PATRIARKË DHE PROFETË

39/74

38—“UDHËTIMI PËRQARK EDOMIT’’

*****

Vendfushimi i Izraelit në Kadesh ndodhej në një distancë shumë të afërt me kufinjtë e Edomit, dhe si Moisiu ashtu edhe populli dëshironin shumë që të ndiqnin rrugën më të shkurtër për në Tokën e Premtuar, që nënkuptonte se do të udhëtonin mes për mes Edomit. Kështu, në përputhje me porosinë e Perëndisë, ata i dërguan një mesazh mbretit të Edomit: 26 PPAlb 325.1

“Kështu thotë Izraeli, vëllai yt: Ti i njeh të gjitha fatkeqësitë që kemi pësuar, se si etërit tanë zbritën në Egjipt dhe si qëndruam për një kohë të gjatë në atë vend, dhe si egjiptasit na keqtrajtuan ne dhe etërit tanë. Por, kur ne i thirrëm Zotit, Ai e dëgjoi zërin tonë dhe na dërgoi një Engjëll dhe na nxorri prej Egjiptit; dhe tani ndodhemi në Kadesh, një qytet në afërsi të kufijve tuaj. Të lutem të na lejosh të kalojmë nëpër vendin tënd; ne nuk do të shkelim as arat as vreshtat tuaja, nuk do të pijmë ujin e puseve; do të ndjekim rrugën mbretërore, pa u kthyer as djathtas as majtas, deri sa të kemi kaluar kufijtë e tu. -Numrat 20:14-17. PPAlb 325.2

Por kjo kërkesë e hijshme dhe e sjellshme mori si përgjigje një refuzim kërcënues: “Nuk ke për të kaluar nëpër territorin tim, përndryshe do të të kundërvihem me shpatë.” - Numrat 20:18. PPAlb 325.3

Të shtangur nga kjo përgjigje, udhëheqësit e Izraelit i dërguan një letër të dytë mbretit të Edomit, me premtimin se “do të ngjitemi nga rruga kryesore; dhe në rast se ne dhe bagëtia jonë do të pimë nga uji yt, do të ta paguajmë; na lejo vetëm të kalojmë më këmbë dhe asgjë më tepër.” - Vargu 19. PPAlb 325.4

Por përgjigja ishte, “Nuk keni për të kaluar!” Ndërkohë, banda të armatosura edomitase ishin vendosur tek kalimet e vështira, gjë që e bënte të pamundur kalimin e qetë në ato anë. Nga ana tjetër, hebrenjve u ishte ndaluar përdorimi i forcës. Kështu, ata ishin të detyruar që të udhëtonin përqark territorit të Edomit. PPAlb 325.5

Në rast se populli do të kishte treguar besim tek Perëndia, kur u vu edhe një herë në provë, Kapiteni i engjëjve të Perëndisë do t’i kishte prirur rrugën përmes Edomit, dhe banorët e atij vendi do të dridheshin nga frika dhe jo anasjelltas. Në këtë mënyrë, edomitasit do të ishin sjellë si miq dhe jo si armiq me ta. Por izraelitët nuk vepruan në përputhje me fjalën e Perëndisë, dhe ndërsa ishin duke u ankuar e murmuritur, mundësia e artë kaloi. Kur më në fund ata ishin gati që të paraqitnin kërkesën ndaj mbretit, ajo iu hodh poshtë. Që kur ishin larguar nga Egjipti, Satani kishte qenë shumë i zënë me punë për të krijuar pengesa dhe tundime gjatë rrugës, me qëllim që ata të mos e trashëgonin Tokën e Premtuar. Dhe me anë të mosbesimit të tyre, ata e kishin hapur derën vazhdimisht për Satanin që ky i fundit t’u bënte rezistencë planeve të Perëndisë. PPAlb 325.6

Eshtë e rëndësishme që të besojmë fjalën e Perëndisë dhe të veprojmë në përputhje me të, ndërkohë që engjëjt e tij mezi presin të bashkëpunojnë me ne. Engjëjt e Satanit janë të gatshëm që t’i kundërvihen çdo hapi përpara që bëjmë. Dhe kur Perëndia siguron fëmijëet e Tij që të ecin përpara, kur Ai është mëse i gatshëm që të kryejë gjëra të mrekullueshme për ta, Satani i tundon ata që t’ia prishin kënaqësinë Zotit duke hezituar dhe duke u vonuar; ai përpiqet që të nxisë një frymë armiqësie dhe konflikti ose të shkaktojë murmuritje dhe mosbesim, në mënyrë që ata të mos i marrin bekimet që Perëndia ka përgatitur për ta. Shërbëtorët e Perëndisë duhet të jenë njerëz preçizë, gjithmonë të gatshëm që të nisen menjëherë kur Perëndia siguron hapjen e një rruge për ta. Çdo vonesë nga ana e tyre i jep kohë Satanit për të punuar për disfatën e tyre. PPAlb 326.1

