PATRIARKË DHE PROFETË

36/74

35—“REVOLTA E KORELIT”

*****

Ndëshkimi që pësuan izraelitët bëri që për një periudhë kohe murmuritjet dhe rebelimi i tyre të ndaleshin. Por fryma e revoltës gjendej ende në zemrat e tyre, dhe nuk do të vononte së prodhuari frytet më të idhta të saj. Rebelimet e mëparshme kishin qenë thjesht trazira gati të papërfillshme, nga ato që krijohen nga një impuls i papritur që vjen nga një turmë e elektrizuar, ndërsa kësaj rradhe ishte hartuar një plan që mbahej krejtësisht sekret me qëllim kryesor përmbysjen e autoritetit të udhëheqësve të popullit të cilët ishin caktuar nga Vetë Perëndia. PPAlb 303.1

Koreu, frymëzuesi kryesor i kësaj lëvizjeje puçiste, ishte nga visi i Levit, nga familja e Kohathit, dhe në fakt kishte lidhje farefisnore me Moisiun. Kështu pra, ai ishte një burrë i aftë të cilit i dëgjohej fjala. Ndonëse ishte caktuar që të shërbente në tabernakullin e shenjtë, Koreu nuk ishte aspak i kënaqur me pozitën që kishte dhe aspironte postin më të lartë priftëror. Lënia e funksionit priftëror në duart e Aaronit dhe pasardhësve të tij, e cila, si më parë, vazhdonte brez pas brezi nga një mashkull i parëlindur në tjetrin, kishte shkaktuar mjaft xhelozira dhe pakënaqësira. Kështu, Koreu për një farë kohe kishte kundërshtuar në fshehtësi autoritetin e Moisiut dhe Aaronit, edhe pse nuk kishte tentuar ende që të ndërmerrte një akt kaq të hapur rebelimi. Por më në fund ai e përfundoi deri në detaj planin ambicioz për të përmbysur si autoritetin civil ashtu edhe atë fetar. Ai nuk dështoi aspak për të gjetur simpatizantë. Afër çadrave të Koreut dhe farefisit të tij, në krahun jugor të tabernakullit, ndodhej vendfushimi i fisit të Rubenit, çadrat e Dathanit dhe Abiramit, dy prijësve të këtij fisi, të cilat ndodheshin pranë çadrës së Koreut. Këta dy prijës u bënë menjëherë pjesë e kompllotit ambicioz të Koreut. Duke qenë se ata ishin pasardhës të djalit më të madh të Jakobit, ata pretendonin ndër të tjera se autoriteti civil u përkiste atyre, si dhe vendosën që të ndanin me Koreun ndëret e pozitës priftërore. PPAlb 303.2

Komploti i Koreut në atë kohë favorizohej nga gjendja shpirtërore e atëhershme e popullit. Të inatosur e të zhgënjyer, dyshimet e mëparshme të njerëzve si dhe xhelozia, lakmia dhe inati u rikthyen, dhe kështu, edhe njëherë tjetër ankesat e tyre u drejtuan kundër udhëheqësit të tyre të duruar. Me kalimin e kohës, izraelitët po u fshihej nga kujtesa fakti se ishin një popull që gëzonte udhërrëfimin e Perëndisë. Ata e harruan se Engjëlli i besëlidhjes ishte udhëheqësi i tyre i padukshëm, se, duke qenë i mbuluar nga kolona e resë, prania e vetë Krishtit shkonte përpara tyre, dhe se pikërisht prej Tij Moisiu i kishte marrë të gjitha urdhërat e ligjet. PPAlb 303.3

Izraelitët nuk ishin aspak dëshirë që t’i përmbaheshin verdiktit hyjnor, pra se të gjithë (mbi moshën 20 vjeç) kishin për të vdekur në shkretëtirë, dhe për këtë arsye ishin të gatshëm të sajonin çdo lloj preteksti për të besuar se nuk ishte Perëndia por Moisiu ai që po i drejtonte dhe që u kishte prononcuar atë fat të tmerrshëm. Moisiu, duke qenë njeriu më i përulur në botë, u përpoq me mish e me shpirt që t’i qetësonte, por ky popull e kishte ndarë mendjen dhe filloi sërish trazirat. Për më tepër, edhe pse shenjat e pakënaqësisë së Perëndisë kundër fëlliqësisë që kishin kryer shumë pak kohë më parë ishin ende të dukshme në rradhët dhe familjarët që u mungonin, ata vazhduan me arrogancën e kokëfortësinë e tyre. Edhe një herë tjetër u mundën nga tundimi. PPAlb 303.4

Jetesa prej bariu të përunjur kishte qenë shumë më paqësore dhe e lumtur për Moisiun se sa pozita e tanishme si udhëheqës i një asambleje të madhe njerëzish trazovaçë. Megjithatë, Moisiu nuk morri asnjëherë guximin që të zgjidhte për vete. Në vend të shkopit të bariut,atij iu dha një bastun udhëheqësi, gjë të cilën ai nuk mund ta refuzonte dot pa marrë pëlqimin e Perëndisë. PPAlb 304.1

