PATRIARKË DHE PROFETË

29/74

29—“ARMIQËSIA E SATAN’S KUNDËR LIGJIT TË PERËNDISË”

*****

Përpjekja më e parë që Satani bëri për të rrëzuar ligjin e Perëndisë—e ndërrmarrë ndër banorët e pamëkatë të qiellit—u duk sikur rezultoi e suksesshme për një farë kohe. Ç'është e vërteta, u mashtruan një numër i konsiderueshëm engjëjsh; por fitorja në dukje e Satanit shumë shpejt u shndërrua në disfatë dhe humbje, ndarje nga Perëndia, si dhe përzënie nga qielli. PPAlb 237.1

Kur konflikti u ripërsërit në planetin tonë, Satani sërish pati një avantazh në dukje. Për shkak të shkeljes që bëri, njeriu u bë skllavi i Satanit, dhe mbretëria e njeriut u shpërdorua dhe u la të shkonte në duart e kryerebelit. Tashmë rruga për të themeluar një mbretëri të pavarur, dhe për të sfiduar e rebeluar kundër autoritetit të Perëndisë dhe Birit të Tij dukej e hapur për Satanin. Por plani i shpëtimit do të bënte të mundur sërish që njeriu të risillej në harmoni me Perëndinë, si dhe t’i përkushtohej bindjes ndaj ligjit të Tij. Gjithashtu, ky plan shpëtimi do të mundësonte njerëzimin dhe tokën që të shpengoheshin nga pushteti i të ligut (Satanit). PPAlb 237.2

Satani u mund përsëri, dhe përsëri iu kthye mashtrimit, me shpresën se do ta shndërronte disfatën në ngadhënjim. Për të stisur një rebelim në racën njerëzore të rënë në mëkat, Satani filloi ta paraqiste e ta etiketonte Perëndinë si të padrejtë dhe se kishte qenë vetë Ai që e lishte lejuar njeriun që të thyente ligjin e Tij. “Kur Perëndia e dinte se çfarë kishte do të ndodhte,” thoshte tunduesi dinak, “pse atëherë e lejoi Ai njeriun që të vihej në provë, që të mëkatonte, dhe të sille mjerim e vdekje?” Dhe pasardhësit e Adamit, duke e harruar dhe mospërfillur mëshirën plot dhembshuri nga ana e Perëndisë—mëshirë kjo që u garantoi atyre një mundësi të re—, dhe pavarësisht sakrificës së tmerrshme dhe të jashtëzakonshme që mëkati i njeriut i kishte kushtuar Mbretit të qiellit, ia dëgjuan fjalën Satanit, dhe murmuritën kundër të vetmes Qenie që mund t’i shpëtonte ata nga pushteti shkatërrues djallëzor. PPAlb 237.3

Në ditët e sotme, ka me mijëra që i bëjnë jehonë të njëjtës ankesë rebeluese kundër Perëndisë. Ata nuk e kuptojnë faktin se ta privosh njeriun nga liria e tij e zgjedhjes do të thotë që të zhvatësh prej tij prerogativën që ai ka si një qenie inteligjente, dhe ta shndërrosh atë përfundimisht në një robot. Perëndia nuk synon aspak që të ndrydhë apo të ushtrojë presion mbi vullnetin e lirë njerëzor. Njeriu u krijua si qenie me kapacitet të plotë moral për të zgjedhur. Ashtu si banorët e tërë botërave të tjera, njeriu duhet t’i nënshtrohej provës së besnikërisë; por ai nuk është sjellë asnjëherë në atë lloj gjendjeje në të cilën ai nuk ka absolutisht asnjë rrugëzgjidhje tjetër përveçse t’i hapë rrugë ligësisë. Asnjë lloj tundimi apo prove që është e papërballueshme për t’u rezistuar nuk lejohet që të vijë tek njeriu. Perëndia në fakt kishte ndërrmarë masat e duhura dhe kishte siguruar gjithçka që njeriu të mos pësonte asnjë lloj disfate në konfliktin me Satanin. PPAlb 237.4

Ndërkohë që raca njerëzore u rrit numerikisht në tokë, pothuajse e gjithë bota u përfshi në rradhët e rebelimit. Edhe një herë tjetër, u duk sikur Satani korri fitoren e rradhës. Por i plotfuqishmi Perëndi ia preu rrugën sërish krimbit të fëlliqësisë, dhe kështu, toka u pastrua nga ndotja e rëndë morale me anë të Përmbytjes (së kohës së Noeut). PPAlb 238.1

