PATRIARKË DHE PROFETË

34/74

33—“PREJ SINAIT NË KADESH”

*****

Ndërtimi i tabernakullit nuk filloi me mbërritjen e Izraelit në malin Sinai por pak më vonë; kjo strukturë e shenjtë u krijua në fillim të vitit të dytë pas Eksodit. Pasi ndërtimi përfundoi, i erdhi rradha shenjtërimit të priftërinjve, dhe më pas festimit të Pashkës, rregjistrimit të popullsisë, si dhe përfundimit të masave të ndryshme administrative të cilat ishin të domosdoshme pët mbarëvajtjen e sistemit civil dhe religjioz. Kjo bëri që Izraeli të bënte kampim pranë malit për mëse një vit. Në këtë vend, adhurimi i hebrenjve mori një formë më të përcaktuar; ishin përpiluar ligje për qeverisjen e drejtimin e kombit, si dhe ishte kryer një organizim më efikas të punës parapërgatitore që nevojitej përpara hyrjes së tyre në tokën e Kanaanit, pra, në Tokën e Premtuar. 23 PPAlb 285.1

Qeverisja e Izraelit karakterizohej nga një organizim i gjithanshëm, i mrekullueshëm si për tërësinë ashtu edhe për thjeshtësinë e tij. Kudo spikaste një rregullsi e përsosur. Kjo rregullsi që përkonte me veprimtarinë e përsosur krijuese të Perëndisë ndikoi veçse për të mirë për kombin hebre. Perëndia ishte qendra e autoritetit dhe e qeverisjes, sovrani i Izraelit. Moisiu qëndronte si udhëheqësi i dukshëm, i mandatuar nga Perëndia, për të administruar ligjet në emër të Tij. Më pas, u krijua një këshill prej shtatëdhjetë vetësh i përbërë nga kryetarët e pleqësive të fiseve. Ky këshill (që ngjasonte me një parlament), u zgjodh për të ndihmuar Moisiun në çështjet e përgjithshme kombëtare. Pastaj vinin priftërinjtë, të cilët këshilloheshin me Zotin në shenjtërore. Shefat, ose ndryshe, prijësit, udhëhiqnin fiset. Nën këta vinin “prijës të mijërave, të qindrave të pesëdhjetëve, të dhjetrave,” dhe së fundmi zyrtarë që mund të caktoheëshin për çështje të ndryshme. - Ligji i Përtërirë 1:15. PPAlb 285.2

Vendfushimi i hebrenjve ishte organizuar ne mënyrë të përsosur. Ai ishte ndarë në tre nëndarje të mëdha, sipërfaqja e të cilave ishte e piketuar qartë në vendfushim. Në qendër ndodhej tabernakulli (shenjtërorja), vendbanimi i Mbretit të Padukshëm të Izraelit. Rreth shenjtërores ndodheshin kapanonet e priftërinjve dhe të levitëve. Përtej tyre kishin ngritur vendfushim fiset e tjera. PPAlb 285.3

Levitëve iu caktua për detyrë mirëmbajtja e shenjtërores, si dhe të gjitha sendet që i përkitnin kësaj ndërtese të shenjtë, si në vendpushim ashtu edhe në lëvizje. Kur merrnin udhën përpara, vetëm Levitët mund ta çmontonin çadrën e shenjtë; ndërkohë që në rast ndalese, vetëm ata mund të bënin montimin. Asnjë njeri nga fiset e tjera nuk lejohej që të afrohej pranë, ndryshe e priste vdekja. Levitët ishin ndarë në tre nëndarje, sipas pasardhësve të tre djemve të Levit (Kohathi, Merari dhe Gershoni), dhe secilit iu caktua përgjegjësi dhe detyra të posaçme. Përpara tabernakullit, dhe pothuajse ngjitur me të, ndodheshin çadrat e Moisiut dhe Aaronit. Në jug ishin Kohathitët, detyra e të cilëve ishte të kujdeseshin për arkën dhe për orenditë e tjera të shenjta; në veri Meraritët, të cilit ishin përgjegjës për kolonat, bazat prej argjendi, dërrasat, etj.; ndërsa prapa Gershonitët, të cilëve iu besua mirëmbajtja e perdeve dhe vellove. PPAlb 285.4

Gjithashtu, vendndodhja e secilit fis ishte e mirë-përcaktuar. Secili duhet të marshonte si dhe të ngrinte vendpushim nën flamurin e fisit, ashtu siç kishte urdhëruar Zoti: Secili burrën nga fëmijët e Izraelit do të vendoset pranë flamurit të vet nën shenjat e shtëpisë së etërve të tyre; do të vendosen rreth e rrotull çadrës së mbledhjes, por në një farë largësie prej saj... Pastaj... do ta fillojnë marshimin në po atë rend të sistemimit të tyre, duke qëndruar secili në vendin e tij, pranë flamurit të vet.” - Numrat 2:2, 17b. Turmës e përzier që kishte shoqëruar Izraelin prej Egjiptit nuk iu lejua që të ngrinte çadrat pranë vendit ku ndodheshin fiset e Izraelit, por i duhej që të banonte jashtë vendfushimit; kurse pasardhësit e tyre do të mbaheshin të përjashtuar nga bashkësia deri në brezin e tretë. - Ligji i Përtërirë 23:7, 8. PPAlb 286.1

Nëpër të gjithë vendfushimin si dhe rrethinat e tij vihej re një pastërti e pashembullt dhe një rregull strikt. Rregullore të rrepta sanitare ishin të përcaktuara në legjislacion. Ai person që ishte i papastër, pavarësisht nga shkaku, nuk lejohej të hynte në vendfushim. Këto masa ishin të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit të asaj turme të stërmadhe; dhe gjithashtu, ishte e domosdoshme që kudo të mbizotëronte një rend dhe një pastërti e përsosur, në mënyrë që Izraeli të shijonte praninë e një Perëndie të shenjtë. Kështu, Zoti deklaroi: “Por Zoti, Perëndia yt, ecën në mes të kampit tënd që të të bëjë të lirë dhe që të të japë në dorë armiqtë e tu; prandaj kampi yt do të jetë i shenjtë.” - Ligji i Përtërirë 23:14. PPAlb 286.2

