PATRIARKË DHE PROFETË

27/74

27—“LIGJI QË IU DHA IZRAELIT”

*****

Shumë shpejt pas kampimit të Izraelit poshtë malit Sinai, Moisiu u thirr nga Perëndia që të ngjiste malin për t’u takuar me Të. Ai u ngjit vetëm nëpër shtigjet e ashpra dhe të thepisura, dhe iu afrua më pranë kolonës së resë që përcaktonte vendin e pranisë së Zotit. Kishte ardhur koha që Izraeli të përfshihej në një marrëdhënie më të ngrohtë e më të veçantë me Më të Lartin Perëndi—duke u integruar si një bashkësi dhe si komb nën qeverisjen e Perëndisë. Mesazhi hyjnor i transmetuar Moisiut për popullin ishte si më poshtë: 17 PPAlb 213.1

“Ju e patë atë që u bëra Egjiptasve, dhe se si ju solla mbi krahë shqiponje pranë Meje. Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve; sepse gjithë toka është Imja.Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.” - Eksodi 19:4-6a. PPAlb 213.2

Moisiu u rikthye në kamp, dhe pasi mblodhi të gjithë kryepleqtë e Izraelit, au u përsëriti atyre mesazhin hyjnor. Ata iu përgjigjën, “Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti.” - Eksodi 19:8. Në këtë mënyrë ata hynë në një besëlidhje solemne me Perëndinë, duke u zotuar se do ta pranonin Atë si udhëheqës. Në një sens të veçantë, me anë të këtij veprimi ata u bënë subjekte të autoritetit të Perëndisë. PPAlb 213.3

Sërish Moisiu morri rrugën për në majë të malit, dhe kësaj rradhe Zoti i tha: “ja, Unë do të vij te ti në një re të dendur, me qëllim që populli të dëgjojë kur unë do të flas me ty, dhe të të besojë përgjithmonë.” - Vargu 9. Kur izraelitët hasën vështirësi të ndryshme gjatë udhës, ata kishin tendencën të murmuritnin kundër Moisiut dhe Aaronit, si dhe t’i akuzonin ata se e kishin nxjerrë mbarë Izraelin nga Egjipti për ta shkatërruar e grabitur. Zoti e nderoi Moisiun haptazi me qëllim, në mënyrë që izraelitët të kishin besim të plotë tek udhëzimet e tij. PPAlb 213.4

Perëndia gjithashtu synonte që momentet gjatë të cilëve Ai do të shpallte ligjin e Tij të ishin madhështore, solemne dhe drithëruese, meqë bëhej fjalë për ligjin e Tij të shenjtë që kishte një karakter tepër të lartësuar. PPAlb 213.5

Ishte e rëndësishme që njerëzit të kishin të qartë se çdo gjë që kishte të bënte me shërbimin ndaj Perëndisë duhej marrë seriozisht dhe trajtuar me respekt dhe përkujdesje maksimale. Kështu, Zoti i tha Moisiut, “Shko te populli, shenjtëroje atë sot dhe nesër, dhe bëj që të lajë rrobat. Dhe të jenë gati për ditën e tretë, sepse ditën e tretë Zoti do të zbresë mbi malin e Sinait para syve të tërë popullit.” - Vargjet 10,11. Gjatë këtyre ditëve përgatitore, të gjithë duhet ta shfrytëzonin kohën me përgatitje solemne për t’u shfaqur përpara Perëndisë. Ata duhet të pastroheshin nga papastërtitë në mënyrë të plotë, si fizikisht ashtu edhe mendërisht e shpirtërisht. Dhe ndërsa Moisiu u vinte në dukje fajet që kishin bërë, ata duhet t’u përkushtoheshin përulësisë, agjërimit, dhe lutjes, në mënyrë që zemrat t’u pastroheshin nga fëlliqësia. PPAlb 213.6

Të tëra përgatitjet u bënë, ashtu siç ishte urdhëruar; dhe duke iu bindur një urdhri kufizues që ishte dhënë më parë, Moisiu dha urdhër që përreth malit të vendosej një pengesë (apo barrikadë), me qëllim që asnjë njeri ose kafshë të kishte mundësi të depërtonte në atë sektor (apo zonë) të shenjtë. Nëse ndokush do të guxonte që vetëm ta prekte pengesën, dënimi ishte vdekje e menjëhershme. PPAlb 214.1

Në mëngjesin e ditës së tretë, ndërsa sytë e të gjithë njerëzve u drejtuan për nga mali, maja e ketij të fundit ishte mbuluar me një ré të dendur, që bëhej gjithmonë e më e errët dhe e dendësuar deri sa krejt mali u vesh me errësirë, një errësirë tepër imponuese dhe e frikshme. Pastaj u dëgjua një tingull i ngjashëm me atë të borisë (trumpetës), që i ftonte njerëzit që të takoheshin me Perëndinë; dhe Moisiu u priu atyre deri në rrëzë të malit. Nga errësira e dendur filluan të ndriçojnë shkëndija verbuese elektrike, ndërsa një seri bubullimash jehonte dhe ri-jehonte nëpër majat e malësive përreth. “Mali i Sinait ishte tërë tym, sepse Zoti kishte zbritur mbi të në zjarr; tymi i tij ngrihej si tymi i një furre, dhe tërë mali dridhej fort.” - Vargu 18. “Dhe pamja e lavdisë së Zotit dukej në sytë e fëmijëve të Izraelit si një zjarr që digjej në majën e malit.” - Eksodi 24:17. Ndërkohë, “zëri i borisë zgjati shumë, dhe po bëhej gjithnjë më i fortë.” - Eksodi 19:19. Aq imponuese dhe dridhëruese ishte prova e pranisë së Zotit saqë turmat e Izraelit u drodhën nga frika dhe u shtrinë përtokë përpara Zotit. Edhe vetë Moisiu u shpreh, “Unë jam aq frikësuar sa po dridhem i tëri.” - Hebrenjve 12:21. PPAlb 214.2

