PATRIARKË DHE PROFETË

30/74

30—“SHENJTËRORJA DHE SHËRBESAT NË TË”

*****

Kur Moisiu ndodhej ende në mal me Perëndinë, atij iu komunikua një urdhër, “Le të më bëjnë një shenjtërore, në mënyrë që Unë të banoj mes tyre.” Kështu, për ndërtimin e tabernakullit (apo shenjtërores) u dhanë udhëzime të hollësishme. Nëpërmjet aktit të tyre të turpshëm të apostazisë, izraelitët ia privuan vetes bekimin që vinte nga Prania hyjnore dhe për një kohë, ndërtimi i një shenjtëroreje për Perëndinë që të banonte pranë tyre ishte i pamundshëm. Por pas pendesës dhe përuljes së tyre, ata u falën dhe u pranuan sërish në favorin e Perëndisë së qiellit; vetëm atëherë Moisiu, udhëheqësi i tyre madhështor, proçedoi me vënien në zbatim të urdhrit hyjnor. 19 PPAlb 247.1

Njerëz të zgjedhur u caktuan posaçërisht nga Perëndia. Ata kishin mjeshtërinë dhe përvojën e duhur për ndërtimin e kësaj ndërtese të shenjtë. Vetë Perëndia i dha Moisiut planimetrinë strukturore të shenjtërores, me udhëzime të posaçme për sa i përket formës dhe madhësisë së saj, materialeve që duhet të përdoreshin, si dhe të gjithë artikujt e orendive që duhet të përfshiheshin brenda. Vendet e shenjta të punuara me dorë duhet të ishin “shëmbëllesa të asaj (shenjtërores) të vërtetë,” “forma të gjërave qiellore”—një përfaqësim në miniaturë i tempullit qiellor ku Krishti, Kryeprifti ynë i madh, pasi ofroi jetën e Tij si flijim, do të shërbente për të mirën e njerëzve mëkatarë (shih - Hebrenjve 9:24, 23). Në mal, Perëndia i tregoi Moisiut një pamje të shenjtërores qiellore, dhe e urdhëroi profetin që t’i kryente të gjitha gjërat sipas modelit qiellor që i ishte treguar. Të gjitha këto udhëzime të hollësishme u mbajtën shënim me kujdes nga Moisiu. Pastaj, ky i fundit më vonë ua komunikoi këto udhëzime drejtuesve të popullit. PPAlb 247.2

Për ndërtimin e shenjtërores nevojiteshin përgatitje të mëdha dhe me kosto të lartë; ndër të tjera kërkohej një sasi e konsiderueshme materialesh nga më të çmuarit dhe më të shtrenjtët; megjithatë, Zoti pranonte prej popullit vetëm oferta të padetyrueshme (pra, vullnetare). “U thuaj bijve të Izraelit që të më bëjnë një ofertë; do ta pranoni ofertën nga çdo njeri që e bën i shtyrë nga zemra e tij.” - Eksodi 25:2. Ky ishte urdhri hyjnor i cili u përsërit përpara asamblesë nga Moisiu. Një përkushtim ndaj Perëndisë, dhe një frymë sakrifice ishin kërkesat fillestare ndërsa përgatitej një një vendbanim për Më të Lartin Perëndi. PPAlb 247.3

I gjithë populli u përgjigj njëzëri. “Kështu tërë ata që ishin të shtyrë nga zemra e tyre dhe tërë ata që ishin të shtyrë nga fryma e tyre, erdhën për t’i sjellë ofertën e tyre Zotit për veprën e çadrës së mbledhjes, për të gjitha shërbimet e tij dhe për rrobat e shenjta.Erdhën burra dhe gra, ata që kishin zemër bujare, dhe sollën me vete kapëse, vathë, unaza me vulë dhe byzylykë, lloj lloj xhevahiresh prej ari; gjithkush i solli ndonjë ofertë prej ari Zotit.” PPAlb 247.4

“Dhe të gjithë ata që kishin stofa ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe, ose li të hollë, apo lesh dhie, ose lëkura dashi me ngjyrë të kuqe, ose lëkurë baldose, i sollën. PPAlb 248.1

Kushdo që mund të bënte një ofertë prej argjendi o prej bronzi, e solli ofertën e shenjtëruar për Zotin; dhe kushdo që kishte dru prej akacieje për ndonjë punë të caktuar për shërbimin, e solli.” PPAlb 248.2

“Të gjitha gratë e zonja torën me duart e tyre dhe prunë fillin ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe li të hollë. Dhe të gjitha gratë që ishin të shtyra nga zemra e tyre dhe kishin zhdërvjelltësi, torën lesh dhie.” PPAlb 248.3

“Krerët e popullit sollën gurë oniksi dhe gurë për t’u ngallmuar në efodin dhe në pektoralin, aroma dhe vaj për ndriçim të shandanit, vaj për vajosjen dhe për temjanin aromatik. Të gjithë bijtë e Izraelit, burra e gra, që ishin të shtyrë nga zemra për t’i çuar diçka për tërë veprën që Zoti kishte urdhëruar të bënin me anë të Moisiut, i çuan Zotit oferta vullnetare.” - Eksodi 35:21-29. PPAlb 248.4

Ndërkohë që shenjtërorja ishte në ndërtim e sipër, populli, të rinj e të moshuar,— burra, gra apo fëmijë—vazhdonin të sillnin ofertat e tyre derisa njerëzit që ishin përgjegjës për punën konluduan se kishin mjaftueshëm., dhe madje më shumë nga ç’nevojitej. Nga ana tjetër, Moisiu bëri (në emër të Zotit) një lajmërim që u shpall në mbarë kampin, “Asnjë burrë dhe asnjë grua të mos bëjë më ndonjë ofertë për shenjtëroren”. Kështu populli u ndalua që të sillte tjetër material.” - Eksodi 36:6, 7. Murmuritjet e izraelitëve dhe përgjigja që iu dha atyre nëpërmjet gjykimeve të Perëndisë që u ekzekutuan për shkak të mëkateve të tyre u mbajtën të gjitha.shënim nga Moisiu. Të gjitha këto do të shërbenin si një paralajmërim serioz për brezat e ardhshëm. Por nga ana tjetër, edhe përkushtimi, zelli dhe zemërgjerësia e popullit, si në këtë rast, shërbejnë si shembuj të denjë për t’u ndjekur. Të gjithë ata që e dëshirojnë me gjithë zemër adhurimin e Perëndisë dhe e çmojnë bekimin e pranisë së Tij të shenjtë do të manifestojnë të njëjtin shpirt sakrifice kur do t’iu duhet të përgatitin një shtëpi në të cilën Perëndia mund të takohet me ta. Ata do të dëshirojnë të sjellin përpara Zotit flijime nga gjërat më të mira që zotërojnë. Një shtëpi që ndërtohet për Perëndinë nuk duhet të lihet asnjëherë në gjendje borxhi, sepse duke bërë kështu çnderohet Perëndia. Duhet dhënë pra një sasi e bollshme për të përfunduar punën e nisur, dorëlëshuar, në mënyrë që punëtorët të jenë në gjendje të thonë, ashtu si ndërtuesit e shenjtërores, “Mos sillni më oferta (kontribute).” PPAlb 248.5