Perëndia lexon sekretet e të gjitha zemrave njerëzore. Ai ishte në dijeni të plotë të komplotit të Koreut dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe i kishte dhënë popullit të Tij paralajmërime dhe udhëzime të cilat do t’i mundësonin izraelitët që t’i shmangeshin mashtrimit të këtyre komplotistëve. Populli kishte qenë dëshmitar i rënies së ndëshkimit hyjnor mbi Miriamin për shkak të xhelozisë e ankesave të saj ndaj Moisiut. Zoti në atë rast kishte deklaruar se Moisiu ishte më i madh se një profet, “Me [Moisiun] Unë flas sypër sy.” “Vallë nuk keni pasur frikë të flisni kundër shërbëtorit tim, kundër Moisiut?” - Numrat 12:8. Këto udhëzime nuk ishin vetëm për Aaronin dhe Miriamin, por për mbarë popullin izraelit. PPAlb 304.2

Koreu dhe bashkëpunëtorët e tij komplotistë ishin burra të cilët ishin favorizuar me manifestime të posaçme të fuqisë dhe madhështisë së Perëndisë. Ata ishin prej atij grupi burrash që u ngjitën bashkë me Moisiun në mal dhe kundruan lavdinë hyjnore. Por që prej asaj kohe gjërat kishin ndryshuar krejtësisht. Një tundim, i vogël në fillim, ishte mbjellur e më vonë kishte hedhur shtat ndërkohë që ishte inkurajuar, derisa mendjet e tyre u vunë nën kontrollin e Satanit, dhe kështu ata guxuan të fillonin veprimtarinë e tyre armiqësore. Duke pretenduar se interesi i tyre ishte tek begatia për popullin, ata në fillim ua përshpëritën pakënaqësitë njëri-tjetrit dhe pastaj drejtuesve të Izraelit. Insinuatat e tyre u pranuan aq lehtësisht nga turma saqë ata guxuan të shkonin edhe më tej. Kështu, në fund fare, ata ishin krejtësisht të bindur se po vepronin e po nxiteshin nga zelli për Perëndinë. PPAlb 304.3

Ata ia dolën mbanë të veçonin dyqind e pesëdhjetë prijës, burra të shquar të asamblesë së Izraelit. Duke patur mbështetës të tillë fuqishëm dhe me peshë, ata morën zemër dhe shprehën bindjen se duhej bërë një ndryshim rrënjësor në qeverisje dhe do të sillte përmirësime të ndjeshme në administratën e Moisiut dhe Aaronit. PPAlb 304.4

Xhelozia i hapi udhën lakmisë, ndërsa kjo e fundit i hapi udhën rebelimit. Koreu dhe mbështetësit e tij e kishin vënë në pikëpyetje të madhe të drejtën e Moisiut për të patur autoritetin dhe pozitën e Iartë që kishte, deri sa nisën ta konsideronin sikur kishte zënë një pozitë shumë të lakmueshme, të cilën fare mirë mund ta zinte gjithsecili prej tyre. Gjithashtu, ata gënjenin vetën dhe njëri-tjetrin duke menduar se Moisiu dhe Aaroni ishin vetëcaktuar në pozitat që kishin. Duke shprehur hapur pakënaqësinë e tyre, ata thanë se këta dy drejtues e kishin lartësuar vetën mbi asamblenë e Zotit, duke marrë për vete priftërinë dhe qeverisjen, por farefisit të tyre nuk i takonte asnjë trajtim i veçantë mbi të tjerët në Izrael; ata nuk ishin aspak më të shenjtë se populli i thjeshtë, dhe ishte e mjaftueshme që ata të ishin në të njëjtin nivel me bashkëkombasit e tyre, të cilët ishin të favorizuar po aq sa ta me praninë dhe mbrojtjen e posaçme të Perëndisë. PPAlb 304.5

Stadi tjetër i veprimtarisë së komplotistëve ishte shpërndarja e pakënaqësisë nëpër popull. Në fakt, asgjë nuk i jep kënaqësi më të madhe atyre që janë në faj, se sa të marrin lëvdata e të gëzojnë simpatinë e të tjerëve. Kështu, Koreu dhe bashkëpunëtorët e tij e fituan vëmëndjen e asamblesë, mbështjetja e së cilës tashmë ishte konfirmuar. Akuza se murmuritjet e popullit kishin sjellë mbi ta zemërimin e Perëndisë u deklarua si e rreme. Ata thanë se nuk e kishte aspak fajin populli meqënqse ky i fundit nuk dëshironte asgjë tjetër përveçse të drejtat që i takonin; por gjoja ishte Moisiu ai që udhëhiqte me arrogancë; ai kishte qortuar pa të drejtë popullin si mëkatarë, ndërkohë që ata ishin një popull i shenjtë, aq më tepër që Zoti ishte në mes të tyre. PPAlb 305.1

