PATRIARKË DHE PROFETË
34—“DYMBËDHJETË INFORMATORËT”
*****
Njëmbëdhjetë ditë pasi u larguan nga mali i Horebit, populli izraelit ndali për të kampuar në Kadesh, në shkretëtirën e Paranit, e cila ndodhej jo dhe aq larg Tokës së Premtuar. Në këtë vend u sugjerua nga populli që të dërgoheshin si informatorë që të inspektuar vendin. Kjo çështje u paraqit para Zotit prej Moisiut, dhe kështu u dha leja, shoqëruar me urdhrin që njëri prej udhëheqësve të secilit fis të zgjidhej për këtë mision. Burrat u zgjodhën sipas udhëzimit, dhe pastaj Moisiu u dha urdhër që të niseshin dhe të shqyrtonin vendin, çfarë vendi ishte, çfarë vendndodhjeje dhe avantazhe të natyrës kishte; gjithashtu të merrnin vesh se çfarë njerëzish jetonin në anën tjetër të kufirit, nëse ishin të fortë apo të dobët, të paktë apo të shumtë në numër; dhe gjithashtu të vinin re llojin e tokës bujqësore dhe pjellorinë e saj si dhe së fundmi, të sillnin disa mostra nga frutet që rriteshin në atë vend. PPAlb 296.1
Ata u nisën, dhe e inspektuan krejt vendin, duke hyrë nga kufiri jugor dhe vazhduar deri në pikën më veriore. Ata u kthyen pas një mungese prej dyzet ditësh. Ndërkohë, populli i Izraelit shpresonte për lajme sa më të mira, dhe mezi po priste për raportimin e informatorëve. Kur erdhi lajmi se informatorët ishin kthyer, lajmi u përhap me shpejtësi nga fisi në fis dhe u përoll me një entuziazëm të madh. Njerëzit dolën me nxitim nga çadrat që të takonin lajmëtarët, të cilët ia kishin dalë mbanë që të kalonin të gjitha rreziqet e atij udhëtimi të vështirë. Informatorët kishin sjellë edhe disa mostra frutash, të cilat dëshmonin pjellorinë e tokës bujqësore. Për koinçidencë qëlloi të ishte sezoni i vjeljes së rrushit, dhe kështu informatorët sollën me vete një shportë të stërmadhe me rrush e cila mbahej nga dy veta. Gjithashtu, ata sollën edhe fiq dhe kajsi, nga të cilat toka prodhonte me bollëk. PPAlb 296.2
Populli u ngazëllye shumë për arsyen se toka që kishin për të zotëruar në të ardhmen ishte pjellore, kështu që të gjithë dëgjonin me ëndje sepse nuk donin t’u shpëtonte asnjë fjalë pa dëgjuar nga raportimi që ndërkohë po bëhej përpara Moisiut. “Ne mbërritëm në vendin ku na dërgove,” nisën të flisnin informatorët, “dhe me të vërtetë aty rrjedh qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë të vjelat e tokës.” - Numrat 13:27. Populli u entuziazmua jashtë mase; ata tashmë ishin më se të gatshëm që t’i bindeshin zërit të Zotit, dhe të niseshin menjëherë për të pushtuar vendin. Por pasi përshkruan bukurinë dhe pjellorinë e tokës, dhjetë nga dymbëdhjetë informatorët filluan të flitnin me hollësi për vështirësitë dhe rreziqet që i pritnin izraelitët në rast se do të vendosnin të pushtonin vendin e Kanaanit. Ata shtjelluan në detaj rreth kombeve të fuqishme që banonin në pjesë të ndryshme të vendit, si dhe përmendën se qytetet ishin të mëdha dhe të rrethuar me mure mbrojtës, se njerëzit që banonin në këto qytete ishin të fortë, dhe se do të ishte e pamundur që të pushtoheshin. Ata gjithashtu raportuan se atje kishin parë edhe gjigandë, bijtë e Anakut, dhe se kështu, ishte e kotë të ëndërrohej zotërimi i këtij vendi. PPAlb 296.3