Tabernakulli u ndërtua në mënyrë të tillë që mund të zbërthehej lehtazi dhe të transportohej nga izraelitët përgjatë udhëtimeve të tyre. Kështu, duke qenë një shenjtërore e lëvizshme, ndërtesa ishte krahasimisht e vogël si strukturë, dhe nuk i kalonte pesëdhjetëepesë metra gjatësi dhe tetëmbëdhjetë metra gjerësi dhe lartësi. Megjithatë, struktura e tabernakullit ishte vërtet madhështore. Druri që u përdor për ndërtesën dhe orenditë e saj ishte dru i akacies, pra, druri me cilësinë më të lartë nga gjithë të tjerët përreth malit Sinai. Çdo dërrasë kishte dy kllapa për të bashkuar njërën dërrasë me tjetrën; kështu u veprua për të gjitha dërrasat e tabernakullit. Për tabernakullin u përgatitën njëzet dërrasa për krahun jugor dhe dyzet baza prej argjendi nën këto dërrasaa. Ndërsa për anën e dytë të tabernakullit, anën veriore, u bënë njëzet dërrasa, me dyzet bazat e tyre prej argjendi, dy baza nën çdo dërrasë. Për pjesën e pasme të tabernakullit, në drejtim të perëndimit, u bënë gjashtë dërrasa si dhe dy dërrasa për dy qoshet e pasme të tabernakullit. Këto të fundit çiftoheshin poshtë dhe ishin bashkuar lart me një unazë. Kështu u veprua për të dy dërrasat, që ndodheshin në të dy qoshet. U bënë gjithashtu edhe disa traversa prej druri të akacies: pesë për dërrasat e njërit krah të tabernakullit, pesë traversa për dërrasat e krahut tjetër të tabernakullit, dhe pesë traversa për dërrasat e pjesës së pasme të tabernakullit, në perëndim. Pastaj traversa e qendrës u bë që të kalonte në mes të dërrasave, nga njëra anë në tjetrën. Këto dërrasa u veshën me ar siç u bënë edhe unazat e tyre nga do të kalonin traversat (edhe këto të veshura me ar). Perdet u bënë me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe me li të hollë të përdredhur me kerubinë të punuar artistikisht; Pastaj u bënë katër shtylla prej druri të akacies me grremçat e tyre prej ari; dhe për shtyllat u shkrinë katër baza prej argjendi. Gjithashtu, për hyrjen e çadrës u bë një perde prej filli ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe prej liri të hollë të përdredhur me kerubinë të punuar artistikisht.Me fjalë të tjera, puna që u bë ishte si puna e një qëndistari. (Shih Elsodi 36:22-37). PPAlb 248.6

Ndërtesa u nda në dy pjesë (ose dhoma) me anë të një perdeje apo veli të shumë të bukur e të kushtueshëm, e cila varej nën traversa të bëra prej ari; dhe një perde e ngjashme mbyllte hyrjen e pjesës së parë të ndërtesës. Këto perde, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe me li të hollë të përdredhur ishin të stolisura me me kerubinë të punuar artistikisht, të cilët përfaqësonin qeniet engjëllore të cilët janë të përfshirë në shërbesën e shenjtërores qiellore. Engjëjt janë gjithashtu qenie frymërore të cilëve Perëndia u ka caktuar për detyrë që t’i shërbejnë njerëzve të Tij në tokë. PPAlb 249.1

Kjo çadër e shenjtë mbahej e mbuluar në një shesh të hapur që quhej “oborri.” Ky oborr rrethohej nga perde të mëdha, edhe këto të bëra e qëndisura me material të bukur e të kushtueshëm, ndonëse jo aq luksoze sa ato brenda shenjtërores. Gjatësia e perdeve të oborrit ishte dy herë më e vogël se gjatësia e mureve të shenjtërores; pra, ndërtesa mund të shikohej me lehtësi nga populli përjashta. Në oborr si dhe pranë hyrjes qëndronte një altar i skalitur që do të shërbente për flijimet (kurbanet). Mbi këtë altar digjeshin të gjitha flijimet që bëheshin me zjarr për Zotin. Brirët e altarit spërkateshin me gjakun shpagues të kafshës. Ndërmjet altarit dhe derës së tabernakullit ishte një legen, edhe ky prej bronzi, i bërë nga pasqyrat që gratë izraelite kishin dhuruar vullnetarisht si ofertë për Zotin. Në këtë legen, priftërinjtë duhet të lanin duart dhe këmbët sa herë që u duhej të hynin brenda në dhomat e shenjta, ose sa herë që i afroheshin altarit kur ofronin një flijim ose kurban për Zotin. PPAlb 249.2

Në dhomën e parë, ose siç quhej ndryshe, Vendin e Shenjtë, ndodheshin tryeza e bukës së paraqitjes, shandani (që mbante qirinjtë), dhr altari i temjanit. Tryeza e bukës së paraqitjes u vendos në veri. Kjo tryezë ishte e veshur me ar të kulluar dhe e zbukuruar me një kurorë me ornamente. Pikërisht mbi këtë tryezë, çdo ditë të shtunë (sabati), priftërinjë duhej të vendosnin dymbëdhjetë kulaçe të cilat vendoseshin në dy rradhë dhe spërkateshin me temjan (shih - Levitiku 24:5-7). Fetat e bukës që hiqeshin konsideroheshin të shenjta, dhe për rrjedhojë duhet të haheshin vetëm nga priftërinjtë. Në jug ndodhej një shandan me shtatë degë, i pajisur me shtatë llampa. Degët e shandanit ishin të zbukuruara me forma Iulesh që u përngjanin zambakëve. Krejt shandani ishte bërë nga një copë e madhe ari. Ngaqë shenjtërorja nuk kishte dritare, llampat nuk fikeshin kurrë dhe kështu i ndriçonin ambientet e brëndshme ditë e natë. Altari i artë i temjanit ndodhej pikërisht përpara perdes që ndante vendin e shenjtë nga vendi më i shenjtë dhe prania imediate e Perëndisë. Mbi këtë altar, prifti duhej të digjte temjan çdo mëngjes dhe mbrëmje; brirët e altarit lyheshin me gjakun e ofertave për mëkatin, ndërsa spërkateshin një herë në vit në Ditën e madhe të Shlyerjes (apo Shëlbimit). Zjarri në këtë altar ndizej nga Vetë Perëndia, dhe ruhej e çmohej si i shenjtë. Temjani shpërndante natë e ditë aromën e tij nëpër dhomat e shenjta të tabernakullit si dhe përjashta, madje edhe mjaft larg ndërtesës. PPAlb 249.3