Koreu nisi t’u kujtontehistorinë e udhëtimeve të Izraelit nëpër shkretëtirë, se si ishin çuar nëpër vende të rrezikshme e të thepisura, ndërsa dhejtëra veta ishin vrarë për shkak të murmuritjes dhe mosbindjes së tyre. Atyre që po e dëgjonin me vëmendje Koreun dalë ngadalë filloi t’u mbushej mendja se të gjitha vuajtjet e mundimet që kishin hequr mund të ishin shmangur në rast se Moisiu do të kishte zgjedhur alternativa të tjera. Kështu, u bindën se për të gjitha fatkeqësitë e kishte patur fajin Moisiu, dhe, për më tepër, përjashtimi i tyre nga toka e premtuar (e Kanaanit) nuk ishte agjë tjetër veçse një pasojë e keqmenaxhimit nga ana e Moisiut dhe Aaronit; se po të kishte qenë Koreu udhëheqës i tyre, dhe t’i kishte inkurajuar e të fokusohej tek veprat e tyre të mira dhe jo t’i qortonte përherë për mëkatet, ata do të kishin patur një udhëtim të qetë, të rehatshëm e pa pasoja. Në vend që të bridhnin sa andej-këndej nëpër shkretëtirë, ata do të kishin marshuar drejtpërsëdrejti për në Tokën e Premtuar. PPAlb 305.2

Në këtë veprimtari përçarëse, ata elementë sherrdashës të asamblesë u bashkuan dhe krijuan një harmoni të tillë mes tyre që nuk ishte dëgjuar ndonjëherë. Sukesi që Koreu pati me popullin ia rriti besimin tek vetvetja dhe u pa prej tij si një konfirmim i bindjes që kishte, pra që uzurpimi i autoritetit nga ana e Moisiut, do të ishte fatal për liritë e të drejtat e Izraelit, në rast se nuk do të kufizohej apo pakësohej. Gjithashtu, Koreu filloi të pretendonte se Perëndia Vetë ia kishte hapur këtë çështje, dhe se e kishte autorizuar për të kryer ndryshime në qeveri përpara se të ishte tepër vonë. Por nga ana tjetër, të shumtë ishin ata njerëz që nuk ishin gati t’i gëlltitnin akuzat e Koreut kundër Moisiut. Atyre u kujtoheshin ende qetësia dhe sakrificat vetëmohuese të tij, ndaj filloi t’i vriste ndërgjegjja. Për këtë arësye, u bë e domosdoshme që të gjendej një pretekst i tillë që t’i bënte njerëzit të dyshonin për interesin e pashembullt që Moisiu tregonte për Izraelin; dhe ky pretekst u gjet! Më saktë, u përsërit akuza e mëparshme e cila u shpërnda në formë thashethemi se Moisiu i kishte çuar në shkretëtirë që ata të vdisnin, dhe pastaj t’u konfiskonte pasuritë. PPAlb 305.3

Për një farë kohe, kjo veprimtari u krye fshehurazi. Megjithatë, sapo revolta kishte marr një hov të mjaftueshem, Koreu me shokë morën krahë dhe ishin mëse të bindur se shumicën e popullit e kishin bërë për vete.Atëherë Koreu doli hapur dhe e shpalli veten si kryetar i fraksionit, duke e akuzuar Moisiun dhe Aaronin se kishin uzurpuar pushtetin që gjoja i takonte po aq edhe Koreut edhe bashkëpunëtorëve të tij. Akuzat nuk kishin të sosur. Kështu, Koreu akuzoi Moisiun dhe Aaronin se popullit i ishin privuar liritë e të drejtat që u takonin. “Mjaft më me ju,” thanë konspiratorët, “sepse tërë asambleja është e shenjtë, secili nga anëtarët e tij, dhe Zoti është në mes tyre; pse, pra, ngriheni mbi asamblenë e Zotit?” - Numrat 16:3. PPAlb 305.4

Moisiu nuk e kishte marrë me mend fare se një komplot i tillë kaq i kamufluar do të ndodhte. Kur e kuptoi më në fund se ishte diçka vërtet serioze, ai ra përmbys dhe i bëri një apel pa zë Perëndisë. Pastaj, ai u ngrit i trishtuar, por edhe i qetë e i fortë. Këshilla hyjnore i ishte dhënë edhe kësaj rradhe. “Nesër në mëngjes Zoti do të tregojë kush është i tij dhe kush është i shenjtë, dhe Ai do ta afrojë pranë vetes; do të afrojë pranë Vetes atë që Ai ka zgjedhur.” - Numrat 16:5. Kështu, testi do të shtyhej deri ditën e nesërme, në mënyrë që të gjithë të kishin kohë të mjaftueshme për të reflektuar. Pastaj, ata që aspironin për të marrë priftërinë duhet të vinin secili me një temjanicë, dhe të ofronte temjan ne shenjtërore në prani të asamblesë. Ligji ishte mjaft i qartë; vetëm ata që ishin shuguruar (vajosur) për këtë detyrë të shenjtë mund të punonin e shërbenin në shenjtërore. Madje, edhe priftërinjtë Nadabi dhe Abihu ishin vrarë pasi kishin kuxuar të ofronin “një zjarr të huaj”, duke mospërfillur plotësisht urdhëresën hyjnore. Megjithatë, Mosiu i vuri akuzuesit përpara një sfide. U takonte atyre që të guxonin ose jo që t’i hynin kësaj rruge të rrezikshme, pra të ballafaqoheshin hapur me Perëndinë. PPAlb 306.1

