PATRIARKË DHE PROFETË

40/74

39—“PUSHTIMI I BASHANIT”

*****

Pasi kaluan nga jugu i Edomit, izraelitët morrën rrugën në drejtim të veriut, duke i kthyer sërish fytyrat drejt Tokës së Premtuar. Tashmë, rruga kalonte mbi një luginë të gjatë e cila freskohej nga flladet që vinin nga kodrat përreth. Ishte një ndryshim mëse i mirëpritur, pra nga lugina e thatë dhe djerrë në të cilën kishin udhëtuar më parë. Kështu, ata marshonin përpara të gjallëruar dhe me optimizëm. Pasi kaluan përroin Zered, ata kaluan në lindje të territorit të Moabit; sepse urdhri hyjnor ishte dhënë i tillë, “Mos e sulmo Moabin dhe mos lufto kundër tij në betejë, sepse nuk do të të jap asnjë pjesë të vendit të tyre si trashëgimi, duke qenë se u kam dhënë Arin si pronë pasardhësve të Lotit.” - Ligji i Përtërirë 2:9. Dhe e njëjta porosi u dha edhe për sa u përket kombit të Amonit, duke qenë se edhe ata ishin pasardhës të Lotit (nipit të Abrahamit). 27 PPAlb 335.1

Duke ecur me vrull drejt veriut, fiset e Izraelit mbërritën krahasimisht shpejt në vendin e amoritëve. Ky komb i fuqishëm dhe luftarak kishte zaptuar në fillim pjesën jugore të vendit të Kanaanit; por ngaqë u rrit shpejt në numër, ata e kaluan edhe Lumin Jordan, i shpallën luftë moabitëve, dhe morën një zotërim një pjesë të territorit të tyre. Kështu, ata ishin vendosur nëpër këtë territor të gjerë, duke patur një sovranitet të palëkundur mbi gjithë rajonin, që nga lumi Arnon në jug e deri në veri në lumin Jabbok. Rruga për në lumin Jordan të cilën kishin patur dëshirë të ndiqnin izraelitët, shtrihej drejtpërsëdrejti nëpërmjet këtij territori, ndaj Moisiu i dërgoi një mesazh miqësor Sihonit, mbretit të Amoritëve, që banonte në kryeqytetin e vendit: “Lërmë të kaloj nëpër vendin tënd; unë do të shkoj nëpër rrugën Mbretërore, pa u kthyer as djathtas as majtas. Ti do të më shesësh me para ushqimet që do të ha dhe do të më japësh me para ujin që do të pi; më lejo vetëm të kaloj me këmbë (ashtu si kanë bërë për mua pasardhësit e Ezaut që banojnë në Seir dhe moabitët që banojnë në Ar), deri sa unë të kem kaluar Jordanin për të hyrë në vendin që Zoti, Perëndia ynë, na ka dhënë.” - Ligji i Përtërirë 2:27-29. Përgjigja nga mbreti ishte plotësisht refuzuese, dhe të gjitha formacionet luftarake të amoritëve u thirrën që të ndalnin progresin e izraelitëve. Kjo ushtri mjaft imponuese shkaktoi tmerr e panik tek izraelitët, të cilët ishin të papërgatitur për të bërë beteja me forca që ishin të armatosura mirë dhe shumë të disiplinuara. Edhe përsa i përket mjeshtërisë në dyluftim, duhet thënë se amoritët kishin një avantazh të padiskutueshëm. Po të ndiqje llogjikën njerëzore, dilje shpejt në konkluzionin se Izraelit po i vinte fundi. PPAlb 335.2

Por Moisiu qëndroi sypatrembur dhe pa lart drejt shtyllës së resë, dhe i inkurajoi njerëzit me mendimin se prania e Perëndisë ishte ende me ta. Në të njëjtën kohë, ai i porositi që ata të bënin ç'është e mundur që të përgatiteshin për luftë. Në fakt, armiqtë e tyre mezi pritnin të përlesheshin me ta në betejë, dhe kishin besim të plotë në vetvete se do t’i shpartallonin e shporrnin izraelitët e papërgatitur brenda një kohe të shkurtër. Por Perëndia, Zotëruesi i çdo vendi dhe territori, i dha një mandat të qartë udhëheqësit të Izraelit: “Çohuni, vihuni në marshim dhe kaloni përroin Arnon; shiko, Unë po e kaloj nën pushtetin tënd Sihonin, amoritin, mbretin e Heshbonit, dhe vendin e tij; fillo ta shtiesh atë në dorë dhe shpalli luftë. Sot do të filloj t’u kall frikën dhe tmerrin tënd popujve që gjenden nën tërë qiejt, të cilët do të dëgjojnë të flitet për ty, e do të dridhen dhe do t’i zërë ankthi për shkakun tënd.” - Vargjet 24, 25. PPAlb 335.3