Përtej perdes (apo vellos) së brendshme gjendej Vendi Më i Shenjtë (ose i Shenjti i të Shenjtëve), ku përqëndrohej shërbesa simbolike e shëlbimit (apo shlyerjes) dhe e ndërmjetësimit dhe e cila formonte elementin lidhës ndërmjet qiellit dhe tokës. Në këtë dhomë gjendej arka e shenjtë, pra një kuti prej druri akacie, e veshur nga jashtë dhe nga brenda me ar, dhe me një kurorë të artë në pjesën e sipërme. Kjo arkë ishte krijuar posaçërisht për të mbajtur brenda saj dy pllakat prej guri mbi të cilat Vetë Perëndia kishte gdhendur Dhjetë Urdhërimet. Për këtë arsye, kjo arkë u quajt arka e besëlidhjes (ndryshe: arka e testamentit) të Perëndisë, duke qenë se Dhjetë Urdhërimet ishin pikërisht themeli i besëlidhjes së kryer ndërmjet Perëndisë dhe Izraelit. PPAlb 250.1

Mbulesa e kësaj arke të shenjtë quhej mbulesa e shlyerjes. Ajo u bë nga një copë e madhe prej ari, dhe rrethohej nga dy kerubinë të artë të cilën qëndronin në të dyja anët. Njëri krah i secilit prej engjëjve shtrihej lart, ndërsa tjetri mbulonte trupin e tyre (shih - Ezekieli 1:11) si shenjë respekti dhe përlësie. Vend-ndodhja e kerubinëve me fytyra të kthyera përballë njëri-tjetrit, dhe duke parë me respekt të thellë poshtë, në drejtim të arkës, simbolizonte respektin me të cilin qeniet qiellore konsiderojnë ligjin e Perëndisë si dhe interesin që kanë për planin e shpëtimit. PPAlb 250.2

Mbi mbulesën e shlyerjes, ishte Shekina (hebraisht: Shekinah), manifestimi i Pranisë hyjnore; dhe pikërisht ndërmjet dy kerubinëve Perëndia bënte të ditur vullnetin e Tij. Shpeshherë, mesazhet hyjnore i komunikoheshin kryepriftit nga një zë që vinte nga reja. Herë të tjera binte një dritë mbi engjëllin në të djathtë, për të dhënë shenjën e miratimit ose të pranimit; por atëherë kur një hije apo një re grumbullohej tek engjëlli në të majtë, kjo nënkuptonte mosmiratim ose refuzim. PPAlb 250.3

Ligji i Perëndisë që gjendej brenda arkës ishte matësi madhështor i virtytshmërisë dhe gjykimit. Ligji shpallte vdekje për shkelësin; por mbi ligjin ndodhej mbulesa e shlyerjes, mbi të cilën shfaqej prania e Perëndisë, dhe prej të cilës, për shkak të shlyerjes, mëkatarit apo fajtorit që pendohej i akordohej falja. Kështu, në punën që Krishti bën për shëtimin tonë, e simbolizuar këtu nga shërbesa e shenjtërores, “Mirësia dhe e vërteta janë takuar së bashku; virtytshmëria dhe paqja janë puthur njera me tjetrën.” - Psalmi 85:10. PPAlb 250.4

Asnjë gjuhë njerëzore nuk mund të përshkruajë lavdinë e skenës që paraqitet nga brenda shenjtërores—muret e veshura me ar që reflektojnë dritën që vjen nga shandani i artë, mbajtëset e shkëlqyeshme të perdeve plot ornamente dhe me engjëjt që ndriçojnë, tryezën, dhe altarin e temjanit që vezullon nga ari; më tej përtej perdes së dytë arkën e shenjtë, me kerubinët e saj mistikë, dhe mbi të, Shekinah, manifestimi i dukshëm i pranisë së Zotit; të gjitha këto ishin veçse një reflektim i zbehtë i lavdisë dhe shkëlqimit të tempullit të Perëndisë në qiell, vendi që shërben si qendra madhështore ku punohet për shpëtimin e njeriut nga mallkimi i mëkatit. PPAlb 250.5

Për ndërtimin e tabernakullit u desh përafërsisht një periudhë gjashtëmujore. Kur ndërtesa u përfundua, Moisiu kreu një kontroll të përgjithshëm të punës që ishte bërë nga punëtorët, duke e krahasuar atë çka ishte ndërtuar me skicën që i ishte treguar më parë në mal, si edhe me udhëzimet që kishte marrë nga vetë Perëndia. “Siç kishte urdhëruar Zoti, ashtu kishin bërë; kështu Moisiu i bekoi.” - Eksodi 39:43. Turmat e shumta të Izraelit u mblodhën nga të gjitha anët për të parë ndërtesën e shenjtë me shumë kureshtje dhe kërshëri. Ndërsa ishin duke kundruar me respekt e admirim atë pamje të pazakontë, kolona e resë lëvizi mbi shenjtëroren, dhe, duke zbritur, e mbështolli dhe e mbuloi plotësisht. “Dhe prania e Zotit e mbushi tabernakullin” - Eksodi 40:34. Madhështia hyjnore u shfaq si kurrë më parë, dhe për një farë kohe, edhe Moisiu nuk mund të hynte dot brenda. Populli e përcolli me shumë emocion shenjën aprovuese nga ana e Zotit se fryti i punës së duarve të tyre ishte pranuar. Nuk pati shfaqje të zhurmshme entuziazmi dhe ngazëllimi. Në fakt, një druajtje solemne i kishte pushtuar të tërë. Por ata u prekën dhe derdhën lotë gëzimi që vinin nga thellësia e zemrës. Ata përshpëritnin me zë të ulët fjalë përgjëruese dhe përulësie për arsye se vetë Perëndia kishte zbritur për të banuar bashkë me ta. PPAlb 251.1