Skena tashmë ndryshoi krejtësisht. Shpresa dhe kurajoja ia lanë vendin dëshpërimit dhe frikës, ndërkohë që informatorët shprehnin opinionet e zemrave të tyre mosbesuese, të cilat ishin mbushur me një dekurajim të nxituar nga vetë Satani. Mosbesimi i tyre hodhi një hije të thellë pesimizmi dhe trishtimi mbi tërë asamblenë. Mjerisht, fuqia e jashtëzakonshme e Perëndisë, e cila ishte manifestuar aq shpesh për hir të kombit të zgjedhur të Tij, u harrua. Populli nuk denjoi të reflektonte; ata nuk e sollën ndërmend faktin se Ai Perëndi që i kishte sjellë sjellë deri aty, me siguri do t’ua jepte në dorë këtë vend; ata madje nuk kujtuan se sa mrekullisht ishin shpëtuar prej shtypësve nga Perëndia, se si Ai kishte bërë një rrugë për ta duke çarë detin më dysh dhe duke shkatërruar ushtritë e faraonit që i ndiqnin. Ata e lanë Perëndinë jashtë ekuacionit, dhe vepruan në një mënyrë të tillë sikur iu duhej të mbështeteshin vetëm në forcat e krahëve të tyre. PPAlb 297.1
Me mosbesimin e tyre, izraelitët kufizuan fuqinë e Perëndisë, si dhe treguan mungesën e besimit tek dora hyjnore e cila i kishte ruajtur e udhëhequr deri në ato çaste. Ndaj përsëritën edhe një herë avazin e vjetër, murmuritjet kundër Moisiut dhe Aaronit. “Ky, pra, është fundi i shpresave tona të mëdha,” thanë ata. “Kjo qenka toka për të cilën morëm gjithë atë rrugë prej Egjiptit për ta zaptuar.” Kështu, ata akuzuan udhëheqësit se e kishin mashtruan popullin dhe se kishin shkaktuar mundime të mëdha për Izraelin. PPAlb 297.2
Njerëzit arritën kulmin e dëshpërimit dhe zhgënjimit. Lindi një si valë agonie e cila u përzie shpejt me murmuritjet që vinin ngadokudo. Por Kalebi, duke e kapur mjaft mirë situatën, u ngrit me guxim përpara popullit në mbrojtje të fjalës së Perëndisë, dhe bëri të pamundurën që të kundërshtonte atë influencë të keqë që kishte shkaktuar raportimi i kolegëve të tij mosbesues. Për një çast, populli qëndroi pa folur dhe i dëgjoi fjalimin e Kalebit, fjalim ky shpresëdhëës dhe inkurajues në lidhje me tokën e Kanaanit. Ai nuk kontradiktoi me fjalët që ishin thënë më përpara; po, ishte e vërtetë se muret e qyteteve ishin të lartë, dhe se kannanitët ishin të fortë. Por Perëndia ia kishte premtuar këtë tokë Izraelit. “Le të ngjitemi menjëherë,” bëri thirrje Kalebi, “dhe ta pushtojmë vendin, sepse këtë mund ta bëjmë me siguri.” - Numrat 13:30. PPAlb 297.3
Por dhjetë informatorët, duke ia ndërprerë fjalën, filluan të përshkruanin pengesat me një fatalizëm edhe më të madh. “Nuk mund të sulemi dot kundër këtij populli,” thanë ata, “sepse është më i fortë se ne. Kështu i paraqitën një informacion të keq per vendin që kishin vëzhguar duke thënë: ‘... të gjithë njerëzit që kemi parë në të janë njerëz me shtat të lartë. Përveç kësaj aty pamë gjigantë (pasardhësit e Anakut rrjedhin nga gjigantët), përballë të cilëve na dukej vetja si karkaleca, dhe të tillë iu dukeshim atyre’.” - Numrat 13:31-33. PPAlb 297.4