Në udhëzimet që iu dhanë që në fillim Moisiut për sa i përket udhëtimit të tyre përmes Edomit, pasi kishte deklaruar se edomitët do të kishin frikë prej Izraelit, Zoti ua kishte ndaluar izraelitëve që ta përdornin këtë avantazh kundër tyre (edomitasve). Meqënëse fuqia e Perëndisë ishte e predispozuar për Izraelin, dhe tmerri i edomitasve do t’i bënte këta të fundit një prë e lehtë, hebrenjtë nuk u lejuan që t’i sulmonin ata. Urdhri që u ishte dhënë ishte, “Keni për të kaluar kufirin e pasardhësve të Esaut, vëllezërve tuaj, që banojnë në Seir; dhe ata do të kenë frikë nga ju; prandaj hapni sytë; mos i provokoni, sepse nuk do t’ju jap asgjë nga vendi i tyre, as aq sa mund të shkelë një këmbë, sepse malin e Seirit ia kam dhënë Esaut, si pronë të tij. - Ligji i Përtërirë 2:4, 5. Edomitët ishin pasardhës të Abrahamit dhe Isaakut, dhe për hatër të këtyre shërbëtorëve të Tij, Perëndia i kishte favorizuar pasardhësit e Esaut (që me kalimin e kohës morën emrin edomitë). Ai u kishte dhënë atyre malin Seir si pronë, dhe ata nuk do të bezdiseshin përveçse kur mëkatet e tyre të tejkalonin nivelin e mëshirës së Perëndisë. Hebrenjve u ishte dhënë urdhër që të shpronësonin dhe të shkatërronin krejtësisht banorët e Kanaanit, të cilët e kishin mbushur kupën e fëlliqësive të tyre; por edomitasit ishin ende nën provë, dhe për këtë arësye duheshin trajtuar me mëshirë. Perëndia gëzohet në mëshirën e Tij; Ai e manifeston dhembshuri përpara se të ekzekutojë ndëshkimet. Kështu, Ai e udhëzoi Izraelin që të mos e ngacmonte popullin e Edomit, përpara se të kërkonte prej tyre që të vrisnin banorët e Kanaanit. PPAlb 326.2

Paraardhësit e Edomit dhe Izraelit ishin vëllezër, dhe normalisht ndërmjet tyre duhet të ekzistonte një mirësjellje dhe mirësi vëllazërore. Izraelitëve u ishte ndaluar si atëherë, si në të ardhmen, që të hakmerreshin ndaj pengesës që iu bë prej edomitasve për të kaluar përmes territorit të tyre. Izraelitët nuk duhet të ushqenin asnjë iluzion se mund të pushtonin ndonjë pjesë të territorit që i ishte taksur edomitasve. Ndërkohë që izraelitët ishin populli i zgjedhur dhe i favorizuar i Perëndisë, ata duhet t’u përmbaheshin rreptësisht kufizimeve që Zoti kishte vendosur për ta. Perëndia u kishte premtuar atyre një trashëgimi të dlirë; por kjo nuk nënkuptonte se ata mund të pretendonin se vetëm ata kishin të drejta mbi tokë, dhe të përpiqeshin të shtynin tutje popujt e tjerë. Ata u porositën që gjatë marrëdhënieve të tyre me edomitët të mos u bënin atyre asnjë padrejtësi. Ata duhet të bënin tregti me ta, të blenin gjëra për të cilat kishin nevojë, dhe të paguanin me korrektësi për gjithçka që blinin prej tyre. Në formë inkurajimi për të besuar tek Perëndia dhe për t’iu bindur fjalës së Tij, izraelitëve iu kujtua se “Zoti, Perëndia yt, të ka bekuar në gjithë punën e duarve të tua; është kujdesur për udhëtimin tënd nëpër shkretëtirën e madhe. Zoti, Perëndia yt, ka qenë me ty gjatë këtyre dyzet viteve dhe asgjë nuk të ka munguar.” - Ligji i Përtërirë 2:7. Ata nuk ishin aspak të varur nga edomitët, sepse kishin një Perëndi që mund t’u siguronte gjithçka. Për rrjedhojë, izraelitët nuk kishin pse të merrnin asgjë që u përkiste edomitëve, qoftë me dhunë apo me dinakëri; por përgjatë marrëdhënies ndërmjet tyre ata duhet të vinin në praktikë parimin e ligjit hyjnor, “Duaje fqinjin (ose të afërmin) tënd porsi veten.” PPAlb 326.3

Në rast se ata do ta kishin përshkuar Edomin në këtë mënyrë, pra siç e kishte përcaktuar Perëndia, kalimi do të kishte qenë një bekim, jo vetëm për ta, por edhe për banorët e atij vendi; sepse do t’i kishte dhënë atyre një mundësi të mirë për t’u njohur me popullin e Perëndisë dhe adhurimin e Tij dhe të dëshmonin se si Perëndia i Jakobit u jepte begati atyre që e donin dhe i druheshin. Por e gjithë kjo u pengua nga mosbesimi i Izraelit. Perëndia u kishte dhënë atyre ujë në përgjigje të ankesave që kishin bërë, por nga ana tjetër e lejoi mosbesimin e tyre që të vazhdonte deri sa të merrte dënimin e merituar. Atyre do t’iu duhej edhe një herë që të merrnin rrugën e shkretëtirës dhe të shuanin etjen në burimin e krijuar mrekullisht nga Perëndia. Në rast se izraelitët do të kishin treguar besim tek Perëndia, nuk do të kishin patur më nevojë për ujërat e burimit. PPAlb 327.1