Me anë të një urdhri hyjnor, fisi i Levit u nda veç nga fiset e tjera izraelite për të shërbyer në shenjtërore. Në kohët e lashta, çdo kryefamiljar ishte gjithashtu edhe prifti (apo udhëheqësi shpirtëror) i familjes së tij. Në ditët e Abrahamit, priftëria konsiderohej si një e drejtë e djalit të parëlindur. Por tani, në vend të djemve të parëlindurve të Izraelit, Zoti ftoi fisin e Levit për veprimtaritë që duheshin bërë në shenjtërore. Me anë të këtij nderi të veçantë, Zoti tregoi pranimin nga ana e Tij të besnikërisë së levitëve, si në përkushtimin e tyre ndaj shërbesës së Tij, ashtu edhe në vënien në zbatim të urdhrave të Tij ndëshkues në momentet kur Izraeli kishte mëkatuar rëndë duke adhuruar viçin e artë. Megjithatë, priftëria u kufizua vetëm me familjen e Aaronit. Vetëm Aaroni dhe bijtë e tij lejoheshin që të shërbenin përpara Perëndisë; pjesës tjetër të fisit iu caktuan detyra në lidhje me mirëmbajtjen e tabernakullit si dhe orenditë e tij. Gjithashtu, ata duhej të ndihmonin priftërinjtë gjatë aktivitetit të tyre, por nuk u lejohej që të bënin kurbane, as të digjnin temjan dhe as të shihnin gjërat e shenjta ndërsa këto të fundit ishin të pambuluara. PPAlb 251.2

Për shkak të funksionit të tyre të veçantë, priftërinjve iu caktua një uniformë e veçantë. “Do t’i bësh Aaronit, vëllait tënd, rroba të shenjta, për t’i dhënë lavdi dhe hijeshi,” ishte urdhri hyjnor për Moisiun (- Eksodi 28:2). Uniforma e priftit të thjeshtë ishte një tunikë me ngjyrë të bardhë, e thurrur në një copë të vetme. Ajo ishte e gjatë deri tek këmbët dhe mblidhej tek mesi me një brez të punuar artistikisht me ngjyrë blu, vjollcë, dhe të kuqe. Një çallmë prej liri kompletonte uniformën e jashtme të priftit. Kur Moisiu u gjend pranë shkurrishtes së zjarrtë, Perëndia e urdhëroi që të hiqte sandalet, sepse toka mbi të cilën qëndronte ishte e shenjtë. Në të njëjtën mënyrë, edhe priftërinjtë nuk lejoheshin që të hynin në shenjtërore me këpucët veshur. Ndryshe, balta apo pluhuri që ato mbartnin kishin për ta ndotur atë vend të shenjtë. Kështu, priftërinjtë duhet t’i linin këpucët tek oborri përpara se të hynin në shenjtërore, si dhe duhet t’i lanin si duart ashtu edhe këmbët përpara se të shërbenin brenda në tabernakull apo tek altari i ofertave që digjeshin (ose bëheshin kurban). Kjo proçedurë do të shërbente si një mësim që duhet patur përherë parasysh. Të gjithë ata që do t’i afroheshin pranisë së Perëndisë duhet të heqin çdo lloj ndotjeje që kanë. PPAlb 251.3

Uniformat e kryepriftit ishin prej materiali të kushtueshëm dhe të qëndisura e zbukuruara artistikisht, duke iu përshtatur kështu pozitës së lartë që ai kishte. Përveç tunikës prej liri që mbanin edhe priftërinjtë e thjeshtë, kryeprifti mbante veshur edhe një rrobë ngjyrë vjollce, edhe kjo e thurrur në një copë të vetme. Përreth brezit, veshja ishte e zbukuruar me zile të arta dhe shegë me ngjyrë blu, të kuqërremtë dhe të purpurt. Jashtë kësaj ishte efodi, një veshje më e shkurtër ngjyrë ari, blu, të purpurt, të kuqërremtë dhe të bardhë. Ajo ngjeshej nga një brez me po të njëjtat ngjyra, i punuar edhe ai artistikisht. Efodi ishte në formë jeleku, pra pa mëngë, dhe mbi të, pranë pjesës së shpatullave të qëndisur me ar, ishin vendosur dy gurë oniksi në të cilët ishin gdhendur emrat e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. PPAlb 252.1

Mbi efodin ndodhej piktorali, pjesa më e shenjtë e veshjeve priftërore. Ky piktoral ishte bërë prej të njëjtit material si efodi. Ishte në formë katrore dhe duhet të fiksohej me anë të dy unazave të tij në unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, në mënyrë që pektorali mbi brezin e punuar artistikisht të efodit të mos shkëputej dot prej këtij të fundit. - Eksodi 28:28. Skajet e piktoralit ishin stolisur me një variacion gurësh të çmuar, të njëjtë me ata që formojnë dymbëdhjetë themelet e Qytetit të Perëndisë, Jeruzalemit të Ri. Gurët ishin të fiksuar në ar, të rradhitur në tre rradhë me katër gurë secila, dhe njësoj si ata në pjesët e shpatullave, kishin të gdhendur dymbëdhjetë emrat e fiseve të Izraelit. Udhëzimi i Zotit ishte ky: “Aaroni do t’i çojë emrat e fëmijëve të Izraelit të skalitur në pektoralin e gjykimit, mbi zemrën e tij, kur do të hyjë në vendin e shenjtë, në kujtim të vazhdueshëm përpara Zotit.” - Eksodi 28:29. Në një mënyrë të ngjashme pra, Krishti, Kryeprifti i madh i njerëzimit, i cili paraqet Atit gjakun që derdhi në kryq për hir të shpëtimit të njerëzve mëkatarë, mban në zemrën e Tij emrin e çdo njeriu që pendohet, beson, dhe kthehet në rrugën e Zotit. Psalmist thotë, “Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti merakoset për mua.” - Psalmi 40:17. PPAlb 252.2

Majtas dhe djathtas piktoralit gjendeshin dy gurë të mëdhenj që kishin një shkëlqim madhështor. Këta gurë njiheshin si Urim-i dhe Thumim-i. Me anë të tyre bëhej i ditur vullneti i Perëndisë nëpërmjet kryepriftit. Kur çështje të ndryshme silleshin përpara Zotit me qëllim që Ai të jepte pëlqimin ose refuzimi e Tij, mbështjellja me një kurorë drite e gurit të çmuar në të djathtë nënkuptonte dhënien e Iejes apo miratimit hyjnor, ndërsa mbulimi me anë të një reje i gurit në të majtë shërbente si shenjë se Perëndia nuk e jepte lejen dhe e hidhte poshtë kërkesën në fjalë.Çallma e kryepriftit përbëhej nga një turban i bardhë prej liri, duke pasur të lidhur në të një rrip ngjyrë vjollce, dhe një pllakë prej ari të kulluar në të cilën ishin gdhendur fjalët SHENJTERI ZOTIT. Kështu, çdo gjë që kishte të bënte me paraqitjen dhe sjelljen e priftërinjve duhet të krijonte tek njerëzit përreth një përshtypje të thellë të shenjtërisë së Perëndisë, natyrës së shenjtë të adhurimit të Tij, si dhe të pastërtisë që kërkohej nga të gjithë ata që do të vinin për në praninë e Tij në shenjtërore. PPAlb 252.3

