PATRIARKË DHE PROFETË

28/74

28—“IDHUJTARI NË MALIN SINAI”

*****

Në mungesë të Moisiut, ishte një kohë pritjeje paksa e tensionuar dhe me ankth per Izraelin. Populli e kishte marrë vesh se Moisiu ishte ngjitur lart në mal me Jozueun, dhe se kishte hyrë brenda resë së dendur të errësirës e cila dallohej lehtë nga pllaja aty poshtë, e fiksuar në majë të malit dhe e ndriçuar herë pas here nga vetëtimat e Pranisë hyjnore. Populli priste me ngut kthimin e Moisiut. Izraelitët në fakt ishin mësuar në Egjipt me përfaqësimet apo simbolizimet fizike të hyjnisë. Si pasojë, ata e kishin patur mjaft të vështirë që të besonin në një qenie të padukshme, dhe iu ishte deshur të mbështeteshin tek fjalët e Moisiut për të mbajtur gjallë besimin. Por tani Moisiu ishte larguar prej tyre. Ditët dhe javët kalonin njëra pas tjetrës por udhëheqësi i tyre nuk po kthehej. Pavarësisht se reja vazhdonte të shihej mjaft qartë, shumë njerëz krijuan përshtypjen se Moisiu i kishte braktisur. Të tjerë kujtonin se ai ishte djegur nga zjarri i tmerrshëm që dilte nga reja. 18 PPAlb 224.1

Gjatë kësaj periudhe pritjeje, atyre iu dha një mundësi shumë e mirë që të meditonin rreth ligjit të Perëndisë që sapo e kishin dëgjuar, si dhe të përgatiteshin shpirtërisht në mënyrë që merrnin zbulesa të mëtejshme që mund të vinin nga Perëndia. Por ata nuk i kushtuan kohë të mjaftueshme kësaj përgatitjeje. Në fakt, po qe se do të kishin kërkuar me gjithë shpirt një shpjegim dhe kuptim më të qartë rreth kritereve të Perëndisë, si dhe të kishin përulur zemrat përpara Tij, ata do të ishin mëse të mbrojtur nga tundimi. Por ata nuk vepruan kështu, dhe si rrjedhojë, me kalimin e kohës u bënë të pakujdesshëm, të pavëmëndshëm dhe përqafuan anarkinë. Kjo dukuri negative preku më shumë pjesën e turmës që ishte e përzier. Këta të fundit kishin treguar një mungesë të dukshme durimi—donin të mbërrinin sa më parë në Tokën e Premtimit, në tokën ku rridhte qumështi dhe mjalti. Në të vërtetë, ky vend i mrekullueshëm u ishte premtuar atyre me një kusht—bindjen ndaj Perëndisë—, por tashmë ata nuk e vritnin më mendjen për këtë gjë. Kishte nga ata që sugjeruan një rikthim të mundëshm në Egjipt, por në çdo rast, si përpara drejt Kanaanit, si prapa drejt Egjiptit, masat e njerëzve vendosën të mos pritnin më për Moisiun. PPAlb 224.2

Duke u ndjerë të dobët e të brishtë gjatë mungesës së udhëheqësit të tyre, turma iu rikthye bestytnive (supersticioneve) të vjetra. Turma e përzier (me jo-izraelitë) kishte qenë e para nga e cila ishin dëgjuar murmuritje dhe padurim. Ata kishin për të qenë drejtuesit e apostazisë që do të ndodhte së shpejti. Ndër ato objekte që konsideroheshin si simbole të hyjnisë nga egjiptasit ishin kau ose viçi; dhe në fakti ishte sugjerimi nga ana e atyre që kishin praktikuar këtë formë idhujtarie në Egjipt që të bëhej një viç i artë dhe të adhurohej. Njerëzit dëshironin njfarë imazhi apo shëmbëlltyre që të përfaqësonte Perëndinë, dhe që ta kishin përpara në vend të Moisiut. Perëndia nuk kishte dhënë aspak ndonjë mënyrë përfytytimi të Vetvetes. Në fakt, për këtë qëllim Ai kishte ndaluar rreptësisht çdo përfaqësim fizik (material) të Tijin. Pikërisht, mrekullitë e jashtëzakonshme që kishin ndodhur në Egjipt dhe në Detin e Kuq kishin për synim që të krijonin dhe rrënjosnin tek populli besimin tek Perëndia, ky Ndihmës i i padukshëm dhe i plotfuqishëm i Izraelit, i vetmi Perëndi i gjallë. Për më tepër, dëshira e popullit për të patur njëfarë manifestimi apo ekspozimi të dukshëm të pranisë së Perëndisë ishte garantuar me anë të kollonës së resë dhe të zjarrit që printe turmat e mëdha, si dhe në shfaqjen e lavdisë hyjnore mbi Malin Sinai. Por edhe duke e patur përpara syve renë e pranisë së Perëndisë, ata iu rikthyen idhujtarisë së Egjiptit në zemrat e tyre, dhe për rrjedhojë paraqitën lavdinë e Perëndisë së padukshëm me anë të figurës së një viçi! PPAlb 224.3

Me mungesën e Moisiut, autoriteti gjyqësor i ishte mirëbesuar Aaronit. Kështu, një turmë e madhe njerëzish u tubuan përpara çadrës së tij, duke i kërkuar, “Hajt tani, na bëj një perëndi që të shkojë para nesh, sepse sa për Moisiun, njeriun që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk e dimë çfarë i ka ndodhur (ku ka përfunduar).” - Eksodi 32:1. [* Shih SHTOJCEN (në fund të librit), Shënimi 4]. Ata gjithashtu thanë se reja që i kishte drejtuar rrugën deri tani nuk kishte për të lëvizur më nga maja e malit; kështu, ajo nuk do të mund t’i drejtonte për pjesën e mbetur të udhëtimit për në Kanaan. Në vend të saj duhet të vëmë një figurë apo imazh; për më tepër, siç ishte sugjeruar, në qoftë se do të vendosnin që të ktheheshin në Egjipt, ata do të priteshin mirë nga egjiptasit sepse do të vendosnin këtë viç të artë përpara tyre duke e njohur e adhuruar si perëndinë e tyre. PPAlb 225.1

Në fakt, kjo situatë krize kërkonte ndërhyrjen e një burrime kurajo të fortë, të vendosur dhe të patundur; një burri që e vlerësonte nderin e Perëndisë shumë më lart popullaritetit, sigurisë personale apo vetë jetës. Por Aaroni, udhëheqësi i përkohshëm i izraelitëve nuk kishte karakter të tillë. Ai debatoi me dobësi përpara kërkesave të turmës, por mëdyshja dhe ndrydhja që tregoi në këtë moment delikat e bëri turmën edhe më të vendosur. Trazira tashmë shpërtheu hapur. Tashmë turma zotërohej nga një frymë e verbër tërbimi dhe marrëzie. Kishte disa që i qëndruan besnikë besëlidhjes me Perëndinë, por shumica e popullit u bashkuan në këtë akt të turpshëm apostazie. Ata njerëz që guxuan ta denonconin këtë propozim për ndërtimin e figurës si idhujtari u sulmuan dhe rrahën keqazi nga turma tashmë në ekstazë, dhe më vonë, në rrëmujë e sipër ata humbën jetën. PPAlb 225.2