Në të gjitha ecejaket e Izraelit, “arka e besëlidhjes së Zotit shkonte para tyre... për të gjetur një vend ku ata të pushonin.” - Numrat 10:33. E transportuar nga bijtë e Kohathut, arka e shenjtë që kishte brenda ligjin e shenjtë të Perëndisë i takonte që të printe karavanin. Përpara saj ecnin Moisiu dhe Aaroni; ndërsa priftërinjtë, duke mbajtur bori prej argjendi, rreshtoheshin menjëherë pas tyre. Këta priftërinj merrnin urdhëra nga Moisiu, urdhra të cilat ata iu komunikonin popullit me anë të borive. Isthe detyra e udhëheqësit të çdo kompanie që të jepte të dhëna të sakta për sa i përket çdo lloji lëvizjeje që bëhej, siç udhëzohej nga boritë. Ai person që nuk begeniste t’u përmbahej urdhrave që jepeshin dënohej me vdekje. PPAlb 286.3

Perëndia është një Perëndi i rregullit. Çdo gjë që ka të bëjë me qiellin ka një organizim dhe rregullsi të përsosur; një përulësi dhe disiplinë e pashoqe karakterizon lëvizjet e engjëjve të shenjtë. Suksesi vjen gjithmonë kur shoqërohet me rregullsi dhe veprime të harmonizuara. Ashtu si në ditët e Izraelit të lashtë, edhe në ditët e sotme, Perëndia kërkon rregull dhe disiplinë sistematike për punën e Tij. Të gjithë ata që punojnë për Perëndinë duhet të punojnë me mend në kokë, jo në një mënyrë të shkujdesshme e të rrëmujshme. Në mënyrq që Perëndia t’i vërë vulën e aprovimit mbi punën që bëhet për Të, Ai pret që kjo punë të bëhet me besnikëri dhe me korrektesë. PPAlb 286.4

Vetë Perëndia i udhëhoqi izraelitët në tërë udhëtimet e tyre. Vendfushimi i tyre përcaktohej nga zbritja e kolonës së resë; dhe për aq kohë sa iu duhej të qëndronin në vendfushim, reja qëndronte përmbi tabernakullin. Kur iu duhej të vazhdonin sërish udhëtimin, reja ngrihej lart mbi çadrën e shenjtë. Si qëndrimi ashtu edhe lëvizja shoqëroheshin nga një thirrje solemne. “Dhe ndodhi që kur nisej arka, Moisiu thoshte; ‘Çohu, o Zot, me qëllim që të shkatërrohen armiqtë e tu dhe të ikin me vrap para Teje ata që të urrejnë!’ Ndësa kur ndalej [arka], thoshte: ‘Kthehu, o Zot, pranë morisë së madhe të njerëzve të Izraelit!'.” - Numrat 10:35, 36. PPAlb 286.5

Largësia ndërmjet malit Sinai dhe Kadeshit, vendit në kufi të Kanaanit (Tokës së Premtuar) ishte vetëm një udhëtim njëmbëdhjetë ditësh; dhe kështu, turmat e Izraelitëve, me shpresën për të hyrë sa më shpejt në këtë tokë të dlirë, rinisën marshimin kur më në fund reja dha sinjalin për të lëvizur përpara. Zoti Perëndi kishte kryer mrekulli për ta që kur i nxorri nga Egjipti. Kush e di se çfarë bekimesh i pritnin në të ardhmen, aq më tepër kur tani ata kishin lidhur formalisht besëlidhjen për ta pranuar Zotin si Sovranin e tyre, si dhe ishin pranuar si populli i zgjedhur i Më të Lartit Perëndi? PPAlb 287.1

Por megjithatë, shumë prej izraelitëve u ngritën pa dëshirë nga vendfushimi ku kishin banuar për kaq gjatë. Ata kishin arritur deri aty sa pothuajse ta konsideronin atë vend si shtëpinë e tyre. Brenda strehimit të atyre mureve prej graniti, Perëndia e kishte mbledhur popullin e Tij, veç nga kombet e tjera, për t’ua përsëritur edhe një herë ligjin e Tij të shenjtë. Atyre u pëlqente shumë të kundronin malin e shenjtë (Sinai), majat madhështore të mbuluara me dëborë, dhe ato lartësi të shkreta në të cilat lavdia hyjnore ishte shfaqur aq shpesh. Ajo pamje skenike ishte e lidhur aq ngushtë me praninë e Perëndisë dhe të engjëjve të shenjtë sa që dukej tepër e shenjtë për t’u braktisur e lënë në harresë në nxitim e sipër, apo madje me gëzim. PPAlb 287.2

Megjithatë, me t’u dhënë sinjali nga borizanët, i gjithë kampi u nis përpara për udhë, tabernakulli transportohej në mes, dhe secili fis në pozicionin e caktuar, nën flamurin e vet. Sytë e të gjithëve panë me ankth se në cilin drejtim do t’i udhëhiqte reja. Ndërsa lëvizi për nga lindja, ku dukeshin vetëm vargmale të ngjeshur me njëri-tjetrin, të errët e të shkretë, në shumë zemra lindi një ndjenjë trishtimi dhe dyshimi. PPAlb 287.3