Jo vetëm shenjtërorja, por edhe shërbesa e shenjtë e priftërinjve kishte për qëllim që të shërbente “sipas shembullit dhe hijes së gjërave qiellore.” - Hebrenjve 8:5. Pra, gjithçka kishte një rëndësi të jashtëzakonshme. Kështu, Zoti, nëpërmjet Moisiut, dha një nga udhëzimet më të detajuara dhe më të qarta përsa i përket çdo pike apo detaji të kësaj shërbese simbolike dhe emblematike. Aktiviteti priftëror në shenjtërore ndahej në dy pjesë: shërbesa e përditshme si dhe shërbesa e veçantë e përvitshme. Shërbesa e përditshme kryhej tek altari i ofertës që digjej (i kurbanit) në oborrin e tabernakullit dhe në vendin e shenjtë. Ndërsa shërbesa e përvitshme kryhej në vendin më të shenjtë të ndërtesës. PPAlb 253.1

Absolutisht asnjë njeri tjetër përveç kryepriftit nuk mund të futej e të shikonte në dhomën e brendshme të shenjtërores. Madje dhe vetë kryeprifti mund të hynte atje, (pra, në Vendin më të Shenjtë) vetëm një herë në vit. Sigurisht, kjo hyrje kërkonte prej kryeprifitit një përgatitje të gjatë të kujdesshme dhe solemne. Në ditën e caktuar ai hynte duke u dridhur drejt pranisë së shenjtë të Perëndisë, dhe njerëzit e prisnin kthimin e tij në heshtje të plotë dhe me një ankth të papërshkrueshëm, ndërsa luteshin me gjithë zemër për marrjen e bekimit hyjnor. Përpara pajtuesit të artë, kryeprifti kryente shpengimin (ose shlyerjen) për Izraelin; dhe Perëndia takohej me të në një ré të lavdishme. Një qëndrim më i gjatë se zakonisht nga ana e kryepriftit në këtë vend shkaktonte frikë dhe tmerr nëpër popull sepse mund të ndodhte që kryeprifti të vritej si pasojë e mëkateve të parrëfyera të popullit apo të atij vetë. PPAlb 253.2

Shërbesa e përditshme përbëhej nga kurbani i mëngjesit dhe ai i mbrëmjes, ofrimi i temjanit të ëmbël mbi altarin e artë, si dhe ofertat e veçanta për faje apo mëkate të veçanta. Gjithashtu, kishte edhe oferta për ditët e shtuna, ditët e hënës së re, si dhe festa të tjera të veçanta. PPAlb 253.3

Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje një qengj motak bëhej kurban mbi altarin e artë, me ofertën e parapërcaktuar të mishit, duke simbolizuar në këtë mënyrë shenjtërimin e përditshëm të kombit përpara Zotit Perëndi si dhe varësinë e përhershme të tyre në gjakun shpengues (të flijimit të ardhshëm) të Krishtit. Perëndia kishte kërkuar shprehimisht se çdo kafshë që do të flijohej në shenjtërore duhet të ishte “pa të meta.” - Eksodi 12:5. Priftërinjtë kishin për detyrë që të kontrollonin çdo kafshë që sillej për t’u bërë kurban, dhe nuk duhet të pranonin asnjërën që mund të kishte një të metë, sado të vogël. Vetëm një kurban “pa të meta” mund të shërbente si simbol i pastërtisë absolute të Krishtit, Atij që do të ofronte Vetveten si një Qengj “pa të meta dhe pa njolla.” - 1 Pjetrit 1:19. Apostulli Pal u referohet këtyre flijimeve si një ilustrim për atë çka të gjithë ndjekësit e Krishtit duhet të bëhen. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, me anë të mëshirës së Perëndisë, që ta paraqisni trupin tuaj si flijim të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur.” - Romakëve 12:1. Ne duhet të përkushtohemi plotësisht ndaj shërbimit të Perëndisë, si dhe duhet të bëjmë çdo përpjekje për ta paraqitur ofertën sa më të përsosur. Perëndia nuk do të kënaqet me asgjë më pak se maksimumi që ne mund të ofrojmë. Ata njerëz që e duan Perëndinë me gjithë zemër, do të dëshirojnë që t’i ofrojnë Atij shërbimin më të mirë të jetës së tyre. Njerëz të tillë do të kërkojnë vazhdimisht që t’i vendosin të gjitha energjitë që zotërojnë në harmoni me ato ligje të cilët do të promovojnë aftësinë e tyre për të zbatuar vullnetin hyjnor. PPAlb 253.4

Gjatë ofrimit të temjanit, prifti sillej më pranë se kurrë pranisë së Perëndisë, pra më shumë se në veprimtaritë e tjera të shërbesës së tij të përditshme. Meqënëse velloja e brendshme e shenjtërores nuk zgjatonte deri në majë të ndërtesës, lavdia e Perëndisë, e cila shfaqej mbi pajtuesin e artë, dukej pjesërisht nga nëndarja (apo apartamenti) e parë. Kur prifti ofronte temjan përpara Zotit, ai hidhte vështrimin për nga arka e shenjtë, dhe ndërsa tymi i temjanit ngrihej lart, lavdia hyjnore zbriste mbi pajtuesin e artë dhe mbushte vendin më të shenjtë, dhe shpesh mbushte të dyja nëndarjet saqë prifti detyrohej që të tërhiqej mbrapsht e të qëndronte tek dera e tabernakullit. Ashtu siç prifti, në atë shërbesë simbolike dhe emblematike shikonte me anë të besimit për nga pajtuesi i artë të cilin nuk mund ta shihte, në një mënyrë të ngjashme sot, populli i Perëndisë duhet t’i drejtojë lutjet e veta për nga Krishti, Kryeprifti i tyre i madh, i cili, ndonëse i pashikueshëm për syrin njerëzor, ndërmjetëson për hir të tyre në shenjtëroren qiellore. PPAlb 254.1