Këto kombe që ndodheshin në kufi me Tokën e Premtuar nuk do të ishin sulmuar, në rast se nuk do të dilnin me armë përpara dhe të ndalnin marshimin e Izraelit, duke i bërë sfidë vetë fjalës së Perëndisë. Zoti në fakt e kishte treguar qartë zemërgjerësinë, durueshmërinë dhe dhembshurinë e Tij edhe ndaj këtyre kombeve pagane. Kur Abrahamit iu tregua në vegim se pasardhësit e tij, fëmijët e Izraelit, do të ishin të huaj në një tokë të huaj për katërqind vjet, Zoti i dha atij këtë premtim: “Por në brezin e katërt ata do të kthehen këtu, sepse fëlliqësia [e mëkateve të] amoritëve nuk e ka arritur ende kulmin.” - Zanafilla 15:16. Ndonëse amoritët ishin idhujtarë, jeta e të cilëve u shkurtua drejtësisht për shkak të ligësisë së tyre të madhe, Perëndia u dha atyre katërqind vjet në dispozicion, për t’u dhënë më pas një evidencë të pakundërshtueshme se Ai ishte Perëndia i vetëm dhe i vërtetë, Krijuesi i qiellit dhe i tokës. Të gjitha mrekullitë që Ai kreu me sjelljen e Izraelit prej Egjiptit njiheshin mirë prej tyre (amoritëve). Evidencë e mjaftueshme u dha; ata mund ta kishin njohur të vërtetën, po të ishin treguar të gatshëm që t’i kthenin shpinën idhujtarisë dhe shthurrjes. Por ata e refuzuan dritën dhe i shtrënguan fort idhujt e tyre. PPAlb 336.1

Kur Zoti e solli popullin e Tij për herë të dytë pranë kufinjve të Kanaanit, kombeve paganë iu dha një evidencë shtesë mbi fuqinë e Tij. Ata e panë qartë se Perëndia ishte në anën e Izraelit në fitoren e korrur kundër Mbretit Arad dhe kanaanitasve, si dhe në mrekullinë që u krye për të shpëtuar ata që po vdisnin nga pickimi i gjarpërinjve. Ndonëse izraelitëve u ishte mohuar hyrja nëpërmjet territorit të Edomit, duke qenë kështu të detyruar t’i binin këtij vendi përqark nga rruga e vështirë përgjatë Detit të Kuq, gjatë të gjitha udhëtimeve dhe vendfushimeve, përbri me vendin e Edomit, Moabit dhe Amonit, ata gjithsesi nuk kishin treguar asnjë shenjë armiqësie, dhe nuk i kishin prekur aspak popujt e atyre vendeve si dhe pronat e tyre. Kur mbërritën në kufirin me amoritët, Izraeli kishte kërkuar leje për të kaluar për të ecur vetëm tranzit, pra përmes vendit, duke premtuar se do t’u përmbahej të gjitha rregullave që kishin respektuar kur kishin patur të bënin me kombet e tjera të sipërpërmendura. Kur mbreti amorit e refuzoi këtë kërkesë-lutje të hijshme nga ana e izraelitëve, dhe për më keq, mblodhi ushtritë për luftë, tashmë kupa e fëlliqësisë së amoritëve u mbush plot, dhe në këtë situatë, Perëndia do të ushtronte fuqinë e Tij për t’i përmbysur. PPAlb 336.2

Izraelitët kaluan lumin Arnon dhe filluan mësymjen në drejtim të armikut. Ndodhi një përleshje e madhe në të cilën doli fitimtare ushtria e Izraelit; dhe duke ndjekur avantazhin e fituar, izraelitët e morën në zotërim brenda një kohë shumtë të shkurtër krejt territorin e amoritëve. Ishte Kapiteni i ushtrive të Zotit (shih - Jozueu 5:15) Ai që mposhti armiqtë e popullit të Tij; dhe Ai do të kishte bërë të njëjtën gjë para tridhjetë e tetë vjetëve po qe se Izraeli do të kishte treguar besim tek Ai. PPAlb 336.3