Duke qenë e tillë situata, turma e madhe e izraelitëve u detyrua që të merrte rrugën në drejtim të jugut përmbi një sipërfaqe djerrë e cila të kallte datën, aq më tepër kur e krahasoje me gjelbërimin që mund të vërehej mes kodrave dhe luginave të Edomit. Prej vargmalit që shtrihej përgjatë kësaj shkretëtire të zymtë, ngrihej Mali Hor, maja e të cilit do të shërbente si vendi ku do të vdiste dhe do të varrosej Aaroni. Kur izraelitët mbërritën në rrëzë të malit, Moisiut iu adresua urdhëri hyjnor i mëposhtëm: “Merr Aaronin dhe Eleazarin, birin e tij, dhe çoji lart, në malin e Horit. Zhvishe Aaronin nga rrobat e tij dhe vishja të birit, Eleazarit; dhe aty Aaroni do të bashkohet me popullin e tij, dhe do të vdesë atje.” - Numrat 20:25, 26. PPAlb 327.2

Së bashku, të dy pleqtë dhe i riu morrën rrugën për të ngjitur malin. Flokët e Moisiut dhe Aaronit ishin të bardhë me borën e njëqind e njëzet dimrave. Jeta e tyre e gjatë dhe plot aventura kishte hasur prova nga më të vështirat dhe nderë nga më të mëdhatë që i ishin dhënë ndonjëherë njerëzimit. Moisiu dhe Aaroni ishin burra me zotëzi të natyrshme, dhe fuqitë e tyre ishin zhvilluar më tej, ishin lartësuar dhe nderuar nga kuvendimi që kishin patur me Perëndinë që nuk njeh kufi. Jetët e tyre kishin kaluar duke bërë një punë modeste për Perëndinë dhe bashkëatdhetarët e tyre; çehrja e fytyrës së tyre tregonte qartë se ata zotëronin një forcë të madhe intelektuale, vendosmëri, fisnikëri, largpamësi dhe zemërgjerësi të madhe. PPAlb 327.3

Për dekada me rradhë, Moisiu dhe Aaroni kishin qëndruar krah më krah në punën e tyre të stërmundimshme. Së bashku ata u kishin bërë ballë dhjetëra rreziqeve, dhe për më tepër, së bashku kishin ndarë bekimet e posaçme të Perëndisë; por tashmë kishte ardhur koha që ata të ndaheshin nga njëri-tjetri. Ata ecnin shumë ngadalë, sepse çdo çast që ndanin në shoqërinë e njëri-tjetrit ishte i çmuar. Ngjitja e malit ishte e vështirë dhe e lodhshme; dhe ndërsa bënin pushime të shpeshta për t’u çlodhur, ata bisedonin me njëri-tjetrin për të shkuarën dhe të ardhmen. Përpara tyre, për aq sa të kapte syri, shtrihej në horizont një pjesë e madhe e shkretëtirës në të cilën ishin endur me vite të tëra. Në rrëzë të malit dukej vendfushimi i fiseve të popullit izraelit, për të cilin këta burra të zgjedhur kishin kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre; për mirëqënien e të cilit ata kishin treguar merakun më të madh, e kishin sakrifikuar aq shumë. Diku, përtej maleve të Edomit ishte rruga që të çonte për tek Toka e Premtuar—ajo tokë, bekimet e së cilës nuk do të shijoheshin as nga Moisiu dhe as nga Aaroni. Asnjë ndjenjë rebelimi nuk gjeti vend në zemrën e tyre, asnjë shprehje ankese nuk doli nga buzët e tyre; gjithsesi, një trishtim solemn kishte veshur çehrjet e tyre, ndërsa sollën ndërmend atë ngjarje që i kishte ndarë ata nga trashëgimia e etërve të tyre. PPAlb 327.4

Puna e Aaronit për Izraelin kishte përfunduar. Dyzet vjet më parë, në moshën tetëdhjetëetre vjeçare, Perëndia e kishte thirrur që t’i bashkohej Moisiut në atë mision madhështor e të rëndësishëm që i ishte caktuar.Ai kishte bashkëpunuar me të vëllain ndërsa i udhëhoqën fëmijët e Izraelit jashtë Egjiptit. Aaroni kishte mbajtur lart krahun e Moisiut, udhëheqësit të madh, kur ushtritë e Izraelit luftonin në betejë me amalekitët. Ai ishte lejuar që të ngjitej në Malin Sinai, t’i afrohej pranisë së shenjtë të Perëndisë, dhe të shikonte lavdinë hyjnore. Perëndia kishte taksur për familjen e Aaronit funksionin e priftërisë, dhe e kishte nderuar atë me caktimin e shenjtë të tij si kryeprift i popullit të Perëndisë. Zoti e kishte mbajtur në këtë pozitë të shenjtë me anë të manifestimeve të tmerrshme të ndëshkimit hyjnor kur shkatërroi komplotin e Koreut dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ishte Aaroni ai që me ndërmjetësimin që bëri tek Perëndia solli ndërprerjen e gjëmës. Kur dy bijtë e tij u vranë si pasojë e mospërfilljes së urdhërit të prerë të Perëndisë, Aaroni as nuk rebeloi, as nuk murmuriti. Megjithatë, jeta e tij fisnike kishte momente të padëshiruara. Aaroni kreu një mëkat të rëndë në momentin kur ai toleroi klithmat e njerëzve dhe kur bëri një viç të artë në rrëzë të Malit Sinai; dhe sërish, kur u bashkua me të motrën, Miriamin, dhe murmuritën plot xhelozi kundër Moisiut. Së fundmi, bashkë me Moisiun, ai kishte fyer Zotin në Kadesh, duke mos iu bindur urdhrit që iu dha për t’i folur shkëmbit që të gufonte ujë nga brendësia e tij. PPAlb 328.1