Duke folur në këtë mënyrë kaq të gabuar, këta burra u sollën me arrogancë kundrejt Kalebit dhe Jozueut (dy informatorëve të tjerë), si dhe kundrejt Moisiut dhe Vetë Perëndisë. Sa më shumë që flitnin, aq më me shumë kokëfortësi mbronin tezën e tyre. Kështu, ata bënë ç'është e mundur për të dekurajuar çdo përpjekje të mundshme që mund të bëhej për të marrë në zotërim tokën e Kanaanit. Ata madje edhe shtrembëruan të vërtetën vetëm e vetëm që të gjenin mbështetje për influencën armiqësore që po ushtronin. “Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend që i ha banorët e tij,” pretendonin ata (- Vargu 32a). Ky lloj raportimi nuk ishte thjeshtë i lig, por në të njëjtën kohë krejtësisht i gënjeshtërt sepse përmbante detaje kontradiktore në vetvete. Informatorët kishin deklaruar në fillim se vendi ishte pjellor dhe i begatë. Në rast se atje banonin njerëz gjigandë, si ka mundësi atëherë që kjo gjë të ishte e vërtetë, ndërkohë që pretendonin se një klimë aq e papërshtatshme saqë të pretendohej se “vendi i ha banorët e tij”?! Por mjerisht, kur zemrat e njerëzve i hapin rrugën mosbesimit, ato në fakt dorëzohen nën kontrollin e Satanit, dhe pastaj askush nuk arrin dot ta përfytyrojë dot shkallën e manipulimit që kryhet. PPAlb 297.5
“Atëherë tërë asambleja ngriti zërin dhe filloi të bërtasë; dhe atë natë populli qau.” - Numrat 14:1. revolta dhe rebelimi i hapur nuk do të vononte; sepse tashmë Satani ishte në kontroll të plotë të situatës, dhe populli dukej krejtësisht i dalldisur. Ata shanë dhe fyen Moisiun dhe Aaronin, duke harruar se Perëndia po i dëgjonte fjalët e liga që thonin, dhe se, Engjëlli i pranisë së Perëndisë, i fshehur nga kolona e resë, ishte dëshmitar i këtij shpërthimi të tmerrshëm zemërimi. Të zemëruar keq, ata bërtitnin me të madhe, ” O Zot më mirë të kishim vdekur në vendin e Egjiptit ose të kishim vdekur në këtë shkretëtirë!” Pastaj, filluan të shanin edhe Perëndinë. ” ‘Përse vallë Zoti na solli në këtë vend, që të biem nga goditja e shpatave? Që gratë dhe fëmijët tanë do të bëhen pre e armikut? A nuk do të ishte më mirë për ne të ktheheshim në Egjipt?’ Dhe i thonin njëri tjetrit: ‘Të zgjedhim një komandant dhe të kthehemi në Egjipt’!” - Numrat 14:2-4. Në këtë mënyrë, ata akuzuan se jo vetëm Moisiu, por Vetë Perëndia ishte mashtrues, sepse u kishte premtuar një tokë të ciën nuk ishin dot në gjendje që ta zotëronin. Dhe arritën deri në atë pikë sa të zgjidhnin një komandant që t’i udhëhiqte mbrapsht për në Egjipt, në atë tokë të vuajtjes dhe robërisë, tokë nga e cila ata ishin shpëtuar aq mrekullisht nga krahu i gjithpushtetshëm hyjnor. PPAlb 298.1
Të poshtëruar e të dëshpëruar, “Moisiu dhe Aaroni ranë përmbys përpara tërë asamblesë së mbledhur të fëmijëve të Izraelit,” duke mos ditur se çfarë të bënin për t’i kthyer nga ky vendim kaq impulsiv dhe i nxituar. Kalebi dhe Jozueu u përpoqën ta shuanin trazirën. Pasi grisën rrobat si shenjë hidhërimi dhe indinjate, ata nxituan në drejtim të turmës, dhe zërat e tyrë të furishëm u dëgjuan përmbi zhurmës së vajtimeve dhe psherëtimave rebele: “Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend i mirë, shumë i mirë. Në qoftë se Zoti kënaqet me ne, atëherë do të na çojë në këtë vend dhe do të na japë neve, ‘një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë’. Vetëm mos ngrini krye kundër Zotit dhe mos kini frikë nga populli i vendit, sepse ai do të jetë ushqimi ynë; mbrojtja e tyre është larguar prej tyre dhe Zoti është me ne; mos kini frikë nga ata.” - Vargjet 7-9. PPAlb 298.2