Profeti thotë, “...Kur shfaqen gjykimet e [Zotit] mbi tokë, banorët e botës do të mësojnë drejtësinë. Të pabesit le t’i tregohet mëshirë, por ai nuk do ta mësojë virtytshmërinë; ai do të veprojë në mënyrë të çoroditur...dhe nuk do të mund të shikojë dot madhështinë e Zotit.” - Isaia 26:9b-10. Pikërisht kështu ndodhi pas Përmbytjes. Pasi u liruan nga gjykimet e Perëndisë, banorët e tokës rebeluan sërish kundër Zotit. Tashmë besëlidhja dhe statutet e Perëndisë ishin refuzuar poshtë dy herë nga bota. Ashtu siç kishin vepruar banorët e periudhës përpara Përmbytjes, edhe pasardhësit e Noeut e hodhën tutje autoritetin e Perëndisë. Në këtë situatë, Perëndia hyri në një besëlidhje me Abrahamin, dhe adoptoi një popull për Vete që të bëheshin kujdestarë të ligjit të Tij. Nga ana tjetër, Satani filloi menjëherë të ngrejë çarqe për të joshur e mashtruar popullin e zgjedhur të Perëndisë. Pasardhësit e Jakobit u tunduan që të bënin lidhje martesore me paganët si dhe të adhuronin idhujt e tyre. Por Jozefi i qëndroi besnik Perëndisë, dhe besnikëria e tij ndriçonte vazhdimisht si dëshmia e besimit të vërtetë. Për ta fashitur këtë dritë, Satani orkestroi nëpërmjet zilisë dhe lakmisë së vëllezërve të Jozefit që ky i fundit të shitej si skllav në një tokë pagane. Megjithatë, Perëndia ishte në kontroll të rrethanave në mënyrë që njohuria rreth Tij t’i jepej vetë popullit të Egjiptit. Si në shtëpinë e Potifarit, ashtu edhe në burg, Jozefi mori një edukim dhe trainim të tillë (nën frikën e Perëndisë) që e përgatitën atë për pozitën e lartë që zuri si kryeministër i vendit. Prej pallatit të faraonëve, influenca e Jozefit u përhap nëpër mbarë territorin e Egjiptit, kurse njohuria rreth Perëndisë u përhap në çdo kënd. Gjithashtu, izraelitët në Egjipt u bënë të begatë dhe të pasur dhe ata prej tyre që i përkushtoheshin Perëndisë ushtruan një ndikim të konsiderueshëm tek të tjerët. Priftërinjtë idhujtarë egjiptianë u alarmuan së tepërmi kur panë se një besim i ri po fitonte territor. Të frymëzuar nga vetë Satani dhe armiqësia e tij e egër ndaj Perëndisë së qiellit, këta priftërinj i vunë synim vetes që ta shuanin dritën. Meqënëse edukimi i trashëgimtarit të fronit mbretëror i takonte priftërinjve, ishte pikërisht fryma e opozitës së vendosur kundër Perëndisë ajo që do të përcaktonte formimin e karakterit të faraonit të ardhshëm dhe që do të shkaktonte mjerim dhe vuajtje të mundimshme për hebrenjtë. PPAlb 238.2

Gjatë dyzet vjetëve, (pas largimit të Moisiut nga Egjipti), idhujtaria dukej sikur kishte ngadhënjyer kudo. Vitet kalonin dhe shpresat e izraelitëve sa vinin e veniteshin. Si faraoni ashtu edhe egjiptasit mburreshin me pushtetin që kishin, dhe talleshin me Perëndinë e Izraelit. Kjo situatë u përkeqësua gjithmonë e më shumë (për një kohë të gjatë) deri sa arriti kulmin e saj me faraonin që u konfrontua nga Moisiu. Kur udhëheqësi izraelit doli përpara faraonit me një mesazh nga “Zoti (hebr. Jahveh), Perëndia i Izraelit,” nuk ishte mosdija e ekzistencës së Perëndisë së vërtetë, por prepotenca dhe rebelimi kundër pushtetit të Tij, ajo që nxiti përgjigjen: “Kush është ky Zoti (hebr. Jahveh), që unë t’i bindem zërit të Tij?” Nga fillimi në fund, kundërshtimi nga ana e faraonit ndaj urdhrit hyjnor nuk erdhi aspak si pasojë e mosdijes, por si pasojë e inatit dhe arrogancës. PPAlb 238.3

Ndonëse egjiptasit e kishin refuzuar tashmë prej kohësh njohurinë rreth Perëndisë së vërtetë, Zoti gjithsesi u dha atyre një mundësi për pendesë. Në ditët e Jozefit, Egjipti kishte shërbyer si strehë për Izraelin. Perëndia ishte nderuar me mirësjelljen që ishte treguar ndaj popullit të Tij; dhe tani, mëshirploti Perëndi, i ngadaltë në zemërim, dhe i mbushur me dhembshuri, i dha çdo gjykimi një afat kohor të përshtatshëm për të mundësuar pendesën e egjiptasve. Këta të fundit, të mallkuar nga të njëjtat objekte që ata kishin adhuruar, u përballën me një evidencë të pakundërshtueshme të fuqisë së Zotit të Izraelit, dhe ata që donin, kishin mundësinë për t’iu nënshtruar Perëndisë dhe kështu t’u shpëtonin murtajave dhe gjëmave. Qëndrimi racist dhe kokëfortë i faraonit solli për rrjedhojë një përhapje të mëtejshme të njohurisë rreth Perëndisë së vërtetë. Kështu, shumë egjiptas iu përkushtuan shërbimit ndaj Perëndisë së hebrenjve. PPAlb 239.1