Synimi i Perëndisë për këta udhëheqës të mëdhenj ishte që ata të ishin përfaqësues të Krishtit. Aaroni mbante në kraharorin e tij emrat e fiseve të Izraelit. Ai u komunikonte njerëzve vullnetin e Perëndisë. Ai hynte në vendin më të shenjtë Ditën e Shlyerjes, “jo pa gjak,” si një ndërmjetësues për mbarë Izraelin. Ai kthehej nga ajo shërbesë për të bekuar asamblenë, ashtu si Krishti do të dalë për të bekuar të gjithë ata njerëz që presin deri sa të mbarojë shërbesa e tij e shlyerjes për hir të tyre. Ishte pikërisht karakteri i lartë i asaj pozitë të shenjtë të Aaronit si përfaqësues i Krishtit, Kryepriftit tonë të madh, që e bëri mëkatin e Aaronit në Kadesh shumë më të rëndë. PPAlb 328.2

Me një dëshpërim të thellë, Moisiu hoqi prej Aaronit veshjen e shenjtë, dhe ia veshi ato Eleazarit, i cili në këtë mënyrë u bë pasuesi i tij me anë të dekretit hyjnor.Për mëkatin që kishte kryer në Kadesh, Aaronit iu mohua privilegji i të qënurit kryeprift i Perëndisë në tokën e Kanaanit. Atij iu hoq mundësia për të ofruar flijimin e parë në atë tokë të bukur, pra, për të shenjtëruar trashëgiminë e Izraelit. Nga ana e tij, Moisiu duhet të vazhdonte edhe ca me drejtimin e popullit pranë kufinjve të Kanaanit. Ai do të vinte fare pranë Tokës së Premtuar, pra pati mundësinë ta shihte nga lart, por iu ndalua hyrja në të. Po qe se këta dy shërbëtorë të Perëndisë, kur qëndruan përpara shkëmbit në Kadesh, do ta kishin duruar pa murmuritur provën që u ishte paraqitur, e ardhmja e tyre mund të kishte qenë krejtësisht ndryshe.Një akt i gabuar nuk mund të zhbëhet kurrë. Mund të ndodhë që puna e një jete të tërë nuk do të arrijë dot të përtërijë atë që është humbur qoftë edhe në një moment të vetëm tundimi apo pakujesshëmërie. PPAlb 328.3

Mungesa nga kampi e dy udhëheqësve të mëdhenj, si dhe fakti që ata ishin të shoqëruar nga Eliazari, i cili, siç dihej mjaft mirë nga të gjithë, do të trashëgonte postin eAaronit, pra, funksionin e shenjtë të kryepriftit, shkaktoi një ndjenjë ankthi në vendfushim. Kthimi i tyre po pritej me shumë merak. Ndërsa njerëzit shikonin njëri-tjetrin, nëpër mbarë asamblenë e stërmadhe, ata vunë re se gati të gjithë të rriturit që ishin larguar nga Egjipti kishin vdekur në shkretëtirë. Të gjithë sikur parandjenin të keqenm, ndërkohë që kujtonin verdiktin e shpallur kundër Moisiut dhe Aaronit. Disa syresh e dinin mirë qëllimin e atij udhëtimi të mistershëm për në majën e Malit Hor, dhe shqetësimi e keqardhja e tyre për udhëheqësit u shtua nga kujtimet e dhimbshme dhe vetë-akuzimet. PPAlb 329.1

Më në fund, siluetat e Moisiut dhe Eleazarit po dalloheshin nga larg, duke zbritur anën e malit me ngadalë, por Aaroni nuk ishte më me ta. Veshjet e posaçme kryepriftërore i mbante Eleazari, duke treguar kështu se ai kishte trashëguar të atin në këtë funksion të shenjtë. Populli u mblodh rreth Moisiut me zemër të rënduar e të pikëlluar. Udhëheqësi u tregoi se Aaroni kishte vdekur në krahët e tij mbi Malin Hor, dhe se ata e kishin varrosur atë në të njëjtin vend. Tërë asambleja filloi të mbajë zi e vajtojë, sepse të gjithë e kishin dashur fort Aaronin, ndonëse shpesh i kishin shkaktuar dhimbje e brenga. “Mbarë shtëpia e Izraelit vajtoi për Aaronin për tridhjetë ditë.” - Numrat 20:29. PPAlb 329.2