Kanaanitët e kishin mbushur kupën e fëlliqësisë së tyre, ndaj Zoti nuk do të duronte gjatë me ta. Në rast se mbrojta hyjnore do të hiqej prej kanaanitëve, ata do të ishin një pré shumë e lehtë për izraelitët. Në bazë të besëlidhjes së Perëndisë, toka i ishte garantuar Izraelit. Por raportimi i gënjeshtërt që bënë informatorët mosbesues u pranua, dhe nëpërmjet tij u mashtrua mbarë populli. Tradhtarët e kishin bërë tashmë punën e tyre. Edhe në rast se vetëm dy veta do ta kishin përgatitur atë raportim famëkeq, dhe dhjetë të tjerët do t’a kishin inkurajuar popullin që ta zaptonin tokën në emër të Zotit, populli gjithsesi do të dëgjonte këshillën e dy të parëve dhe jo atë të dhjetë të dytëve, për shkak të mosbesimit të tyre të lig. Por mjerisht, vetëm dy prej tyre zgjodhën të drejtën, ndërsa dhjetë të tjerët zgjodhën të ishin në anën e rebelimit. PPAlb 298.3
Informatorët tradhtarë u kundërpërgjigjën me akuza të ashpra kundër Kalebit dhe Jozueut, si dhe bënë thirrje që ata të vriteshin me gurë. Njerëzit e turmës, tashmë të përpirë nga marrëzia, mblodhën menjëherë gurë me të cilët donin të vrisnin dy burrat besnikë. Kështu, filluan të shtyheshin përpara me klithma si të marrtë, kur papritur gurët u ranë nga dora. Të gjithë shtangën të tmerruar dhe filluan të dridheshin nga frika. Vetë Perëndia kishte ndërhyrë dhe kishte ndalur planin e vrasjes së Kalebit dhe Jozueut. Lavdia e pranisë së Perëndisë, si një dritë që nuk fashitet kurrë, ndriçoi tabernakullin. I gjithë populli kundroi sinjalin e Zotit. Askush nuk guxoi më që të bënte rezistencë; Një më i fuqishëm se ata, i plotfuqishmi Perëndi, ishte shfaqur sërish përpara të gjithëve. Dhjetë informatorët tradhtarë u pllakosën nga tmerri, dhe ia mbathën me vrap nëpër në çadra dhe mezi merrnin frymë. PPAlb 299.1
Pastaj Moisiu u ngrit dhe hyri në tabernakull. Zoti i deklaroi, “Deri kur do të më përçmojë ky popull? Dhe deri kur do të refuzojnë të besojnë pas gjithë atyre mrekullive që kam bërë në mes të tyre? Unë do ta godas me murtajë dhe do ta shkatërroj, por do të bëj prej teje një komb më të madh dhe më të fuqishëm...” - Vargjet 11, 12. Por edhe një herë tjetër, Moisiu ndërhyri për hir të popullit. Ai nuk mund të jepte dot leje që populli të shkatërrohej, kurse për vete të bëhej kreu i një populli të ri të zgjedhur. Duke i bërë apel mëshirës së Zotit, Moisiu tha: “Por tani, të lutem, le të shfaqet fuqia e Zotit tim në madhështinë e saj, ashtu si fole duke thënë: ‘Zoti është i ngadaltë në zemërim dhe i madh në mëshirë; ai fal padrejtësinë dhe mëkatin, por nuk lë pa ndëshkuar fajtorin...’ Fale paudhësinë e këtij populli, me madhështinë e mëshirës Tënde, ashtu siç e ke falur këtë popull nga Egjipti deri këtu.” - Vargjet 17-19. PPAlb 299.2