Ndërsa ecnin përpara, rruga filloi të bëhej gjithnjë e më e vështirë. Rruga i çonte përmes luginave gurore të errta e të ngushta dhe një sipërfaqeje djerrë. Ata rrethoheshin në të gjitha anët nga një shkretinë e madhe—“... një vend të thatë dhe me gremina,... një vend të zhuritur dhe me hije të vdekjes, ... një vend ku asnjeri nuk kishte kaluar dhe ku asnjeri nuk kishte banuar?” - Jeremia 2:6. Grykat shkëmbore i pritnin kudo, dhe mbi to mizëronin burra, gra, dhe fëmijë, me kafshë dhe qerrë, si dhe me rradhë të gjatë bagëtish të imta e të trasha. Dosmosdo, përparimi i tyre ishte i ngadaltë dhe tejet i lodhshëm; në fakt, pas një qëndrimi aq të gjatë në vendfushim in rrëzë malit Sinai, izraelitët nuk ishin aq të gatshëm për të duruar rreziqet e vështirësitë e rrugës. PPAlb 287.4

Pas tri ditësh udhëtimi u dëgjuan ankesa publike. Ato erdhën në fillim nga turma e përzier, duke qenë se shumë prej tyre nuk ishin të bashkuar plotësisht me Izraelin, dhe kërkonin vazhdimisht shkaqe për t’u ankuar e për të kritikuar. Personat që ankoheshin nuk ishin aspak të kënaqur me drejtimin e marshimit. Për më tepër, ata vazhdimisht gjenin faj tek rruga në të cilën Moisiu po i printe, ndoënse e dinin mjaft mirë se ai, ashtu si vetë ata, po ndiqte renë udhëheqëse. Mjerisht, pakënaqësia është si një sëmundje ngjitëse, dhe për pasojë, u përhap në të gjithë kampin. PPAlb 287.5

Përsëri filluan të britnin me të madhe që t’u jepej mish për të ngrënë. Ndoënse furnizoheshin çdo mëngjes me manna, ata prapë se prapë ankoheshin dhe nuk ishin të kënaqur. Gjatë robërisë së tyre në Egjipt, izraelitët ishin detyruar të mbijetonin me ushqimet më bazë e më të thjeshta; por gjithesi, orkesi u vinte, si pasojë e privimit dhe punës së rëndë, dhe hanin pa u ankuar. Por shumë prej egjiptasve, nga ana tjetër, të cilët ishin bashkuar me ta, ishin mësuar të hanin mirë e me një dietë të bollshme; dhe këta ishin të parët që filluan të ankoheshin. Kur Zoti filloi të jepte manna-n, përpara se Izraeli të mbërrinte në malin Sinai, ai u kishte siguruar edhe mish, si përgjigje ndaj trazirave dhe ankesave; por furnizimi me mish ishte vetën një herë në javë. PPAlb 288.1

Në të vërtetë, Perëndia fare mirë mund të kishte siguruar mish përditë, bashkë me manna-n, por ky kufizim ndaj tyre ishte ndërmarrë për të mirën e tyre. Synimi i Perëndisë ishte që t’i furnizonte me ushqimin më të përshtatshëm për nevojat që kishin dhe jo me atë dietë tejet të rëndë me të cilën shumë syresh ishin mësuar në Egjipt. Nepsi i shfrenuar duhej të shndërrohej në një oreks të shëndetshëm. Në këtë mënyrë ata mund të shijonin ushqimet që ishin synuar që në fillim për njeriun— frutat e tokës, të cilat Perëndia u dha Adamit dhe Evës në kopshtin (e parajsës) në Eden. Ishte pikërisht kjo arsyeja që izraelitët ishin privuar, në mënyrë të ndjeshme, nga ushqimi shtazor. PPAlb 288.2

Në këtë situatë, Satani i tundonte që ata ta konsideronin këtë kufizim si të padrejtë dhe mizor. Ai bëri që ata të josheshin pas gjërave të ndaluara, sepse e kishte kuptuar se ushtrimi i shfrenuar i babëzisë kishte tendencë që të shkaktonte çthurrje morale, dhe me anë të kësaj populli mund të sillej shumë më lehtë nën kontrollin e tij. Satani, ky autor i sëmundjeve dhe mjerimit, ka për t’i sulmuar njerëzit në atë pikë ku mund të ketë suksesin më të madh. Nëpërmjet tundimeve që kanë të bëjnë me nepsin, Satani, në shumicën e rasteve, ia ka dalë mbanë që t’i joshë njerëzit në mëkat, dhe e ka bërë këtë që nga koha kur joshi Evën që të hante nga fruti i ndaluar. Satani përdori të njëjtën taktikë për të stisur Izraelin që ky i fundit të murmuriste kundër Perëndisë. E ngrëna dhe e pira e shfrenuar, e cila në të vërtetë i bën njerëzit që të jepen më lehtë pas epshit dhe çthurrjes, në fakt përgatit rrugën për ta që t’i kthejnë shpinën çdo detyrimi moral. Kur mposhten nga tundimi, ata kanë forcë shumë të ulët për të bërë rezistencë. PPAlb 288.3

Perëndia i nxorri izraelitët nga Egjipti, me qëllim që t’i vendoste në tokën e Kanaanit, si një popull i pastër, i shenjtë, dhe i lumtur. Për ta arritur këtë objektiv, Perëndia i vuri izraelitët nën një kurs disipline, si për të mirën e tyre ashtu edhe për të mirën e pasarddhësve të tyre. Nëse ata do të ishin treguar të gatshëm që t’i thonin “jo” nepsit, dhe t’u përmbaheshin kufizimeve me mënd nga ana e Perëndisë, nuk kishin për të provuar as sëmundje dhe as dobësi fizike. Për më tepër, pasardhësit e tyre do të ishin shumë më të fortë e më të shëndetshëm si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Ata do të kishin trashëguar një perceptim më të qartë të së vërtetës dhe përgjegjësisë, zgjedhjes së duhur, si dhe gjykimit të pjekur. Por mungesa e gatishmërisë së izraelitëve që t’i nënshtroheshin kufizimeve dhe kritereve të Perëndisë, i pengoi ndjeshëm që të plotësonin atë standart të lartë që Ai dëshironte që të arrinin ta si dhe që ata merrnin ato bekime që Ai mezi priste që t’ua dhuronte. PPAlb 288.4