Erdhi çasti dhe bubullimat pushuan; boria nuk u dëgjua më; mbizotëronte një qetësi absolute, a thua se toka kishte ngecur në vend. Pati një periudhë heshtjeje solemne, dhe pastaj u dëgjua vetë zëri i Perëndisë. Perëndia fliste nga brendësia e resë së dendur që e mbulonte, ndërsa qëndronte mbi mal. I rrethuar nga engjëll të shumtë shoqërues, Zoti bëri të ditur para popullit ligjin e Tij. Duke u përpjekur ta përshkruajë këtë skenë, Moisiu thotë: “Zoti erdhi nga Sinai dhe u ngrit mbi ta në Seir; shkëlqeu në madhështinë e tij nga mali Paran, dhe mbërriti me dhjetëra mijëra shenjtorë; nga dora e Tij e djathtë dilte një ligj i zjarrtë për ta. Me siguri ai i deshi njerëzit; të gjithë shenjtorët e Tij janë në duart e Tua; ata janë ulur në këmbët e Tua, secili i dëgjon fjalët e Tua.” - Ligji i Përtërirë 33:2, 3. PPAlb 214.3

Jahveh, Zoti Perëndi i Izraelit shfaqi Vetveten, jo vetëm me mashështinë imponuese të një gjykatësi dhe ligjdhënësi, por edhe si një ruajtës i dhembshur i popullit të Tij: “Unë jam Zoti (hebraisht: Jahveh), Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.” - Eksodi 20:2. Ai që njihej më parë nga të gjithë si Prijësi dhe Shpëtimtari i tyre, që i kishte nxjerrë ata nga Egjipti, që kishte hapur detin më dysh për t’u bërë rrugë atyre, që kishte mposhtur faraonin dhe ushtritë e tij, pikërisht Ai që e kishte treguar veten se ishte mbi të gjithë perënditë e Egjiptit—Zoti ishte Ai që tashmë shqiptonte ligjin e Tij. PPAlb 214.4

Duhet përmendur se gjatë kësaj periudhe të historisë njerëzore, ligji nuk u bë i ditur ekskluzivisht vetëm për llogari të hebrenjve. Perëndia i nderoi hebrenjtë duke i bërë ruajtësit dhe mbrojtësit e ligjit të Tij, por ky i fundit duhej të mbahej si një akt i shenjtë përgjegjësie për mbarë botën. Parimet e Dhjetë Urdhërimeve (apo Dekalogut (greqisht: “dhjetë fjalët”) janë adaptuar nga mbarë njerëzimi, dhe u dhanë për t’u përvetësuar nga të gjithë dhe për të qeverisur të gjithë. Dhjetë udhëzime, konçize, gjithëpërfshirëse, dhe autoritative, mbulojnë detyrën e njeriut ndaj Perëndisë si dhe ndaj njeriut (që i gjendet pranë në një rrethanë të caktuar); dhe gjithçka mbështetet tek parimi madhështor bazë i dashurisë. “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin (apo fqinjin) tënd porsi vetveten.” - Luka 10:27. Shih gjithashtu - Ligji i Përtërirë 6:4, 5; Levitiku 19:18. Këto parime përcaktohen më në detaj tek Dhjetë Urdhërimet, si dhe mund të bëhen të aplikueshme për pozitën dhe rrethanat e caktuara në të cilat ndodhet njeriu. PPAlb 214.5

“Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.” (Urdhërimi I - Eksodi 20:3). PPAlb 215.1

Jahveh, Zoti, i Përjetshmi, i Pakrijuari, Vetë-ekzistenti, meqë Ai është Vetë si Burimi ashtu edhe Mbështetësi apo Mbajtësi i gjithçkaje, Atij dhe vetëm Atij i takon respektimi suprem dhe adhurimi. Njeriu ndalohet që t’i japë ndonjë objekti tjetër vendin e parë në si në mendimet e veta ashtu edhe në veprat e shërbimit të tij. Ato gjëra (cilatdo qofshin) nga të cilat ne nuk heqim dorë, gjëra që kanë prirje që të pakësojnë dashurinë tonë për Perëndinë apo të ndërhyjnë dhe të pengojnë shërbimin që ne na takon t’i bëjmë vetëm Atij, këto gjëra për ne bëhen perëndi. PPAlb 215.2

“Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh...” (Urdhërimi II - Eksodi 20:4, 5a). PPAlb 215.3

Urdhërimi i dytë ndalon adhurimin e Perëndisë së vërtetë me anë të imazheve, skulpturave apo shëmbëlltyrave. Popuj të shumtë paganë pretendonin se imazhet e tyre të drunjta apo të gurta ishin thjesht figura apo simbole me anë të të cilave adhurohej Hyjnia, por Perëndia e ka shpallur si një mëkat (ose faj) këtë lloj adhurimi. Përpjekja për të përfaqësuar Të Përjetshmin Perëndi me anë të objekteve materiale padyshim do të zvogëlonte konceptimin njerëzor mbi Perëndinë. Mendja e njeriut, e larguar nga përsosmëria e pafundme e Zotit do të tërhiqej nga krijesa dhe jo nga Krijuesi. Si pasojë, zvogëlimi i konceptimit mbi Perëndinë nga ana e njeriut do ta degradonte këtë të fundit. PPAlb 215.4

“Unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz...” - Vargu 5b. Marrëdhënia e ngushtë dhe e shenjtë e Perëndisë me popullin e Tij paraqitet këtu me anë të figurës së martesës. Duke qenë se idhujtaria është kurvërim shpirtëror, pakënaqësia e Perëndisë ndaj saj përkufizohet saktë dhe quhet me vend xhelozi. PPAlb 215.5