Pikërisht ngaqë izraelitët kishin një prirje për t’u përzier në martesa me paganët dhe të imitonin zakonet e tyre idhujtare, Perëndia i lejoi ata që të emigronin në Egjipt, vend në të cilin ndjehej fort influenca e Jozefit. Për më tepër, Egjipti u ofronte atyre rrethanat më optimale dhe të favorshme që ata të mbeteshin një komb i pastër (pra, i papërzier në martesa me jo-hebrenj). Nga ana tjetër, idhujtaria e shpifur e egjiptasve si dhe mizoria dhe sundimi që ata do të aplikonin ndaj hebrenjve, sidomos në dekadat e fundit të qëndrimit të tyre në Egjipt, duhet të kishte frymëzuar në ta një ndjenjë të fortë përbuzjeje ndaj idhujtarisë, si dhe duhet t’i kishte bërë ata që të largoheshin e të kërkonin strehë tek Perëndia i etërve të tyre. Satani u përpoq që t’i shfrytëzonte rrethanat e reja të krijuara për të arritur qëllimin që kishte për të errësuar mendjet e izraelitëve si dhe për t’i nxituar këta të fundit që të imitonin praktikat pagane të pronarëve të tyre egjiptas. Për shkak të trajtimit supersticioz që u bëhej bagëtive nga ana e egjiptasve, hebrenjtë nuk u lejuan gjatë periudhës së robërisë që t’i paraqitnin oferta flijimi (kurban) Perëndisë. Por duke qenë kështu, mendjet e tyre nuk mund të drejtoheshin me anë të këtij riti për nga flijimi i madh që do të kryhej në të ardhmen nga Krishti. Për pasojë, besimi i tyre u dobësua ndjeshëm. Kur erdhi koha për çlirimin e Izraelit, Satani u angazhua plotësisht që t’u bënte rezistencë planeve të Perëndisë. Ai bëri ç'është e mundur që ai popull i madh (izraelitët), i cili në atë kohë numëronte mbi dy milionë frymë, të mbahej në errësirën e mosdijes dhe supersticionit (bestytnisë). Atë popull të cilin Perëndia e kishte premtuar se do ta bekonte e shumonte, se do ta bënte një fuqi botërore, dhe nëpërmjet të cilit Ai do të mund të shfaqte njohurinë e vullnetit të Tij—atë popull të cilin Përëndia donte ta bënte mbajtës të ligjit të Tij— pikërisht atë popull Satani synoi vazhdimisht që ta mbajë në errësirë dhe robëri në mënyrë që të fshinte plotësisht nga mendjet e tyre kujtesën e Perëndisë. PPAlb 239.2

Kur mrekullitë u kryen përpara syve të faraonit, Satani ndodhej në terren për të kundërvepruar ndaj ndikimit të mundshëm të këtyre mrekullive, si dhe për të mos lejuar faranin që të pranonte supremacinë e Perëndisë dhe t’i bindej ultimatumit të Tij. Satani u mundua me të gjitha energjitë që zotëronte që të fabrikonte e falsifikonte veprën e Perëndisë dhe t’i rezistonte vullnetit të Tij. Por të vetmit rezultate ishin pregatitja e rrugës për ekspozime edhe më mashështore të fuqisë dhe lavdisë hyjnore, si dhe një ndërgjegjësim i mëtejshëm, si i izraelitëve, ashtu edhe i egjiptasve, mbi ekzistencën dhe sovranitetin e të vetmit Perëndi të gjallë e të vërtetë. PPAlb 239.3

Perëndia e çliroi Izraelin me anë të manifestimeve të fuqishme të fuqisë së Tij, si dhe me anë të ndëshkimeve (apo gjykimeve) ndaj të gjithë “perëndive” të Egjiptit. “[Perëndia] e nxorri popullin e Tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi...me qëllim që të respektonin statutet e Tij dhe t’u bindeshin ligjeve të Tij.” - Psalmi 105:43, 45. Ai i shpëtoi ata nga pozitat e skllavërisë për t’i sjellë më vonë në një vend të mirë—një vend që ishte përgatitur posaçërisht për ta nën përkujdesjen e Tij për të qenë një strehë ndaj armiqve, një tokë ku ata do të mund të banonin nën hijen mbrojtëse të krahëvë të Tij. Perëndia do t’i sillte tek Vetja, si dhe do t’i përqafonte fort me krahët e Tij të përjetshëm; dhe si shpërblim për mirësinë dhe mëshirën e Tij ndaj tyre, atyre iu kërkua që të mos kishin asnjë perëndi përveç Tij, Perëndisë së gjallë, si dhe të lartësonin emrin e Tij dhe ta bënin atë të lavdishëm në botë. PPAlb 240.1

Gjatë viteve të robërisë në Egjipt shumica e izraelitëve e kishin humbur ose harruar njohurinë rreth ligjit të Perëndisë, dhe i kishin përzier udhëzimet e ligjit me zakone e tradita pagane. Për këtë arsye, Perëndia e solli popullin e Tij pranë Malit Sinai, dhe atje Ai do të shpallte ligjin e Tij me zërin e Vet. PPAlb 240.2

Gjatë kësaj kohe, Satani dhe engjëjt e këqinj që e shoqëronin ndodheshin në terren. Edhe kur Perëndia po i shpallte ligjin popullit të Tij, Satani bënte komplote që te mund t’i tundonte e t’i nxiste që të mëkatonin. Ky popull i zgjedhur nga Perëndia, do të mashtrohej nga Satani përpara pranisë së Qiellit. Duke i nxitur që të praktikonin idhujtarinë, Satani synonte të shkatërronte efikasitetin e krejt adhurimit; sepse vallë, si mund të ngrihet njeriu në pozitë kur ai adhuron diçka që nuk është më e lartë apo më e rëndësishme se ai vetë dhe që mund të simbolizohet nëpërmjet punës së duarve të veta? Në qoftë se njerëzit do të arrinin të verbëroheshin aq keq saqë ta simbolizonin fuqinë, lavdinë dhe madhështinë e Perëndisë që nuk njeh fund, nëpërmjet një shëmbëlltyre të gdhendur apo madje edhe nëpërmjet një kafshe apo zvarraniku; në qoftë se izraelitët do të harronin kaq lehtë identitetin e tyre që vinte nga vetë Perëndia— të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Krijuesit të tyre—, aq sa do të përkuleshin përpara këtyre objekteve revoltuese dhe të pakuptimta; atëherë pasionet e liga të zemrës nuk do të njihnin më frena, dhe për rrjedhojë, Satani do të mund ta kthente situatën në favorin e vet. PPAlb 240.3