Psalmisti thotë: “Ata e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas epshit të tyre. Po, dhe folën kundër Perëndisë; duke thënë, ‘A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë? Ja, Ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t’i japë edhe bukë? A mund të sigurojë edhe mish për popullin e Tij?’ Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort...” - Psalmi 78:18-21a. Murmuritjet dhe trazirat kishin qenë të shpeshta gjatë udhëtimit prej Detit të Kuq për në malin Sinai, por duke patur mëshirë për mosdijen dhe verbërinë e tyre, Perëndia nuk ia kishte dhënë këtij mëkati ndëshkimin e merituar që atëherë. Por që prej asaj kohe, Ai tashmë e kishte shfaqur Veten përpara tyre në Horeb. Ata kishin marrë njohuri të bollshme rreth Tij, ndërkohë që kishin qenë vetë dëshmitarë të madhështisë, pushtetit, dhe mëshirës së Perëndisë; dhe duke qenë kështu, pabesia dhe pakënaqësia e treguar kësaj rradhe shkaktoi një faj edhe më të madh. Për më tepër, ata ishin betuar me besëlidhje se do të pranonin Zotin Perëndi për mbret, dhe se do t’i bindeshin autoritetit të Tij. Murmuritja e tyre në këto rrethana cilësohej rebelim i mirëfilltë, dhe si i tillë duhet të merrte një dënim të merituar por edhe paralajmërues, me qëllim që Izraeli të mos binte gradualisht viktimë e anarkisë dhe e shkatërrimit. “Dhe zjarri i Zotit shpërtheu përmes tyre dhe shkatërroi ata që ndodheshin në skajet e kampit.” - Numrat 11:1. Më fajtorët mes atyre që ishin ankuar u vranë nga rrufeja që vinte nga reja. PPAlb 289.1

Të tmerruar, njerëzit iu lutën Moisiut që të ndërhynte tek Zoti për ta. Mosiu e bëri këtë, dhe zjarri u shua. Në përkujtim të këtij ndëshkimi, Moisiu e quajti emrin e atij vendi Taberah, që do të thotë “djegie”. PPAlb 289.2

Por shumë shpejt ligësia u përhap më keq se më përpara. Në vend që ky ndëshkim t’i bënte ata që kishin mbijetuar që të përuleshin e pendoheshin, ata vazhduan edhe më keq me murmuritjet e tyre. Nga të gjitha anët, populli u mblodh në dyert e çadrave, duke qarë e duke vajtuar. “Dhe fundërrinën heterogjene (jo-izraelite) që ishte midis popullit e pushtoi një lakmi e madhe; edhe bijtë e Izraelit filluan të ankohen dhe të thonë: ‘Kush do të na japë mish për të ngrënë? Nuk i harrojmë peshqit, të cilët i hanim falas në Egjipt, kastravecat, pjeprat, preshët, qepët, dhe hudhrat. Por tani e tërë qënia jonë ka shteruar; para syve tanë nuk ka asgjë prej gjëje përveç kësaj manna-s'.” - Numrat 11:4-6. Duke u sjellur në këtë mënyrë, ata shfaqën hapur pakënaqësinë e tyre për ushqimin që sigurohej për ta nga Krijuesi i tyre. Kjo ndodhi megjithë evidencën e vazhdueshme që ushqimi ishte mëse i përshtatshëm për nevojat e tyre. Ç'është e vërteta, pavarësisht nga vështirësitë e udhëtimit, nuk kishte as edhë një të sëmurë ndër banorët e të gjitha fiseve. PPAlb 289.3

Zemra e Moisiut u pështjellua rëndë. Ai i ishte përgjëruar Perëndisë që të mos e shkatërronte Izraelin, ndonëse pasardhësit e tij mund të ishin bërë një komb i madh (në vend të Izraelit). Ngaqë ndjente dhembshuri për ta, ai ishte lutur kohë më parë që vetë emri i tij të fshihej nga libri i jetës vetëm e vetëm që ata të mos braktiseshin e të merrnin fund. Moisiu kishte rrezikuar gjithçka për hatrin e tyre, dhe ja se si ia shpërblyen këtë gjë! Për të gjitha vështirësitë, madje edhe për vuajtjet e tyre imagjinare, ata ia vunë fajin Moisiut; ndërkohë që murmuritjet e tyre të liga e bënin dyfish më të rëndë barrën e mundimit dhe të përgjegjësisë që ai ndjente mbi supe. Në dëshpërim e sipër, ai u tundua deri në atë pikë saqë të tregonte mosbesim ndaj Perëndisë. Lutja që bëri i ngjante më shumë një ankese. “Përse vallë e ke trajtuar kaq keq shërbëtorin tënd? Dhe përse nuk kam gjetur hir para syve të Tu, që Ti e vë barrën e gjithë këtij populli mbi mua? ... Ku mund të gjej mish për t’i dhënë tërë këtij populli? Sepse vazhdon të qajë para meje, duke thënë: ‘Na jep mish për të ngrënë!’. Unë nuk mund ta mbaj i vetëm tërë këtë popull; është një barrë shumë e rëndë për mua.” - Vargjet 11, 13-14. PPAlb 289.4

