
apo të numërojë çerekun e Izraelit?
Vdeksha unë si njerëzit e drejtë
dhe qoftë fundi im i njëllojtë me atë të tyren!”
PPAlb 345.1

- Numrat 23:7-10.

Balaami rrëfeu se kishte ardhur me një qëllim, që të mallkonte Izraelin, por fjalët që nxori nga goja ishin krejtësisht në kundërshtim me dëshirat e zemrës së tij. Ai ishte i detyruar të shqiptonte bekime, ndërkohë që shpirti i tij ishte i mbushur me mallkime. Ndërsa shikonte drejt çadrave të izraelitëve, Balaami vuri re duke u mahnitur evidencën e begatisë së tyre. Ai kishte dëgjuar që ata ishin një turmë e ashpër, e paorganizuar, e cila rrethonte vendin me banda endacakësh, që ishin një frikë dhe tmerr për kombet rrotull, por pamja e tyre ishte shumë më e ndryshme. Balaami pa shtrirjen e madhe dhe organizimin e përsosur të kampit të tyre, ku gjithçka të jepte përshtypjen se aty kishte rregull dhe disiplinë. Atij iu tregua favori me të cilin Perëndia e shikonte Izraelin dhe karakterin e veçantë të popullit të Tij. Ata nuk duhet të ishin në të njëjtin nivel me gjithë popujt e tjerë, duhet të qëndronin më lart se ata. “Është një popull që qëndron vetëm dhe nuk është përfshirë në gjirin e kombeve.” Kur u folën këto fjalë, izraelitët nuk kishin një vend të qëndrueshëm banimi, ndaj karakteri i tyre i veçantë, sjelljet dhe zakonet e tyre nuk ishin të njohura për Balaamin. Por në historinë e mëvonshme të Izraelit kjo profeci do të përmbushej pikë për pikë. Gjatë gjithë viteve të tyre të robërisë, gjatë gjithë shekujve, që prej kohës kur u shpërndanë nëpër kombe, izraelitët kanë mbetur një popull i veçantë. Kështu populli i sotëm i Perëndisë—Izraeli i vërtetë—, ndonëse të shpërndarë nëpër kombe, janë mbi tokë thjesht shtegtarë, shtetësia e vërtetë e të cilëve është në qiell. PPAlb 345.2

Balaamit, jo vetëm që iu tregua historia e kombit të Izraelit, por iu bë e ditur edhe rritja dhe begatia e Izraelit të vërtetë të Perëndisë deri në fund të kohës. Ai pa që favori i veçantë i Shumë të Lartit qëndronte mbi ata që e donin dhe i druheshin Atij. Balaami pa që hebrenjtë mbështeteshin nga krahu i Zotit, ndërsa do hynin nëpër luginën e errët të hijes së vdekjes. Gjithashtu, ai i pa ata duke dalë prej varreve e tyre të mbuluar me lavdi, nder dhe pavdekësi. Ai i pa të shpenguarit ndërsa gëzonin në lavdinë e përjetshme të tokës kur ajo do të bëhej e re. Duke i ngulur sytë mbi këtë skenë, ai tha: “Kush mund të llogarisë pluhurin e Jakobit apo të numërojë çerekun e Izraelit?” E, ndërsa shikonte kurorën e lavdisë mbi çdo vetull, gëzimin që shkëlqente nga çdo fytyrë, ndërsa shikonte përpara drejt asaj jete të pafundme me lumturi të pavrarë, ai shqiptoi një lutje solemne: “Vdeksha dhe unë si njerëzit e drejtë dhe qoftë fundi im i njëllojtë me atë të tyren!.” PPAlb 345.3