Në këtë situatë, Aaroni mendonte si të shpëtonte lëkurën e vet; kështu, në vend që të qëndronte i patundur dhe me fisnikëri në mbrojtje të nderit të Perëndisë, ai u dorëzua përpara kërkesave të turmës. Veprimi i tij i parë qe një urdhër që ai dha për mbledhjen e vathëve dhe unazave prej ari prej të gjithë njerëzve dhe t’i sillnin këto të fundit tek ai. Me këtë Aaroni shpresonte se njerëzit nuk do ta pranonin ta zbatonin këtë urdhër meqë kjo sakrificë do të godiste krenarinë dhe dëmtonte pasurinë që kishin vënë. Por ndodhi që ata i dhanë me dëshirë ornamentet e tyre; dhe prej tyre Aaroni bëri një viç prej metali të shkrirë, duke imituar perënditë e Egjiptit. Pastaj populli thirri me të madhe, “O Izrael, këta janë perënditë e tu që të nxorrën nga vendi i Egjiptit!” - Eksodi 32:4. Kjo fyerje e rëndë që iu bë Zotit (Jahveh) u tolerua me amoralitet nga Aaroni. Për më tepër, ky i fundit shkoi dhe më tej. Duke parë entuziazmin që kishte sjellë skalitja e viçit tek populli, Aaroni ndërtoi një altar përpara viçit të artë, dhe bëri shpalljen, “Nesër do të jetë festë për nder të Zotit!” - Vargu 5. Kjo shpallje u lajmërua nga kasnecët (korrierët) nga njëri grupim tek tjetri; nuk mbeti njeri pa u lajmëruar. “Të nesërmen ata u ngritën herët, ofruan kurbane dhe çuan flijime falënderimi; dhe populli u ul për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit për të dëfryer.” - Vargu 6. Nën pretekstin se po kremtonin një “festë për nder të Zotit,” ata u dhanë në mënyrë të shfrenuar pas grykësisë dhe dëfrimeve të turpshme. PPAlb 225.3

Sa shpesh ndodh në ditët tona që dhënia pas qejfit e epsheve fshihet në mënyrë të turpshme pas “një trajte apo forme perëndishmërie”! Një fë që i lejon njerëzit që të jepen pas grykësisë dhe epsheve egoiste dhe sensuale, kur në të njëjtën kohë “respektojnë” ritet e adhurimit, është po aq e e pëlqyeshme dhe e dëshirueshme për turmat e ditëve tona sa ç’ishte në ditët e Izraelit të lashtë. Për më tepër, gjenden me shumicë tipa të thyeshëm si Aaroni, të cilët, ndërsa mbajnë në të njëjtën kohë poste të larta dhe me autoritet në organizata fetare, bëjnë lëshime ndaj dëshirave e tekave të jobesimtarëve, duke i inkurajuar këta të fundit që të mëkatojnë edhe më tej. PPAlb 226.1

Kishin kaluar vetëm pak ditë që nga koha kur hebrenjtë kishin bërë një besëlidhje solemne me Perëndinë dhe ishin betuar se do t’i bindeshin zërit të Tij. Ata kishin qëndruar përpara malit duke u dridhur nga tmerri, dhe kishin dëgjuar fjalët e Zotit, “Nuk do të kesh perëndi të tjerë përveç Meje.” - Eksodi 20:3 (Urdhërimi I). Lavdia e Zotit vërtitej ende mbi malin e Sinait dhe shihej nga mbarë asambleja; por ata kthyen shpinën dhe kërkuan perëndi të tjera. “Ata bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë, dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëlltyrën (figurën) e një kau që ha bar.” - Psalmi 106:19, 20. Mosmirënjohje më e madhe se kjo nuk ishte treguar parrë kurrë! Kurrë më parë nuk kishte guxuar njeri që të fyente kësisoj vetë Perëndinë, Atë që ishte shfaqur përpara popullit të tij në të njëjtën kohë si një baba i dhembshur dhe si një mbret i gjithpushtetshëm! PPAlb 226.2

Në mal, Moisiu u paralajmërua se poshtë në kamp kishte ndodhur një akt i rëndë apostazie, ndaj u urdhërua që të kthehej sa me shpejt. “Shko pra, zbrit,” qenë fjalët e Perëndisë, “sepse populli yt, që ti nxorre nga vendi i Egjiptit, është çthurrur; ata janë përdalë me shpejtësi nga rruga që Unë i kisha urdhëruar të ndiqnin; ata kanë bërë një viç prej metali të shkrirë, dhe janë përkulur përpara tij, dhe i kanë ofruar flijime...” - Eksodi 32:7, 8. Sigurisht, Perëndia mund ta kishte parandaluar që në fillim këtë zhvillim ngjarjesh; por në fakt e lejoi me dashje që gjërat të shkonin deri në këtë pikë me qëllim që t’u jepte të gjithëve një mësim të denjë—që ta dinin mirë se si e dënon Ai tradhëtinë dhe apostazinë. PPAlb 226.3

Besëlidhja e Perëndisë me popullin e e Tij ishte vënë përpara një pikëpyetje të madhe, dhe Perëndisa i deklaroi Moisiut, “Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t’i konsumoj; dhe do të bëj prej teje një komb të madh.” - Eksodi 32:10. Populli i Izraelit dhe sidomos turma e përzier do të tregonte një tendencë të vazhdueshme rebelimi kundër Perëndisë. Ata gjithashtu do të murmuritnin gjithmonë kundër udhëheqësit të tyre dhe do ta nxehnin keq atë me anë të mosbesimit dhe kokëfortësisë së tyre. Në fakt, të çoje këtë lloj njerëzish për në Tokën e Premtuar nënkuptonte një punë të stërmadhe dhe një mundim të jashtëzakonshëm shpirtëror. Mëkatet e këtyre njerëzve tashmë kishin çuar në privimin e hirit dhe mëshirës së Zotit ndaj tyre. Për më tepër, vetëm shkatërrimi i tyre mund të vendoste drejtësinë në vend. Për rrjedhojë, Zoti propozoi shkatërrimin e tyre, dhe të fillonte gjithçka nga e para (pra themelimin e një kombi të ri të zgjedhur) nëpërmjet Moisiut. PPAlb 226.4

“Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që...t’i konsumoj,” kishin qenë fjalët e Perëndisë. Në qoftë se Perëndia synonte që të shkatërronte Izraelin, kush mund të përgjërohej për të? Kush vallë do të ishte ai njeri që nuk do t’i linte këta mëkatarë në fatin e tyre! Kush vallë do të ishte ai njeri që nuk do të linte menjëherë mundin, djersën dhe sakrificën e stërmadhe që shpërbleheshin vetëm me mosmirënjohje dhe murmuritje, për të marrë një post të rehatshëm e të nderuar, aq më tepër kur ky i fundit ofrohej nga vetë Perëndia? PPAlb 227.1