Në rrëzën e Malit Sinai, Satani filloi të vinte në zbatim planet e veta për ta përmbysur ligjin e Perëndisë, duke vazhduar të ndjekë të njëjtën praktikë mashtruese që kishte përdorur edhe në qiell. Gjatë dyzet ditëve kur Moisiu ishte në mal me Perëndinë, Satani iu përvesh punës për të nxitur e stisur mëdyshje, akte të turpshme apostazie, dhe rebelim. Ndërkohë që Perëndia po shkruante ligjin e Tij që do t’i shpallej popullit me të cilin kishte bërë një besëlidhje, i njëjti popull u vu në kërkim të perëndive prej ari, duke e mohuar kështu plotësisht përkushtimin dhe besnikërinë ndaj Zotit! Kur Moisiu u kthye nga prania dridhëruese e lavdisë së Zotit, me udhëzimet e atij ligji që ata vetë ishin zotuar se do ta respektonin, ai i gjeti ata si mos me keq; duke u përkulur me adhurim përpara viçit të artë, në kundërshtim të hapur ndaj urdhërimeve të ligjit. PPAlb 240.4

Duke udhëhequr izraelitët në këtë fyerje dhe blasfemi të rëndë ndaj Zotit, Satani synonte që kjo të shkaktonte shkatërrimin e tyre. Meqënëse ata e kishin treguar veten si krejtësisht të çthurrur e të degraduar, kishin humbur çdo lloj sensi të privilegjeve dhe bekimeve që u kishte ofruar Perëndia si dhe kishin dështuar çdo herë që ishin përbetuar e zotuar solemnisht se do të qëndronin besnikë ndaj Tij, Satani shpresonte se Zoti do të ndahej përfundimisht prej tyre dhe do t’u jepte viston për shkatërrim. Në këtë mënyrë do të sigurohej shfarosja e plotë e pasardhjes së Abrahamit, ajo pasardhje e premtimit që duhej të mbronte njohurinë rreth Perëndisë së gjallë, dhe prej të cilës do të vinte Trashëgimtari i premtuar, Pasardhja e vërtetë, Jezu Krishti (shih - Zanafilla 3:15), i cili do ta mundte Satanin. Kryerebeli me emrin Satan ishte përpjekur ta shkatërronte Izraelin, dhe për rrjedhojë të pengonte planet dhe synimet e Perëndisë. Por ai do të pësonte përsëri disfatë. Ndonëse ishin fajtorë, izraelitët nuk u shkatërruan. Ndërkohë që ata njerëz që u rradhitën me arrogancë e mllef në anën e Satanit u asgjësuan, populli, pasi u përul dhe u pendua, u fal nga Perëndia i tyre mëshirëplotë. Historia e kësaj historie të turpshme do të shërbente si një përkujtimore e vazhdueshme për sa i përket fajit dhe dënimit ndaj idhujtarisë nga njëra anë, dhe drejtësisë dhe mëshirës së durueshme të Perëndisë. PPAlb 241.1

Tërë universi kishte qenë dëshmitar i ngjarjeve në Malin Sinai. Ndërsa filluan të shqyrtonin se çfarë po ndodhte në të vërtetë, ata dalluan një kontrast ekstrem ndërmjet qeverisjes së Perëndisë nga njëra anë dhe qeverisjes së Satanit nga ana tjetër. Kështu, banorët e pamëkatë të botërave të tjera panë edhe një herë tjetër pasojat e tmerrshme të apostazisë së Satanit, dhe atë farë qeverie që ai do kishte krijuar në qiell po të ishte lejuar që të manipulonte edhe më tej. PPAlb 241.2

Duke i stisur njerëzit që të thyenin Urdhërimin e dytë, Satani në fakt synonte të shpërfytyronte konceptimin e Qenies Hyjnore tek izraelitët. Kurse duke hedhur tutje Urdhërimin e katërt, ai dëshironte që njerëzit ta harronin Perëndinë një herë e mirë. Duhet thënë se kërkesa nga ana e Perëndisë për t’u respektuar e adhuruar, mbështetet në faktin se Ai, dhe jo përënditë e rreme pagane, është Krijuesi, dhe të gjitha krijesat i detyrohen Atij dhe vetëm Atij për ekzistencën e tyre. Kjo është dhe perspektiva e Biblës në këtë çështje. Profeti Jeremia thotë, “Zoti është Perëndia i vërtetë, ai është Perëndia i gjallë dhe një Mbret i përjetshëm. Para zemërimit të tij toka dridhet dhe kombet nuk mund të qëndrojnë përpara indinjatës së tij... ‘Perënditë që nuk kanë bërë qiejt dhe tokën do të zhduken nga toka dhe nën këta qiej.’ [Zoti] e ka bërë tokën me fuqinë e Tij, e ka krijuar botën me diturinë e Tij dhe ka shpalosur qiejt me zgjuarsinë e Tij... Çdo njeri sillet pa mend, pa dituri; çdo argjendari i vjen turp për shëmbëlltyrën e gdhendur të tij sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është e rreme dhe në të nuk ka frymë. Janë kotësi dhe punë mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre kanë për të marrë fund. Pjesa e Jakobit (Izraelit) nuk është si ata, sepse Ai ka formuar tërë gjërat, dhe Izraeli është fisi i trashëgimisë së Tij.” - Jeremia 10:10-12, 14-16. Dita e shtunë (sabati), si një përkujtimore e fuqisë krijuese të Perëndisë, tërheq vëmendjen e njeriut tek Perëndia që bëri qiellin dhe tokën. Duke qënë kështu, kjo ditë është një dëshmi e vazhdueshme për ekzistencën e Perëndisë dhe na rikujton madhështinë, diturinë dhe dashurinë e Tij. Në rast se dita e sabatit do të ishte respektuar përherë shenjtërisht, në botë nuk do të kishte patur kurrë ateistë apo idhujtarë/paganë. PPAlb 241.3