“[Jam një Perëndi] që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijve të tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë.” - Vargu 5c. Eshtë e paevitueshme që fëmijët kanë për të vuajtur si pasojë e keqbërjeve të prindërve të tyre, por duhet bërë e qartë se ata (fëmijët) nuk dënohen për fajin e prindërve, përveç rasteve kur ata janë pjesëmarrës të mëkatet e tyre. Megjithatë, në shumicën e rasteve, fëmijët ecin pas hapave të prindërve të tyre. Nga trashëgimia dhe shembulli vetjak, bijtë ose bijat bëhen pjesëmarrës të mëkatit të baballarëve ose nënave të tyre. Prirjet e gabuara, orekset dhe epshet perverse, morali jashtëzakonisht i ulët si dhe sëmundjet apo degjenerimi fizik transmetohen brez pras brezi nga prindri tek fëmija deri në brezin e tretë apo të katërt. Në fakt, kjo e vërtetë drithëruese duhet të ketë një fuqi solemne brenda vetes që t’i frenojë njerëzit që ata të mos marrin rrugën e mëkatit dhe të së keqes. PPAlb 215.6

“...Unë do të tregoj dashuri ndaj mijëra brezave të atyre që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e Mia.” - vargu 6. Pasi adhurimi i perëndive të rreme është ndaluar, urdhërimi i dytë rrjedhimisht përkufizon adhurimin e të vetmit Perëndi të vërtetë. Dhe ndaj të gjithë atyre që qëndrojnë besnikë në shërbimin e Tij premtohet hir dhe mëshirë. Kjo e fundit premtohet jo vetëm deri në brezin e tretë apo të katërt, siç ndodh me mërinë hyjnore ndaj atyre që e urrëjnë, por premtohet për mijëra breza që vijnë përpara atyre që e duan dhe i binden Perëndisë. PPAlb 216.1

“Nuk do ta përdorësh kot (ose pa vend) emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot (ose pa vend) emrin e Tij. (Urdhërimi III - Eksodi 20:7). PPAlb 216.2

Ky urdhërim jo vetëm që ndalon betimet e rreme apo fjalët e pista, por na ndalon që të përdorim emrin e Perëndisë kot së koti apo vënd e pavënd, kur nuk tregojmë asnjë konsideratë për domethënien drithëruese të emrit hyjnor. Nga përmendja e pamenduar e Perëndisë në biseda të rëndomta, duke i bërë Atij apel në çështje të kota dhe krejt të parëndësishme, dhe me anë të përsëritjes së panevojshme dhe vulgare të emrit të Tij, ne e çnderojmë Atë. “... I shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i Tij.” - Psalmi 111:9b. Të gjithë duhet të meditojnë rreth madhështisë së Tij, pastërtisë dhe shenjtërisë së Tij, në mënyrë që çdo zemër që rreh të preket nga sensi i karakterit të lartësuar të Perëndisë; dhe emri i Tij i shenjtë duhet të thuhet vetëm duke përdorur një gjuhë (apo fjalor) të respektueshme dhe solemne. PPAlb 216.3

“Mbaje mend (ose kujtoje) ditën e shtunë (sabatin) për ta shenjtëruar. Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde; por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e sabatit dhe e ka shenjtëruar atë.” (Urdhërimi IV - Eksodi 20:8-11). PPAlb 216.4

Sabati (dita e shtunë) nuk prezantohet si një nocion i ri, por si diçka që është themeluar që në krijimin e tokës. Kjo ditë duhet të kujtohet dhe respektohet si përkujtimorja e veprës së Krijuesit. Kjo ditë i referohet Perëndisë si Atë që bëri qiellin dhe tokën, ndaj rrjedhimisht ajo e dallon Perëndinë e vërtetë nga të gjithë perënditë e tjerë të rremë. Të gjithë ata, pra, që mbajnë të shenjtë ditën e shtatë (sabatin) dëshmojnë nëpërmjet këtij veprimi se ata janë adhurues të Zotit. Kështu, sabati është shenja e aleancës së njeriut me Perëndinë, përderisa toka do të ketë njerëz që do t’i shërbejnë Atij. Për më tepër, urdhërimi i katërt është i vetmi nga të dhjetë urdhërimet në të cilin gjenden si emri ashtu edhe titulli i Perëndisë ligjdhënës. Eshtë i vetmi urdhërim që tregon se me autoritetin e kujt ësthë dhënë ky ligj. Kështu, urdhërimi përmban vulën e Peëndisë, vulë që është vënë mbi ligjin e Tij si evidencë e vërtetueshmërisë dhe pushtetit ligjor që ajo disponon. PPAlb 216.5

Perëndia u ka dhënë njerëzve gjashtë ditë në të cilat mund të punojnë, dhe rrjedhimisht Ai kërkon prej tyre që punën ta kryejnë vetëm brenda këtyre gjashtë ditëve që janë ditë pune. Sigurisht që veprimet që kanë të bëjnë me situata të domosdoshme emergjente apo të një natyre tjetër, si edhe veprime altruiste dhe bamirësie lejohen në ditën e shtunë (në sabat); kujdesi për të sëmurët dhe ata në nevojë duhet të tregohet gjatë gjithë kohës pandërprerje; por çdo lloj pune tjetër që është e panevojshme duhet të shmanget rreptësisht. “Në rast se e përmban këmbën që të mos dhunosh të shtunën, në rast se nuk kryen punët e tua gjatë ditës sime të shenjtë, në rast se e quan të shtunën kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit, që meriton nder, në qoftë se e nderon duke hequr dorë nga udhëtimet e tua, nga kryerja e punëve të tua...” - Isaia 58:13a. Por jo vetëm kaq. Profeti shton “dhe nga të folurit për problemet e tua.” - Isaia 58:13b. Ata që diskutojnë çështje pune apo biznesi, apo bëjnë planë gjatë ditës së sabatit konsiderohen nga Perëndia njësoj sikur janë të përfshirë në një tranaksion të vërtetë biznesi. Që ta mbajmë të shenjtë ditën e sabatit ne nuk duhet të lejojmë mendjet tona që të mendojnë për gjëra të rëndomta me karakter materialist. Nga ana tjetër, urdhërimi përfshin të gjithë që ndodhen brenda portave të shtëpive tona. Pjesëtarët e çdo banese duhet të lënë mënjanë punët r tyre me karakter materialist gjatë orëve të shenjta të sabatit. Të gjithë duhet të bashkohen për të nderuar Perëndinë duke i shërbyer Atij me dëshirë gjatë ditës së Tij të shenjtë. PPAlb 217.1