Moisiu e veçoi Koreun dhe bashkeëpunëtorët e tij Levitë dhe u tha, “A mos ju duket gjë e vogël juve që Perëndia i Izraelit ju ka ndarë nga asambleja e Izraelit dhe ju ka afruar ndaj vetes që të kryeni shërbimin e tabernakullit të Zotit dhe që të rrini përpara asamblesë dhe t’u shërbeni atyre? Ai ju ka afruar ndaj vetes ty dhe të gjithë vëllezërit e tu, bij të Levit bashkë me ty. Po tani kërkon të kesh edhe priftërinë? Për këtë arsye ti edhe tërë njerëzit e tu jeni mbledhur kundër Zotit. Vallë kush është Aaroni që ju të murmurisni kundër tij?” - Vargjet 9-11. PPAlb 306.2

Edhe Dathani dhe Abirami nuk ishin treguar kaq konfidentë sa po tregohej Koreu. Nga ana e tij, Moisiu, duke shpresuar që ata nuk ishin plotësisht të ndotur nga mëkati i rebelimit, i thirri që të takoheshin me të, dhe të ballafaqohej me akuzat që po i bënin. Por ata nuk shkuan dhe si rrugaçë, i thanë se refuzojnë ta njohin autoritetin e tij. Përgjigja e tyre, në sy të mbarë popullit ishte, “A është vallë një gjë e vogël që na nxorre nga një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, për të na lënë të vdesim në shkretëtirë, me qëllim që ti të sundosh mbi ne? Aq më tepër, ti as nuk na çove në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë dhe as nuk na ke lënë si trashëgim fusha dhe vreshta! Dëshiron ti t’u nxjerrësh sytë këtyre njerëzve? Nuk do të ngjitemi [për t’u takuar].” Vargjet 13, 14. PPAlb 306.3

Kështu, ata iu referuan mundimit të tyre me të njëjtën gjuhë që Zoti e kishte përshkruar trashëgiminë e premtuar. Ata e akuzuan Moisiun se mashtronte kur thoshte se vepronte sipas udhërrëfimit hyjnor. Ai gjoja e kishte sajuar këtë gënjeshtër me qëllim që të përforconte autoritetin e vet. Për më tepër, ata deklaruan se nuk kishin më ndërmend që t’u bindeshin verbërisht e të shkonin atje ku i donte qejfi Moisiut, as për në Kanaan, as për në shkretëtirë. Në këtë mënyrë, Moisiu, ai që kishte qenë si një baba i dashur, një bari i duruar, u njollos si mos më keq duke u quajtur tiran dhe zaptues pushteti. Edhe për përjashtimin nga Kanaani, ndonëse dihej qartë se ishte për shkak të fajeve të tyre, ata ia vunë fajin Moisiut. PPAlb 306.4

U duk qartë se populli sikur ishte në anën e të pakënaqurve; por Moisiu nuk bëri as edhe një përpjekje per t’u vetëmbrojtur e shfajësuar. Ai i bëri një apel solemn Perëndisë, në prani të mbarë asamblesë, që të ishte dëshmitar se motivet e tij ishin krejtësisht të pastra dhe se sjellja e tij ishte e më se e drejtë. Pra, Moisiu iu lut Perëndisë që të bëhej Gjykatësi i tij. PPAlb 307.1

Të nesërmen, dyqind e pesëdhjetë prijësit me Koreun në krye, u paraqitën me temjanicat e tyre. Ata u sollën tek oborri i tabernakullit, ndërkohë që populli ishte mbledhur i tëri dhe priste përjashta se çfarë do të ndodhte. Nuk ishte Moisiu ai që e thirri asamblenë që të shikonin disfatën e Koreut dhe të njerëzve të tij, por rebelët vetë, me një arrogancë e prepotencë ekstreme, kishin qenë ata që mblodhën popullin që të ishte dëshmitar i fitores së tyre. Shumica e asamblesë doli hapur në anën e Koreut, i cili shpresonte me të madhe se do t’i zinte vendin Aaronit. PPAlb 307.2

Ndërsa u mblodhën përpara pranisë së Perëndisë, “lavdia e Zotit u shfaq përpara të gjithë asamblesë.” -Vargu 19. Paralajmërimi hyjnor iu komunikua si Moisiut ashtu edhe Aaronit: “Ndahuni veç nga kjo asamble dhe unë do t’i zhduk në një çast. Por ata ranë përmbys me fytyrën për tokë dhe thanë: ‘O Perëndi, Perëndia i frymëve të çdo mishi! Meqë një njeri i vetëm ka mëkatuar, a duhet të zemërohesh ti me të gjithë asamblenë?” - Vargjet 21, 22. PPAlb 307.3

Ndërkohë, Koreu ishte larguar nga asambleja për t’u bashkuar me Dathanin dhe Abiramin, kur Moisiu, i shoqëruar nga shtatëdhjetë pleqtë, zbriti për t’i paralajmëruar për herë të fundit ata njerëz që kishin refuzuar të vinin përpara tij. PPAlb 307.4