Zakoni i mbajtjes së shenjtë të ditës së shtunë (sabatit) filloi në kopshtin që ndodhej në Eden; pra është aq i vjetër sa edhe vetë bota. Kjo ditë u respektua nga të gjithë patriarkët, duke filluar nga Adami. Gjatë viteve të robërisë në Egjipt, izraelitët u detyruan nga pronarët e tyre që ta dhunonin ditën e shtunë, dhe për rrjedhojë ata sikur e humbën njohurinë e karakterit të shenjtë të kësaj dite.Kur ligji me Dhjetë Urdhërimet u shpall në Malin Sinai, fjalët e para të Urdhërimit të katërt ishin, “Mbaje mend (ose kujtoje) ditën e shtunë (sabatin) për ta shenjtëruar”—duke treguar kështu se sabati nuk u themelua si ditë e shenjtë në atë kohë; Urdhërimi na bën thirrje që të kujtojmë fillesat e kësaj dite, zanafillën e krijimit. Satani është përpjekur që ta shkatërrojë këtë përkujtimore madhështore (pra, mbajtjen e ditës së sabatit) duke synuar kështu fshirjen e Perëndisë nga kujtesa e njerëzve. Nëse do të arrinte që njerëzit ta harronin Krijuesin e tyre, Satani do të triumfonte; po të ndodhte kështu, njerëzit nuk do të bënin asnjë përpjekje për t’i rezistuar pushtetit të ligësisë, dhe kështu do të bëheshin prë e sigurt e Satanit. PPAlb 242.1

Armiqësia e Satanit kundër ligjit të Perëndisë e kishte detyruar atë t’i shpallte luftë çdo parimi të Dhjetë Urdhërimeve. Kështu, parimi i dashurisë dhe respektit të fëmijës për prindrin është i lidhur ngushtë me parimin e madh të dashurisë dhe besnikërisë ndaj Perëndisë, Babait të të gjithëve. Për rrjedhojë, përçmimi ndaj autoritetit prindëror nxiste detyrimisht përçmimin ndaj autoritetit të Perëndisë. Kjo llogjikë shpjegon përpjekjet e Satanit për të zbehur sa më shumë detyrimin që vjen nga Urdhërimi i pestë. Parimi që sanksionohet në këtë urdhërim nuk përfillej fare ndër popujt paganë. Në shumë popuj, prindërit ose braktiseshin ose vriteshin atëherë kur mosha i detyronte që të mos kishin më mundësi të siguronin vetë jetesën. Në familje, nëna respektohej shumë pak, dhe me vdekjen e burrit, ajo ishte e detyruar t’i nënshtrohej autoritetit të djalit të madh. Respektimi i prindërve nga fëmijët u sanksionua nga Moisiu; por ndërsa izraelitët largoheshin nga Zoti, edhe Urdhërimi i pestë, së bashku me të tjerët, shpërfillej gjithnjë e më shumë. PPAlb 242.2

Satani ishte “një vrasës që nga fillimi.” (- Gjoni 8:44); dhe sapo ia mori pushtetin njerëzve, ai jo vetëm i nxiti ata që të vrisnin apo të urrenin njëri-tjetrin, por, për ta përçmuar në ekstrem autoritetin e Perëndisë, ai e shndërroi dhunimin e Urdhërimit të gjashtë në një pjesë të fesë së tyre. PPAlb 242.3

Nëpërmjet një shtrembërimi të keq që iu bë atributeve (cilësive) hyjnore, kombet pagane u shtynë të besonin se flijimet njerëzore ishin të domosdoshme sepse kështu do të siguronin favorin e perëndive të tyre; dhe aktet më makabre që janë kryer ndonjëherë kanë qenë pjesë e riteve të ndryshme të idhujtarisë. Ndër këto të fundit përfshihej praktika e detyrimit të fëmijëve që të kalonin përmes zjarrit përpara idhujve të tyre. Kur njëri prej këtyre fëmijëve shpëtonte gjallë nga exja përmes flakëve, njerëzit besonin se oferta e tyre ishte pranuar; fëmija që shpëtonte në këtë mënyrë konsiderohej si veçanërisht i favorizuar prej perëndive. Fëmija mbulohej me dhurata, dhe ndërsa rritej në moshë, vazhonte të nderohej e respektohej thellë; dhe sado ekstreme të ishin krimet e tij (pra mund të bënte gjithçka që dëshironte), ai nuk kishte për t’u dënuar kurrë. Por në rast se një fëmijë tjetër do të digjej ndërsa vraponte përmes flakëve, fati i tij ishte tashmë i vulosur; ndër popujt paganë besohej se zemërimi i perëndive mund të ndalej vetëm me marrjen e jetës së një viktime, dhe kështu ky fëmijë i pafat ofrohej si një flijim. Në kohërat më të prekura nga apostazia, këto praktika të kobshme dhe mizore mbizotëruan, deri diku, edhe ndër izraelitët. PPAlb 242.4