Përsa i përket varrimit të kryepriftit të parë të Izraelit, Shkrimet e shenjta japin vetëm një shënim të shkurtër, “Atje Aaroni vdiq, dhe atje u varros.” - Ligji i Përtërirë 10:6. Ky varrim, i përcjellë më përputhje të plotë me urdhrin e drejtpërdrejtë të Perëndisë, bën një kontrast të jashtëzakonshëm me zakonet e ditëve tona për këto raste. Në kohërat moderne, shërbimet e funeralit për njerëz që kanë patur pozita të larta në shumicën e rasteve bëhen shfaqje ekstravagante, thjesht për t’u dukur. Kur vdiq Aaroni, njëri ndër njerëzit më të shquar që ka ketuar ndonjëherë në tokë, kishte vetëm dy nga të afërmit e tij më të ngushtë për të dëshmuar vdekjen e tij dhe të përkujdeseshin për varrimin. Për më tepër, ai varr fillikat mbi Malin Hor u fsheh një herë e përgjithmonë nga sytë e izraelitëve. Perëndia nuk nderohet nga zbukurimet e tepërta që shpesh bëhen mbi varre, si dhe nga shpenzimet e jashtëzakonshme që bëhen për të rikthyer trupat e njerëzve në dhë. PPAlb 329.3

Krejt asambleja qau e vajtoi për Aaronin, gjithsesi, askush nuk e vuajti mungesën e tij më shumë se Moisiu. Vdekja e Aaronit e detyronte vazhdimisht Moisiun të kujtohej se dhe jetës së tij po i afrohëj fundi; por ndonëse koha që i mbetej të ishte gjallë qe e shkurtër, ai e ndjeu thellësisht mungesën e shokut dhe bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë—të atij që kishte ndarë me të gëzimet dhe hidhërimet, shpresat dhe frikat, për kaq shumë vite. Moisiut do t’i duhej që të vazhdonte punën i vetëm; por në të njëjtën kohë, e dinte mirë se Perëndia ishte shoku i tij, dhe kjo e bëri që të mbështetej edhe më shumë tek Ai. PPAlb 329.4

Pak kohë pasi u larguan nga Mali Hor, izraelitët pësuan një disfatë në një përleshje me Aradin, njërit prej mbretërve kanaanitë. Por kur kërkuan me ngulmim ndihmë nga Perëndia, kjo ndihmë hyjnore iu dha, dhe armiqtë e tyre u smbrapsën. Kjo Fitore, në vend që të frymëzonte një ndjenjë mirënjohjeje, dhe t’i nxiste njerëzit që të mbështeteshin edhe më shumë tek Perëndia, i bëri ata mburracakë dhe me siguri të tepërt në vetvete. Pa hapur e mbyllur sytë, ata ia nisën prapë me vesin e vjetër të murmuritjes. Kësaj rradhe, ata ndiheshin të pakënaqur sepse ushtritë e Izraelit nuk ishin lejuar që të avanconin drejt Kanaanit menjëherë pas raportimit që u bë nga dymbëdhjetë informatorët, gati dyzet vjetë më parë. Kështu, ata e konsideronin udhëtimin e tyre të zgjatur në shkretëtirë si një vonesë e panevojshme, duke pandehur se ata mund t’i kishin mposhtur armiqtë po aq lehtësisht sa kësaj rradhe. PPAlb 330.1

Ndërsa vazhdonin udhëtimin drejt jugut (përqark Edomit), rruga i çoi në një luginë të thatë e të nxehtë që i përngjante shkretëtirës, me mungesë të plotë të bimësisë dhe të hijes. Rruga ishte e gjatë dhe e vështirë, dhe njerëzit filluan të vuanin nga etja dhe këputja që shkaktonte vapa e madhe. Edhe njëherë tjetër ata dështuan duke mos e duruar këtë provë tjetër që ishte bërë për besimin dhe durimin e tyre. Duke u përqëndruar vazhdimisht në pjesët e errëta të eksperiencës së tyre, ata u larguan gjithnjë e më shumë nga Perëndia. Ata e harruan faktin se po të mos kishte qenë për murmuritjet e tyre kur uji kishte shterruar në Kadesh, ata do t’i kishin rënë mes për mes Edomit dhe nuk do të ishin të detyruar t’i binin përqark. Sigurisht që Perëndia kishte planifikuar shumë më mirë për ta. Ç'është e vërteta, zemrat e tyre duhet të ishin mbushur me mirënjohje për Perëndinë, ngaqë kësaj rradhe Ai e kishte ndëshkuar shumë lehtë mëkatin e tyre. Por në vend që të bënin këtë, ata kandisnin vetveten duke pandehur se po të mos kishtin ndërhyrë Perëndia dhe Moisiu, ata do të kishin marrë zotërimin e Tokës së Premtuar me kohe e me vakt. Pra, pasi vetë i kishin prishur punë vetes, duke e bërë udhëtimin shumë më të vështirë se ç’e kishte planifikuar Perëndia, ata e akuzuan pikërisht Perëndinë për fatin e keq. Kështu, ata ushqenin ende në mendje ndjenja të këqija përsa i përket mënyrës se si Ai i kishte trajtuar, dhe më në fund, ata u treguan të pakënaqur për gjithçka. Egjipti iu dukej më i shndritshëm, dhe më i dëshirueshëm se sa liria dhe toka drejt së cilës po i drejtonte Perëndia. PPAlb 330.2