Sikur Balaami të kishte treguar një qëndrim pranues ndaj dritës hyjnore që iu dha, fjalët që tha do të ishin bërë realitet dhe do të kishte shkëputur menjëherë çdo lloj lidhjeje me Moabin. Ai nuk do të kishte dyshuar më në mëshirën e Perëndisë, por do të ishte kthyer tek Ai me pendim të thellë. Por Balaami e deshi pagën e paudhësisë dhe atë ishte i vendosur që ta siguronte për vete. Balaku, i me shumë vetëbesim, kishte pritur që një mallkim të binte mbi Izraelin si një plagë e turpshme, prandaj kur dëgjoi fjalët e profetit, ai bërtiti me inat: “Ç’më bëre? Të mora që të mallkosh armiqtë e mi, kurse ti i bekove me të madhe.” - Numrat 23:11. Balaami, duke u përpjekur të tregohej i virtytshëm, meqënëse kështu e detyronte nevoja e momentit, fjalët që Fuqia Hyjnore ia kishte detyruar që t’i shqiptonte me buzët e tij, bëri sikur po i fliste me ndërgjegje personale të pastër përsa i përkiste vullnetit e Perëndisë. Përgjigjia e tij ishte: “A nuk duhet të kujdesem unë të them me të shpejtë atë që Zoti më vë në gojë?” - Vargu 12. PPAlb 346.1

Edhe kësaj rradhe, Balaku nuk mund të hiqte dorë nga qëllimi i tij. Ai doli në konkluzionin se spektakli aq mbresëlënës i prezantuar nga kampi madhështor i çadrave të hebrenjve, e kishte frikësuar aq shumë Balaamin, saqë ky i fundit nuk kishte kuxuar të shqiptonte orakujt e tij kundër tyre. Mbreti vendosi ta çonte profetin në një vend prej ku dukej vetëm një pjesë shumë e vogël e kampit hebre. Sikur Balaami të vendoste të mallkonte edhe pjesë të vogla të popullsisë izraelite, pak nga pak, i gjithë kampi do bëhej prë e shkatërrimit. U bë edhe një provë tjetër mbi një majë kodre të ngritur që quhej Pisgah. Përsëri u ngritën shtatë altarë, mbi të cilët u vendosën sakrifica njëlloj si të parat. Mbreti dhe princat e tij qëndruan pranë sakrificave, kurse Balaami u tërhoq që të takohej me Perëndinë. Edhe një herë tjetër, profetit iu mirëbesua i njëjti mesazh hyjnor, të cilin e kishte të pamundur ta mbante të fshehur. PPAlb 346.2

Kur ai iu shfaq shoqëruesve që prisnin në ankth, e pyetën: “Çfarë ka thënë Zoti?” Sikurse edhe më përpara, përgjigjia e dhënë shkaktoi tmerr në zemrën e mbretit dhe princave të tij: PPAlb 346.3

“Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë,
as edhe bir njeriu që mund të pendohet.
Kur ka thënë një gjë, nuk do ta bëjë?
Ose kur ka shpallur një gjë, nuk do ta kryejë?
Ja, unë mora urdhrin që të bekoj;
po, Ai ka bekuar dhe unë nuk do ta heq bekimin e tij.
Ai nuk ka vërejtur paudhësi te Jakobi
dhe nuk ka parë përdhosje tek Izraeli.
Zoti, Perëndia i tij, është me të,
dhe klithma e një mbreti është midis tyre.”
PPAlb 346.4

- Vargjet 19-21.

I mahnitur nga gjërat që iu zbuluan, Balaami tha: “Me siguri që nuk ka magji kundër Jakobit, dhe as nuk ka shortari kundër Izraelit.” - Vargu 23. Magjistari i madh kishte provuar fuqinë e tij të magjisë, sipas dëshirës së moabitëve, por i gjendur në këtë situatë, ai duhet të thoshte për Izraelin: “Shikoni ç’ka bërë Perëndia me Jakobin dhe Izraelin!” Ndërsa ishin nën mbrojtjen qiellore, asnjë popull ose komb, sado i mbështetur nga fuqia e Satanit, nuk mund të sundonte mbi ta. E gjithë bota duhet të mahnitej me punën e mrekullueshme të Perëndisë për popullin e Tij, të mahnitej aq shumë, sa edhe një njeri i cili ishte i vendosur të ndiqte një qëllim të mbrapshtë, do të pushtohej me fuqi hyjnore, saqë në vend të mallkimeve, të shqiptonte bekimet më të frytshme e më të çmuara në një gjuhë poetike të apasionuar dhe sublime. Hiri i Perëndisë që po i tregohej Izraelit në këtë kohë ishte synuar që të shërbente si një siguri e mbrojtjes së Tij ndaj bijve të Tij të bindur dhe besnikë të të gjitha kohërave. Kur, në të ardhmen, Satani do të frymëzonte njerëz të këqinj për të keqpërfaqësuar, lënduar dhe shkatërruar njerëzit e Tij, atyre do t’u vinte ndërmend kjo ngjarje, që do t’ua forconte kurajon dhe besimin tek Perëndia. PPAlb 346.5