Gjithashtu, dhunimi i Urdhërimit të shtatë u praktikua që herët, edhe ky në emër të fesë. Në fakt, ritet më perverse dhe monstruoze u bënë pjesë e adhurimit pagan. Vetë perënditë paraqiteshin si moralisht të papastër, dhe adhuruesit e tyre u dhanë pas orgjive dhe epsheve më të urryera. Akte të turpshme dhe të panatyrshme imorale mbizotëronin si praktika fetare, ndërsa festat pagane karakterizoheshin nga një imoralitet i skajshëm dhe universal. PPAlb 243.1

Nga ana tjetër, praktika e poligamisë (burri që martohet me dy ose më shumë gra) filloi të praktikohej që herët. Ishte në fakt njëri nga mëkatet që provokoi zemërimin e Perëndisë ndaj botës së para-Përmbytjes së kohës së Noeut. Megjithatë, kjo praktikë vazhdoi dhe u përhap edhe pas Përmbytjes. Ishte një përpjekje e mirë-studiuar nga Satani për të shtrembëruar e hedhur baltë mbi institucionin martesor, për të dobësuar detyrimet martesore si dhe për të zhvlerësuar karakterin e shenjtë të martesës; sepse mënyrë më efikase për të shpërfytyruar shëmbëlltyrën e Perëndisë tek njeriu se sa kjo, që në fakt i hapi derën mjerimit dhe çthurrjes, nuk kishte. PPAlb 243.2

Që nga fillimi i konfliktit të madh ndërmjet të mirës dhe të keqes, synimi i Satanit ka konsistuar në paraqitjen e shtrembëruar të karakterit të Perëndisësi dhe në nxitjen e rebelimit kundër ligjit të Tij. Kjo veprimtari duket se është kurorëzuar me sukses. Shumë njerëz ia vënë veshin mashtrimeve të Satanit dhe rreshtohen kundër Perëndisë. Por ndërmjet kësaj veprimtarie të ligësisë planet e Perëndisë ecin me shpejtësi përpara drejt realizimit të tyre; Perëndia iu bën të njohur para të gjitha qenieve inteligjente drejtësinë dhe dhembshurinë e Tij. Nëpërmjet tundimeve të Satanit, krejt raca njerëzore është bërë shkelëse e ligjit të Perëndisë, por nëpërmjet flijimit të Birit të Tij është hapur një rrugë me anë të së cilës njerëzit mund të rikthehen tek Perëndia. Nëpërmjet hirit të Krishtit, çdo njeri mund të bëhet i aftë për të ushtruar bindje ndaj ligjit të Atit në qiell. Pra, në çdo epokë, nga mesi i apostazisë dhe rebelimit, Perëndia mbledh pranë Vetes një popull që tregohet besnik ndaj Tij—një popull “në zemrën e të cilit është ligji i Tij.” - Isaia 51:7. PPAlb 243.3

Me anë të mashtrimit, Satani joshi engjëjt; dhe po kështu ai ka vazhduar të operojë gjatë gjithë kohërave me njerëzimin, dhe padyshim që ka për të ndjekur këtë praktikë pune deri në fund. Në rast se Satani do të deklaronte lufë të hapur kundër Perëndisë dhe ligjit të Tij, njerëzit do të ruheshin e kishin kujdes; por Satani e fsheh vetveten dhe e përzien të vërtetën së bashku me gabimin. Gënjeshtrat më të rrezikshme janë ato që janë të përziera me të vërtetën. Janë këto lloj pasaktësish që mashtrojnë shumë njerëz. Ato në fakt shërbejnë si vegla me të cilat Satani manipulon mbarë botën. Por shpejt do të vijë dita kur triumfi i tij i përkohshëm do të marrë fund një herë e përgjithmonë. Trajtimi që Perëndia do t’i japë rebelimit do të rezultojë në demaskimin e plotë të asaj veprimtarie djallëzore që është mbajtur e fshehtë për një kohë të gjatë. Pasojat e sundimit të Satanit, si dhe frytet e dala nga mospërfillja e statuteve hyjnore do të bëhen të njohura dhe të dukshme në mënyrë që të shihen nga të gjitha qeniet inteligjente që ekzistojnë në univers. Korrektësia e Ligji i Perëndisë do të vërtetohet plotësisht. Do të shihet qartë nga të gjithë se të gjitha veprimet e Perëndisë janë bërë për të mirën e përjetshme të popullit të Tij, si dhe për të mirën e të gjitha botërave që Ai ka krijuar. Vetë Satani, kur mbarë universi do të jetë dëshmitar, ka për të rrëfyer e pranuar drejtësinë e qeverisjes së Perëndisë si dhe virtytshmërinë e ligjit të Tij. PPAlb 243.4