Zoti e dëgjoi lutjen e Mosiut, dhe i dha urdhër që të mblidhte shtatëdhjetë veta nga pleqtë e Izraelit—burra jo thjesht të moshuar, por njerëz që kishin dinjitet, gjykim të drejtë, si dhe përvojë jetësore. Pastaj Zoti tha, “silli [pleqtë] në çadrën e mbledhjes dhe të rrinë aty me ty. Unë do të zbres dhe aty do të flas me ty; do të marr pastaj nga fryma që është mbi ty dhe do t’ua kaloj atyre, me qëllim që ta mbajnë bashkë me ty barrën e popullit, dhe që të mos e mbash ti i vetëm.” - Vargjet 16b, 17. PPAlb 290.1

Zoti e lejoi Moisiun që të zgjidhte për veten e tij burrat më besnikë dhe më kompetentë me të cilët do të ndante përgjegjësitë që mbante. Ata do të ndikonin me influencën e tyre që trazirat dhe aktet e dhunshme të ndalnin, dhe që çdo rebelim të shtypej; por mjerisht, gjëra tmerrësisht të këqija do të vinin si pasojë e ngritjes së tyre në përgjegjësi. Ata nuk do të ishin zgjedhur kurrë në rast se Moisiu do të kishte treguar besim tek evidencat e shumta në të cilat ai kishte përjetuar forcën dhe mirësinë e Perëndisë. Por ai zgjodhi të zmadhojë barrën dhe përgjegjësitë, pothuajse duke mos marrë fare parasysh se ai kishte qenë i vetmi ndërmjetës mes Perëndisë dhe popullit. Atij nuk i lejohej që të ushqente, qoftë edhe në shkallën më të vogël, frymën e murmuritjes e cila nuk ishte gjë tjetër veçse mallkim për Izraelin. Në rast se Moisiu do të ishte mbështetur plotësisht tek Perëndia, Zoti do ta kishte udhëhequr vazhdimisht dhe do t’i kishte dhënë forcë të mjaftueshme për të përballuar çdo situatë emergjente. PPAlb 290.2

Moisiut iu dha urdhër që të përgatiste popullin për gjërat që Zoti kishte vendosur në lidhje me ta. “Shenjtërohuni për nesër, dhe do të hani mish, sepse keni qarë në veshët e Zotit, duke thënë: ‘Kush do të na japë mish për të ngrënë? Ishim kaq mirë në Egjipt!’ Prandaj Zoti do t’ju japë mish dhe ju do të hani. Dhe do ta hani jo për një ditë, jo për dy ditë, jo për pesë ditë, jo për dhjetë ditë, jo për njëzet ditë, por për një muaj të tërë, deri sa t’ju dalë nga hunda dhe t’ju shkaktojë neveri, sepse keni hedhur poshtë Zotin dhe keni qarë përpara Tij, duke thënë: ‘Pse vallë dolëm nga Egjipti?’ - Vargjet 18-20. PPAlb 290.3

“Ky popull, në mes të të cilit ndodhem dhe unë,” tha Moisiu, “ka gjashtëqind mijë këmbësorë, dhe Ti ke thënë: ‘Unë do t’u jap mish dhe ata do të hanë mish një muaj të tërë!’ Mos duhen therrur kope të tëra bagëtish të trasha dhe të imta që të kenë mish me bollëk? Apo duhet mbledhur për ta gjithë peshku i detit?” - Vargjet 21, 22. PPAlb 290.4

Moisiu u qortua për mungesën e besimit që tregoi me këtë rast. “Mos vallë qenka shkurtuar krahu i Zotit? Tani ke për ta shikuar nëse fjala Ime do të shkojë në vend apo jo.” - Vargu 23. PPAlb 290.5

Moisiu përsëriti para popullit fjalët e Zotit, si dhe lajmëroi zgjedhjen e shtatëdhjetë pleqve. Amaneti që ky udhëheqës i madh la për këta njerëz të zgjedhur mund të shërbejë fare mirë si model i integritetit gjyqësor për gjykatësit dhe ligjvënësit e ditëve tona: “Dëgjoni dhe gjykoni me drejtësi grindjet midis vëllezërve tuaj, midis një njeriu dhe të vëllait ose të huajit që ndodhet pranë tij. Në gjykimet tuaja nuk do të keni konsiderata personale; do të dëgjoni si të madhin ashtu edhe të voglin; nuk do të keni frikë nga asnjeri, sepse gjykimi i përket Perëndisë...” - Ligji i Përtërirë 1:16, 17a. PPAlb 291.1

Pastaj, Moisiu i mblodhi të shtatëdhjetët në tabernakull. “Atëherë Zoti zbriti në një ré dhe i foli atij, mori nga fryma që qëndronte mbi të dhe e çoi mbi të shtatëdhjetë pleqtë; por kur fryma u vu mbi ta, ata bënë profeci, dhe bënin [kështu] papushim.” - Numrat 11:25. Ashtu si dishepujt e krishterë në Ditën e Rrëshajave (Pentekostit), ata u veshën me “pushtet nga lart” (Shih - Luka 24:49). Kështu, Zotit e bëri me kënaqësi përgatitjen e tyrë për punën që i priste, si dhe nderimin përpara tërë popullit, sepse në këtë mënyrë ata do të krijonin konfidencë tek vetja si njerëz që ishin zgjedhur nga lart që të ndihmonin Moisiun në bashkëqeverisjen e Israelit. PPAlb 291.2