“Do të nderosh babain tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata në tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.” - (Urdhërimi V - Eksodi 20:12). PPAlb 217.2

Prindërit gëzojnë një shkallë dashurie dhe respekti që nuk i takon asnjë njeriu tjetër. Vetë Perëndia, Ai që u ka dhënë atyre një përgjegjësi për fëmijët që kanë në dorëzim, ka udhëzuar qartë se gjatë viteve të fëmijërisë, prindërit do të jenë për fëmijët si zëvendës të Perëndisë. Urdhërimi i pestë kërkon nga ana e fëmijëve që jo vetëm të tregojnë respekt, përulje dhe bindje ndaj prindërve të tyre por edhe të kenë dashuri dhe dhembshuri për ta, t’u lehtësojnë atyre barrën e rëndë të jetës, të ruajnë emrin (apo reputacionin) e mirë që ata gëzojnë, si dhe t’i ndihmojnë e t’i ngushëllojnë në moshë të thyer.Urdhërimi gjithashtu nënkupton respekt edhe për pastorët, drejtuesit, si dhe për të gjithë ata që kanë marrë përgjegjësi nga Perëndia. PPAlb 217.3

“Ky, thotë apostulli, “është urdhërimi i parë (që shoqërohet) me një premtim.” - Efesianëve 6:2. Për Izraelin që priste me padurim që të hynte në territorin e Kanaanit, urdhërimi ishte së pari një garanci për të gjithë ata që i bindeshin Perëndisë, një garanci për një jetë të gjatë në atë tokë të bekuar; por sigurisht domethënia e urdhërimit është shumë më e gjërë, që përfshin besimtarët e të gjitha kohërave, “Izraelin e Perëndisë,” dhe u premton atyre jetë të përjetshme në tokën e re pasi ajo të jetë çliruar nga mallkimi i mëkatit. PPAlb 217.4

“Nuk do të vrasësh.” (Urdhërimi VI - Eksodi 20:13). PPAlb 217.5

Të gjitha ato vepra padrejtësie që bëjnë që jeta të shkurtohet; fryma e inatit dhe hakmarrjes, apo shkallëzimi abuzues i çdo emocioni që shkakton akte lënduese ndaj të tjerëve, apo që thjesht na bën që ne t’u urojmë të keqen të tjerëve (sepse “kushdo që urren vëllanë (apo motrën) e vet është vrasës.” - 1 Gjonit 3:15); çdo lloj dekadence, privimi i panevojshëm, çdo lloj veprimtarie e stërzgjatur fizike që dëmton seriozisht shëndetin—të gjitha këto, pak a shumë, janë dhunime të urdhërimit të gjashtë. PPAlb 217.6

“Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.” (Urdhërimi VII - Eksodi 20:14). PPAlb 218.1

Ky urdhërim ndalon jo vetëm aktet e fëlliqura, por edhe mendimet apo dëshirat epshore apo çdo lloj praktikimi që çon në ndezjen e epshit. Pastërtia kërkohet jo vetëm në jetën “e jashtme” por edhe në synimet e fshehta dhe emocionet e zemrës. Kur shpjegon shkallën e detyrimit tonë ndaj ligjit të Perëndisë, Krishti deklaroi se mendimi apo shikimi i lig dhe i gabuar ishte po aq i mëkatë sa ç’do të ishte edhe vetë akti i paligjshëm. PPAlb 218.2

“Nuk do të vjedhësh.” (Urdhërimi VIII - Eksodi 20:15). PPAlb 218.3

Si mëkati publik ashtu edhe ai privat përfshihen në ndalimin që përmban ky urdhërim. Urdhërimi i tetë gjithashtu dënon vjedhjen e qenieve njerëzore, tregtinë e skllevërve, si dhe ndalon luftërat që kanë si objekt pushtimin. Ai dënon si vjedhjen ashtu edhe grabitjen. Gjithashtu, urdhërimi kërkon ndershmëri dhe integritet maksimal edhe në detajet më të vogla të çështjeve të jetës së njeriut. Ai ndalon mashtrimin në tregtim (ose në pazar), dhe kërkon prej njerëzve që të paguajnë pagat dhe borxhet dhe ta bëjnë këtë me drejtësi dhe korrektësi. Urdhërimi deklaron po ashtu se çdo përpjekje për të përfituar në kurriz të mosdijes, dobësisë apo fatkeqësisë së tjetrit konsiderohet dhe mbahet shënim në librat e qiellit si mashtrim. PPAlb 218.4

“Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër fqinjit (apo të afërmit) tënd.” (Urdhërimi IX - Eksodi 20:16). PPAlb 218.5