Temjani që ngjitej lart drejt qiellit duke marrë me vete lutjet e Izraelit, simbolizon meritat dhe funksionin ndërmjetësues të Krishtit, virtytshmërinë e Tij të përsosur, e cila, me anë të besimit, i atribuohet të gjithë atyre që besojnë në Perëndi. Vetëm kjo virtytshmëri mund ta bëjë adhurimin e qenieve mëkatare të pranueshëm për Perëndinë. Përpara perdes së vendit më të shenjtë gjendej një altar i ndërmjetësimit të përhershëm,ndërsa përpara vendit të shenjtë, një altar i shpengimit apo shlyerjes së vazhdueshme. Populli mund t’i afrohej Perëndisë nëpërmjet gjakut dhe temjanit. Këto dy të fundit kishin një simbolikë të rëndësishme. Ato tërhiqnin vëmendjen drejt Krishtit, Ndërmjetësuesit të madh, me atë të të Cilit njerëzit mund t’i afrohen Zotit Perëndi. Mëshira dhe shpëtimi mund t’i garantohet çdo besimtari apo besimtareje të penduar vetëm nëpërmjet Ndërmjetësuesit Krisht. PPAlb 254.2

Ndërkohë që priftërinjtë hynin çdo mëngjes dhe mbrëmje në vendin e shenjtë kur vinte vakti i ofrimit të temjanit, flijimi (apo kurbani) i përditshëm bëhej gati për t’u ofruar mbi altar jashtë në oborr. Pergjatë kësaj periudhe kohore, interesimi i adhuruesve që mblidheshin në tabernakull ishte tepër i lartë. Përpara se të hynin për në praninë e Perëndisë nëpërmjet shërbesës së priftit, ata duhet të përfshiheshin plotësisht në një moment të thellë reflektimi si dhe të rrëfenin mëkatet që kishin kryer. Në heshtje, ata bashkoheshin në lutje, me fytyra të drejtuara për nga vendi i shenjtë. Në këtë mënyrë, kërkesat e tyre ngriheshin lart me tymin e temjanit, ndërkohë që besimi i tyre bazohej në meritat e Krishtit, Shpëtimtarit të ardhshëm që u ishte premtuar, i cili simbolizohej në këtë rast nga qengji shlyerës. Periudhat kohore të caktuara për flijimin e mëngjesit dhe atë të mbrëmjes konsideroheshin si të shenjta. Kështu, ato do të kremtoheshin nga mbarë kombi izraelit si një kohë e caktuar për adhurimin e Zotit Perëndi. Për më tepër, kur në kohërat e mëvonshme izraelitët u shpërndanë si robër në vende të largëta, ata megjithatë i kthenin kokat drej Jeruzalemit gjatë dy periudhave të shenjta si dhe i ofronin kërkesat e tyre Perëndisë së Izraelit. Duke marrë parasysh këtë traditë, besimtarët e krishterë kanë përpara tyre një shembull shumë të mirë për t’u lutur në mëngjes dhe në mbrëmje. Ndërkohë që Perëndia e dënon ritualin ceremonial bosh që bëhet pa frymën e duhur të adhurimit, Ai i sheh me kënaqësi të gjithë ata që e duan Atë, të cilët ulin kokat dhe përulen çdo mëngjes dhe mbrëmje për të kërkuar falje për fajet që kanë bërë, si dhe të parashtrojnë kërkesat që kanë për bekimet hyjnore që u nevojiten. PPAlb 254.3

Buka e paraqitjes (shih - Eksodi 25:30) mbahej vazhdimisht përpara pranisë së Zotit si një ofertë e përhershme. Duke qënë e tillë, ajo ishte pjesë e flijimit të përditshëm. U quajt “buka e paraqitjes” apo “buka e pranisë” për shkak se paraqitej gjithmonë përpara pranisë së Zotit. Ajo shërbente si një simbol i varësisë së njeriut ndaj Perëndisë, si për ushqimin e rëndomtë por edhe atë shpirtëror. Për më tepër, ky ushqim sigurohet vetëm nëpërmjet veprimtarisë ndërmjetësuese të Krishtit. Perëndia e kishte ushqyer Izraelin në shkretërirë me bukë që vinte nga qielli dhe populli ishte ende i varur nga bollëku hyjnor, si për ushqimin e përditshëm, ashtu edhe për bekimet shpirtërore. Si manna, ashtu edhe buka e paraqitjes shërbenin si simbole të Krishtit, Bukës së gjallë, i cili gjendet përherë në praninë e Perëndisë për ne. Vetë Krishti ka thënë, “Unë jam buka e jetës ... që zbriti nga qielli” - Gjoni 6:48-51. Mbi copat e bukës ishte vendosur temjan i kulluar. Kur buka hiqej çdo ditë të shtunë, për t’u zëvendësuar me bukë të freskët, temjani i kulluar digjej mbi altar si një përkujtimore përpara Perëndisë. PPAlb 255.1

Pjesa më e rëndësishme e shërbesës së përditshme të priftërinjve ishte ajo që kryhej në emër të individëve të caktuar. Personi që kishte bërë faj dhe ishte penduar sillte kafshën për t’u bërë kurban tek dera e tabernakullit, dhe, duke vendosur duart mbi kreun e kafshës së pafajshme, rrëfente mëkatet. Kështu, në mënyrë figurative, mëkatet transferoheshin prej individit tek kafsha e pafajshme. Pastaj personi në fjalë e therrte kafshën me duart e veta, dhe gjaku çohej nga prifti për tek vendi i shenjtë dhe spërkatej përpara perdes, prapa së cilës gjendej arka që përmbante ligjin të cilin fajtori e kishte shkelur. Nëpërmjet kësaj ceremonie mëkati, nëpërmjet gjakut, transferohej në mënyrë figurative për tek shenjtërorja. Në disa raste, gjaku nuk çohej për tek vendi i shenjtë; [* Shih SHTOJCEN (në fund të librit), Shënimi 6] por mishi hahej më vonë nga prifti, ashtu siç kishte urdhëruar Moisiu bijtë e Aaronit, duke thënë, “Zoti ua ka dhënë me qëllim që të mbartni padrejtësinë e asamblesë [së Izraelit].” - Levitiku 10:17. Të dyja këto ceremoni simbolizonin transferimin e mëkatit nga i penduari për në shenjtërore. PPAlb 255.2