Mbreti i Moabit, i stresuar dhe me zemër të thyer, thirri: “As mos i mallko [izraelitët], por as mos i beko.” - Vargu 25. Megjithatë, në zemrën e tij ende lëvizte një fije e zbehtë shprese, prandaj vendosi të bënte edhe një përpjekje. Tashmë, ai e drejtoi Baalamin për në malin Peor, atje ku ishte edhe një tempull kushtuar adhurimit të shthurur të Baalit, perëndisë së tyre. Edhe këtu u ngritën po i njëjti numër altarësh dhe u ofruan i njëjti numër sakrificash, por këtë herë, ndryshe nga herët e tjera, Balaami nuk shkoi i vetëm për ta kërkuar Perëndinë. Ai nuk bëri sikur po kryente magji, por, duke qëndruar pranë altareve, ai hodhi vështrimin tej, nga tendat e Izraelit. Sërish, Fryma e Zotit zbriti mbi të dhe mesazhi hyjnor doli nga buzët e tij: PPAlb 347.1

“Sa të bukura janë çadrat e tua, o Jakob, banesat e tua o Izrael!
Ato shtrihen si lugina, si kopshte gjatë një lumi,
si aloe që Zoti ka mbjellë, si kedra pranë ujërave.
Do të derdhë ujë nga kovat e tij,
pasardhësit e tij do të banojnë pranë ujërave të shumta,
mbreti i tij do të ngrihet më lart se Agagu
dhe mbretëria e tij do të lartësohet.
Perëndia, që e nxori nga Egjipti, është për të si brirët e fuqishëm të buallit.
Ai do të gëlltisë kombet armike për të,
do të coptojë kockat e tyre,
dhe do t’ i shpojë tej për tej me shigjetat e tij.
Ai përkulet, mblidhet kruspull si një luan dhe si një luaneshë.
Kush do të guxojë ta çojë?
Qoftë i bekuar ai që të bekon dhe qoftë i mallkuar ai që të mallkon!”
PPAlb 347.2

- Numrat 24:5-9.

Begatia e bijve të Perëndisë është shprehur këtu nëpërmjet disa prej figurave më të bukura të natyrës. Profeti e krahason Izraelin me luginat pjellore të mbuluara nga bollëku i të korrave, me kopshte të lulëzuara që vaditen nga burime të cilat nuk shterojnë kurrë, me pemën aromatike të aloes dhe me pemën madhështore të kedrit (bredhit). Figura e fundit është ndër ato më të goditurat dhe më të përshtatshmet, me të cilat Izraeli mund të krahasohej në fjalën e frymëzuar. Kedri i Libanit nderohej nga gjithë popujt e lindjes. Klasa e pemëve, në të cilën kedri bën pjesë gjendet kudo ku kanë shkuar njerëzit, në mbarë tokën. Që nga rajonet e arktikut, e deri në zonat tropikale, kedrat lulëzojnë, duke u kënaqur me ngrohtësinë në vendet e nxehta, por edhe duke i qëndruar të ftohtit, gjithnjë i gjelbëruar, qoftë pranë brigjeve të lumenjve, qoftë kur ngrihet i lartë në vende të thata dhe të shkreta. Kedrat i lëshojnë rrënjët e tyre thelllë në shkëmbinjtë e maleve dhe qëndrojnë krenarë përballë stuhive. Gjethet e tyre janë të freskët dhe të gjelbër dhe kur çdo gjë tjetër është tharë nga erërat dimërore. Duke qëndruar mbi çdo lloj peme tjetër, kedri i Libanit dallohet për forcën, qëndrueshmërinë dhe fuqinë e tij dhe përdoret si simbol i atyre, jeta e të cilëve është “fshehur bashkë me Krishtin tek Perëndia” - Kolosianët 3:3. Shkrimet thonë: “I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit” - Psalmi 92:12. Dora hyjnore e ka lartësuar kedrin si mbretin e pyllit. “Kedrat nuk ia kalonin në kopshtin e Perëndisë, selvitë nuk arrinin të barazonin degët e tij dhe gështenjat nuk ishin as si degët e tij me gjethe; asnjë dru në kopshtin e Perëndisë nuk ishte i barabartë me të nga bukuria.” - Ezekieli 31:8. Vazhdimisht, kedri përshkruhet si një emblemë mbretërore dhe fakti që ai përdoret në Shkrimet e Shenjta për të përfaqësuar njeriun e drejtë, tregon se si i shikon Perëndia ata që bëjnë vullnetin e Tij. PPAlb 347.3