Nuk është shumë e largët dita kur Perëndia do të ngrihet për të vënë në vend autoritetin e Tij të ofenduar rëndë. Siç shkruhet, Zoti do të dalë “nga banesa e Tij për të ndëshkuar paudhësinë (ose fëlliqësinë) e banorëve të tokës...” - Isaia 26:21a. “Por kush do të mund të durojë ditën e ardhjes së Tij? Kush do të mund të qëndrojë më këmbë ditën kur Ai do të shfaqet?” - Malaki 3:2. Për shkak të paudhësisë së tyre, popullit të Izraelit iu ndalua që të afrohej pranë Malit Sinai në çastet kur Perëndia po bëhej gati për të zbritur mbi të që të shpallte ligjin e Tij, ndryshe, ata kishin për t’u bërë shkrumb e hi për shkak të lavdisë konsumuese të pranisë së Tij. Në qoftë se manifestime të tilla të fuqisë së Perëndisë ishin të nevojshme për përzgjedhjen e vendit të duhur për shpalljen e ligjit të Tij, sa e tmerrshme ka për të qenë dita e gjykimit, çasti kur Ai vjen për ekzekutimin e këtyre statuteve të shenjta. Si vallë do ta durojnë ata që kanë marrë nëpër këmbë autoritetin e Perëndisë lavdinë e Tij në ditën e madhe të shpagimit përfundimtar? Skenat e tmerrshme të Malit Sinai ndër të tjera shërbyen për t’u paraqitur njerëzve skenat e ditës së gjykimit. Tingulli i borisë e thirri Izraelin që të takohet me Perëndinë. Zëri i Kryeengjëllit dhe boria e Perëndisë do të thërrasin të gjallët dhe të vdekurit, nga mbarë bota, për t’u paraqitur përpara Gjykatësit të tyre. Ati dhe Biri, të shoqëruar nga një numër i madh engjëjsh, ishin të pranishëm në Malin Sinai. Ndërsa në ditën e madhe të gjykimit, Krishti do të vijë “në lavdinë e Atit të Tij me engjëjt e Tij.” - Mateu 16:27. Pastaj Ai do të ulet mbi fronin e lavdisë së Tij, dhe tërë kombet do të mblidhen përpara Tij. PPAlb 244.1

Kur në Malin Sinai u manifestua Prania hyjnore, lavdia e Zotit i dukej Izraelit si një zjarr që të përpin. Por kur Krishti do të vijë në lavdi me engjëjt e Tij të shenjtë mbarë toka do të marrë flakë nga drita e tmerrshme e pranisë së Tij. “Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të qëndrojë në heshtje; [Ai] do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe. Ai do të thërrasë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e Tij.” - Psalmi 50:3, 4. Një kolonë flakëruese do të shfaqet dhe do të renditet përpara Zotit. Kjo do të shkaktojë shkrirjen e elementëve të tokës nga nxehtësia e jashtëzakonshme, dhe të gjitha veprat e botës do të bëhen shkrumb e hi. “... Zoti Jezu Krisht [do] të shfaqet nga qielli me engjëjt e Tij të fuqishëm, në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe kundër atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht.” - 2 Selanikasve 1:7, 8. PPAlb 244.2

Njerëzimi nuk kishte përjetuar kurrë më parë një manifestim të tillë të fuqisë hyjnore siç ndodhi ditën kur ligji i Perëndisë u shpall në Malin Sinai. “Toka u drodh; edhe qiejtë u varën nga prania e Perëndisë, madje vetë Sinai u drodh në prani të Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.” - Psalmi 68:8. Përmes luhatjeve më të tmerrshme të dukurive të natyrës, zëri i Perëndisë, si një bori, u dëgjua të fliste nga reja. Mali u drodh nga rrëza deri në majë, ndërsa turmat e hebrenjve, të lemerisur e pushtuar nga tmerri, u shtrinë përtokë me fytyrë mbi dhé. Zoti, zëri i të cilit atë ditë tronditi dheun, ka shpallur, “Edhe një herë Unë do ta tund jo vetëm dheun, por edhe qiellin.”- Hebrenjve 12:26. Shkrimi i Shenjtë gjithashtu thotë, “Zoti do të gjëmojë që nga lart dhe do të bëjë që të dëgjohet zëri i tij nga banesa e tij e shenjtë...” “...aq sa qiejt dhe toka do të dridhen.” - Jeremia 25:30; Joeli 3:16a. Kur të vijë ajo ditë e madhe, vetë qielli do të hiqet “si një pergamenë kur mbështillet, dhe çdo mal dhe ishull [do të lëvizin] nga vendi i tyre.” - Zbulesa 6:14. “Toka do të lëkundet sa andej-këndej si një i dehur, dhe do të zhvendoset si një kasolle. Mëkati i saj rëndon mbi të, ajo do të rrëzohet dhe nuk do të ngrihet më.” - Isaia 24:20. PPAlb 244.3

“Prandaj të gjitha duart e njerëzve do të jenë të dobëta dhe çdo zemër e tyre do të ligështohet. Do t’i zërë tmerri, do të kenë spazma dhe dhembje, do të përpëliten si një grua që po lind, do të shikojnë njëri tjetrin në fytyrë si të hutuar... Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, indinjate dhe zemërimi të fortë... Dielli do të errësohet në lindjen e tij dhe hëna nuk do të përhapë më dritën e saj... Unë do të dënoj botën për ligësinë e saj dhe të pabesët për paudhësinë e tyre; do t’i jap fund krenarisë së kryelartëve dhe do të hedh poshtë arrogancën e tiranëve...” - Isaia 13:7-11; krahaso - Jeremia 30:6. PPAlb 245.1

Kur Moisiu zbriti nga mali, pasi kishte kuvenduar në praninë e Perëndisë dhe kishte marrë pllakat e dëshmisë që përmbanin Dhjetë Urdhërimet, Izraeli fajtor nuk mund ta duronte dot dritën që ndriçonte plot lavdi në çehrjen e tij. Por shkelësit e ligjit nuk do të kenë as shansin më të vogël për të shikuar Birin e Perëndisë, kur Ai do të shfaqet në lavdinë e Atit të Tij, i rrethuar nga gjithë ushtritë engjëllore, për të ekzekutuar gjykimin mbi shkelësit e ligjit të Tij dhe mohuesit e shpengimit të Tij. Ata që e kanë nënvlehtësuar e shpërfillur ligjin e Perëndisë, dhe që kanë tallur e përçmuar gjakun e Krishtit, “mbretërit e dheut, dhe njerëzit e mëdhenj, dhe të pasurit, dhe komandantët, dhe njerëzit e fuqishëm..., [do të fshihen] nëpër shpella dhe nëpër krepat e maleve, dhe [do t’u thonë] maleve dhe shkëmbinjve: “Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e Atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit, sepse ka ardhur dita e madhe e zemërimit së Tij; dhe kush mund të bëjë ballë?” - Zbulesa 6:15-1. “Në këtë ditë njerëzit do t’ua hedhin idhujt e tyre prej argjendi dhe idhujt e tyre prej ari, ... minjve dhe lakuriqve të natës; për t’u futur në të çarat e shkëmbinjve dhe në greminat e krepave para tmerrit të Zotit dhe shkëlqimit të madhërisë së Tij, kur Ai do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet nga tmerri.” - Isaia 2:20, 21. PPAlb 245.2