Turmat vinin pas, dhe përpara se të shpallte mesazhin, Moisiu, i udhëzuar nga Zoti, i bëri thirrje popullit: “Largohuni nga çadrat e këtyre njerëzve të këqij, dhe mos prekni asgjë që u përket atyre që të mos zhdukeni në të gjitha mëkatet e tyre.”- Vargu 26. Populli iu bind këtij paralajmërimi. Kishte një parandjenjë të përgjithshme se ndëshkimi nuk do të vononte. Kryerebelët e panë veten plotësisht të braktisur nga ata që kishin mashtruar më parë, por gjithsesi nuk e dhanë veten. Ata qëndruan në këmbë, së bashku me familjet e tyre, pranë dyerve të çadrave, në shenjë mospërfilljeje ndaj paralajmërimit hyjnor. PPAlb 307.5

Në emër të Perëndisë së Izraelit, Moisiu tashmë deklaroi përpara mbarë asamblesë: “Nga kjo do të mësoni që Zoti më ka dërguar për të bërë tërë këto vepra dhe se nuk kam vepruar me kokën time. Në qoftë se këta njerëz vdesin si vdesin gjithë njerëzit, në qoftë se fati i tyre është fati i përbashkët i të gjithë njerëzve, Zoti nuk më ka dërguar; por në qoftë se Zoti bën diçka të re, në qoftë se toka hap gojën e saj dhe gëlltit ata dhe çdo gjë që ata kanë, dhe ata zbresin të gjallë në thellësi të tokës, atëherë do ta kuptoni se këta njerëz kanë përçmuar Zotin.” - Vargjet 28-30. PPAlb 307.6

Sytë e mbarë Izraelit ishin ngulitur tek Moisiu, ndërsa pritnin të tmerruar atë që me siguri do të ndodhte së shpejti. Menjëherë sapo Moisiu mbaroi fjalimin, dheu poshtë rebelëve u ça më dysh, duke bërë që të binin të gjallë në thellësi të tokës me të gjitha zotërimet e tyre dhe “toka u mbyll përmbi ta dhe u zhdukën nga asambleja.” - Varjet 31, 32. Turmat morrën arratinë te vetëdënuar, sepse e dini fare mirë se kishin qenë bashkëpjesëmarrës në mëkat. PPAlb 307.7

Por ndëshkimi nuk mbaroi me kaq. Një zjarr doli nga reja dhe gëlltiti dyqind e pesëdhjetë prijësit që kishin ofruar temjan. Këta të fundit, nuk ishin bashkuar që në fillim ne rebelimin e Koreut, dhe kështu nuk u vranë në të njëjtën kohë me kryefajtorët. Ata u lejuan që të ishin dëshmitarë të fundit të tyre, dhe të kishin një mundësi për t’u penduar; por ata vazhduan të simpatizonin rebelët, dhe rrjedhimisht pësuan fatin e tyre. PPAlb 308.1

Kur Moisiu po i bënte thirrje Izraelit që të largohej nga shkatërrimi që po vinte, ndëshkimi hyjnor mund të ishte ndalur edhe në ato çaste, po qe se Koreu dhe bashkëpunëtorët e tij do të ishin penduar e do të kishin kërkuar falje. Por rezistenca kokëfortë nga ana e tyre u vulosi fatin. Mbarë asambleja ishte bashkëfajtore, sepse të gjithë, ca më pak ca më shumë, ishin bërë simpatizantë të tyre. Megjithatë, Perëndia, duke treguar mëshirën e Tij madhështore, bëri një dallim midis drejtuesve të rebelimit dhe ndjekësve të tyre. Gjithsesi, njerëzve që më parë e kishin lejuar veten që të mashtroheshin iu dha mundësia për pendim. Nuk mund të jepej një evidencë më e qartë se ata e kishin patur gabim dhe se Moisiu kishte të drejtë. Manifestimi i qartë i fuqisë së Perëndisë kishte zhdukur çdo dyshim e pasiguri. PPAlb 308.2

Jezusi, Engjëlli që printe përpara hebrenjtë, u përpoq t’i shpëtonte nga shkatërrimi. Falja ishte ende e disponueshme për ta. Ndëshkimi i Perëndisë ishte afruar shumë, dhe u kishte bërë apel për t’u penduar. Një ndërhyrje e posaçme, e parezistueshme nga qielli e kishte ndalur rebelimin e tyre. Tani, në rast se donin të shpëtonin, ata duhet t’i përgjigjeshin pikërisht kësaj ndërhyrjeje hyjnore që buronte nga mëshira e Perëndisë. Por ndërsa ua mbathën këmbëve, duke patur frikë se do të ndëshkoheshin edhe ata, rebelimi i tyre nuk u kurua. Vërtetë, ata shkuan atë natë të tmerruar në çadrat e tyre, por jo të penduar. PPAlb 308.3

Ata ishin kandisur nga Koreu e njerëzit e tij në atë pikë sa u gënjente mendja me të vërtetë se ishin njerëz shumë të mirë, dhe se ishin munduar pa të drejtë nga Moisiu. Po të pranonin tani se Koreu dhe njerëzit e tij e kishin patur gabim, kurse Moisiu të drejtë, atëherë detyrimisht u duhej që ta pranonin si fjalë nga Perëndia verdiktin që ata do të vdisnin të gjithë në shkretëtirë. Ata nuk donin aspak që ta pranonin këtë, dhe prandaj u përpoqën të besonin se Moisiu gjithsesi i kishte mashtruar. Ata mezi kishin pritur me kërshëri që me Koreun të ndryshonin të gjitha gjërat, që të merrnin veçse lëvdata në vend të qortimeve, dhe rehat në vend të ankthit dhe konfliktit. PPAlb 308.4