Të mbushur me shpresë dhe kurajo, ushtria e Izraelit vazhdoi të avanconte përpara, dhe duke udhëtuar gjithmonë në drejtim të veriut, ata shumë shpejt mbërritën në një vendi që fare mirë do të testonte kurajon dhe besimin e tyre tek Perëndia. Përpara tyre shtrihej mbretëria e fuqishme dhe e madhe në numër e Bashanit, e mbushur me qytete të mëdha të gurtë të cilët edhe sot tërheqin turistë nga e gjithë bota— “gjashtëdhjetë qytete ... të fortifikuara me mure të larta, porta dhe shufra hekuri, pa llogaritur një numër të madh fshatrash.” Shih - Ligji i Përtërirë 3:1-11. Shtëpitë ishin të ndërtuara me gurë të mëdhenjt të zinj. Gurët ishin aq të mëdhenj saqë askujt në atë kohë nuk ia priste mendja se ato godina mund të prisheshin—aq të fuqishme dhe madhështore ishin. Ishte një territor i mbushur me shpella të shumta, gremina të thella, gjire, humnera të thepisura dhe fortifikime shkëmbore. Banorët e këtij vendi, pasardhës të një race gjigandësh, ishin për vete shumë të gjatë e të bëshëm, dhe kaq me nam për dhunën e mizorinë që shkaktonin sa që ishin bërë tmerri i të gjitha kombeve përreth; ndërkohë që Ogu, mbreti i vendit, ishte tepër imponues nga gjatësia dhe gjerësia e trupit (- Ligji i Përtërirë 3:11), edhe për atë komb të gjigandëve. PPAlb 337.1

Por shtylla e resë vazhdoi të lëvizë përpara, dhe duke ndjekur udhërrëfimin e saj, ushtritë e Izraelit avancuan deri në Edrei, ku mbreti gjigand, së bashku me forcat e tij, po priste që të afroheshin. Mbreti Og e kishte zgjedhur me zgjuarsi fushën e betejës. Qyteti i Edreit ndodhej mbi kufirin e një rrafshnalte, e cila ngjitej papritmas nga lugina dhe ishte e mbuluar me gurë të dhëmbëzuar vullkanikë. Pra qytetit mund t’i afrohesh vetëm nëpërmjet shtigjeve të ngushta, të cilat ishin të thepisura dhe shumë të vështira për t’u ngjitur. Në rast disfate, forcat e tij mund të gjenin fare mirë strehë në atë shkretinë shkëmbore, ku do të ishte e pamundur për armikun që t’i ndiqte. PPAlb 337.2

Duke e fjetur mendjen për suksesin që do të arrinte, mbreti ia behu së bashku me një ushtri të stërmadhe në numër mbi luginën e gjërë, ndërkohë që nga rrafshnalta lart dëgjoheshin thirrje kërcënuese dhe dukeshin shtizat e mijëra ushtarëve të gatshëm për përleshje e potere. Kur hebrenjtë kishin përpara syve formën imponuese të mbretit Og, atij gjigandi të gjigandëve që ngrihej mbi ushtarët e tij; kur panë ushtritë që i rrethonin nga të katra anët, dhe vështruan atë fortifikim në dukje i papërshkueshëm, prapa të cilit ishin rreshtuar mijëra ushtarë të tjerë, zemrat e shumë vetave ndër izraelitët u drodhën nga frika. Por Moisiu ishte i qetë dhe i vendosur; Zoti kishte thënë në lidhje me mbretin e Bashanit, “Mos ki frikë nga ai, sepse Unë do ta jap atë në duart e tua, tërë njerëzit e tij dhe vendin e tij; do t’i bësh atij atë që i bëre Sihonit, mbretit të amoritëve, që banonte në Heshbon.” - Ligji i Përtërirë 3:2. PPAlb 337.3

Besimi i patundur i udhëheqësit të tyre legjendar i frymëzoi hebrenjtë që të mbështeteshin tek Perëndia. Ata ia mirëbesuan gjithçka krahut të Tij të plotfuqishëm, dhe Ai nuk i la aspak në baltë. As gjigandët e fuqishëm, as qytetet e rrethuara, as ushtritë e armatosura dhe as fortifikimet e gurta nuk mund të qëndronin dot përpara Kapitenit të ushtrive të Zotit. (shih - Jozueu 5:15). Zoti udhëhoqi ushtrinë; Zoti e shpartalloi armikun; Zoti ngadhënjeu në emër të Izraelit. Mbreti gjigand dhe ushtria e tij u shkatërruan plotësisht, dhe shumë shpejt izraelitët morën në zotërim krejt territorin e atij vendi. Në këtë mënyrë, u fshinë nga rrafshi i dheut ky popull i huaj që i ishte dhënë së tepërmi idhujtarisë së fëlliqur dhe poshtërsive. PPAlb 337.4

Pas pushtimit të Gileadit dhe Bashanit, shumë veta sollën ndërmend ngjarjet që kishin ndodhur para gati dyzet vjetësh në Kadesh, të cilat e kishin detyruar Izraelin që të endej për kaq kohë nëpër shkretëtirë. Ata vunë re se raporti i informatorëve më lidhje me Tokën e Premtuar ishte pak a shumë korrekt. Qytetet ishin të rrethuara me mure të lartë dhe ishin shumë të mëdhenj, dhe banoheshin nga gjigandë, në krahasim me të cilët, izraelitët ngjanin si xhuxhë. Por tani ata mund ta kuptonin se gabimi fatal i baballarëve të tyre ishte mosbesimi nga ana e tyre tek fuqia e Perëndisë.Vetëm ky mosbesim i kishte penguar ata nga hyrja e menjëhershme për në Tokën e Premtuar. PPAlb 338.1