Edhe një herë do të tregohëj fryma e përulur dhe altruiste e Moisiut, këtij udhëheqësi të madh. Dy nga shtatëdhjetë pleqtë, të cilët, si pasojë e përulësisë që i karakterizonte, nuk e konsideronin veten të denjë për këtë pozitë kaq me përgjegjësi, nuk ishin mbledhur me të tjerët në tabernakull; por Fryma e Perëndisë erdhi mbi ta atje ku gjendeshin, dhe për rrjedhojë, edhe ata filluan të ushtronin dhuntinë profetike. Pasi u informua për këtë gjë, Jozueu dëshiroi që ta korrigjonte këtë çrregullsi, pasi kishte frikë se mos kjo gjë mund të krijonte përçarje. Duke qenë xheloz për rolin e mësuesit të tij, Jozueu tha “Moisi, imzot, bëji që të heqin dorë.” - Numrat 11:28. Përgjigja e Moisiut ishte, “A mos ndoshta je xheloz për mua? Ah, sikur të ishin të gjithë profetë në popullin e Zotit dhe dhëntë Zoti që Fryma e tij të vihet mbi ta!” - Vargu 29. PPAlb 291.3

Ndërkohë, një erë e fortë fryu nga deti, dhe solli tufa të mëdha shkurtash, të cilat ranë pranë kampit, “një ditë ecjeje nga një anë dhe një ditë ecjeje nga ana tjetër rreth e qark kampit, me një lartësi prej dy kubitësh mbi sipërfaqen e tokës.” - Vargu 31. Gjatë gjithë ditës dhe gjithë natës, si dhe gjatë ditës së nesërme, populli u mor me mbledhjen e ushqimit që ishte siguruar mrekullisht. Në fakt u siguruan sasi që dilnin e tepronin. “Ai që mblodhi më pak mblodhi dhjetë homerë (sasi matëse e izraelitëve).” - Vargu 32. Sasia e tepërt ëe nuk nevojitej për momentin u ruajt me anë të tharjes. Në këtë mënyrë, furnizimi me mish mjaftonte për një muaj të tërë, ashtu siç ishte premtuar. PPAlb 291.4

Në këtë rast, Perëndia i kishte dhënë popullit ushqim të tillë që nuk ishte më i shëndetshmi për të, sepse populli e kishte lakmuar dhe e donte se s’bën; mjerisht ata nuk kënaqeshin dot me ato gjëra që realisht u bënin mirë. Lakmia e pacipë nga ana e tyre u plotësua, por nga ana tjetër, ata u lanë që t’i vuanin vetë pasojat e zgjedhjes që kishin bërë. Thënë ndryshe, “Zoti e goditi popullin me një murtajë shumë të rëndë.” - Vargu 33. Në fakt, një numër i madh njerëzish humbën jeën nga ethet ndërsa më fajtorët ndër ta u goditën sapo kishin provuar atë ushqim që e kishin lakmuar aq shumë. PPAlb 291.5

Në Hazeroth, pra, në vendfushimin e rradhës pasi Taberah u la pas, një provë edhe më e hidhur e priste Moisiun. Aaroni dhe Miriami (motra e Moisiut), gëzonin një pozitë shumë të lartë e të nderuar si udhëheqës në Izrael. Të dyve u ishte dhuruar dhuntia profetike, dhe në të njëjtën kohë, të dy ishin caktuar nga Perëndia që të shoqëronin vëllain e tyre në shpëtimin e hebrenjve. “Unë solla përpara teje (kupto: përpara Izraelit) Moisiun, Aaronin, dhe Miriamin,” janë fjalët e Zotit thënë nëpërmjet profetit Mikea. (- Mikea 6:4). Forca e karakterit të Miriamit ishte treguar që në moshë të vogël, kur ajo ruante pranë bregut të Nilit shportën e vogël në të cilën ishte fshehur foshnja Moisi. Perëndia e kishte përdorur vetë-kontrollin dhe taktin që ajo zotëronte duke ruajtur kështu shpëtuesin e popullit të Tij. E bekuar jashtë mase me dhuntitë e poezisë dhe muzikës, Miriami kishte drejtuar gratë e Izraelit me këngë e valle në brigjet e Detit të Kuq. Në sytë e njerëzve por edhe listen hyjnore të nderit, ajo qëndronte menjëherë pas Moisiut dhe Aaronit. Por e njëjta ndjenjë ligësie që shkaktoi prishjen e harmonisë në qiell lindi në zemrën e kësaj gruaje të shquar të Izraelit. Sigurisht, në pakënaqësinë e saj ajo i gjeti simpatizantët shumë lehtësisht. PPAlb 291.6

Miriami dhe Aaroni nuk ishin konsultuar kur erdhi momenti i caktimit të shtatëdhjetë pleqve, dhe për pasojë, xhelozia e tyre u ngrit kundër Moisiut. Në kohën kur kishte ardhur për vizitë Jethro (vjehrri i Moisiut), kur izraelitët ishin rrugës për në malin Sinai, pranimi i menjëhershëm i këshillës së vyer që dha Jethro nga ana e Moisiut kishte shkaktuar një ndjenjë frike tek Aaroni dhe Miriami se influenca e Jethros tek Moisiu ishte më e madhe se e tyrja. Me organizmin e këshillit të pleqve ata pandehën se pozita dhe autoriteti i tyre ishte injoruar. Në fakt, Miriami dhe Aaroni nuk e kishin ditur asnjëherë shkallën e peshës së përkujdesjes dhe përgjegjësisë që kishte rënë mbi shpatullat e Moisiut; megjithëkëtë, meqënëse ata ishin zgjedhur për ta ndihmuar Moisiun, ata e konsideronin veten si ndarës të barabartë të barrës së udhëheqësisë, dhe për rrjedhojë, e konsideruan caktimin e ndihmësve shtesë si tërësisht të panevojshëm. PPAlb 292.1