E tillë ishte veprimtaria që zhvillohej ditë pas dite gjatë gjithë vitit. Duke qenë se mëkatet e Izraelit transferoheshin në shenjtërore, vendet e shenjta të kësaj të fundit ndoteshin, gjë që e bënte të domosdoshme kryerjen e një detyre të veçantë për heqjen e mëkateve. Perëndia dha urdhër që të bëhej një shlyerje për secilën nga nëndarjet e shenjta, ashtu si edhe për altarin, për ta pastruar dhe për ta shenjtëruar atë “nga papastërtitë e fëmijëve të Izraelit.” - Levitiku 16:19. PPAlb 255.3

Njëherë në vit, në Ditën e madhe të Shlyerjes (shih - Levitiku 16; 23:27, 28; 25:9) prifti hynte në vendin më të shenjtë, për pastrimin e shenjtërores. Kjo detyrë i jepte fund raundit vjetor të veprimtarisë priftërore. PPAlb 255.4

Në Ditën e Shlyerjes, dy cjepër silleshin tek dera e tabernakullit, dhe hidhej një short, “njëri prej tyre do të caktohet për Zotin dhe tjetri do të shërbejë si cjap për shlyerjen e fajit (hebr. “Azazel”).” - Vargu 8. Cjapi mbi të cilin binte shorti i parë duhej të therrej si një ofertë (ose kurban) mëkati për popullin. Pastaj, priftit i duhej ta sillte gjakun brenda perdes, dhe ta spërkaste mbi pajtuesin e artë. “Kështu do të bëjë shlyerjen për Vendin Më të Shenjtë për shkak të papastërtisë së fëmijëve të Izraelit, të rebelimit të tyre, cilatdo qofshin mëkatet e tyre. Do të veprojë në të njëjtën mënyrë për çadrën (tabernakullin) e asamblesë, që mbetet midis tyre, në mes të papastërtisë së tyre.” - Vargu 16. PPAlb 256.1

“Aaroni do të vendosë të dyja duart e tij mbi kokën e cjapit të gjallë dhe do të rrëfejë mbi të gjitha padrejtësitë e fëmijëve të Izraelit, të gjitha shkeljet e tyre, tërë mëkatet e tyre, dhe do t’i vërë mbi kokën e cjapit; pastaj do ta çojë në shkretëtirë me anë të një njeriu të zgjedhur enkas. Cjapi do të mbartë mbi vete në tokë të vetmuar të gjitha padrejtësitë e tyre dhe ai njeri do ta lërë të shkojë në shkretëtirë.” — Vargjet 21, 22. PPAlb 256.2

Populli nuk e ndjente veten të çliruar nga barra e mëkateve pa u larguar cjapi i lartpërmendur. Për më tepër, gjatë kohës së zhvillimit të kësaj veprimtarie të shenjtë shlyerjeje, një pastrim shpirtëror kërkohej prej çdo individi. Puna e përditshme lihej mënjanë, dhe kështu, mbarë asambleja e Izraelit e kalonte ditën me një përulje solemne përpara Perëndisë, me lutje, agjërime, dhe ripërtëritje të thellë shpirtërore. PPAlb 256.3

Nëpërmjet kësaj shërbese të shenjtë vjetore popullit i mësoheshin të vërteta të rëndësishme përsa i përket shlyerjes (ndryshe: shëlbimit). Në ofertat për mëkatet të cilat paraqiteshin gjatë vitit, një zëvendësues pranohej në vend të individit që ishte fajtor; por gjaku i kafshës viktimë nuk kryente këtu shlyerje të plotë për mëkatin. Gjaku thjesht siguronte një mjet nëpërmjet të cilit mëkati transferohej për në shenjtërore. Nëpërmjet ofrimit të gjakut, individi fajtor pranonte autoritetin e ligjit hyjnor, rrëfente fajin e shkeljes, si dhe shprehte besimin e tij në Atë që në të ardhmen do të hiqte mëkatin e botës - Jezu Krishtin (shih - Gjoni 1:29); por ky individ nuk konsiderohej plotësisht i çliruar nga dënimi (apo mallkimi) i ligjit. Në Ditën e Shlyerjes, kryeprifti, me marrjen e një oferte për asamblenë e Izraelit, shkonte me gjakun në Vendin Më të Shenjtë, duke e spërkatur atë mbi pajtuesin e artë, sipër pllakave të ligjit (të Dhjetë Urdhërimeve). Në këtë mënyrë përmbushej detyrimi që vinte prej ligjit, detyrim i cili kërkonte vetë jetën e individit fajtor. Pastaj, duke marrë përsipër rolin e ndërmjetësuesit, prifti i merrte mëkatet mbi vete, dhe, me t’u larguar nga shenjtërorja, ai mbarte me vete barrën e fajeve të Izraelit. Tek dera e tabernakullit, prifti duhej të vendoste duart mbi kokën e cjapit (të dytë) të caktuar për shlyerjen e fajit (për Azazel-in) dhe rrëfente përpara tij “të gjitha padrejtësitë e fëmijëve të Izraelit, të gjitha shkeljet e tyre, tërë mëkatet e tyre, dhe do t’i vërë mbi kokën e cjapit.” - Vargu 21a. Dhe ndërkohë që cjapi që mbarte këto mëkate çohej në shkretëtirë, mëkatet, së bashku me cjapin, konsideroheshin të ndarë përgjithmonë prej popullit. E tillë ishte kjo shërbesë që zhvillohej “sipas shembullit dhe hijes së gjërave qiellore.” - Hebrenjve 8:5. PPAlb 256.4

Siç është përmendur dhe më parë, shenjtërorja tokësore u ndërtua nga Moisiu sipas formatit që iu tregua në mal nga Perëndia. Shenjtërorja ishte “një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme, në të cilën u ofruan si dhuratat ashtu edhe flijmet;” dy vendet e saj të shenjta ishin “forma të gjërave në qiell;” Krishti, Kryeprifti ynë i madh, është “shërbyes i shenjtërores dhe i tabernakullit të vërtetë, të cilin e ngriti Perëndia, dhe jo njeriu.” - Hebrenjve 9:9, 23; 8:2. Ndërsa ndodhej në vegim e sipër, apostullit Gjon iu lejua që të shihte pamjen e tempullit të Perëndisë në qiell. Atje Gjoni pa “shtatë llampa të zjarrta që ndriçonin përpara fronit.” Ai pa gjithashtu një engjëll “që kishte një temjanicë prej ari dhe ndaloi pranë altarit; dhe atij iu dha temjan i bollshëm, për ta ofruar bashkë me lutjet e të gjithë shenjtorëve mbi altarin prej ari që ishte përpara fronit.” - Zbulesa 4:5; 8:3. Këtu profeti u lejua që të shihte nëndarjen e parë të shenjtërores në qiell; dhe atje ai pa “shtatë llampat e zjarrta” dhe “altarin e artë” të përfaqësuar nga shandani i artë dhe altari i temjanit në shenjtëroren në tokë. Sërish, “u hap tempulli i Perëndisë” (- Zbulesa 11:19), dhe Gjoni pa nga brënda përtej perdes së brendshme, mbi Vendin Më të Shenjtë. Këtu ai pa “arkën e besëlidhjes së [Perëndisë]” (- Zbulesa 11:19), e përfaqësuar nga kutia e shenjtë prej druri që u ndërtua nga Moisiu për të depozituar në të ligjin e Dhjetë Urdhërimeve. PPAlb 256.5