Zoti dha fjalën se do ta kursente Izraelin nga shkatërrimi i menjëhershëm; por për shkak të pabesisë dhe fatalizmit që kishin treguar, Ai nuk kishte për të manifestuar forcën e Tij që t’i ndihmonte për të mposhtur armiqtë. Për rrjedhojë, me mëshirën që e karakterizon përherë, Zoti u dha leje që të ktheheshin mbrapsht drejt Detit të Kuq, si i vetmi opcion i sugurt për ta. PPAlb 299.3
Në valën e zemërimit dhe rebelimit, populli kishte britur, “O Zot, më mirë të kishim vdekur ... në këtë shkretëtirë!” Tashmë, kjo lutje që kishin bërë do t’iu garantohej. Zoti deklaroi, “Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, unë do t’ju bëj atë që kam dëgjuar prej jush. Kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë; ju të gjithë që jeni regjistruar, nga mosha njëzet vjeç e lart, dhe që keni murmuritur kundër Meje. Nuk keni për të hyrë në asnjë mënyrë në vendin ku u betova se do të banonit, me përjashtim të Kalebit ... dhe të Jozueut... Të vegjlit tuaj përkundrazi, për të cilët ju thatë se kishin për t’u bërë prë e armiqve tuaj, ata kam për t’i futur; dhe ata kanë për ta njohur vendin që ju keni përçmuar.” - Vargjet 28-31. Ndërsa për sa i përket Kalebit, Zoti tha, “por shërbëtorin tim Kaleb, duke qenë se veproi i shtyrë nga një frymë tjetër e më ka ndjekur plotësisht, unë kam për ta futur në vendin ku ka shkuar; dhe pasardhësit e tij do ta zotërojnë atë.” - Vargu 24. Meqënëse infromatorëve u ishin dashur dyzet ditë për misionin e tyre zbulues, Izraelit do t’i duhej të endej për dyzet vjet në shkretëtirë, një vit për një ditë. PPAlb 299.4
Kur Moisiu ia bëri të ditur popullit këtë vendim hyjnor, zemërimi i tyre u shndërrua në hidhërim e vajtim. Ata e dinin fare mirë se dënimi i Zotit ishte i drejtë. Dhjetë informatorët tradhtarë u goditën nga një murtajë, dhe vdiqën përpara syve të gjithë Izraelit; dhe tek fati u tyre populli pa për vete se çfarë e priste. PPAlb 300.1
Tashmë u duk sikur po pendoheshin me sinqeritet për sjelljen fajtore që kishin kryer; por në fakt ata u hidhëruan për pasojat që do të vinin prej gjërave të liga që kishin bërë, dhe jo sepse ishin sjellë si harbutë dhe të çthurrur. Kur morën vesh se Zoti nuk do të bënte lëshime në dekretin e Tij, ata iu rikthyen vullnetit të tyre duke deklaruar se nuk kishin për t’u kthyer në shkretëtirë. Por me dhënien e urdhrit për t’u larguar nga toka armike, Perëndia në fakt e vuri në provë besnikërinë e tyre, dhe mjerisht doli se kjo e fundit nuk ishte e vërtetë. Izraelitët e dinin fare mirë se kishin mëkatuar mjaft rëndë kur e kishin lejuar veten që të kontrollohej nga zemërimi si dhe kur kishin synuar të vritnin ata dy informatorë të cilët u kishin bërë thirrje që t’i bindeshin Zotit; por ata u tmerruan kur morën vesh se kishin bërë një gabim të tmerrshëm, pasojat e të cilit do të ishin fatale për të gjithë ata. Pra, zemrat e tyre nuk ndryshuan. Ata thjesht po kërkonin një shkak për të kryer një revoltë të ngjashme me atë që ndodhi. Kjo u duk qartë kur Moisiu, duke folur me autoritetin e Perëndisë, u dha urdhër që të ktheheshin mbrapsht drejt shkretëtirës. PPAlb 300.2