Në këtë urdhërim përfshihet edhe të folurit e gënjeshtërt në çdo rast, si dhe çdo përpjekje apo qëllim për të gënjyer dhe mashtruar fqinjin ose të afërmin tonë. Edhe synimi për të mashtruar përbën një gënjeshtër. Në fakt, gënjeshtra mund të tregohet po aq me efikasitet thjeshtë e anë të një shikimi të shkurtër, një lëvizjeje të dorës, ose një shprehjeje të caktuar të fytyrës. Çdo ekzagjerim i qëllimshëm, çdo aludim apo insinuatë që bëhet për të përcjellë një përshtypje të gabuar dhe hileqare, madje edhe deklarimi i fakteve në një mënyrë ose theksim të padrejtë dhe çoroditës, konsiderohet dhe është gënjeshtër. Ky urdhërim ndalon çdo përpjekje që ne mund të bëjmë për të dëmtuar reputacionin e një personi tjetër, duke përfshirë këtu keqpërfaqësimin, spekullimin e lig, shpifjen, dhe thashethemet e pavërteta. Dhunim i urdhërimit të nëntë është edhe fshehja e qëllimshme e së vërtetës, e cila mund të rezultojë në lëndimin apo dëmtimin e të tjerëve. PPAlb 218.6

“Nuk do të lakmosh shtëpinë e fqinjit (apo të afërmit) tënd; nuk do të dëshirosh gruan e fqinjit (apo të afërmit) tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që i takon fqinjit (apo të afërmit) tënd.” (Urdhërimi X - Eksodi 20:17. PPAlb 218.7

Urdhërimi i dhjetë godet rrënjën e të gjitha mëkateve, duke ndaluar dëshirën egoiste nga e cila buron ky veprim i keq dhe i mëkatë. Ai person i cili i bindet ligjit të Perëndisë dhe e mban veten larg çdo mendimi abuziv të qoftë edhe një dëshire mëkatare për diçka që i përket një tjetri nuk do të jetë fajtor ndaj personave të tjerë. PPAlb 218.8

Këto ishin udhëzimet e shenjta të Dekalogut (ndryshe, të Dhjetë Urdhërimeve), të shpallura në mes të vetëtimave dhe flakëve, she me një ekspozim të mahnitshëm të fuqisë dhe madhështisë së Perëndisë, këtij Ligjdhënësi të madh. Perëndia e shoqëroi shpalljen e ligjit të Tij me shfaqjen e pushtetit dhe lavdisë së Tij me qëllim që populli i Tij të mos e harronte kurrë atë skenë, dhe që tek ata të krijohej një ndjenjë e thellë respekti, nderimi dhe adhurimi për Autorin e ligjit, Krijuesin e qiellit dhe të tokës. Perëndia gjithashtu dëshironte t’u tregonte të gjithë njerëzve shenjtërinë, rëndësinë dhe karakterin permanent (e përhershëm) të ligjit të Tij. PPAlb 218.9

Populli i Izraelit dridhej nga tmerri dhe frika. Fuqia tronditëse e dhjetë deklarimeve të Perëndisë ishte e papërballueshme për zemrat e tyre që drithëronin. Ndërsa rregulli i së drejtës së Perëndisë u bë i njohur botërisht, ata e kuptuan karakterin e urryer të mëkatit më mirë se kurrë ndonjëherë si dhe kuptuan fajin e tyre përpara një Perëndie të shenjtë. Ata u larguan nga rrëza e malit të tmerruar e të frikësuar deri në palcë. Kështu, turma i thërriti Moisiut: “Fol ti me ne dhe ne do të të dëgjojmë, por të mos na flasë Perëndia se ndryshe kemi për të vdekur.” - Vargu 19. Moisiu iu përgjigj: “Mos u trembni, sepse Perëndia erdhi që t’ju vëjë në provë, dhe me qëllim që druajtjen ndaj Tij ta keni gjithmonë parasysh, dhe kështu të mos mëkatoni.” - Vargu 20. Megjithatë, populli mbeti në distancë dhe nuk goxonte të afrohej. Ata e vështronin skenën që kishin tyre të tmerruar në maksimum, ndërsa Moisiu “iu afrua errësirës së dendur ku ndodhej Perëndia.” - Vargu 21. PPAlb 219.1

Skllavëria dhe paganizmi i kishin errësuar dhe degjeneruar ndjeshëm mendjet e izraelitëve. Në fakt, ato nuk ishin të përgatitura për të dhënë një vlerësim të plotë për rëndësinë dhe gjërësinë e parimeve të këtyre dhjetë udhëzimeve bazë nga Perëndia. Kështu, me qëllim që detyrimet ndaj Dhjetë Urdhërimeve të kuptoheshin dhe të zbatoheshin më plotësisht, pas tyre u dhanë udhëzime shtesë të cilat shërbenin për të ilustruar dhe aplikuar parimet e Dekalogut (Dhjetë Urdhërimeve). Këto pjesë legjislacioni u quajtën gjykime, sepse ishin hartuar me një mençuri të jashtëzakonshme dhe me një paanshmëri absolute, por edhe sepse ato do të shërbenin si një lloj kodi civil për gjyqtarët në gjykimin e çështjeve të ndryshme. Në dallim nga Dhjetë Urdhërimet, ligjet shtesë iu komunikuan privatisht Moisiut, i cili më pas do t’ia komunikonte ato popullit. PPAlb 219.2

I pari nga këto ligje shtesë kishte të bënte me shërbëtorët apo skllevërit. Në kohërat e lashta ndodhte që ndonjëherë kriminelë të ndryshëm të shiteshin si skllevër nga gjykatësit; në disa raste të tjera borxhlinjtë shiteshin si skllevër nga kreditorët e tyre; ndërsa varfëria detyronte shumë syresh që të shitnin veten e tyre ose fëmijët. Por një izraelit nuk mund të shitej si skllav pambarimisht. Afati kohor i shërbimit të tij u kufizua në gjashtë vjet; në vitin e shtatë ai duhej të çlirohej plotësisht nga skllavëria. Nga ana tjetër, personat që do të kryenin krime të tilla si rrëmbimi i njerëzve, vrasja me dashje ose paramendim, si dhe rebelimi kundër autoritetit prindëror do të dënoheshin me vdekje. Mbajtja e skllevërve që nuk ishin lindur si izraelitë u lejua, por jeta dhe të drejtat e tyre mbroheshin me rreptësi.që tani e tutje, vrasësi i një skllavi kishte për t’u dënuar; një lëndim që i bëhej skllavit nga pronari i tij, edhe në rastin kur ky i fundit do t’i shkaktonte skllavit ose skllaves së tij qoftë edhe rënien e një dhëmbi të vetëm, atëherë pronari ishte i detyruar që ta linte të lirë si kompensim për lëndimin. (Për më tepër, shih - Eksodi 21:1-27). PPAlb 219.3