Për sa kohë që izraelitët ushqenin pikërisht këtë frymë pakënaqësie, ata ishin të predispozuar që të gjenin të meta edhe tek bekimet që iu ishin dhënë. “Populli, pra, foli kundër Perëndisë kundër Moisiut, duke thënë: ‘Pse na nxorët nga Egjipti që të vdesim në këtë shkretëtirë? Sepse këtu nuk ka as bukë as ujë, na vjen neveri për këtë bukë të lehtë’.” - Numrat 21:5. PPAlb 330.3

Me besnikërinë që e karakterizonte, Moisiu e ballafaqoi popullin për këtë mëkat të madh. Fuqia e Perëndisë kishte qenë ajo që i kishte mbajtur gjallë “nëpër këtë shkretëtirë të madhe dhe të tmerrshme, vend gjarprinjsh veprues dhe akrepash, tokë e thatë në të cilën nuk gjendej ujë.” - Ligji i Përtërirë 8:15. Mrekullia e mëshirës hyjnore kishte qenë e pranishme në çdo ditë të udhëtimit të tyre. Gjatë gjithë rrugës që ishin drejtuar nga Perëndia, ata kishin gjetur ujë për të shuar etjen, bukë nga qielli për të shuar urinë, si dhe paqe e siguri nën hijen e resë gjatë ditës dhe kolonës së zjarrtë gjatë natës. Engjëjt u kishin bërë shërbim ndërsa ngjitnin lartësitë e maleve, apo zvarriteshin nëpër rrugët gropa-gropa të shkretëtirës. Pavarësisht nga vështirësitë që kishin duruar, nuk ekzistonte qoftë edhe një i sëmurë në rradhët e tyre. Këmbët nuk u ishin ënjtur nga udhëtimet e gjata, dhe madje as rrobat nuk u ishin vjetëruar. Perëndia i kishte mbajtur larg tyre kafshët e egra grabitqare, si dhe zvarranikët helmues të pyllit dhe të shkretëtirës. Por pavarësisht nga mbrojta hyjnore, kjo dhuratë e dashurisë së Zotit, populli vazhdoi me ankesat e tij dhe detyrimisht, Zoti do ta tërhiqte mbrojtjen që u bënte deri sa ata t’i thirrnin mendjes dhe ta vlerësonin siç duhet përkujdesjen e Tij të mëshirshme, dhe të riktheheshin tek Ai me pendim dhe përunjësi. PPAlb 330.4

Ngaqë deri atëherë ata ishin mbrojtur nga fuqia hyjnore, izraelitët nuk i kishin menduar rreziqet e panumërta që i rrethonin vazhdimisht. Me një mosmirënjohje dhe mosbesim të pashembullt, ata kishin ndjellur vdekjen, dhe tani, Zoti e lejoi vdekjen të binte mbi ta. Gjarpërinjtë helmues që mbushnin shkretëtirën quheshin gjarpërinj flakërues, për shkak të pasojave të tmerrshme që shkaktonin kur pickonin. Shkurt, helmi shkaktonte një djegje të tmerrshme dhe vdekje të shpejtë. Kështu, pasi dora mbrojtëse e Perëndisë u largua nga Izraeli, një numër i madh njerëzish u sulmuan nga gjarpërinjtë helmues. PPAlb 331.1

Tmerri dhe rrëmuja tashmë kishte përfshirë mbarë vendfushimin. Në gati çdo çadër gjendeshin njerëz të vdekur ose që ishin duke vdekur. Askush nuk ndjente siguri. Shpesh, qetësia e natës prishej nga kujat që paralajmëronin viktima të reja. Të gjithë ishin të zënë ose duke u përpjekur të ndihmonin të afërmit, ose duke hapur sytë të terrorizuar për të mbrojtur ata që nuk ishin pickuar ende. Nga buzët e tyre nuk dilnin më murmuritje kundër Zotit dhe Moisiut. Në krahasim me atë që po vuanin kësaj rradhe, vështirësitë dhe provat e së shkuarës as që ia vlente t’i përmëndje. PPAlb 331.2

Më në fund, populli u përul përpara Perëndisë. “Kemi mëkatuar,” thanë ata, “sepse kemi folur kundër Zotit dhe kundër teje...” - Numrat 21:7a. Vetëm pak ditë më parë, ata e kishin akuzuar Moisiun si armikun më të lig që kishin patur, si shkaktarin e të gjitha vuajtjeve dhe fatkeqësive të tyre. Por edhe kur i kishin nxjerrë nga goja këto fjalë të liga, ata e dinin se këto akuza ishin të pavërteta; dhe sapo u krijua një situatë tmerri si kjo e tanishmja, ata shkuan me vrap tek Moisiu sepse e dini mjaft mirë që ai ishte i vetmi që mudn të ndërhynte tek Perëndia për ta. “Lutju Zotit,” filluan të qaheshin, “që të largojë nga ne këta gjarpërinj.” - Vargu 7b. Moisiu u urdhërua nga Perëndia që të bënte një gjarpër prej bronzi, që u përngjante gjarpërinjve të vërtetë, dhe ta ngrinte mes popullit. Kështu, të gjithë ata që ishin pickuar do të shëroheshin po të shihnin gjarprin prej bronzi. Moisiu bëri siç iu tha, dhe ky lajm i gëzueshëm u përhap anembanë vendfushimit, pra se të gjithë ata që ishin pickuar, mjafton të shihnin gjarprin e bronztë dhe kishin për të jetuar. Shumë njerëz kishin vdekur me kohë, dhe kur Moisiu e vuri gjarprin e bronxtë mbi një shtizë, disa nuk e besonin se do të shëroheshin po të shikonin atë shmëbëlltyrë metalike; dhe këta njerëz vdiqën për shkak të mosbesimit që treguan. Gjithsesi, të shumtë ishin ata që besuan në këtë masë mbrojtëse që kishte ndërmarrë Perëndia. Nëna, baballarë, motra e vëllezër ndodheshin të gjithë nën ankth dhe mundoheshin të ndihmonin miqtë e të afërmit që po dergjeshin nga pickimi i gjarpërinjve që të fiksonin sytë e tyrë të këputur tek gjarpri prej bronzi. Ndonëse këta njerëz ndodheshin pranë vdekjes, në qoftë se ia dilnin të shikonin vetëm një herë, ata kishin për t’u shëruar plotësisht. PPAlb 331.3