Vendimi hyjnor që Izraeli nuk do të hynte në tokën e Kanaanit për dyzet vjet shkaktoi një zhgënjim të thellë tek Moisiu dhe Aaroni, Kalebi dhe Jozueu; megjithatë, ata e pranuan këtë vendim pa bërë asnjë ankesë. Por ata që ishin ankuar për mënyrën se si ishin trajtuar nga Perëndia, dhe që kishin deklaruar se donin të ktheheshin në Egjipt, qanë e vajtuan me të madhe kur ato bekime që ata deri në atë çast ata i kishin përçmuar, u morën prej tyre. Ata ishin ankuar për hiç gjë, dhe tashmë Perëndia u dha atyre një shkak për të qarë; por në fakt ata hidhëroheshin për shkak të ndëshkimit; dhimbja e tyre nuk ishte aspak pendesë, dhe duke qenë e tillë, nuk mund të siguronte dot anullimin e dënimit që kishin marrë. PPAlb 300.3
Nata kaloi me të qara e vajtime, por mëngjesi sikur zgjoi shpresa. Njerëzit e mblodhën veten dhe e hodhën tej frikën e fatalizmin. Kur Perëndia u kishte bërë thirrje që të niseshin e të zaptonin Tokën e Premtuar, ata kishin refuzuar; ndërsa tani, kur Perëndia u kishte dhënë urdhër që të tërhiqeshin, ata u treguan po aq rebelë e të pabindur. Ata synonin që ta zaptonin dhe ta zotëronin tokën; kush e di, mendonin, ndoshta Perëndia do ta pranonte punën e tyre dhe do ta ndryshonte verdiktin që kishte shpallur për ta. PPAlb 300.4
Në të vërtetë, Perëndia e kishte caktuar hyrjen për në Token e Premtuar, në kohën e caktuar prej Tij, si privilegj dhe detyrë për izraelitët; por kjo leje tashmë ishte refuzuar si pasojë e neglizhimit të vullnetshëm e të njëanshëm nga ana e tyre. Kështu, Satani realizoi objektivin e tij, pra, duke i penguar ata që të hynin në tokën e Kanaanit; ndërsa tani ai po i stiste që, pavarësisht vendimit hyjnor, ata të bënin pikërisht të njëjtën gjë që ata kishin refuzuar kur Perëndia ua kishte kërkuar ta bënin. Në këtë mënyrë, Satani, ky mashtrues i madh korri një fitore duke i çuar ata drejt revoltës për herë të dytë.Ata kishn treguar mosbesim të plotë ndaj fuqisë së Perëndisë, e cila, e kombinuar me përpjekjet e tyre kishte për të garantuar zaptimin e tokës së Kanaanit nga ana e tyre; megjithatë, tani ata donin të mbështeteshin vetëm në forcat e veta, pra pa ndihmën hyjnore, që ta arrinin këtë qëllim. “Kemi mëkatuar kundër Zotit,” thirrën ata; “do të ngjitemi dhe do të luftojmë pikërisht ashtu si ka thënë Zoti, Perëndia ynë.” - Ligjii Përtërirë 1:41. Shkeljet e njëpasnjëshme i kishin verbuar plotësisht. Zoti nuk i kishte urdhëruar kurrë që “të ngjiteshin dhe të luftonin.” Nuk ishte aspak synimi i Tij që ata ta merrnin Tokën e Premtuar duke bërë luftë. Përkundrazi, ata do ta arrinin këtë qëllim vetëm po t’u përmbaheshin plotësisht urdhërimeve të Tij. PPAlb 300.5