Moisiu e ndërtoi shenjtëroren qiellore “sipas modelit që kishte parë.” Apostulli Pal deklaron se tabernakulli dhe “të gjitha orenditë e shërbesës hyjnore,” pasi u përfunduan, ishin “format e gjërave në qiell.” - Veprat e Apostujve 7:44; Hebrenjve 9:21; 23. Ndërsa Gjoni thotë se e pa shenjtëroren në qiell. Kjo shenjtërore, në të cilën Jezusi shërben për të mirën tonë, është origjinali madhështor, kopje e të cilës ishte shenjtërorja e ndërtuar nga Moisiu. PPAlb 257.1

Tempulli qiellor, vendi ku banon Mbreti i mbretërve, atje ku “me mijëra mijërash i shërbenin Atij dhe dhjetëra mijë herë dhjetra mijë qëndronin përpara Tij” (- Danieli 7:10), ishte i mbushur me lavdinë e fronit të përjetshëm, ku engjëjt serafë, gardianët e shndritshëm të fronit, mbulojnë me vello fytyrat në adhurim—asnjë ndërtesë tokësore nuk mund ta përfaqësojë siç duhet madhështinë dhe lavdinë e saj. Megjithatë, me anë të shenjtërores tokësore dhe shërbesave që zhvilloheshin në të, do të mësoheshin të vërteta të rëndësishme në lidhje me shenjtëroren qiellore dhe punën e madhe që zhvillohet atje për shpengimin e njeriut. PPAlb 257.2

Pas ngritjes së tij në qiell, Jezus Krishti, Shpëtimtari ynë mori përsipër punën si Kryeprifti ynë. Apostulli Pal thotë, “Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë në praninë e Perëndisë për ne.” - Hebrenjve 9:24. Ndërsa veprimtaria priftërore e Krishtit do të ndahej në dy pjesë kryesore, secila pjesë zinte një periudhë kohe dhe kishte një vend të veçantë në shenjtëroren qiellore, po kështu, edhe shërbesa simbolike në tokë ishte e ndarë mëdysh, shërbimin e përditshëm si dhe shërbimin vjetor, dhe secilit prej këtyre shërbimeve iu dhanë në dispozicion pjesë të veçanta të shenjtërores. PPAlb 257.3

Ashtu si Krisht në ngjitjen e Tij në qiell u duk në praninë e Perëndisë për të ofruar me përgjërim gjakun e Tij në emër të besimtarëve të penduar, ashtu edhe prifti, në shërbesën e vet të përditshme e spërkaste gjakun e flijimit në Vendin e Shenjtë në emër të individëve fajtorë. PPAlb 257.4

Gjaku i Krishtit, ndërsa shërbente për të çliruar prej dënimit të ligjit individin fajtor që ishte penduar, nuk ishte për të anulluar mëkatin apo fajin; por do të qëndronte i shënuar në shenjtërore deri në momentin e shlyerjes përfundimtare; pi kështu edhe në modelin tokësor, gjaku i flijimit që bëhej për mëkatin e largonte këtë të fundit nga individi që ishte penduar, por qëndronte në shenjtërore deri në Ditën e Shlyerjes. PPAlb 257.5

Në ditën e madhe të shpërblimit përfundimtar, të gjithë ata që kanë vdekur do të gjykohen “në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre.” - Zbulesa 20:12. Pastaj, për shkak të gjakut shlyerës të Krishtit, mëkatet e të gjithë atyre që janë pënduar me të vertetë do të fshihen nga librat e qiellit. Në këtë mënyrë, shenjtërorja do të çlirohet, apo ndryshe, do të pastrohet nga mbetjet e mëkatit. Në modelin tokësor, puna madhështore e shlyerjes, apo e fshirjes së mëkatit, përfaqësohej nga shërbesat e Ditës së Shlyerjes—pastrimi i shenjtërores tokësore, i cili realizohej nëpërmjet largimit të mëkateve me të cilat ishte ndotur me anë të gjakut të flijimit që ishte bërë për mëkatin. PPAlb 258.1

Në shlyerjen përfundimtare të mëkateve të të penduarve, këto mëkate kanë për t’u fshirë nga analet e qiellit, dhe nuk kanë për t’u kujtuar apo sjellur kurrë ndër mënd. Po kështu, në shenjtëroren tokësore, mëkatet çoheshin larg për në shkretëtirë, duke u ndarë kështu përfundimisht nga bashkësia e Izraelit. PPAlb 258.2

Meqënëse mëkati e ka fillin e tij tek Satani, nxitësi drejtpërdrejtë i të gjitha mëkateve që shkaktuan vdekjen e Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë, e kërkon drejtësia që Satani të vuajë dënimin përfundimtar. Veprimtaria e Krishtit për shpengimin e njeriut si dhe pastrimin e universit nga mëkati do të mbyllet nëpërmjet zhvendosjes së mëkatit nga shenjtërorja qiellore dhe së fundmi hedhjes së këtyre mëkateve mbi Satanin, i cili duhet të vuajë dënimin përfundimtar. Në të njëjtën mënyrë, në shenjtëroren tokësore, raundi vjetor i veprimtarive priftërore mbyllej me pastrimin e shenjtërores, si dhe me rrëfimin e mëkateve mbi kokën e cjapit të dytë që më pas çohej në shkretëtirë. PPAlb 258.3

Kështu, në veprimtarinë priftërore të tabernakullit si dhe tempullit (i cili do ta zëvendosonte më vonë tabernakullin), popullit i mësoheshin përditë të vërtetat madhështore që kishin të bënin me vdekjen dhe veprimtarinë priftërore të Krishtit. Pë më tepër, një herë në vit, mendjet e popullit çoheshin përpara në kohë, pikërisht tek ngjarjet përmbyllëse të konfliktit të madh ndërmjet Krishtit dhe Satanit,—tek pastrimi përfundimtar i universit nga mëkati dhe mëkatarët. PPAlb 258.4