Njerëzit që ishin vrarë u kishin folur me fjalë të bukura dhe kishin shprehur interes e dashuri të madhe për ta. Për këtë arësye, populli pandehte se Koreu dhe shokët e tij ishin vërtetë burra të mirë, dhe se Moisiu në një mënyrë ose tjetrën, kishte qenë shkaku i vërtetë i shkatërrimit të tyre. PPAlb 308.5

Nuk ka gjë më ofenduese ndaj Perëndisë se sa kur njerëzit përbuzin dhe refuzojnë mjetet apo ndërmjetësit që Ai përdor për shpëtimin e tyre. Izraelitët jo vetëm që e bënë këtë gjë, por madje ishin përpjekur që të vrisnin si Moisiun ashtu edheAaronin. Megjithëkëtë, ata as që nuk e panë fare domosdoshmërinë e të kërkuarit të faljes Perëndisë për këtë mëkat kaq të rëndë e të tmerrshëm. Në vend që ata ta kalonin atë natë prove me lutje e rrëfime, e kaluan atë duke sajuar nëpër mendje lloj-lloj justifikimesh që si e si t’i bënin reziztencë faktit se ishin shndërruar në mëkatarë të mëdhenj. Inati në zemrat e tyre për njerëzit ë caktuar nga Perëndia nuk u largua aspak; kështu ata u përbetuan se nuk do t’i bindeshin autoritetit të Mosiut dhe Aaronit. Në këtë situatë, Satani e kishte mjaft të lehtë që të shtrembëronte mendjen e tyre dhe t’i printe ata si të verbër drejt shkatërrimit. PPAlb 308.6

Krejt Izraeli u largua me të katra sapo panë që Koreu me shokë u përpinë nga dheu; dhe thonin, “Të mos na gëlltisë toka edhe ne!” - Vargu 34. Por vetëm të nesërmen, e gjithë asambleja e pasardhësve të Izraelit filloi të murmuriste kundër Moisiut dhe Aaronit, dukë thënë, “Ju keni bërë të vdesë populli i Zotit” - Vargu 41. Dhe ishin gati të fillonin sherrin dhe të përdornin dhunën kundër udhëheqësve të tyre besnikë dhe vetëmohues. PPAlb 309.1

Lavdia hyjnore u manifestua ne renë që gjendej mbi shenjtërore, dhe një zë nga reja i foli Moisiut dhe Aaronit, “Largohuni nga kjo asamble dhe unë do t’i zhduk në një cast.” - Vargu 45. PPAlb 309.2

Faji i mëkatit nuk binte fare mbi Moisiun, dhe për këtë arsye ai nuk pati frikë dhe nuk nxitoi të largohej dhe kështu ta linte asamblenë që të zhdukej. Moisiu qëndroi pa lëvizur përgjatë kësaj periudhe krize, duke e treguar edhe një herë veten si një bari i vërtetë që interesohej e përkujdesej për kopenë që i ishte lënë në dorëzim. Ai iu përgjërua Zotit që të mos e shkatërronte të gjithë popullin e zgjedhue me zemërimin e Tij. Hakmarrja që meritonte Izraeli u anullua si pasojë e ndërmjetësimit që bëri Moisiu, ndryshe, ky popull rebel dhe i pabindur do të merrte fund plotësisht PPAlb 309.3

Zemërimi gjithesi ishte i pashmagshëm, dhe ngjarja e rëndë u shoqërua me pasoja të pashmangshme. Me porosi të Moisiut, Aaroni mori një temjanicë dhe nxitoi drejt mesit të asamblesë “dhe...bëri shlyerje për popullin... Dhe u ndal midis të gjallëve dhe të vdekurve, dhe fatkeqësia u ndal.” - Vargjet 47, 48. Ndërsa tymi i temjanin u ngrit lart, lutjet e Moisiut në tabernakull u ngjitën lart tëk Perëndia; dhe fatkeqësia u ndal; por jo pa u vrarë rreth katërmbëdhjetë mijë veta, një evidëncë kjo më se e qartë e fajit të murmuritjes dhe rebelimit të Izraelit. PPAlb 309.4

Për më tepër, u bë mëse e qartë se priftëria ishte krijuar brenda familjes së Aaronit. Me anë të një urdhri hyjnor, çdo fis përgatiti një shufër në të cilin shkroi emrin e fisit. Emri i Aaronit ishte në shufrën e fisit të Levit. Shufrat u vendosën në tabernakull, “përpara dëshmisë” (vendit ku Perëndia takohej me njerëzit) - Numrat 17:4. Ajo shufër fisi që do të lulëzonte do të thoshte se fisi që ajo përfaqësonte ishte zgjedhur nga Perëndia për priftërinë. Të nesërmen, “Moisiu hyri në çadrën e dëshmisë; dhe ja, shufra e Aaronit për shtëpinë e Levit kishte lulëzuar; kishte nxjerrë lastarë, kishte çelur lule dhe kishte prodhuar bajame.” PPAlb 309.5