Ndonëse zemrat e tyre kishin mbetur të pandryshuara, izraelitët ishin detyruar që të rrëfenin fajësinë dhe marrëzinë e revoltës që kishin ndërmarrë pas raportimit të informatorëve. Vetëm tani ata e çmuan vlerën e bekimit hyjnor të cilin e kishin hedhur poshtë me nxitim dhe papërgjegjshmëri. Ata e pranuan se ishte për shkak të mosbesimit nga ana e tyre që ishin lënë jashtë tokës së Kanaanit. “Kemi mëkatuar,” thanë ata, duke e pranuar botërisht se fajin e kishin vetë, dhe nuk e kishte Perëndia, të cilin ata e kishin akuzuar ligësisht se gjoja nuk po i realizonte premtimet që u kishte bërë. Ndonëse rrëfimi nga ana e tyre nuk buroi nga një pendesë e vërtetë, shërbeu si shpagim i drejtësisë së Perëndisë në raportin që Ai kishte me ta. PPAlb 301.1
Edhe sot Zoti punon në një mënyrë të ngjashme për të përlëvduar emrin e Tij kur bën që njerëzit të pranojnë drejtësinë e Tij. Kur ata njerëz që pretendojnë se e duan Zotin ankohen për gjërat që Ai ka siguruar, përçmojnë premtimet e Tij, dhe, duke i hapur rrugë mëkatit, bashkohen në kauzën e engjëve të këqinj për të mposhtur vullnetin e Perëndisë, Zoti shpesh ndryshon rrethanat me qëllim që t’i sjellë këta njerëz në një pozitë të tillë që, ndonëse atyre mund t’u mungojë plotësisht ndjenja e pendesës, ata të binden për fajin që kanë kryer dhe të detyrohen që të pranojnë haptazi paudhësinë dhe ligësinë e rrugës së tyre, por gjithashtu edhe drejtësinë e mirësinë e Perëndisë në raportin që Ai ka me ta. Në këtë mënyrë, Perëndia demaskon veprat e errësirës, duke e bërë të ditur qëndrimin e Tij. Ndonëse ajo frymë që në këtë rast nxiti ndjekjen e një rruge të mbrapshtë nuk ndryshohet rrënjësisht, arrihen të bëhen rrëfime të cilat shpagojnë nderin e Perëndisë si dhe justifikojnë avokatët e Tij besnikë, të cilët janë kundërshtuar e keqparaqitur. Kështu ka për të ndodhur kur zemërimi i Perëndisë ka për t’u derdhur mbi tokë. Kur Zoti do të vijë “me dhjetëra mijërat e tij të shenjtë, për të bërë gjyqin ndaj të gjithëve,” Ai gjithashtu do të bindë “të gjithë të pabesët në mes tyre për të gjitha veprat e paudhësisë dhe për të gjitha fjalët fyese që mëkatarët e pabesë kanë folur kundër Tij.” - Judës 14, 15. Të gjithë mëkatarët do të detyrohen që të shohin e pranojnë drejtësinë e ndëshkimit të Perëndisë. PPAlb 301.2
Pavarësisht dënimit ndëshkues nga ana e Perëndisë, izraelitët filluan përgatitjet për të pushtuar me forcë tokën e Kanaanit. Të pajisur me mburoja e armatim luftarak, ata, duke i bërë vetë llogaritë, mendonin se ishin plotësisht të përgatitur për konflikt të armatosur; por në të vërtetë, në sytë e Zotit dhe shërbëtorëve të Tij të pikëlluar, ata ishin të mangët dhe të dobët. Gati pas dyzet vjetëve, kur Zoti i dha urdhër Izraelit që të ngjitej e të merrte në zotërim Jerikon, Ai kësaj rradhë u kishte premtuar se do të ngjitej me ta. Arka që mban ligjin e Tij transportohej përpara ushtrive të tyre. Udhëheqësit e caktuar prej Tij do të drejtonin lëvizjet e tyre, nën mbikqyrjen hyjnore. Me një udhërrëfim të tillë, ata nuk do t’i gjente asnjë e keqe. Por tani, në kundërshtim të hapur me urdhrin e Perëndisë dhe me ndalimin solemn nga ana e udhëheqësve, ata u ngjitën që të përballën me ushtritë armike, pa arkën e shenjtë, dhe pa Moisiun. PPAlb 301.3