Moisiu e ndjente rëndësinë e punës që i ishte mirëbesuar si asnjeri tjetër. Ai e kuptoi dobësinë që kishte dhe prandaj shkoi të marrë këshillë nga Perëndia. Aaronit i pëlqente pak si shumë vetja, dhe në këtë rast besoi më pak tek Perëndia. Kur më parë atij i ishte mirëbesuar përgjegjësia, ai kishte dështuar, duke dëshmuar kështu për dobësi të theksuara në karakterin e tij kur me një tolerancë të turpshme kishte lejuar adhurimin idhujtar në rrëzë të malit Sinai. Por Miriami dhe Aaroni, të verbëruar nga xhelozia dhe ambicia, nuk e kujtuan aspak këtë ngjarje të rëndë. Aaroni ishte nderuar shumë nga Perëndia kur familja e tij u zgjodh në pozitën e shenjtë të priftërisë; por mjerisht, ky fakt do ta shtonte edhe më tej dëshirën që kishte për t’u vetëlavdëruar. “Dhe i thanë: ‘Mos vallë Zoti ka folur vetëm nëpërmjet Moisiut? A nuk ka folur Ai edhe nëpërmjet nesh?” - Numrat 12:2. Duke e pandeur veten si të favorizuar nga Perëndia po aq sa Moisiu, ata mendonin se u takonte e njëjta pozitë dhe i njëjti nivel autoriteti. PPAlb 292.2

Kështu, duke i hapur rrugë frymës së pakënaqësisë, Miriami gjeti shkak për t’u ankuar për ngjarje që vetë Perëndia i kishte lejuar posaçërisht. Martesa e Moisiut (me Ziporan) kishte ngjallur pakënaqësi tej ajo. Fakti se ai kishte marë për nuse një grua nga një komb tjetër në vend që të zgjidhte një grua në mes të hebrenjve, ishte fyerje si për familjen e saj ashtu edhe për krenarinë kombëtare. Në fakt, Zipora, gruaja e Moisiut, trajtohej me një përbuzje që mbahej fshehur. PPAlb 292.3

Ndonëse është quajtur një “grua etiopase,” (- Numrat 12:1), gruaja e Moisiut ishte Midianite, dhe për rrjedhojë, pasardhëse e Abrahamit. Nga paraqitja e jashtme, ajo ndryshonte nga hebrenjtë sepse kishte lëkurë paksa më të errët se ata. Ndonëse nuk ishte izraelite, Zipora ishte adhuruese e Perëndisë së vërtetë. Ajo në fakt ishte një grua e urtë dhe e ndrojtur, e dashur dhe zemërmirë, dhe dëshpërohej shumë kur shihte vuajtje; dhe ishte për këtë arsye që Moisiu, kur ishte rrugës për Egjipt, kishte rënë dakort që ajo të kthehej në Midian. Normalisht, ai donte ta ruante atë nga përjetimi i situatës së tmerrshme që do të ndodhte në Egjipt si pasojë e murtajave dhe gjëmave që do të binin mbi egjiptasit. PPAlb 293.1

Kur Zipora u bashkua sërish me burrin e saj në shkretëtirë, ajo vuri re se barrat e mëdha që mbante po ia mernin frymën, dhe kështu, ajo e ndau brengën që kishte me të jatin, i cili më pas sugjeroi masat që do ta lehtësonin Moisiun. Pikërisht kjo ishte edhe arsyeja kryesore e antipatisë së Miriamit ndaj Ziporas. Duke pretenduar se gjoja ajo dhe Aaroni ishin neglizhuar e anashkaluar, Miriami e konsideronte kunatën e saj si personin shkak, duke dalë në përfundimin se ndikimi i saj (i Ziporas) e kishte penguar Moisiun që të këshillohej me ta siç kishte bërë më parë. Edhe një herë, në rast se Aaroni do të kishte mbrojtur të drejtën pa u lëkundur, ai do ta kishte vënë re ligësinë; por në vend që t’i tregonte Miriamit se ishte fajtore dhe se po sillej keq, ai u bashkua me të, ia vuri veshin fjalëve dhe ankesave të saj, dhe kështu ndau bashkë me të xhelozinë për vëllanë, Moisiun. PPAlb 293.2

Akuzat e tyre u dëgjuan nga Moisiu me një qetësi të pashoqe. Ishte pikërisht ajo përvojë që kishte marrë gjatë viteve të punës dhe të pritjes në Midian—atje ku ai kultivoi një frymë përulësie dhe zemërgjërësie—që e kishte përgatitur Moisiun që të tregonte durim ndaj mosbesimit dhe murmuritjeve të popullit si dhe ndaj krenarisë dhe lakmisë së atyre që në fakt duhet të kishin qenë ndihmësit më të zellshëm të tij. Moisiu “Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut” (- Vargu 3), dhe është pikërisht kjo arsyeja pse atij iu dha urtësi dhe udhëheqësi hyjnore mbi gjithë të tjerët. Shkrimi i Shenjtë thotë, “[Zoti] do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e Tij.” - Psalmi 25:9. Njerëzit zemërbutë udhëhiqen nga Zoti sepse ata janë “të mësueshëm,” të gatshëm për të marrë mësime e udhëzime. Ata kanë një dëshirë të sinqertë për të njohur e kryer vullnetin e Perëndisë. Premtimi i Shpëtimtarit është, “Në qoftë se dikush dëshiron të kryejë vullnetin e Tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia...” - Gjoni 7:17. Gjithashtu, Ai deklaron me anë të apostullit Jakob, “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtësia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim...” - Jakobit 1:5. Por premtimi i Tij vlen vetëm për ata që janë të gatshëm që ta ndjekin Zotin plotësisht. Perëndia nuk detyron vullnetin e askujt; domethënë, Ai nuk mund të udhëheqë ata që janë tepër krenarë për t’u mësuar dhe që insistojnë me kokëfortësi në të tyren. Për njeriun me dy mendje—atë që në fakt bën sipas qejfit, ndërkohë që pretendon se po bën vullnetin e Perëndisë—është shkruar, “Ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti.” - Jakobit 1:7. PPAlb 293.3