Jo shumë kohë më përpara, izraelitët kishin qenë vetë në pozitat e skllavit, dhe tani që do të kishin shërbëtorë për veten e tyre, ata duhet të bënin kujdes që të mos silleshin në mënyrë abuzive apo të tregoheshin të pamëshirshëm dhe mizorë me ta, ashtu siç ishin sjellë me ta ish-pronarët e tyre egjiptas. Kujtimet e hidhura nga vitet e skllavërisë së tyre duhet t’i ndërgjegjësonin ata në lidhje me trajtimin e skllevërve të tyre; ata duhet ta vinin veten në pozitën e shërbëtorëve, t’i drejtonin ata me mirësi dhe dhembshuri; me fjalë të tjera, izraelitët duhet t’i trajtonin të tjerët ashtu siç do të dëshironin të trajtoheshin vetë prej tyre. PPAlb 219.4

Të drejtat e vejushave dhe jetimëve gëzonin një mbrojtje të veçantë, ndërsa situata dhe kushtet e tyre të disfavorshme u morën shumë seriozisht, dh u adresuan me urdhëra të posaçëm. “Nuk do të mundosh asnjë grua të ve, dhe asnjë jetim. Në rast se i mundon ata në ndonjë mënyrë dhe ata thërrasin në drejtimin Tim, Unë do ta dëgjoj patjetër britmën e tyre; do të zemërohem dhe do t’ju vras me shpatë; gratë tuaja do të mbeten të veja dhe bijtë tuaj jetimë.” - Eksodi 22:22-24. Gjithashtu, të huajt që u bashkuan me Izraelin nuk duhet të rriheshin dhe mundoheshin. “Mos shtyp të huajin, sepse ju e njihni zemrën e të huajit, sepse keni qenë (vetë) të huaj në vendin e Egjiptit.” - Eksodi 23:9. PPAlb 220.1

Status të veçantë gëzonin dhe njerëzit e varfër. Kështu, marrja e kamatës (pra, e një borxhi plus përqindjen e interesit) nga një njeri i varfër ndalohej me ligj. (- Eksodi 22:25). Gjithashtu, marrja si peng e rrobës së një të varfri nuk duhet të zgjaste pas perëndimit të diellit (- Eksodi 22:26). Ai që ishte fajtor për vjedhje duhet të paguante dyfishin e asaj që kishte vjedhur. (Shih - Eksodi 22:2-9). Respekti për gjykatësit dhe kryepleqtë rregullohej me ligj. Në fakt, për gjykatësit u dhanë paralajmërime kundër gjykimit të njëanshëm dhe marrjes së rryshfeteve nga ana e tyre. Ndalohej shpifja dhe denigrimi i personave, ndërsa legjislacioni kishte klauzola të veçanta që përcaktonin mirësinë që duhej treguar edhe ndaj armikut personal. PPAlb 220.2

Njerezve iu rikujtua sërish detyrimi i shenjtë për ditën e sabatit (e shtunë). U caktuan edhe festa të përvitshme në të cilat të gjithë burrat e kombit duhet të mblidheshin përpara pranisë së Zotit dhe t’i sillnin atij flijime mirënjoheje si dhe frytet e para të të korrurave të tyre. Këto rregullore kishin në vetvete një objektiv: ato nuk rrodhën nga ushtrimi i një sovraniteti arbritrar nga ana e Perëndisë; përkundrazi, të gjitha u dhanë për të mirën e Izraelit. Zoti tha, “Ju do të jeni për Mua njerëz të shenjtë”—të denjë për t’u çmuar nga një Perëndi i shenjtë. (Shih - Eksodi 22:31a). PPAlb 220.3

Këto ligje, së bashku me Dhjetë Urdhërimet, parimet e të cilave ilustroheshin në detaj nëpërmjet këtyre ligjeve, duhet të mbaheshin shënim nga Moisiu, dhe të ruheshin me kujdes si themeli i ligjit kombëtar izraelit dhe si kushti i plotësimit (apo përmushjes) së premtiveve të Perëndisë për Izraelin. PPAlb 220.4

Pastaj, popullit iu dha një mesazh i posaçëm: “Ja, pra, unë po dërgoj një Engjëll para teje që të të ruajë gjatë rrugës, dhe të të futë në vendin që kam përgatitur. Ki kujdes para Tij dhe bindju zërit të Tij; mos ngri krye kundër Tij, sepse (ndryshe) Ai nuk ka për t’i falur shkeljet tuaja; sepse emri Im gjendet në Të. Por në qoftë se i bindesh plotësisht zërit të Tij dhe bën të gjitha ato që të them, unë do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu. - Eksodi 23:20-22. Përgjatë endjes së gjatë të Izraelit, vetë Biri i Perëndisë që do te njihej më vonë si Krishti, qëndronte në kolonën e resë dhe zjarrit si Prijësi i tyre. Ndërsa ekzistonin simbole që tregonin në të ardhmen për nga Shpëtimtari që do të vinte, ndërmjet tyre gjendej një Shpëtimtar, i cili i jepte urdhra Moisiut për popullin, dhe që ishte caktuar përpara tyre si i vetmi mjet bekimi për ta. PPAlb 220.5