Por Moisiu veproi ndryshe! Ai dalloi arsye për shpresë atje ku dukej veëm dekurajimi dhe zemërimi. Fjalët e Perëndisë “më lër, pra,” Moisiu i kuptoi ndryshe— ato fjalë nuk ndalonin por përkundrazi inkurajonin ndërmjetësinë. Moisiu e kishte mjaft të qartë se asgjë tjetër përveç lutjeve dhe përgjërimeve të tij nuk kishte për ta shpëtuar dot Izraelin. Pra, po të lutej dhe përgjërohej ai, Perëndia do ta kursente popullin e Tij nga shfarosja. Kështu, Moisiu ” iu lut Zotit, Perëndisë së tij, dhe i tha: ‘Pse, o Zot, zemërimi yt duhet të ndizet kundër popullit Tënd të cilin Ti e nxorre nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë?” - Vargu 11. PPAlb 227.2

Më parë, Perëndia kishte lënë të kuptohej se Ai kishte hequr dorë nga populli i Tij. Ai i ishte referuar izraelitëve si “populli yt, që ti (kupto: Moisiu) nxorre nga vendi i Egjiptit.” (- Vargu 7). Por Moisiu e mohoi me përulje rolin udhëheqës të Israelit. Ata nuk ishin të tijtë, por të Perëndisë—“popullin Tënd të cilin Ti e nxorre ...me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë.” (- Vargu 11). “Përse,” u lut më tej, “duhet që egjiptasit të thonë: ‘[Perëndia] i nxori për t’u bërë keq, që të vriten mbi malet dhe për t’i shfarosur nga faqja e dheut’?” - Vargu 12. PPAlb 227.3

Gjatë atyre pak muajve që nga koha kur Izraeli ishte larguar nga Egjipti, lajmi i shpëtimit të tyre të mrekullueshëm ishte përhapur me shpejtësi nëpër të gjithë kombet fqinjë. Paganët ishin pushtuar të tërë nga frika dhe tmerri dridhërues. Të gjithë po ndiqnin me vëmëndje se çfarë kishte për të bërë më tej Perëndia i Izraelit për popullin e Tij. Po të shkatërroheshin tani, atëherë armiqtë e Izraelit do të triumfonin, ndërsa Peëndia do të çnderohej. Nga ana tjetër, egjiptasit do të pretendonin se akuzat e tyre ishin vërtetuar—se në vend që të printe popullin e Tij për në shkretëtirë për të bërë flijime, Ai i kishte bërë ata vetë flijim për Veten e Tij. Ata nuk do të reflektonin aspak rreth mëkatit të Izraelit; për më tepër, shkatërrimi i atij populli të cilin Vetë Ai e kishte nderuar e lartësuar nuk do të sillte asgjë tjetër përveçse kritika dhe akuza ndaj emrit të Tij. Sa e madhe është në fakt përgjegjësia që bie mbi ata që janë nderuar e lartësuar nga Perëndia, që ta bëjnë emrin e Tij objekt përlëvdimi në këtë botë! Ah çfarë përkujdesjeje duhet të tregojnë për të mos kryer faj e mëkat, duke anulluar kështu gjykimet hyjnore dhe duke mos lejuar emrin e shenjtë të Perëndisë që të fajësohet e qortohet nga të pafetë! PPAlb 227.4

Ndërsa Moisiu ndërmjetësonte për Izraelin, ndrojtja e tij u zhduk duke i lënë vendin merakut dhe dashurisë së thellë për ata njerëz—ai kishte bërë dhe dhënë gjithçka që ai popull të ruhej në duart e Perëndisë. Kështu, Zoti i dëgjoi përgjërimet e Moisiut, dhe e pranoi lutjen e tij të përulur dhe altruiste. Perëndia e kishte vënë në provë shërbëtorin e Tij; Ai kishte testuar besnikërinë dhe dashurinë e Moisiut për atë popull fajtor e mosmirënjohës. Moisiu e kaloi këtë provë me fisnikëri. Meraku i tij për Izraelin nuk buronte nga asnjë motiv personal. Prosperiteti i popullit të zgjedhur të Perëndisë ishte më i rëndësishëm se sa nderimi personal, me i rëndësishëm se privilegji i rrallë i të bërurit baba i një kombi të fuqishëm. Perëndia u kënaq shumë me besnikërinë e Moisiut, me thjeshtësinë e zemrës së tij, si dhe me integritetin e lartë moral, ndaj edhe ia besoi edhe njëherë këtij bariu besnik përgjegjësinë e madhe të drejtimit të Izraelit për në Tokën e Premtuar. PPAlb 228.1

Ndërkohë që Moisiu dhe Jozueu po zbritnin prej malit—Moisiu mbante me vete “dy pllakat e dëshmisë” (- Vargu 15), pra dy pllakat që përmbanin Dhjetë Urdhërimet, —ata dëgjuan thirrje e britma të larta që vinin nga turma që mesa dëgjohej ndodhej në një gjendje anarkie dhe kaosi. Si ushtar që ishte, Jozueu në fillim kujtoi se ndoshta Izraeli ishte sulmuar nga ndonjë popull armik. “Ka një zhurmë lufte në kamp,” i tha Moisiut. - Vargu 17. Por ky i fundit e dinte fare mirë se çfarë kishte ndodhur si dhe arsyen e zhurmës. Kjo nuk ishte zhurmë dyluftimi, por ishte zhurmë dëfrimi dhe ahengu. “Kjo nuk është as një britmë fitoreje, as një britmë humbjeje; britma që unë dëgjoj është e njerëzve që këndojnë.” - Vargu 18. Ndërsa iu afruan edhe më pranë kampit, ata panë njerëz të shumtë që thërritnin me të madhe dhe kërcenin rreth idhullit të tyre. Ishte një skenë tipike e një grumbullimi pagan, një imitim i festave idhujtare që zhvilloheshin në Egjipt; por sa e ndryshme kjo skenë nga adhurimi solemn dhe i respektueshëm i Perëndisë! Moisiu u zemërua jashtë mase. Ai sapo ishte kthyer nga prania e lavdisë së Perëndisë, dhe ndonëse ishte paralajmëruar nga Perëndia se çfarë po ndodhte, ai nuk ishte aspak i përgatirur që të përballej me këtë ekspozim të kobshëm të çthurrjes dhe degradimit të Izraelit. Zemërimi i tij nuk mbahej më. Për të treguar hapur pezmatimin e tij të thellë në lidhje me këtë akt të turpshëm, Mi hodhi poshtë dy pllakat prej guri (me Dhjetë Urdhërimet) të cilat u thyen përpara gjithë popullit, duke sinjalizuar kështu se ndërsa ata e kishin thyer besëlidhjen e tyre me Perëndinë, edhe Perëndia e kishte thyer besëlidhjen e Tij me ta. PPAlb 228.2