Boria dha sinjal alarmi, dhe Moisiu nxitoi të shkonte pas tyre me një paralajmërim, “Përse e shkelni urdhrin e Zotit? Nuk ka për t’ju dalë mbarë. Mos u ngjitni, sepse do t’ju mundin armiqtë tuaj, Zoti nuk është në mes jush. Para jush në fakt ndodhen Amalekitët dhe Kaananitët, dhe ju do të rrëzoheni nga shpatat e tyre; sepse jeni larguar nga rruga e Zotit...” - Numrat 14:41-43. PPAlb 302.1
Kaananitët kishin dëgjuar për fuqinë misterioze që dukes se e kishte mbrojtur këtë popull (izraelitët), si dhe për mrekullitë që ishin bërë për hir të tij. Për rrjedhojë, ata bërkatitën një ushtri të madhe dhe të armatosur mirë për t’u bërë ballë pushtuesve. Ushtria izraelite nuk kishte komandant. Asnjë lutje nuk iu bë Perëndisë që ku i fundit t’u jepte fitore. Ata u ngjitën me dëshpërim duke synuar që ose të ndryshonin fatin e tyre, ose të vriteshin në betejë. Ndoënse të pastërvitur për artin luftarak, ata ishin gjithsesi një turmë të madhe burrash të armatosur, dhe shpresonin se pas një sulmi të befasishëm dhe të shpejtë, do ta shpartallonin ushtrinë armike. Kështu, ata u hodhën në sulm plot arrogancë kundër një armiku që nuk kishte denjuar që t’i sulmonte. PPAlb 302.2
Kaananitët ishin vendosur mbi një pllajë shkëmbore e cila mund të arrihej vetëm nëpërmjet disa shtigjeve mjaft të vështirë të cilët ishin shumë rrezikshëm e të pjerrët për t’u ngjitur. Në këtë situatë, numri i madh i hebrenjve vetëm sa ua bëri disfatën më të tmerrshme. Ata ngjiteshin me ngadalë në shtigjet e malit, plotësisht të ekspozuar ndaj shigjetave vdekjeprurëse të armikut që e priste lart. Përveç shigjetave, mbi izraelitët ranë gurë të mëdhenj dhe copa shkëmbinjsh, duke gjakosur çdo shteg në të cilin ata përpiqeshin të ngjiteshin. Ata izraelitë të paktë që arritën të ngjiteshin lart në mal, duke qenë të rraskapitur nga ngjitja, u shpartalluan lehtësisht dhe kështu pësuan humbje të konsiderueshme. Lugina poshtë malit u mbush plot me kufoma. Ushtria e Izraelit pësoi një disfatë të plotë. Pasojat e vetme të atij eksperimenti famëkeq ishin shkatërrimi dhe vdekja. PPAlb 302.3
Më në fund, pasi u detyruan të tërhiqeshin, ata që mbijetuan, u kthyen dhe filluan të qajnë përpara Zotit; por Zoti nuk mori parasysh ankimet e tyre dhe nuk i dëgjoi. - Shih Ligji i Përtërirë 1:45. Nëpërmjet kësaj fitoreje të rëndësishme, armiqtë e Izraelit, të cilët më parë e kishin parë duke u dridhur afrimin e asaj turmë të stërmadhe, morën zemër që t’i bënin një rezistencë edhe më të madhe atyre. Për më tepër, të gjitha ato histori që ata kishin dëgjuar për sa i përket mrekullive që Perëndia kishte kryer për popullin e Tij tashmë u konsideruan si përralla, dhe kështu, ata ndjeheshin se nuk kishin asnjë shkak për të patur frikë. Ajo disfatë e parë e Izraelit i frymëzoi kanaanitët dhe u dha atyre kurajo dhe vendosmëri. Kështu, disfata e kishte rritur ndjeshëm vështirësinë e pushtimit. Për Izraelin nuk kishte ngelur asnjë opsion tjetër, përveç se t’ia mbathnin nga armiqtë e tyre fitimtarë për në shkretëtirë, duke e ditur fare mirë se ky vend do të ishte vendvarrimi i një brezi të tërë njerëzish. PPAlb 302.4