Pasi zbriti malin, “Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet (hebraisht: gjykimet). Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: ‘Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë?”‘ - Eksodi 24:3. Ky zotim, së bashku me fjalët e Zotit para të cilave ata u betuan se do t’u binden, u shkruajt nga Moisiu në një libër. PPAlb 221.1

Më pas vijoi ratifikimi i besëlidhjes. Tek rrëza e malit u ndërtua një altar, dhe pranë tij u ngritën dymbëdhjetë shtylla, “sipas dymbëdhjetë fiseve të Izraelit,” si një dëshmi e pranimit të besëlidhjes nga ana e tyre. Pastaj u paraqitën flijimet nga të rinjtë që ishin caktuar për këtë shërbesë. PPAlb 221.2

Pasi e spërkati altarin me gjakun e ofertave (apo kurbaneve), Moisiu “mori librin e besëlidhjes dhe e lexoi që ta dëgjonte populli.” - -Eksodi 24:7a. Kështu, kushtet e besëlidhjes u përsëritën dhe njëherë solemnisht, dhe të gjithë ishin plotësisht të lirë të zgjidhnin nëse do t’u bindeshin atyre ose jo. Ata kishin premtuar në fillim që do t’i bindeshin zërit të Perëndisë; por pas atij premtimi fillestar izraelitët kishin dëgjuar të shpallej ligji i Perëndisë. Dhe parimet e ligjit ishin detajuar në mënyrë që ata ta kuptonin mirë se sa shumë përfshinte kjo lloj besëlidhjeje. Edhe një herë, populli u përgjigj njëzëri, “Ne do të bëjmë të gjitha ato që ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi Atij.” - Vargu 7b. “Sepse kur Mosiu i kishte shpallur popullit të gjitha urdhërimet sipas ligjit, ai mori gjakun e viçave, të cjepve, bashkë me ujë, lesh të kuq dhe hisop, e spërkati librin dhe gjithë popullin, duke thënë: “Ky është gjaku i Besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju.” - Hebrenjve 9:19, 20. PPAlb 221.3

Tashmë kishte ardhur koha për të bërë përgatitjet e duhura për shpalljen dhe pozicionimin e kombit të zgjedhur izraelit nën, Zotin (Jahveh), si mbret të tyre. PPAlb 221.4

Mosiu kishte marrë urdhrin, “Ngjitu te Zoti, ti dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu si dhe shtatëdhjetë kryepleqtë e Izraelit, dhe adhuroni nga larg; pastaj vetëm Moisiu do t’i afrohet Zotit; të tjerët nuk do t’i afrohen...” - Eksodi 24:1, 2a. Ndërsa populli adhuronte Zotin në rrëzën e malit, burrat e zgjedhur filluan ngjitjen drejt majës. Shtatëdhjetë kryepleqtë kishin si detyrë që të ndihmonin Moisiun në qeverisjen e Izraelit, dhe Perëndia vuri mbi ta Frymën e Tij, dhe i nderoi ata duke u falur një pamje të pushtetit dhe madhështisë së Tij. “Dhe ata panë Perëndinë e Izraelit. Nën këmbët e tij ishte si një dysheme e punuar me safir, dhe aq e qartë sikur të ishte përbërja e vetë qiellit.” - Eksodi 24:10. Më saktë, ata nuk e kqyrën Hyjninë por panë lavdinë e pranisë së Tij. Përballë kësaj pranie, ata nuk do të kishin mundur ta përballonin atë skenë; por ekspozimi i fuqisë së Perëndisë i kishte frikësuar dhe çuar drejt pendesës; në fund të fundit, ata kishin vështruar dhe medituar mbi lavdinë, pastërtinë, dhe mëshirën e Perëndisë, përderisa ishin afruar më pranë Tij. Ata u ngazëllyen nga kjo shfaqje e jashtëzakonshme dhe reflektuan thellë dhe gjatë rreth saj. PPAlb 221.5

Erdhi më në fund koha që Moisiu dhe “zbatuesi (ose shërbëtori) i tij Jozueu” të thirreshin nga lart që të takoheshin me Perëndinë. Dhe ngaqë do të mungonin për njëfarë kohe, Moisiu caktoi Aaronin dhe Hurin, të asistuar nga kryepleqtë, që ta zëvendësëonin përkohësisht në rolin e udhëheqësit. “Moisiu, pra, u ngjit në mal dhe reja e mbuloi përsëri malin. Dhe lavdia e Zotit tashmë mbeti në malin e Sinait.” - Vargjet 15, 16a. Reja e mbuloi malin për gjashtë ditë, si shenjë e pranisë së veçantë të Perëndisë; megjithatë, gjatë këtyre ditëve nuk pati asnjë zbulesë nga Perëndia apo ndonjë akt komunikativ të vullnetit të Tij. Gjatë kësaj kohe mbeti në pritje të vazhdueshme për një takim në “dhomën” e Më Të Lartit Perëndi. Ai ishte urdhëruar, “Eja lart në mal dhe qëndro atje,” (- Vargu 12) dhe ndonëse me këtë rast durimi dhe bindja e tij u vunë përpara provës, ai nuk u lodh së vështruari dhe nuk e braktisi vendin për asnjë çast. Kjo përiudhë pritjeje i shërbeu Moisiut si një kohë përgatitore, një kohë për të reflektuar tek vetvetja. Madje edhe ky shërbëtor i zgjedhur i Perëndisë nuk mund të afrohej në mënyrë të menjëhershme për në praninë e Tij dhe të përballej me ekspozimin e lavdisë së Tij. Duhet të kalonin plot gjashtë ditë që Moisiu t’i përkushtohej plotësisht Perëndisë, duke e kërkuar atë me zemër, duke medituar dhe duke iu lutur Atij. Vetëm atëherë Moisiu mund të ishte cilësohej si i përgatitur për të patur komunikim të drejtpërdrejtë me Krijuesin e tij. PPAlb 221.6