Pasi zbriti në kamp, Moisiu kaloi përmes turmave që dëfreheshin, dhe me të kapur idhullin (viçin e artë) e hodhi menjëherë në zjarr. Pasi e shkriu, e griu dhe e bëri pluhur; pastaj e hodhi pluhurin mbi burimin që rridhte nga mali dhe i detyroi njerëzit që të pinin prej tij. Kështu u tregua kotësia dhe pavlefshmëria totale e perëndisë aë rremë që kishin adhuruar. PPAlb 228.3

Pastaj udhëheqësi i lavdishëm thirri vëllain e tij fajtor, dhe iu drejtua me zemërim atij, “Çfarë të ka bërë ky popull, të cilin e ke ngarkuar me një mëkat kaq të madh?” - Vargu 21. Aaroni u përpoq që të mbrohej e justifikohej duke treguar për britmat kërcënuese të njerëzve; se në qoftë se nuk do t’i pranonte kërkesat e tyre, ai do të ishte vrarë prej tyre. “Zemërimi i zotërisë sime të mos ndizet,” i tha të vëllait. “Ti vetë e njeh këtë popull dhe e di që ai është i prirur për të bërë keq. Ata më kanë thënë: ‘Na bëj një perëndi që të shkojë para nesh, sepse Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk e dimë se çfarë i ka ndodhur.’ Atëherë unë u thashë atyre: ‘Kush ka ar të mos e mbajë me vete.’ Kështu ata ma dhanë mua dhe unë e hodha në zjarr, dhe na doli ky viç.” - Vargjet 22-24. Me këtë lloj shpjegimi, Aaroni donte që të bënte Moisiun që të besonte se në fakt kishte ndodhur një mrekulli—se ari ishte hedhur në zjarr, dhe me anë të një fuqie të mbinatyrshme ishte shndërruar në një viç. Por justifikimet dhe fabrikimet e tija ishin të kota dhe u hodhën poshtë. Ai u konsiderua me të drejtë si fajtori kryesor për këtë ngjarje të rëndë. PPAlb 228.4

Fakti se Aaroni ishte bekuar dhe nderuar aq shumë në dallim me popullin e thjeshtë e bënte mëkatin e tij shumë më të tmerrshëm dhe skandaloz. Kishte qenë pikërisht Aaroni, “i shenjti i Zotit” (- Psalmi 106:16), që kishte skalitur idhullin dhe që kishte lajmëruar festën. Ishte pikërisht ai që ishte caktuar si zëdhënës për Moisiun, dhe për të cilin Vetë Perëndia kishte dëshmuar, “Unë e di që [Aaroni] flet bukur” (- Eksodi 4:14), që kishte dështuar përpara idhujtarëve dhe nuk i kishte ndalur ata në synimin e tyre aq të poshtër ndaj Perëndisë. Kishte qenë pikërisht Aaroni, me anë të të cilit Perëndia kishte transmetuar dënimet e ndryshme si kundër egjiptasve ashtu edhe kundër perëndive të tyre të rreme, kishte dëgjuar me veshët e tij dhe nuk kishte ndërhyrë kur turma bëri shpalljen blasfemuese përpara figurës së shkrirë, “O Izrael, këta janë perënditë e tu që të nxorrën nga vendi i Egjiptit!” - Eksodi 32:4. Kishte qenë pikërisht Aaroni ai që pati shoqëruar Moisiun në mal dhe atje kishte parë lavdinë e Zotit. Aaroni e kishte parë fare mirë se në manifestimin e asaj lavdie nuk kishte asgjë që të shtynte të bëje një imazh apo shëmbëlltyrë—kishte qenë pikërisht ai që e ndryshoi atë lavdi me figurën e një viçi. Aaroni, personi që Perëndia i kishte mirëbesuar qeverisjen e popullit në mungesë të Moisiut u kap duke mbështetur çthurrjen dhe rebelimin e tyre. “Dhe Zoti ishte zemëruar aq shumë kundër Aaronit, sa donte ta shkatërronte atë.” - Ligji i Përtërirë 9:20a. Por duke iu përgjigjur pozitivisht ndërmjetësimit të përulur të Moisiut, Zoti ia kurseu jetën; dhe pasi u pendua thellë dhe me përulësi për mëkatin e tij të madh, Aaroni u rikthye sërish në favorin e Perëndisë. PPAlb 229.1

Në qoftë se Aaroni do të kishte patur kurajo për të mos mbrojtur të drejtën, pavarësisht rrethanave, ai mund ta kishte parandaluar atë akt të turpshëm apostazie. Në qoftë se ai do të kishte mbajtur me vendosmëri aleancën e vet me Perëndinë, në qoftë se ai do t’i kishte paralajmëruar njerëzit për rreziqet që u kanoseshin në atë mal të shenjtë me emrin Sinai, dhe në qoftë se do t’i kishte rikujtuar besëlidhjen e tyre solemne me Perëndinë dhe betimin që ata kishin bërë se do t’i bindeshin ligjit të Tij, e gjithë kjo e keqe do të ishte shmangur. Por konformimi nga ana e tij me dëshirat e tekat e turmës si dhe siguria e qetë me të cilën ai zbatoi planet që njerëzit kishte ndërmend, u dha zemër këtyre të fundit që të mëkatonin edhe më rëndë se sa e kishin përfytyruar në fillim. PPAlb 229.2

Përkundrazi, me t’u kthyer në kamp, Moisiu i konfrontoi plot guxim rebelët. Qortimet e tij të ashpra si dhe indinjata e madhe që tregoi kur theu dy pllakat e shenjta të ligjit binin ndesh me fjalimet e bukura të Aaronit si dhe me sjelljen e rafinuar të tij. Kjo bëri që populli të kishte simpati për Aaronin. Për t’u justifikuar, Aaroni u përpoq që ta bënte popullin fajtor për dobësinë që ai vetë kishte treguar kur ishte dorëzuar përpara kërkesave të tyre; por pavarësisht nga kjo, populli e admironte xhentilesën dhe durimin e Aaronit. Por Perëndia nuk sheh ashtu siç sheh njeriu! Fryma “tolerante” e Aaronit dhe dëshira e tij për t’u bërë qejfin të tjerëve (dhe duke bërë këtë fitonte popullaritet), ia kishte errësuar sytë ndaj përmasave të mëdha të këtij akti kriminal që po sanksiononte e mbështeste.Rruga që ai ndoqi për të ushtruar ndikimin e tij në favor dhe jo kundër mëkatit në Izrael kushtoi me mijëra jetë njerëzish. Por rruga që ndoqi Moisiu ishte në një kontrast të thellë me atë të Aaronit. Ndërkohë që Moisiu vuri në zbatim urdhërat dhe gjykimet e Perëndisë, në të njëjtën kohë ai tregoi se mirëqenia e Izraelit ishte më e rëndësishme për të sesa nderi apo prosperiteti në jetën e tij. PPAlb 229.3