Ateherë ka për t’u parë se rebelimi i Satanit kundër Perëndisë do të sjellë vetëm shkatërrimin e vet dhe të gjithë atyre që zgjodhën të bëhen robër të tij. Satani është ai që ka pretenduar se nga shkelja e ligjit do të vinin shumë të mira; por në të vërtetë do të shihet mjaft qartë se “paga e mëkatit është vdekja.” - Romakëve 6:23. ” ‘Sepse shikoni, dita po vjen, e zjarrtë si një furrë; dhe të gjithë ata që veprojnë me pabesi do të jenë si kallamishtet; dita që po vjen do t’i djegë,’ thotë Zoti i plotfuqishëm, ‘në mënyrë të tillë që të mos u mbetet as rrënja as dega.’” - Malaki 4:1. Satani, rrënja e çdo mëkati, si dhe të gjithë ata që kryejnë paudhësi si bashkëpunëtorë (këtu: degë) të tij do të rrafshohen plotësisht. Mëkati, dhe gjithë mjerimi dhe rrënimi që kanë rrjedhur prej tij kanë për të marrë fund një herë e përgjithmonë. Psalmisti thotë, “[Ti, o Zot] ke qortuar kombet, ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre përgjithnjë. Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm! Dhe qyteteve që ti ke shkatërruar i është zhdukur edhe kujtimi.” - Psalmi 9:5, 6. PPAlb 245.3

Por në mes të furtunës që vjen nga gjykimi hyjnor, fëmijët e Perëndisë nuk do të kenë asnjë shkak apo arsye për të patur frikë. “Zoti do të jetë një strehë për popullin e tij dhe një fortesë për fëmijët e Izraelit.” - Joeli 3:16b. Nga njëra anë, ajo ditë do të sjellë tmerr dhe shkatërrim për shkelësit e ligjit të Perëndisë, por nga ana tjetër, ajo ka për të sjellë “një gëzim të patregueshëm dhe lavdiplotë” PPAlb 246.1

për të gjithë besimtarët që i binden ligjit të Tij. (Shih - 1 Pjetrit 1:8). “Mblidhni shenjtorët e mi pranë Meje,” thotë Zoti “[ata] që kanë bërë një besëlidhje me mua me anë të flijimit. Dhe qiejtë do të shpallin virtytshmërinë e Tij, sepse Vetë Perëndia është Gjykatësi.” - Psalmi 50:5, 6. “Atëherë do të shikoni përsëri ndryshimin ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben atij.” - Malaki 3:18. “Dëgjomëni, o ju që e njihni drejtësinë, populli që ka në zemër ligjin Tim...” “Ja, unë po të heq nga dora kupën e dridhërimit, llumin e kupës së zemërimit tim; ti nuk do ta pish më.” “Unë, pikërisht Unë, jam Ai që ju ngushëllon.” - Isaia 51:7, 22, 12. “Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria Ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhëmbshuri për ty.” - Isaia 54:10. PPAlb 246.2

Plani i madh i shpëtimit të njerëzimit nga mëkati ka për rezultat përfundimtar rikthimin e plotë të botës në favorin e Perëndisë. Gjithçka që u humb nga mëkati ka për t’u rishfaqur. Jo vetëm njeriu, por edhe toka vetë do të shpengohet, sepse do të jetë banesa e përjetshme e besimtarëve që i binden Perëndisë. Satani është përpjekur për mbi gjashtë mijë vjet që ta mbajë tokën nën zotërimin e tij. Por së shpejti, plani që Perëndia pati kur e krijoi tokën ka për t’u realizuar. “Shenjtorët e Më të Lartit [Perëndi] do të marrin mbretërinë dhe do ta zotërojnë atë përjetë, në përjetësi të përjetësisë.” - Danieli 7:18. PPAlb 246.3

“Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.” - Psalmi 113:3. “Atë ditë do të jetë vetëm Zoti dhe vetëm emri i Tij.” “Zoti do të jetë Mbret mbi gjithë dheun.” - Zekaria 14:9b, a. Shkrimi i Shenjtë gjithashtu thotë, “Përgjithmonë o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiell.” “Të gjitha urdhërimet e Tij janë të qëndrueshme, të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.” - Psalmet 119:89; 111:7b, 8. Ato statute të shenjta që Satani i ka urryer dhe është përpjekur t’i shkatërrojë, do të nderohen përgjatë mbarë universit që nuk njeh mëkat. Dhe “ashtu si toka bën që të rritet bimësia e saj dhe kopshti bën që gjërat që janë mbjellur të mbijnë, po kështu Zoti Perëndi, do të bëjë që virtytshmëria dhe lëvdimi të mbijnë përpara tërë kombeve.” - Isaia 61:11. PPAlb 246.4