Perëndia e kishte zgjedhur Moisiun, si dhe kishte vendosur Frymën e Tij mbi të; kurse Miriami ne Aaronin, nëpërmjet murmuritjeve të tyre, u bënë me faj për mungesën e besnikërisë, jo vetëm ndaj udhëheqësit të tyre të zgjedhur, por ndaj Vetë Perëndisë. Këta përshpëritës rebelë u thirrën në tabernakull, dhe u sollën ballë për ballë me Moisiun. “Atëherë Zoti zbriti në një kolonë reje, u ndal në hyrjen e çadrës dhe thirri Aaronin dhe Miriamin; që të dy i erdhën përpara.” - Numrat 12:5. Perëndia mund t’u kishte folur nëpërmjet vegimeve dhe ëndrrave; gjithsesi edhe në këtë rast nuk ua mohoi atyre dhuntinë e profecisë. Por ndaj Moisiut, të cilin Vetë Zoti e kishte shpallur “besnik në tërë shtëpinë Time” (- Vargu 7), u ofrua një prani shumë më intime. Me Moisiun Perëndia fliste drejtpërdrejt (“sy për sy”). “Përse vallë nuk keni pasur frikë të flisni kundër shërbëtorit tim, kundër Moisiut? Kështu zemërimi i Zotit u ndez kundër tyre, pastaj Ai u largua.” - Vargjet 8b, 9. reja u zhduk nga tabernakulli si shenjë mosaprovimi nga ana e Perëndisë, dhe Miriami u godit. “[Ajo] ishte bërë lebroze, e bardhë si bora” - Vargu 10. Aaroni u kursye me këtë rast, por u qortua ashpër me anë të dënimit që mori motra e tij. Tashmë, duke qenë se krenaria u ishte bërë copë e çikë, Aaroni rrëfeu mëkatin e tyre, dhe kërkoi me përgjërim që e motra të mos lihej që të vdiste nga ajo murtajë e tmerrshme dhe e kobshme. Si përgjigje ndaj lutjeve të Moisiut, lebrozia u pastrua. Megjithatë, Miriami u përjashtua nga kampi për shtatë ditë. Reja, ky simbol i favorit të Perëndisë nuk u ul mbi tabernakull deri në fund të këtyre shtatë ditëve. Si shenjtë respekti ndaj pozitës së saj të lartë, dhe të hidhëruar për gjëmën që kishte rënë mbi të, e gjithë asambleja qëndroi në Hazeroth, dhe priti rikthimin e Miriamit. PPAlb 293.4

Ky manifestim i pakënaqësisë së Zotit e kishte një synim të tijin: paralajmërim ndaj të gjithë izraelitëve, që t’i jepnin fund frymës së pakënaqësisë dhe prepotencës. Në qoftë se lakmia dhe pakënaqësia e Miriamit do të ishte lënë pandëshkuar, kjo gjë kishte për të shkaktuar dëme të mëtejshmë. Lakmia është një ndër tiparet më djallëzore që mund të ekzistojnë në zemrën e njeriut, dhe me pasoja nga më të poshtrat. I urti thotë, “Tërbimi është mizor dhe zemërimi është i furishëm, por kush mund t’i bëjë ballë lakmisë?” - Fjalët e Urta 27:4. Ishte pikërisht lakmia ajo që shkaktoi prishjen e harmonisë në qiell, dhe abuzimi me të ka shkaktuar të këqija të mëdha mbi njerëzimit. “Sepse atje ku ka cmirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija.” Jakobit 3:16. PPAlb 294.1

Të flasësh keq për tjetrin, apo të bëhemi vetë gjykues të motiveve dhe veprimeve të të tjerëve nuk duhet konsideruar si një gjë e lehtë. “Ai që flet kundër vëllait dhe e gjykon vëllanë e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin; dhe, po të gjykosh ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës.” - Jakobit 4:11. Ka vetëm një gjykatës—Ai “që do të nxjerrë në dritë gjërat e fshehta të errësirës dhe do të shfaqë këshillat e zemrave.” -1 Korintasve 4:5. Dhe kushdo që merr përsipër të vetëzgjidhet gjykatës dhe të dënojë tjetrin në fakt uzurpon prerogativën që i takon vetëm Krijuesit. PPAlb 294.2

Bibla na mëson posaçërisht që të bëjmë kujdes që të mos ngrejmë akuza të pabazuara ndaj atyre që Perëndia i ka thirrur të jenë ambasadorë të Tij. Apostulli Pjetër, ndërsa përshkruan një grupim që përbëhet nga fajtorë të braktisur, thotë, “... Ata janë të paturpshëm, arrogantë dhe nuk druajnë të flasin keq ndaj dinjiteteve; ndërsa engjëjt, që janë më të lartë për nga forca e nga fuqia, nuk sjellin kundër atyre gjykime fyese përpara Zotit.” - 2 Pjetrit 2:10b, 11. Ndërsa Pali, në udhëzimet e tij në lidhje me ata që caktohen si drejtues të kishës, thotë, “Mos prano asnjë padi kundër një plaku (drejtuesi të kishës), veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë.” - 1 Timoteut 5:19. Perëndia, Ai që ka vendosur mbi njerëzit përgjegjësinë e madhe të të qenurit udhëheqës dhe mësues të popullit të Tij do të kërkojë llogari për mënyrën se si ata njerëz i trajtojnë shërbëtorët e Tij. Ne duhet të nderojmë e respektojmë ata që janë nderuar e respektuar nga Perëndia. Ndëshkimi që i erdhi Miriamit duhet të shërbejë si qortim për të gjithë ata njerëz që i hapin rrugës xhelozisë, dhe murmuritin kundër atyre njerezve, mbi shpatullat e të cilëve Perëndia ka vendosur barrën e punës së Tij në tokë. PPAlb 294.3