Nga të gjithë mëkatet që do të dënohen nga Perëndia, asnjë prej tyre nuk është më i rëndë në sytë e Perëndisë se sa ai mëkat që inkurajon apo shtyn të tjerët për të bërë keq. Perëndia dëshiron prej shërbëtorëve të Tij që të vërtetojnë devotshmërinë e tyre duke e qortuar me rigorozitet shkeljen e ligjit të Perëndisë, sado i dhimbshëm mund të jetë ky veprim. Ata njerëz që nderohen me një mandat hyjnor nuk duhet të tregohen servilë, të dobët e të thyeshëm. Ata nuk duhet të synojnë vetë-lartësimin dhe popullaritetin, apo të shmangin detyra të padëshirueshme, por duhet të bëjnë punën e Perëndisë me besnikëri dhe devotshmëri të palëkundur. PPAlb 230.1

Ndonëse Perëndia e pranoi lutjen ndërmjetësuese të Moisiut, duke e kursyer kështu Izraelin nga shkatërrimi, akti i rëndë i apostazisë që ata kishin kryer nuk mund të lihej pa u dënuar. Në qoftë se rrëmuja, çthurrja dhe shkalla e rebelimit në të cilën Aaroni i kishte lejuar që të binin nuk do të ishin shtypur me shpejtësi, ato kishin për të sjellë një anarki dhe ligësi totale në turmë, gjë që do të sillte popullin drejt një rrënimi të pariparueshëm.E keqja duhej ndalur me një rigorozitet ekstrem. Ndërkohë që Moisiu qëndronte pranë portës së kampit, Moisiu i bëri thirrje popullit, “Kush është në anën e Zotit, le të vijë tek unë!” - Eksodi 32:26. Ata që nuk kishin marrë pjesë në apostazi u rreshtuan në të djathtën e Moisiut; kurse ata që kishin qenë fajtorë por ishin penduar u rreshtuan në anën e majtë. Urdhri u zbatua. U pa se fisi i Levit nuk kishte marrë aspak pjesë në adhurimin idhujtar. Gjithashtu, nga fiset e tjera të Izraelit, kishte një numër të madh njerëzish të cilët, ndonëse kishin mëkatuar, tani e treguan qartë pendesën e tyre. Por një numër i konsiderueshëm njerëzish që vinte kryesisht nga turma e përzier që kishte nxitur ndërtimin e figurës së viçit e vazhduan rebelimin me kokëfortësi dhe arrogancë. Pas pak, në emër të “Zotit Perëndi të Izraelit,” Moisiu u dha urdhër atyre që kishte në krah të djathtë, pra, atyre që nuk ishin përlyer fare në idhujtari, që të nxirrnin shpatat dhe të vrisnin të gjithë ata që vazhduan të rezistonin me prepotencë. “Dhe atë ditë nga populli ranë rreth tre mijë njerëz.” - Eksodi 32:28. Horrat, rrufjanët dhe organizatorët e trazirave u vranë pa marrë parasysh pozitën, farefisin apo miqësinë që mund të kishin me levitët; por nga ana tjetër, të gjithë ata që u penduan dhe u përulën përpara Zotit u kursyen, pra, nuk u vranë. PPAlb 230.2

Ata që kryen këtë vepër të tmerrshme gjykimi po vepronin të gjithë më anë të autoritetit hyjnor. Duke ekzekutuar dënimin që kishte dhënë Mbreti i qiellit. Njerëzit PPAlb 231.1

gjithmonë duhet të tregojnë kujdes se si, në verbërinë e tyre njerëzore, ata gjykojnë apo dënojnë të tjerët; por kur Vetë Perëndia u jep atyre urdhër që të ekzekutojnë dënimin që Ai ka dhënë mbi fëlliqësinë, Ai (Perëndia) duhet të respektohet në mënyrë të padiskutueshme. Pra, ata njerëz që kryen këtë akt të dhimbshëm treguan me anë të tij urrejtjen e tyre kundër rebelimit dhe idhujtarisë, dhe në të njëjtën kohë iu përkushtuan edhe më shumë shërbimit ndaj Perëndisë së vërtetë. Zoti e nderoi besnikërinë e tyre duke vendosur merita të veçanta mbi fisin e Levit. PPAlb 231.2

Mbi izraelitët rëndonte faji i tradhtisë, për më keq, tradhtisë kundër një Mbreti që i kishte mbuluar ata me të mira, dhe autoritetin e të cilit ata e kishin pranuar me dëshirë që t’i bindeshin. Me qëllim që qeverisja hyjnore të rivendosej, tradhtarët nuk kishin asnjë rrugë tjeter përveçse të përballeshin me drejtësinë. Megjithatë, edhe në këtë rast Perëndia nuk ngurroi të tregojë mëshirën që e karakterizon gjithmonë. Ndërsa iu përmbajt ligjit të Tij, Ai i garantoi të gjithëve lirinë e zgjedhjes si dhe mundësinë për t’u penduar. Njerëzit që u vranë ishin vetëm ata që deshën të heqin dorë nga rebelimi. PPAlb 231.3

Ishte pra e domosdoshme që ky mëkat të dënohej, si një dëshmi ndaj kombeve përreth se sa e urryeshme ishte idhujtaria për Perëndinë. Me anë të ekzekutimit të drejtësisë mbi fajtorët, Moisiu, si ndërmjetës i Perëndisë, zbatoi dhe detyrë që kishte—të regjistronte zyrtarisht një protestë solemne dhe publike kundër krimit që ata kishin kryer. Kështu, sa herë që në të ardhmen, izraelitët do të dënonin idhujtarinë e fiseve përreth, këta të fundit do të hidhnin akuzën kundër tyre se këta njerëz që pretendojnë se kanë Zotin (hebr. Jahveh) si Perëndi të tyre bënë një viç dhe e adhuruan atë në Horeb. Ndonëse ishin të detyruar ta pranonin këtë të vërtetë aspak të këndshme, izraelitët si kundërpërgjigje do të tërhiqnin vëmendjen e fiseve pagane drejt fatit të tmerrshëm të shkelësve idhujtarë, si një evidencë se mëkati i tyre as nuk u autorizua dhe as nuk u shfajësua. PPAlb 231.4

Dënimi i merituar që duhej të jepej për këtë mëkat diktohej jo vetëm nga drejtësia por edhe nga dashuria. Perëndia është ruajtësi siç është edhe sovrani i popullit të Tij. Ai i pret rrugën atyre që janë të vendosur në rebelimin e tyre, me qëllim që ata të mos çojnë njerëz të tjerë drejt shkatërrimit. Kur kurseu jetën e Kainit, Perëndia demonstroi para mbarë gjithësisë se cilat do të ishin pasojat e mosdënimit të mëkatit. Ndikimi që Kaini ushtroi tek pasardhësit e tij nëpërmjet mënyrës së jetesës dhe mësimeve që u dha atyre do ta çonte njerëzimin drejt një gjendje çthurrjeje, dhune dhe imoraliteti të asaj shkalle që do ta bënte të pashmangshëm shkatërrimin e botës së atëhershme me anë të përmbytjes. Historia e njerëzimit që jetoi përpara përmbytjes së kohës së Noeut dëshmon se jeta e gjatë nuk është aspak bekim për mëkatarin fajtor; Toleranca dhe durimi i jashtëzakonshëm që tregoi Perëndia nuk e ulën aspak nivelin e fëlliqësisë së tyre. Sa më gjatë që jetonin këta njerëz, aq më të çthurrur bëheshin. PPAlb 231.5