Populli e dinte fare mirë se gjarpri prej bronzi nuk zotëronte asnjë fuqi magjike në vetvete, që të bënte që ata të shëroheshin me ta parë atë. Fuqia e shërimit vinte vetëm nga Perëndia. Me mençurinë e tij të përsosur, Ai zgjodhi këtë mënyrë për të shfaqur fuqinë e Tij. Me anë të këtij instrumenti të thjeshtë, njerëzit u bënë që të kuptonin se kjo gjëmë kishte rënë mbi ta si pasojë e mëkateve që kishin kryer. Ata po ashtu u siguruan se po t’i bindeshin Perëndisë, nuk do të kishin arësye për të patur frikë, sepse Ai do t’i mbronte me siguri. PPAlb 332.1

Ngritja lart e gjarprit prej bronzi u bë për t’i dhënë Izraelit një mësim të rëndësishëm. Ata nuk mund të shpëtonin dot veten nga pickimi vdekjeprurës nga gjarpërinjtë helmues. Vetëm Perëndia ishte në gjendje t’i shëronte.Gjithsesi, atyre iu kërkua që të tregonin besim tek masa siguruese që Ai kishte përgaritur. Ata duhet të shikonin që të mbeteshin gjallë. Ishte besimi i tyre ai që u pranua nga Perëndia, dhe ky besim në këtë rast tregohej duke shikuar tek gjarpri prej bronzi. Ata e dinin mirë pra që gjarpri në vetvete nuk kishte asnjë veti shëruese, por ishte një simbol i Krishtit; dhe në fakt, domosdoshmëria e besimit tek meritat e Krishtit u bë e qartë për mendjet e tyre. Deri në këtë moment, shumë njerëz i kishin sjellë ofertat e tyre përpara Perëndisë, dhe ishin ndjerë se duke vepruar kështu, ata kishin bërë shlyerjen e nevojshme për mëkatet e tyre. Ata nuk mbështeteshin tek Shpëtimtari (Jezu Krishti) që do të vinte më vonë, për të cilin këto oferta shërbenin si pararendëse simbolike. Zoti do t’u mësonte që tani e tutje se flijimet (kurbanet) që bënte populli nuk kishin asnjë fuqi apo veti në vetvete, por, ashtu si edhe gjarpri prej bronzi, shërbenin për të drejtuar mendjet e tyre për nga Krishti, Qengji i Perëndisë, kurbani i madh për mëkatin. PPAlb 332.2

“Dhe ashtu si Moisiu e ngriti lart gjarprin në shkretëtirë,” kështu në fakt u ngrit lart Biri i njeriut [Krishti], “që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” - Gjoni 3:14, 15. Të gjithë ata që kanë jetuar në këtë planet e kanë ndjerë pickimin vdekjeprurës të atij “gjarpëri të lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan...” - Zbulesa 12:9a. Pasojat e tmerrshme të mëkatit mund të zhduken vetëm nga masa që ka ndërrmarë Perëndia. Izraelitët shpëtuan jetën duke shikuar gjarprin e ngritur mbi shtizë. Ai shikim nënkuptonte besim. Ata jetuan sepse treguan besim tek fjala e Perëndisë, duke besuar tek mjeti që Perëndia përdori për shërimin e plotë të tyre. Në të njëjtën mënyrë, mëkatarët duhet të shohin Krishtin, në se duan të kenë jetë. Ata e marrin faljen nëpërmjet besimit në flijimin shlyerës të Krishtit. Në dallim nga simboli prej metali dhe pa jetë, Krishti ka fuqi dhe veti në Vetvete për të shëruar mëkatarët që pendohen. PPAlb 332.3

Duke qenë se mëkatarët nuk mund të shpëtohen vetë, atyre u ngelet diçka për të bërë që të sigurojnë shpëtimin. Krishti thotë, “atë njeri që vjen tek Unë, kurrë nuk do ta nxjerr jashtë.” - Gjoni 6:37b. Por ne duhet të shkojmë tek Ai; dhe kur pendohemi për fajet tona, duhet të besojmë se Ai na pranon dhe na fal. Besimi është dhuratë e Perëndisë, por pushteti për ta ushtruar atë është i yni. Besimi është dora pas së cilës njeriu kapet për të marrë dhuratat hyjnore të hirit dhe mëshirës. PPAlb 332.4