-Numrat 17:8. Kjo iu tregua mbarë popullit dhe më vonëu vendos në tabernakull si një dëshmi për brezat që do të vinin. Me anë të kësaj mrekullie u sqarua një herë e mirë se kujt i takonte funksioni i priftërisë (pra, fisit të Levit). PPAlb 309.6

Tashmë, u bë krejtësisht e qartë se Moisiu dhe Aaroni kishin folur me një autoritet hyjnor, she se njerëzit u detyruan që ta përtypnin të vërtetën e hidhur se ata kishin për të vdekur në shkretëtirë. “Ja, po vdesim, kemi marrë fund, të gjithë kemi marrë fund!” - Vargu 12. Ata rrëfyen faktin se kishin mëkatuar kur kishin rebeluar kundër udhëheqësve të tyre, dhe se Koreu dhe bashkëpunëtorët e tij kishin marrë dënimin e merituar nga Perëndia. PPAlb 309.7

Tek rebelimi i Koreut, shihet, në një plan më të ngushtë, e njëjta frymë që çoi në rebelimin e Satanit në qiell. Ishin krenaria dhe ambicia ato që e nxitën Luciferin që të ankohej për qeverisjen e Perëndisë, dhe të kërkonte përmbysjen e rendit që ishte krijuar në qiell. Që prej rënies së Satanit, objektivi i këtij të fundit ka qenë kultivimi në mendjen e njeriut i së njëjtës fryme lakmie dhe pakënaqësie, i së njëjtës ambicie për pozitë të lartë e nderime. Kështu punoi edhe me mendjet e Koreut, Dathanit dhe Abiramit, që të provokonte tek ta dëshirën për vetë-lëvdim, e të shkaktonte lakmi, mosbesim dhe rebelim. Satani bëri që ata ta mohonin Perëndisë si udhëheqës të tyre, duke mohuar ata njerëz që ishin të zgjedhurit e Perëndisë. Megjithatë, ndërsa murmuritnin kundër Moisiut dhe Aaronit, duke blasfemuar kështu kundër vetë Perëndisë, atyre u gënjeu mëndja në atë masë saqë e pandëhen veten si të virtytshëm, dhe t’i konsideronin ata që i kishin bllafaquar për mëkatin e tyre (Moisiun dhe Aaronin), si gjoja të nxitur nga Satani. PPAlb 310.1

A nuk ekzistojnë edhe sot të njëjtat ligësira të cilat sollën fundin e tmerrshëm të Koreut? Krenaria dhe ambicia nuk mungojnë aspak; dhe në rast se ato ushqehen, ato pastaj u lënë vendin lakmisë dhe dëshirës për të qenë mbi të tjerët; kështu, njeriu largohet e bëhet i huaj për Perëndinë, dhe pa e kuptuar, tërhiqet në rradhët e Satanit. Ashtu si Koreu dhe bashkëpunëtorët e tij, shumë njerëz në ditët tona, madje edhe nga ata që pretendojnë se ndjekin mësimet e Krishtit, mendojnë, planifikojnë, dhe punojnë vetëm e vetëm për interesat e tyre meskine, në mënyrë që të fitojnë simpatinë dhe mbështetjen e të tjerëve; dhe për ta bërë këtë, ata janë gati që të shtrembërojnë të vërtetën, të gënjejnë e të çpërfaqsojnë shërbëtorët e vërtetë të Zotit, dhe t’i akuzojnë këta të fundit me ato motive të ulta e të poshtra që i mendojnë vetë në zemrat e tyre egoiste. Duke përsëritur vazhdimisht gënjeshtra e mashtrime, edhe kur faktet janë plotësisht ndryshe, ata gradualisht dhe përfundimisht i besojnë këto gjëra sikur të ishin të vërteta. Kështu, duke u përpjekur që të shkatërrojnë besimin e njerëzve tek ata drejtues që janë të zgjedhurit e Zotit, atyre u gënjen mendja se po bëjnë atë që duhet, se nuk po bëjnë asgjë tjetër përveç se po i shërbejnë Perëndisë. PPAlb 310.2

Hebrenjtë nuk u treguan të gatshëm që t’u nënshtroheshin udhëzimeve dhe kufizimeve të thëna nga Zoti. Ata treguan një padurueshmëri ekstreme, si dhe një mungesë vullneti për të pranuar qortimin. Ky ishte sekreti i murmuritjes së tyre kudnër Moisiut. Po të ishin lënë që të bënin çfarë u donte qejfi, do të kishte patur shumë më pak ankesa nsaj udhëheqësit të tyre. Përgjatë gjithë historisë se kishës, shërbëtorëve të Perëndis u është dashur të ndeshen me të njëjtën frymë. PPAlb 310.3