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sa i përket apostazisë në malin e Sinait. Në rast se dënimi për rebelët idhujtarë do të shtyhej për më vonë, prej këtyre të fundit do të vëreheshin vetëm pasoja të ngjashme. Bota do të bëhej po aq e çthurrur sa ç’ishte gjatë ditëve të Noeut. Në rast se këta shkelës nuk do të ishin vrarë, ligësi të mëtejshme do të vinin prej tyre, madje edhe më të mëdha se të këqijat që erdhën si pasojë e kursimit të jetës së Kainit vëllavrasës. Mëshira e Perëndisë bëri që mijëra të vuanin dënimin e merituar me qëllim që të parandalohej një dënim tjetër ndaj miliona të tjerëve. Pra, në mënyrë që të shpëtoheshin shumë, duhet të dënoheshin disa. Për më tepër, ngaqë populli izraelit e kishte braktisur besëlidhjen e tij ndaj Perëndisë, ai në fakt ia privoi vetes mbrojtjen hyjnore. Kështu, duke qenë tërësisht të pambrojtur, krejt Izraeli do të ekspozonte dobësinë dhe brishtësinë e tij, gjë që do të shfrytëzohej në çast nga armiqtë përreth. Në rast se e keqja nuk do të shkulej prej izraelitëve, këta të fundit padyshim që do të kishin rënë prë e armiqve të shumtë e të fuqishëm që ata kishin. Ishte mëse e domosdoshme, për të mirën e Izraelit, si edhe një mësim i vyer për të gjithë brezat që do të vinin—krimi duhet të marrë dënimin e merituar. Në fund të fundit, ky dënim ishte një akt mëshire edhe ndaj vetë keqbërësve, sepse do të ndërpriste dhe shkurtonte rrugën e tyre të ligë. Po të ishin kursyer jetët e tyre, e njëjta frymë që i bëri ata që të ngrinin krye kundër Perëndisë do të manifestohej me inate e sherre mes tyre, dhe herët a vonë ata do t’i bënin gropën njëri-tjetrit. Pra, ishte dashuria për botën, për Izraelin por edh për vetë keqbërësit që krimi i tyre u dënua menjëherë dhe me rigorozitet ekstrem. PPAlb 231.6

Ndërkohë, populli erdhi në vete dhe pa shkallën e lartë të fajit të tyre. Tmerri pushtoi mbarë vendqendrimin e Izraelit. gjithandej ekzistonte frika se të gjithë ata që kishin adhuruar viçin do të vriteshin. Duke i ardhur keq për gjendjen e dëshpëruar dhe plot ankth të popullit, Moisiu premtoi të përgjërohej edhe njëherë si ndërmjetësues për ta përpara Perëndisë. “Ju keni bërë një mëkat të madh; por tani unë do të ngjitem tek Zoti; kushedi, ndoshta do të mund të bëj një shlyerje për mëkatin tuaj.” - Eksodi 32:30. Kështu Mosiu u nis, dhe në rrëfimin e tij përpara Perëndisë ai tha, “Medet, ky popull ka kryer një mëkat të madh dhe ka bërë për vete perëndira prej ari. Megjithatë tani, të lutem, falua mëkatin e tyre; përndryshe, më fshi nga libri yt që ke shkruar.’ Por Zoti iu përgjegj Moisiut: ‘Atë që ka bërë mëkat kundër Meje, atë do ta fshij nga libri Im! Tani shko, çoje popullin atje ku të kam thënë. Shiko, Engjëlli Im do të shkojë para teje, por ditën që do të vij për t’i dënuar, Unë do t’i dënoj (fajtorët) për mëkatin e tyre’.” - Vargjet 31-34. PPAlb 232.1

Duke marrë shkas nga lutja e Moisiutm mendja na shkon tek shënimet (këtu: “libri”) në qiell, në të cilin shkruhen emrat e të gjithë njerëzve, dhe veprat e tyre, qofshin këto të mira apo të këqija, rregjistrohen me rigorozitet. Libri i jetës përmban emrat e të gjithë atyre që janë futur në shërbim ndaj Perëndisë. Nëse ndonjëri prej këtyre largohet nga Perëndia, dhe me një këmbëngulje kokëfortë vazhdon të jetëojë në mëkat, dhe në këtë mënyrë dëbon Frymën e Shenjtë dhe ndikimin e Tij, atëherë emri i këtij personi ka për t’u fshirë nga libri i jetës dhe ai ose ajo përfundojnë në rrënim. Vetë Moisiu e kishte shumë të qartë se cili do të kishte qenë fati i mëkatarit; megjithatë, në rast se populli i Izraelit do të mohohej prej Zotit, Moisiu dëshironte që edhe emri i tij të fshihej së bashku me të tjerët; ai nuk mund të duronte dot që të shihte dënimin e Zotit që të binte mbi tërë ata që ishin shpëtuar po me anë të mëshirës së Tij. Ndërmjetësimi i Moisiut në emër të Izraelit ilustron ose simbolizon ndërmjetësimin që Krishti bën për mëkatarët. Por Zoti nuk e lejoi Moisiun që të mbante fajin e keqbërësve, ashtu siç në fakt bëri Krishti. “Atë që ka bërë mëkat kundër Meje, atë do ta fshij nga libri Im!” - Vargu 33. PPAlb 232.2

Populli i varrosi të vdekurit me trishtim të thellë. Tre mijë veta ishin vrarë me shpatë; pas kësaj në vendqëndrimin e izraelitëve kishte rënë një murtajë; ndërsa tani ata morën vesh lajmin se Prania hyjnore nuk do t’i shoqëronte më përgjatë udhëtimit të tyre. Zoti deklaroi, “Unë nuk do të ngrihem në mes teje; sepse je një popull me qafë të fortë; ndryshe do të të kisha shfarosur rrugës.” - Eksodi 33:3. Pastaj Zoti dha një urdhër për Izraelin, “Prandaj tani hiqi stolitë e tua dhe kështu Unë do të di se çfarë duhet të bëj me ty.” - Eksodi 33:5b. Tashmë hidhërimi pllakosi mbarë vendqëndrimin e izraelitëve. Pastaj, në shenjë pendese dhe përulësie, “pasardhësit e Izraelit i hoqën stolitë e tyre, që nga nisja e tyre nga mali Horeb e tutje.” - Vargu 6. PPAlb 233.1

Me anë të një direktive hyjnore, çadra që kishte shërbyer si një vend i përkohshëm adhurimi u largua “jashtë kampit, larg tij.” Në fakt, kjo u pa nga izraelitët si evidencë e mëtejshme se Perëndia e kishte tërhequr praninë e Tij prej tyre. Ai do t’i shfaqej Moisiut, por jo një populli të tillë. Izraelitët e vuajtën shumë këtë masë qortuese nga ana e Perëndisë. Për më tepër, turmën e brente ndërgjegja dhe në fakt, tërheqja e pranisë së Perëndisë u pa nga të gjithë si një paralajmërim i një fatkeqësie të madhe. A mos vallë Zoti e kishte ndarë Moisiun nga kampi i tyre që t’i shkatërronte ata krejtësisht? Por ata nuk u lanë në atë gjendje, madje iu dhanë arsye për të patur shpresë. Çadra ishte ndërtuar jashtë kampit por Moisiu e quajti “tenda (çadra) e mbledhjes (bashkësisë).” (- Vargu 7). PPAlb 233.2