Ditën e shtatë, pra, ditën e shtunë (në sabat), Moisiu u thirr nga një zë që vinte nga brenda resë. Reja e dendur u hap përpara mbarë asamblesë së Izraelit, dhe lavdia e Zotit u shfaq si një zjarr që përpin. “Kështu Moisiu hyri në mes të resë dhe u ngjit në mal; dhe Moisiu mbeti në mal dyzet ditë dhe dyzet netë.” - Vargu 18. Dyzet ditët e qëndrimit në mal nuk përfshinin gjashtë ditët e përgatitjes. Gjatë këtyre gjashtë ditëve Jozueu ishte pranë Moisiut, dhe së bashku ata hëngrën manna, dhe pinë nga uji i përroit “që zbriste nga mali [Sinai] ” - Ligji i Përtërirë 9:21. Por Jozueu nuk hyri me Moisiun në mes të resë. Ai mbeti jashtë, dhe vazhdoi të hante e të pinte gjatë dyzet ditëve, duke pritur kthimin e Moisiut. Nga ana tjetër, Moisiu agjëroi për dyzet ditë me rradhë. PPAlb 222.1

Gjatë qëndrimit në mal, Moisiu mori udhëzime nga Perëndia rreth ndërtimit të një shenjtëroreje në të cilën do të shfaqej posaçërisht vetë prania hyjnore. “Le të më bëjnë një shenjtërore, në mënyrë që Unë të banoj në mes tyre.” (- Eksodi 25:8)— ky ishte urdhri i Perëndisë. Respektimi i ditës së shenjtë të sabatit u porosit për herë të tretë. “Tregoni kujdes të madh për të respektuar të shtunat (sabatet) e Mia, sepse është një shenjë midis Meje dhe jush për të gjithë brezat tuaj, në mënyrë që të njihni se Unë jam Zoti që ju shenjtëron. Do të respektoni, pra, të shtunën (sabatin), sepse është për ju një ditë e shenjtë; ...duke e kremtuar atë brez pas brezi, si një besëlidhje të përjetshme. Ajo është një shenjë e përjetshme midis Meje dhe bijve të Izraelit, sepse në gjashtë ditë Zoti bëri qiellin dhe tokën, dhe ditën e shtatë pushoi dhe u shlodh.” (Shih - Eksodi 31:1317). Udhëzimet për ndërtimin e menjëhershëm të shenjtërores (apo tabernakullit) për t’i shërbyer Perëndisë sapo ishin dhënë; dhe duke patur këtë gjë parasysh populli mund të dilte në konluzionin se meqënëse ky projekt po ndërtohej për hir të lavdisë së Perëndisë, dhe meqënëse nevoja për një vend adhurimi ishte e ngutshme, ata do të justifikoheshin për punën dhe ndërtimin që do të kryenin gjatë ditës së shtunë. Për t’i ruajtur nga bërja e këtij gabimi, Perëndia dha një paralajmërim. Madje edhe shenjtëria dhe emergjenca e këtij projekti të veçantë që do të ndërtohej për Perëndinë nuk lejohej që ta vinte popullin në pozitat e mosrespektimit të ditës së Tij të shenjtë. PPAlb 222.2

Me të mbaruar kjo, populli do të nderohej me praninë e vazhdueshme të Zotit dhe Mbretit të tyre. “Unë do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe do të jem Perëndia i tyre,” “dhe atje do të takohem me bijtë e Izraelit; dhe tabernakulli do të shenjtërohet nga lavdia Ime.” (- Eksodi 29,45,43) — ky ishte premtimi që iu dha popullit nëpërmjet Moisiut. Si një simbol i autoritetit të Perëndisë dhe një personifikim i vullnetit të Tij, Mosiut iu dha një kopje e Dhjetë Urdhërimeve e gdhëndur nga Vetë gishti i Perëndisë në dy pllaka prej guri. (- Ligji i Përtërirë 9:10; Eksodi 32:15, 16). Këto dy pllaka do të ruheshin në mënyrë të posaçme brenda shenjtërores, e cila, me të përfunduar, do të shërbente si qendra e dukshme e adhurimit mbarëkombëtar. PPAlb 222.3

Nga një racë skllevërish, izraelitët ishin lartësuar mbi të gjithë popujt e tjerë të botës, që të ishin një thesar i veçantë i Mbretit të mbretërve. Perëndia i kishte ndarë ata veç nga bota, në mënyrë që t’u besonte atyre një amanet të shenjtë. Ai i kishte bërë hebrenjtë depozitues të ligjit të Tij. Gjithashtu, Perëndia synonte që nëpërmjet izraelitëve, të ruante ndër njerëzit njohurinë e Vetvetes. Në këtë mënyrë, drita e qiellit kishte për të ndriçuar fort në një botë të mbuluar nga errësira. Në botë do të dëgjohej një zë i cili do t’u bënte apel të gjithë popujve që të braktisnin idhujtarinë dhe t’i shërbenin të vetmit Perëndi të gjallë. Në qoftë se izraelitët do t’i qëndronin besnikë këtij amaneti, ata kishin për t’u bërë një fuqi e mirëfilltë botërore. Perëndia do të ishte Mbrojtësi i tyre, dhe do t’i lartësonte mbi të gjithë kombet e tjera të dheut. Drita dhe e vërteta e Perëndisë do të shfaqej nëpër botë nëpërmjet Izraelit, dhe ky i fundit do të qëndronte i patundur nën udhëheqjen dhe qeverisjen e mençur dhe të shenjtë të Perëndisë si një shembull i superioritetit të adhurimit të Tij mbi çdo lloj forme apo trajte idhujtarie. PPAlb 223.1