Asgjë tjetër përveç virtytshmërisë së Krishtit nuk na kualifikon dot për të marrë të gjitha bekimet që vijnë nga besëlidhja e hirit. Shumë njerëz janë munduar për një kohë të gjatë që t’i fitojnë vetë këto bekime, por nuk i kanë marrë ato, sepse kanë ushqyer iluzionin në mendjet e tyre se janë vetë në gjendje për ta bërë këtë gjë dhe ndaj janë të denjë. Mjerisht, ata nuk e kanë larguar vëmendjen nga vetja, dhe nuk kanë besuar se Krishti është një Shpëtimtar i plotfuqishëm. Të mos na gënjejë mendja se meritat dhe virtytet tona do të na shpëtojnë nga mëkatet; shpresa jonë e vetme për shpëtim është Krishti. “Sepse në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.” - Veprat 4:12. PPAlb 333.1

Vetëm atëherë kur ne tregojmë besim të plotë tek Perëndia, atëherë kur ne mbështetemi tek meritat e Jezusit si Shpëtimtari që na fal mëkatet, kemi për të marrë të gjithë ndihmën që dëshirojmë. Askush të mos shohë tek vetja, a thua sikur kanë pushtetin për të shpëtuar veten. Jezusi dha jetën për ne sepse ishte e pamundur për ne që të shpëtoheshim vetë. Tek Krishti ne gjejmë shpresën, shfajësimin, virytshmërinë. Kur shohim fëlliqësinë e mëkateve tona, nuk kemi pse dëshpërohemi dhe të kemi frikë se nuk kemi Shpëtimtar, apo se Ai nuk mendon me mëshirë për ne. Pikërisht në këto çaste, Ai po na fton që të shkojmë tek Ai me pazotësinë tonë, dhe të shpëtohemi. PPAlb 333.2

Shumë prej izraelitëve e injoruan ndihmën që Perëndia i qiellit kishte caktuar për shërim. Duke qenë të rrethuar nga kufoma dhe njerëz që po vdisnin, ata e dinin fare mirë se pa ndihmën hyjnore fati i tyre ishte vulosur; por në mosbesim e sipër, ata preferuan të qaheshin për plagët që kishin marrë, për dhimbjen dhe për vdekjen e sigurt që i priste, derisa nuk u ngeli më forcë dhe iu veshën sytë, ndërkohë që mund të kishin patur shërim të menjëhershëm po të kishin denjuar të shikonin lart. Në qoftë se jemi të ndërgjegjshëm për nevojat tona, nuk duhet të harxhojmë të gjitha energjitë që disponojmë duke u qarë e u hidhëruar për to. Për sa kohë që ne e pranojmë se pa Krishtin, nuk jemi në gjendje ta ndihmojmë veten, nuk duhet aspak që të dekurajohemi e dëshpërohemi, por të mbështetemi tek meritat e Shpëtimtarit tonë që është kryqëzuar dhe është ringjallur. Shikoni dhe jetoni! Jezusi e ka dhënë besën e burrit — fjalën e Tij; Ai do t’i shpëtojë të gjithë ata që do të shkojnë tek Ai. Ndonëse miliona njerëz që kanë nevojë të shërohen kanë për ta refuzuar këtë ofertë mëshirplotë të Tijën, askush nga ata që do të besojnë në meritat e Tij nuk ka për t’u braktisur dhe përfunduar në shkatërrim. PPAlb 333.3

Të shumtë janë njerëzit që ngurrojnë ta pranojnë Krishtin pa iu bërë plotësisht i qartë krejt misteri i planit të shpëtimit. Ata e refuzojnë shikimin e besimit, ndonëse kanë vënë re se mijëra të tjerë kanë shikuar dhe e kanë ndjerë përfitimin e shikimit (të besimit) për tek kryqi i Jezu Krishtit. Shumë të tjerë enden në labirintet e filozofisë, në kërkim të arësyeve dhe evidencës që nuk kanë për t’i gjetur kurrë, ndërkohë që refuzojnë evidencën që Perëndia ka dhënë me pëlqimin e Tij. Ata refuzojnë të ecin nën dritën e Krishtit, Diellit të Virtytshmërisë (shih - Malakia 4:2), derisa t’u shpjegohet arësyeja se pse ai Diell ndriçon. Të gjithë atë që i mëshojnë kësaj rruge nuk kanë për t’ia dalë kurrë që të marrin njohurinë e së vërtetës. Perëndia nuk do t’i heqë arësyet që njerëzit gjejnë për të dyshuar. Përkundrazi, ai jep evidencë të mjaftueshme mbi të cilën mbështetet besimi; dhe në qoftë se kjo është e papranueshme, mendja e njerëzve mbetet në errësirë. Në qoftë se ata që u pickuan nga gjarpërinjtë helmues do të kishin ndalur dhe filluar të dyshonin dhe të vinin në pikëpyetje masën shpëtuese të Perëndisë, përpara se të binin dakort që të shikonin, do të kishin vdekur me kohë e me vakt. Kështu, është detyra jonë që, së pari, të shikojmë; dhe shikimi i besimit ka për të na dhënë jetë. PPAlb 333.4