Të gjithë ata që ishin penduar me të vërtetë dhe dëshironin që të ktheheshin tek Zoti u udhëzuan që të shkonin atje për të rrëfyer mëkatet si dhe për të kërkuar mëshirën e Perëndisë. Kur ata ktheheshin në çadrat e tyre, Moisiu hynte në “çadrën e mbledhjes.” I pushtuar nga një ankth dridhërues, populli shikonte nga çadra për të marrë ndonjë shenjë ose gjest se ndërmjetësimi që Moisiu bënte për ta ishte pranuar. Për aq kohë sa Perëndia zbriste që të takohej me Moisiun, ata ndjenin në vetvete shpresë se nuk kishin për t’u konsumuar plotësisht. Kur kolona e resë zbriste, dhe qëndronte mbi hyrjen e çadrës (tabernakullit), populli derdhte lot gëzimi, dhe “kështu tërë populli ngrihej dhe adhuronte, secili në hyrje të çadrës së vet.” - Vargu 10. PPAlb 233.3

Moisiu e njihte fare mirë fëlliqësinë dhe verbërinë e atyre që kishte marrë nën dorëzim; ai i njihte vështirësitë me të cilat do t’i duhej të ndeshej. Por gjithashtu, ai kishte mësuar se pa ndihmën e Perëndisë ai nuk do t’ia dilte mbanë me këtë popull. Kështu, ai iu lut Zotit për një zbulesë më të qartë të vullnetit të Tij si dhe për një garanci të pranisë së Tij. “Pa shiko, Ti më thua: ‘Bëj që ky popull të ngjitet’ Por Ti nuk më ke thënë cilin do të dërgosh me mua. Megjithatë ke thënë: ‘Unë të njoh personalisht dhe ke gjetur hir në sytë e Mi.’ Prandaj tani, që unë kam gjetur hir përpara Teje, më bëj të njohura rrugët e Tua, që të kem mundësi të të njoh dhe të gjej hir përpara Teje. Merr parasysh gjithashtu se ky komb është populli yt’.” - Vargjet 12,13. PPAlb 233.4

Përgjigja e Zotit ishte, “Prania ime do të shkojë me ty, dhe unë do të të jap prehje.” - Vargu 14. Por Moisiu nuk u kënaq me kaq. Atij ia mundonte shpirtin marrja me mend e pasojave në rast se Zoti do ta linte të lirë Izraelin që të vazhdonte në rrugën e kokëfortësisë dhe jo në atë të pendesës. Për të ishte e papranueshme që të kishte synime të ndryshme personale nga ato të bashkëkombasve të tij. Kështu, ai u lut që Zoti ta favorizonte edhe një herë popullin e Tij dhe që shenja e pranisë së Tij të mund të vazhdonte ta drejtonte popullin përgjatë udhëtimit për në Tokën e Premtuar. “Në qoftë se prania Jote nuk vjen me mua, atëherë (më mirë) mos na nis që këtej. Si do të mund të bëhet e ditur tani që unë dhe populli yt, kemi gjetur hir përpara Teje? Ndoshta kjopo ndodh sepse Ti ke për të ardhur me ne? Kështu unë dhe populli Yt do të dallohemi nga tërë popujt që jetojnë mbi faqen e dheut.” - Vargjet 15, 16. PPAlb 233.5

Zoti iu përgjigj, “Do ta bëj edhe këtë gjë që më ke kërkuar, sepse ti ke gjetur hir përpara Meje dhe të njoh personalisht (me emër).” - Vargu 17. Por megjithatë, profeti i madh nuk rreshti së përgjëruari. Deri në këtë moment atij i ishte dhënë përgjigje pozitive për çdo lutje që kishte bërë, por Moisiu kishte etje për shenja të mëtejshme të favorit të Perëndisë. Kësaj rradhe ai bëri një kërkesë që asnjë qenie njerëzore nuk e kishte bërë më përpara: “Të lutem, me trego lavdinë Tënde.” - Vargu 18. PPAlb 234.1

Perëndia nuk e paragjykoi për keq këtë kërkesë; por iu përgjigj Moisiut plot fisnikëri, “Unë do të bëj që të kalojë para teje e gjithë mirësia Ime...” - Vargu 19a. Asnjë njeri (si qenie e vdekshme) nuk mund të shikojë lavdinë e pambuluar të Perëndisë dhe të vazhdojë të jetojë; por Moisiu u sigurua se mund të shihte nga lavdia hyjnore në një masë dhe mënyrë të tillë që të kishte mundësi ta duronte. Kështu, ai u thirr edhe njëherë që të ngjitej në majën e malit; dhe pastaj, dora që krijoi botën, ajo dorë që “zhvendos malet dhe ato nuk e marrin vesh...” (- Jobi 9:5), e mori këtë krijesë të dheut, këtë kampion të madh të besimit, dhe e vendosi në një të çarë të shkëmbit, ndërkohë që lavdia e Perëndisë dhe e gjithë mirësia e Tij kaluan përpara Moisiut. PPAlb 234.2

Ky përjetim—mbi të gjitha premtimi se Prania hyjnore do të takohej me të— ishte për Moisiun një siguri dhe garanci suksesi për punën që e priste në të ardhmen; dhe sigurisht kjo ngjarje u vlerësua nga Moisiu si jashtëzakonisht superiore dhe me një vlerë të pakrahasueshme me tërë vitet e arsimimit të tij në Egjipt si dhe të gjitha arritjet që kishte patur si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak. Asnjë pushtet apo pozitë në këtë botë nuk mund të zëvendësojë dot praninë mbizotëruese të Perëndisë. PPAlb 234.3

Për keqbërësin që ka shkelur ligjin e Perëndisë, rënia në duart e Perëndisë është një gjë tepër e frikshme; por Moisiu qëndroi krejt i vetëm në praninë e Të Përjetshmit Perëndi, dhe nuk pati frikë; sepse zemra e vet dhe vullneti i Krijuesit të tij ishin në harmoni e plotë. Psalmisti thotë, “Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.” - Psalmi 66:18. Por “Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë (ose druhen) prej Tij, dhe Ai do t’u tregojë atyre besëlidhjen e Tij.” - Psalmi 25:14. PPAlb 234.4

Erdhi rradha që Perëndia të bënte një vetë-deklarim, “Zoti (Jahveh), Zoti Perëndi, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin, dhe që viziton padrejtësinë e etërve mbi bijtë dhe mbi bijtë e bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt.” - Eksodi 34:6, 7. PPAlb 234.5