Me anë të kultivimit të mëkatit e fëlliqësisë, njerëzit i shtrojnë rrugën Satanit që të hyjë në mëndjet e tyre, dhe kështu, ata zbresin nga një shkallë e ligësisë në tjetrën. Refuzimi i dritës e errëson mendjen, dhe e ashpërson zemrën në një mënyrë të tillë sa që është më e lehtë për ta që të marrin një hap më tej në mëkat dhe të vazhdojnë së refuzuari dritën, dhe kështu, këto veprime të këqija bëhen zakon dhe fiksohen. Thënë ndryshe, mëkati nuk duket më ndonjë gjë e keqe, për shkak të akomodimit. Ai përson që predikon me besnikëri fjalën e Perëndisë, dhe kështu, i dënon mëkatet e këtyre njerëzve, ndeshet, në shumicën e rasteve, me zemërimin e tyre. Duke mos patur aspak vullnetin që ta durojnë dhimbjen dhe sakrificën që duhet për të ndryshuar, këta njerëz i kthehen shërbëtorit të Perëndisë dhe i paraqesin qortimet e tij si të paqena e të ashpra. Ashtu si Koreu, ata deklarojnë se nuk e kanë fajin njerëzit; qortuesi (në këtë rast, predikuesi i fjalës së Zotit) është ai që shkakton trazirën. Në këtë mënyrë, ata e përkëdhelin ndërgjegjen me mashtrime të tilla. Për më tepër, xhelozët e të pakënaqurit gjejnë shoqi-shoqin duke shkaktuar përçarje në kishë dhe duke dobësuar përpjekjet e atyre që përpiqen që ta ndërtojnë kishën. PPAlb 310.4

Çdo hap që është ndërmarrë nga ata njerëz që janë thirrur me të vërtetë nga Perëndia në punën e Tij ka shkaktuar dyshime dhe pakënaqësi; çdo veprim i tyre është keqinterpretuar nga njerëzit cmirëzinj e fajgjetës. Kështu ishte edhe në kohën e Reformatorëve të mëdhenj të krishtërimit, Martin Luther-it vëllezërve Ëesley, e të tjerëve. Kështu është edhe sot! PPAlb 311.1

Koreu nuk do ta kishte ndërmarrë atë rrugë që ndoqi në rast se do ta kishte ditur se të gjitha udhëzimet dhe qortimet që iu komunikuan Izraelit ishin nga Perëndia. Por Ai mund ta kishte ditur këtë. Perëndia kishte dhënë fakte të pakundërshtueshme se Ai ishte prijësi i Izraelit. Por Koreu dhe bashkëpunëtorët e tij e refuzuan dritën e së vërtëtës në atë masë saqë u verbëruan. Aq të verbër ishin, saqë edhe manifestimet më madhështore të fuqisë së Perëndisë nuk ishin më të mjaftueshme për t’i bindur; mjerisht, ata i interpretuan ato si gjëra që vini nga burime njerëzore ose satanike. Të njëjtën gjë bëri edhe populli, i cili, një ditë pasi ishte vrarë Koreu dhe njerëzit e tij, erdhi tek Moisiu dhe Aaroni duke thënë, “Ju keni bërë të vdesë populli i Zotit.” Pavarësisht se Perëndia e kishte shprehur mjaft qartë pakënaqësinë e Tij ndaj sjelljes së tyre, ata e interpretuan vrasjen e atyre njerëzve mashtrues në mënyrën më të keqe të mundshme—duke ia veshur atributet e Perëndisë Satanit, dhe duke pretenduar se Moisiu dhe Aaroni kishin shkaktuar vdekjen e këtyre burrave të mirë e të shenjtë, nëpërmjet fuqisë së djallit. Ky ishte akti që vulosi përfundimisht fatin e tyre. Ata kishin kryer kështu mëkatin kundër Frymës së Shenjtë. Një mëkat me antë të së cilit, zemra e njeriut ashpërsohet dhe i bën rezistencë ndikimit të hirit hyjnor. Krishti ka thënë, “Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut do të falet; por ai që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet as në këtë botë as në atë të ardhme.” - Mateu 12:32. Këto fjalë u thanë nga Shpëtimtari ynë kur ato vepra hirplota që Ai kishte kryer nëpërmjet fuqisë së Perëndisë, çifutët ua atribuan Beelzebubit (Djailit). Nëpërmjet veprimtarisë së Frymës së Shenjtë, Perëndia komunikon me njeriun; dhe të gjithë ata që e refuzojnë me dashje këtë veprimtari dhe e quajnë satanike, nuk bëjnë asgjë tjetër përveç se bllokojnë kanalin e komunikimit ndërmjet zemrës së njeriut dhe Perëndisë së qiellit. PPAlb 311.2

Perëndia punon nëpërmjet manifestimit të Frymës së Tij të Shenjtë, për të qortuar e bindur mëkatarin; dhe në qoftë se veprimtaria e Frymës së Shenjtë refuzohet përfundimisht, Perëndia nuk mund të bëjë më dot asgjë për këtë njeri. Burimi i fundit i mëshirës hyjnore është përdorur. Fajtori e ka shkëputur plotësisht veten nga Perëndia, dhe mëkati nuk gjen dot asnjë kurë shërimi. Përtej kësaj, nuk ka ndonjë fuqi rezervë me anë të së cilës Perëndia mund të punojë për të bindur e kthyer mëkatarin nga rruga e keqe. “Lëre të veprojë [lëre rehat]” - (Hosea 4:17) është urdhri hyjnor në këtë rast. Pas refuzimit të Frymës së Shenjtë, “... nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet, por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët.” - Hebrenjve 10:26, 27. PPAlb 311.3