Balaami profetizoi që Mbreti i Izraelit do të ishte më i madh dhe më i fuqishëm se Agagu. Ky ishte emri me të cilin quheshin mbretërit e Amalekitëve, të cilët në atë kohë ishin një komb shumë i fuqishëm, por, në qoftë se Izraeli do t’i qëndronte besnik Perëndisë, ai do sundonte mbi gjithë armiqtë e tij. Mbreti i Izraelit ishte Biri i Perëndisë dhe një ditë, froni i Tij do të vendosej mbi tokë dhe fuqia e Tij do të lartësohej përmbi gjithë mbretëritë tokesore. PPAlb 348.1

Ndërsa dëgjonte fjalët e profetit, Balaku u zhgënjye dhe humbi të zhgënjyera, me frikë dhe zemërim. Ai ishte shumë i indinjuar që Balaami nuk i kishte dhënë as më të voglin inkurajim me anë të ndonjë përgjigjeje të favorshme, por çdo gjë u bë që të ishte kundër tij. Ai e qortoi ashpër rrugën mashtruese, dhe kompromisin e profetit. Egërsisht ai deklaroi: “Tani ik në shtëpinë tënde! Kisha thënë se do të të mbushja me nderime; por ja, Zoti nuk ka lejuar t’i marrësh.” Kjo deklaratë mori si përgjigje faktin se mbreti ishte paralajmëruar që nga fillimi se Balaami do të fliste vetëm atë lloj mesazhi që Zoti do t’i jepte. PPAlb 348.2

Para se të kthehej tek njerëzit e tij, Balaami shqiptoi një profeci shumë të bukur dhe sublime në lidhje me Shpëtimtarin e botës dhe shkatërrimin përfundimtar të armiqve të Perëndisë: PPAlb 348.3

“E shoh, por jo tani; e sodis, por jo afër:
një yll do të dalë nga Jakobi
dhe një skeptër do të ngrihet nga Izraeli,
i cili do ta shtypë Moabin fund e krye
dhe do të rrëzojë tërë bijtë e Shethit.”
PPAlb 348.4

- Numrat 24:17.

Mbyllja e kësaj profecie flet për shkatërrimin total të Moabit, të Edomit, Amalekut dhe Kenitëve, duke e lënë kështu mbretin e Moabit pa asnjë rreze shprese. PPAlb 348.5

I zhgënjyer në shpresën e tij për pasuri dhe promovim, duke mos patur as favorin e mbretit dhe i ndërgjegjshëm që kishte tërhequr mbi vete pakënaqësinë e Perëndisë, Balaami u kthye nga misioni që kishte zgjedhur me vullnetin e tij. Pasi arriti në shtëpi, fuqia dominuese e Frymës së Zotit e la dhe atë e pushtoi sërish ambicja e tij, e cila për pak kohë ishte mbajtur nën fré. Ai ishte i gatshëm që të shfrytëzonte çdo lloj gjëje për të marrë shpërblimin e premtuar nga mbreti Balak. Balaami e dinte mirë se begatia e Izraelit varej nga bindja e tyre ndaj Perëndisë dhe se nuk kishte rrugë tjetër për të shkaktuar rrënimin e tyre, përveçse duke i joshur ata drejt mëkatit. Tani, ai vendosi që ta siguronte favorin e mbretit duke i këshilluar moabitët për rrugën që duhet të ndiqnin për të sjellë mallkim mbi Izraelin. PPAlb 348.6