“Moisiu nxitoi, dhe përkuli kokën deri në tokë, dhe adhuroi.” - Eksodi 34:8. Ai iu përgjërua sërish Perëndisë që t’ua falte fajin e shëmtuar popullit të Tij, dhe t’i bënte izraelitët trashëgimtarë të Tij. Lutja e tij u pranua dhe kësaj rradhe. Zoti pranoi me hirësi që ta rikthente edhe njëherë favorin e Tij ndaj Izraelit, dhe të kryente për hatër të popullit të Tij mrekulli të tilla që nuk ishin parë më parë “mbi të gjithë dheun dhe në asnjë komb tjetër.” - Vargu 10. PPAlb 234.6

Moisiu qëndroi në mal dyzet ditë e netë (pa ngrënë dhe pa pirë asgjë (- Vargu); dhe gjatë kësaj here, ashtu si herën e parë, jeta e tij u ruajt mrekullisht. Askush nuk u lejua kësaj rradhe që të ngjitej me të, dhe madje askush nuk lejohej që t’i afrohej malit për sa kohë që Moisiu mungonte. Sipas urdhrit të Perëndisë, Moisiu kishte bërë gati dy pllaka guri të cilat i kishte marrë me vete në majë të malit; dhe sërish Zoti “shkroi mbi pllakat fjalët e besëlidhjes, Dhjetë Urdhërimet.” - Vargu 28. [* Shih SHTOJCEN (në fund të librit), Shënimi 5]. PPAlb 235.1

Moisiu qëndroi për një kohë të konsiderueshme duke kuvenduar me Perëndisë dhe për pasojë, çehrja e tij reflektonte lavdinë e Pranisë hyjnore; duke mos qenë fare i ndërgjegjshëm për këtë, fytyra e profetit ndriçonte me një dritë vezulluese ndërsa zbriste nga mali. Një dritë e ngjashme do të ndriçonte shekuj më vonë çehrjen e Shtjefnit (apo Stefanit), martirit të parë të krishterë, kur u soll përpara gjykatësve; “Dhe të gjithë ata që rrinin ulur në sinedër (këshill) e shikonin me vëmendje, dhe panë fytyrën e tij posi fytyra e një engjëlli.” - Veprat e Apostujve 6:15. Aaroni si edhe krejt populli u strukën kur panë Moisiun dhe “kishin frikë që t’i afroheshin atij.” - Eksodi 34:30. Duke i parë ashtu, të hutuar e të tmerruar, dhe duke mos e ditur shkakun përse, Moisiu u kërkoi që të afroheshin. Ai parashtroi përpara tyre zotimin pajtues që kishte bërë Perëndia, si dhe i garantoi se favori i Perëndisë tashmë do të ishte përsëri me ta. Në zërin e udhëheqësit të tyre, ata nuk mund të dallonin asgjë tjetër përveç dashurisë dhe ëmbëlsisë, dhe më në fund njëri nga turma guxoi t’i vinte pranë. I mbushur nga emocionet e forta, ai nuk mundi dot t’i fliste Moisiut por heshturazi tregoi me gisht drejt fytyrës së Moisiut, dhe pastaj drejt qiellit. Udhëheqësi i madh tashmë e kuptoi gjestin e të panjohurit. Me një ndërgjegje të vrarë, duke u ndjerë ende nën pakënaqësinë hyjnore, populli nuk mund ta duronte dot atë dritë qiellore, e cila, në rast se ata do t’i kishin qëndruar besnikë Perëndisë, do t’ui kishte mbushur zemrat me gëzim. Faji përmban frikë në brendësi. Por njeriu që është i lirë nga mëkati nuk do të dëshironte kurrë që të fshihej nga drita e qiellit. PPAlb 235.2

Mosiu kishte shumë gjëra për t’u transmetuar izraelitëve; dhe duke marrë parasysh faktin se ata kishin frikë, ai vendosi një vello mbi fytyrë, dhe e bëri këtë për një kohë të gjatë, sa herë që kthehej në kamp pas një kuvendimi me Perëndinë. PPAlb 235.3

Me anë të këtij ndriçimi Perëndia synonte të nguliste në mendjet e izraelitëve karakterin e shenjtë dhe superior të ligjit të Tij, si dhe lavdinë e lajmit të mirë të zbuluar nëpërmjet Krishtit. Ndërkohë që Moisiu ndodhej në mal, Perëndia i paraqiti atij jo vetëm dy pllakat me Dhjetë Urdhërimet, por edhe planin e shpëtimit të njerëzimit nga mëkati. Moisiu pa se flijimi i Krishtit parathuhej dhe paralajmërohej nga prototipe dhe simbole të ndryshme të epokës hebraike; dhe ishte drita qiellore që rrezatohej prej Kalvarit, vendit ku u kryqëzua Krishti si dhe lavdia e ligjit të Perëndisë (të sintetizuar tek Dhjetë Urdhërimet) që e mundësonte atë rrezatim të tillë në fytyrën e Moisiut. Ky vezullim hyjnor simbolizonte dhe përfaqësonte lavdinë e një privilegji të lartë—atë të ndërmjetësimit; Moisiu ishte ndërmjetësi i dukshëm për popullin, por ai ishte thjeshtë një përfaqësues i të vetmit Ndërmjetësues të vërtetë midis njerëzimit dhe Perëndisë—Jezu Krishtit (Shih - 1 Timoteut 2:5, 6; Romakëve 8:34; Hebrenjve 7:24b-26). PPAlb 235.4

Lavdia që reflektohej tek çehrja e Moisiut ilustron dhe simbolizon bekimet që do të shijohen nga ata njerëz që mbajnë urdhërimet e Perëndisë nëpërmjet ndërmjetësimit të Krishtit. Ndër të tjera, ajo dëshmon se sa më intim të jetë kuvendimi ynë me Perëndinë, dhe sa më e qartë të jetë njohuria jonë rreth kërkesave të Tij, aq edhe më shumë do t’i afrohemi shëmbëlltyrës së Perëndisë, dhe aq shumë më të gatshëm do të jemi për t’u bërë pjesëmarrës të natyrës hyjnore. PPAlb 236.1

Moisiu ishte një prototip (përfaqësues dhe simbolizues) i Krishtit. Ndërsa ndërmjetësi i Izraelit (Moisiu) e mbuloi fytyrën e tij ngaqë populli nuk mund ta duronte dot lavdinë e saj, në një mënyrë të ngjashme, Krishti, Ndërmjetësuesi hyjnor, e mbuloi natyrën e Tij hyjnore me atë njerëzore kur erdhi në tokë. Në rast se do të kishte ardhur i veshur me ndriçimin verbërues të qiellit, Ai nuk do të kishte arritur të komunikonte me njerëzit (duke patur parasysh pozitën e tyre si mëkatarë). Njerëzit nuk do ta kishin duruar aspak lavdinë e pranisë së Tij. Pikërisht për këtë arsye, Jezusi e përuli Veten, dhe u dërgua nga Perëndia “në shëmbëllimin e njeriut mëkatar” (- Romakëve 8:3), me qëllim që ta kapte njerëzimin e rënë poshtë nga mëkati dhe ta ngrinte lart atë. PPAlb 236.2