Kur izraelitët bënin përgatitjet e para për të hyrë në Kanaan, ata e kishin ndërrmarë këtë gjë më shumë më pak vështirësi sesa kësaj rradhe. Perëndia i kishte premtuar popullit të Tij se në qoftë se ata do t’i bindeshin zërit të Tij Ai do të nisej përpara tyre dhe do të luftonte për ta; dhe gjithashtu, Ai do të dërgonte grenxa të mëdha për të përzënë banorët e vendit. Deri atëherë, kombet e Kanaanit nuk kishin patur ndonjë frikë apo tmerr të madh prej izraelitëve; në fakt i kishin nënvleftësuar, dhe për rrjedhojë ata nuk kishin bërë ndonjë përgatitje të madhe për t’i zmbrapsur. Por qëkur Zoti i dha urdhër izraelitëve që të marshonim përpara, këtyre të fundit do t’iu duhej të ndesheshin me armiq të fuqishëm dhe të stërvitur si jo më mirë, si dhe me ushtri të mëdha dhe të përgatitura mjaft mirë dhe që do t’u bënin rezistencë të fortë. PPAlb 338.2

Gjatë disfatës që i shkaktuan mbretërve Og dhe Sihon, populli i Perëndisë u vu përballë të njëjtës provë në të cilën baballarët e tyre kishin dështuar si mos më keq. Por prova e kësaj rradhe ishte shumë më e vështirë se sa atëherë kur Perëndia i kishte bërë thirrje Izraelit që të ecte përpara. Vështirësitë gjatë rrugës ishin shtuar jashtë mase në krahasim me kohën kur ata nuk kishin pranuar të avanconin ndonëse u ishte bërë thirrje që të ecnin përpara në emër të Zotit. Në një mënyrë të ngjashme Perëndia ende i vë në provë njerëzit e Tij. Dhe në rast se ata nuk arrijnë ta përballojnë provën, Ai i sjell sërish tek e njëjta pikë, dhe herën e dytë prova do të jetë më e prekshme dhe më e vështirë se ajo e mëparshmja. Kjo vazhdon deri atëherë kur njerëzit e Perëndisë e kalojnë provën. Ndryshe, nëse ata vazhdojnë të sillen si rebelë, Perëndia e tërheq dritën e Tij prej tyre dhe i lë të mbeten në errësirë. PPAlb 338.3

Tashmë, hebrenjtë sollën ndërmend se si kohë më parë, kur ushtritë e tyre ishin nisur për në betejë, ishin shpartalluar keqazi dhe kishin pësuar me mijëra të vrarë. Por asaj rradhe ata ishin nisur në kundërshtim të plotë ndaj urdhrit të Perëndisë. Ata kishin shkuar pa Moisiun, udhëheqësin e zgjedhur prej Perëndisë, pa shtyllën e resë, simbolin e pranisë hyjnore, si dhe pa arkën e besëlidhjes. Por kësaj rradhe, ata kishin me vete Moisiun, i cili u jepte zemër me fjalë shprese dhe besimi; Biri i Perëndisë, i fshehur pas shtyllës së resë, u printe rrugën; dhe arka e shenjtë shoqëronte ushtrinë. Kjo ngjarje mbart një mësim për të gjithë ne. Perëndia i plotfuqishëm i Izraelit është Perëndia ynë sot. Ne mund të besojnë tek Ai, dhe në qoftë se i bindemi kritereve të Tij, Ai do të punojë për ne, në të njëjtën mënyrë siç ka bërë me popullin e Tij të lashtë. Të gjithë ata që kërkojnë të ndjekin rrugën e bindjes ndaj Perëndisë do të sulmohen here pas here nga dyshimet dhe mosbesimi. Shpesh, udha e jetës do të jetë e mbushur me pengesa të larta, në dukje të pakapërcyeshme, të cilat pa dyshim do t’i dëshpërojnë ata që do t’i dorëzohen menjëherë dekurajimit; por Perëndia u thotë këtyre njerëzve: Ec përpara! Kryeje detyrën që të është ngarkuar me çdo kosto! Vështirësitë që të duken aq të tmerrshme, që ta mbushin zemrën me frikë, kanë për t’u zhdukur në çastin kur ti ecën përpara drejt udhës së bindjes, duke e besuar me përulësi Perëndinë. PPAlb 338.4