Menjëherë, ai u kthye në tokën e Moabit dhe ia shpalosi planet e tij mbretit. Nga ana e tyre, moabitët ishin të bindur se për sa kohë që Izraeli i qëndronte besnik Perëndisë, Ai do ishte mburoja e tyre. Plani i propozuar nga Balaami për t’i ndarë ata nga Perëndia ishte që t’i nxisnin ata për t’u përfshirë në idhujtari. Në rast se, në ndonjë lloj mënyre, ata mund të futeshin në kurthin e adhurimit të Baalit dhe Ashtorethit, Zoti Perëndi, Mrojtësi i tyre i plotfuqishëm do bëhej armiku i tyre dhe shumë shpejt, ata do të binin pre e kombeve të egra dhe luftarakë rreth e rrotull. Mbreti e pranoi menjëherë këtë plan dhe vetë Balaami ishte i vendosur që të ndihmonte në realizimin e tij. PPAlb 349.1

Balaami e përjetoi vetë suksesin e skemës së tij djallëzore. Ai e pa mallkimin që Perëndia do hidhte mbi njerëzit Tij dhe pa edhe mijërat e njerëzve që do humbisnin për shkak të gjykimit që i priste, por fuqia hyjnore që do dënonte mëkatin në Izrael, nuk do t’i linte të shpëtonin as tunduesit e tyre. Në përleshjen ndërmjet izraelitëve dhe midianitëve, Balaami u vra. Ai vetë e kishte parandjerë afrimin e vdekjes së tij, kur kishte thënë: “Vdeksha unë si njerëzit e drejtë dhe qoftë fundi im i njëllojtë me atë të tyren!” Por ai nuk zgjodhi që të ndiqte rrugën e të drejtëve, prandaj fati i tij u lidh me atë të armiqve të Perëndisë. PPAlb 349.2

Fati i Balaamit ishte i ngjashëm me atë të Judës, po ashtu ishte shumë i ngjashëm edhe karakteri i tyre. Të dy këta njerëz u përpoqën të bashkonin shërbimin ndaj Perëndisë dhe ndaj Mamonit (idhullit të matërializmit) dhe në fund u ndeshën me dështimin fatal. Balaami e pranoi Perëndinë e vërtetë dhe shpalli se i shërbente Atij, ashtu si dhe Juda që besoi tek Jezusi, Mesia dhe u bashkua me ndjekësit e Tij. Por Balaami shpresoi që shërbimin ndaj Zotit Perëndi (Jahveh), ta kthente në një gur mbi të cilin mund të ngjitej për të kapur më lehtë pasuritë dhe nderin e kësaj bote, prandaj pasi dështoi në këtë gjë, ai u rrëzua, ra dhe u thye. Po ashtu edhe Juda, nëpërmjet lidhjes së tij me Krishtin, shpresonte që të siguronte pasuri dhe promovim në atë “mbretëri tokësore” që Krishti do të vendoste, sipas besimit të tij. Dështimi i shpresave të tij, e çoi drejt apostazisë dhe shkatërrimit. Si Balaami, ashtu edhe Juda kishin marrë një dritë të madhe dhe gëzonin privilegje të veçanta, por një mëkat i vetëm që ata e ruanin thellë në zemër helmoi gjithë karakterin e tyre dhe, në fund, shkaktoi edhe shkatërrimin e tyre. PPAlb 349.3

Të lejosh që një tipar i karaktërit tënd të jetojë në zemrën tënde është diçka tejet e rrezikshme. Një mëkat që të kënaq, me kalimin e kohës do t’i luajë fort themelet e karakterit tënd, duke e vendosur gjithë forcën e fuqive të tij më “fisnike” në shërbim të dëshirave të këqia. Zhvendosja nga ndërgjegja qoftë edhe e një faktori të vetëm mbrojtës, vetëkënaqja, qoftë edhe me një ves të vetëm, i thyen muret mbrojtëse të zemrës së njeriut dhe i hap rrugën Satanit të hyjë brenda dhe të na drejtojë në rrugën e gabuar. Shtegu i vetëm, por i sigurt që duhet të ndjekim është të drejtojmë çdo ditë tek Perëndia lutjet tona me një zemër të sinqertë, ashtu sikurse edhe Davidi. “Hapat e mia kanë qëndruar të sigurt në shtigjet e tua dhe këmbët e mia nuk janë lëkundur” - Psalmi 17:5. PPAlb 349.4